Nga Kafka tek Kafka-Maurice Blanchot

in Letërsi/Përkthim by

Kafka dhe Brodi. Kështjella.

Recetë leximi, ose shënim sqarues;

Pjesa e mëposhtme është shkëputur nga libri i Maurice Blanchot-“Nga Kafka tek Kafka”, të cilën po orvatem ta sjell në shqip. Ai është një nga tekstet kyç për shkrimtarin më të madh të botës, Kafkën, dhe mikun e tij Maks Brodin

-Balil Gjini

Pasi e kishte botuar dhe komentuar Kafkën, pasi e kishte bërë hero të një romani të tij, Brod-i, duke u orvatur ta çojë më larg jetën e dyfishtë, provoi ta fusë veten në botën e Kafkës duke transformuar ndoshta veprën më të rëndësishme të tij; “Kështjella”, duke e bërë një dramë të plotë teatrale, pikërisht atë që ishte një tregim i pambaruar. Vendim që nuk mund të krahasohet me atë të Gide-it dhe të J L Barrault që, disa vite më parë, bënë të njëjtën gjë me “Procesi”-n. Gide dhe Barrault, pa dyshim pa të drejtë, kërkuan që hapësira e teatrit të përfshinte brenda vetes edhe një hapësirë me përmasa ambigue, mu aty në sipërfaqe, pa thellësi, si e zhveshur nga perspektiva, dhe, për këtë shkak, e paarritshme, dhe, për këtë shkak, shumë e thellë, botë e asaj humbjeje të pafund që paraqet “Procesi”. Dukej se Brodi s’i bënte dot ballë një tundimi më intim; të jetonte jetën e heroit qëndror, ta bënte më të afërm për veten, për ne, për jetën e kësaj kohe, duke e humanizuar, duke i dhënë ekzistencën e një njeriu që lufton me një dëshpërim të papërmbajtur për të gjetur punë, burime financiare dhe ekzistencë, bash në një vend ku ai s’ishte gjë tjetër përveçse një i huaj i padëshiruar.
Brod-i, pra, e ka përshtatur për teatër Kështjellën. E lëmë mënjanë vendimin në vetvete, ndonëse kjo mënyrë e shndërrimit të një vepre nga një formë në një formë tjetër, e bërjes së veprës prej veprës, e sforcimit për të qenë ajo që s’mund të jetë, duke i imponuar një hapësirë tjetër rritjeje dhe zhvillimi, është një lloj grabitjeje që s’duhet ta bëjë kurrsesi ai i cili përgatitet të jetë i ashpër me këto forma të nihilizmit modern. E lëmë mënjanë sigurinë që çdo përshtatje e një vepre të Kafkës, edhe nëse është besnike (sepse s’mund të jetë besnike veçse në disa gjëra dhe jo në tërësinë e saj të fshehur, tërësi e cila i shpëton çdo lloj besnikërie), dhe themi se kjo përshtatje duhet jo vetëm ta shtrembërojë veprën, por edhe vendos aty një variant të modifikuar, prej nga ku, këtej e mbrapa, do të jetë më e vështirë të rikthehemi tek e vërteta e mjegullimtë dhe pa stoli e origjinalit. Më në fund, si rrjedhojë e atyre që përshtatësi i ftillon si domosdoshmëri dramatike, le ta harrojmë edhe të drejtën që i ka dhënë vetes t’i japë zgjidhje një tregimi që s’ka zgjidhje, zgjidhje që, ndoshta për një çast, ka qenë edhe në mendjen e Kafkës, dhe për të cilin nuk ka dyshim se ka folur me mikun e vet, por që ai s’ka qenë asnjëherë i vendosur ta shkruajë, ngaqë kjo zgjidhje s’ka qenë pjesë integrale e jetës dhe intimitetit të veprës; veç të tjerave, skena ku marrim pjesë në varrimin e K., varrim që i korrespondon simbolikisht pajtimit të tij me tokën tek e cila ka dëshiruar të pushojë, kjo skenë, pra, ku secili sapo hodhi një grusht me fjalë dhe një grusht me dhé mbi kufomën, që, më në fund pushon e qetë, është nga më të mirat e dramës, edhe pse është një sajim i plotë Brod-it, çka tregon se drama do të fitonte akoma më shumë po të mos kishte asnjë lidhje me Kafkën. Po përse Brod-i e ka gjykuar të udhës të futet në sekretin e një vepre, për të cilën, më shumë se çdokush tjetër, kishte ndihmuar të ruhej e paprekur? Përse e ka kritikuar aq ashpër Gide-in dhe Barrault-in se kanë bërë «një gabim të padëgjuar» në dramatizimin e tyre, teksa, në një mënyrë jo më pak të dukshme, ka ndryshuar qendrën e veprës, ka zëvendësuar personazhin kryesor me një personazh që s’ka asgjë të përbashkët me të përveçse një afrie fjalësh – dhe kjo, jo për ta bërë më të saktë kuptimin shpirtëror të përçapjeve të tij, por për ta ulur këtë kuptim në nivelin patetik njerëzor?
Kjo mbetet një enigmë. Sigurisht, përshtatësi ka shestuar ta çonte historinë e veprës tek një nivel, ku, sipas tij, do të ishte më e aftë të na prekte, ka shestuar të na bëjë të kuptojmë se Kafka nuk ishte ai autori i çuditshëm, demon i absurdit, krijues i sfilitur nga ëndrrat sarkastike, por një gjeni thellësisht i ndjeshëm, veprat e të cilit kanë një kuptim njerëzor të sakaqtë. Qëllim i lëvdueshëm, po cili është rezultati? Miti kompleks i gjeometrit – nga pikëpamja e historisë së tij – është bërë fati mjeran i një njeriu pa punë dhe pa të ardhura, njeri i çrrënjosur, që nuk arrin të pranohet në komunitetin ku dëshiron të jetë. Sa i përket kërkesave që heroi duhet të përballë, pengesave që ndesh dhe që janë jashtë tij (përderisa është tërësisht jashtë vetes dhe si i mërguar prej vetes) mbi këtë plan zhvendosja është e tillë sa duket me të vërtetë qesharake ta shohësh K., si një personazh që flet në mënyrë bombastike, që, duke shprehur me një krizë emocionale gjithçka që ndjen, zemërohet, këlthet, shembet përtokë.
Sigurisht, është kosto e madhe po të kërkosh të bëhesh njerëzor me çdo çmim.
Brodi-i ka qortuar Barrault-Gide se kanë shtrembëruar “Procesi”-n, duke e bërë heroin e tij «një të pafajshëm të persekutuar», kurse romanin «një intrigë policore, ku të arratisur dhe dedektivë ndjekin njëri-tjetrin përmes lojërash me një dramatizim sipërfaqësor.» Po çfarë qortimesh duhej t’i drejtonte vetes pikërisht ai që jo vetëm ka bërë të zhduket ai cen nga fati i K., cen të cilit ky i është përkushtuar, por, e ka tkurrur atë në një luftë të trashë patetike, pa shpresë dhe pa forcë, kundër kundërshtarëve që simbolizojnë botën moderne, kurse kuturisjen e K., e ka çuar jashtë së vërtetës, kuturisje e gabuar, e shenjuar nga ceni madhor i padurimit, i cili, ndërkaq, mu në qendër të gabimit, nuk rresht së shtrituri drejt një qëllimi të madh.
Ç’mund të bëjë një njeri i dhënë i gjithi pas domosdoshmërisë së endjes, një njeri që, për shkak një veprimi të errët, të papërcaktuar, është larguar nga nga vendlindja, ka braktisur komunitetin e vet, është larguar nga gruaja dhe fëmijët, ka humbur dhe vetë kujtimin e tyre? Njeri i mërgimit absolut, i hallakatjes dhe i ndarjes? Njeri që s’ka më botë dhe që, në mungesë të botës, provon të gjejë kushtet për një qëndrim të vërtetë? I tillë është fati i K., dhe ai është shumë i vetëdijshëm për këtë, fat krejt i ndryshëm nga ai i Joseph K., që, me shpërfilljen, indiferencën dhe kënaqësinë e një njeriu që ka garantuar një pozicion të mirë, nuk i vete ndër mend se është fringëllirë jashtë ekzistencës dhe se i gjithë procesi është vetëdijësimi i ngadaltë i këtij përjashtimi radikal, i kësaj vdekjeje, që e ka goditur qysh në zanafillë.
Në dramën e Brod-it, si me magji, është zhdukur e gjitha kjo frymë e veprës, dhe, si rezultat i panatyrshmërisë së patetikes, apo humanizimit, është zhdukur e gjitha ajo që e bën atë tronditëse, dhe, në fakt, edhe shumë njerëzore, por përmes një emocioni që fshihet, që i refuzon britmat, afshin, qurravitjet e kota, emocion ky që realizohet përmes një refuzimi të heshtur dhe një lloj indiference të ftohtë në raportin që krijohet me humbjen e të gjithë jetës së brendshme, plagës zanafillore, pa të cilën s’mund të kuptohet ai kërkim që i jep gjallëri veprës.
Kësisoj, në dramën e Brodit është zhdukur e gjitha ajo që mund të ishte «pozitive» në vepër – dhe jo vetëm që plani i dytë në të nuk ofron më asnjë drejtim ndaj orvatjeve të endacakut të kërbunjur (“Kështjella”, gjithnjë e më shumë, shfaqet si një përqendrim pushtetesh arbitrare, si një kuintesencë e autoritetit dhe e ligësisë, nën ndikimin dhe frikën e së cilës larvat e katundit zhvillojnë dallaveret e tyre tiranike) – por, për më tepër akoma, ka humbur e gjitha ajo që rrezaton forcë në nivelin e pafuqisë, brenga e vërtetë brendapërbrenda humbjes, vendimi i paepur në gjirin e humbjes së vetvetes, qartësia në natën e zbrazët dhe dallga ku zhduket gjithçka.
Nga vjen kjo? Nga vjen që Brodi, aq i bindur në kuptimin jo nihilist të veprës, nuk i ka dhënë vlerë veçse anës sipërfaqësorisht fatkeqe?

Përktheu: Balil Gjini

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top