Author

Admin - page 122

Admin has 1815 articles published.

Parabola e Budës me shtëpinë që digjet- Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Parabola e Budës me shtëpinë që digjet- Bertolt Brecht

 

Gautama Buda predikonte

Mbi doktrinën e rrotës së lakmisë, pas së cilës gjendemi të lidhur, dhe këshillonte

Që të zbrazemi prej çdo dëshirimi dhe asisoj

Të pastër prej dëshirave të hyjmë në asgjësendin që e quante Nirvana.

E një ditë njëri nga nxënësit e tij pyeti:

“Si është ky asgjësend, o Mësues? Të gjithë ne do të

Zbrazemi prej dëshirave, siç na këshillon ti, por tregona

Mos vallë ky asgjësend ku më vonë do të hyjmë

Ngjan me momentin kur bëhesh një me gjithë krijesën,

Kur shtrihesh mbi ujë, me trupin e papeshë, në mbrëmje,

Kur thuajse pa asnjë mendim, shtrihesh me përtesë mbi ujë,

Apo kur kotesh në shtrat, pa e vënë re se po i rrudhos mbulojat,

Ndërkohë që fle – pra vallë ky asgjësend

Është i këtij lloji, lumturisht, një asgjësend i kënaqshëm apo

Mos ndoshta asgjësendi yt është më asgjë se kaq, i ftohtë, pa ndjenja dhe

I zbrazët?”

Për kohë të gjatë Buda heshti, pastaj foli me shpërfillje:

“Për pyetjen tënde s’ka përgjigje.”

Por në mbrëmje, kur patën shkuar të gjithë

Buda ende i ulur nën pemën e bukës iu foli të tjerëve,

Atyre që nuk e kishin pyetur, dhe u rrëfeu këtë parabolë:

“Para do kohësh pashë një shtëpi. Po digjej. Flaka

Ia lëpinte kulmin. Shkova pranë dhe vura re

Se kishte ende njerëz brenda. Hyra në derë dhe vikata

Për t’u thënë se çatia kish marrë flakë, duke i nxitur

Të dilnin menjëherë. Por këta njerëz

Nuk dukej ta kishin shumë me nxitim. Njëri prej tyre,

Tashmë qepallëpërzhitur prej flakëve të zjarrit

Më pyeti se si ishte gjendja jashtë, se a kishte

Ndonjë shtëpi tjetër për ta, e të tilla gjëra. Pa u përgjigjur

Dola sërish jashtë. Këta njerëz, mendova

Duhet të përcëllohen gjersa të vdesin që të mos bëjnë më pyetje.

Me të vërtetë miq,

Për ata që dyshemeja nuk i djeg aq shumë sa që menjëherë

Ta lënë atë e të jenë të gatshëm ta këmbejnë me çfarëdoqoftë më mirë se sa të rrinë, për ata njerëz

Nuk kam asgjë për të thënë.” Kështu foli Gautama Buda.

Por edhe ne, që nuk merremi më me artin e nënshtrimit

Por me atë të mos-nënshtrimit, dhe që japim

Propozime tjetërsoj, me natyrë tokësore, dhe që lusim njerëzit

T’i rrëzojnë torturuesit e tyre njerëzorë, edhe ne besojmë se atyre

Që përballë skuadronëve bombardues në rritje të kapitalit, vazhdojnë të pyesin shumë gjatë

Se si propozojmë që të bëhet kjo, e se si parashikohet ajo

Dhe çka do të ndodhë me kursimet e tyre, dhe me pantallonat e ditës së diel pas një

Revolucioni

Nuk kemi se ç’t’u themi.

1949

Përktheu: Arbër Zaimi

SHPRESA IME-Ko Un

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SHPRESA IME-Ko Un

 

Kur vendi im të bashkohet

Do kem diçka për të bërë medoemos

Ajo çka do bëj

Do jetë mbi të gjitha të mos jem patriot

Deri në atë çast

Do jem një patriot i vajtueshëm

Edhe sikur të bëhesha prostitutë plakë

Edhe sikur të bëhesha lypsar

Dhe do zgjidhja madje si shok

Dordolecin e fushave të shkreta

 

Përktheu: Alket Çani

Nga Kafka tek Kafka II/Maurice Blanchot

in Letërsi by

Kështjella

Maurice Blanchot

Libri nuk është ndërtuar nga një narrativë e drejtpërdrejtë, por nga përplasja e kësaj narrative me të gjithë librat e të njëjtit tip, botuar në kohë të ndryshme, me origjinë, shënjime kuptimore dhe stile të pangjashëm, që kanë pushtuar qysh më parë atë atmosferë letrare, ku atij i duhet të zerë vend. Me fjalë të tjera, Gjeometri nuk mat vise imagjinare dhe të virgjëra, por hapësirën e pamatë të letërsisë; askush nuk e ndalon të imitojë – dhe prej këtej edhe të pasqyrojë – të gjithë heronjtë që i kanë paraprirë në këtë hapësirë, në atë lloj mënyre sa Kështjella nuk është më vepra unike e një shkrimtari vetmitar, por si një lloj palimpseti ku mund të lexohen, të puqen, të gërshëtohen, ndonjëherë fare qartë, të gjitha versionet e një aventure mijëravjeçare, pra tërësia dhe rezumeja e një Biblioteke Universale, ku K shihet herë si heroi i një romani zakonesh (i dështuar, që kërkon ta arrijë suksesin me femrat), herë si heroi i një romani aventurash (hero me zemër të madhe, mbrojtës i dobësive përballë tiranisë së një kaste të privilegjuarish), herë si heroi i një tregimi shtojzovallesh dhe, më saktë, si heroi i një lloj cikli i ri të trimërive të mbretit Arthur, duke pritur të gjejë rolin e tij të vërtetë, i cili është të përsëritë Odisea, të jetë vazhdues i Uliksit, pra të vërë në provë epopenë e epopeve dhe, së bashku me të, rendin homerik, domethënë të vërtetën olimpike. Këtë pikësynim Marthe Robert nuk ia mvesh fatalitetit të leximit që e dënon çdo njeri të kulturuar ta shohë çdo gjë përmes prizmit dekompozues të kulturës, por vetë Kafka-s, edhe ai njeri shumë i kulturuar. Një njeriu që, siç thotë ajo, ishte joshur nga sekseset e grekëve në një çast kritik të jetës: i konvertuar në sionist dhe i gatshëm të nisej në Palestinë, i vuri si detyrë vetes të kuptonte dhe të klasifikonte arkivat monstruoze të kulturës perëndimore, nga e cila s’mund t’i përjashtonte veprat e veta.

Përktheu: Balil Gjini

Mbresa-Klodi Leka

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mbresa-Klodi Leka

 

I.

Jetoj këto kohë ëndrrën e madhe 

të jem zotëria Lekë. Ja, këtë mëngjes 

ha drekë, oriz dhe peshk, e si diell i ankoruar në ajër të kaltër, puth me gjuhë mes njerëzish tê dashurën. 

Gjithçka është okej, re dhe verë,

gjersa më tej

vegoj një grua me flokët kaçurrelë, 

shoshka, fustan i lehtë, 

ku rigjej, si heshtë në thembër e ngulur thellë, 

rrënjët, rrënjët, dhe atë vështrimin e saj të ëndërrt,

që kur toka lëkundet nuk u jep këmbëve.

 

II.

Kur këmbë robi nuk mbet në kafehane,

veç djalit të ahengut hipur mbi kitarën, që ngiste çdo natë për trembëdhjetë mijë lekë

pijen e paguar, sytë tek punë e vet,

në lounge u shfaq pjatalaresja Drane

e si grua në jerm, e dehur prej hëne, belbëzoi: 

Kabull ma bëj,

jepja një kënge. 

E bëj ne ma jep ti një gjysmë puthje.

Puthje ne faqe. 

Dhe mbi rrënojat e asaj darke 

fugoi si flutur rreth llambës

Drane pjatalarësja pesëdhjetë vjeçare.

 

Të jesh do të thotë të jesh: Zhan-Paul Sartre mbi ekzistencializmin dhe lirinë

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës by

Qenia është. Qenia është në vetvete. Qenia është ajo që është

Tarun Mittal

Lindur në Paris më 21 Qershor, 1905, puna e hershme e Sartrit u përqendrua në temat e ekzistencializmit, siç u ilustrua nga romani i tij i parë: “Nausea” dhe më vonë eseja Ekzistencializëm dhe Humanizëm. Pasi kaloi nëntë muaj si i burgosur i luftës në vitin 1940, Jean-Paul Sartre filloi të hulumtojë kuptimin e lirisë dhe të vullnetit të lirë dhe në vitin 1940, ai shënoi veprën e tij kryesore filozofike – “Qenia dhe asgjëja”: një ese fenomenologjike mbi ontologjinë. Sot ne shikojmë disa nga aspektet kryesore të soditjeve të tij filozofike.

Ankthi i lirisë

 “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë, sepse pasi të hidhet në botë, ai është përgjegjës për gjithçka që bën”.

Jean-Paul Sartre besonte se njerëzit jetojnë në ankth të vazhdueshëm, jo ​​vetëm sepse jeta është e mjerueshme, por sepse ne jemi ‘të dënuar që të jemi të lirë’. Ndërsa rrethanat e lindjes dhe të rritjes sonë janë përtej kontrollit tonë, ai arsyeton që pasi të bëhemi të vetëdijshëm (dhe të gjithë e bëjmë përfundimisht), duhet të bëjmë zgjedhje – zgjedhje që përcaktojnë vetë ‘thelbin’ tonë. Teoria e Sartrit për ekzistencializmin shpreh se “ekzistenca i paraprin esencës”,  kjo është vetëm duke ekzistuar dhe duke vepruar në një mënyrë të caktuar, a i japim kuptim jetës sonë. Sipas tij, nuk ka një plan fiks për mënyrën sesi duhet të jetë një qenie njerëzore dhe asnjë Zot që të na japë një qëllim. Prandaj, qëllimi për të përcaktuar veten tonë, dhe nga shtrirja e njerëzimit, bie mbi supet tona. Kjo mungesë e një qëllimi të paracaktuar së bashku me një ekzistencë “absurde” që na paraqet zgjedhje të pafundme është ajo që Sartri i atribuon “ankthit të lirisë”. Duke mos pasur asgjë që të na kufizojë, ne kemi zgjedhjen të ndërmarrim veprime për t’u bërë ata që duam të jemi dhe të drejtojmë jetën që duam të jetojmë. Sipas Sartrit, çdo zgjedhje që ne bëjmë na përkufizon, ndërsa në të njëjtën kohë na zbulon se çfarë mendojmë ne, se si duhet të jetë një qenie njerëzore. Dhe kjo ngarkesë e pabesueshme e përgjegjësisë që njeriu i lirë duhet të durojë është ajo që e lë atë në ankth të vazhdueshëm.

Të jetosh në besim të keq

 “Gjithçka është bërë e qartë, përveç se si duhet të jetosh”.

Jean-Paul Sartre hodhi poshtë idenë e të jetuarit pa ndjekur lirinë. Fenomeni i njerëzve që pranojnë se gjërat duhet të jenë në një mënyrë të caktuar, dhe më pas refuzimi për të pranuar ose ndjekur opsione alternative, ishte ajo që ai e cilësoi si “të jetuarit në besim të keq”. Sipas Sartrit, njerëzit që bindin veten se duhet të bëjnë një lloj pune të caktuar ose të jetojnë në një qytet të caktuar, po jetojnë në besim të keq. Në veprën e  tij “Qenie dhe Asgjë”, ligjërimi i njohur i Sartrit mbi ontologjinë fenomenologjike, ai shpjegon konceptin e besimit të keq përmes shembullit të një kamarieri, i cili është aq i zhytur në punën e tij sa që e konsideron veten më parë si kamerier dhe jo si qenie të lirë njerëzore. Ky kamerier është aq i bindur që puna e tij e tanishme është gjithçka që mund të bëjë, dhe se është gjithçka që ai ka për qëllim të bëjë, aq sa ai kurrë nuk e konsideron mundësinë e të bërit gjë tjetër në jetë. Sartri besonte se ne jemi përgjegjës për gjithçka që ne jemi në të vërtetë, dhe duke mos eksploruar mundësitë e shumta që jeta na paraqet, ne  jemi përgjegjës për kufizimin e lirisë sonë. “Ne kemi mbetur vetëm pa ndonjë justifikim,” tha ai.

Zemërim kundër makinës

 Si një besimtar i flaktë në shkollën marksiste të mendimit, Jean-Paul Sartre e cilësoi paranë si faktori që kufizon lirinë e një personi. Nevoja për pará, arsyetoi ai, është justifikimi që njerëzit i japin vetes kur mbyllin idenë e eksplorimit të zgjedhjeve jokonvencionale të jetës. Pranimi i heshtur i parave nga shoqëria e zemëroi Sartrin dhe kapitalizmi ishte sistemi politik që ai fajësoi për fenomenin. Ai e krahasoi kapitalizmin me një makinë që bllokon njerëzit në një cikël të punës në një profesion që nuk i pëlqen, në mënyrë që të mund të blejnë gjëra që nuk u duhen.  Kjo domosdoshmëri e të mirave materiale, argumentoi ai, nuk ekzistonte në realitet, por përkundrazi ishte një konstruksion i krijuar nga njeriu që i shtyu njerëzit të mohojnë lirinë e tyre dhe ta konsiderojnë të jetuarit në mënyra të tjera si marrëzia. Sartri ishte një zë kundërshtues i kapitalizmit dhe mori pjesë në disa protesta pariziane në vitin 1968 kundër sistemit. Si një marksist, ai admiroi shumë Fidel Kastron dhe Che Guevarën, të dy ishin kundër kapitalizmit dhe po krijonin një shtet komunist në vendet e tyre përkatëse.

“Ne nuk e dimë se çfarë duam dhe ende jemi përgjegjës për atë që jemi – ky është fakti.”

Në fund të fundit, Sartri ishte një humanist që donte që ne të çliroheshim nga prangat tona të vetë-fiksuara dhe të arrinim potencialin tonë masiv. Ai donte që ne të pranonim lirinë tonë, të mos kufizohemi nga përkufizimi popullor i realitetit dhe të jetojmë jetën ashtu siç kemi dashur ta jetojmë. Dhe, përkundër njerëzve që zbulojnë disa të meta në mënyrën se si ai prezantoi idealet e tij, vetë idealet e tij ia vlen të merren parasysh.

Përktheu: Arbjona Çibuku

Qëllon që çik jetën-Gabriel García Márquez

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Qëllon që çik jetën-Gabriel García Márquez

 

Qëllon që çik jetën e dikujt,

dashurohesh

dhe kupton se gjëja më e rëndësishme është që ta prekësh,

ta jetosh,

të ndash me të melankolitë dhe parehatitë,

të arrish të njohësh veten

në shikimin e tjetrit,

të ndjesh se nuk mund të bësh më pa të…

e ç’rëndësi ka nëse për ta patur të gjithë këtë,

të duhet të presësh pesëdhjetë e tre vite, shtatë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë,

netët përfshirë.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Apollonia, tokë e perandorëve/Luan Rama

in Në kohërat e kolerës by

Luan Rama

Kur arkeologu francez Léon Rey, zbulonte në fillimin e viteve 30’ në qytezën antike të Apolonisë, një nga skulpturat me fytyrën e perandorit August, i pari perandor i Romës, ai e kuptoi se kjo skulpturë e ngritur diku në mes të qytetit, ishte jo vetëm një vepër arti e Akademisë së Artit të Apolonisë, por dhe një dëshmi e lidhjes së fuqishme që kishte patur ky qytet me këtë perandor, i cili në rininë e tij kishte jetuar në shtëpitë e këtij qyteti. Përshkrimi i Rey-it gjatë njërës prej ekspeditave të përvitshme në Apoloni në ditarin e tij është interesant: “Dora zbulon mermerin dhe duke u dridhur, – shkruante ai, – ajo ndjek shtegun që ka lënë dalta mbi të. Ja tashmë tek qëndron, ashtu siç e ka krijuar vetë artisti. Burri i veshur me “toge”-n e madhe, duket sikur po zbret drejt qytetit që tashmë nuk ekziston më. Ai është i ri dhe i bukur. Vallë është Octave, “Augusti” i ardhshëm, i cili bëri studimet në këtë qytet? Hipoteza duket tërheqëse…” Dhe disa ditë më pas, Rey gjeti një kokë tjetër mermeri në të cilën vërtetoi se ishte pikërisht e Oktavianit, pasi një e tillë, e ngjashme, me të njëjtën shprehje, ai e kishte parë në muzeun e Firences.

Ky personazh historik, është një nga figurat më të shquara të dymbëdhjetë çezarëve për të cilin flet historiani romak Sueton, në librin e tij Jeta e dymbëdhjetë çezarëve. Historianët e Republikës së Romës dhe më pas ata të Luftës Civile dhe të kohës imperiale, shkruajnë pak për kohën e qëndrimit të Augustit në Apoloni, i cili në atë kohë kishte emrin Oktavian. Oktaviani kishte lindur më 23 Shtator të vitit 63, para erës sonë, në Romë, dhe prindërit e quajtën Caius Octavius Thurinus. Ai ishte biri i Atia-s, mbesës së Cezarit dhe i Gaius Octavius, i cili ishte guvernator i Maqedonisë së pushtuar në atë kohë nga ushtritë romake. Pas luftës në Maqedoni, bashkë me disa legjione, Çezari e dërgoi Oktavianin në Apoloni që të ndiqte Akademinë Ushtarake. Bashkë me të ishte dhe Agrippa, i cili do të bëhej më vonë një nga gjeneralët më të shquar të perandorisë augustiane. Por atëherë, Roma ishte ende Republikë. Ishte viti 45 para erës sonë dhe Apolonia bashkë me Dyrrachium-in, ishin dy nga qëndrat më të fuqishme të bregut të Ilirisë. Në rrethinat e Apolonisë, pak vite më parë, Çezari kishte ngritur kampin e vet dhe kur kishte hyrë në qytet, ushtarët e legjioneve romake, por dhe banorët e kishin brohoritur ardhjen e tij. Luftrat kundër legjioneve të Pompeut njihen, si ato në afërsi të Apolonisë ashtu dhe në rrethinat dhe kështjellën e Durrës, për të përfunduar pastaj në Farsale të Maqedonisë, ku Pompeu u mund plotësisht.

Oktaviani ishte veçse 19 vjeçar kur erdhi në Apoloni, në një kohë kur sapo kishte sprovuar luftërat e Maqedonisë. Por meqë nuk kishte fëmijë, Çezari mendonte gjithnjë që ta bënte trashëgimtarin e tij, prandaj dhe e dërgoi nipin e vet të përgatitej nga ana ushtarake, të ushtronte artin e kalorësisë dhe të mësonte strategjinë e luftës. Apolonia atëherë ishte një qytet i lulëzuar, të cilën e kishte vizituar dhe kishte qëndruar pak vite më parë Ciceroni, i cili e cilësonte atë “Magna urbs et gravis”, (“Një qytet të madh e hijerëndë”). Krahas banorëve, apoloniatëve, në qytet ishin dhe krerët ushtarakë, guvernatori, magjistratët, etj, ndërkohë që forcat ushtarake ishin në kampet e ngritura në fushat që rrethonin qytetin. Imagjinoni një çast 80 mijë ushtarët e Çezarit, që kishin rrethuar qytetin për pak kohësh, pamje që ndoshta sot e tejkalojnë imagjinatën tonë. Qyteti i Apolonisë kishte atëherë një Agonothèt, siç e shohim një pjesë të tij, të zbuluar nga Rey dhe të ringritur nga arkeologët shqiptarë (një pjesë e fasadës), disa dekada më parë. Po ashtu, ishte Odeoni, Buleterioni, banjat, Nimfeu, tempujt e ndryshëm, siç ishte dhe ai i Apolonit, Dianës, Demetre-s, atj. Monumentet e statujat e shumta të Eros-it, Hera-s, Hermes-it apo Meneadat, gjallonin rrugët me kalldrëm. Pllakat e mermerit ishin të mbushura me dedikime e mbishkrime të ndryshme. Në qytetin e ngrohtë e plot diell pranë detit, ishin sallat e hapura të muzikës, vendet e kultit, altarët në abside, kamaret dhe muret e trashë rrethues, akuadukët që sillnin ujë, etj. Rrugët e Apolonisë gumëzhinin nga njerëzit, tregjet, prostitutat (më të shumtat gjendeshin atëherë në Dyrrachium, i cili kishte një nam të madh për pasurinë e shumllojshmërinë e tyre), pasi pranë Apolonisë ishte porti ku zbarkonin anijet që vinin shpesh nga Brindizi dhe qytetet e tjera të Mesdheut. Oktavianin (apo Oktavin, siç e thërrisnin jo pak në atë kohë), ishte një djalosh shumë i bukur. Në librin për jetën e tij, historiani Sueton shkruan se “Ai kishte një bukuri të rrallë, bukuri të cilën e ruajti gjatë gjithë jetës… Sytë e tij ishin gjithnjë të gjallë e të shndritshëm, madje ai të bënte të besoje se shikimi i tij kishte diçka hyjnore. Kur u bë August dhe e fiksonte shikimin e tij tek dikush, ai kishte dëshirë që tjetri ta ulte kokën, si i verbuar nga dielli”. Arkeologu francez Eric Follain, i cili kohët e fundit botoi në revistën franceze Archelogia, një studim mjaft interesant për Apoloninë, ka krijuar dhe sjellë në faqet e kësaj reviste, pamje sintezë se si kishin qënë në të vërtetë shumë prej ndërtesave kryesore të Apolonisë së asaj kohe, nga të cilat kanë mbetur veçse rrënoja, pasi gurët e tyre, siç na dëshmon në kujtimet e tij arkeologu Rey por dhe arkeologët e tjerë franceze si, Léon Heuzey apo Alfred Gilliéron, janë marrë me qerre nga pashallarët e Beratit për t’i përdorur për themelet e sarajeve të tyre. Po në këtë mënyrë u morën dhe gurët e tempullit të Dianës, një tempull tepër i veçantë në historinë e arkitekturës së asaj kohe, me gjashtë shtylla të mëdha dhe të larta, nga e cila në shekullin e XIX kishte mbetur vetëm një shtyllë, që me sa duket nuk kishin arritur ta shembnin (ja pse dhe ai fshat që do të krijohej aty, më pas do të quhej Shtyllas). Sidoqoftë, në mes të qytetit ishte dhe obelisku i Apolonit, tempull të cilin, Oktaviani e gjeti në Apoloni dhe kur ai u bë perandori i parë e Romës, një kopje e këtij tempulli u vendos në pallatin e tij, në Palatin. Siç kishte legjionarët dhe magjistratët e tij, ky qytet kishte dhe skllevërit që mbanin me vete legjionarët, të cilët i ndiqnin nëpër ekspeditat e tyre. Siç shkruan historiani francez Pierre Cosme rreth Apolonisë së Ilirisë në librin Auguste, “Apolonia nuk ishte vetëm një qytet garnizoni ushtarak për trupat ku Cezari mendonte të niste ekspeditat e mëdha kundër dakëve dhe partëve. Edhe pse nuk kishte shkëlqimet e Athinës, Aleksandrisë dhe Pergamos, Apolonia ishte një qëndër e kulturës, ku Oktaviani u shoqërua nga Apollodore i Pergamos…” Pikërisht në Apoloni, pohon ky studiues dhe biograf i Oktavianit, (August), “nipi i Çezarit njohu astrologun e famshëm Théogène, i cili i parathotë Oktavianit një të ardhme të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme”. Këtë informacion e kemi dhe nga historiani romak Suetone, i cili e shkruan këtë dhe në librin e famshëm të tij, ashtu si dhe nga shumë historianë të tjerë të kësaj epoke. Në librin e tij Hyjnori Auguste, Suetone shkruan se “Gjatë kohës së tij në Apolloni, bashkë me Agrippa-n, ai shkoi në observatorin e Théogène. Pasi dëgjoi dhe pa horoskopin e Agrippa-s, ai i tha se kishte përpara një të ardhme të shkëlqyer. Oktaviani nuk kishte folur për horoskopin e tij, nga frika, apo nga turpi se mos parashikimi i Théogène nuk do të ishte si ai i mikut të tij. Por pas nxitjesh të shumta dhe hezitimesh, Oktaviani i tregoi Théogène-it dhe ai u habit menjëherë për fatin që e priste atë. Më vonë, Auguste kishte një besim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e tij, madje ai prodhoi monedha që kishin konstelacionin e lindjes së tij, atë të konstelacionit të dhisë”. Në Apoloni, Oktaviani njohu dhe Mecene, një figure tjetër e kësaj kohe, i cili do të bëhej këshilltari më i ngushtë i Oktavianit gjatë gjithë jetës së tij si konsull dhe pastaj si perandor. Ishte pikërisht ky Mecene (nga vjen dhe termi i mecenatit, meceneve të artit, etj), i cili e shtyu Augustin që ta shndërronte Romën në një qytet plot shkëlqime, duke i dhënë një impuls të jashtëzakonshme ndërtimeve të mëdha, ngritjes së tempujve, monumenteve, banjave publike, etj, aq sa në historinë romake, ku flitet për kohën e Augustit thuhet “shekulli i Augustit të shenjtë”. Që nga ajo kohë ka mbetur shprehja: ”Augusti e gjeti Romën me tulla dhe kur vdiq e la me mermerë të bukur”. Apiani, nga ana e tij, në librin e tij Histori romane-Luftrat civile,, duke treguar për jetën e Oktavianit, shkruan se «Oktaviani, biri i vajzës së motrës së Cezarit, ishte bërë një “hipparque” i Cezarit përgjatë një viti, sepse Cezari e kishte kthyer këtë funksion vjetor që të ushtrohej nga miqtë e afërt të tij. Oktaviani ishte ende djalosh kur u dërgua nga Cezari në Apolloni, në gjirin e detit Jon. Atij iu dërguan trupa e kuaj me qëllim që të stërvitej dhe shpesh oficerë të shumtë shkonin ta takonin meqë ishte i afërt i Cezarit. Ai i priste të gjithë me mirësjellje, çka forcoi miqësinë e tij me ata dhe me ushtrinë. Por gjashtë muaj më vonë, një mbrëmje, atë e lajmëruan se Cezari ishte vrarë në Senat nga ata që ishin miqtë më të shtrenjtë të tij dhe që ishin më të fuqishmit, pas tij”.

Nga porti vinin dhe të rejat e Republikës. Pikërisht në ditët e Marsit të vitit 44, një anije mbërriti në portin e Apolonisë dhe menjëherë në qytet u përhap lajmi se Çezari ishte vrarë nga Brutus, njeriu të cilin ai e mbante si një ndër më besnikët, aq sa, siç shkruajnë historianët, kur pa që Brutus i nguli thikën, Çezari i kishte thënë “Edhe ti biri im?”(“Tu quoque, mi fili?”)… Padyshim që për Oktavianin ishte një lajm i tmerrshëm vrasja e Çezarit, i cili sapo e kishte proklamuar si trashëgimtarin e tij pas vdekjes, duke i lënë trashëgim gjithçka, me shpresë se pikërisht Oktaviani do të merrte në duar drejtimin e Romës dhe do të vazhdonte stafetën e lavdishme të tij. Por njëkohësisht me lajmin dhe konfuzionin që krijoi ky lajm në Apoloni, në datën 20-27 Mars, Oktavianit i erdhi dhe një letër nga nëna e tij, Atia, e cila e porosiste që të mos nxitohej dhe të mos nisej për t’i bërë luftë vrasësve të Cezarit, por të qëndronte ca kohë në heshtje sa të qetësohej situata. Por nga ana tjetër, të gjithë oficerët e komandantët e legjioneve romake që ishin në Apoloni, vinin pranë Oktavianit dhe i kërkonin veçse shpagim, duke i premtuar besnikëri deri në vdekje. Por a do të mundëte ai që të fitonte ndaj ushtrive të shumta që kishin Mark Antonio dhe Brutus në Romë dhe në vendet e pushtuara si në Maqedoni e gjetkë? Agrippa dhe miku tjetër Salvidienus Rufus, një tjetër figurë e kohës imperiale, i kërkonin me këmbëngulje Oktavianit që ta linin Apoloninë menjëherë dhe të niseshin bashkë me legjionet drejt Brindizit, nëpër “Via Appia” e pastaj drejt Romës, me bindjen se dhe legjionet e tjera romake që do të ndeshnin rrugës, do të bashkoheshin me ta, meqë vrasja e Çezarit i kishte prekur të gjithë. Por këshilla e nënës ishte më e fortë sesa revolta e momentit. Ato net, kampet rreth qytetit ushtonin nga thirrjet për t’u nisur drejt luftës. Këtë moment të vështirë në jetën e Oktavianit e kujton dhe historiani Velleius Paterculus në librin e tij Historia romane : “Pas përfundimit të luftrave civile, Cezari e kishte dërguar në Apolloni që të mësonte disiplinat liberale dhe të zhvillonte talentet natyrore që kishte ky djalosh i ri i jashtëzakonshëm, në mënyrë që më pas, Cezari ta kishte si shok armësh në fushatën e mëvonshme kundër Gètes e më pas kundër Parthes. Kur mori vesh lajmin e vrasjes së dajës së tij, edhe pse “centurione”-t e legjioneve që ishin vendosur aty i premtuan ta mbështesin në luftën e tij; edhe pse Salvidienus dhe Agrippa i thanë që të pranonte kërkesat e tyre, ai nxitoi të shkonte në Qytet, (Rome), ku më së fundi mori vesh të gjitha detajet e vrasjes dhe të testamentit që i kishte lënë Cezari”.

Më së fundi Oktaviani u nis, i shoqëruar nga miqtë e tij më të ngushtë, Agrippa, Mecene, Salvidienus Rufus si dhe disa legjione romake, të cilat e kishin shoqëruar dhe nga Maqedonia në Apoloni. Në ditët e para të Prillit të vitit 44, ai mori anijet në portin e Apolonisë dhe u nis drejt Brindizit. Para vdekjes, i ati i kishte treguar Oktavianit se ditën që festonin fitoret e Çezarit, (Ludi Victoriae Caesaris), ai kishte parë një kometë. “Ajo kometë je ti biri im, që do të shkosh në botën e të shenjtëve”, – i kishte thënë i ati. Oktaviani po i drejtohej Romës, i vendosur për të mos bërë luftë. Vallë a do të realizohej parandjenja e të atit me atë kometë të shndritëshme që kishte parë në qiell? A nuk i kishte thënë dhe astrologu Théogène në Apoloni se ai do të bënte një karrierë të shkëlqyer dhe se e ardhmja e tij do të ishte e ndritur? Kushedi… E megjithatë, parandjenja e atit të vdekur do të realizohej. Po si? Ç’ndodhi me Oktavianin më pas?… Seneka, në librin e tij Historia natyrore, duke iu referuar kthimit të Oktavianit në Rome shkruan se “thuhet se ditën kur hyjnori Auguste u kthye nga Apolonia dhe hyri në Qytet, (Romë), rrotull diellit u shqua një rreth shumëngjyrësh. Këtë grekët e quajnë “halo”, çka ne mund ta quajmë “kurorë të shndritëshme”.

Me të mbërritur në Romë, gjëja e parë që kërkoi Oktaviani ishte që të merrte trashëgiminë që i kishte lënë Çezari me testament. Pas kësaj, ai u afrua me Mark Antonin, me të cilin kishte luftuar në Maqedoni, por shumë shpejt ai u nda nga ai. I mbështetur nga Ciceroni, rreth vetes ai formoi një ushtri me të cilën luftoi kundër Mark Antonit në Modena, betejë ku vdiqën dy konsuj të Republikës. Ciceroni i propozoi Senatit që bashkë me të të ishte konsull dhe Oktaviani dhe sëbashku të drejtonin Republikën. Por për shkak të moshës së re, Senati nuk pranoi, edhe pse në luftën e Modena-s, ushtarët, në ditën e fitores e kishin brohoritur si «Imperator». Meqë Senati nuk pranoi, i zemëruar, Oktaviani u bashkua sërrish me Mark Antonin dhe pas pak kohësh pushtoi Romën, i dha fund Republikës dhe krijoi «Trumviratin» që do të ishte fuqia supreme. Pikërisht në atë kohë, njerëzit e Mark Antonit do të vrisnin Ciceronin që largohej i tmerruar nga Roma, por dhe Mark Antoni do të mundej disa vite më pas nga Oktaviani, në vitin 30 para erës sonë, në luftën detare të Actum-it në brigjet joniane. I kthyer fitimtar në Romë, për të shpërblyer kujtimin dhe ndihmën që i kishin dhënë apoloniatët në kohën e qëndrimit të tij atje, ai e shpalli Apoloninë «Qytet i lirë», pra pa taksa dhe i pavaruar në një farë forme nga Roma, por gjithnjë aleate e saj. Dy vjet më vonë, në vitin 28, Senati e shpalli Oktavianin «Princeps senatu», (Senator i parë), dhe një vit më vonë e shpalli «August», (të Shenjtë), pra perandor.

Kur arkeologu franko-zviceran Alfred Gilliéron, (ashtu si më parë reverendi anglez Huges apo koloneli britanik Martin Leake më 1806), vizitonte Apoloninë, në vitin 1869, nuk harron të mos flasë për kohën e lavdishme kur Augusti kishte studiuar artin ushtarak në Apoloni: «Përballë heshtjes mistike harroj që këtu ka qënë streha e studimeve të djaloshit Oktav, i cili ndoshta do ta kishte transformuar këtë kodrinë në një Akademi të Muzave »… Por mjerisht shekuj më vonë Apolonia do ta humbiste shkëlqimin e saj: luftrat, tërmetet, braktisja e qytetit, bënë që Apolonia të mbetej thjesht një vënd kulti, por që në epokën otomane do të binte në një errësirë të plotë dhe do të rrënohej e përmbytej nga balta. Ata të huaj, konsuj, arkeologë, historianë e gjeografë që e vizituan në shekullin e XIX, mezi arritën të shohin veçse disa gjurmë që kishin mbetur nga koha e lavdishme e Oktavianit… Sekretet që fsheh Apolonia në vetvete janë ende të mëdha. Arkeologët e sotëm dhe ata të nesërm ndoshta do të na zbulojnë gjurmë të reja jo vetëm të Oktavian-Augustit, por dhe të bashkëluftëtarëve të tij të lavdishëm që jetuan në Apoloni, nga Ciceroni e më pas Brutus, Agrippa, Mecene, Rufus, prijësit e legjioneve të tmerrshme, etj, çka e bëjnë këtë tokë të Ilirisë së lashtë, këtë qytet të themeluar nga kolonitë greke të Korintit dhe Korkyrës që në shekullin e V-të para erës së re, një vend me “bëma të pagoja”, pasi pjesa më e madhe e këtij qyteti shtrihet ende nën dhé…

MBI RRAFSHINËN NË FLAKË TË HUAN RULFOS/ŐSCAR MENDOZA

in Letërsi by

ÓSCAR MENDOZA

RRAFSHINA NË FLAKË” – HUAN RULF

“Thonë se ai e hodhi vetë litarin në grykë e madje e zgjodhi vetë edhe pemën ku do ta varnin, pema që i pëlqente më shumë.”

Çfarë nuk është thënë për veprën letrare të Rulfos? Vetëm me dy libra, një përmbledhje me tregime dhe një roman («Pedro Páramo») Huan Rulfo u bë një autor me famë, i suksesshëm, i adhuruar apo thoni si të doni. Pothuaj në fund të jetës së tij publikoi «Gjeli i artë dhe tekste të tjera për kinema», ku përfshihen skicat e një romani, skenare për metrazh të shkurtër dhe një përzgjedhje fotografish në një botim të «Ediciones Era». Kështu që në një kuptim të saktë Huan Rulfo (1917 – 1986) arriti pavdekësinë me një vepër modeste që nuk bëhen as tre libra. Sot që festojmë Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, nuk ka formë më të mirë ta bësh këtë duke folur dhe duke rekomanduar një vepër fondamentale për letërsinë hispanoamerikane dhe për arritjet meksikane:

«Rrafshina në flakë»

Në të vërtetë, në fillim, përmbledhja me tregime e titulluar «Rrafshina në flakë» doli pjesërisht. 1953-shi qe viti i botimit të parë që përfshinte pesëmbëdhjetë tregime nga shtatëmbëdhjetë që formojnë botimin përfundimtar. Qëllimi im këtu nuk është të flas për botimin historik të veprës së Rulfos, për motivet pse tregime si «Paso del Norte» nuk do të botohet për shumë vite dhe do të futet në libër vetëm në vitin 1980 apo për tregime si «Shpati i kumbarave» dhe «Ditën e tërmetit» që duken më shumë si shtojca se kapituj për të njëjtën temë. Autori i ka rishikuar, i ka korrektuar dhe pak janë kuptuar motivet pse janë shtuar apo pse është ndryshuar rendi i tregimeve të tij. Është e njëjta me «Rrafshina në flakë» që paraqitet sot, ku seria e tregimeve të shkruara nga Huan Rulfo fillon me tregimin «Na dhanë tokë» e përfundon me «Anakleto Morones». Qëllimi ynë është i thjeshtë: të shkruajmë disa rreshta për të thënë se «Rrafshina në flakë» është ideale për të lexuar dhe se gjithmonë është koha për ata që nuk e kanë lexuar.
Në faqet e «Rrafshinës në flakë» do të gjejmë personazhe që mund të mishërohen te kushdo nga të njohurit tanë. Huan Rulfo ndonjëherë ka thënë, sigurisht në kuptimin alegorik, se pushoi së shkruari ngaqë ungji i tij, i cili i tregonte historira, kishte vdekur. Të vendosur në rrafshnaltën e gjerë të Haliskos – Komala, Talpa, Luvina, Tierra Kaliente – dhe në periudhën që shkon nga institucionalizimi i Revolucionit deri te lufta krishtere, tregimet e «Rrafshinës në flakë» bazohen në problemet e të qenit meksikan: toka, grabitja, incesti, çmenduria, thashethemet, feja, humori i zi, politika si tallje për popullin, të vdekurit e fantazmat dhe realiteti i shpërfytyruar përmes mitit. Për shembull, te tregimi i parë «Na dhanë tokë», intriga bazohet tek reforma agrare e qeverisë, aq shumë e pritur, ku një grup fshatarësh marrin tokë, po ato janë ca xebërrishte të thata që nuk vlejnë për asgjë. Tjetër shembull i temës së tokës është «Luvina», një nga tregimet më të bukura të këtij vëllimi, ku tregimtari i kudogjndshëm na rrëfen një lloj preludi nga tema e Komalës dhe tokës së vdekur që del në Media Luna e romanit «Pedro Páramo», një tjetër libër ky, i rekomanduar në mënyrë të padiskutueshme. Te «Puna është se jemi shumë të varfër», autori rrëfen, në mënyrë humoristike, por jo duke mos qenë realist, për varfërinë si trashgimi dhe për fatin e pazakontë të vajzës së vogël, të cilën, pasi humbet lopën, e pret fati i lavires. «Makario» do të kujtohet për forcën e personazhit kryesor-rrëfimtar, një njeri, të cilin mund ta konsiderojmë të marrë, e megjithatë përshkruan një realitet aq magjik dhe aq të pafajshëm sa ka dëshirë të lëpijë bretkosat e të pijë dy gjokset që ai përshkruan. «Thuaju të mos më vrasin!» është një tjetër shembull i paharrueshëm i rrëfimit të dramave të Meksikës: hakmarrja dhe faji që s’kanë të mbaruar gjatë ecjes së kohës. «Paso del Norte» na ofron problemin e emigracionit dhe panoramën e trishtuar që paraqitet përpara atyre, të cilët, pa e plotësuar ëndrrën amerikane, zgjohen përsëri në Meksikë. «Ditën e tërmetit» është ndoshta tregimi me më shumë humor, i ngarkuar me një satirë tipike politike dhe fshati ku vendoset ngjarja si pasqyrë-realitet. Libri përfundon me «Anakleto Morones», një fabul ku personazhi kryesor nuk ekziston dhe merremi vesh me të nëpërmjet dëshmisë së mrekullive të tij, të zonjave besnike me moral të mirë dhe kujtimit të pakëndshëm të njërit prej miqve të tij.
Gjithsej, shtatëmbëdhjetë tregime, një histori e njëjtë e treguar në shtypin e Meksikës që ende ekziston në disa vende të mjeruara, në treva të largëta. «Rrafshina në flakë» është çelësi për të kuptuar se si një shkrimtar ka mundur të tregojë histori populli, histori që të gjithë i dëgjojmë të na i rrëfejnë në atë mënyrë që bëhen universale, sidomos me një të folme të veçantë. Personalisht habitem kur dëgjoj se paska njerëz që ende nuk kanë lexuar nga Huan Rulfoja as edhe një tregim. Prandaj shikoj në këtë Ditë të Librit një motiv të veçantë për të rekomanduar librin «Rrafshina në flakë», për stilin dhe tematikat e saj të qëndrueshme. Është libri më i rekomanduar për cilësitë e veta letrare.

23 prill, 2013

Përktheu: Bajram Karabolli

Shënim:

Me rastin e 34 vjetorit të vdekjes së Juan Rulfo-s.

Frutat e Omerit-Luan Rama

in Letërsi/Tharm by

Frutat e Omerit-Luan Rama

(Kushtuar Omer Kaleshit)

 

Zotëri, keni etje… doni një frut?

Një mollë, një dardhë, një ftua…?

Kujdes, këto fruta nuk duhen kafshuar,

janë tablo, vepra arti,

fruta me forma njerëzore,

me aromë mishi e gjaku,

me linjat e një gruaje të parë diku,

shkarazi, kur këputet hëna,

duke lënë pas një peng okër,

fruta me linja gruaje,

vithe, gjinj, pleksje simbolike,

janë frutat e mikut tim Omer,

pinjoll i Omeriadës së vjetër.

Midis seancave të lodhshme

piktori kërkon të çlodhet, ka etje,

me sytë gjysmë mbyllur kërkon frutat në atelier,

dhe endet si i dehur, në ëndërr,

me imazhet e një gruaje që veç e ka fshikur

dhe e ka lënë aty në komodinën e kujtesës

s’dihet kur,

dhe atëherë ngjyen spatulën e tij në paletë,

pleks bojrat që shndrisin

pak llavë që djeg,

një të blertë bregoreje që ngjitet drejt diellit,

dhe pak të zezë trishti, mungese,

e bardha është e vetë telajos,

ajo pret dorën e tij,

të ngjesh spatulën mbi të,

si të prekë barkun e njomë të saj,

të pështetet paqësisht,

dashurisht.

Omer hedh ngjyra, hedh farë,

mbjell ashtu si një farëmbjellës i Selenicasit

në freskun e pambarimtë të jetës,

në forma gruaje ai fal dashuri,

krijon fruta femërorë

aty, ofruar në atë tabaka të bardhë,

në sofrën e telajos së madhe,

mund t’i shijoni

ashtu siç shijojmë shpirtrat e krijuar

në një sallon arti…

Një vështrim i freskët për Simone de Beauvoir-in/Nga DER SPIEGEL

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Letërsi by

Një grua në botën e një burri

Marrë nga: DER SPIEGEL

Ajo gjithmonë mbante një buzëqeshje të ngurtë madje edhe përballë vdekjes.  Kur partneri i saj i jetës, për më shumë se 50 vite, qetësohej në “kutinë e tij të vogël”- nga e cila ai nuk do të dilte kurrë, dhe ajo kurrë nuk do e arrinte sërish atë, ajo me urtësi doli në përfundimin se: “Edhe nëse do të jem e varrosur pranë teje, nuk do të ketë tranzicion midis hirit tënd dhe eshtrave të mia”.

Simone de Beavoir u qëndroi besnike bindjeve të saj materialiste. Ajo kishte hequr dorë prej besimit të saj katolik dhe edukimit, dhe bindjes për të shkuar në parajsë, dhe kur ishte në moshën 14 vjeçare, ajo në mënyrë kundërshtuese iu drejtua duke i thënë se ëmës: “Unë nuk do të shkojë më në meshë”.

Vdekja i ndau Simone de Beavoir dhe Jean Paul Sartre, në vend që t’i bashkonte ata, por përpos kësaj ata mbetën çifti i shekullit. Kur ajo vdiq në 14 Prill, 1986, pothuajse gjashtë vjet pas ditës së vdekjes së Sartrit, lëvizja protestuese e vitit 1968 më në fund shkoi drejt përfundimit. Vargani i njerëzve në funeralin në Paris, ishte marshimi i fundit  i revolucionit. Kamerierët nga Brasserie La Coupole formuan një gardë mbrojtëse në nderim,  përgjatë rrugës, kishin vendosur peceta të bardha mbi krahët e tyre të majtë, për t’i bërë nderimet e tyre të fundit një gruaje që kishte qenë prej kohësh e ftuara e tyre besnike dhe e spikatur në Montparnasse, që ka qenë tradicionalisht një lagje e intelektualëve dhe artistëve në Paris.

Një shesh i vogël përballë kishës së Saint-Germain-des-Prés në Paris, mbart emrin e saj sot sëbashku me atë të Sartrit, po ashtu edhe një  urë e vogël për këmbësorët që çon në bibliotekën e re kombëtare.  Ideja që emri i saj do të shoqërohej me një urë që të dërgon drejt librave, padyshim që do të kënaqte Simone de Beauvoir-in.

Tani të dy janë bashkuar në fund të fundit, të paktën në këtë mënyrë të vogël. Për ironi të fatit, Beauvoir ishte gjithnjë e bindur për ruajtjen e pavarësisë së saj, dëshirën e saj për liri, joie de vivre, kuriozitetin dhe nevojën e saj për të shkruar.

Njëqind vjet pas lindjes së saj në 9 Janar, 1908, shkrimtarja dhe filozofja franceze Simone de Beauvoir, mbetet një udhëheqëse për gjeneratat e grave dhe një autore e cila praktikoi emancipim në jetën e saj dhe librat e së cilës vendosën themelet teorike të feminizmit modern. Klasiku i kultit Beauvoir: “Seksi i Dytë”, si dhe kujtimet e saj shumë vëllimore, formuan me vendosmëri debatin mbi marrëdhëniet midis burrave dhe grave.

“Sigurisht, trashëgimia e de Beauvoir-it nuk mund të kufizohet në aspektin feminist,” thotë Alice Schwarzer, një feministe e shquar gjermane që u njoh me de Beauvoir-in në vitet 1970 dhe për të cilën shkrimtarja franceze shërbeu si model. “Por nuk ka asnjë fjali të vetme që nuk është rrënjosur me idenë se ajo ishte një grua në botën e një burri.”

Disa libra dhe biografi të reja janë duke u përpjekur që të hedhin një vështrim të ri mbi Simone de Beauvoir-in, po përpiqen të zbulojnë diçka të re dhe befasuese në veprat e saj, dhe veçanërisht të njohin qartësinë, integritetin, sensin e drejtësisë dhe guximin e vizioneve të saj.

Nuk janë vetëm librat e saj, por edhe jeta e saj, ato që e kanë bërë de Beauvoir-in gruan intelektuale më të rëndësishme të kohërave moderne.  Ajo ishte një mendimtare në vetvete, dhe jo vetëm një shtojcë e Sartrit, joshëse e paharruar.

Një vajzë asokohe ishte e  menduar të martohej dhe të kishte fëmijë. Nëse një familje nuk kishte mundësitë për t’i siguruar  vajzës një pajë , dhe nëse një vajzë nuk ishte aq tërheqëse sa për të joshur një burrë, ajo duhej të kujdesej për veten e saj.

Në librin “Seksi i dytë”, i cili është publikuar në dy vëllime në vitin 1949, dhe u konsiderua asokohe si tejet skandaloz, aq sa u bë i suksesshëm brenda një nate (22,000 kopje u shitën dy javët e para), de Beauvoir ekzaminoi pyetjen se çfarë do të thotë për gjysmën e njerëzimit të përcaktohet, përulet, vlerësohet dhe përgjithësisht mbizotërohet, nga gjysma tjetër, shpesh më pak inteligjente dhe zakonisht me mangësi emocionale.

Eseja e goditi shoqërinë si një bombë dhe e dënoi autoren e saj në një shkatërrim pothuaj djallëzor, të përjetshëm. Njësoj si lexuesit dhe media e quajtën atë gjithçka, nga seksualisht e pakënaqur, deri tek e ftohtë, nimfomaniake, lesbike dhe si dikush që urren fëmijët.

Ajo mori e-maile  të mbushur me oferta, por që përmbanin edhe urrejtje brenda – shpesh e shprehur në terma më të ashpër dhe më fyes  – për ta kuruar atë, për të kënaqur dëshirat e saj dhe për t’i hapur sytë në mënyrë që të mund të zbulonte të vërtetën, bukurinë dhe dinjitetin.

Shkrimtari François Mauriac, një katolik i mirë dhe një njeri i respektuar, u hidhërua nga idetë e saj dhe i shkroi me përçmim stafit të recensionit që bashkë-themeloi: “Tani unë di gjithçka për vaginën e shefit tuaj”. Edhe Albert Camus, një humanist i bindjeve të thella, nuk mund t’i pranonte gratë inteligjente, siç vërejti shpejt de Beauvoir. I kompleksuar në praninë e saj, ai ose do të tregonte kënaqësi në lidhje të ose do ta injoronte, varej se sa i irrituar ishte. “Toni i tij kur fliste me mua ishte zakonisht sarkastik dhe shpesh fyes,” shkroi ajo.

E megjithatë, edhe de Beauvoir e ndjeu se kishte diçka jo shumë të duhur në lidhje me tezën e saj revolucionare: “Grua nuk lind, por bëhesh e tillë”.

Njëzet vjet pasi u botua për herë të parë “Seksi i Dytë”, autorja Suzanne Lilar shkroi një kritikë të shkëlqyer për këtë vepër themelore të feminizmit modern, një artikull që të paktën e bindi de Beauvoir-in të pranonte dallimet gjenetike, hormonale dhe anatomike midis gjinive. Sidoqoftë, ajo mbeti e qëndrueshme, dhe me të drejtë, në bindjen e saj se kultura formëson perceptimin tonë për feminitetin, një perceptim që luhatet vazhdimisht midis idealizimit dhe demonizimit.

“Gra, ju duhet ta falenderoni atë  për gjithçka!” Elisabeth Badinter, një aktiviste për të drejtat e grave dhe autore e ndikuar nga de Beauvoir-i, mendohet se ka qenë ajo që ka thirrur për mbajtjen e funelarit të de Beauvoir-it. Ekzistencializmi francez e analizoi njeriun si një person rrënjësisht të lirë, i cili e shpik veten përmes veprimeve të tij, në vend që të nxitet nga rrethanat. Por a janë të gjithë njerëzit të lirë të veprojnë?

Në kujtimet e saj de Beauvoir, e cila duhej të fshinte veten nga mjedisi i saj, për të zënë vendin e saj në histori, shkroi se ndihej ” e tradhtuar”. Por avangardistja radikale që ajo ishte – e adhuruar dhe e përçmuar, një vetmitare e vërtetë, në asnjë mënyrë thjesht një shoqe apo një medium për Sartrin më të famshëm se ajo, me të cilin ndan një varr në varrezat në Montparnasse – hapi sytë e brezave të grave në të gjithë botën.

Përktheu: Arbjona Çibuku

1 120 121 122 123 124 182
Go to Top