“E kam lexuar se më ka pëlqyer”/Enida Sheshi Haxhi

in Esé/Letërsi by

Enida Sheshi Haxhi

Çfarë ndodh në aktin e shijimit të një vepre letrare? A është ai një përvojë e brendshme, një rezonancë e menjëhershme midis subjektit dhe objektit estetik, apo është një pasqyrë më e thellë e marrëdhënies midis njeriut dhe mjedisit kultoror, ideologjik, etj?
Kur lexuesi pëlqen një vepër letrare, a është ky një impuls spontan i shpirtit, apo një akt i heshtur i bindjes ndaj një kulture që ka folur përpara tij, në vendin e tij, në emër të tij?

I. Shija si strukturë, jo ndjesi

Shija, në këtë kontekst, nuk është më një kategori estetike. Ajo është një strukturë metafizike, një akt i maskuar njohjeje, ku subjekti mendon se po zgjedh, por në të vërtetë po konfirmon atë që është ndërtuar për të zgjedhur. Sepse shija është e ndikuar nga mjedisi kulturor dhe historik.
Filozofia moderne, që nga Descartes-i, e ka vendosur subjektin në qendër të njohjes: “mendoj, pra jam.”
Por kur zbresim në fushën e shijes estetike, vetë ky mendim bie ndesh me një dyshim të thellë. A mund të themi “më pëlqen, pra jam”? Apo është më e saktë të themi “më është thënë të më pëlqejë, pra ekzistoj në një sistem që më formëson”?
Shija nuk është veprim i pastër i ndërgjegjes, por një gjurmë e së shkuarës që jeton në ndërgjegje, një sediment i gjuhës dhe kujtesës kolektive.
Për rrjedhojë, ne nuk shijojmë një tekst sepse e kuptojmë atë, por e kuptojmë sepse jemi formuar të shijojmë në një mënyrë të caktuar. Në këtë mënyrë, shija është një akt ontologjik i nënshtrimit ndaj strukturave që na përkufizojnë: gjuha, kodi kulturor, diskursi kritik.
Që nga fëmijëria, njeriu ekspozohet ndaj një kanoni të caktuar letrar, që i mëson çfarë të konsiderojë “letërsi të mirë”.
Nga ana tjetër, një autor mund të shpërblehet për përputhjen me një ideologji të caktuar. Kjo ndikon që publiku ta pranojë si “të madh”, ndonëse në një kontekst tjetër ai mund të quhej i zakonshëm ose mediokër.
Vlerësimet kritike, çmimet letrare dhe promovimi mediatik – edhe këto ndikojnë në formësimin e shijes letrare. Lexuesi, dashur pa dashur, ndjek atë që “duhet” të pëlqejë. Kështu, shija formohet përmes miteve kulturore që një shoqëri prodhon dhe riprodhon vazhdimisht (p.sh., miti i “shkrimtarit të madh”, “romanit realist”, etj.).
Kur një lexues thotë “më pëlqen Kafka”, ai flet nga një pozicion i caktuar epistemik. Ai nuk po artikulon një ndjesi të çiltër, por po riprodhon një vlerësim që qarkullon në një ekonomi njohjeje, ku emri “Kafka” ka fituar status.
Çfarë dinë lexuesit për atë që ata thonë se shijojnë? A është leximi një akt njohjeje, apo një akt përsëritjeje i asaj që kultura ka bërë tashmë të njohur?
Në këtë kuptim, shija është një retorikë e përvetësuar. Ajo flet me zërin e institucionit: të shkollës që ka përzgjedhur tekstet “e mëdha”; të kritikës që ka ndërtuar narrativat e vlerës; të shtetit që ka financuar përkthimet e autorëve “të rëndësishëm”.
Lexuesi është kështu mbartës i një padijeje të strukturuar, një i ndriçuar me një dritë që nuk vjen prej tij, por që bie mbi të si një “refleks i një dielli kulturor” që ndriçon vetëm çka ai zgjedh të ndriçojë.

II. Kufijtë e shijes: çfarë përjashtohet pa u lexuar?

Në kufijtë e shijes fshihet ajo që kultura ka nxjerrë jashtë – jo sepse nuk ka vlerë, por sepse nuk mund të përkthehet në kodin e pranuar të vlerësimit.
Një tekst që nuk kuptohet, që nuk përputhet me mënyrën tonë të të menduarit, refuzohet jo për shkak të mungesës së cilësisë, por sepse nuk konfirmohet nga mjedisi në të cilin jemi edukuar të gjykojmë.
Shija funksionon si një sistem mbylljeje, një portë që lë të hyjë vetëm atë që është përkthyeshëm në gjuhën e zakonit estetik. Kështu, kultura krijon një hije të përhershme mbi artin: ajo që është jashtë kësaj hijeje është ose e padukshme, ose “e pakuptueshme”, dhe në këtë mënyrë – e pavlefshme.

III. Shija si pikëpyetje, jo si përgjigje

A ka shpëtim nga ky kushtëzim?
Po! – nëse lexuesi nuk vjen me shijen si armë gjykimi, por me veten si një qenie që kërkon të kuptojë.
Leximi, në formën e tij më të pastër, nuk është një akt konsumimi, por një akt transformimi.
Ai nuk e konfirmon shijen që lexuesi ka sjellë me vete, por e shemb atë, e destabilizon dhe e rindërton.
Në atë çast të rrallë ku një tekst nuk na pëlqen, por na shqetëson, aty fillon filozofia.
Aty lind lexuesi si qenie që nuk konsumon, por pyet dhe transformohet.
Kështu, subjekti nuk është më pasqyrë e kulturës, por bëhet dritare e hapur ndaj së huajës, e cila nuk është më kërcënim, por mundësi.
Të mos kërkojmë më atë që na konfirmon, por atë që na shqetëson.
Të mos e përdorim më shijen për të renditur, por për të heshtur dhe dëgjuar zërat që nuk kemi mësuar t’i dëgjojmë.
Vetëm në këtë mënyrë, leximi mund të shndërrohet në një akt filozofik: jo një ndalesë e shijes në vetvete, por një lëvizje drejt përtej shijes – atje ku kultura nuk është më filtër, por hapësirë dialogu; atje ku lexuesi nuk është më pasiv, por bashkëkrijues i një teksti.
Shija nuk është e vërteta, por një mënyrë për ta harruar përkohësisht të vërtetën.
Ajo na jep sigurinë e përkohshme se dimë çfarë na prek, çfarë na përfaqëson, çfarë na përmbush.
Por ndoshta, pikërisht aty ku mendojmë se po shijojmë, po humbasim mundësinë për të dëgjuar atë që nuk dimë ende ta duam.
Të shijosh me vetëdije është të jesh i huaj në shijen tënde.
Të lexosh pa gjykim është të rrezikosh.
E vërteta e leximit nuk gjendet në përputhjen me shijen, por në kapërcimin e saj.
Dhe ndoshta, në fund të fundit, shija nuk është çfarë ndiejmë për tekstin, por çfarë lejojmë që teksti të ndiejë për ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top