MBI RRAFSHINËN NË FLAKË TË HUAN RULFOS/ŐSCAR MENDOZA

in Letërsi by

ÓSCAR MENDOZA

RRAFSHINA NË FLAKË” – HUAN RULF

“Thonë se ai e hodhi vetë litarin në grykë e madje e zgjodhi vetë edhe pemën ku do ta varnin, pema që i pëlqente më shumë.”

Çfarë nuk është thënë për veprën letrare të Rulfos? Vetëm me dy libra, një përmbledhje me tregime dhe një roman («Pedro Páramo») Huan Rulfo u bë një autor me famë, i suksesshëm, i adhuruar apo thoni si të doni. Pothuaj në fund të jetës së tij publikoi «Gjeli i artë dhe tekste të tjera për kinema», ku përfshihen skicat e një romani, skenare për metrazh të shkurtër dhe një përzgjedhje fotografish në një botim të «Ediciones Era». Kështu që në një kuptim të saktë Huan Rulfo (1917 – 1986) arriti pavdekësinë me një vepër modeste që nuk bëhen as tre libra. Sot që festojmë Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, nuk ka formë më të mirë ta bësh këtë duke folur dhe duke rekomanduar një vepër fondamentale për letërsinë hispanoamerikane dhe për arritjet meksikane:

«Rrafshina në flakë»

Në të vërtetë, në fillim, përmbledhja me tregime e titulluar «Rrafshina në flakë» doli pjesërisht. 1953-shi qe viti i botimit të parë që përfshinte pesëmbëdhjetë tregime nga shtatëmbëdhjetë që formojnë botimin përfundimtar. Qëllimi im këtu nuk është të flas për botimin historik të veprës së Rulfos, për motivet pse tregime si «Paso del Norte» nuk do të botohet për shumë vite dhe do të futet në libër vetëm në vitin 1980 apo për tregime si «Shpati i kumbarave» dhe «Ditën e tërmetit» që duken më shumë si shtojca se kapituj për të njëjtën temë. Autori i ka rishikuar, i ka korrektuar dhe pak janë kuptuar motivet pse janë shtuar apo pse është ndryshuar rendi i tregimeve të tij. Është e njëjta me «Rrafshina në flakë» që paraqitet sot, ku seria e tregimeve të shkruara nga Huan Rulfo fillon me tregimin «Na dhanë tokë» e përfundon me «Anakleto Morones». Qëllimi ynë është i thjeshtë: të shkruajmë disa rreshta për të thënë se «Rrafshina në flakë» është ideale për të lexuar dhe se gjithmonë është koha për ata që nuk e kanë lexuar.
Në faqet e «Rrafshinës në flakë» do të gjejmë personazhe që mund të mishërohen te kushdo nga të njohurit tanë. Huan Rulfo ndonjëherë ka thënë, sigurisht në kuptimin alegorik, se pushoi së shkruari ngaqë ungji i tij, i cili i tregonte historira, kishte vdekur. Të vendosur në rrafshnaltën e gjerë të Haliskos – Komala, Talpa, Luvina, Tierra Kaliente – dhe në periudhën që shkon nga institucionalizimi i Revolucionit deri te lufta krishtere, tregimet e «Rrafshinës në flakë» bazohen në problemet e të qenit meksikan: toka, grabitja, incesti, çmenduria, thashethemet, feja, humori i zi, politika si tallje për popullin, të vdekurit e fantazmat dhe realiteti i shpërfytyruar përmes mitit. Për shembull, te tregimi i parë «Na dhanë tokë», intriga bazohet tek reforma agrare e qeverisë, aq shumë e pritur, ku një grup fshatarësh marrin tokë, po ato janë ca xebërrishte të thata që nuk vlejnë për asgjë. Tjetër shembull i temës së tokës është «Luvina», një nga tregimet më të bukura të këtij vëllimi, ku tregimtari i kudogjndshëm na rrëfen një lloj preludi nga tema e Komalës dhe tokës së vdekur që del në Media Luna e romanit «Pedro Páramo», një tjetër libër ky, i rekomanduar në mënyrë të padiskutueshme. Te «Puna është se jemi shumë të varfër», autori rrëfen, në mënyrë humoristike, por jo duke mos qenë realist, për varfërinë si trashgimi dhe për fatin e pazakontë të vajzës së vogël, të cilën, pasi humbet lopën, e pret fati i lavires. «Makario» do të kujtohet për forcën e personazhit kryesor-rrëfimtar, një njeri, të cilin mund ta konsiderojmë të marrë, e megjithatë përshkruan një realitet aq magjik dhe aq të pafajshëm sa ka dëshirë të lëpijë bretkosat e të pijë dy gjokset që ai përshkruan. «Thuaju të mos më vrasin!» është një tjetër shembull i paharrueshëm i rrëfimit të dramave të Meksikës: hakmarrja dhe faji që s’kanë të mbaruar gjatë ecjes së kohës. «Paso del Norte» na ofron problemin e emigracionit dhe panoramën e trishtuar që paraqitet përpara atyre, të cilët, pa e plotësuar ëndrrën amerikane, zgjohen përsëri në Meksikë. «Ditën e tërmetit» është ndoshta tregimi me më shumë humor, i ngarkuar me një satirë tipike politike dhe fshati ku vendoset ngjarja si pasqyrë-realitet. Libri përfundon me «Anakleto Morones», një fabul ku personazhi kryesor nuk ekziston dhe merremi vesh me të nëpërmjet dëshmisë së mrekullive të tij, të zonjave besnike me moral të mirë dhe kujtimit të pakëndshëm të njërit prej miqve të tij.
Gjithsej, shtatëmbëdhjetë tregime, një histori e njëjtë e treguar në shtypin e Meksikës që ende ekziston në disa vende të mjeruara, në treva të largëta. «Rrafshina në flakë» është çelësi për të kuptuar se si një shkrimtar ka mundur të tregojë histori populli, histori që të gjithë i dëgjojmë të na i rrëfejnë në atë mënyrë që bëhen universale, sidomos me një të folme të veçantë. Personalisht habitem kur dëgjoj se paska njerëz që ende nuk kanë lexuar nga Huan Rulfoja as edhe një tregim. Prandaj shikoj në këtë Ditë të Librit një motiv të veçantë për të rekomanduar librin «Rrafshina në flakë», për stilin dhe tematikat e saj të qëndrueshme. Është libri më i rekomanduar për cilësitë e veta letrare.

23 prill, 2013

Përktheu: Bajram Karabolli

Shënim:

Me rastin e 34 vjetorit të vdekjes së Juan Rulfo-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top