Glyukha yona kokal nuku ka (“Gjuha jonë kocka nuk ka”) është një poezi e shkruar nga përkthyesi dhe botuesi anglez Peter Constantine në gjuhën arvanitase.
Kjo poezi është lexuar nga vetë ai për Maratonën e Videopoemave të Pen International kushtuar gjuhëve indigjene dhe minoritare.
Peter Constantine jeton në Amerikë, ai është britanik por është rritur nga një njerk arvanitas. Ai ka një ndjeshmëri të lartë për gjuhën arvanitase, të cilën e ka shprehur në shumë shkrime, ndonjë prej tyre i botuar edhe në revistën defekt-teknik. E quan gjuha jonë. Është kaq prekës titulli i kësaj poezie, ashtu siç është prekëse çdo fjalë e saj, që shpreh një trishtim të thellë për zhdukjen e kësaj gjuhe, e cila është quajtur “gjuha e zogjve” ngaqë është tejet melodioze për veshin e të huajve dhe që vetë vendasit arvanitë e quajnë “gjuha e perëndive”.
Peter Constantine është një zë i vetëm në arenën ndërkombëtare, por çfarë po bën ai, alarmi që ai ngre vazhdimisht për zhdukjen e gjuhës arvanitase është ajo që duhej të kishte bërë me kohë shteti letargjik shqiptar dhe ambasada jonë në Greqi, që nuk e ngrenë kurrë zërin për çështje të tilla.
Kjo poezi është një përgjigje e mirë edhe për gjithë shqiptarët-antishqiptarë, një numër i konsiderueshëm i tyre çuditërisht është strehuar edhe në Akademinë e Shkencave dhe që andej e zhvillojnë lirisht dhe sistematikisht veprimtarinë e tyre antishqiptare, të cilët së fundmi kanë dalë me teorinë se arvanitasja nuk ka lidhje me gjuhën shqipe.
Por si ka mundësi që ne kuptojmë çdo fjalë të kësaj poezie? Madje edhe theksi është shumë i njohur për dikë që është rritur me dialektin tosk. Apo fjalë si “shkëmbënj”, “bënet”, “nakatosur”, etj. Po ku i dihet, sipas teorisë së tyre ndoshta edhe ne që e kuptojmë mund të mos jemi shqiptarë!
Arvanitasja, gjuha jonë e vjetër shqipe, në një botë ideale do të duhej studiuar në shkolla e analizuar vazhdimisht. Ajo nuk duhet lënë të vdesë. Vëreni sesi përmendet termi “arbërisht” në këtë poezi. Autori i referohet arvanitases si gjuhë e folur “arbërisht”, ashtu siç i referohen të gjithë arvanitët.
Kush është rritur me toskërishten do ta ketë më të lehtë për ta kuptuar, ndërsa për ata që kanë ndonjë vështirësi të vogël, poezia shoqërohet me titra në gjuhën angleze.
Peter Constantine është fitues i Pen/book of the month Club Translation Prize, National Translation Award, Koret Jewish Book Award, National Jewish Book Award, Hellenic Association of Translators of Literature Prize, Helen and Kurt Wolff Translation’s Prize, Ellen Maria Gorrissen Berlin Prize. (Lista e vlerësimeve dhe e arritjeve të tij është e gjatë.) Njohës i një numri të madh gjuhësh, midis tyre edhe gjuha shqipe. Përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm botërorë si Dostoevsky, Thomas Mann, Chekhov, përkthyes dhe i disa autorëve shqiptarë, siç është Ismail Kadare, Bashkim Shehu, etj.
Poezinë e gjeni këtu:
(Video e realizuar nga Jazra Khaleed)