Sikur të financohej leximi në vend që të financohej botimi/Erjus Mezini

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Lexuesit nuk po shtohen, financohen autorë që kanë humbur kontaktin me aktualitetin dhe lexuesin e ri, autorit të ri i krijohen dhjetëra pengesa (sepse veç vetëfinancimit atij i duhet të konkurrojë të huajt dhe autorët që financon ministria), paratë i jep ministria por vendimin se kush duhet të botohet e merr botuesi, politikanët botohen më tepër se artistët, sallat ku prezantohen librat frekuentohen vetëm nga elita e vendit dhe fenomene të tjera të këtij lloji.

   Erjus Mezini

Te shkrimtarët e rinj shqiptarë duket se ka zënë vend bindja se mënyra e vetme për t’u botuar është vetëfinancimi, apo më qartë shtypja dhe shpërndarja e librit përkundrejt pagesës. Ndonëse disa nga këta shkrimtarë të rinj kanë mundur, midis dy a tri veprave të vetëfinancuara, të krijojnë një emër në grupet e artistëve dhe lexuesve, vetë bindja se duhet që përgjatë gjithë jetës të vrasin orët dhe xhepin e tyre, nuk u ka lejuar që t’i përkushtohen krijimtarisë. Me fjalë të tjera, kanë hedhur nja dy libra në treg (ashtu siç zakonisht hedh i dehuri gurët në ruletën e kazinos me rastin e ditëlindjes) dhe janë zhdukur njëherë e mirë nga skena e letrave shqipe, duke ia lënë vendin një grupi tjetër shkrimtarësh; atyre më të pjekur në moshë, me lidhje më të vjetra me politikën e botuesit, dhe me asnjë kontakt konkret me lexuesin e ri.

Përderisa grupi i parë (brezi i shkrimtarëve të rinj) jetojnë, punojnë e edukohen në shtetet perëndimore dhe në Shqipërinë postkomuniste, do të pandehte ndokush se këta duhet të ishin brezi i privilegjuar i shkrimtarëve-përderisa edhe mendjen, por edhe xhepin e kanë më të pasur se brezat që u rritën, u edukuan dhe u varfëruan në sistemin totalitar. Mirëpo nëse produktiviteti i shkrimtarit dhe vetë ekzistenca e tij, maten nga numri i botimeve, apo siç rëndom thuhet “vëllimi i veprës”, atëhere ndokush vëren se grupi i privilegjuar janë shkrimtarët e pjekur. Mjafton që dikush të ndjekë nga afër reklamat apo prezantimet që u bëhen librave, apo më mirë akoma të vizitojë festivalet e librit, për të vërejtur një trend ku shkrimtarët e rinj bëjnë bam me një a dy libra dhe pastaj zhduken (me ndonjë përjashtim të rrallë), kurse të pjekurit botohen rregullisht, edhe në ato raste kur vetë deklarojnë se nuk lexohen nga askush.

Që të ballafaqojmë sa më mirë këto dy kategori shkrimtarësh, nuk është nevoja që t’u lexojmë çdo faqe secilit dhe të japim verdiktin tonë se cilët janë më të mirët, apo cilët duhet të preferohen nga lexuesi. (Kësi ballafaqimesh veç humbje kohe do të ishin, aq më tepër kur flasim për një kohë dhe një vend ku shijet e lexuesit janë pluralizuar me tepër se kurrë.) Mjafton të theksojmë se te shkrimtarët e pjekur gjen emra si; Ismail Kadare, Zija Çela, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, etj., të cilët janë botuar rregullisht, por edhe kanë pasur impakt te lexuesi dhe artisti. Por mund të gjesh te shkrimtarët e pjekur edhe shumë të tjerë që as lexohen dhe as kanë ndonjë impakt te artistët, paçka se janë autorë të dhjetë, njëzet apo tridhjetë titujve. Dikush mund të pandehë se jam duke i zmadhuar numrat, mirëpo me një vizitë në Festivalet e Librit në Tiranë dhe Prishtinë është e lehtë të përpilosh një listë autorësh me dhjetë, njëzet apo më shumë tituj. Kam pasur rastin të njoh disa prej tyre në Panairin e Librit në Prishtinë, në vitin 2014-të, dhe habinë time me këtë fenomen e shfaqa në një intervistë që dhashë asokohe për Rrokum TV. Rrjedhimisht, ky problematizim me autorët e njëzet apo tridhjetë veprave, në një vend ku teorikisht qytetarët nuk lexojnë (praktikisht nuk kemi statistika të qarta), nuk është diçka që po e shpik për nevojat e këtij shkrimi. Është problematizimi serioz i një njeriu që jeton në një shtet, ku autori i tridhjetë veprave ose miliarder duhet të jetë (si James Paterson) ose mit (si Stephen King). Mirëpo në Shqiperi dhe Kosovë paskemi autorë që nuk shiten, nuk lexohen dhe, kryesorja, nuk njihen si autorë nga artistët dhe shkrimtarët e rinj. Kësaj si i bëhet tani? Ka diçka që nuk shkon këtu, diçka që kundërmon era kërmë, diçka e mbrapshtë, diçka e ndyrë dhe anormale. Tregu i librit mbytet me libra dhe autorë që nuk lexohen dhe, kryesorja, që nuk shikohen me sy të mirë nga artistët.

Të theksoj këtu se vlera e autorit dhe lexueshmëria masive e veprës nuk qëndrojnë në lidhje të ndërsjellë (Kadareja mbetet mbase shembulli unik i autorit shqiptar të ditëve tona, i cili vazhdon të lexohet masivisht dhe, në të njëjtën kohë të ushtrojë impakt te artistët). Sidoqoftë, sheshimi i vlerave letrare apo vetë kaosi që ka pllakosur tregun e librit shqip janë të pajustifikueshëm. Impakti te artistët flet vetë për vlerën e shumë autorëve shqiptarë, kurse lexueshmëria na tregon rrugën sesi libri do duhej të mos gjendej në këtë kaos. Që nga momenti që tregu i librit mbytet me vepra dhe autorë që as lexohen dhe as merren në konsideratë nga artistët, atëhere mund të flasim haptazi për një ngërç kulturor, ku fajtorët nuk janë as autorët dhe as lexuesit. Mund të flasim për një ngërç ku fajin më të madh e kanë ata që marrin vendimet e rëndësishme për librin: politikanët dhe, bashkëfajtorët në krim; botuesit shqiptarë.

Krahasimi që bëra dy paragrafe më sipër midis realitetit amerikan dhe atij shqiptar, ndokujt mund t’i jetë dukur i pavend. Ne nuk kemi treg libri të fuqishëm si Amerika dhe gjuha jonë është një gjuhë që po rrezikohet me vdekje nga globalizmi, dhe sidomos nga vetë shqiptarët. Megjithatë, tregu i librit amerikan, si edhe gjithë kultura e SHBA-së, sillet si një rast ideal ku shteti nuk dëshiron të përzihet. Në SHBA, si në të gjitha shtetet ku anglishtja është gjuhë amtare, ndërhyrja e shtetit (e administratës federale apo asaj lokale) në çështjet e librit dhe cultures, përkufizohet në botimin e librave shkollorë dhe administrativë, në mirëmbajtjen e bibliotekave, në mirëmbajtjen e muzeumeve, në uljen e diskriminimit social, në përndjekjen e plagjaturës, si edhe në ndonjë hollësi tjetër që tani nuk më vjen në mendje. Çdo gjë tjetër që lidhet me kulturën dhe librin i është besuar privatit-institucioneve fitimprurëse ose jofitimprurëse, si dhe individëve. Në rastin e Evropës diçka e tillë nuk ndodh, për shkakun e thjeshtë se shumë në Evropë pandehin se kultura e tyre rrezikohet nga globalizmi dhe se gjuhët e tyre kanosen me vdekje nga anglishtja. Duket pra se në Shqipëri dhe Kosovë ideali amerikan nuk mund të vihet në praktikë, mirëpo problemi shqiptar është se ndërhyrjet politike nuk kanë sjellë rezultatet evropiane. Ne jo vetëm që jemi ku e ku me vendet perëndimore, por duket se kemi mbetur mbrapa nga shumë vende ish-komuniste me të cilat kishim standarde të përafërta rreth dy dekada më parë. Me fjalë të tjera, ndërhyrja e politikës duket se nuk po kulturon askënd në Shqipëri dhe Kosovë. Nëse dikush e ka me dyshim këtë le të hedhë një sy në fenomenin e eksodit masiv të kosovarëve në vitin 2015-të. Dhe ku tjetër mund ta atribuosh eksodin absurd të 2015-tës, përveçse në injorancën kolektive që ka pushtuar Kosovën? A nuk ndodhi ky eksod në një vend dhe një kohë ku shteti kosovar krenohej se investoi rreth një milion euro në kulturë (shiko http://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,749#.W271lbhrzIV)? Nga kjo shumë, njëqind mijë euro paskan vajtur për letërsinë dhe bibliotekat. Sakaq, shumë kosovarë jo vetëm që nuk lexonin letërsi, por nuk lexonin  as gazetat që i lajmëronin se për katër muaj Gjermania do t’i kthente mbrapsht (sepse në Gjermaninë e vitit 2015-të, kosovari nuk mund të fitonte të njëjtin status me sirianin).

Ashtu si Kosova, edhe Shqipëria mburret se investon miliona për kulturën (shiko http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/thirrja-per-projekt-propozime-per-vitin-2017-projektet-e-perzgjedhura-per-mbeshtetje-ne-art-kulture-dhe-trashegimi-kulturore). Ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri, kultura nuk po fiton nga fondet e kulturës. Në Shqipëri nuk kishim fenomene si eksodi kosovar i 2015-tës (ku politikanët dhe gazetarët flisnin shqip me njerëz që nuk dukej se e kuptonin atë që u thuhej). Mirëpo ka vite që në Shqipëri, një tjetër lloj arratie është përforcuar; arratia nga bashkësia qytetare drejt bashkësisë fetare, apo më saktë drejt bashkësisë sektare. Kjo lloj arratie duket se po konfirmohet kohët e fundit nga një komunikim politik i dyfytyrshëm, ku politikani brenda Shqipërisë bën fetarin që njeh fill e për pe Kur’an e Bibël, kurse jashtë Shqipërisë vë alarmin se vendi po i radikalizohet. Ata pak njerëz me kulturë dhe intelekt në Shqipëri bien dakord me fytyrën e dytë të politikanit shqiptar, fytyrën e alarmuar përpara evropianëve. Megjithatë njerëzit që e kanë vënë re rrugën pa kthim, duket se fajësojnë më tepër seç duhet faktorë të huaj në këtë ndryshim (si misionarët arabë apo misionarët amerikanë që sektarizojnë shqiptarët), në vend që të fajësojnë dyfytyrësinë e politikës të papërgjegjshme shqiptare. Njerëzit e alarmuar propozojnë masa që duhen marrë nga shteti, në vend që të frikësohen se një shtet që ndërhyn negativisht në culture, mund të shkaktojë dëm akoma më të madh nëse ndërhyn edhe në çështjet e besimit. Njerëzit e alarmuar tregojnë me gisht misionarët e huaj dhe fetarët vendas, mirëpo duket sheshit se feja dhe fondacionet fetare në Shqipëri kanë arritur suksese në fusha ku ka dështuar kultura qytetare dhe politikat e kulturës. Feja në Shqipëri predikon solidaritetin midis besimtarëve, kurse kultura e miratuar shqiptare as që flet për solidaritet të qytetarëve. Feja në Shqipëri u referohet nevojave shpirtërore, kurse kultura e miratuar u referohet vetëm marifeteve të dëfrimit dhe fasadës. Fondacionet fetare në Shqipëri interesohen për njerëzit që duan të besojnë, kurse Ministria e Kulturës interesohet vetëm për aktorët (apo uzurpuesit) e kulturës. Misionarët fetarë vijnë në Shqipëri për t’i njohur shqiptarët nga afër dhe vetëm për të bërë punën e tyre, kurse politikanët shqiptarë dhe aktorët e kulturës dalin në media vetëm për të treguar se puna u bë.

Sipas raporteve të Ministrive të Kulturës, shumë gjëra janë bërë këto vite në Kosovë dhe Shqipëri. Kështu, sipas këtyre burimeve të informacionit, do të ishte e padrejtë të themi se asgjë nuk u bë. Ajo gjë që më shumë dëshmohet nga këto burime është se këtu e dhjetë vjet, miliona euro paskan vajtur për kulturën dhe librin. Shumë nga këto pará vijnë nga bashkëpunime rajonale dhe evropiane. Mirëpo, me sa kam kuptuar, përqindja më e madhe e këtyre fondeve është mbledhur nga taksapaguesit e Kosovës dhe Shqipërisë. Ndonëse leku ka dalë nga qytetari, ai nuk ka përfituar diçka konkrete nga këto fonde. Në shumë lagje të Tiranës, një aktivitet i xhamisë apo i qendrave protestante ka më shumë impakt se një projekt i Ministrisë së Kulturës. Te aktiviteti i xhamisë apo kishës mblidhen qytetarë të thjeshtë, të rinj dhe të reja, kurse te projekti i Ministrisë shkojnë zakonisht aktorët e kulturës, politikanët, gazetarët dhe pensionistët që kanë kohë për të vrarë. Në rastin e librit, përveç qytetarit, duket se përfitim nuk marrin as autorët e rinj. Emrat që reklamohen çdo vit në media me një botim të ri, janë kryesisht autorë të pjekur. Përderisa shumë nga këta autorë që botohen rregullisht, e pranojnë edhe vetë se nuk lexohen nga askush, mendja duhet të na e presë se librat e tyre nuk janë të vetëfinancuar. Rrjedhimisht, është e gabuar bindja e shumë autorëve të rinj se vetëfinancimi është e vetmja mënyrë për t’u botuar. Nga milionat që japin Ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë çdo vit për librin, financohen shumë autorë që nuk lexohen nga askush dhe, kryesorja, nuk shikohen me sy të mirë nga artistët. Nga milionat që jep shteti shqiptar, duket se ata që përjashtohen rregullisht janë autorët e rinj. Me fjalë të tjera, librat më të suksesshëm në Tiranë -që zakonisht botohen nga “Pika pa Sipërfaqe”, “Ideart”, “Ombra”, si dhe ndonjë botues tjetër-janë shumica të vetëfinancuar nga autorë që botojnë një apo dy libra dhe pastaj zhduken njëherë e përgjithmonë nga skena e letrave shqipe. Diçka e përngjashme kam besimin se ndodh edhe në Kosovë. Në këto kondita duket qartë se Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës janë duke bërë goxha punë; pará merren nga qytetarët, pará jepen te aktorët e kulturës, libra botohen, autorë promovohen, botues dërgohen në festivalet e Venecias dhe Frankfurtit (atje shkojnë me paratë e shqiptarëve dhe mbrapsht kthehen me kontratat/ujditë që bëjnë me autorët e huaj). Sakaq, asgjë e mirë nuk po del nga investimi i Ministrive. Lexuesit nuk po shtohen, financohen autorë që kanë humbur kontaktin me aktualitetin dhe lexuesin e ri, autorit të ri i krijohen dhjetra pengesa (sepse veç vetëfinancimit atij i duhet të konkurrojë të huajt dhe autorët që financon ministria), paratë i jep ministria por vendimin se kush duhet të botohet e merr botuesi, politikanët botohen më tepër se artistët, sallat ku prezantohen librat frekuentohen vetëm nga elita e vendit, dhe fenomene të tjera të këtij lloji.

Që ta mbyllim me kaq, Ministritë dhe aktorët e kulturës në Shqipëri dhe Kosovë kanë dështuar në atë fushë ku kanë shkëlqyer misionarët fetarë. Ministritë dhe kulturëbërësit kanë humbur kontaktin me qytetarin e ri shqiptar. Në vend që të ushqejnë solidaritetin dhe kulturën qytetare, ata janë kthyer në vegla të elitizmit të theksuar shqiptar. Mbrojtja e klanit është kultura e tyre dhe vetëm për këtë kulturë kanë të drejtë të thonë se janë duke punuar çdo ditë.

 

 

 

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top