Arti i mbytjes – Billy Collins
Pyes veten si filloi e gjitha,
kjo ideja për ta parë jetën tënde si një shkrepëtimë blici përpara syve të tu
ndërsa mbytesh,
sikur paniku apo akti i mbytjes
mund ta trembë kohën në një ngjeshje të tillë dërrmuese dekadash
në xanxën e sekondave të tua të fundit të dëshpëruara.
Pas rënies prej një avulloreje ose pas zhdukjes nga një përmbytje,
a nuk do shpresoje për një këqyrje më të ngeshme,
një dorë e padukshme duke kthyer faqet e një albumi me fotografi –
ti mbi një kalë të vogël apo duke fryrë qirinjtë me një kapelë konike në kokë.
Apo ndonjë film i shkurtër i animuar,
ndonjë prezantim i shpejtë nëpërmjet fotove?
Jeta jote e shprehur në ndonjë esé apo në ndonjë foto modeli?
A nuk do ishte një formë më e mirë se kjo shkrepëtimë e papritur blici?
E gjithë ekzistenca jote të kalon nëpër fytyrë
në një shpërthim përzhitës të biografisë – asgjë e ngjashme me ato tre vëllimet e mëdha që ti ke përfytyruar.
Të mbijetuarit do na bënin të besonim në diçka madhështore
ja, një rrufe e vërtetë që depërton nëpër ujë,
një Dritë finale përpara se të fiken të gjitha dritat,
duke të feksur ty me gjithë tonazhin e saj megalitik.
Por nëse diçka të shkëlqen përpara syve ndërsa ti zbret poshtë, ndoshta ai do jetë peshk,
një mjegullim i shpejtë i argjendit të derdhur që largohet,
që nuk ka asnjë lidhje me jetën apo me vdekjen tënde.
Ty do të të marrë rrjedha ose liqeni që do t’i pranojë të gjitha
ndërkohë që zhytesh drejt rrëmujës së ligë të nënujshme,
duke lënë pas atë që tani e ke harruar, sipërfaqen tashmë të pushtuar prej udhëtimit të epërm të reve.
Përktheu: Arlinda Guma
Mësuesi i Historisë-Billy Collins
Mësuesi i Historisë-Billy Collins Duke u përpjekur të mbronte pafajësinë e nxënësveai u tha atyre se