Një klasik i harruar/Pse ta lexojmë sot Dhimitër Xhuvanin?- Për një ribotim të romanit “Jetë në arkivol“ mbas 30 vitesh/ Florian Kienzle

in Esé/Letërsi by

Florian Kienzle

Para 30 vitesh u botua romani “Jetë në arkivol“ i Dhimitër Xhuvanit, në shtëpinë botuese DITURIA, me një tirazh prej 6.000 kopjesh. Autori e pati përfunduar romanin që më 10 Gusht, 1992, në vitin kur u përmbys përfundimisht diktatura staliniste në Shqipëri. Ky libër radhitet ndër përpjekjet e para artistike për të reflektuar të kaluarën, bashkë me filmin “Vdekja e kalit“ të regjisorit Saimir Kumbaro, po në vitin 1992. Pak më vonë, edhe viktimat që u burgosën fillonin t‘i botonin kujtimet e tyre (si për shembull Maks Velo, i cili realizoi edhe kopertinën për librin e Xhuvanit). Mund të themi se ky zhvillim përkujtimor ishte nismë e individëve.
Janë botuar shumë libra mbi diktaturën, patjetër, kanë dalë dhe shumë romane të rëndësishme, por i veçantë në këtë rast është shpërthimi i fjalës së lirë, në të parin vit kur u përhap. Romani i Xhuvanit është i sofistikuar në thjeshtësinë e vet. Autori sikur kishte pritur me vite çastin për të rrëfyer.
Librin e gjeta rastësisht në Bibliotekën Shtetërore të Bavarisë, gjatë kërkimeve te mia për një monografi mbi hapësirat në letërsinë shqiptare. Për fat të keq, libri nuk pati botim tjetër dhe u la në harresë, pak a shumë si veprat e tjera të Xhuvanit pas “kthesës demokratike”. Teksti pra, kishte një fat disi të ngjashëm me romanin e parë të autorit, “Tuneli“, që doli në vitin 1966 dhe u ndalua menjëherë. (Pas dënimit, Xhuvani u bë shkrimtar i Realizmit Socialist, me libra si “Përsëri në këmbë“, që sot nuk kanë si të ngjallin ndonjë kureshtje të madhe te lexuesit.) Siç duket, as kushtet e kohës së tranzicionit nuk ishin në favor të autorit. Sigurisht, shqiptarët në atë kohë kishin halle të tjera dhe përballonin shumë sfida. Sot, megjithatë, ia vlen të lexohet libri dhe të kujtohet ajo kohë, në mënyrë që të mos përsëritet historia.
Romani na çon në Shqipërinë më të errët që mund të imagjinohet, por që në fakt ka qenë realitet. Është viti 1953. Ka kaluar njëfarë kohe që nga hedhja e bombës në ambasadën sovjetike, por udhëheqja shqiptare e mban “vigjilencën” e saj të përhershme. (Ndodhia shërbeu si shkak për shumë burgosje dhe pushkatime.) Kur arrestohet një djalë i ri, hetuesi ambicioz Ridvan Geseri e nuhat shansin e tij të fundit për të vazhduar karrierën. Por punët janë të ngatërruara: djaloshi kishte marrë rrugën për në Tiranë për të ndaluar fatkeqesinë që e ka pllakosur fshatin e tij. Aty u mbajt një mbledhje e çuditshme:

“As për Pashkë kur lexohej ungjilli i madh nuk kishte rënë një qetësi e tillë. Të gjithë ishin si të shushatur sikur trupi i Stalinit nuk ishte atje larg në Kremlin po aty, në kishën e madhe të Shën Vangjelit brenda altarit dhe do të rronte apo do të vdiste e kishte në dorë fshati Kurtiz, rrëzë malit të zi, buzë detit, dallgët e të cilit, të largëta e të shurdhëta, hynin nga dritaret anësore të kupolës së kishës, ku Zoti Krisht, veshur me pelerinën e tij të çngjyrosur e të ciflosur, bekonte me dorë nga lart-poshtë. Grigori pa sytë e Krishtit. Ngaqë nuk e duroi dot atë vështrim, sikur gjeti qetësi në dy engjëj lakuriq që ndiqnin njëri-tjetrin.“

Kur “Zoti” i asaj kohe, diktatori i Bashkimit Sovjetik sëmuret, banorët e fshatit ndihen të detyruar t’ia falin vitet e jetës së tyre Stalinit. Dhe ashtu ndodh, më pas vdes dhe i ati i Grigorit, i heroit tragjik të romanit. Vetëm ai mund ta parandalojë mallkimin me një kundërmagji. Plani funksionon, por Grigori mbetet në duart e hetuesit sadist; Geserit, që i ka të gjitha kompetencat për të marrë një deponim, me përdorimin e të gjitha torturave të mundshme. Në qoftë se Grigori flet, magjia prishet. Kështu fillon një luftë për kohën e jetës, midis individit dhe mekanizmave të një shteti të tërë.
“Jetë në arkivol“ është një thriller ku më pas është e vështirë të dallohet se ku mbaron realiteti i tmerrshëm i regjimit totalitar dhe ku fillon surrealiteti. Libri tregon sesi një vend i tërë mund të indoktrinohet deri në vetëmohim, dhe sesa shpejt një person mund të hyjë në vorbullin e torturës, aq sa praktika bëhet rutinë, kështu që mjeku që është i pranishëm gjatë ‘hetimit‘, i thotë hetuesit:

“Ke nevojë të ndërrosh ambient. Dhe ti ke një javë që torturohesh duke torturuar këtë.“

Mjeku në fakt është personazhi që përfaqëson më së miri mënyrën sesi një individ në diktaturë, edhe pse përgjegjës, mendon se mund rrijë jashtë sistemit, kurse në fakt hyn thellë e më thellë në faj:

“Ishte vonë, shumë vonë, që doktor Sherif Merdani të lante duart si Pilati dhe të qetësonte ndërgjegjen e tij. Rruga në të cilën ai qe zhytur gradualisht, s’kishte më as edhe një kthesë. Ai, shërbëtori i diktaturës, ishte njëkohësisht dhe një diktator.“

Ndër të tjera, merita e librit qëndron këtu. Ai tregon zhytjen graduale, por absolute në krim, dhe njëkohësisht rezistencën e mundshme si dhe zgjimin e ndërgjegjes:

“Duke bërë morfinën iu duk sikur pa sytë e habitur të së bijës me një buzëqeshje prej çapkëneje, që zë tjetrin në faj por që s’do ta dënojë se i dhimbset.
– E babi, paske filluar të bësh punën e infermierit apo ky injeksion hyn në ato sekretet profesionale, ë?
– Si të ta them, moj bijë?!
– Ashtu siç është, baba. Apo njeriu s’bën ta thotë kurrë atë që është, ashtu si është, ë?
– Kam frikë se s’do më kuptosh, moj bijë?
– S’ka gajle. Po s’e kuptova sot, do ta kuptoj nesër, kur të rritem, mbase deri atëherë ti s’do të jesh më, po unë ama do të di të të mbroj, ose të hesht, ose…“

Në Gjermani, kultura e kujtesës dhe marrja me të kaluarën naziste ka kohë që është bërë pjesë e identitetit, aq sa gjermanët krenohen me këtë. Megjithatë, ky proces kujtimor ka qenë i ngadaltë dhe i zorshëm, sidomos në Gjermaninë perëndimore, ku çlirimi nga nazizmi nuk ishte pjesë e narrativit. Pas luftës, shumica e gjermanëve nuk e kishin mendjen te faji i vet dhe heshtja ishte mbizotëruese. Siç ndodh gjithmonë, letërsia dhe arti ishin sferat e para ku nisej kultura përkujtimore, me autorë si Volfgang Borhert, Hajnrih Bël ose me filmin “Trëndafilat për prokurorin“. Sot kjo “Erinnerungskultur“ zë një vend të natyrshëm në Gjermani, aq sa (mbas gati 80 vitesh) kalon nganjëherë në zbavitje të rëndomtë për teleshikuesit.
Edhe pse ka paralele, puna në Shqipëri qëndron ndryshe. Gjermania naziste solli shkatërrim në gjithë Evropën, kurse Shqipëria ka luftuar me vetveten. Kthimi i ish-kampeve të përqëndrimit në muze nuk u nis me vullnetin e mirë të popullit gjerman, por në kuadrin e afrimit me shtetet fqinje që kishin vuajtur nga okupimi. Shqiptarët nuk e kanë këtë borxh ndaj vendeve të tjera dhe janë përgjegjës vetëm për të kaluarën e tyre, për brezat që vijnë më pas. Por as kjo nuk është pak.
Një hap tjetër në këtë proces do të ishte dhe ribotimi i romanit “Jetë në arkivol“ i autorit Dhimitër Xhuvani.

__________

Florian Kienzle është studies dhe përkthyes i letërsisë shqipe. Së fundmi ka dalë përkthimi i tij në gjermanisht i romanit “Të murosurat”, i autores Lindita Arapi, si dhe një studim mbi vende dhe hapësira në Shqipëri. Ai jeton në Munih.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top