Author

Admin - page 19

Admin has 1812 articles published.

FREDERIKU SI M’U SHFAQ/Visar Zhit

in Si e kam njohur Frederik Rreshpjen by

Një kartolinë dhe një kartelë


        Visar Zhiti

Gjithmonë çohem herët
në mëngjes,
por botën
e gjej zgjuar…

Gjithë ditën kam mërmëritur me vete këto vargje të Frederik Rreshpjes, jo vetëm pse ai sot do ishte 84 vjeç, por e kam bërë dhe herë të tjera, i dija këto vargje që kur isha student në qytetin e tij, në Shkodër dhe ai ishte poet i njohur. Pata fatin të bëheshim miq…
Desha të thosha sot diçka për atë, shkruajta gjatë paradites dhe befas më humbën fjalët të gjitha dhe u trishtova.
Kur erdhi mbrëmja, sërish kujtova datëlindjen e tij dhe vargjet e mëngjesit i mërmërita të ndryshuar:

Gjithmonë fle vonë në mbrëmje,
por bota s’është asnjëherë
në gjumë.

Shoh dritat në rrugë dhe plot dritare të ndezura. Ç’kisha humbur, nuk e ribëja dot më. Deshi, pa humbi, po mërmërisja. Dhe kjo s’është vetëm për fjalët. Megjithatë unë kisha shkruar për Frederikun. Ai ishte një humbje e dhimbshme, me thyerje, e shndërruar në poezi…
Në burgologjinë time “Rrugët e ferrit” kam rrëfime nate për atë, ai vjen fantazmë, po risjell njërin:

KARTOLINA NË FERR

​- Po kjo kartolinë armiqësore dërguar poetit armik Frederik Rreshpja? – Hetuesi tundte një kartolinë, e vetmja gjë me ngjyra aty, që nga ajo dhomë shkretane, në korridorin e gjatë dhe të errët e deri te biruca jote. Por ajo ulërimë e papërcaktuar nga vinte ashtu? Ti mbaje vesh për ta gjetur dhe shqetësimi shtohej. Zjarrmia e ulërima nga s’avitej, qasej, derisa e kuptoje se ishte tjetër, jo ajo te birucat e anës sate, as e asaj, e treta nga këtej, por ishte brenda te ti. Të erdhi radha të ulërish. Ndërsa hetuesi mbante në dorë një copë nga ulërima, me ngjyra, e ruajtur mirë, me fanatizëm, një kartolinë me të cilën një Vit të Ri të shkuar, kur kishte të tillë, të largët, apo që s’kishin ardhur ende, uroja një njeri.​
​- A mund ta shoh? – thashë.
​- Patjetër, është e drejta jote, – ma zgjati kartolinën hetuesi, duke kujtuar se desha të shihja vërtetësinë e saj, teksa nga buzët e tij derdhej ngazëllimi që të jep prova e pakundërshtueshme, aq e çmuar dhe po aq e panevojshme, por boll që i shton andrallat të hetuarit.
Në të vërtetë unë desha ta shihja për të përftuar një çast timin, të përjetoja të shkruarit, fjalët, vajtjen në postë dikur, ngjyrat e kartolinës, etj.
​- Yti është shkrimi? – u bë i vëmendshëm hetuesi.
​- Patjetër, – buzëqesha, – por s’ia kisha dërguar organeve të Sigurimit. Ç’do kjo këtu?
​- Atë e dimë ne! Mos harro, ta kam thënë, jo vetëm unë, por edhe polici më i rëndomtë, pyetjet i bëjmë ne dhe jo ti, aq më keq kur ato janë edhe provokuese. Kemi konfiskuar 32 fletore nga ato të tuat. I mori një koleg yni gjatë kontrollit në shtëpinë tënde në Lushnjë, një kalendar, 4 blloqe, ditarë, poezi, prozë. Dhe 5 fletore të tjera të kapura atje ku punoje, në fshatin Vilë. Në rregull?
​(- Obobo! – thashë me vete.)
​- Jemi duke i studiuar. Nuk të kemi arrestuar gabim.
​- Por këto që përmendët, i keni marrë pasi më arrestuat, – kundërshtova i pafuqishëm. – Pra, provat tani po i kërkoni, tani. Nuk është e drejtë, – rënkova.
​- Po i shtojmë provat, i pandehur, – bërtiti. – Dhe drejtësinë e vendosim ne! I kemi dhënë dhe për ekspertizë tjetër dorëshkrimet e tua, ditarët. Do të ta them edhe se kujt. Një profesorit tënd në Shkodër, ka qenë edhe imi, gjuhëtar i njohur. Shef katedre…
​Ndjeva hidhësirë në gjuhë. Dhe zhgënjim. Po ai pse m’i thoshte emrat? Që dhe unë ta kisha të lehtë të thosha emra? T’u kundërvihesha. Nëse ishin profesorë të mi, unë nuk jam student i tyre…
​- E ç’do të bëhet…? – mërmërita i hutuar.
​- Me profesorin, me ty, me ditarët? – më hetoi hetuesi buzagaz. – I ruajmë ne më mirë… të gjitha. As kur të lirohesh nga burgu, nuk do t’i kesh.
​- Është vendosur “burgu” për mua?
​- Po. Nga ti varet masa e dënimit. Sikur një ditë të dalësh më parë, s’është pak. Na ndihmo, të të ndihmojmë. Po nuk kuptove, ka edhe metoda të tjera. Më kupton?… Vazhdojmë. E lexove kartolinën tënde? – dhe ma mori vrik me merakun se mos unë e zhdukja provën, e haja p.sh., si në një roman të realizmit socialist. – Të ta lexoj unë?… Të kujtohet?
​- Po.
​- E di që Frederik Rreshpen do të ta sjellim dëshmitar që nga burgu politik, ku është? Të ka marrë malli për miqtë e tu? Vazhdo mbroji. – Hetuesi u bë i rreptë. Shpejt e shpejt hapi një dosje tjetër nga ato që kishte shpërndarë mbi tryezë, në fakt s’kishte nevojë për aq shumë, por që të ndihesha sa më i sulmuar. – Këtu kam ekspertizën që i ka bërë objektit-kartolinë shkrimtari Th. F. Ndër të tjera, ai thotë se qysh nuk u gëzuaka shkrimtari te ne?! Pse, nuk e gëzon shkrimtarin në socializëm rendimenti i lartë i grurit, shtimi i qumështit të lopëve në kooperativat bujqësore? “Të uroj romane mermeri”, shkruan ti dhe ekspertizuesi e zbërthen: Mermeri është nëpër varre dhe i ftohtë. Pra, ke bërë urim që ndjell vdekje.
​- Është edhe te varret e dëshmorëve, – e ndërpreva. – Ata janë gjallë përjetësisht. Edhe te statujat e udhëheqësit e…
​Hetuesi ndali. Picërroi sytë. Mbase mendoi modifikimet në akuzë, por edhe unë përgjigjet e tilla t’i lija për në gjyq. Hetuesi vendosi të më shpartallonte aty për aty, edhe fizikisht, po u desh.
​- Pse nuk gëzohet shkrimtari te ne? – të pyes. Përgjigju dhe mos dredho! – m’u vërsul tërë hakërrima. – Të duruam shumë! I poshtër! Maskara! Dredharak! Qelbësirë! Pse nuk gëzohet, pse? – Po bërtiste aq shumë, sa po tmerrohesha, për fjalën “gëzim” po përdoreshin të kundërtat e saj, sharje, nëpërkëmbje, pranga. – I biri tët eti! Ti… – më shkundulloi. S’doja të dëgjoja, kur më shante babanë. Të paktën të shpëtoja pa ma sharë nënën këtë radhë. – Fol, f-o-o-o-l! Çohu në këmbë! Jo, ulu. Çohu! Ulu, ulu! Poshtë e më poshtë ti! Shpjego, pse nuk gëzohet shkrimtari te ne. Çohu, – më kapi nga jaka e mbetur. E shqeu edhe atë. – Ulu! – Dihaste, kërcëllinte dhëmbët e veta e të miat kur më rrotullonte nofullën e ënjtur. Ulu-çohu! Ulu-çohu! Uuuuuuçççççç!
​- P-o-o, si? Shpjegohu! Dalja e një libri nuk e gëzuaka shkrimtarin?!
​- Po fillon tortura për librin tjetër, prandaj, – përçarta.
​- Jo, ende s’i kemi filluar torturat, por do t’i fillojmë, po vazhdove kështu, me sofizma…

* * *

Dhe i lashë kujtimet e tjera, portretin, mitomaninë, aq të bukur për në skrivani, po aq e rrezikshme larg saj, që armiq i shtoi Fredit, thyerjet dhe zhgënjimet dhe humbjet, takimet në liri që i ngjanin lirisë, mashtrimeve të saj, etj, etj. Frederik Rreshpja i braktisur, edhe nga vetja.
Do të ishte një i ri nga qyteti i tij, Shkodra, shkrimtari Shpetim Kelmendi, biri i një bashkëvuajtësi burgjeve, që do t’i gjendej pranë si strehë dhe bukë dhe shpirt…
Por po hap një libër tjetër, një sprovë imja e gjatë, për një detyrim kujtesës kolektive:

KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR


Ja, dhe kartela e pakët për poetin
Frederik Rreshpja,
(1940 – 2006)

Kur mua më çuan në Spaç, ai u lirua, kështu që s’u ripamë dot në burg. Kishim qenë shumë miq: unë sudent në Shkodër dhe ai poet i njohur. Atëhere më dukej si i pakallur ende në burg dhe jashtë tij si i padalë ende nga burgu.

Dukagjinas i lindur në Shkodër në vitin 1940. Bëri dhe gjimnazin po në Shkodër dhe me korrrespondencë ndoqi studimet universitare pedagogjike në Tiranë, teksa punonte në Gjendjen Civile në Dajç të Bregut të Bunës e më vonë në Shkodër si përgjegjës kulture në Kombinatin e Drurit.
Në vitin 1967 del përmbledhja e tij poetike “Rapsodi shqiptare” dhe më pas disa libra për fëmijë. Romani i parë “Zëri i largët i kasolles” 1972 si dhe drama e parë “Ëndrra e tokës”. Përsëri poezi, “Në këtë qytet”, 1973. Në vitin 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi “për shkak të qëndrimeve të autorit”. Arrestohet dhe dënohet me 4 vjet burg, që në Shqipëri shihej si dënim jo i rëndë. Pasi del, e ridënojnë me nene të tjera ordinere.
Në vitin postdiktatorial 1991, Frederiku bëhet kryeredaktor i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste në Shkodër si dhe kandidat për deputet i po kësaj partie. Vjen në Tiranë në vitin 1992 dhe bëhet themelues e pronar i shtypshkronjës “Europa” si dhe drejtor i revistës po me këtë emër. Shtyp dhe trakte kundër qeverisë. Falimenton me gjithçka, përveçse me poezinë. Bie në një varfëri të skajshme, teksa shkruan vargjet më të bukura në jetë, me një trishtim brilant, me një hënë që vezullon si plagë.
Takoheshim sërish, kur burgu na e kishte thyer të dikurshmen. Në 1994 nxjerr librin “Erdhi ora të vdes përsëri”.

Unë kam qenë trishtimi i botës.
…erdhi ora të vdes përsëri.

Më pas boton “Lirika”, 1996, “Vetmi” në 2004. Poezi antologjike. Dhe ashtu vdes në vetmi në shkurt të vitit 2006. Prehet në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.
Poezia e tij duket si e shkruar pas vdekjes, me një bukuri mortore, farfuritëse, me metafora dëshpëruese qe të këpusin shpirtin edhe duke mos shkruar asgjë për burgun e tij. Fjala kumbon si në një pus me qiell, ku lëkundet e pasqyruar një copëz eliptike stine: ​

​ ...e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art…

Ai ka shumë vetmi dhe asgjë më shumë se veten. Duken flatrat e thyera prej allçie të engjëllit mbi shpinën e kërrusur të një demoni të mirë, që sikur pyet me shpoti: Erdhi ora të ngjallem përsëri?

Librashitësi-Rozafa Shpuza

in Letërsi/Tharm by

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Kapakë historish të zverdhuna
stivon përditë n’thembër t’bulevardit,
e njajtë me drojen e Akilit
i ruhet zhumhurit të hapave që u shkojnë përbri.
Titujt janë rrokë ndërvedi
teksa n’epilog feks nji çmim i korrigjuem përçudshëm.
Librashitësi përkulet mbi ta
e njashtu i ulun kacuk
ledhaton ngeshëm personazhet
që rreken me u rinjallë
sa herë era shpalos fletët e dekorueme
prej trillime tejash tekanjoze.
Në t’errun
ngarkon kaliboç historitë e bjerruna
bashkë me brengën e personazheve që as sot
s’mujtën me u arratisë prej kutisë me mbishkrimin “fragile”…

Duke kërkuar një rrugë që të mbajë emrin tim-Izet Sarajlić

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Duke kërkuar një rrugë që të mbajë emrin tim-Izet Sarajlić

Ecejakem nëpër qytetin e rinisë sonë
duke kërkuar një rrugë që të mbajë emrin tim.

Rrugët e gjera e të zhurmshme –
ua lë titanëve të historisë.

Çfarë bëja unë ndërkohë që historia çante përpara?
Thjesht të doja ty.

Po kërkoj një rrugë të vogël, modeste, të përditshme,
përmes së cilës, krejt të padukshëm,
ne të endemi pas vdekjes.

Së pari nuk duhet të jetë shumë e gjelbër,
madje as të ketë zogjtë e saj.

E rëndësishme është që në të
çdo burrë apo qen që arratiset të mund të gjejë strehë.

Do të ishte mirë sikur të ishte e shtruar,
por në fund të fundit, kjo nuk është më e rëndësishmja.

Më e rëndësishmja është
se në rrugën që mban emrin tim
askujt, askurrë, nuk do t’i bëjnë keq.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Si mund të zhvillojnë mendim kritik nxënësit shqiptarë, kur mësuesit e tyre duartrokasin me gif-te gjithë pathos kryeministrin e vendit/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!

             Arlinda Guma

Para disa vitesh, në ditën botërore të librit, isha e ftuar nga një prej universiteteve të vendit në një takim me studentë. Midis gjërave që më bënë përshtypje në atë takim ishte fakti që pedagogia që drejtonte takimin, herë pas here u tërhiqte vëmendjen studentëve për mënyren sesi duhej të rrinin. Meqënëse kjo gjë u përsërit shpesh, iu drejtova pedagoges me ton miqësor se unë i urreja protokollet, se për mua ai ishte një takim joformal dhe se studentët mund të rrinin si të donin, madje mund të uleshin edhe mbi tavolina nëse ashtu do të ndiheshin më rehat, se këto fjalë po i thoshte një autore që i kishte thyer të gjitha rregullat e mundshme; një autore që nuk i ishte përmbajtur asnjë rregulli klasik për shkrimin e një romani, ndaj dhe takimin me ata studentë e mendonte të tillë.
– Jo, jo, nuk mund të ulen mbi tavolina, – m’u përgjigj pedagogia me njëfarë alarmi dhe unë pastaj heshta. – Mbase do më tërheqë vemendjen edhe mua që “nuk po rri mirë”, – thashë me vete duke nënqeshur lehtë dhe u mbështeta drejt në karrige, me qëndrimin e një studenteje shembullore që mëson përmendësh dhe që zysha e do shumë.
M’u kujtua ky episod këto kohë kur lexova për rezultatin e testit të Pisa-s për nxënësit shqiptarë; që ata kanë zero kreativitet, zero mendim kritik, e shumë zero të tjera.
Por gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte habia e madhe që shkaktoi ky lajm te i madh e i vogël. Një habi madje edhe prej vetë individëve të cilët punojnë brenda këtij sistemi.
Po si mund të zhvillojnë mendim kritik nxënësit shqiptarë, kur mësuesit e tyre duatrokasin me gif-te gjithë pathos kryeministrin e vendit?
Diku ata do të jenë duke marrë shembull… Dhe ku ka shembull më të mirë se ai i mësuesve të tyre?
E përmenda episodin me studentët pak më lart për të nxjerrë në pah ngurtësinë e shkollës shqiptare, formalitetin dhe sipërfaqësinë e saj.
Por shkolla shqiptare është e tillë sepse e tillë është e gjithë shoqëria shqiptare dhe sipër të gjitha këtyre dukurive, si qershia mbi tortë, qëndron represioni i politikës.
Mësuesit shqiptarë duhet të ruajnë vendin e punës me anë të komenteve ekzaltuese që duhet t’i shkruajnë kryeministrit të vendit te faqja e tij në facebook dhe me anë të share-ve. Kryeministri nuk ka asnjë gabim, ai nuk ka asnjë defekt, ai është drita që ndriçon, dielli që verbon, e të tjera e të tjera. Them se më të virtytshmëve u vjen turp për atë që janë të detyruar të bëjnë, ndaj shpesh mjaftohen vetëm me gif-te.
Nga këto komente, nxënësit shqiptarë marrin shembull sesi duhet të sillen në jetë. Sesi duhet të manovrojnë. Se testi i Pisa-s të merr të keqen po e pate mirë me qeverinë dhe kryeministrin.
E në gjithë këtë atmosferë entuziazmi të simuluar, si mund ta zhvillojnë ata mendimin kritik?
Pse nxënësit shqiptarë janë të shkëlqyer në teknologji? Pra, atyre nuk u mungon intelekti, inteligjenca natyrale, por nuk kanë askënd që t’i orientojë, që t’ua drejtojë këtë inteligjencë në hullite e kultivimit. Nuk kanë askënd që t’ua bëjë lëndën më të gjallë dhe interesante, duke dalë nga klisheja e vjetër e autoritetit të mësuesit.
Në ditët pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, kur nëpër televizione ishin të ftuar gjithfarë “akademikësh” që flisnin edhe këta gjithë pathos për të ndjerin, më bëri përshtypje një pedagoge, besoj e letrave, pa dyshim. Asaj iu drejtua një pyetje mbi romanin “Dimri i madh” e konkretisht për figurën e Enver Hoxhës, dhe ajo filloi të fliste “rrjedhshëm” dhe me një pathos të frikshëm për skalitjen e kësaj figure në roman. E ekzaltuar, ajo e justifikonte shkrimtarin, nuk gjente asgjë që t’i vriste syrin në synimin e autorit ndaj personazhit të Hoxhës, në një kohë kur vetë Ismail Kadare në një intervistë për një media të huaj ka thënë qartë se romani “Dimri i madh” ishte haraçi që ai duhej t’i paguante diktatorit në mënyrë që ky i fundit ta linte të lirë për të shkruar vepra të tjera. E kur këtë gjë e ka deklaruar vetë shkrimtari, pse pedagogia, në mënyrë fare të panevojshme, e justifikonte për një gjë që ai e kishte pranuar hapur se ishte kompromis? 
Ja pra, kjo është shkolla shqiptare! Kjo është pedagogia që duhet t’u stimulojë studentëve mendimin kritik! Kjo është ajo mendësia tipike primitive se kur vdes një njeri publik ne duhet t’ia retushojmë defektet dhe duhet ta kandisim në një njeri pa asnjë nuancë në personalitet, në një njeri të mirë; të mirë deri në mërzi, madje edhe kundra dëshirës së tij.
Kur vdes një njeri publik, një shoqëri e guximshme, e drejte dhe emancipuar, i nxjerr në pah edhe vlerat por edhe dritëhijet. Në mënyrë që fëmijët në librat e tyre mësimorë të mos edukohen me pallavra e shembuj të rremë, por të guxojnë ta shohin të vërtetën në sy dhe të mësojnë se asnjë njeri nuk është bardh e zi. Se shpesh personalitetet e famshme të fushave të ndryshme të shoqërisë kanë edhe ata kontroversialitetin e tyre, anët e tyre të errëta, deri edhe mëkatet e tyre.
Por shoqëria shqiptare refuzon t’i shohë këto dhe e gjithë kjo pasqyrohet në shkollë, në mendësinë inferiore të vetë mësuesve dhe pedagogëve.
Shkolla shqiptare nuk ka liri, ashtu siç nuk ka liri vetë shoqëria shqiptare. Ajo është vetëcensuruese ashtu siç është vetëcensuruese shoqëria shqiptare. Dhe mendimi kritik e krijues mbi të gjitha kërkon liri. Kërkon edhe lexime skrupuloze nga vetë mësuesit. Përgjithësisht autorët që analizojnë këta mësues në gjimnaz janë të rëndomtë. (Madje, para disa viteve, në provimet e lirimit të lëndës së letërsisë, ishte përfshirë dhe një autor banal si Albatrosi.)
Këta mësues dhe pedagogë po i plakin para kohe këta të rinj, dhe këta qeveritarë po i mbysin këta mësues dhe pedagogë me militantizmin, like-t dhe share-t, që ua kërkojnë si haraç në këmbim të vendit të punës. Dhe ata mësues që janë të gatshëm për like, share e komente stratosferike, shpesh janë të paaftë për mësimdhënie dhe me një nivel intelektual të cunguar. Është një rreth i tërë vicioz, i cili, si rrejedhojë, prodhon produktin që konstatoi Pisa. Shoqëria shqiptare është e pamësuar me mendimin kritik, ajo e sheh shtrembër individin që rebelohet, individin që kritikon. Nëse publikon një shkrim kritik për qeverinë, njëqind kushërinj e të njohur që kanë zënë një vend të rehatshëm në administratën shtetërore do të të shohin sikur u ke vrarë babain shpirtëror, sikur u ke ekzekutuar idhullin!
Si krijuese e revistës defekt-teknik prej gjashtë vitesh, sa herë që hyj te statistikat e leximeve, më bën përshtypje fakti që shpesh, vizitorë të ndryshëm hyjnë te faqja e saj për të marrë esé të gatshme për X autor. E kam përmendur shumë herë, por mësuesit dhe pedagogët shqiptarë shqetësohen për faktin sesi rrinë studentët në karrige dhe aspak për faktin se ata kërkojnë esé të gatshme.
Nëse ndonjëherë do zhvilloja një takim tjetër me studentë, e para gjë që do t’u thosha do të ishte që të mos u binden verbërisht autoritetit të pedagogëve dhe në rastet kur mendojnë se ata nuk kanë të drejtë, ta shprehin hapur këtë kundërshtim. Të shprehen hapur kundër çfarëdolloj autoriteti! Mbi të gjitha ndaj atij qeverisës! Sepse pikërisht këtu fillon ai mendimi kritik! Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!
Në fund do ta mbyll me një tjetër episod, disi më optimist, prej takimit tim me studentët e atij universiteti.
Ndërkohë që unë u përgjigjesha pyetjeve të studentëve, shihja njërin prej tyre në tavolinën e fundit që vazhdimisht shkruante. Natyrisht mendova se ai nuk duhej të ishte aty për takimin. Dhe kur mbaruam e ai u afrua dhe më kërkoi një autograf, e pyeta se çfarë po shkruante.
– Jam student ekonomiku, – më tha me çiltërsi.
Qesha.
– Epo, nuk do kuptosh shumë nga ky libër, nuk para kam lexues ekonomistë, – i thashë.
– Jo, – ma ktheu ai me vetëbesim të lartë, – po lexoj Frojdin, më pëlqen Hygoi…
I shkrova autografin dhe i zgjata librin.
– Ka shpresë, – thashë me vete.
(E gjithë çështja është nëse këta autorë i kanë lexuar vërtet edhe mesuesit dhe pedagogët e tyre. Dhe nëse po, me ç’mend i kanë lexuar? Shpresoj jo me pathosin dhe me ekzaltimin qesharak të pedagoges që fliste në televizor.)
Të rinjtë shqiptarë nuk kanë asgjë që t’i bëjë të ndihen inferiorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre europianë. Atyre thjesht u mungon dikush që t’i orientojë, që t’i motivojë, që t’i frymëzojë teksa u flet për fuqinë e një ideje.

11 Korrik, 2024

©Arlinda Guma

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, “Bob Legjenda” – 2021 dhe “Marksi ka humbur kujtesën” – 2025. Ajo është krijuese e revistës defekt-teknik.com

Maskat-Ezra Pound

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Maskat-Ezra Pound

Këto përrallat për maskimet e vjetra, a nuk janë
Mite të çuditshme të shpirtrave që u gjendën mes tyre
Njerëz të paditur që flisnin një gjuhë të ashpër
Një shpirt që nuk do ta harronin nga të gjithë të tjerët
Hapësirë e yjëzuar akrash e një ngastre të mëparshme
Aty ku ai vërtitej në rrugën e tij të pakufishme mes reve,
Ose, mishëruar me vëllezërit e tij të mëdhenj, këndonte
A do të flasin krijuesit e baladës për Camelot-in?

Këngëtarë të vjetër, gjysmë të harruar nga meloditë e tyre,
Piktorë të vjetër, ngjyrë-verbët, kthehen edhe një herë,
Poetë të vjetër, të pashkathët në germat e zemrës së erës,
Magjistarë të vjetër që u mungon mrekullia e tyre:

Të gjithë ata që me trishtimin e çuditshëm në sy
Meditojnë në heshtje se cili është misteri i universit.

 
Përktheu: Arlinda Guma

Për poezinë “Metrazh i lajthitur” të poetes Herman Çuka

in Letërsi by

Defekt-teknik i kërkoi poetes Desantila Qerimaj Rranxa të zgjidhte një prej shkrimeve të publikuara në këtë revistë dhe mbi të do të ndërtohej një recensë në formë bisede nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve.
Ajo zgjodhi poezinë “Metrazh i lajthitur” të poetes Herman Çuka.

  Desantila Qerimaj Rranxa

Arlinda Guma: Pse zgjodhët pikërisht poeten Herman Çuka, çfarë ju ngacmon tek ajo? Dhe pse pikërisht këtë poezi?

Desantila Qerimaj Rranxa: Mund të ketë dy vjet që kam lexue poezitë e Herman Çukëss në rrjetet sociale. Në morinë e poezive që lexojmë tashma përditë, vargu i Hermanit ka vetinë t’më rikthehet nëpër mend. Edhe orë mbasi e kam lexue, vargu i saj më kujtohet gjatë aktiviteteve të mia të përditshme, si rrjedhojë, ajo asht kthye natyrshëm në nji poete të paharrueshme për mue. Ndërkohë që lexoja për net me radhë në “Defekt Teknik” materialet për këtë rubrikë, zgjodha Herman Çukan për fuqinë e saj shprehëse, perceptimet ndjesore, shtjellimin e ndjenjave, situatat emocionale e sociale, mesazhet e imazhet e botës. Zgjodha këtë poezi për “trillimin” e imagjinatës, si teknikë poetike me orientue lexuesin drejt perceptimesh të holla psikologjike të njeriut e dramës së tij. Më tërhoqën imazhet, situatat dhe e mbrendshmja e personazheve, shtjellue në shumë fushëplane kuptimi. Ka momente që imagjinata e poetes çon në përfundime mbi situatat që shpreh, po aq sa të krijon idenë se këto përfundime mund të jenë krejtësisht të mendueme ndryshe prej poetes. Pra, për këtë poezi mund të flitet shumë.

Arlinda Guma: Ka poetë që ndërtojnë poezi me lojra fjalësh dhe kur ti e mbaron së lexuari ajo nuk të lë asgjë në kujtesë, në të kundërt poetë të tjërë vënë fabulën në qendër të poezisë. Çfarë mendimi keni për këtë?

Desantila Qerimaj Rranxa: Ka raste kur lojnat e fjalëve janë idendjellëse apo kur nji poezi mundet me qëndrue edhe vetëm për nji metaforë, por poezia që të len gjurmë në kujtesë ka nji të vërtetë, nji mesazh specifik apo universal, sidomos nëse zgjon emocione te lexuesi. Te lexuesi i interesuem për poezi të paharrueshme, çfarë ai përjeton emocionalisht prej vargjeve gjatë e mbas leximit asht thelbësorja. Gjithsesi, për sa i përket anës teknike dhe emocionale poetike, janë nji sërë ‘‘rregullash’’, si ritmi, gjuha, struktura poetike, fabula e të tjera që duhet me kenë qëndrueshmënisht në funksion të njena tjetrës. Në “Metrazh i lajthitur” objekti, fotografia (strumbullari i psikologjisë së poezisë) e personazhi Maria, janë shpirti i fabulës, e cila (tue e pa prej nji plani përgjithsues) fillon dhe mbaron me përhapjen dhe zhvillimin e lajthitjes prej vetmisë. Fabula e kësaj poezie lidhet kambë e krye me çdo ind të çdo detaji emocional. Dëshira e Maries për nji fotografi, si bërthamë e fabulës, përcakton zhvillimin e saj e kjo dëshirë asht tjerrja e pëlhurës së Penelopës, dëshira e dëshirës. Këto shtresëzime, si dhe situatat e tjera plotësojnë e fokusojnë personazhin qendror. Me këtë due me thanë që për sa kohë ka nji ndërlidhje të mirë mes fabulës, kuptimit dhe emocionit, për sa kohë që çdo ind i poezisë i përgjigjet mesazhit kryesor, ‘‘lajthitjes’’ në këtë rast, atëherë krijohet nji poezi me peshë emocionale, kuptimore dhe të paharrueshme. Çdo ‘‘presje’’ kuptimore dhe presje stilistike, duhet të jëtë në funksion të të gjithës. Kjo poezi e arrin ma së miri këtë.

Arlinda Guma: Kjo poezi më krijon idenë e një minifilmi të vogël. Ndoshta do të rrinte mirë edhe si shfaqje teatrale. Apo si ndonjë muzikal.

Desantila Qerimaj Rranxa: Vetë fjala “metrazh”, si fjalë e parë e poezisë na prezanton me idenë e filmit. Imazhet kanë karakteristika vërtet të veçanta. Kemi burrin me një frak të zi/një lule të kuqe /në jakën alla vittoriane, i cili na hedh në nji kohë të gati dy shekujve ma parë, kemi gruen nudo, e cila edhe ajo, me ombrellë të mëndafshtë marrë nga gratë e Monesë, na shpërngul në imazhe e piktura të shekullit të kaluem. Po ashtu shpërngulet imagjinata edhe me imazhin e grues veshur me kombinezon kuq/si te Mouline Rouge. Këtë herë në Paris, ndoshta, me idenë e Parisit të “lajthitun”. Shuma e këtyne imazheve dhe objektet si ombrella, kombinezoni, ma vonë këmisha e Maries, kuvlia e qela, krijojnë skena gati-gati të mendueme për film. Edhe koha në këto imazhe shpjegon ndërlidhjen me tematikën e lajthitjes. Skandalet jashtëmartësore banin shumë bujë në kohët viktoriane. Kemi Mouline Rouge, veshje të kuqe e të zjarrtë, si konotacion me aktivitete bohemiane, ndërsa grueja nudo në ballkon në shi e diell, sigurisht, asht bujë. Këto detaje më japin idenë se kjo poezi mund t’ishte nji film i shkurtër bashkëkohor pa zá ku në fund të tij shkruhen vetëm vargjet Si, s’më bëri edhe mua një fotografi/lakuriq! sepse sapo shfaqet Maria, këto imazhe e çdo mekanizëm i poezisë ngulmojnë n’idenë se gjithçka sillet rreth saj, çdo detaj asht sfond ku prima donna… asht Maria.

Arlinda Guma: Ç’personazh karizmatik, Maria!… E kam shumë të gjallë para syve…

Desantila Qerimaj Rranxa: Maria asht personazh i ndërlikuem në krizat e saj ekzistenciale e po në të njajtën mënyrë e drejtpërdrejtë. Mbi Marian, ka vend për nji gamë percaktimesh që burojnë prej “krizës” së fotografisë prej momentit kur I bie pika që (ai) s’i bën një fotografi, deri në vargun e fundit. Edhe gratë e tjera në poezi janë estetika që ndihmon në shqyrtimin e Marias, sepse esenca e këtyne grave/imazh asht surreale. Me këtë due të them që perceptimet shpirtnore e ndjesore, ose dëshirore, janë reale, ndërkohë që perceptimet pamore të grave të tjera mbajnë domethanie surreale, meqë kuptimi i tyne asht i shkëputun prej kohnash të tjera dhe me detaje të marruna prej nji realiteti tjetër. Prandaj në këto plane krahasuese Maria nuk asht nji vizion-andërr apo plotësim për kuptimësinë e poezisë por gjallnia, e sotmja, poezia vetë. Në nji kandvështrim tjetër, lind pyetja a asht Maria e vëtëdijshme për ekzistencën e saj si nji ironi dramatike, kur dëshpërimi i saj përligjet vetëm me faktin së ajo nuk merr nji fotografi? Ky konflikt e krijon atë si nji personazh karizmatik, me gjallni emocionale të madhe por edhe me ambiguitet konceptual. Mbrenda Marias mishërohet sa filozofia e kaosit emocional e shpirtnor, aq edhe folozofia e kaosit seksual, ndaj tërheqja m’e kuptue e kjartësue vetëdijen dhe nënvëtedijen e saj asht magnetike.

Arlinda Guma: Poetja Herman Çuka ka pasion edhe pikturën. Mendoni se kjo ndihet edhe në këtë poezi? Në mënyrën sesi e ka vizatuar skenën?

Desantila Qerimaj Rranxa: Teknika poetike e Hermanit ka shpesh skena që të kujtojnë pikturën. Për shembull, në poezinë “Aromë” ajo përdor (si te “Metrazh i lajthitur”) imazhin e objektin, respektivisht natyrën dhe kafshën me përçue mesazhe universale apo “fabulën” e vëzhguesit. Skena e poezisë “Aromë” fokusohet në ndjesinë e nji dashnie të madhe për tokën e bukurinë e saj, kafshët në lidhje me këtë bukuri, atdheun, shtëpinë e përkatësinë me tokën. Edhe tek “Metrazh i lajthitur” poetja, e ndame prej “unit”, vetës së parë, të jep përshtypjen e vëzhgueses prej jashtë, dhe kjo përforcon faktin se ajo po studion sfondin si nji piktore, që mandej i shton pikturës jetë me fjalën. Në disa piktura të Herman Çukës, të shpërndame në rrjetet sociale ndihet impresionizmi. Edhe poezia, fillon me nji ndër përfaqsuesit ma të njoftun të kësaj rryme të artit, Monet, ndaj lexuesi, qysh në vargjet e para e ndien pikturën si pjesë të pashmangshme të poezisë. Mund ta imagjinojmë Çukën tue vëzhgue imazhet e pozicionimin e tyre para procesit të shkrimit ndërkohë që peshon dhe kombinon sfondin e saj goditës si truell të poezisë. Me fjalët e Rudian Zekthit mbi artin Qoftë i vëzhguar nga një pikë së jashtmi, qoftë i vëzhguar nga një pikë së brendshmi, sfondi është i pashmangshëm si truall i vatrës ku është drejtuar vëzhgimi. (Rudian, Zekthi, Vëzhgimi pa sfond, 2012, fq. 19) Gjatë poezisë, së jashtmi vëzhgon poetja, ndërsa pulsi asht Maria, e cila ka nevoje për sfondin që shohim për me krijue Marian. Në kontekstin artistik, pra të pikturës, sfondi i kësaj poezie asht truell i vëzhgimit, e Çuka, piktorja që luen me imazhet e saj tue i kthye ato në “tablo”. Në kontekstin poetik, ky truell asht i domosdoshëm me zhvillue tendosjen emocionale të personazhit kryesor, ndërsa kjo e fundit e lëviz vrullshëm jetën, tablonë në mbrendësi.

Arlinda Guma: Prifti e mbylli botën në kuvli, thotë Çuka në pjesën e dytë të poezisë. Ka një liri të harlisur në mënyrën sesi rrjedh fabula…

Desantila Qerimaj Rranxa: Tue përdorë alegorinë, poetja na kujton çastet kur bota asht e lodhshme për çdo njeri. Aq sa asht bota heretike për priftin, aq asht prifti heretik për botën. Prifti  I vetëm, për meshën mbylli botën kuvli. Duket se bota duhet m’u ndrye në “pranga” për me dalë në pah lajthitja ose, e pame në nji botkuptim tjetër, liria e “mohueme” e priftit. ‘I vetëm”, “grushti” i tij i drejtohet botës që ka sy të keq heretik, sepse bota nuk ia lejon harlisjen. Por, në kandvështrimin e titullit të poezisë, kjo asht lajthitje, edhe pse këtu mbizotnon instinkti primordial i njeriut, kënaqësia, molla e ndalueme, nji çast ku shuhen edhe rregullat shpirtnore, edhe ato sociale. Ndërkohë që fabula rrjedh, të gjithë personazhet e poezisë janë të “shuem” e të vetmuem. Asnji prej tyne nuk e merr parasyesh botën e rregullat konvencionale të saj. Poezia fokusohet kështu te lëkundja emocionale që vjen prej presionit që bota shkakton si nji hallakatje mes personales e së jashtmes. Mbas aktit seksual, Maria e prifti të përhumbur prej rrëfimit të ngushëllimit, kanë fuqinë të shpjegojnë se realiteti mbizotnues këtu asht vetmia dhe instinkti carnal.

Arlinda Guma: O janë të braktisura, o janë të dashuruara, vazhdon të përsëritë Maria me xhelozinë e saj gati fëminore… Duket sikur poetja, nëpërmjet përsëritjes së këtyre dy vargjeve, përpiqet të kapë të pakapshmen në marrëdhënien e një çifti… Dhe duket sikur kjo e pakapshme rezulton më shumë groteske sesa dramatike…

Desantila Qerimaj Rranxa: Grotesku i këtyne vargjeve qëndron në faktin se e braktisun asht Maria. Por ne nuk kemi informacion nëse vetëdija e saj e pranon këtë, ma shum’ ndihet sikur ajo e zhyt në nji skaj të padukshëm të nënvetëdijes faktin që fjalët O janë të braktisura, o janë të dashuruara, drejtue grave të tjera, i përkasin vetë asaj. Këtu e pakapshpmja qëndron në nji nivel me groteskun. Maria ngjan aq e sinqertë kur ripërsëritet, si fëmija kambëngulës që nuk beson se kuklla e vet nuk flet, ose beson në mrekulli, thue se diçka ka m’e u përmbysë dhe realiteti ka m’e u deformue dhe kuklla ka me folë. E harrueme prej artistit të dehun ajo nuk merr përgjigje/duke I dalë para aparatit, me shpresën m’e u identifikue me pikën e vetme të tërheqjes për burrin me jakën viktoriane. Këtu tregohet kjartë, që në marrëdhanien e këtij çifti, s’ka asgjá të kapshme, gjithçka asht jokonform mes tyne ndaj edhe xhelozia nji gjasend, ballafaqim me boshësi. Akti i vogël e i thjeshtë, si marrja në fotografi, rezulton i pamundun, qesharak, e kthimi i këtij akti në injorim prej njeriut që personazhi qendror dëshiron bahet marshi i harlisjes të fabulës.

Arlinda Guma: Këtëu kemi një version skenik të jetës, me të gjitha lajthitjet, rropullitë, kontradiktat që mbart ajo, e padruajtur përballë spektatorit…

Desantila Qerimaj Rranxa: Po, poezia asht përzimje elektrizuese personazhesh, imazhesh e situatash. Sa ma shum’ që lexohet aq ma hapsinë ka për interpretime kundërshtuese. Sa ma thellë që e mendojmë Marian dhe situatën e saj, priftin dhe heretizmin (siç i konceptuem ma nalt) aq ma shum’ kuptojmë procesin organik të mbrendshëm të personazheve që na drejton për kah realiteti i tyne i padruejtun. Si vëzhguese poetja shfaq principin e lirisë në të shprehun për jetën, pavarësisht sesi liria perceptohet apo asht për spektatorë të ndryshëm. Gjithashtu mbijetesa emocionale dhe integriteti moral i priftit janë elemente të tjerë jo pak të randësishëm në poezi, shprehun pa asnji druejtje përballë spektatorit. Në rropullinë dhe kontradiktat e kësaj poezie qëndron liria me shprehë çdo gjendje njerzore. Druejtja nuk ka vend prej se dëshpërimi e vetmia e secilit përsonazh, në veçanti e Marias dhe e priftit, vënë ndjeshëm në pah probleme ekzistenciale.

Arlinda Guma: Poetja përdor fjalë të vjetra të toskërishtes dhe unë ndonjëherë them me vete se emigrantët e ruajnë më mirë gjuhën shqipe ngaqë ata nuk janë në kontakt me “evolimin” që ka bërë ajo brenda kufijve.

Desantila Qerimaj Rranxa: Ka tendencë të pazakontë, ma së shumti në mediat shqiptare për tjetërsim të fjalëve shqip. Gjuha pa dyshim që evoluon dhe pëson ndryshime por, ajo i ka të domosdoshme edhe rranjët e saj. Në rastin e “Metrazh i lajthitur” duket sikur poetja përdor fjalët “pëqi”, “kuvli”, etj edhe për çështje tingullore në krijim. Nëse e lexojmë poezinë me zá, e zëvendësojmë fjalët e masipërme me fjalët “prehër” dhe “kafaz”, këto të fundit tingëllojnë disi ma të fikuna. Megjithatë, Çuka natyrshëm mban lidhjet me gjuhën, trashëgiminë identitare. Në krijimtarinë e emigrantëve, leksiku mbart shpesh të kaluemen, sepse ka nji ndalesë gjuhësore në jetën e emigrantit; jeta para momentit kur emigrantët ikin prej atdheut, i mbet e freskët në kujtesë me po ato fjalë që janë përdorë e lexue rëndom para ikjes.

Arlinda Guma: Poetja Herman Çuka nuk është botuar në Shqipëri, por në shtetin italian ka marrë çmime. Vetë ajo e neglizhon këtë gjë por unë mendoj se herët a vonë duhet ta bëjë, në mënyrë që të shmangë plagjiaturën e shpeshtë ndaj poezive të saj. Si e mendoni këtë?

Desantila Qerimaj Rranxa: Herman asht poete premtuese ndaj jam e gëzueme për vlerësimet dhe çmimet që ka marrë në vendin ku jeton. Arsyet pse Çuka nuk ka botue në Shqipni mund të jenë të shumta e subjektive. Mendoj se Hermani duhet m’e e botue krijimtarinë e saj në shqip jo vetëm me shmangë plagjiaturën (tashma postimet në rrjetet sociale janë kthye në rrezik për poezitë e pabotueme), por edhe m’i u afrue lexuesit shqiptar përveçse atij italian. E pres me padurim librin poetik të Herman Çukës në shqip!

Arlinda Guma: Mendoni se kjo rubrikë e re në këtë revistë do t’i shërbejë mendimit krijues, gjë që, siç u konstatua nga Pisa, në Shqipëri nuk ekziston fare? (Shpesh kur hyj në statistikat e revistës shoh që vizitorët kërkojnë esé të gatshme për X autor. Pa dyshim studentë…)

Desantila Qerimaj Rranxa: Kur ju Arlinda sugjeruet përzgjedhjen e nji teksti në Defekt Teknik e të flisja rreth tij, nuk e pata të thjeshtë seleksionimin. Kjo m’e theksue se Defekt Teknik asht nji hapsinë me materiale të mira letrare shqiptare e të hueja. Gjej rastin për përgëzimet e urimet e mia jo vetëm për përmbajtjen letrare por edhe për formatin pamor të faqes, e po ashtu edhe për këtë rubrikë, e cila jam e bindun që ka m’e u lexue me interes prej ndjekësve të faqes. Për m’i u rikthye pyetjes në lidhje me rezultatet e PISA-s, fatkeqsisht, 15-vjeçarëve me mungesë mendimi krijues mund të mos i interesojë kjo rubrikë apo faqja Defekt Teknik me esé, poezi, përkthime e të tjera punë serioze të poetëve, kritikëve, studiuesve e shkrimtarëve që meritojnë lexues “kërkues” të vlerave letrare. Rezultatet si të PISA-s tregojnë që 15-vjeçarët tanë nuk kanë pasion leximin apo landën e letërsisë në shkolla, dhe që në kohën e lirë janë larg prej saj. Për ma tepër, këto rezultate tregojnë që mendimi krijues, po ashtu krijimtaria që ka në qendër mendimin kritik, nuk funksionon as në bankat e shkollës fillore, aty ku piksëpari mendimi krijues dhe ai kritik duhet m’e fillue formimin. Për të ardhmen, ky asht nji lajm shqetësues. Le të shpresojmë që gjendja ka me ndryshue sepse përballja me tekste të mira letrare, kishte m’e i ndihmue këto të rinj me zhvillue mendimin, argumentin, lirinë e mendimit e krijimtarinë letrare.

Arlinda Guma: Ju falënderoj!

Desantila Qerimaj Rranxa: Falënderime edhe ju!

______

Bibliografia:

Zekthi, Rudian, Vëzhgimi pa sfond, Shtëpia botuese: dy Lindje dhe dy Perëndime, Tiranë, 2012

    Herman Çuka

      Poezia:

Metrazh i lajthitur-Herman Çuka

 Matanë, një grua nudo, në katin e dytë,
ujit lulet
kur ka a s’ka diell,
me ombrellë të mëndafshtë, marrë nga gratë e Monesë.

Një tjetër i ujit e veshur
në kombinezon të kuq, si te Moulin Rouge,
ndërsa jashtë
bie shi.

Nga pallati përballë,
i fotografon ç’do ditë
një artist i dehur, hedhur sipër një frak
të zi, një lule të kuqe
në jakën alla vittoriane.

...

“O janë të braktisura,
O janë të dashuruara?
Pyet me zë melankolik gruaja
e tij, Maria, pa marrë përgjigje,
duke dalë para aparatit…

I bie pika që (ai) s’i bën një fotografi!

U deh Maria, u deh keq,
shkoi në kishë me këmishë.

I vetëm, prifti për meshën
mbylli botën
në kuvli,
si sy të keq heretik.

Në qelë, mëngjesit,
në pëqi
të njëri-tjerit,
frati
e Maria
përhumbur prej rrëfimit të ngushllimit.

E përsëri tërë dert Maria;
“O janë të dashuruara
O janë të vetmuara,
kanë humbur mendjen!”

Lutej dhe pyeste priftin:
“Si, s’më bëri dhe mua një fotografi lakuriq!”

Imazhi: Truls Espedal

Poezia e recituar nga aktorja Suela Bako

RECENSION PËR BOTIMIN ANGLISHT TË LIBRIT “SHEN PALI NË DYRRACHH” TË PROFESOR THANAS GJIKËS/Joan Pelushi

in Tirana Review by

Joan Pelushi

Studimi i Prof. Thanas L. Gjika “SHËN PALI NË DYRRAH” – Korrigjim i disa shënimeve dhe hartave të Dhiatës së Re është një studim shumë i rëndësishëm për të rizbuluar rrënjët e krishtërimit në Ballkanin Perëndimor. Ai mbush një boshllëk të madh në studimet e historiografisë europiane, duke hedhur dritë në një periudhë pak të njohur të historisë së Shqipërisë në përgjithësi dhe të përhapjes së krishtërimit në fillimet e tij. Ky studim shumëvjeçar është origjinal, sepse siç shprehet dhe vetë autori, në përgjithësi studiuesit e Dhiatës së Re, duke qenë të kualifikuar si teologë, historianë ose tekstologë, nuk i kanë analizuar librat e Dhiatës së Re edhe si objekt historiko-letrar, gjë që e kreu ai për herë të parë me sukses.

Dhiata e Re dëshmon qartë se Apostoli Paul, si dhe shumë bashkëpuntorë të tij, ungjillizuan në viset e Maqedonisë, të Ilirikut, të Epirit dhe Dalmacisë. Në letrën drejtuar besimtarëve të Romës vetë Sh. Pali shkruan: … from Jerusalem and in a circuit as far as Illyricum I have thoroughli preached the good news about the Christ (Rom. 15:19). Titi, bashkëpuntor i Sh. Palit, ungjillizoi, përveç vendeve të tjera edhe në Nicopolis të Epirit (Tit. 3:12) dhe në Dalmaci (2 Tm. 4:10).

Po ashtu, edhe shumë dokumente të vjetër, dëshmojnë për praninë e Apostullit Pal në trojet Ilire në përgjithësi, dhe në Dyrrachium / Dyrrach në veçanti. Sipas disa studjuesve, ai ka qëndruar në Dyrrach në vitet 53-58, kurse në këtë studim saktësohet se ai punoi në Dyrrach dhe në Apollonian e Adriatikut gjatë udhëtimit të tretë misionar në qershor e korrik të vitit 56, dhe se në Dyrrach Pali shkroi letrën kryesore drejtuar besimtarëve të Romës (Rom 1:1-15:33). Po ashtu sqarohet se gjatë udhëtimit të katër apostulli ndali dy herë në Dyrrach: në maj të vitit 62, kur u largua nga Roma drejt Jerusalemit dhe në maj të vitit 63, kur u kthye nga ky udhëtim për në Romë.

Shën Jeronimi, lindur në Iliri rreth viteve 342-347 dhe vdekur në vitin 420, siguron në Letrën e tij nr. 59, se Ungjilli u përhap me Thomain në Indi, me Pjetrin në Romë, me Pain në Ilirik (In omnibus locis versabatur; cum Thoma in India, cum Petro Romae, cum Paulo in Illyrico).

Studiues dhe klerikë të tjerë, ndër shekuj, kanë sjellë dëshmi për praninë e Sh. Palit në trojet Ilire, por ky studim i konkretizon dhe i qartëson akoma më mirë. Disa nga dishepujt apostolikë ndër të Shtatëdhjetët, ishin me origjinë nga Iliriku, vend në të cilin ata ishin të pranishëm në udhëtimet e tyre misionare dhe përmenden më vonë si peshkopë në disa qytete të Ilirikut. Gjithashtu, tradita kishtare dhe gojëdhënat, të ruajtura ndër shekuj në popullin shqiptar, si edhe toponimet e shumta kudo në Shqipëri, që lidhen me veprimtarinë e Sh. Palit, të cilat, trajtuar shkencërisht nga autori, janë të dhëna të rëndësishme dhe nuk mund të shpërfillen. Prania e martirëve të shumtë në shekullin e parë dhe të dytë, si Sh. Cezari, Sh. Sosthenes, Sh. Asti, Sh. Lefteri, Sh. Flori dhe Sh. Lauri, etj., tregon se krishtërimi ishte tashmë i pranishëm në këto treva.

Ndonëse këto fakte janë tashmë të njohura nga të gjithë dhe tregojnë qartë se historia e krishtërimit në Shqipëri fillon që në shekullin e parë, duke na treguar se krishtërimi nuk u përhap në këto troje nga misionarë latinë apo grekë, por është autokton, në kuptimin që është predikuar nga vetë apostujt dhe nxënësit e tyre, si në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij. Por kjo e vëtetë është lënë në hije dhe anashkaluar nga shumë studiues. Studimi i Prof. Thanas L. Gjika merrr një rëndësi të madhe sepse, duke ndjekur një metodë origjinale gjithëpërfshirëse, bën që këto të dhëna të shihen në një dritë më të qartë dhe bindëse.

Për krishtërimin në Shqipëri dhe sidomos për fillimet e tij nuk është shkruar shumë. Për këtë arsye çdo studim për këtë periudhë është i mirëpritur dhe është nxitje e madhe për studime të mëtejshme për këtë periudhë të historisë së krishtërimit, periudhë, e cila ka luajtur rol të madh edhe në formimin psiko-kulturor të popujve.

Ky studim jep një ndihmesë të jashtëzakonshme për të kuptuar rolin e qytetit Dyrrach në veprën apostolike të Sh. Palit, duke plotësuar dhe duke sqaruar me hollësi të shumta veprën ungjillizuese të tij në Ballkanin Perëndimor. Autori është përqëndruar kryesisht në përcaktimin e momenteve kryesore të jetës, veprimtarisë dhe krijimtarisë të Apostullit Pal, meqënëse ai është, jo vetëm një autor shumë i rëndësishëm i Dhiatës së Re, por edhe se ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përhapjen e Ungjillit në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe.

Duke qenë një nga portat e Via Egnatia dhe një qytet i rëndësishëm i asaj kohe, qyteti Dyrrach nuk mund të mbetej jashtë udhëtimeve apostolike. Pa një studim serioz mbi rëndësinë e qytetit Dyrrach në historinë e hershme të krishterimit në Shqipëri nuk mund të kemi një histori të plotë të tij. Autori jep të dhëna të shumta, me anë të së cilave, unë mendoj, do të ndihmohen edhe studiues të tjerë për hulumtime të mëtejshme.

Ky studim është një vepër origjinale, ku qartësohen dhe nxirren në dritë të dhënat e njohura dhe sillen të dhëna të reja, përmes analizash e argumentesh të pashfrytëzuara prej studiuesve të mëparshëm. Shquhet për thellësinë e analizave historike dhe letrare. Metoda e këtij studimi është e veçantë, kombinon dhe përfshin të dhënat e rëndësishme nga fusha të ndryshme, gjë që e ka ndihmuar autorin për të sqaruar me detaje veprën ungjillizuese të Sh. Palit. Ky studim i ndërtuar me këtë metodologji të re sjell fakte të padiskutueshme se besimi i ri, besimi i krishter u përhap në trojet Ilire qysh në shekullin e parë kryesisht nëpërmjet veprës apostolike të Sh. Palit dhe dishepujve të tij.

Historiografia moderne i shikon ngjarjet historike në shumë dimensione, sepse të gjitha këto janë të pandashme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Paraqitja e njëanshme nuk e jep të plotë historinë dhe si pasojë e deformon dhe e gjymton atë. Vetëm një metodë tërësore mund t’i afrohet më shumë së vërtetës historike.

Mendoj se një nga kontributet e tjera kryesore të këtij studimi është sqarimi me detaje rreth hartave të Dhiatës së Re për katër udhëtimet misionare të Sh. Palit, duke saktësuar datat e nisjes e të mbarimit të tyre dhe vendet e punës së këtij misionari. Hartat e udhëtimeve të Sh. Palit deri më sot ishin hartuar, duke pasur parasysh vetëm ato emra dhe vende që përmenden në Dhiatën e Re. Por, pa dyshim, Apostulli ka vizituar edhe vende të tjera, të cilat nuk janë përmendur aty. Siç shpjegon edhe autori i këtij studimi, në Dhiatën e Re gjenden fakte direkte ose indirekte, për udhëtimet e Sh. Palit dhe nxënësve të tij në vende të tjera, si ato në troje Ilire, që i përkasin Shqipërisë së sotme. Për këtë arsye, gjithmonë ka vend për korrigjime dhe shënime të mëtejshme, për ta pasuruar, sa më shumë që të jetë e mundur, hartën e veprimtarisë së tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Studimi i Prof. Dr. Thanas L. Gjika hap një udhë të re për gjithë studiuesit e kësaj periudhe dhe është një kontribut shumë i vlefshëm në historiografinë e kishtërimit. Ai shquhet për seriozitet, për metodologjinë e tij origjinale, si edhe për risitë e çmuara që sjell nëpërmjet kësaj metode.

Mitropoliti i Korçës Imzot Joan Pelushi,
Korçë 20 Janar, 2024.

EDHE SOT PËR KADARENË-VISAR ZHITI

in Letërsi by

Visar Zhiti

SKENA E HOMAZHEVE:

Duke parë nga larg, nga shumë larg në ekran skenën e homazheve përcjellëse për Kadarenë në Tiranë, në Teatrin e Operas, se shkrimtarët shqiptarë nuk kanë një ngrehinë të tyre të përbashkët por varret, bashkë me trishtimin, m’u shtua keqardhja dhe mërzia…
Po mendoja se pas Gjirokastrës, Kadare e donte Tiranën, edhe kryeqytetin e tij e bëri personazh, ndërkaq Moska ishte e rinisë së tij dhe e formimit të tij si poet e shkrimtar, por atij iu desh Parisi më shumë, që i dha famë, sesa Moska dhe më shumë sesa vargjet e Majakovskit në funeral (të përkthyera nga një poet tjetër e jo nga Kadare), ai do të donte Franz Kafkën, besoj, nisur dhe nga “credo”-ja e tij e mëpastajme dhe nga bisedat e mia me të, por gjithsesi, edhe në këtë rast të përzishëm shteti e di më mirë e ai vendos. La në skenë dhe një portret të Shenjtes Nënë Tereza me kryqin e saj. Paqja pushoftë mbi arkëmortin e Kadaresë tonë!

Unë sot kam homazhin tim, Kadarenë e kam lexuar të gjithin, romane të veçantë të tij edhe disa herë, edhe në burg. Në diktaturën komuniste ai u lejua të ishte më i liri, diktatori Hoxha dhe ai ndërsjelltas shfrytëzuan njëri-tjetrin dhe i vetëm arriti meritueshëm majat si shkrimtari më i rëndësishëm i asaj epoke, që pati meritën ta braktiste në fund, të shpërngulej në Paris dhe të kthehej, kur të kishte demokraci më shumë për të mbyllur sytë përgjithmonë në njërën nga shtëpitë e tij në atdhe.

Kam biseduar herë pas here me Kadarenë, i doja rastet e takimeve, i kam shkuar për vizita në shtëpitë e tij dhe në Tiranë e Durrës e Gjirokastër, kam shkruar gjithmonë mirë e me nderim për atë e për libra të tij, ndërkaq ai tregonte interes për letërsinë që doli nga burgjet dhe internimet, veçmas bëri dhe parathënie të bukura, por kjo letërsi, sfiduese e Realizmit Socialist, që dëshmoi vuajtjet e mëdha prometeike, solli edhe të vërtetat dhe moralin e munguar, por gjithmonë pengohej dhe vazhdon të jetë e margjinalizuar. Unë besoj në format e ringjalljes…
Kadare sot u përcoll për në banesën e fundit. Pikëllimi im i bashkohet pikëllimit të atyre që e duan, së pari bashkëshortes, shkrimtares Elena Kadare, vajzave Gresës dhe Besianës, por si shkrimtar Kadare është i paikshëm, në letrat shqipe ai është i tëri dhe i plotë, tashmë klasiku i madh.
Kolegu i tij nobelist Gabriel García Márques thoshte se “Kujtesa është njëkohësisht lënda ime e parë… pa të s’ka asgjë”. Edhe Kadare e çmonte shumë të kujtuarit, në bisedat me të kam dëgjuar të thotë se duhet të shkruani dhe për shkrimtarët e tjerë, për takimet, mungon kjo…
Duke besuar se po plotësoj dhe një porosi të tij, po vazhdoj të sjell dhe sot se ç’kam shkruar për atë në librin tim “Ferri i çarë”, nga takimet në Perëndim, në Torino dhe në Paris:

1. Takimi i parë me Kadarenë

Më thanë se do të vinte Kadareja në Torino, se ç’do të merrte një çmim për një nga romanet e tij. Do të doja ta takoja. Po prisja në hollin e Grand Hotel “Sitea”. Pas xhamave të mëdhenj mesdita e veriut të Italisë fërgëllonte me dritë të bollshme, pa e braktisur grinë e vet solemne të muajit maj.
Iu afrova duke i thënë se cili isha. Më shtrëngoi dorën përzemërsisht, ndërsa bëra një si përkulje të lehtë nderimi. E pashë se më pa për një grimë të tërin, nga koka te këmbët dhe sikur buzëqeshi. Zonja e tij, Helena, ndërhyri gëzueshëm duke ndihmuar që ta kaloja druajtjen time: “Po ti qenke edhe i ri, si është e mundur të kesh qenë në burg?!”
Në ditët e mëpastajme nuk u ndava prej tyre. Bisedat ndodhte të ndërpriteshin për shkak të intervistave që duhej të jepte ai, takimeve, ndërsa blicet vetëtinin si ide të befta. Shikoja fotografinë e tij në gazetat e ditës, balli i gjerë me rrudhat e mençurisë, të ndërprera dramatikisht nga një si përvijim ndryshe dhe i pazakontë, hija mbi fytyrë, përqendrimi i saj te mollëzat dhe në mjekër, pastaj te buza e poshtme, sytë e tij pas qelqeve, vëmendjen e të cilëve s’e përballoja dot, kaq pranë me shkrimtarin që e doja aq shumë, kudo, edhe nën dhé, (“Meqenëse je armik, – më thoshte hetuesi, – ti e kupton më mirë se ne dhe na e shpjego se ç’ka dashur të thotë Ismail Kadareja në këtë pjesë të pakuptueshme, të dyshimtë në romanin e tij kundër”… Ia tregova Kadaresë, u bë serioz, pastaj buzëqeshi me absurdin. “Si, si, meqenëse je armik, e kupton më mirë përmbajtjen armiqësore…” – dhe qeshte), më pëlqeu e qeshura e tij, ishte e qashtër dhe unë u besoj shumë të qeshurave, mënyrave se si qeshin njerëzit, po, po, ndonjëherë kuptoj prej tyre më tepër sesa nga fjalët që thonë. Megjithatë Kadareja qeshte pak dhe rrallë. Serioziteti i tij gati bëhej prapsës, herë-herë dalloja nervozizëm dhe përçmim për mjedisin. Se ç’kishte një si mister. Ndërkohë dinte të bënte dhe biseda të zakonshme, ku çliroheshe fare, të rëndomta madje, që të mos e kuptoje se është shkrimtar dhe çfarë shkrimtari, që i shtoi atdheut një vargmal të dytë – do të shkruaja në gazetë – duke u bërë kështu ndër më të njohurit në botë. Kostumi i tij i atyre ditëve kishte një si çelje gri, me një kravatë blu e pikëzime të bardha si këmisha. Shkonin me qytetin. Flokët pak gështenjë merrnin tallazitje të pishtarta prej erës që frynte gjatë shëtitjeve tona në kështjellën “Cavour”, ku u bë dhe ceremonia.
Goditi sërish diktaturën në fjalën që mbajti, deshi më mirëkuptim nga Europa për vendin e tij të shumëvuajtur, ku dhe ish-të burgosurit politikë janë të rinj, jo si në diktaturat e tjera të Lindjes, dhe kërkoi nga Italia të bëjë më shumë.
– Po sikur ta marrësh ti këtë, – më tha Kadareja, – ç’e dua? – dhe më zgjati pergamenën e çmimit.
– Pse jo, falemnderit, kujtim… – thashë.
Ndërkohë unë nisa me faks shkrimin për gazetën time në Shqipëri për veprimtarinë dhe Panairin e madh të Librit në Torino […]. Po ky lumë kështu, që thotë Po në gjuhën time, sa i duhen jetës lumenj të tillë!
Mes shkrimtarëve atje pashë dhe gjermanin Gynter Grass, me mustaqe të zeza e vetulltrashë, që ia shtonin ngrysjen. Ja dhe miku i Borgesit, Adolfo Bioy Casares, i dobët, përshëndetës, me një çantë të lehtë në dorë, kanë shkruar herë-herë bashkë dhe është personazh i të Verbrit të madh (ah, ati im!). U njoha me një kroat tani, por kishte qenë rus i bardhë, Predrag Matvejeviç, i përzemërt, vajtonte shpërbërjen e Jugosllavisë dhe atje, me rumunin Marin Soresku, u bëmë dhe miq, aq sa mund të bëhesh në një konferencë, ku kisha vajtur i paftuar. Ballkanas i vërtetë. Soresku ngjante me njerëzit e mi andej nga Kolonja. Mbante triko leshi dhe vështronte pak si i hutuar.
– Asnjë ideologji s’duhet të marrë pushtet… – më tha. – Poetët duhet të udhëheqin më tepër, se janë tolerues e as që duan të kenë pushtet. Ju lexova për herë të parë në burg, – i thashë, – ishin copa lirie poezitë e tua. Falemnderit, shkruaje këtë. Jo, falemnderit juve. Nuk duhet të vijë ajo kohë që zëri i qoftexhiut të dëgjohet më shumë se i poetit, – shtoi duke më dhënë kartëvizitën. Unë s’kisha ç’t’i jepja…
I thashë Kadaresë të shkonim në Katedrale për të parë “sindone”-n me të cilin kishin mbështjellë Krishtin. Ishim përsëri në Torino, po i njëjti çmim, por me një roman tjetër dhe unë punoja në ambasadë në Romë tani. Dita e fundit e ekspozimit të qefinit të Krishtit dhe radhët e vizitorëve nga bota s’kishin të sosur. Njollat e gjakut të përtharë mbi çarçaf nxinin edhe në faqet e gazetave, që bënin dhe hamendësime nga më të ndryshmet.
Në mes të rrugës, te kthesa e parë, Kadareja kërkoi të ndaleshim për një kafe në barin pranë. Meqenëse kishte diell, mund të rrinim dhe tek tryezat jashtë, nën portikë.
– Ti duhet të shkruash për burgjet, – po thoshte. – Të dëshmoni. Hapur, qartë. Kanë ca veçanti burgjet shqiptare, ndryshe nga gjithë Lindja. Shkruaji!
Më besonte kaq? Askush s’më kishte porositur kështu. Kisha kohë që mendoja për një libër me fraktura, me thyerje kockash.
Të vijë në burg Kadareja, – ngrinin zërin ndonjëherë të burgosurit në bisedat tona për librat. – Ta shohë ç’është këtu dhe pastaj të shkruajë. Lëre, lëre, tani iku fare…
Ja, po shkruajnë dhe për dënimet, internimet, – thosha unë.
…po i kemi vetë… më kundërshtonin.


2- Një lypës në Paris…

​…drita dhe fantazma mrekullish. Një shëtitje pas mesnate… me Kadarenë, që po më pyeste për në Shqipëri. Ndërhynte dhe herë pas here ndalej, kthehej nga unë, unë miratoja, ndërsa s’po kuptoja më gjë, i përpirë nga habia, isha në Paris pranë tij, ja dhe kulla marramendëse e Ejfelit, dilte herë pas here, sikur të mos ishte një, përçonte lart nëpër yllësi vetvetet e saj të shumta si dehje të përndezura…
Na u afrua një lypës, i veshur mirë, po kërkonte me një frëngjishte hokatare ca franga. Dhe Kadareja ia dha po aq gëzueshëm. “Blen një shishe verë me to, – më tha, kur u larguam, – dhe diçka më tepër.” S’po kisha të lodhur. Megjithëse gjatë ditës isha endur nëpër pavionet e Luvrit, shtatë orë… nëntë…
– S’rrihet aq shumë, – më qortoi me dashamirësi Kadareja. – Dy-tri orë e shkohet prapë një ditë tjetër.
– S’e di a vij prapë, a shihet dy herë e njëjta ëndërr, – thashë. Por s’po më hiqej nga mendja një shishe verë për lypësin e natës në Paris! Jepi verën që i takon tjetrit, racionin e gëzimit të tij, m’u dëgjua një si britmë. Do t’ia japësh apo…
Përveç ndjenjës së mëshirës, lypësit sikur rikrijojnë diçka nga besimi i dëshpëruar te njeriu, tek ato rastësitë si lidhje me të panjohurën… e domosdoshme. Mbase… sipas meje… Të mendosh dhe për verën e tjetrit. Ky është Parisi… i rrallë, gjenial… i gjithhershëm…
– Ndahemi, – dëgjova zërin e Kadaresë. Po unë do të doja ta përcillja deri te porta e shtëpisë së tij… Po mbaronte edhe kjo natë.
Merrja tjetrit sasinë e tepërt të errësirës, jepi racionin e dashurisë, të fjalëve…

​​​​​​(Nga libri “Ferri i çarë”, Tiranë 2012)

Vajtim-Louise Glück

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Vajtim-Louise Glück

Papritur, pasi ti ke vdekur, ata miqtë
që nuk kanë rënë kurrë dakord për asgjë
bien dakord për karakterin tënd,
ata janë si një shtëpi plot me këngëtarë që bëjnë prova
i njëjti rezultat:
ti ke qenë i drejtë, ti ke qenë i sjellshëm, jeta jote ka qenë fatlume.
Pa muzikë. Pa kontrapunkt. Vetëm se
ato nuk janë shfaqje;
lotë të vërtetë derdhen.

Për fat, ti ke vdekur; përndryshe
do pushtoheshe nga neveria.
por kur kjo kalon,
kur të ftuarit fillojnë të lëvizin, duke fshirë sytë
sepse pas një dite si kjo,
të mbyllur me ortodoksi,
dielli është jashtëzakonisht i ndritshëm, edhe pse është vonë pasdite, shtator –
kur fillon eksodi,
atëherë ti do të ndiesh
dhimbjet e zilisë.

Miqtë e tu të gjallë përqafojnë njëri-tjetrin, bëjnë pak thashetheme në trotuar
ndërsa dielli fundoset dhe flladi i mbrëmjes valëvit shallet e grave-
ky, ky, është kuptimi i
“një jetë me fat”:
që do të thotë të ekzistosh në të tashmen.

Përktheu: Arlinda Guma

KËTU NUK KA PLEQ-MARIO BENEDETTI

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KËTU NUK KA PLEQ-MARIO BENEDETTI

Këtu nuk ka pleq, vetëm na erdhi pasditja:
një pasdite plot me përvojë,
përvojë në dashuri dhe romantizëm…
Këtu s’ka pleq, thjesht ka mbërritur pasditja…
Plak është edhe Deti por bëhet gjigant,
plak është edhe Dielli por na ngroh,
plakë është edhe Hëna por na ndriçon,
plakë është edhe Toka por na jep jetë,
plakë është edhe DASHURIA por na trimëron…
Këtu nuk ka pleq, thjesht ka ardhur pasditja…

Përktheu: Bajram Karabolli

1 17 18 19 20 21 182
Go to Top