Author

Admin - page 169

Admin has 1812 articles published.

Sikur të financohej leximi në vend që të financohej botimi/Erjus Mezini

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Lexuesit nuk po shtohen, financohen autorë që kanë humbur kontaktin me aktualitetin dhe lexuesin e ri, autorit të ri i krijohen dhjetëra pengesa (sepse veç vetëfinancimit atij i duhet të konkurrojë të huajt dhe autorët që financon ministria), paratë i jep ministria por vendimin se kush duhet të botohet e merr botuesi, politikanët botohen më tepër se artistët, sallat ku prezantohen librat frekuentohen vetëm nga elita e vendit dhe fenomene të tjera të këtij lloji.

   Erjus Mezini

Te shkrimtarët e rinj shqiptarë duket se ka zënë vend bindja se mënyra e vetme për t’u botuar është vetëfinancimi, apo më qartë shtypja dhe shpërndarja e librit përkundrejt pagesës. Ndonëse disa nga këta shkrimtarë të rinj kanë mundur, midis dy a tri veprave të vetëfinancuara, të krijojnë një emër në grupet e artistëve dhe lexuesve, vetë bindja se duhet që përgjatë gjithë jetës të vrasin orët dhe xhepin e tyre, nuk u ka lejuar që t’i përkushtohen krijimtarisë. Me fjalë të tjera, kanë hedhur nja dy libra në treg (ashtu siç zakonisht hedh i dehuri gurët në ruletën e kazinos me rastin e ditëlindjes) dhe janë zhdukur njëherë e mirë nga skena e letrave shqipe, duke ia lënë vendin një grupi tjetër shkrimtarësh; atyre më të pjekur në moshë, me lidhje më të vjetra me politikën e botuesit, dhe me asnjë kontakt konkret me lexuesin e ri.

Përderisa grupi i parë (brezi i shkrimtarëve të rinj) jetojnë, punojnë e edukohen në shtetet perëndimore dhe në Shqipërinë postkomuniste, do të pandehte ndokush se këta duhet të ishin brezi i privilegjuar i shkrimtarëve-përderisa edhe mendjen, por edhe xhepin e kanë më të pasur se brezat që u rritën, u edukuan dhe u varfëruan në sistemin totalitar. Mirëpo nëse produktiviteti i shkrimtarit dhe vetë ekzistenca e tij, maten nga numri i botimeve, apo siç rëndom thuhet “vëllimi i veprës”, atëhere ndokush vëren se grupi i privilegjuar janë shkrimtarët e pjekur. Mjafton që dikush të ndjekë nga afër reklamat apo prezantimet që u bëhen librave, apo më mirë akoma të vizitojë festivalet e librit, për të vërejtur një trend ku shkrimtarët e rinj bëjnë bam me një a dy libra dhe pastaj zhduken (me ndonjë përjashtim të rrallë), kurse të pjekurit botohen rregullisht, edhe në ato raste kur vetë deklarojnë se nuk lexohen nga askush.

Që të ballafaqojmë sa më mirë këto dy kategori shkrimtarësh, nuk është nevoja që t’u lexojmë çdo faqe secilit dhe të japim verdiktin tonë se cilët janë më të mirët, apo cilët duhet të preferohen nga lexuesi. (Kësi ballafaqimesh veç humbje kohe do të ishin, aq më tepër kur flasim për një kohë dhe një vend ku shijet e lexuesit janë pluralizuar me tepër se kurrë.) Mjafton të theksojmë se te shkrimtarët e pjekur gjen emra si; Ismail Kadare, Zija Çela, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, etj., të cilët janë botuar rregullisht, por edhe kanë pasur impakt te lexuesi dhe artisti. Por mund të gjesh te shkrimtarët e pjekur edhe shumë të tjerë që as lexohen dhe as kanë ndonjë impakt te artistët, paçka se janë autorë të dhjetë, njëzet apo tridhjetë titujve. Dikush mund të pandehë se jam duke i zmadhuar numrat, mirëpo me një vizitë në Festivalet e Librit në Tiranë dhe Prishtinë është e lehtë të përpilosh një listë autorësh me dhjetë, njëzet apo më shumë tituj. Kam pasur rastin të njoh disa prej tyre në Panairin e Librit në Prishtinë, në vitin 2014-të, dhe habinë time me këtë fenomen e shfaqa në një intervistë që dhashë asokohe për Rrokum TV. Rrjedhimisht, ky problematizim me autorët e njëzet apo tridhjetë veprave, në një vend ku teorikisht qytetarët nuk lexojnë (praktikisht nuk kemi statistika të qarta), nuk është diçka që po e shpik për nevojat e këtij shkrimi. Është problematizimi serioz i një njeriu që jeton në një shtet, ku autori i tridhjetë veprave ose miliarder duhet të jetë (si James Paterson) ose mit (si Stephen King). Mirëpo në Shqiperi dhe Kosovë paskemi autorë që nuk shiten, nuk lexohen dhe, kryesorja, nuk njihen si autorë nga artistët dhe shkrimtarët e rinj. Kësaj si i bëhet tani? Ka diçka që nuk shkon këtu, diçka që kundërmon era kërmë, diçka e mbrapshtë, diçka e ndyrë dhe anormale. Tregu i librit mbytet me libra dhe autorë që nuk lexohen dhe, kryesorja, që nuk shikohen me sy të mirë nga artistët.

Të theksoj këtu se vlera e autorit dhe lexueshmëria masive e veprës nuk qëndrojnë në lidhje të ndërsjellë (Kadareja mbetet mbase shembulli unik i autorit shqiptar të ditëve tona, i cili vazhdon të lexohet masivisht dhe, në të njëjtën kohë të ushtrojë impakt te artistët). Sidoqoftë, sheshimi i vlerave letrare apo vetë kaosi që ka pllakosur tregun e librit shqip janë të pajustifikueshëm. Impakti te artistët flet vetë për vlerën e shumë autorëve shqiptarë, kurse lexueshmëria na tregon rrugën sesi libri do duhej të mos gjendej në këtë kaos. Që nga momenti që tregu i librit mbytet me vepra dhe autorë që as lexohen dhe as merren në konsideratë nga artistët, atëhere mund të flasim haptazi për një ngërç kulturor, ku fajtorët nuk janë as autorët dhe as lexuesit. Mund të flasim për një ngërç ku fajin më të madh e kanë ata që marrin vendimet e rëndësishme për librin: politikanët dhe, bashkëfajtorët në krim; botuesit shqiptarë.

Krahasimi që bëra dy paragrafe më sipër midis realitetit amerikan dhe atij shqiptar, ndokujt mund t’i jetë dukur i pavend. Ne nuk kemi treg libri të fuqishëm si Amerika dhe gjuha jonë është një gjuhë që po rrezikohet me vdekje nga globalizmi, dhe sidomos nga vetë shqiptarët. Megjithatë, tregu i librit amerikan, si edhe gjithë kultura e SHBA-së, sillet si një rast ideal ku shteti nuk dëshiron të përzihet. Në SHBA, si në të gjitha shtetet ku anglishtja është gjuhë amtare, ndërhyrja e shtetit (e administratës federale apo asaj lokale) në çështjet e librit dhe cultures, përkufizohet në botimin e librave shkollorë dhe administrativë, në mirëmbajtjen e bibliotekave, në mirëmbajtjen e muzeumeve, në uljen e diskriminimit social, në përndjekjen e plagjaturës, si edhe në ndonjë hollësi tjetër që tani nuk më vjen në mendje. Çdo gjë tjetër që lidhet me kulturën dhe librin i është besuar privatit-institucioneve fitimprurëse ose jofitimprurëse, si dhe individëve. Në rastin e Evropës diçka e tillë nuk ndodh, për shkakun e thjeshtë se shumë në Evropë pandehin se kultura e tyre rrezikohet nga globalizmi dhe se gjuhët e tyre kanosen me vdekje nga anglishtja. Duket pra se në Shqipëri dhe Kosovë ideali amerikan nuk mund të vihet në praktikë, mirëpo problemi shqiptar është se ndërhyrjet politike nuk kanë sjellë rezultatet evropiane. Ne jo vetëm që jemi ku e ku me vendet perëndimore, por duket se kemi mbetur mbrapa nga shumë vende ish-komuniste me të cilat kishim standarde të përafërta rreth dy dekada më parë. Me fjalë të tjera, ndërhyrja e politikës duket se nuk po kulturon askënd në Shqipëri dhe Kosovë. Nëse dikush e ka me dyshim këtë le të hedhë një sy në fenomenin e eksodit masiv të kosovarëve në vitin 2015-të. Dhe ku tjetër mund ta atribuosh eksodin absurd të 2015-tës, përveçse në injorancën kolektive që ka pushtuar Kosovën? A nuk ndodhi ky eksod në një vend dhe një kohë ku shteti kosovar krenohej se investoi rreth një milion euro në kulturë (shiko http://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,749#.W271lbhrzIV)? Nga kjo shumë, njëqind mijë euro paskan vajtur për letërsinë dhe bibliotekat. Sakaq, shumë kosovarë jo vetëm që nuk lexonin letërsi, por nuk lexonin  as gazetat që i lajmëronin se për katër muaj Gjermania do t’i kthente mbrapsht (sepse në Gjermaninë e vitit 2015-të, kosovari nuk mund të fitonte të njëjtin status me sirianin).

Ashtu si Kosova, edhe Shqipëria mburret se investon miliona për kulturën (shiko http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/thirrja-per-projekt-propozime-per-vitin-2017-projektet-e-perzgjedhura-per-mbeshtetje-ne-art-kulture-dhe-trashegimi-kulturore). Ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri, kultura nuk po fiton nga fondet e kulturës. Në Shqipëri nuk kishim fenomene si eksodi kosovar i 2015-tës (ku politikanët dhe gazetarët flisnin shqip me njerëz që nuk dukej se e kuptonin atë që u thuhej). Mirëpo ka vite që në Shqipëri, një tjetër lloj arratie është përforcuar; arratia nga bashkësia qytetare drejt bashkësisë fetare, apo më saktë drejt bashkësisë sektare. Kjo lloj arratie duket se po konfirmohet kohët e fundit nga një komunikim politik i dyfytyrshëm, ku politikani brenda Shqipërisë bën fetarin që njeh fill e për pe Kur’an e Bibël, kurse jashtë Shqipërisë vë alarmin se vendi po i radikalizohet. Ata pak njerëz me kulturë dhe intelekt në Shqipëri bien dakord me fytyrën e dytë të politikanit shqiptar, fytyrën e alarmuar përpara evropianëve. Megjithatë njerëzit që e kanë vënë re rrugën pa kthim, duket se fajësojnë më tepër seç duhet faktorë të huaj në këtë ndryshim (si misionarët arabë apo misionarët amerikanë që sektarizojnë shqiptarët), në vend që të fajësojnë dyfytyrësinë e politikës të papërgjegjshme shqiptare. Njerëzit e alarmuar propozojnë masa që duhen marrë nga shteti, në vend që të frikësohen se një shtet që ndërhyn negativisht në culture, mund të shkaktojë dëm akoma më të madh nëse ndërhyn edhe në çështjet e besimit. Njerëzit e alarmuar tregojnë me gisht misionarët e huaj dhe fetarët vendas, mirëpo duket sheshit se feja dhe fondacionet fetare në Shqipëri kanë arritur suksese në fusha ku ka dështuar kultura qytetare dhe politikat e kulturës. Feja në Shqipëri predikon solidaritetin midis besimtarëve, kurse kultura e miratuar shqiptare as që flet për solidaritet të qytetarëve. Feja në Shqipëri u referohet nevojave shpirtërore, kurse kultura e miratuar u referohet vetëm marifeteve të dëfrimit dhe fasadës. Fondacionet fetare në Shqipëri interesohen për njerëzit që duan të besojnë, kurse Ministria e Kulturës interesohet vetëm për aktorët (apo uzurpuesit) e kulturës. Misionarët fetarë vijnë në Shqipëri për t’i njohur shqiptarët nga afër dhe vetëm për të bërë punën e tyre, kurse politikanët shqiptarë dhe aktorët e kulturës dalin në media vetëm për të treguar se puna u bë.

Sipas raporteve të Ministrive të Kulturës, shumë gjëra janë bërë këto vite në Kosovë dhe Shqipëri. Kështu, sipas këtyre burimeve të informacionit, do të ishte e padrejtë të themi se asgjë nuk u bë. Ajo gjë që më shumë dëshmohet nga këto burime është se këtu e dhjetë vjet, miliona euro paskan vajtur për kulturën dhe librin. Shumë nga këto pará vijnë nga bashkëpunime rajonale dhe evropiane. Mirëpo, me sa kam kuptuar, përqindja më e madhe e këtyre fondeve është mbledhur nga taksapaguesit e Kosovës dhe Shqipërisë. Ndonëse leku ka dalë nga qytetari, ai nuk ka përfituar diçka konkrete nga këto fonde. Në shumë lagje të Tiranës, një aktivitet i xhamisë apo i qendrave protestante ka më shumë impakt se një projekt i Ministrisë së Kulturës. Te aktiviteti i xhamisë apo kishës mblidhen qytetarë të thjeshtë, të rinj dhe të reja, kurse te projekti i Ministrisë shkojnë zakonisht aktorët e kulturës, politikanët, gazetarët dhe pensionistët që kanë kohë për të vrarë. Në rastin e librit, përveç qytetarit, duket se përfitim nuk marrin as autorët e rinj. Emrat që reklamohen çdo vit në media me një botim të ri, janë kryesisht autorë të pjekur. Përderisa shumë nga këta autorë që botohen rregullisht, e pranojnë edhe vetë se nuk lexohen nga askush, mendja duhet të na e presë se librat e tyre nuk janë të vetëfinancuar. Rrjedhimisht, është e gabuar bindja e shumë autorëve të rinj se vetëfinancimi është e vetmja mënyrë për t’u botuar. Nga milionat që japin Ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë çdo vit për librin, financohen shumë autorë që nuk lexohen nga askush dhe, kryesorja, nuk shikohen me sy të mirë nga artistët. Nga milionat që jep shteti shqiptar, duket se ata që përjashtohen rregullisht janë autorët e rinj. Me fjalë të tjera, librat më të suksesshëm në Tiranë -që zakonisht botohen nga “Pika pa Sipërfaqe”, “Ideart”, “Ombra”, si dhe ndonjë botues tjetër-janë shumica të vetëfinancuar nga autorë që botojnë një apo dy libra dhe pastaj zhduken njëherë e përgjithmonë nga skena e letrave shqipe. Diçka e përngjashme kam besimin se ndodh edhe në Kosovë. Në këto kondita duket qartë se Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës janë duke bërë goxha punë; pará merren nga qytetarët, pará jepen te aktorët e kulturës, libra botohen, autorë promovohen, botues dërgohen në festivalet e Venecias dhe Frankfurtit (atje shkojnë me paratë e shqiptarëve dhe mbrapsht kthehen me kontratat/ujditë që bëjnë me autorët e huaj). Sakaq, asgjë e mirë nuk po del nga investimi i Ministrive. Lexuesit nuk po shtohen, financohen autorë që kanë humbur kontaktin me aktualitetin dhe lexuesin e ri, autorit të ri i krijohen dhjetra pengesa (sepse veç vetëfinancimit atij i duhet të konkurrojë të huajt dhe autorët që financon ministria), paratë i jep ministria por vendimin se kush duhet të botohet e merr botuesi, politikanët botohen më tepër se artistët, sallat ku prezantohen librat frekuentohen vetëm nga elita e vendit, dhe fenomene të tjera të këtij lloji.

Që ta mbyllim me kaq, Ministritë dhe aktorët e kulturës në Shqipëri dhe Kosovë kanë dështuar në atë fushë ku kanë shkëlqyer misionarët fetarë. Ministritë dhe kulturëbërësit kanë humbur kontaktin me qytetarin e ri shqiptar. Në vend që të ushqejnë solidaritetin dhe kulturën qytetare, ata janë kthyer në vegla të elitizmit të theksuar shqiptar. Mbrojtja e klanit është kultura e tyre dhe vetëm për këtë kulturë kanë të drejtë të thonë se janë duke punuar çdo ditë.

 

 

 

Poezi vertikale-Roberto Juarroz

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poezi vertikale-Roberto Juarroz

E TRETA POEZI VERTIKALE

(1965)

2

Tjetri që mban emrin tim

ka filluar të mos më njohë.

Zgjohet aty ku mua më zë gjumi,

ma dyfishon bindjen se unë mungoj,

zë vendin tim sikur tjetri të isha unë,

më kopjon në qelqnajat që s’i duroj dot,

m’i thellon zgavrat e braktisura,

i trazon shenjat që na bashkojnë

dhe i takon pa mua versionet e tjera të natës.

 

Duke imituar shembullin e tij,

tani filloj unë të mos e njoh më veten.

Ndoshta për ta njohur njëri-tjetrin

nuk ekziston mënyrë tjetër.

 

15

 

Ndonjëherë ndalojmë në vend

në mes të një rruge,

të një fjale apo të një puthjeje,

me sytë e palëvizshëm

si dy gota të thella uji të vetmuar,

me jetën e ngrirë

dhe me duart e ndalura mes një gjesti

dhe atij që do ta pasonte,

sikur tani të mos ndodheshin kurrkund.

 

Atëherë kujtimet tona i përkasin dikujt tjetër,

të cilin e mbajmë mend vagëllimthi.

 

Duket sikur e japim jetën hua për një çast,

pa na i pat kërkuar askush

dhe pa sigurinë se do të na e kthejnë sërish,

por duke e ditur që do ta përdorin

për diçka që na përket më shumë se gjithçka.

 

Mos vallë dhe vdekja është një hua,

në mes të një rruge,

të një fjale

a të një puthjeje?

 

E GJASHTA POEZI VERTIKALE

(1975)

 75

 

Jemi këtu

si lodrat e dikujt

që s’di të luajë.

 

Lodrat

duhet ta mësojnë si të luajë

atë që i ka krijuar.

 

Shqipëroi: Erion Karabolli

Recensë mbi tregimin «Këpucët» të Arlinda Gumës/Kujtim Drishti

in Letërsi/Tirana Review by

Jeta e vërtetë është shpesh ajo që ne nuk bëjmë-Oscar Wilde

 Kujtim Drishti    

                                    “Këpucët” 

Fill pas leximit të këtij tregimi të realizmit fantastik, pa e kuptuar akoma se si, ndjeva veten të pushtuar fort nga mesazhi i tij sublim, i cili më nxori menjëherë nga kujtesa fjalët e Oscar Wilde-it:

«Jeta e vërtetë është shpesh ajo që ne nuk bëjmë.»

Ndjeva sytë të njomur ndërkohë që mbushesha me frymë, duke menduar se ç’kam dashur e që nuk e kam arritur.

I habitur nga ky reagim imi u ktheva ta rilexoj për të kërkuar mjetet me të cilat ky tregim i shkurtër kishte arritur të më lëshonte këtë mesazh me kaq forcë (?)

Ëndrra si dëshirë dhe ëndrra e gjumit…

Ngjarja më e rëndësishme në këtë tregim ndodh në një ëndërr të vërtetë, në atë që ndodh zakonisht kur flemë gjumë. Por pavarësisht nga ideja që ne kemi se ëndrra është një iluzion, koherenca e saj në tregim akuzon ëndrrën-dëshirë si shkak themelor të ngjarjes.

Ёndrra e gjumit ka marrë gjatë historisë së njerëzimit dy funksione shumë të rëndësishme për jetën e njeriut e të shoqërisë. Në kohët e lashta ajo ishte një institucion që drejtonte njerëzit në paragjykimet dhe veprimet e tyre. Kështu Kassandra deklaroi se Parisi nuk duhej të kthehej në Trojë, sepse nëna e tij një ditë përpara se ta lindte kishte parë në ëndërr sikur kishte lindur një pishtar. Kjo është ndoshta kohë kur ëndrra filloi të përdoret edhe në artin e përrallës ose poemës.

Ёndrra i ka dhënë njeriut imazhe nga më sublimet, deri tek më makabret, që i tejkalojnë ato të realitetit.

Me zhvillimin e shkencave determinuese, ëndrra filloi të konsiderohet në mënyrë banale si një iluzion, pavarësisht se ajo është përfaqësuese e fizikës kuantike tek njeriu. Por këte fakt e ndiejnë vetëm artistët, të cilët nuk panë banalitetin e saj, por cilësinë e imazhit, simbolit e fantastikes, elemente që puqin ëndrrën me artin. Arti ka marrë aq shumë nga ëndrra, sa në njëfarë mënyre mund të themi se arti është një ëndërr.

Kështu ka bërë dhe Arlinda Guma në këtë tregim, mesazhet e të cilit dalin nga jeta e një gruaje që sheh një ëndërr. Por ëndrra e saj shpreh një nevojë të thellë të njeriut, nevojën për dashuri

Larg një tragjedie të rëndomtë, me një penë të lehtë, të shkathët, e në një tregim të shkurtër, autorja na konkretizon këtë të vërtetë të madhe të çdo njeriu; ai jeton në të njëjtën kohë dy jetë; atë që bën dhe atë që do të kishte dëshirë të bënte. Është jeta reale që i jep vlerë negative apo pozitive jetës së ëndrrës? Apo është jeta e ëndrrës që i jep këto vlera realitetit? Mesa duket të dyja kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe lidhen fort në mënyrë të pashqitshme tek njeriu.

Duket sikur ëndrra e vërtetë, ajo që jetohet gjatë gjumit, ka tendencë të fshehë këto pyetje që i përkasin ëndrrës dëshirë (ende të parealizuar ose asnjëherë të realizuar) me banalitetin e saj, por në të vërtetë, vetë ëndrra në këtë tregim na bën të shtrojmë këto pyetje, sepse ajo vihet përballë realitetit me dy mjete simbolike të forta.

Këpucët dhe këmbët e zbathura…

Për të hyrë në jetën pa dashuri, në realitetin e ashpër, mbathen këpucë; simbol që mban mbi vete gjurmët e egra të këtij realiteti. Është në fakt e pamundur të luftosh për ëndrrën tënde pa u mbrojtur nga realiteti, pa mbathur këpucë. Por shpesh kjo mbrojtje na bën aq të dobët, sa të mos arrijmë ta kapim ëndrrën tonë.

Por të hysh në jetën që nuk bëjmë, që është një jetë më e bukur; «jeta e vërtetë», nuk ke nevojë për këpucë; aty hyn pa merak, me këmbët e zbathura që nuk duan t’ia dinë për realitetin, ato e «abstragojnë» atë siç e «abstragon» një somnambul që niset drejt rrezikut pa qenë i vetëdijshëm.

Këpucët e njeriut të zgjuar dhe e kundërta e tyre; këmbët e zbathura të somnambulit, janë metafora në një antitezë të fuqishme, mjete të gjetura instiktivisht nga artistja, e cila ndjen se ëndrra kërkon sakrificë, sepse jeta që nuk bëjmë është më e bukur.

Ëndrra dhe fundi i saj…

Kriza dhe zgjidhja krizës në këtë tregim bëjnë thelbin e tij dhe të dy të vërtetave në dukje të kundërta, që zhvillohen me shpejtësi dhe bien me forcë në receptorët interpretues të ndjenjave tona; ëndrra për të mbajtur jetën dhe ëndrra që përfundon në një vetëvrasje, kuptimi filozofik i së cilës është në koherencë totale me ëndrrën.

Gruaja e ndjen veten në krize kur konstaton se nuk mund të ëndërrojë më të bukurën ndjenjë të dashurisë. E ç’mund të jetë njeriu pa këtë ndjenjë?

Por tek ajo është krijuar një varësi totale nga kjo ndjenjë, saqë e kërkon edhe kur trupi nuk ia jep më mundësinë, e kërkon me një artific aq të tepruar sa i mbyll rrugën e ekzistencës: ajo nuk zgjohet më kurrë.

Përse e kërkon ajo me kaq insistim këtë ndjenjë?

Varësia nga ëndrra ? Kjo mund t’i japë një mësim ëndërrimtarëve dhe realistëve, por ajo është shumë e rëndomtë si përgjigje për pyetjen që bëmë më sipër.

Imazhi i zotërisë nuk ishte imazhi i Romeos, një njeriu konkret. Imazhi i tij ishte simbol që plotëson një nevojë humane. Dozimi i mjetit artistik është ralizuar saktë, i pagabuar.

Përgjigjia është shumë e thjeshtë. Është ajo që shpjegon edhe fundin e këtij tregimi: Pa dashuri nuk ka jetë.

Ky tregim godet fort substancën e një bote ku mbretëron interesi; realitetin tonë.

Gruaja nuk donte të vdiste, ajo donte të jetonte. Jetën e vërtetë, atë të këmbëve të zbathura, të cilat vishnin këpucët çdo mëngjes për të hyrë në realitet…

Francë, 11 Gusht 2018

Tregimin e gjeni këtu:

Këpucët-Arlinda Guma

Nuk i përshtatesh ti shijes së publikut, por i ofron publikut atë që ti mendon se duhet të njohë nga arti i ri/Bisedë me violinistin Florian Vlashi

in Biseda/Muzikë by

Bisedë me violinistin Florian Vlashi, mbi muzikën dhe pasione të tjera të tij, si letërsia e piktura.

Ai jeton në Spanjë prej 27 vitesh, por di të ruajë një balancë të admirueshme midis dashurisë për Durrësin, qytetin e tij të lindjes, dhe La Coruña, Galicia, qytetin ku tashmë jeton.

“Ne muzikantët dimë “të deshifrojmë” duartrokitjen, thotë ai kur rrëfen dashamirësinë e publikut spanjoll. “Ajo ka gjuhën dhe kodet e saj”, ndërsa më tej, kur i duhet të përshkruajë lidhjen e tij të fortë me letërsinë, ai citon Dirigjentin Daniel Baremboim:“Fatkeqësia e instrumentistëve të orkestrave sot është se pjesa më e madhe nuk lexojnë, dhe se libri i vetëm që kanë në shtëpi është… numëratori telefonik.”

I pyetur mbi çështjen e nxehtë të ditës, shembjen e Teatrit Kombëtar, si dhe betonimin e qytetit të Durrësit, ai nuk i dredhon aspak pyetjes, por me kurajë intelektuale dhe i drejtpërdrejtë thotë se është kategorikisht kundra shembjes:

Gjërat nuk është e thënë të jenë të bukura për t’i dashuruar. Ato duhen sepse pa e kuptuar bëhen pjesë e jetës tënde. Për fat të keq ti e kupton këtë gjë vetëm atëherë kur i humb përgjithmonë. Qytetet kanë identitetin e tyre. Kanë fytyrën e tyre. Me atë fytyrë jemi dashuruar dhe kur dashurohesh nuk ndjen nevojën e asnjë operacioni plastik (në rastin e qyteteve do ta quaja “botox-polis”), aq më pak shndërrim të tipareve… Në rastin kur ti dashuron, ti veç do që tiparet e tij apo të saj të ruhen e të duken të bukura si përherë. Nëse ti dëshiron t’i ndërrosh ato, atëherë ti nuk e dashuron atë person.  Qytetet janë si njerëzit dhe dashuritë e tyre.

Bisedoi: Arlinda Guma

 Arlinda Guma: A do të mundeshit të më përshkruanit një çast prej turneve tuaja muzikore nëpër botë, kur keni ndjerë se malli për Shqipërinë ka qenë disi i papërballueshëm? Si reagoni në kësi situatash? Luani në violinë ndonjë pjesë shqiptare për ta mundur zbrazëtinë?

 Florian Vlashi: Nuk di të kem ndjerë ndonjëherë mall të papërballueshëm për Shqipërine. Mall po, natyrisht. Në koncertin tim në Odesa (Ukrahinë), në sallën ku unë kisha koncertin, pat luajtur Aleksander Moisiu, pikërisht në mbrëmjen kur e lajmëruan për vdekjen e babait. Afër sallës ishte dhe “Rruga e shqiptarëve”. Një ndjenjë e çuditshme në një vend pa shqiptarë, por ku ndihej prania e tyre.

Në koncertin e fundit në Deruta (Umbria), luajta një vepër nga kompozitorja kosovare Donika Rudi, me titull: “Kabatronic”. Eshtë një Lamento shqiptare për violinë dhe “tape”, ku vijnë zëra nga larg; është malli, fotografia e vjetër, telefonata e fundit, librat e fëmijërisë, zërat e atyre që s´janë më… Në atë heshtje nate ndjeva frymëmarrjen e asaj pjese të publikut që vinte nga vendi im.

Për të mundur zbrazëtirën më mjafton të lexoj një libër shqip, të shikoj pikturat apo të dëgjoj muzikën tonë. Në një ditë nga këto, dëgjova rastësisht këngën “Të ka lali xhan…” dhe ajo që më befasoi ishte se… më pëlqeu kenga. Madje e dëgjova dy herë. Malli është  i pabese. (qesh)

 Arlinda Guma: Ç’ngjyra e aroma nuk do të mundet kurrë t’ua zëvendësojë Spanja, vendi që ju mirëpriti, ku prej vitesh zhvilloni karrierën tuaj artistike?

 Florian Vlashi: Unë kam në Spanjë po aq vite sa ç`kam kaluar në Shqipëri; 27-27. Por numrat e pjesës së parë kanë shumë më tepër peshë tek unë, sepse aty është esenca e formimit. Kështu ngjyrat dhe aromat e “pjesës se parë” janë të pafundme e të pazëvendësueshme. Por unë, si muzikant, jam më i ndjeshëm me atë që dëgjoj. Shqipëria ka “zhurmat” e saj, që nga murmurimi i shqipes në rrugë, shiu, bubullimat, heshtja e natës, muzika e bareve, e deri tek zhurma e detit. Ka në këtë të fundit një butësi përkëdhelëse si muzika e Debussy-së apo përrallat e fëmijërisë. Por më mungojnë zogjtë. Diku kam lexuar se janë gjetur zogj të vrarë, sepse gjatë kthimit, në pranverë, në parkun e përhershëm, janë përplasur në kristalet e ndërtesave të sapongritura.

Qyteteve tona u mungon muzika e natyrës. Atë e mbyt zhurma e makinave, e borive, e punimeve apo e muzikës idiote të bareve… Kjo është ndotje akustike.

 Arlinda Guma: Si është publiku i huaj ndaj një violinisti shqiptar? I ftohtë? Dashamirës? Mosbesues? Mbështetës? Cinik? Po ai spanjoll në veçanti?

 Florian Vlashi: Po të heqim fjalën “cinik” dhe të ndryshojmë renditjen e fjalëve të tjera, përgjigjia është brenda pyetjes: publiku në fillim është i ftohtë, mosbesues, pastaj dashamirës, mbështetës në duartrokitje dhe, kur takohesh pas koncertit me të, të duket se e ke njohur gjithë jetën. Sepse muzika ështe komunikim. Publiku spanjoll nuk është shumë më ndryshe, por në rastin tim bien dy fazat e para; i ftohtë e mosbesues. Ndoshta do të shtoja edhe fjalën mirënjohës, sepse ai publik vlerëson shumë faktin që një muzikant shqiptar ka luajtur premirë absolute mbi 100 vepra spanjolle. Dhe kjo ndihet në zhurmën e duartrokitjeve. Ne muzikantët dimë “të deshifrojmë” duartrokitjen. Ajo ka gjuhën dhe kodet e saj.

 Arlinda Guma: Cili ka qene çasti më emocionues i gjithë karrierës suaj? Një nga ata çastet kur nuk ju kanë mbajtur më këmbët dhe që ju ka bërë t’i thoni vetes: “Më mirë të kisha zgjedhur një profesion që nuk ka lidhje me skenën.”

Florian Vlashi: Çastet më të vështira janë pa dyshim konkurset. Nuk ka gjë më të keqe se konkurset, një skenë sterile ku asnjë muzikant s´dëshiron të jetë. Aty e ndjen veten thjesht një numër, si në një garë kuajsh siç thoshte Bartok, ndoshta janë shumë të nevojshëm, por nga ana tjetër s´kanë të bëjnë aspak me artin. Verdi nuk e fitoi konkursin për në Konservatorin e Milanos, ndërsa tani ai konservator mban emrin e tij.  Fitimi i konkursit në Stuttgart të Gjermanisë, në vitin 1992, e ndau jeten time në dy pjesë. Natyrisht kjo është ana e nevojshme. Por çastet që kalon aty janë tepër të rënda. Në ato 4-5 minuta varet e ardhmja jote. A mund të mendohet se ato të famshmet 10000 orë pune që i ke dedikuar instrumentit që fëmijë, të varen në vetëm  pak sekonda?

Para pak ditësh isha pjesë e jurisë së konkursit për Bursat e Muzikës, dhënë nga  krahina e La Coruña-s për të studiuar në Universitetet më të mira të botës.  Jane 180 000 Euro. Sinqerisht, e kalova keq. Një nivel shumë i lartë. Fituesit me humbësit në numrin e pikëve  i ndante vetëm… një presje. Një presje! Për at’ Zot, a mund të përcaktojë kjo presje fatin e një artisti? Me një lëvizje lapsi milimetrik eliminohet një ëndërr. Ajo presje e bukur dhe elegante, që në një fjali është aq e dashur dhe i jep kuptim frazës, në këtë rast më dukej një gjemb i helmuar. Më erdhi ndërmend një foto që më nisi im bir nga Lyon para konkursit, ku tastiera e violinës ishte me gjak. U thashë organizatorëve të konkursit  mos t´më thërrasin  më.

 Arlinda Guma: Nëse nuk do të ishit bërë violinist, ç‘rrugë mendoni se mund të kishit ndjekur? Unë dalloj një lidhje të veçante tuajën me letërsinë. E keni menduar ndonjëherë se mund të ishit bërë shkrimtar?

 Florian Vlashi: Nëse nuk do të isha bërë violinist, besoj se do të isha marrë me një profesion tjetër, gjithmonë  brenda artit. Lidhja ime me letërsinë vjen nga familja. Unë jam rritur në një shtëpi që kishte bibliotekën më të pasur të qytetit. Kujdesi i prindërve të mi për lidhjen me librin ka qenë nje bekim në formimin tim. Kam njohur persona që janë bërë instrumentistë me dhunë, me abuzime gjatë fëmijërisë së tyre të mbyllur në një injorancë të frikshme. Natyrisht ata një ditë mundën të luanin mirë në instrument, por kurrë nuk do të jenë njerëz të lumtur apo të lirë. Fëmijëria e dhunuar ka një peshë mbytëse në personalitetin e njeriut dhe për pasojë përcakton edhe fatin e tij.

Dirigjenti i madh Daniel Baremboim thotë në një intervistë se fatkeqësia e instrumentistëve të orkestrave sot është se pjesa më e madhe nuk lexojnë, dhe se libri i vetëm që kanë në shtëpi është… numëratori telefonik.

 Arlinda Guma: Cili është ai kompozitor, që kur ia luani pjesët ju bën t‘i thoni vetes: Kjo të kalon në tjetër dimension! E nëse do të ishit së bashku me këtë kompozitor, me një gotë verë përpara, çfarë pyetjesh do t’i bënit?

 Florian Vlashi: Gjeniu i gjenive për mua është padyshim Si bemol, La, Do, Si. Këto nota korrespondojnë me inicialet BACH. Në muajin Maj luajta veprën e tij madhore “Arti i Fugës”, tek Aquarium i La Coruña, që është nën ujë, pra brenda në oqean. Emri Bach përkthehet “Përrua”, dhe Beethoven ka thënë “Bach” nuk ështe përrua, por oqean. Madhësia e oqeanit, thellësia, drita, errësira, tërë misteri i tij, i jepte atë mbëmje muzikës  përmasa joreale.

Bashkë me Bach-un në tryezë? Me siguri duke pirë një gotë verë Bourgogne, është ajo që Mjeshtri pëlqente. Dhe s´e kishte fare gabim, sepse nga Bourgogne është vera më e mirë dhe e shtrenjtë e planetit, Romanée Conti, me çmimet që shkojnë sot nga 13 000 deri ne 90 000 euro për shishe. Pyetje? Asnjë. Vetëm do dëgjoja me frikën se mos zgjohesha nga ëndrra.

Në librin e fundit që ka dale mbi Bach-un, André Tubeuf shkruan se muzika e tij është më urgjente se kurrë, sepse sot shpirti i artit është deformuar nga moskomunikimi, përjashtimi, keqkuptimi dhe arti i tij na orienton e na bën qytetarë më të mirë. Në muzikën e tij dominon rregulli, optimizmi dhe Drita.

 Arlinda Guma: Keni krijuar “Grupo Instrumental Siglo XX”, të cilin e drejtoni që prej 21 vitesh. Që i përkthyer në shqip do të ishte: “Grupi Instrumental Shekulli  XX”.  A kanë qenë të vështira fillesat e tij?

 Florian Vlashi: Fillesat nuk kanë qenë të vështira. E vështirë është të mbahet 21 vite një grup që i dedikohet muzikës moderne dhe bashkëkohore. Ka shumë ansamble që krijohen e mbyllen pas pak, ka nga ato që zgjasin aq sa zgjat një koncert. Jetëgjatësia e një grupi është domethënëse për një ansambël profesionist të klasit të lartë. Dhe GISXX është i tillë. Me mbi 250 koncerte deri tani, po aq vepra në repertor dhe 145 premiera absolute, është një grup referencë në panoramën muzikore spanjolle sipas kritikës së specializuar. Veç të tjerave, duhet të jetë dhe ansambli joshqiptar që ka më shumë autorë shqiptarë në repertor. Dhe kjo më bën krenar.

Arlinda Guma: Në faqen tuaj në median sociale, një ditë kishit bërë një përshkrim mbreslënës rreth një vizite tuajën në “Spitalin e Kukullave”; një spital i cili ekziston vërtet në Napoli, qysh prej fundit të vitit 1800. Kur e lexova, me mendje hoqa një paralele me Shqipërinë, këtu ku as spitalet për njerëzit nuk janë të denjë dhe ku po debatohet nxehtë shembja e Teatrit Kombëtar. (Disa e lidhin me ekonominë e varfër të vendit këtë mungesë ndjeshmërie ndaj së kaluarës, por unë mendoj se duhet kërkuar më thellë shkaku.) Keni ndonjë mendim mbi këtë të fundit apo kurseheni të bëni krahasime të tilla?

 Florian Vlashi: Jam absolutisht kundra prishjes së Teatrit dhe absolutisht pro ndërtimit të një teatri të ri. Nuk ka pse lindja e të dytit duhet të presupozojë vdekjen e  të parit (?!) Një teatër i ri e modern është më i nevojshëm se kurrë në Shqipëri. Por janë urbanistët ata që duhet të mendojnë për një vend të përshtatshëm. Teatri i vjetër është pjesë e historisë së artit shqiptar, të ruhet, të rinovohet, edhe nëse nuk do të funksionojë më si teatër mund të kthehet në muze apo në arshivë. Në Buenos Aires kam vizituar një Teatër të kthyer në librari me emrin Ateneo, sipas gazetës The Guardian është një nga dy libraritë më të bukura në botë.

Kam qenë edhe kundër shndërrimit të sheshit të Durrësit dhe heqjes së shatërvanit, projektuar nga arkitekt Sotiri. Atëherë shkruajta se “gjërat nuk është e thënë të jenë të bukura për t’i dashuruar. Ato duhen sepse pa e kuptuar bëhen pjesë e jetës tënde. Për fat të keq ti e kupton këtë gjë vetëm atëherë kur i humb përgjithmonë.” Qytetet kanë identitetin e tyre. Kanë fytyrën e vet. Me atë fytyrë jemi dashuruar dhe kur dashurohesh nuk ndjen nevojën e asnjë operacioni plastik (në rastin e qyteteve do ta quaja “botox-polis”), aq më pak shndërrim të tipareve… Në rastin kur ti dashuron, ti veç do që tiparet e tij apo të saj të ruhen e të duken të bukura si përherë. Nëse ti dëshiron t’i ndërrosh ato, atëherë ti nuk e dashuron atë person.  Qytetet janë si njerëzit dhe dashuritë e tyre.

 Arlinda Guma: Shumë njerëz suksesin e lidhin me famën (për mua ai është subjektiv dhe them se lidhet më së shumti me gjendjen e brendshme të individit se sa me marrëdhënien e tij me botën.) Po për ju si eshte ky koncept? Çfarë quani ju sukses?

Florian Vlashi: Mund të jesh i suksesshëm, por jo i famshëm, dhe mund të jesh i famshëm, por jo i suksesshëm. Madje kërkimi i famës me çdo kusht mund të krijojë një përbindësh brenda teje dhe nje mëngjes e shikon veten të shndërruar në një kandërr si Gregorio Samsa tek “Metamorfoza” e Kafkës. Filozofi gjerman Byung-Chul Han thotë se sot jetohet me ankthin se nëse nuk triumfojmë është faji jonë, pra një lloj sindrome e shfrytëzimit abuziv të vetvetes. Për mua suksesi është një koncept më i gjerë, është ekuilibri i gjërave në jetë dhe renditja e tyre sipas prioriteteve. Nëse ky ekuilibër arrihet, atëherë ia ke dalë mbanë në jetë. Pra nuk duhet të obsesionohem të krijoj veprën perfekte të artit, por jeta ime duhet të jetë një vepër arti e bukur. Për këtë ekuilibër kam një shembull – babain.

Arlinda Guma: “Nëse është art, nuk është për të gjithë; nëse është për të gjithë nuk ështe art”, kam lexuar në një intervistë tuajën. Vetëm se këtu në Shqipëri kemi një keqkuptim të madh mbi vlerat e artit të vërtetë, shumë njerëz këtu, midis tyre edhe shumë artistë, vlerat e një vepre arti i ndërlidhin me faktin se sa e shitshme është ajo në treg. Mund të me flisni pak për këtë koncept?

Florian Vlashi: Thënia është e Schoenberg-ut. Në rastin tim flet zgjedhja që kam bërë. Unë merrem me muzikën e re, me muzikën bashkëkohore që nuk është tamam-tamam më e shitshmja në treg. Kurrë s´ka qenë. Por jam i bindur se është një mision, një shërbim, rezultat i një zgjedhjeje të ndershme. Nuk i përshtatesh ti shijes së publikut, por i ofron publikut atë që ti mendon se duhet të njohë nga arti i ri. Ajo që ju quani një keqkuptim të madh, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por i përbotshëm. Ekonomia e tregut është kuçedra që ka zënë burimin tek përrallat. Dikush duhet të luftojë kundër saj. Në mos banaliteti, injoranca dhe kitsch-i do na idiotizojnë shpejt.

Arlinda Guma: Çfarë ju gëzon dhe çfarë ju nervozon kur vizitoni Shqipërinë? Në veçanti, Durrësin (me rrënojat e tij antike të tij që përditë po mbyten prej betonit…)

 Florian Vlashi: Gëzohem shumë kur takoj miq e shokë, me të cilët kam aq shumë për të folur e për të kujtuar. Më gëzon çdo lajm që lexoj për hapjen e një muzeu si ai i Marubit apo Gjon Milit, për shpëtimin e një kishe apo afresku, për ruajtjen e rimëkëmbjen e një rruge si Bulevardi apo Muzeu Arkeologjik i Durrësit apo Pazari i Korçës, për restaurimin e Teatrit Migjeni apo të atij të Operas në Tiranë, etj., etj. Të gjitha këto ma bëjnë zemrën mal. Por nga ana tjetër më mbulon trishtimi kur ndërtohet pa kontroll, kur betoni mbulon një plazh, një park apo pasuritë arkeologjike; kur mbyllet një librari apo kur kushtet e teatrit janë më poshtë se kafeteria më e humbur e qytetit; kur biblioteka e Durresit është në një gjendje të tmerrshme. Kam dëgjuar se, veç ujit që hyn nga çdo anë, në bibliotekë ka dhe… gjarpërinj. Po po, gjarpërinj! Si ata që ka edhe atje ku po punon tani Teatri i Operas. Por, a mund të bëhet art e letërsi mes gjarpërinjve?! Ndoshta është helmi i dikurshëm i kthyer tani në gjarpërinj të vërtetë. Nga këtu duhet të fillojë pastrimi i arteve, katarsisi i ndërgjegjes.

Arlinda Guma: Keni dhënë koncert në Vjenë, në Muzikverein, në vendin ku bëhet edhe koncerti i famshëm i Vitit të Ri, keni luajtur atje me “Sinfonica de Galicia”. Mund të m’i përshkruani përshtypjet dhe atmosferën gjatë këtij koncerti?

 Florian Vlashi: E ndiqja koncertin e Vienës më datë 1 Janar, që i vogël. Ishte kthyer në një “koncert familjar” dhe vazhdojmë edhe sot ta ndjekim njësoj: zgjohemi vonë, pranë zjarrit, me pizhame dhe një kafe me qumësht, dëgjojmë gjysmë në ëndërr e gjysmë zgjuar atë muzikë të bukur që na vjen si një bekim për Vitin e Ri.

Pastaj Viena ka qenë gjithmonë e pranishme në koncertet e mia, që nga Mozart e deri tek Shkolla e Dytë e Vienës. Në njërin prej koncerteve, me veprat e Strauss të punuara nga Berg, Webern e Schoenberg, projektuam pikturat nga Klimt dhe inskenuam vetëvrasjen e Richard Gerstl. Ky i fundit, i dashuri i gruas së Schoenberg-ut; kur Matilda kthehet në shtëpi, djeg të gjitha pikturat e tij dhe var veten lakuriq përpara një pasqyre gjigande. Pra, për mua Viena nuk është vetëm valse të lumtura me “verë, gra dhe këngë”, por edhe me dramën e saj ku vetëvrasja ishte kthyer në një veper arti.

Të gjitha këto përjetova kur luajta me OSG në Sallën e Artë (Musikverein). Shikoja dyshemenë e vjetër të skenes, plot shenja e gërvishtje, si një partiturë e një ditari intim. Sepse skenat kanë memorien e tyre.

Arlinda Guma: Si lindi tek ju pasioni për koleksionimin e pikturave? Po ai mbi koleksionimin e verërave? Duket se keni siguruar atmosferën ideale e cila i duhet një artisti; violinën, librat, verën, pikturat…

Florian Vlashi: Koleksionin e pikturave e filloi babai  që në vitet 50-të. Pastaj e vazhdova unë pas 90-ës.  Janë mbi 150 vepra të autorëve shqiptarë, nga Ibrahim Kodra e deri tek më të rinjtë. Ndërsa verërat nuk janë koleksion. Ato konsumohen rregullisht dhe kantina ripërtërihet përherë. Ёshtë e vërtetë, ndërmjet muzikës, librave, pikturave dhe verës, krijohet një atmosferë ideale nën mbretërinë e Apollos-Zoti i djellit, muzikës, poezise dhe Dionisit-Zoti i verës. Arti është i lidhur me këto dy perëndi dhe këtë nuk e thotë vetëm Nietzsche tek “Lindja e tragjedisë”, por edhe Freud, Jung, Baudelaire, Mann, etj. Pra diçka të vërtetë duhet të kete aty… (qesh).

Arlinda Guma: Mund të më jepni një detaj piktoresk të Durresit, dhe një të La Coruña, Galicia, vendi në breg të oqeanit, në veri të Spanjës ku jetoni?

 Florian Vlashi: Si Durrësi dhe La Coruña kanë të përbashkët shumë gjëra, por kryesorja është se janë dy qytete bregdetare. Madje, duke shtuar dhe Nicën, them se jeta ime dita-ditës kalon nën praninë e detit. Si unë dhe ime shoqe Rediana, duke qenë nga Durrësi, jemi rritur me imazhin e Vilës së Zogut tek kodra. Edhe shtëpinë në Spanjë e kemi thuajse në të njëjtin pozicion, pra në kodër, mes blerimit dhe shikojmë oqeanin. Ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme kemi realizuar një ëndërr të hershme, një imazh që kish mbetur diku brenda nesh. Nga të dy kodrat shikohet perëndimi i diellit në det, por me një ndryshim; perëndimet në Durrës ishin ëndërrues, në La Coruña janë nostalgjikë…

Të dy qytetet kanë farin e tyre. Në bregun e oqeanit është fari 2000 vjeçar, i ruajtur mirë, me të cilin krenohen dhe tani është kthyer në Trashëgimi e Kultures nga Unesco. Ndërsa fari i Durrësit, më modest, por jo më pak i rëndësishëm, duket se ka një fat tjetër. Herën e fundit që u ngjita për ta vizituar, një plak me emër profeti që kalonte atje afër më këshilloi të mos shkoja “te fneri”, sepse shtëpitë që ishin ndërtuar aty kishin zënë rrugët, dhe tek kalimi i vetëm kishin lidhur disa qen të egjër. Pata frikë dhe u ktheva mbrapsht. Qen të egjër!!!… Pata ndjesinë se dikush më kish rrëmbyer diçka që më takonte… atë nga unë vij… ku unë kthehem… Nuk e di ta përcaktoj mirë, por është diçka pa të cilën jam askushi.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Florian Vlashi: Edhe unë ju falënderoj për ftesën!

Foto © Fran Martinez

____

Shënim: Shkrimet e defekt-teknik.com nuk janë për gazetaret  pa ide të Gazetës “Mapo”. Edhe pse përpiqemi ta mirëkuptojmë me sa mundim koeficientin e tyre të ulët të inteligjencës, si dhe koeficientin e tyre të lartë të mediokritetit, u bëjmë me dije t’i mbajnë duart larg kësaj faqeje!

 

 

 

 

Përqafim-Merita Paparisto

in Letërsi/Tharm by

Përqafim-Merita Paparisto

Përqafimi është një gjë e thjeshtë
me krahë të mbështjellë 
në shpatullat e tjetrit,
ka fijet e brinjëve 
të mbivendosura mbi njëra-tjetrën,
ka një zjarr të vogël që merr frymë
në oxhak të kraharorit…
dhe asgjë më…

Gropëza midis qafës dhe supit
është lugina e vogël e mallit,
ku koka lëshohet e papushtetshme,
prehër i kujtimeve të ëmbla
mbledhur në hojet e kohës së shkuar.

Dorëzohu në përqafim dhe do të shohësh,
që një shkurrëzë trëndafili e egër 
do të mbijë në gropëz të mallit.

Një skandal letrar/Gazmend Krasniqi

in Letërsi by

Gazmend Krasniqi

Pashë se njëri ndër poetët më të njohur arbëreshë të sotëm, me dashamirësinë për të promovuar  letërsinë e vendit të origjinës, paraqiste në rrjetet sociale një poezi të Rreshpjes, të përkthyer në italisht dhe të vendosur në faqet kulturore të atij vendi, por poezia nuk qe e poetit në fjalë. Arrita të komunikoj me përkthyesin, që më tha se jo vetëm që e kishte parë si të tijën, por edhe të lavdëruar nga një poet i njohur.

U realizua menjëherë korrigjimi. E dija se kishte një ngatërresë në rrjetet sociale, po nuk e prisja që puna të shkonte deri këtu, edhe pse Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot dhe se prirja për ta përkthyer ka marrë përmasa të mëdha. Thuhet se romani “Pedro Paramo” i Juan Rulfos, “një kryevepër e vërtetë” sipas buzëhollit Borges, nuk e mori famën që meritonte, sepse qe përkthyer dobët, por nëse një autor e paraqesim për një tjetër çfarë do të ndodhte? Ishte e habitshme rezistenca e personave të portaleve për të mos e korrigjuar ngatërresën.  Ma konfirmuan edhe persona të tjerë që e  kishin hasur këtë problem.  Kulmin qe kur një person të cilit ia paraqita të gjitha faktet se si qëndronte e vërteta, më tha – mua që jam redaktori i librit me të cilin ndodhi ngatërresa – se poezia X qe e Rreshpjes, pasi një miku i tij e kishte marrë prej vetë dorës së autorit!!!

Ka ardhur koha që prej poetit të vdekur të merret pak lavdi, por kjo prirja për ta marrë si e duan dhe jo si është, mbetet mënyra më e mirë për ta vrarë një poet. Sidomos kur atij nuk i është dhënë ende vendi që meriton. Poezitë e ngatërruara rezultojnë më të brohoriturat nga ky rreth njerëzish, megjithëse autori i vërtetë as që është në dijeni të këtij “suksesi”.

Është e vërtetë që Rreshpja gjithmonë ka dashur të jetë ndryshe nga çfarë mbizotëronte në realitetin shqiptar, por jo të ekskomunikohej. Shkëputja prej 15 vjetësh nga poezia dhe ngritja e saj në stadin më të lartë, flasin për një fenomen përtej shqiptares. Ishte shumë i vetëdijshëm për atë që mund të bënte. (Arshi Pipa ka një tezë, që thotë se letërsia shqipe vuan nga cilësia, sepse shkrimtarët e saj nuk prodhojnë në moshën e pjekurisë.) Rreshpja e shfrytëzon pjekurinë artistike si një Kavafis, Yeats apo Montale. Në vitin 1992, thotë për një gazetë të Kosovës: Dua ta përsos poezinë dhe ta bëj atë shqiptare. Sot ka nga ata që janë të bindur për këtë, por atëherë mungonte çdo vëmendje ndaj asaj që ai shprehte.

Poezitë e kësaj periudhe i botoi më 1994 te libri “Erdhi ora të vdes përsëri”. Mania që kishte për përsosmërinë, e bëri që të reflektonte dhe dy vjet më vonë të botonte vëllimin “Lirika të zgjedhura”. Në këtë periudhë kohe vazhdonte të jetonte në Shkodër dhe kam pasur rastin të shoqërohem gjatë me të. Kur po kërkonte për titullin e librit, më tha nëse mund t’i jepja ndonjë ide. I çova një letër format të mbushur plot me lojëra nga metaforat e tij. I pëlqeu ato, por qe e qartë se kërkonte diçka tjetër. Diçka më të zhveshur. Ishte për titullin “Diku, kudo”, sepse nuk mund të përdorte titullin “100 lirika”. Çfarë donte të thoshte kjo? Ishte në kulmin e krijimtarisë, por nuk mund të realizonte aq lirika. (Poradeci thotë se një poet mund të ketë vetë 6-7 poezi të realizuara. Megjithëse disa ia dalin të bëjnë ndryshe, prandaj “dhe kështu të kenë nga katër palë pantallona”)

Te libri ‘Lirika të zgjedhura”, Rreshpja la jashtë rreth 15 poezi nga libri i mëparshëm dhe shtoi diçka më pak. As kthimi te poezia e hershme nuk e ndihmoi për të arritur numrin 100. Mori 4-5 poezi. Siç ndodh shpesh, ndoshta kjo prirje për përsosmërinë qe një nga gjërat që e la jashtë vëmendjes. Ai bënte kompromis vetëm me vokacionin e tij.

I zhgënjyer, nuk botoi më dhe nuk e organizoi më veprën e vet ashtu siç do të donte ai, me 100 lirika. Padyshim, ky është një nga trishtimet më të mëdha të poezisë shqipe në përgjithësi. Vetëm një vit para vdekjes dalin librat “Vetmi” dhe “Në vetmi”, secili i konceptuar krejt ndryshe nga tjetri, që do të thotë se, para entuziazmit të adhuruesve ndaj veprës së tij poetike, dora e tij, prej të sëmuri dhe plaku, ndihej pak. Botuesit aktivizuan shumë poezi që ai i kishte lënë jashtë në përzgjedhjen e tij, të cilat u shtohen të rejave, duke e zgjeruar kështu prodhimin e tij poetik, që tashti shfaqet në libra pak më të trashë se më parë. Meqë ishte gjallë, mund t’i marrim si të aprovuar prej tij, gjë orientuese për botimet e reja. Përveç të tjerash, ata paraqesin interes për punën e tij me variantet.

Se çfarë ka botuar në gazeta e revista, të asaj periudhe, nuk është e lehtë të orientohesh. Pyetjes se pse botonte në disa organe jashtë letërsisë së vërtetë, njeriu që jetonte vetëm për poezinë, m’i qe përgjigjur që në Drita nuk mund të botonte kur të donte. Drejtuesit e saj, pjella të kohës së realizmit socialist, i qenë përgjigjur me klishenë e tmerrshme se “duhet pak gjeografi”. Megjithëse çdo gjë e kishte kundër, do të botojë herë pas here nga ato gjëra që do të shfaqen në librat e vitit 2014. Por edhe ndonjë gjë që nuk hyn atje. Në një intervistë (Drita, 18 qershor 2000) lexoj se përgjigjet që ka në dorë dy romane. Dhe shton: Kam edhe librin “100 lirika”. Apo: Kam vënë re se tani poezinë e shkruaj më me pasion se kur kam qenë 20 vjeç. Apo: Më pëlqen të vazhdoj rrugën e Poradecit (është më i larti). Sigurisht, flamuri i lasgushizmit e shpëtoi nga realiteti i ashpër letrar dhe social. Poezia shqipe qe në një moment të shkëlqyer. Ky njeri qe heroi i asaj që priste historia letrare e prodhimit poetik shqip.

Realisht, librin “100 lirika” nuk do ta kemi ndonjëherë në dorë, por mund të shohim se ku fshihej ajo ide.

Në internet qarkullojnë me emrin e Frederikut edhe poezi që nuk janë të tijat. Ato edhe janë përkthyer dhe qarkullojnë në site të huaja.

Poezitë e mëposhtme, në fakt, kanë për autor Alfred Çapalikun, megjithëse në internet mund të gjenden nën emrin e Frederik Rreshpjes

ALFRED CAPALIKU

 

MUZIKË NË LËVIZJE

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
Si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
Nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
S’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
Armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.

CAKU

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
Se duhet të shkelin në udhë pa krye,
Mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
Pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
Pa policë trafiku e manekinë mode,
Pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
Për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
Trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
Ciasin gomat si në përplasje veturash,
Thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!

Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
Non stop-in rraskapitës me theks modern,
Në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
Pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
Me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
Sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
Që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
Gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
Me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.

QIEJ MERMERI

Qiej mermeri
pa peshë,
dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje.

Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
Aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.

E bardha bëhet e kaltër,
E zeza mbetet pa bojë.
Zaret janë hedhur,
Jeta është lojë.

Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
Prishen në shtratin e lumit,
Avullojnë të mistershme,
Si britma pa dënesë.

E bardha ngjyhet me të kuqe,
E zeza ndërron bojë.
Në kurthin e ditës,
Jeta është lojë.

NJERËZIT E GURIT

Burrat e kohës së gurit s’ishin të ngurtë,
Vidheshin me gjethe, u lulëzonin brinjët,
Zbutnin gjithandej gratë e egra,
Shpiknin vegla pune me majë, rrumbullak,
Nuk njihin sistem numërimi për fëmijët,
Shpellat i thellonin me britma pasioni,
Përjetonin vdekjen sipas tyre
Dhe sosnin në skulptura naive.

DJEMTË E RRUGICËS DHE PLAKU

Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.

Të bukurit dhe të mirët djemtë,
Të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?

Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
Njërëzve u thirri: – Djemtë u rritën!
Lule-vilet vareshin mbi derë
Dhe e ndritnin plakun si fererë.

– Secili djalë braktis murishtën,
Të gjejë të panjohurën e vet,
O njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.

Shpejt erdhi rritja e djemve,
Do të vijnë te na shohin përsëri
Dhe do të sjellin me vete,
Vajzat që kanë marrë me dashuri!

Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.

LIRIKË INTIME

Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur,
Mbjellë shumë vite më parë?

Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.

SIMBIOZË

Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë,
As pjesëtuar nën kryqin e dhimbjes,
As shumëzuar në iksin e shpresës,
Të mbledhura me vetveten e mjerë,
Të zbritura nga maja rrokaqiejsh.
Njeriu ngjyron si pylli në vjeshtë,
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë.

KARNAVALET

Ditën e karnavaleve të botës
Maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
Luajnë kuplete me fund gazmor,
Kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
Asimetrikisht bëjnë pirueta,
Për të harrur maskat e vërteta.

TAKIM ME VINÇENS PRENNUSHIN
In memoriam

“Un jam i Zotit! Qiellin a mund ma pritsh?”
Gegnishtja e ndalun jehonte ilirisht
Dhe kumti flatroi mes yjesh pa u fikun,
Mbas çastit vdektarë sa shpejt kishte rilindun.

Të vinte era lule, i veshun me gjeth,
Shejtnisht përmbi krye të shndriste nji rreth,
Në kohën e amshimit nuk ishe dikushi,
Por ambëlsia vetë, Poeti Prennushi.

STINA E GËZUAR

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.

Marrë nga: http://palimpsest.al/

Pjesë nga intervista e parë e Bukowski-t

in Letërsi by

Kjo ështe një pjesë nga intervista e parë e Bukowski-t.

Viti 1963.

Nga dritarja e shtëpisë së Bukowski-t mund të shohësh dritat e shtëpisë së Aldous Huxley-t, lart në kodër, atje ku Huxley i suksesshëm jeton.

  • A nuk ju shqetëson fakti që Huxley është në një pozicion të tillë, nga i cili mund t’ju spërkasë me pështymë?

Bukowski: Oh, kjo është një pyetje e mirë. Nuk kam menduar për Huxley-n, por tani që ju e përmendët. Jo, nuk më shqetëson.

  • Çfarë mendon për poetët homoseksualë?

Bukowski: Homoseskualët janë delikatë, poezia e keqe është delikate… dhe Ginsberg e ndryshoi këtë, e bëri poezinë homoseksuale poezi të fortë, gati poezi burrërore, por në një vështrim të përgjithshem, homoja mbetet homo dhe jo poet.

  • Të kalojmë në gjëra më serioze; çfarë influence mendoni se Micky Mouse ka patur ne imagjinaten amerikane?

Bukowski: Një influencë të fortë. Të fortë sigurisht. Do të thosha se Micky Mouse ka patur një influencë më të madhe në publikun amerikan edhe se Shakespeare, Milton e Dante, Rabelais, Shostakovich, Lenin apo Van Gogh. Disneyland-i mbetet qendra e tërheqjes së Kalifornisë Jugore, por oborri i varrezave mbetet realiteti ynë.

  • Bukowski, çfarë sheh për të ardhmen tani që çdokush kërkon të botojë Bukowski-n?

Bukowski: Jam shtrirë i dehur rrugicave dhe ka mundësi që ta bëj sërish. Bukowski, hëm, e kush është ai? Lexova për Bukowski-n dhe nuk më duket se ka ndonjë gjë që ka të bëjë me mua. Besoj më kuptoni…

Përktheu nga anglishtja: Arlinda Guma

Poezi nga Roberto Juarroz

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Roberto Juarroz-(1925 – 1995)

69

Çdokush ikën si të mundet,
disa me gjoksin gjysmëhapur,
të tjerë vetëm me një dorë,
disa me kartën e identitetit në xhep,
të tjerë me të në shpirt,
disa me hënën e vidhosur në gjak
dhe të tjerë pa gjak, pa hënë, pa kujtime.

Çdokush ikën edhe pse nuk mundet,
disa me dashurinë ndër dhëmbë,
të tjerë duke ndërruar lëkurën,
disa me jetën dhe vdekjen,
të tjerë me vdekjen dhe jetën,
disa me dorën në supin e tyre
dhe të tjerë me dorën në supin e të tjerëve.

Çdokush ikën sepse ikën,
disa me dikë mes vetullave natë-gdhirë,
të tjerë pa u takuar me askënd,
disa nga dera që të nxjerr apo duket se të nxjerr në rrugë,
të tjerë nga një derë e vizatuar në mur ose ndoshta në ajër,
disa pa nisur të jetojnë
dhe të tjerë pa nisur të jetojnë.

Por të gjithë ikin me këmbët e lidhura,
disa nëpër rrugën që bënë,
të tjerë nëpër atë që nuk bënë
dhe të gjithë nëpër atë që kurrë nuk do ta bëjnë.

77

Në një natë që duhej të ishte shi
a në molin e një porti që ndoshta nuk ekziston
a në një buzëmbrëmje të kthjelltë, ulur në një tryezë pa askënd,
më humbi një pjesë e imja.

Nuk ka lënë asnjë boshllëk.
Madje: duket si diçka e ardhur
dhe jo diçka që ka ikur.

Por tani,
në netët pa shi,
në qytetet pa mole,
në tryezat pa buzëmbrëmje,
papritur ndihem shumë më i vetmuar
dhe s’e marr guximin ta kontrolloj veten me duar,
edhe pse gjithçka duket se është në vend të vet,
ndoshta edhe më shumë se më parë.

Dhe dyshoj mos ndoshta do të kishte qenë më mirë
të kisha ngelur tek ajo pjesa ime e humbur
dhe jo tek ky pothuaj i tëri
që vazhdon ende pa u rrëzuar.

Shqipëroi: Erion Karabolli

Poezia e Roberto Juarroz-it është nga ato poezi, e cila të magjeps qysh sa fillon të lexosh vargjet e para. Ajo të bën t’i rikthehesh leximit disa herë, dhe në secilin lexim, të jep një pështjellim të bukur.

Ajo është poezi e dritës dhe erresirës, e vdekjes dhe jetës. Filozofike, e thellë, po aq edhe njerëzore.

Duket sikur është shkruar e gjitha në një dite me shi, pranë nje moli të braktisur, plot humbje të përsosura dhe sëmbime të bukura.

Arlinda Guma

Legjendarizimi i epokës dhe i figurës së Skënderbeut në penën e Mitrush Kutelit/Zhuljeta Grabocka Çina

in Letërsi by

Në vitin e Skënderbeut

  Zhuljeta Grabocka Çina

Legjendarizimi i epokës dhe i figurës së Skënderbeut në penën e Mitrush Kutelit.

       I

   Dy fjalë për eposin.

Letërsia shqiptare për fëmijë ka lindur si një didaskali urtësie. Më vonë është bërë pjesë formuese e teksteve të mësonjëtoreve të para e dritëruar nga idetë iluminizuese të Rilindjes Kombëtare. Ajo, në shpërgajt e rritjes, u ninullizua me mushtin e legjendave dhe subjekteve epiko-dramatikë të anonimatit oral popullor.

Eposi heroik shqiptar me këngët e ciklit të “Mujit e Halilit” dhe këngët për kreshnikë të veçantë si Gjergj Elez Alia, etj, shënon pragun e kësaj letërsie. Aureola e tyre artistike është veshja më e bukur që njeriu i vjetër i Alpeve të Ballkanit ka lënë në pergamenin e shpirtit të kohërave të trazuara të ekzistencës së tij mijëravjeçare.

Eposet lindën me formimin e kombeve dhe përvijuan vizionin e tyre artistik. Ato kanë vlera unikale e njëkohësisht universale. Të  gjithë popujt, edhe në krijimin artistik, bashkohen e ndahen në fatin e tyre vetjak e të përbashkët. Leximi i tyre bën që çdo brez fëmijësh të ndalet e të njohë rrënjët e etnosit dhe të ndjekë yllin e fatit të tij. Miti dhe legjendat nuk duan shpjegim, ato shndrisin si fosfori i kockës! Dhe njëkohësisht shërbejnë për njohjen e pasurisë së vlerave të gjuhës së tyre artistike.

Eposi është ngrehina ku filloi të pasqyrohet nyja gardiane e fillit të virtyteve të gjinisë së gjakut iliro-arbëror.

Krijimi i epokës legjendare, nëpërmjet një proze legjendare, me heronj legjendarë, jo vetëm si prijës, por dhe si luftëtarë të thjeshtë, janë faqet më të bukura e më domethënëse ku lufta dhe paqja, puna dhe sakrifica, lartësojnë njeriun në marrëdhënie me universin, dhe e ndihmojnë atë të njohë dimensionin dhe atdheun. Gjeografia e tyre artistike pasuron njohjen e këndvështrimit të marrëdhënieve me popujt e tjerë në rrjedhën e shekujve. Përjetësia e tekstit letrar qëndron në aktualitetin e ideve formuese. Tempulli i tyre është realizimi i idealit të së bukurës shpirtërore në një të tashme të përjetshme. E tashme e cila e bën njeriun të ndihet i lirë e i barabartë në veprime.

Eposi ynë dallohet për veprim edhe aksion të mirëmenduar. Përgjithësim i mishërimit artistik të një stadi të përcaktuar entnokulturor, social e historik. Kujtesa artistike e popujve nuk lejon ndërhyrje. Ajo është përjetësisht unike. E mbi të gjitha, e lirë në rrjedhën e pandalshme të kohës. Koncepti i lirisë, i nderit të familjes, veçanërisht ai i ruajtjes së nderit të gruas dhe i shtëpisë, është i lidhur ngushtë me nderin e vendit të robëruar nga të huajt. Virtytet që mishërojnë heronjtë dhe personazhet  janë pjesë e qëndresës së konstitucionit të tyre shpirtëror. Çdo lexues, e në veçanti çdo fëmijë, zgjedh heronjtë indentifikues. Zgjedh të krahasohet me veten e me të tjerët.

Letërsia për fëmijë ka fëmijërinë e vet. Dhe ajo është krijimtaria popullore. Prozodia shqiptare është e pasur, e përthyer, si vetë relievi i tokës së saj. Fushë e mal, qiell e det, ku prej gjenezës presin e përcjellin ditëve lindjen dhe perëndimin e diellit!

      II

   Tregime të moçme shqiptare

Në mesin e viteve të shekullit të njëzetë, në vitin 1965, Mitrush Kuteli boton ”Tregime të moçme shqiptare”. Lënda e tregimeve të tij u brumësua nga dy qerthujt e mëdhenj epiko-heroikë; ai i Malësisë së Veriut dhe ai i arbëreshërve të Italisë, me një synim të qartë ideo-estetik, të mishërojë virtytet njerëzore deri në shenjtëri.

Kuteli ishte i ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtij thesari, ndaj mori përsipër të evindetojë në tregime stilin dhe origjinalitetin e papërsëritshëm të tij. Një stil i shtruar e bisedor, që përshfaqet me të gjithë bukurinë sintetizuese e tipizuese, frazeologjike e toponimike, përrallore e lengjendare!

Në mesin e këtyre tregimeve “të moçme” spikatin dhe ato me temë nga epoka e Skënderbeut. Epokë, jo e largët historike për lexuesin e kohës, njëkohësisht dhe e dokumentuar historikisht. Imazhi i protagonistëve do të vishet me  kalkun e legjendës. Në qendër të tregimeve është figura  e Skënderbeut,  qëndrestar e prijës, luftëtar i Atdheut, mik e shok i bashkatdhetarëve në kohë lufte e paqeje. Konceptimi i kësaj figure, herë si figurë qëndrore e herë si sfond historik, është bërë sipas qerfullës së vjetër të tematikave të baladave të rinjohjes, apo të besnikërisë së dashurisë motër-vëlla. Një trajtim i tillë nuk e ka zbehur vërtetësinë përgjithësuese të karaktereve të heronjve, por ka ruajtur autencitetin e tyre iliro-ballkanik. Vazhdimësia e  konceptimit artistik është ajëruar me idealin e Gjergjit, si prijës i formësuar me idealet e Rilindjes Evropiane dhe aktualitetit epokal që ai mbart në shekuj. Kuteli i mëshon domosdoshmërisë së ruajtjes së pontencialit intelektual e njerëzor përballë shpërfaqjes së suvalave të njëpasnjëshme rrethuese: “Ku shkel turku nuk mbin bar”- përmend ai diku thënien e mbledhur nga goja e popullit prej Frano Bardhit. Në emër të jetës, kjo sentencë e urtësisë popullore sheh në brendësi të shpirtit njerëzor, aty ku duhen luftuar rrënjët e errëta të konflikteve të mëdha. Tregimet e tij shpesh janë motërzime të këngëve popullore dhe të baladave, që përjetësuan mynxyrat e një lufte të ndërkombëtarizuar prej mëse një shekulli e që këndohen edhe sot e kësaj dite prej mërgatës arbëreshe. Plot dhimbje e reflektim tingëllojnë rastësitë e hidhura të fatit “Shega dhe Vllastari”, “Rina dhe Radovani”. Mitrush Kuteli ashtu si edhe vetëdija arbërore sheh thellë në rrënjët e plagëve të hapura, përtej qëndresës midis dy palëve kundërshtare, jo vetëm si pamje e tablo të dy anëve të medaljes së kohës. Gjergj Kastriotit i dhemb plaga e vëllavrasjes midis shqiptarëve në fushën e betejës si palë ndërluftuese. Nëna e ati mohojnë të birin, kur vëllai lufton kundër vëllait, kur rrezikohet motra e nusja në pabesinë e kurthet e pushtuesit.  Shqiptarët ishin të detyruar të luftonin si ushtarë mercenarë. Përballja artistike e tejkalon përballjen fizike. Kutelit i intereson zgjidhja e tyre. Konfliktet zgjidhen në funksion të ruajtjes së pastërtisë së racës njerëzore.

 

         III

 Legjendarizimi, realiteti, përjetësia artistike

Gjithnjë kam qënë e bindur se në këto përpunime artistike autori nuk i drejtohet vetëm moshës së fëmijve, por të gjitha moshave e shtresave të lexuesve. Kur flitet për modelim personaliteti në moshën fëminore, më mirë se sa në leximin e një teksti letrar ku mund të përthithet ai. Në kushtet e digjitalizimit të librit, rritet dhe mënyra e reklamimi i vlerave që ato përcjellin. Rritet edhe aktualiteti i mesazheve që mbartin. Epërsia e së mirës ndaj së keqes, triumfi i drejtësisë, i lirisë universiale në anën e një populli që është në të mirën e fatit të vet, zbërthehen përmes veprimit dhe realizimit të forcës së karakterit të luftëtarëve të thjeshtë si; Milo Shini apo; Nik Peta, të cilët luftojnë në tokën e të parëve të tyre pa i patur kujt borxh.

Në kohën e globalizmit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, kulturave dhe shpërfaqjes së vlerave që ato mbartin, tema e tradhtarit, e renegatit, e emërshuarit, e besëshkulurit kutelian në epizmin e heroikes, besoj se më tepër se folklorike, tingëllon më bukur me prerjen e artë të zgjidhjeve të konflikteve: “Shpata me vend e fjala me vend”. Tingëllon artistike e hyjnore falja e “gabimeve njerëzore”, kur garant bëhej vetë prijësi, simboli i qëndresës së kombit, Skënderbeu. Si strategu i kohës së luftës, ai ndërmerr zgjidhje humane që do t’i shërbejnë kohës së paqes. Për të gënjyerit bashkëkombas, zgjidhje si brerja e ndërgjegjes, ndjenja e fajit, e turpit janë katarsisi për t’i shpëtuar tragjizmit të tyre shpirtëror nëpërmjet veprimtarisë së dobishme shoqërore.

Atmosfera e motit të zi, koha kur turku u derdh me shpatë e zjarr mbi vendin e lulëzuar të Arbërit, i ka brenda të gjitha stinët e vitit, të gjitha stinët e jetës, por dhe stinët historike. Në çaste bunace armiku i thyer tërhiqej, e atëhere arbrit merrnin pak frymë. Kapnin parmendën për të punuar tokën, çekanin e mistrinë për të ndrequr shtëpitë, dilnin për gjah, por asaj kohe u mungonte ende paqja e vërtetë. Ujërat e kohës rridhnin të turbullta, e vinin në sprovë karakterin e fisit arbëror ndaj veprimeve të kobëtarit të errësirës. Kontrastet e fuqishme midis palëve nuk janë vetëm bardh e zi, por janë dhënë me të gjitha ngjyrat ku mbahet nëpër dhëmbë një jetë, ku ka edhe më keq se vdekja, dhe kjo është humbja e nderit, e mbulimi me turp të njeriut!

Blerja e Gjin Bardhelës prej turqve ia nxiu faqen vetes e vëllait të tij; Milo Shinit, ia nxiu faqen gjithë arbrit, ai përfundon duke u mbuluar me mohim, për të mos iu dëgjuar më as emri. Përballë Gjini Bardhelës përvijohet karakteri i gruas së tij të bukur. Ajo i kundërvihet lakmisë së Ali Begut, duke na dhënë një tablo dyluftimi; së pari me fjalë burrash për të drejtën e pastaj me armë. Tingëllojnë profetike fjalët në majë të shpatës, nga goja e Ali Begut kokëprerë:

  • Kushdo që do të dhunojë truallin e tjetrit e t’i rrëmbejë gruan, le të shohë ç’pësova unë.

Lengjendarizimi i situatave dhe heronjve, vjen natyrshëm dhe formëson filozofinë e personazhit. Ata formojnë një galeri të pasur portretesh, e të gjitha janë bindëse e realiste. Edhe kur portretizohet pala ndërluftuese, pena krijuese e Kutelit është realiste, por këtu ai nuk u ka shpëtuar moralizimeve të tepërta, që rrinë si mish i huaj në disa shpjegime të pa nevojshme të karakterit historik. Ka hyrje të zgjatura të tregimeve dhe ballafaqime të panevojshme ideo-emocionale. Siç është përshkrimi i zgjatur i karakterit heroik të “Valles së shpatave” në fushën e betejës në tregimin “Skënderbeu e Ballabani”. Përballja me superfuqinë më të madhe të kohës realizohet si  një përballje vlerash. Skënderbeu përballet fyt më fyt me Ballabanin dhe mbrohet krahash nga dymijë malësorë, që e kishin në krye trimin dukagjinas, i cili sulet bashkë me të si një zjarr flakëmadh, që bie kallamave të thatë. Prerja e veshit të djathtë të Ballabanit prej Skënderbeut. Është një dënim e mësim moral, për të gjithë të gënjyerit e tradhëtarët e vendit, të vënë në shërbim të të huajve. Ballabani ishte betuar se do t’ia sillte Mehmetit, mbretit të madh, ngadhnjyesit të Kostandinopojës, Skënderbeun të lidhur ose të vrarë. Por kthimi i Ballabanit, kryeplagosur e atdhemohonjës është një fund i përligjur artistikisht! Mes legjendarizimit e vërtetësisë emocionale ka një masë, dhe kjo është masa e arritjes së pjekurisë artistike. Në atë mënyrë ku elementët epikë e lirikë realizojnë një përshkrim të detajuar e me gjetje të bukura artistike. Sprova kuteliane është sprova e një proze që do të kërkonte më tepër vëmendje në krijimin e unitetit artistik, në shtjellimin e fabulës më me ndjeshmëri bashkëkohore. Lexuesit, e në mënyrë të veçantë brezit më të ri i duhet një biografi artistike në kufijtë e ripërtëritjes shpirtërore. Tematika historike edhe rimarrja e tyre e vë krijuesin përpara ridimensionimit të ri të materialit me një frymëmarrje të shëndetshme e mbreslënëse. Kultura e imazhit tek fëmijët sot është shumë e pasur.  Teknologjia e realizimeve filmike ka bërë punën e saj. Por edhe leximi, edhe fjala kulturon, pasuron e gjykon në raport ndërveprues me simotrat e tjera të artit. Krijimi i imazhit nëpërmjet fjalës, të bën të përjetosh thjeshtësinë konkretizuese. Ja si i thoshte shoqes së saj, të cilën donte ta bënte nuse për vëllanë, në tregimin “Vasha e bukur dhe trimi  i ushtërisë së Skënderbeut”:  Je e mirë si buka e ngrohtë”, e tjetra skuqej e më shumë , e “i vakeshin sytë e shkruar”… Koncepti i së bukurës thellohet: “Kur qeshte vasha dukej sikur ishte gjithnjë pranverë, sikur shkrepte dielli majë maleve, sikur vezullonte vesa nëpër lule!”. Lirizimi i ndjerë buron nga dashuria për jetën, ai është oksigjeni për mushkëritë e asfiksuara të atdheut të robëruar. Oksigjeni i artit u ngjan minierave të arit që gjenden kudo, në thellësi e sipërfaqe të tokës!

“Tregimet e moçme shqiptare” janë përpunimet artistike më të arrira deri tani në frymën e legjendës. Duke shpalosur një gjuhë letrare të përpunuar dhe frazeologji popullore të artikuluar midis tregimit edhe legjendës, ato kanë nënshkruar përjetësinë artistike. Letërsia për fëmijë shkruhet për edukimin estetik të ardhmërisë së kombit. Historia e fantazia nuk përjashtojnë njëra tjetrën, por u shërbejnë të vërtetave të jetës. Legjendat shkruhen për heronjtë!

Gusht 2018

 

1 167 168 169 170 171 182
Go to Top