Baby, It’s Cold Outside-Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Shpëtim Selmani

Pjesëz nga një roman në shkrim e sipër

Jam mësuar që kohë pas kohe të dal dhe të eci. Nuk është si dikur. Nuk mund të gjej më miq kur të ma dojë kokrra e qejfit për të rrëkëllyer qoftë edhe një birrë. Dal vetëm dhe shoh Prishtinën, e cila tashmë më duket e huaj. Mbase kurrë nuk ka qenë e njohur për mua. Është ftohtë. Këmbët më çojnë në vende ku dikur kam ekspozuar lumturinë, ku dikur hidhja në tavolinë skicat e revolucioneve për ndryshime, ku dikur përpiloja plane për të shpëtuar botën. Për t’ia hequr nga fytyra vellon e turpit që ia kishin falur shekujt. Dhe njerëzit. Ku dikur vallëzoja me vasha më të gjata se unë. Me vasha që kishin minifunde, bërë nga lëkura e kënaqësisë. Që mbanin xhempera të leshtë. Ku dikur këndonim këngët e brezit tonë. Ku dikur kishim grabitur vëmendjen e të gjithë botës. Futem në Dit’ e Nat’ dhe porosis një birrë. Nuk më flet më askush. Asnjë nga brezi im nuk shoh. Ulem vetëm dhe për një çast e gjej veten të përjashtuar nga jeta e natës. Dikur, kur shihja ndonjë njeri duke pirë fillikat i vetëm, nuk më dukej normal. Diçka nuk ishte në rregull me të. Kam ushtruar gjithmonë një vështrim të rreptë mbi vetmitarët. Mbase edhe atyre iu kishin dalë zorrët nga vendi duke e parë veten e tyre sesi dilnin nga moda. Sesi vjetëroheshin. Çdo gjë që përbuzni është juaja.
Çdo gjë që fyeni do t’ju takojë. Pra, mos i shani. Ata që janë jashtë jush. Kini mëshirë për ta. Mos i gjykoni. Ata janë thjesht më afër asgjësimit. Ose, edhe më keq se kaq. Të zhytur në të. Kini mëshirë. Mirëkuptimi i brezave është i vështirë por lini vend për këtë mundësi. Çdo i rritur është i sharë. Çdo i rritur ka humbur beteja të rëndësishme. Është në rrjedhën e gjërave.
Rri vetëm dhe nuk kam kujt t’ia këndoj versionin tim të këngës Baby, It’s Cold Outside. Jo outside baby por kudo baby. Kudo është cold. Kudo.

Piktura: Rrugë në dimër
Piktori: Edvard Munch
1885

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

NË MAL-Du Fu

NË MAL-Du Fu (712-770) Në mes të pjerrinës së kaltër Pavijoni i
Go to Top