Aleksis Cipras

in Në kohërat e kolerës by

Aleksis Cipras është kryeministri i 14-të i Greqisë, pas rivendosjes së demokracisë greke, nga viti 1974 e në vazhdim. Eshtë gjithashtu kryeministri i parë i një partie të majtë në pushtet, por edhe kryeministri i parë i Greqisë që ka lindur pas viteve ’70.

Ai lindi në  Athinë, në 28 korrik 1974. Nëna e tij është nga Eleftheroupolis i Kavalës, ndërsa i ati nga Athamanio i Artës. Cipras u rrit në Athinë dhe ndoqi studimet për inxhinieri ndërtimi në Universitetin Politeknik të Athinës dhe studimet pasuniversitare për urbanistikë. Cipras e ka filluar herët veprimtarinë e tij politike, duke u angazhuar në organizatat majtiste që në vitet e gjimnazit, tok me shoqen e tij të klasës dhe bashkëshorten e tij të mëvonshme, Beti Baziana. Lidhja e tyre është shumëvjeçare dhe fryt i kësaj lidhjeje, janë dy djemtë e tyre. Nuk janë ligjërisht të martuar me mënyrat klasike të martesës, por përmes ligjit për bashkëjetesën në cift. Beti Baziana ka mbaruar për inxhineri elektronike në Universitetin e Patras dhe punon si pedagoge.

Karriera politike

Në vitin 2006, kandidoi si Kryetar i Bashkisë së Athinës përmes Koalicionit SYN (koalicion i partive dhe grupimeve të majta). Në Kongresin e 5-të SYN, në shkurt të 2008-ës, u zgjodh kryetar i partisë SYRIZA me 70% të votave. Në zgjedhjet e vitit 2012, SYN doli partia e dytë në zgjdhjet kombëtare. Në korrik të vitit 2013, me shpërbërjen e koalicionit të SYN dhe konvertimit në një parti të vetme; SYRIZA, Cipras u zgjodh kryetari i saj. Gjithashtu Cipras ka qenë kandidat për postin e Presidentit të Komisionit Europian, si përfaqësues i Partisë së Majtë Europiane.

Fuqizmi i SYRIZA-s në zgjedhjet e 2012-ës

Duke marrë shkas nga rritja e pakënaqësisë popullore ndaj politikave të Bashkimit Europian në Greqi, SYRIZA mori një boom të menjëhershëm, nga 4,6% që ishte në zgjedhjet e 2009-ës, në 16,78% në zgjedhjet e Majit të 2012-ës, çka përbën një triumf historik për të majtën greke. Cipras e quajti këtë sukses “revolucion paqësor” dhe deklaroi  që grekët përmes votës së tyre dëshirojnë në pushtet një qeveri të majtë. Pas raundit të dytë të zgjedhjeve të Qershorit, SYRIZA doli partia e dytë në pushtet (26,89%, 71 vende), ndërsa koalicioni qeveritar përbehej nga partia ‘Demokracia e Re’ (29,66% – 129 vende), PASOK-u (12,28% – 33 vende) dhe DIMAR (E Majta Demokratike) (6,26% – 17 vende), me kryeministër Andonis Samaras.

Pas fuqizimit të SYRIZA-s në zgjedhjet e vitit 2012, përgjatë punimeve të Kongresit të 13-14 Korrikut, SYRIZA u bë partia e vetme e ish-koalicionit të majtë. Për shkak të reagimeve nga rrymat e ndryshme të majta brenda koalicionit, ky kalim nga koalicion në parti të vetme nuk ishte shume paqësor. Por në votimin e 14 korrikut të 2013-ës, Cipras arriti të përftojë 74% të votave të koalicionit dhe unifikimin në një parti të vetme.

Në zgjedhjet europarlamentare të 2014-ës, SYRIZA doli e para, ndërsa në zgjedhjet kombëtare të 2015-ës fiton për herë të parë zgjedhjet kombëtare me 149 vende. Përmes bashkëpunimit me partinë Grekët e Pavarur, ky sukses arriti deri në 51%.

Përktheu: Eleana Ziakou

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top