Normalët-Erjus Mezini

in Letërsi by

Normalët-Erjus Mezini

– Oh, unë nuk e di se çfarë flas. Të më falni të gjithë! Ju kam mërzitur. Ju kam lodhur sot. Ju prisha festën. Pa dashje e bëra, shokët e mi. Po ja, kisha një ëndërr edhe unë i mjeri për qytetarin tonë të dashur. Desha ta bëj normal dhe akoma dua. Por e shikoni se çfarë po na ndodh tani? Sa më normal, aq më ndyrësirë dhe idiot. Sa më ndyrësirë, aq më normal. Ah, Xhoni, Xhoni trazavaçi! Ma trazove shpirtin o mjeku im. Po ku ishe kaq kohë dhe nuk fole? Na le të japim premtime, pa e ditur se çfarë po u premtonim këtyre të gjorëve. Nga njerëz të veçantë, po u premtonim të shndërroheshin në njerëz të turmës. E ku jemi tani? Tani nuk e duam turmën. Kështu si e ka nisur turma, do na përpijë të gjithëve një ditë. Këta të gjorë kishin mundësinë të mbeteshin pa u prekur nga vorbulla dhe ne u thamë bëhuni si ne. Po tani? Tani t’u themi oh, jo, mos. Po fatzinjtë duan kaq shumë të bëhen si ne. Mirë, u thamë, nuk ju kemi harruar. E si t’u dal përpara tani dhe t’u them dëgjoni, dua t’ju lë invalidë sepse kjo është e vetmja mënyrë që t’ju mbroj? Nga kush do na mbrosh, do më pyesin. E çfarë t’u përgjigjem më? A i imagjinoni dot fytyrat e tyre kur të dëgjojnë mandatën? Kishin kaq kohë që na prisnin. Ishin të parët që na votuan. U jemi kaq borxhlinj dhe tani, të ndërgjegjësuar në kulm, duam t’i lëmë duarthatë. O perëndi, ku ishe kaq kohë dhe më le të luaja me zjarrin? Çfarë të bëj tani? As vetë nuk e di…
Teksa jermonte nga ajo trazirë që i ishte shkaktuar në shpirt, Uilliamit iu bë se Stefi me Dejzin shikonin nga ai të përgjëruara; ato pëshpëritnin nëpër dhëmbë, duke u munduar që të mos e ndërpritnin udhëheqësin kur fliste. Megjithatë ai ua rrokte fjalët nga goja dhe në të njëjtën kohë që jërmonte dëgjonte se çfarë thoshin edhe ato.
– …i shkreti. I do shumë shqiptarët. A e shikon se sa po e vret ndërgjegja? Çdo detajë, çdo fat, çdo rast e prek drejt e në shpirt. E tret nga brenda halli i tyre.
– Të drejtë ke Stefi. Po më dhimbset edhe mua kryeministri jonë. Nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria një pushtetar me zemër kaq të madhe. Të gjithë do t’i çlirojë dhe t’i ndihmojë. Duhet ta ndihmojmë edhe ne kryeministrin tonë.
– Po, po, siç e the. Atë duhet të bëjmë, patjetër. Jemi me fat që kemi një burrë të tillë në mesin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top