Një propozim i pafat për librin/Erjus Mezini

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Të bësh dhe të shesësh kulturë pa u interesuar për qytetarët, është njëlloj si ta kthesh Shqipërinë në ndonjë vend të Botës së Tretë, ku paria është e vetëmjaftueshme dhe e sigurt në sundimin e vendit (përderisa paria është vendi dhe vendi është paria). Do të më dukej shumë herë më e preferueshme që investimi më i madh të bëhej për qytetarin dhe jo për aktorët uzurpues të kulturës shqiptare.

     Erjus Mezini

Është thënë me kohë dhe, falë kërkimeve shkencore, është faktuar që leximi i bën mirë shëndetit të njeriut (shiko https://www.businessinsider.com/14-reasons-why -reading-is-good-for-your-health-2016-12). Përqendrimi në gjërat që lexojnë dhe aktivizimi i trurit për të lidhur informacionet, thuhet se tek të rinjtë largon depresionin, kurse tek të moshuarit ngadalëson humbjen e kujtesës dhe shfaqjen e Alzheimerit, duke ua zgjatur në këtë mënyrë edhe jetën. Veç përfitimeve të shumta shëndetësore, leximi sjell përfitime personale dhe shoqërore. Njerëzit e suksesshëm në shumicën e rasteve janë njerëz që lexojnë shumë. Midis leximit, të suksesshmit zakonisht përvetësojnë diturinë që është mbledhur nga njerëz të tjerë, të një tjetër kohe apo vendi. Edhe në raste gjeninjsh, që jemi mësuar të themi se nuk kanë nevojë për shkollë, libri sërish është i domosdoshëm në mënyrë që gjeniu i radhës të ketë një ide se cilat janë arritjet dhe sfidat e fushës ku ai shkëlqen. Libri është miku më i mirë për njerëzit e vetmuar (në shtëpi, në manastir, në burg apo në shërbim) dhe lexuesit e rregullt shpeshherë dëftejnë se si një libër i ka ndihmuar të kalojnë dëshpërimet e jetës. Kur libri është shkruar nga një filozof, lexuesi shpeshherë mëson se çfarë pyetjesh duhet t’i bëjë vetes dhe të tjerëve, çfarë aspiratash të ketë në jetë, si të mendojë dhe si ta kuptojë botën. Kur libri është shkruar nga një artist (poet apo prozator), lexuesi përmirëson aftësitë e tij komunikuese, mëson gjëra për njerëzit e tjerë, ripërtërin ndjenja, bëhet altruist, krijon nostalgji për vende dhe kohëra dhe, midis botës të madhe të librit, sendërton hap pas hapi edhe idenë që ka për veten. Në kundërshtim me radion që fjalët i lëshon me shpejtësi, në libër fjalët ecin ngadalë dhe shumë herë nguliten në mendjen e lexuesit. Në kundërshtim me televizorin ku imazhi dhe tingulli janë despotikë dhe nuk lënë asgjë për të imagjinuar, në libër imazhet dhe tingujt përshkruhen me fjalë në mënyrë që imagjinata e lexuesit të punojë vetë. Ky mbase është shkaku përse libri artistik shkakton më shumë qetësi se televizori. Përkundër teleshikuesit pasiv, lexuesi është gjithnjë aktiv. Me qetësinë që i mundëson libri, lexuesi bashkëvepron me autorin, duke i peshuar fjalët dhe mendimet, duke imagjinuar gjërat që përshkruhen, duke i rilexuar, duke i shqiptuar fjalët me zë, etj. Këto edhe shumë veti të tjera të librit duket se lexuesin e rregullt e bëjnë njeri të privilegjuar në shoqërinë moderne. Nuk është për t’u çuditur me faktin se sa më i privilegjuar që është një individ apo një popull, aq më prirje ka për lexim. Në Evropë popujt me mirëqenien më të lartë janë popujt që lexojnë dhe edukohen më shumë. Disa nga këta popuj, si për shembull; Finlanda (vend perëndimor që u zhvillua drejt fundit të shekullit të 20-të) dhe Sllovenia (vend që provoi komunizmin), kishin kohë që investonin me arsimin dhe leximin përpara se të arrinin nivelin e mirëqenies së sotme – duke u përfshirë tek ata pak popuj të privilegjuar të planetit. Pra, shprehja: “Njeriu lexon vetëm kur e ka në terezi” nuk ma do mendja që të jetë matur mirë. Shprehja më e përshtatshme për mua do të ishte: “Terezia arrihet duke lexuar dhe vetëm duke i kushtuar vëmendjen e duhur librit”.

Mbase u zgjata më shumë seç duhej duke numëruar vetitë e librit, mirëpo me rënien pingule që kanë pësuar leximi, edukata dhe inteligjenca midis shqiptarëve, nuk të mbetet gjë tjetër veçse t’u kujtosh faktet elementare. Disa mund të hapin gojën si guakë, të tjerë mund të fërkojnë sytë nga mosbesimi, por ato që u përmendën janë vetëm disa nga dobitë kryesore që librit i atribuohen në vendet e qytetruara. Fakti që shumica dërrmuese e shqiptarëve sot, ose nuk lexojnë fare ose lexojnë vetëm librat që u jepen me detyrim në shkollë, flet qartë si për problemet që mbajnë peng shoqërinë tone, si për prapambetjen e vendit kundrejt shteteve të Perëndimit. Planet e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për të sjellë njerëz të diplomuar nga jashtë, jo vetëm që nuk mund të shërojnë një sëmundje aq të rëndë si injoranca kolektive, por edhe sjellin efekte negative për demokracinë (duke privilegjuar fëmijët e pasur që edukohen jashtë vendit dhe duke ndëshkuar popullin që nuk edukohet si duhet). Për më tepër, këto dhe plane të ngjashme, që nuk godasin vatrën e problemit, duket se për kaq vite i kanë lejuar mosleximit dhe injorancës që të kthehen në pjesë të identitetit shqiptar (shiko http://www.monitor.al/rreth-1-milione-shqiptare-mbi-25-vjec-nuk-kane-lexuar-asnje-liber-vitin-e-kaluar/). Vetëm se këtu ka diçka ironike. Shqiptari injorant i ditëve tona ka zëvendësuar shqiptarin komunist të së djeshmes. Ironia ka të bëjë me faktin se shqiptarin e djeshëm, sistemi arriti ta gdhendte sipas idealit të vet, ku individi i gjunjëzohej normave dhe besimeve kolektive, kurse shqiptari i sotshëm është kthyer në analfabet dhe injorant për shkak se sistemi aktual ka dështuar të gdhendë idealet e veta mbi shqiptarin. E thënë ndryshe, sistemi komunist krijoi qytetarin që ëndërronte në Shqipëri (qytetarin që ka frikë ligjin, lexon autorët e miratuar nga Partia dhe sillet vetëm si pjesë e turmës) dhe gjer ditën që ai sistem u rrëzua, komunistët krenoheshin me krijesat e veta shqiptare. Sakaq, në pluralizmin tridhjetëvjeçar të Shqipërisë nuk kemi dëgjuar asnjë politikan të thotë se shqiptarët duhet të jenë injorantë dhe njerëz pasivë. Komunikimi politik flet vetëm për emancipim, angazhim dhe progres të qytetarëve, paçka se në praktikë këto shijohen vetëm nga një pakicë – nga ajo pakicë që pandeh se me altoparlantët e saj shpreh të gjithë shqiptarët (edhe ata që kanë shkuar në Siri). E pra, udhëheqjes së sotme, jo vetëm që nuk i takon të krenohet me këta qytetarë që nuk dinë të shkruajnë shqip dhe, në shumicën e rasteve, nuk kanë lexuar një autor shqiptar jashtëshkollor, por i duhet që të pranojë përgjegjësinë; t’u thotë qytetarëve se kanë mbetur mbrapa bote, duke mos u edukuar si duhet as ata dhe as fëmijët e tyre.

Siç kam shpjeguar më parë (shiko http://defekt-teknik.com/sikur-te-financohej-leximi-ne-vend-qe-te-financohej-botimi-erjus-mezini/), një nga shkaktarët e ngërçit të kulturës në Shqipëri  ka qenë mungesa e vizionit nga ana politike dhe keqpërdorimi i fondeve. Vizioni i munguar ka qenë  kultura qytetare që mund të kthehet në mekanizëm demokratizues; kultura që nuk shikohet si diçka e ndarë nga aspiratat shqiptare për të arritur demokracinë dhe drejtësinë shoqërore. Keqpërdorimi i fondeve, në rastin e mirë ka ardhur si pasojë e mungesës së vizionit, kurse në rastin e keq ka ardhur si dëshirë e pushtetit shqiptar për të konsoliduar vlerat dhe interesat e parisë. Keqpërdorimi vihet re në çdo sektor të arsimit dhe kulturës shqiptare. Në arsim më shumë energji seç duhet harxhohen për ciklin e lartë dhe universitetet (sepse aty kanë zënë shtrat çibanët e parisë shqiptare), në vend që të harxhohen për arsimin e ulët dhe të mesëm, nga ku dalin filizat e çdo demokracie. Në kulturë, herë për shkak të interesave klanore dhe herë për shkak të mungesës së vizionit, energjitë harxhohen me fasadën dhe gjërat pa lidhje. Miliona jepen që të dërgohen aktorët e kulturës shqiptare në festivale jashtë vendit, miliona që të përkthehen në gjuhë të huaja shqiptarë që nuk lexohen nga askush, miliona për opera pa lidhje, miliona për drama që vihen në skenë çdo pesë vjet, miliona për ndriçime kullash, miliona për botuesit shqiptarë, miliona për autorët që pushteti i boton dhe i nderon nga frika se mos revoltohen, dhe kësi fenomenesh. Në vende të tjera këto harxhime mund të ishin të justifikueshme, mirëpo kur flasim për Shqipërinë flasim për një vend ku analfabetizmi dhe injoranca kanë hedhur rrënjët ngado që të vështrosh. Nuk më duket e vendit që një shtet i varfër të investojë kaq shumë me reklamën dhe argëtimin e një pakice (si pakica që argëtohet me operat dhe me shfaqjet që përsëriten çdo pesë vjet në Teatrin Kombëtar), kur shumica dërrmuese e qytetarëve nuk merr mundimin për të lexuar një libër jashtëshkollor. Të bësh dhe të shesësh kulturë pa u interesuar për qytetarët është njëlloj si ta kthesh Shqipërinë në ndonjë vend të Botës së Tretë, ku paria është e vetëmjaftueshme dhe e sigurt në sundimin e vendit (përderisa paria është vendi dhe vendi është paria). Do më dukej shumë herë më e preferueshme që investimi më i madh të bëhej për qytetarin dhe jo për aktorët uzurpues të kulturës shqiptare. Në vend që drejtuesit e Teatrit Kombëtar të kenë mbështetjen, që të përsërisin dramat e lashta çdo pesë vjet, duhet që Ministria e Kulturës çdo qindarkë për teatrin ta hedhë me kushtin që dramat që vihen në skenë të kulturojnë shqiptarët sipas vizionit demokratizues dhe përparimtar. Nëse drejtuesit e Teatrit Kombëtar nuk interesohen që shqiptarët të ecin me kohën, atëhere për hir të lirisë le të luajnë çfarë drame që të kenë në zemër, por me vetëfinancim dhe jo me paratë e Ministrisë. Ministria do të mundej shumë bukur të jepte pará për shfaqje teatrale në natyrë, në Tiranë apo në qytetet që vizitohen në verë, në mënyrë që qytetarët të kenë kontakt me kulturën dhe të ndihen se shteti po mendon edhe për ata. Nëse në këto shfaqje të hapura, plagët bashkëkohore (si krimi në familje, varfëria, drejtësia, korrupsioni, emigracioni, ndotja e natyrës, shtypja e gruas, pasiviteti qytetar, etj.) zënë vend qendror, atëherë edhe nëse shteti nuk bën asgjë tjetër për t’i kuruar, vetë vendosmëria politike që kulturën dhe vëmendjen qytetare ta drejtojë në këto tema tregon se qeveritë shqiptare ndodhen në të njëjtin planet me qytetarët e Shqipërisë. Arti dhe kultura që përqendrohet në çështje që nuk interesojnë dhe nuk kulturojnë shumicën, edhe nëse kanë vlera universale, e bëjnë investimin politik ose të tepërt ose dëmprurës. Me fjalë të tjera, nuk jam kundra aspekteve jo-vizionare të artit dhe kulturës, ajo për të cilën jam kundra është që fondet shtetërore të krijohen dhe të harxhohen pa asnjë qëllim serioz dhe pa kurrfarë impakti.

Për sa i përket librit, problemet janë sa komplekse, aq edhe të shumëllojshme. Disa nga këto probleme të librit shqip si – plagjatura, gabimet drejtshkrimore, cilësia e dobët dhe informacioni i rremë – as që do t’i prekim në këtë analizë. Ajo që shpresojmë të arrijmë është një propozim (i pafat) që libri të kthehet në vegël për kultivimin e shqiptarit modern. Në vitet e tranzicionit, libri, ashtu si çdo sferë e kulturës shqiptare, ka njohur uzurpuesit e vet (një dorë botuesish, autorësh dhe përkthyesish), të cilët kanë përfituar nga politikat dhe fondet për librin, duke mos ofruar asgjë të faktuar për kulturën dhe qytetarinë. Për këtë përfitim pa kontribut të dhënë mbrapsht, faji sigurisht nuk mbetet te këta aktorë të kulturës (të cilët shumë herë fitojnë konkurse që shpallen vetëm në datën e ndarjes së çmimit). Faji mbetet me “teknokratët” që këtu dhe tridhjetë vjet shpërndajnë pará dhe fonde pa vënë qëllime të drejta (qëllimet e tyre klanore nuk i njohim me hollësi, por ka gjasa se ekzistojnë) dhe pa matur efektet e çdo investimi. Autorë shqiptarë përkthehen, por askush nuk e di nëse lexohen dhe nëse krijojnë ndonjë imazh real/aktual për shqiptarët tek lexuesi i huaj. Tituj shqip botohen me pará të Ministrisë, por nuk dihet se çfarë fati kanë me librashitësit dhe lexuesit shqiptarë. Botues dërgohen në festivale të librit jashtë vendit, por pa e rritur numrin e lexuesve shqiptarë. Me fjalë të tjera, libri shqip vuan nga i njëjti problem me sferat e tjera të kulturës: investimi shkon tek aktorët e kulturës dhe jo tek qytetari.

Për të ndalur këtë trend që nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv (madje ka gjasa të jetë edhe shkaktari i rënies pingule të leximit dhe cilësisë së librit), nuk kërkohen as më shumë fonde nga Republika e varfër e Shqipërisë, as më shumë energji dhe as më shumë sakrifica. Ajo që kërkohet është përgjegjësia e lartë nga ata pak njerëz që drejtojnë politikat e librit dhe një formë ndëshkimi për të gjithë ata aktorë që kaq vite nuk i kanë shërbyer kulturës dhe qytetarisë. Ndëshkimi më i mirë për këta njerëz është prerja e çdo financimi. Në rastin e botuesve kjo formë ndëshkimi është edhe e këshillueshme. Përderisa botuesit shqiptarë, në radhë të parë, veten e konsiderojnë tregtarë, atëhere çdo financim nga ana e qeverisë nuk bën gjë tjetër veçse shkakton çrregullime, abuzime dhe padrejtësira në një treg që do duhej të ishte po aq i lirë sa çdo treg tjetër i Shqipërisë dhe Evropës. Kur hedh pará për botime pa marrë parasysh kërkesat e konsumatorëve lexues, nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron tregun e librit shqip, kurse botuesit e financuar i kthen shumë herë në parazitë dhe oligarkë të këtij tregu. Po aq problematik është edhe financimi qeveritar i përkthimit të autorëve shqiptarë, kur tregjet e huaja të librit kanë mekanizmat e veta të kërkesës, prodhimit dhe ofertës, pa u interesuar fare për paratë që taksapaguesi shqiptar jep për këto aventura. Një efekt tepër i dëmshëm i financimit të përkthimeve është edhe mentaliteti provincial që rrënjos tek autorët shqiptarë. Ideja që këto aventura të Ministrisë së Kulturës përfocojnë është se autor i mirë është vetëm ai që përkthehet, akoma edhe kur përkthimin nuk e lexon askush, dhe jo ai që kontribuon në qytetarinë dhe kulturën shqiptare. Kjo lloj ideje provinciale përdoret shpeshherë nga matrapazët e botimeve shqip, të cilët në vend që të jenë korrekt me autorët e rinj shqiptarë, u premtojnë atyre shërbime përkthimi, reklamë jashtë vendit dhe aq e aq muhabete që tekefundit të ngulitin idenë se arritja më e madhe e autorit nuk është impakti te lexuesi shqiptar, por përkthimi dhe arratisja jashtë vendit.

Me sa kemi thënë gjer tani, libri na dhuron dituri, kënaqësi, shëndet mendor dhe një formë shoqërie kur gjendemi në vetmi. Ajo që u cek, por nuk u theksua, është se libri na ndihmon të jemi edhe shqiptarë të mirë. Shumë rilindas ishin njëkohësisht edhe shkrimtarë. Shkrimtarët e brezave të shkuar, gjithashtu, kanë dhënë kontributin më të madh në ndërtimin e identitetit kombëtar, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe standardizimin e shqipes. Sa më shumë që shqiptarët e sotshëm largohen nga libri, aq më shumë privohen nga efektet pozitive të leximit dhe aq më pak e ruajnë identitetin shqiptar. Rrjedhimisht, propozimi im për përkufizimin e financimit të botimeve nga ana e Ministrisë nuk synon pezullimin e politikave të librit. Kushtetuta e Shqipërisë (Preambula, Neni 3, Neni 8, etj.) është e prerë se misioni, justifikimi dhe një nga detyrat më të larta të shtetit shqiptar është mbrojtja e identitetit shqiptar. Për sa kohë që ëndërrojmë jetëgjatësinë e shtetit shqiptar (siç e njohim), për aq kohë aspirojmë që ky shtet të mbrojë identitetin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore. Nëse shteti shqiptar për kaq vite ka dështuar sistematikisht në brumosjen e kulturës qytetare, kjo nuk do të thotë se shteti duhet të dorëzohet. Ajo që pritet është që administrata të punojë me vizion dhe me një ndjenjë të lartë të detyrës. Në rastin e autorëve shqiptarë, në vend që të hidhen pará për konkurse që shpallen në ditën kur ndahen çmimet, Ministria e Kulturës duhet të krijojë kuota ndaj të cilave ajo dhe botuesit mbeten besnikë. Për hir të detyrës që buron nga Kushtetuta, për mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë, qeveria aktuale do të mundej shumë bukur të vendoste kuotën 10% (apo diçka të përafërt), ku në njëqind libra që botohen çdo vit dhjetë të vijnë nga autorë shqiptarë (psh. 1% poezi, 4% prozë, 5% libra akademikë dhe publicistikë). Ideja e kuotës nuk është e njëjtë me praktikën e deritanishme të harxhimit të fondit pa kritere të qarta. Kuota as që presupozon fond. Kuota më shumë do parë si zotim i çdo qeverie për të mbrojtur identitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe si angazhim për të dhënë sinjalin te aktorët e kulturës se çfarë duam të arrijmë. Teknokratët e Ministrisë në vend që të hedhin pará për botues që shkojnë jashtë vendit dhe autorë që përkthehen në gjuhë të huaja, do mundeshin në plan të parë të krijojnë një komision të përbashkët me botuesit, përfaqësuesit e institucioneve, autorët dhe librashitësit, ku ajo që diskutohet nuk është se sa pará do të marrë secili nga qeveria, por se si duke punuar së bashku kuota e detyrueshme arrihet pa vrarë xhepin dhe profesionin e askujt. Nëse ky komision i përbashkët, mbas dhjetëra përpjekjeve, del në konkluzionin se tregu i librit nuk e mundëson arritjen e kuotës, atëhere qeveria duhet të ndërhyjë; fillimisht duke këshilluar botuesit dhe institucionet se si (në bashkëpunim) të botojnë dhe të shesin dhjetë tituj shqip për  çdo nëntëdhjetë përkthime, pastaj duke rregulluar tregun (në atë mënyrë që botuesit që nuk plotësojnë normat të falimentojnë dhe t’u hapin rrugën të tjerëve) dhe në fund duke hedhur pará – që kostoja për arritjen e kuotës të mos mbulohet nga xhepi i autorëve shqiptarë (përderisa një efekt i tillë do të binte ndesh me frymën e mbrojtjes së identitetit kombëtar).

Një mënyrë e mirë për të hedhur pará, për mendimin tim, është financimi i leximit të librit shqip (nuk jam kundër financimit të leximit të përkthimeve, por fakti është që botuesit dhe librashitësit nxihen në fytyrë vetëm kur ndeshen me autorë shqiptarë). Pra në vend që të jepen pará tek botuesit, paratë t’u jepen lexuesve me shpresën që verdikti i lexuesit do ta bëjë edhe botuesin shumë më të përgjegjshëm se sot. Paraja që i jepet lexuesit ka gjasa që në treg të funksionojë konstruktivisht, duke e shtuar kërkesën për autorët shqiptarë. Sakaq, paraja që për tridhjetë vjet është hedhur vetëm për botime në treg ka funksionuar vetëm negativisht. Tituj dhe autorë janë botuar pa u marrë fare parasysh kërkesa e ulët e konsumatorit lexues. Duke marrë pará nga qeveria dhe autorët, botuesit nuk kanë pasur shkak që t’u kushtojnë vëmendje cilësisë së librave shqip – i kanë botuar për t’i magazinuar, jo për t’i shitur. Me investimin e Ministrisë një botues është privilegjuar më shumë se tjetri. Puna për të cilën qeveritë kanë paguar botuesit as që është kontrolluar. Pra, mundësia është e madhe që paratë e dhëna për redaktim dhe shtypje të librit të jenë përdorur vetëm për shtypjen dhe, në vend që të kenë paguar redaktorë për autorët shqiptarë, botuesit me këto pará të qeverisë mund të kenë paguar përkthime (të çdo lloj cilësie) të veprave të huaja – duke e larguar lexuesin akoma më shumë nga libri shqip. Mund të kenë ndodhur edhe shumë marrëzi të tjera, të cilat vetëm botuesit dhe uzurpuesit e kulturës shqiptare e dinë se si funksionojnë. Ajo që me siguri nuk ka ndodhur është shtimi i lexuesve shqiptarë. As në komunizëm nuk besoj të ketë ekzistuar kjo neveri kolektive për librin në përgjithësi dhe për autorët shqiptarë në veçanti. Në këtë situatë, nëse ka ende teknokratë në Shqipëri që besojnë se libri kultivon kulturën shqiptare dhe demokracinë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të paguajmë të rinjtë që të lexojnë. Investimi duhet të ndodh vetëm duke u bazuar në të dhënat që kemi për tregun (sepse duket sheshit që fundosja e librit në Shqipëri ka ardhur si pasojë e mungesës dhe çrregullimit të normave të tregut). Nëse për shembull në vitin X, shitja e librave në Shqipëri i përket shumës treqind e shtatëdhjetë mijë euro dhe brenda kësaj shume treqind e gjashtëdhjetë mijë euro janë mbledhur nga shitja e përkthimeve dhe vetëm dhjetë mijë euro janë mbledhur nga shitja e titujve shqip, atëhere në vitin e ardhshëm Ministria e Kulturës do të mundej të investonte tridhjetë mijë euro për leximin e librit shqip. Do të mundej Ministria, për shembull, të pezullonte financimin e përkthimeve të autorëve shqiptarë apo financimin e pjesëmarrjes në festivalet e huaja të librit dhe me këto pará, plus ndonjë kursim tjetër, të krijonte një mijë giftcards apo kupona, të vlerës tridhjetë euro, që u shpërndahen nxënësve të shkëlqyer apo njerëzve me aftësi të kufizuara për të blerë libra jashtëskollorë (psh. për të blerë dy apo tre tituj nga autorë shqiptarë të çdo fushe). Jam i sigurt se problemet e librit shqip (dhe ankesat e aktorëve të kulturës) nuk do të mbylleshin as me investimin që paraqitëm. Megjithatë, nëse realizohej një ndërhyrje si kjo që imagjinuam, Ministria do të mundej të deklaronte tekefundit se i shtoi tregut të librit shqip një mijë lexues brenda vitit. A nuk do t’ia vlente që Ministria apo një shtet i tërë, të luftonte vetëm për këtë?

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top