Florian Kienzle
Kur shfaqen shqiptarët si figura nëpër filma perëndimorë “artistikë”, ose më mirë “zbavitës”, zakonisht janë kriminelë ose qesharakë. Filmit hollivudian i parapëlqen mafiozi shqiptar, si për shembull në prodhimin Taken nga viti 2008. Sapo vajza e protagonistit mbërrin në Evropë për një udhëtim me një shoqe, ato rrëmbehen nga mafia shqiptare, e cila do t‘i shfrytëzojë si prostituta. Babai sikur e nuhati rrezikun qysh para nisjes së vajzës, prandaj është plotësisht i përgatitur për misionin e tij hakmarrës. Madje, duket sikur “ushtarit të vetmuar” i shijon në mënyrë të veçantë udha e tij plot vrasje dhe shkatërrim.
Na kujtohen filmat “Rambo” nga koha e Luftës së Ftohtë, ku gjithashtu e mira lufton me të keqen – patjetër që e mira mishërohet nga perëndimi, këtu në trajtën e superheroit të përditshëm amerikan, i cili drejtësinë e merr në dorë vetë dhe në fund natyrisht është më i fortë sesa e keqja, që përfaqësohet nga lindja, në këtë rast nga shqiptarët. (“Based on their accents and dialects, they must be from Tropoja. The place is ground zero for scummers. Even the Russians give these guys a wide berth.“ “Nga theksi dhe dialekti duhet të jenë nga Tropoja. Atje është pika zero për fundërrinat. Edhe rusët u shmangen këtyre djemve.”) Mund të shtohet që personazhi më antipatik i filmit, mafiozi Marko Hoxha, del në skenë vetëm për disa minuta – me këtë strategji, shikuesi nuk mund të zhvillojë asnjë empati për këtë karakter, por vetëm për amerikanin. Perëndimi është hapësira ku zotërojnë të mirët, të aftët, të bukurit, të pasurit, ata me kulturë, kurse lindorët nuk janë të bukur, nuk kanë kulturë, dhe në qoftë se janë të pasur, nuk e meritojnë, janë të dhunshëm, por në fund humbasin.
Por si është situata në realitet? Po, ka mafie në lindje. Megjithatë viktimat e trafikimit njerëzor dhe prostitucionit në radhë të parë janë vetë njerëzit nga Evropa lindore. Por filmi nuk ka si qëllim të merret vërtet me këto fenomene. Siç shprehet personazhi kryesor: “It was all personal to me.“ Janë pikërisht perëndimorët, që si klientët e prostitutave përfitojnë nga ky sistem. Ndoshta ekziston një sheik si në film, i cili blen në një ankand një vajzë të virgjër për gjysmë milion dollarë – por realiteti i thatë është klienti i zakonshëm.
Filmi Taken është kulmi i klisheve, i ksenofobisë, i kitshit. Çdo gjë është bardhë e zi. (“You come to this country, take advantage of the system and think because we are tolerant that we are weak and helpless.“) Por si është e mundur që filma të tillë kanë aq sukses? (Pati dhe Taken 2 dhe Taken 3.) Siç shkruan një recensent në faqen Cinema: “Kush injoron thjeshtësinë dramaturgjike dhe mesazhin e dyshimtë, do jetë mrekullisht i dehur nga adrenalina, falë aktorit Liam Neeson! “Mirë atëherë, le të vazhdojnë pra me exploitation, me këtë recetë drejt udhës së Trump-it. Mision i kryer.
Edhe në prodhime gjermane, shqiptarët dalin jo rrallë, si p.sh., në krimkomedinë “Topethëzat prej patetesh dimri“ (Winterkartoffelknödel) nga viti 2014, filmi i dytë në serinë e suksesshme me policin bavarez Franz Eberhofer. Që në fillim të filmit, punëtori shqiptar Skender Gashi (“Gashi, po njësoj si Müller apo Maier apo Huber, por vetëm… në shqip pra“), me a pa dashje vret një banor të qytezës me vinçin e tij. Situata del jashtë kontrolli gjatë merrjes në pyetje në zyrën e policit: operatori i vinçit nuk flet asnjë fjalë gjermanisht, por duket qartë që shprehet në mënyrë agresive. Përkthyesi shqiptar, edhe ai me emrin Gashi, përkthen vetëm atë që do, mban dhe një thikë me vete – prandaj për policin gjerman nuk ka rrugë tjetër përveçse ta kërcënojë përkthyesin me pistoletë…
Në rolin e vinçierit Gashi luan aktori rus Ivan Shvedoff, i cili edhe në filma të tjerë luan personazhin kriminel por pak debil. Përkthyesi Gashi luhet nga aktori gjermano-rumun Albert Kitzl. Në film, të dy përdorin një lloj gjuhe fiktive, me ca fjalë shqip tek-tuk. (Shohim se shqipja në filmin perëndimor është ose gjuha e armikut, e kriminelit, ose gjuha e budallait – në çdo rast, është gjuha e tjetrit, e atij që nuk duhet të ishte aty, që nuk përshtatet.)
Por ka dhe filma ku është arritur me sukses që një figurë e huaj të luhet nga një aktor i një vendi a kulture tjetër. Kështu për shembull, në prodhimin Exil (2020) të regjisorit gjermano-kosovar Visar Morina, një film që trajton diskriminin e tjetrit dhe integrimin e vështirë në Gjermani. Aktori i njohur Mišel Matičević me origjinë nga Kroacia këtu merr rolin e inxhenierit Xhafer, me origjinë nga Kosova. Shqiptari në filmin Exil mund të kishte dhe kombësi tjetër; këtu, origjina nuk përdoret për të përsëritur stereotipe, por për të treguar realitetin e njërezve që thjesht duan të jenë pjesë e shoqërisë gjermane, por që vazhdimisht duhet të luftojnë për këtë qëllim. Kurse në filmin e Eberhofer-it, figurat shqiptare shërbejnë vetëm për të qeshurat e shikuesve – me ndihmë të paragjykimit të tinëzarit ballkanas, që mohon çdo rregull dhe talenti më i spikatur i të cilit është gjuha vulgare.
Dallohet që gati të gjitha figurat në filmat me policin Eberhofer janë qesharake – bavarezët aty duken si pijanecë të hutuar, si injorantë provincialë, që nuk mbajnë përgjegjësi. Mirëpo këto atribute nuk i vishen tjetrit, por vetvetes, dhe në fund figurat bavareze duken simpatike, edhe pasi janë të pranishëm gjatë gjithë filmit, gjatë gjithë serisë. Për sa u përket shqiptarëve, kemi të bejmë me një rast të përvetësimit kulturor (cultural appropriation). Lind pyetja se kur do braktisen klishetë – që më 1996 moderatori gjerman Harald Schmidt, në emisionin e tij prezantoi një njeri, të kostumuar si shqiptar, dhe i bëri këto pyetje: “Si quhet këndi i veshjeve të përdorura në gjuhen shqipe?“ – “Butik.“ “Por si thuhet ‘gazeta‘ në shqip?“ – “Batanije.“ Kjo është akoma më diskriminuese, ngaqë tallet me situatën ekonomike të një vendi. Nuk është sekret që gjermanët botërisht nuk dallohen për humor, receta e suksesit në Gjermani mjaft shpesh është bashing – përçmimi i pakicave. Ka një dallim të madh nëse flet për dobësinë tënde apo për dobësinë e një tjetri.
Sidoqoftë, edhe në një film detektiv, historia mund të tregohet ndryshe, si në filmin “Shperlingu dhe krahu i flaktë“ (Sperling und der brennende Arm) që doli ne televizion në vitin 1998 nën regjinë e Dominik Grafit dhe që mori disa çmime në Gjermani. Në këtë episod të serialit rreth komisarit Sperling (aktori: Dieter Pfaff), një çift gjerman në Berlin kërcenohet nga një grup mafioz, nga pamja i Evropës lindore, i cili kërkon pará për “mbrojtjen” e lokalit. Dalin dhe personazhe jo-gjermane pozitive ose neutrale, dhe komisari i kujton bashkëpunuesit e tij: “Kemi të bëjmë me kriminelë, jo me të huajt. Unë nuk dua që këto dy gjëra të përzihen.” Shfaqet dhe një pronar gjerman i një klubi nate, i cili tashmë vepron sipas ligjit, por që më parë striptizetat e tij i ka “dërguar në trotuar“.
Bosi i mafies është një burrë elegant, i edukuar, që gjermanishten e flet në mënyrë të përsosur. Nga ana tjetër, polici gjerman Rohde duket i paaftë, por njëkohësisht dhe prepotent. Në të gjithë filmin janë më shumë gratë që veprojnë në mënyrë të guximshme dhe të zgjuar, kurse burrat janë të ngathët dhe agresivë. Por në fund të fundit të gjithë personazhet e filmit duken të stërlodhur – gjë që thekson se kemi të bëjmë me probleme komplekse. Kombësia e mafiozëve del në pah vetëm nga mesi i filmit dhe vetëm për ata që dinë shqip, kur tetë veta mblidhen në lokalin e viktimave, duke kënduar këngën “Mora mandolinën“. Janë detaje si ky që dëshmojnë për një kërkim solid nga ana e skenaristit. Vetëm në minutën 51 të filmit është fjala për “shqiptarë”.
Edhe pse çifti i kërcënuar është gjerman, filmi nuk e anashkalon faktin se shumica e viktimave të mafieve lindore janë njerëzit nga Evropa lindore, dhe jo aq perëndimorët, që dinë më mirë si të mbrohen. Si një figurë mjaft tragjike del një shqiptar, i cili fillimisht ishte ndihmës i bosëve, derisa ata e lënë mënjanë, duke e bërë hallkën më të dobët të zinxhirit, pra vetë viktimë. Ky film mund të shihet me sy të mirë, edhe pse shikuesit nuk mund të dinë kurrë sesi do të zhvillohen ngjarjet. Në shumicën e filmave të tjerë, sapo përmendet fjala “shqiptar”, është pak a shumë e qartë se çfarë do të ndodhë: lufta midis së mirës dhe të keqes. “Shqiptarët”, mënjëherë ngjallin asocime negative. Kurse komisari Sperling në fund të filmit thotë mendueshëm: “Ju të gjithë vini nga një vend, për të cilin unë nuk di asgjë. Unë nuk di çfarë ju ëndërroni, çfarë mendoni, për veten, për ne.”
Këto lloj pyetjesh janë fare të parëndësishme për komisarët në filmin “Vendetta“, një episod nga seriali i kanalit RTL Alarm für Cobra 11 (viti i prodhimit: 2015). Fillimi i filmit na sjell një peisazh të mrekullueshëm të natyrës shqiptare. Prandaj shohim ceremoninë e martesës në një kishë orthodokse, ku flitet dhe toskërishtja nga native speakers. Çdo gjë për bukuri dhe me dinjitet – problemi është se kanë kaluar vetëm katër minuta nga 90. Në Gjermani, policët ndjekin një klan mafioz shqiptar, gjë që gjithë filmin e furnizon me mjaft xhama të thyera dhe makina të djegura. Mafiozët janë nga veriu i Shqiperisë, që bie në kundërshtim me toskerishten dhe besimin orthodoks. “Kanuni” dhe “gjakmarrja” janë fjalët kyçe të filmit – kur një nga policët gjermanë vret për vetëmbrojtje një nga shqiptarët, ai “bie në gjak“, por jo vetëm ai, por edhe gruaja dhe vajzat ndiqen e kërcënohen.
Ka dhe një shqiptar të mirë, i cili punon për policinë gjermane. Të gjithë të tjerët janë shqiptarët e këqinj, të dhunshëm, të pashpirt, deri në amshim. Tek gjermanët, po ashtu si tek shqiptarët, dominon sjellja maçiste, gratë dalin vetëm sa për dekorim. “Hetimet” i sjellin policët gjermanë deri në Tiranë, ku sidomos Aleksit të ri i pëlqen jashtë mase të veprojë si në një lloj kompjuteri, duke mos marrë parasysh standardet policore të Gjermanisë. Tani s’ka më bukuri natyrore, vetëm mbeturina të industrisë dhe godina të rrëmuara. Shtrohet pyetja: a do të kishin bërë një film të tillë dhe sot, kur Shqipëria është magnet turistik? Sot, doza e shqiptarëve mafiozë nëpër filma reduktohet, edhe pse akoma janë “në trend”, siç thotë aktori Kasem Hoxha, i cili luan shpesh rolin e “të ligut” në prodhime gjermane. Me gjithë skenarin absurd dhe tejet të mërzitshëm, duket që një film si “Vendetta” është pikërisht çfarë kërkon teleshikuesi mesatar gjerman – nga seriali Alarm für Cobra 11 janë fabrikuar gati 400 episode. Pjesë e kësaj ështe dhe Happy End-i, në këtë rast një mëngjes i hareshëm i familjes ideale gjermane në shtëpinë e vet. Se çfarë hallesh mund të kenë shqiptarët, kjo nuk luan asnjë rol.
_______
Albsploitation – Zhanër që përdor stereotipe shqiptare në mënyrë të ekzagjeruar ose sensacionale, për qëllime komerciale, politike ose ironike.