Author

Admin - page 179

Admin has 1904 articles published.

Poezi nga Roberto Juarroz

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Roberto Juarroz-(1925 – 1995)

69

Çdokush ikën si të mundet,
disa me gjoksin gjysmëhapur,
të tjerë vetëm me një dorë,
disa me kartën e identitetit në xhep,
të tjerë me të në shpirt,
disa me hënën e vidhosur në gjak
dhe të tjerë pa gjak, pa hënë, pa kujtime.

Çdokush ikën edhe pse nuk mundet,
disa me dashurinë ndër dhëmbë,
të tjerë duke ndërruar lëkurën,
disa me jetën dhe vdekjen,
të tjerë me vdekjen dhe jetën,
disa me dorën në supin e tyre
dhe të tjerë me dorën në supin e të tjerëve.

Çdokush ikën sepse ikën,
disa me dikë mes vetullave natë-gdhirë,
të tjerë pa u takuar me askënd,
disa nga dera që të nxjerr apo duket se të nxjerr në rrugë,
të tjerë nga një derë e vizatuar në mur ose ndoshta në ajër,
disa pa nisur të jetojnë
dhe të tjerë pa nisur të jetojnë.

Por të gjithë ikin me këmbët e lidhura,
disa nëpër rrugën që bënë,
të tjerë nëpër atë që nuk bënë
dhe të gjithë nëpër atë që kurrë nuk do ta bëjnë.

77

Në një natë që duhej të ishte shi
a në molin e një porti që ndoshta nuk ekziston
a në një buzëmbrëmje të kthjelltë, ulur në një tryezë pa askënd,
më humbi një pjesë e imja.

Nuk ka lënë asnjë boshllëk.
Madje: duket si diçka e ardhur
dhe jo diçka që ka ikur.

Por tani,
në netët pa shi,
në qytetet pa mole,
në tryezat pa buzëmbrëmje,
papritur ndihem shumë më i vetmuar
dhe s’e marr guximin ta kontrolloj veten me duar,
edhe pse gjithçka duket se është në vend të vet,
ndoshta edhe më shumë se më parë.

Dhe dyshoj mos ndoshta do të kishte qenë më mirë
të kisha ngelur tek ajo pjesa ime e humbur
dhe jo tek ky pothuaj i tëri
që vazhdon ende pa u rrëzuar.

Shqipëroi: Erion Karabolli

Poezia e Roberto Juarroz-it është nga ato poezi, e cila të magjeps qysh sa fillon të lexosh vargjet e para. Ajo të bën t’i rikthehesh leximit disa herë, dhe në secilin lexim, të jep një pështjellim të bukur.

Ajo është poezi e dritës dhe erresirës, e vdekjes dhe jetës. Filozofike, e thellë, po aq edhe njerëzore.

Duket sikur është shkruar e gjitha në një dite me shi, pranë nje moli të braktisur, plot humbje të përsosura dhe sëmbime të bukura.

Arlinda Guma

Legjendarizimi i epokës dhe i figurës së Skënderbeut në penën e Mitrush Kutelit/Zhuljeta Grabocka Çina

in Letërsi by

Në vitin e Skënderbeut

  Zhuljeta Grabocka Çina

Legjendarizimi i epokës dhe i figurës së Skënderbeut në penën e Mitrush Kutelit.

       I

   Dy fjalë për eposin.

Letërsia shqiptare për fëmijë ka lindur si një didaskali urtësie. Më vonë është bërë pjesë formuese e teksteve të mësonjëtoreve të para e dritëruar nga idetë iluminizuese të Rilindjes Kombëtare. Ajo, në shpërgajt e rritjes, u ninullizua me mushtin e legjendave dhe subjekteve epiko-dramatikë të anonimatit oral popullor.

Eposi heroik shqiptar me këngët e ciklit të “Mujit e Halilit” dhe këngët për kreshnikë të veçantë si Gjergj Elez Alia, etj, shënon pragun e kësaj letërsie. Aureola e tyre artistike është veshja më e bukur që njeriu i vjetër i Alpeve të Ballkanit ka lënë në pergamenin e shpirtit të kohërave të trazuara të ekzistencës së tij mijëravjeçare.

Eposet lindën me formimin e kombeve dhe përvijuan vizionin e tyre artistik. Ato kanë vlera unikale e njëkohësisht universale. Të  gjithë popujt, edhe në krijimin artistik, bashkohen e ndahen në fatin e tyre vetjak e të përbashkët. Leximi i tyre bën që çdo brez fëmijësh të ndalet e të njohë rrënjët e etnosit dhe të ndjekë yllin e fatit të tij. Miti dhe legjendat nuk duan shpjegim, ato shndrisin si fosfori i kockës! Dhe njëkohësisht shërbejnë për njohjen e pasurisë së vlerave të gjuhës së tyre artistike.

Eposi është ngrehina ku filloi të pasqyrohet nyja gardiane e fillit të virtyteve të gjinisë së gjakut iliro-arbëror.

Krijimi i epokës legjendare, nëpërmjet një proze legjendare, me heronj legjendarë, jo vetëm si prijës, por dhe si luftëtarë të thjeshtë, janë faqet më të bukura e më domethënëse ku lufta dhe paqja, puna dhe sakrifica, lartësojnë njeriun në marrëdhënie me universin, dhe e ndihmojnë atë të njohë dimensionin dhe atdheun. Gjeografia e tyre artistike pasuron njohjen e këndvështrimit të marrëdhënieve me popujt e tjerë në rrjedhën e shekujve. Përjetësia e tekstit letrar qëndron në aktualitetin e ideve formuese. Tempulli i tyre është realizimi i idealit të së bukurës shpirtërore në një të tashme të përjetshme. E tashme e cila e bën njeriun të ndihet i lirë e i barabartë në veprime.

Eposi ynë dallohet për veprim edhe aksion të mirëmenduar. Përgjithësim i mishërimit artistik të një stadi të përcaktuar entnokulturor, social e historik. Kujtesa artistike e popujve nuk lejon ndërhyrje. Ajo është përjetësisht unike. E mbi të gjitha, e lirë në rrjedhën e pandalshme të kohës. Koncepti i lirisë, i nderit të familjes, veçanërisht ai i ruajtjes së nderit të gruas dhe i shtëpisë, është i lidhur ngushtë me nderin e vendit të robëruar nga të huajt. Virtytet që mishërojnë heronjtë dhe personazhet  janë pjesë e qëndresës së konstitucionit të tyre shpirtëror. Çdo lexues, e në veçanti çdo fëmijë, zgjedh heronjtë indentifikues. Zgjedh të krahasohet me veten e me të tjerët.

Letërsia për fëmijë ka fëmijërinë e vet. Dhe ajo është krijimtaria popullore. Prozodia shqiptare është e pasur, e përthyer, si vetë relievi i tokës së saj. Fushë e mal, qiell e det, ku prej gjenezës presin e përcjellin ditëve lindjen dhe perëndimin e diellit!

      II

   Tregime të moçme shqiptare

Në mesin e viteve të shekullit të njëzetë, në vitin 1965, Mitrush Kuteli boton ”Tregime të moçme shqiptare”. Lënda e tregimeve të tij u brumësua nga dy qerthujt e mëdhenj epiko-heroikë; ai i Malësisë së Veriut dhe ai i arbëreshërve të Italisë, me një synim të qartë ideo-estetik, të mishërojë virtytet njerëzore deri në shenjtëri.

Kuteli ishte i ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtij thesari, ndaj mori përsipër të evindetojë në tregime stilin dhe origjinalitetin e papërsëritshëm të tij. Një stil i shtruar e bisedor, që përshfaqet me të gjithë bukurinë sintetizuese e tipizuese, frazeologjike e toponimike, përrallore e lengjendare!

Në mesin e këtyre tregimeve “të moçme” spikatin dhe ato me temë nga epoka e Skënderbeut. Epokë, jo e largët historike për lexuesin e kohës, njëkohësisht dhe e dokumentuar historikisht. Imazhi i protagonistëve do të vishet me  kalkun e legjendës. Në qendër të tregimeve është figura  e Skënderbeut,  qëndrestar e prijës, luftëtar i Atdheut, mik e shok i bashkatdhetarëve në kohë lufte e paqeje. Konceptimi i kësaj figure, herë si figurë qëndrore e herë si sfond historik, është bërë sipas qerfullës së vjetër të tematikave të baladave të rinjohjes, apo të besnikërisë së dashurisë motër-vëlla. Një trajtim i tillë nuk e ka zbehur vërtetësinë përgjithësuese të karaktereve të heronjve, por ka ruajtur autencitetin e tyre iliro-ballkanik. Vazhdimësia e  konceptimit artistik është ajëruar me idealin e Gjergjit, si prijës i formësuar me idealet e Rilindjes Evropiane dhe aktualitetit epokal që ai mbart në shekuj. Kuteli i mëshon domosdoshmërisë së ruajtjes së pontencialit intelektual e njerëzor përballë shpërfaqjes së suvalave të njëpasnjëshme rrethuese: “Ku shkel turku nuk mbin bar”- përmend ai diku thënien e mbledhur nga goja e popullit prej Frano Bardhit. Në emër të jetës, kjo sentencë e urtësisë popullore sheh në brendësi të shpirtit njerëzor, aty ku duhen luftuar rrënjët e errëta të konflikteve të mëdha. Tregimet e tij shpesh janë motërzime të këngëve popullore dhe të baladave, që përjetësuan mynxyrat e një lufte të ndërkombëtarizuar prej mëse një shekulli e që këndohen edhe sot e kësaj dite prej mërgatës arbëreshe. Plot dhimbje e reflektim tingëllojnë rastësitë e hidhura të fatit “Shega dhe Vllastari”, “Rina dhe Radovani”. Mitrush Kuteli ashtu si edhe vetëdija arbërore sheh thellë në rrënjët e plagëve të hapura, përtej qëndresës midis dy palëve kundërshtare, jo vetëm si pamje e tablo të dy anëve të medaljes së kohës. Gjergj Kastriotit i dhemb plaga e vëllavrasjes midis shqiptarëve në fushën e betejës si palë ndërluftuese. Nëna e ati mohojnë të birin, kur vëllai lufton kundër vëllait, kur rrezikohet motra e nusja në pabesinë e kurthet e pushtuesit.  Shqiptarët ishin të detyruar të luftonin si ushtarë mercenarë. Përballja artistike e tejkalon përballjen fizike. Kutelit i intereson zgjidhja e tyre. Konfliktet zgjidhen në funksion të ruajtjes së pastërtisë së racës njerëzore.

 

         III

 Legjendarizimi, realiteti, përjetësia artistike

Gjithnjë kam qënë e bindur se në këto përpunime artistike autori nuk i drejtohet vetëm moshës së fëmijve, por të gjitha moshave e shtresave të lexuesve. Kur flitet për modelim personaliteti në moshën fëminore, më mirë se sa në leximin e një teksti letrar ku mund të përthithet ai. Në kushtet e digjitalizimit të librit, rritet dhe mënyra e reklamimi i vlerave që ato përcjellin. Rritet edhe aktualiteti i mesazheve që mbartin. Epërsia e së mirës ndaj së keqes, triumfi i drejtësisë, i lirisë universiale në anën e një populli që është në të mirën e fatit të vet, zbërthehen përmes veprimit dhe realizimit të forcës së karakterit të luftëtarëve të thjeshtë si; Milo Shini apo; Nik Peta, të cilët luftojnë në tokën e të parëve të tyre pa i patur kujt borxh.

Në kohën e globalizmit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, kulturave dhe shpërfaqjes së vlerave që ato mbartin, tema e tradhtarit, e renegatit, e emërshuarit, e besëshkulurit kutelian në epizmin e heroikes, besoj se më tepër se folklorike, tingëllon më bukur me prerjen e artë të zgjidhjeve të konflikteve: “Shpata me vend e fjala me vend”. Tingëllon artistike e hyjnore falja e “gabimeve njerëzore”, kur garant bëhej vetë prijësi, simboli i qëndresës së kombit, Skënderbeu. Si strategu i kohës së luftës, ai ndërmerr zgjidhje humane që do t’i shërbejnë kohës së paqes. Për të gënjyerit bashkëkombas, zgjidhje si brerja e ndërgjegjes, ndjenja e fajit, e turpit janë katarsisi për t’i shpëtuar tragjizmit të tyre shpirtëror nëpërmjet veprimtarisë së dobishme shoqërore.

Atmosfera e motit të zi, koha kur turku u derdh me shpatë e zjarr mbi vendin e lulëzuar të Arbërit, i ka brenda të gjitha stinët e vitit, të gjitha stinët e jetës, por dhe stinët historike. Në çaste bunace armiku i thyer tërhiqej, e atëhere arbrit merrnin pak frymë. Kapnin parmendën për të punuar tokën, çekanin e mistrinë për të ndrequr shtëpitë, dilnin për gjah, por asaj kohe u mungonte ende paqja e vërtetë. Ujërat e kohës rridhnin të turbullta, e vinin në sprovë karakterin e fisit arbëror ndaj veprimeve të kobëtarit të errësirës. Kontrastet e fuqishme midis palëve nuk janë vetëm bardh e zi, por janë dhënë me të gjitha ngjyrat ku mbahet nëpër dhëmbë një jetë, ku ka edhe më keq se vdekja, dhe kjo është humbja e nderit, e mbulimi me turp të njeriut!

Blerja e Gjin Bardhelës prej turqve ia nxiu faqen vetes e vëllait të tij; Milo Shinit, ia nxiu faqen gjithë arbrit, ai përfundon duke u mbuluar me mohim, për të mos iu dëgjuar më as emri. Përballë Gjini Bardhelës përvijohet karakteri i gruas së tij të bukur. Ajo i kundërvihet lakmisë së Ali Begut, duke na dhënë një tablo dyluftimi; së pari me fjalë burrash për të drejtën e pastaj me armë. Tingëllojnë profetike fjalët në majë të shpatës, nga goja e Ali Begut kokëprerë:

  • Kushdo që do të dhunojë truallin e tjetrit e t’i rrëmbejë gruan, le të shohë ç’pësova unë.

Lengjendarizimi i situatave dhe heronjve, vjen natyrshëm dhe formëson filozofinë e personazhit. Ata formojnë një galeri të pasur portretesh, e të gjitha janë bindëse e realiste. Edhe kur portretizohet pala ndërluftuese, pena krijuese e Kutelit është realiste, por këtu ai nuk u ka shpëtuar moralizimeve të tepërta, që rrinë si mish i huaj në disa shpjegime të pa nevojshme të karakterit historik. Ka hyrje të zgjatura të tregimeve dhe ballafaqime të panevojshme ideo-emocionale. Siç është përshkrimi i zgjatur i karakterit heroik të “Valles së shpatave” në fushën e betejës në tregimin “Skënderbeu e Ballabani”. Përballja me superfuqinë më të madhe të kohës realizohet si  një përballje vlerash. Skënderbeu përballet fyt më fyt me Ballabanin dhe mbrohet krahash nga dymijë malësorë, që e kishin në krye trimin dukagjinas, i cili sulet bashkë me të si një zjarr flakëmadh, që bie kallamave të thatë. Prerja e veshit të djathtë të Ballabanit prej Skënderbeut. Është një dënim e mësim moral, për të gjithë të gënjyerit e tradhëtarët e vendit, të vënë në shërbim të të huajve. Ballabani ishte betuar se do t’ia sillte Mehmetit, mbretit të madh, ngadhnjyesit të Kostandinopojës, Skënderbeun të lidhur ose të vrarë. Por kthimi i Ballabanit, kryeplagosur e atdhemohonjës është një fund i përligjur artistikisht! Mes legjendarizimit e vërtetësisë emocionale ka një masë, dhe kjo është masa e arritjes së pjekurisë artistike. Në atë mënyrë ku elementët epikë e lirikë realizojnë një përshkrim të detajuar e me gjetje të bukura artistike. Sprova kuteliane është sprova e një proze që do të kërkonte më tepër vëmendje në krijimin e unitetit artistik, në shtjellimin e fabulës më me ndjeshmëri bashkëkohore. Lexuesit, e në mënyrë të veçantë brezit më të ri i duhet një biografi artistike në kufijtë e ripërtëritjes shpirtërore. Tematika historike edhe rimarrja e tyre e vë krijuesin përpara ridimensionimit të ri të materialit me një frymëmarrje të shëndetshme e mbreslënëse. Kultura e imazhit tek fëmijët sot është shumë e pasur.  Teknologjia e realizimeve filmike ka bërë punën e saj. Por edhe leximi, edhe fjala kulturon, pasuron e gjykon në raport ndërveprues me simotrat e tjera të artit. Krijimi i imazhit nëpërmjet fjalës, të bën të përjetosh thjeshtësinë konkretizuese. Ja si i thoshte shoqes së saj, të cilën donte ta bënte nuse për vëllanë, në tregimin “Vasha e bukur dhe trimi  i ushtërisë së Skënderbeut”:  Je e mirë si buka e ngrohtë”, e tjetra skuqej e më shumë , e “i vakeshin sytë e shkruar”… Koncepti i së bukurës thellohet: “Kur qeshte vasha dukej sikur ishte gjithnjë pranverë, sikur shkrepte dielli majë maleve, sikur vezullonte vesa nëpër lule!”. Lirizimi i ndjerë buron nga dashuria për jetën, ai është oksigjeni për mushkëritë e asfiksuara të atdheut të robëruar. Oksigjeni i artit u ngjan minierave të arit që gjenden kudo, në thellësi e sipërfaqe të tokës!

“Tregimet e moçme shqiptare” janë përpunimet artistike më të arrira deri tani në frymën e legjendës. Duke shpalosur një gjuhë letrare të përpunuar dhe frazeologji popullore të artikuluar midis tregimit edhe legjendës, ato kanë nënshkruar përjetësinë artistike. Letërsia për fëmijë shkruhet për edukimin estetik të ardhmërisë së kombit. Historia e fantazia nuk përjashtojnë njëra tjetrën, por u shërbejnë të vërtetave të jetës. Legjendat shkruhen për heronjtë!

Gusht 2018

 

Lehtësia jote e papërballueshme-Arlinda Guma

in Letërsi/Tharm by

Lehtësia jote e papërballueshme-Arlinda Guma

 

Ti qesh… dhe hareshëm më sillesh përqark,
buzë greminës ku unë kam ndalur këmbët,
e shoh fikurazi atje poshtë,

në humbëtirë,
ku pres të rrëzoj veten time…

Por ti menjëherë ul prej qiellit një diell të kuq,
e ma sjell para syve,

dhe përreth bëhet kaq dritë…
dhe përreth bëhet kaq ngrohtë…
dhe hareja jote e shpenguar,
mbështjell si kuvertë e butë dimrat e mi…

pastaj qesh…
e qesh…
e qesh…

… e hareshëm vazhdon të më sillesh përqark…

më largon prej buzëve,
bishtin e cigares, që unë e përtyp bashkë me humbjet
dhe cipën e përgjakur të buzëve,

dhe e lëshon poshtë,
në greminë, 
atje ku unë dua të shkoj pas saj…

Por ti, 
ti m’i shkatërron gjithë planet,
e unë nuk di si përfundoj ngatërruar nëpër flokët e tu,
që lëshohen poshtë si luledredhëza,
për të më shpëtuar…

Oh, unë nuk di,
e them se as ti nuk e di,
përse kërkon të më shpëtosh me çdo kusht…

di vetëm që kam kaq frikë nga kjo lehtësi e papërballueshme,
dhe ky diell i kuq…

Më lër të rrëzohem atje poshtë!
Mirë?

Të copëtohem atje, bashkë me humbjet,
është më pak e frikshme,
se ky shpëtim i bukur…

©Arlinda Guma

2011

Poezia e lexuar nga autorja:

Lulkuqet-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Lulkuqet-Frederik Rreshpja

A janë plagë ato mes grurit,

A ndonjë dhembje e pakuptueshme e planetit
Që del herë pas here mes arës me grurë?

Se vjen një kohë
Kur dhe lulet bëhen plagë në ajër.

Foto nga Ardian Fezollari

Salvador Dali dhe “tepëritë” e tij

in Pikturë by
  1. U përjashtua nga shkolla e artit

Profesorëve të universitetit që u caktuan ta merrnin në pyetje, ai iu përgjigj:

“Mendoj se nuk jeni akoma të aftë të gjykoni punën time.”

Një sjellje e tille ishte më shumë taktike se sa ideologjike. Me shumë mundësi Salvador Dali donte të zgjaste edhe më shumë periudhën kur ai mbështetej financiarisht nga babai i tij.

  1. Thuajse u mbyt

Në fillimet e karrierës së tij, gjatë një ekspozite surrealiste në Londrën e viteve 1936, shkoi ne konferencë i veshur me një kostum zhytësi, duke dashur të tregonte që ai jetonte në një det papërgjegjshmërie.

Në fillim askush nuk e kuptoi se Dali po mbytej në brendësi të kostumit. Të gjithë mendonin se gjestet e tij të tepruara përfaqësonin atë që ai donte të tregonte.

  1. Edhe kafshët e tij shtëpiake ishin vepra arti

Në vitet gjashtëdhjetë, atij i dhuruan një këlysh tigri, të cilin e quajti Babou. Artisti e merrte me vete, të lidhur me një qafore, kudo ku shkonte. Vlen të përmendet një rast kur Dali u fut në restorant bashke me tigrin në Manhattan. Miku me të cilin do të darkonte u alarmua sapo pa tigrin. Qetësisht Dali i tha se ishte vetëm një mace e “pikturuar në mënyrë artistike”.

  1. Dali u martua me gruan e mikut të tij

Dali e njohu gruan e tij të dashur, Gala, në vitin 1929, në kohën kur ajo ende ishte e martuar me mikun e tij, poetin francez Paul Eluard, i cili e përjetoi të gjithë këtë në mënyrë shumë paqësore, duke u bërë madje edhe dëshmitar në martesën e tyre. Martesë, e cila nuk u prit mirë nga familja e tij, sepse Gala ishte nëna e një fëmije, ish-gruaja e një burri, dhe dhjetë vjet më e madhe se piktori. Për këtë arsye babai i tij e hoqi menjëherë nga trashëgimia.

  1. I qëndroi besnik Galës deri në vdekje

Dali dhe Gala ishin bashkë deri në vdekje, pavaresisht problemeve të tyre jashtëmartesore.

Në vitin 1969, Dali bleu një keshtjelle në Pubol, për të dashurën e tij.

  1. Ka pikturuar një portret të Lawrence Olivier-it

Në ambientet artistike Dali konsiderohej si një piktor jo-komercial, kështu në vitin 1955 atij iu kërkua të pikturojë një portret të Lawrence Olivier-it për një manifestim kinematografik për Richard-in e tretë

Piktura nuk u publikua kurrë

Dali refuzoi ta pikturonte në Angli, duke e quajtur ”vënd i shëmtuar“. U kthye në Spanjë për ta përfunduar portretin.

  1. Asnjëherë nuk ka udhëtuar “lehtë”…

Mbërriti në portin e New York-ut, për herë të dytë, në vitin 1934, pasi kishte veshur një jelek shpëtimi gjatë gjithë rruges me tren, duke tërhequr pas të gjitha pikturat e veta që i kishte lidhur më një ngjitëse.

  1. Nuk ishte një i ftuar ideal në programet e lojës

Në vitet pesëdhjetë Dali u shfaq si i ftuar në “What’s My Line”, ku konkurrentët duhej të gjenin emrat dhe profesionet e personazheve me anë të pyetjeve.

Dali, shkaktoi rrëmujë gjatë lojës, duke u cilësuar njëkohësisht; shkrimtar, personazh televiziv, atlet dhe artist filmash të animuar.

Njëri prej konkurentëve u dorëzua dhe  tha:

“Nuk ka gjë që ky njeri nuk di të bëjë!”

Përktheu: Blerina Berberi

Keqardhje për vetveten – D.H. Lawrence

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Keqardhje për vetveten – D.H. Lawrence

 

S’kam parë kurrë asgjë të egër
T’i vijë keq për vetveten.
Trishtili i vocërr bie në tokë i ngrirë i vdekur
Pa ndjerë kurrë keqardhje për vetveten.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

“Bulevardi i Yjeve” – Një Vallëzim i bukur drite/Edlira Aleksi

in Letërsi/Tirana Review by

Përfytyroj që gjatë procesit të krijimit, autorja t’u thotë personazheve: “Tani duhet të kryeni bukur mbylljen e kësaj historie… ” por në fakt “ata shkojnë drejt fatit te tyre” njëlloj si Ana Karenina drejt shinave, edhe nëse kjo do të thotë që t’i thyejnë zemrën autorit, apo edhe lexuesit.

   Edlira Aleksi

Krijova një lidhje të veçantë me ngjarjen dhe personazhet, teksa lexoja romanin “Bulevardi i Yjeve”, të autores Arlinda Guma. Isha me pushime dhe sa herë që e lija librin mënjanë, për të vazhduar me planet dhe angazhimet e ditës, kurioziteti më thërriste të mësoja më shumë për fatin e personazheve të pazakontë të këtij romani.

Gjatë ditës, që kalonte me aktivitete të shumta, kisha një ndjesi se këta njerëz ishin duke më pritur nëpër faqet e romanit, për të vazhduar rrëfimin e historisë së tyre.

Diku kam lexuar se gjithashtu autorët kanë një marrëdhënie të veçantë me personazhet që krijojnë. Pasi ata ngrenë një galeri ngjarjesh e karakteresh, janë pikërisht këta të fundit, që më pas i drejtojnë autorët nëpër rrugët e veprës së tyre. Ёshtë i njohur episodi i Tolstoit, ndërsa shkruante fundin e romanit “Ana Karenina”. Bashkëshortja e shkrimtarit e gjen atë një ditë, në një gjendje të mjerueshme, pasi personazhi i Anës nuk i bindej, ajo po shkonte drejt shinave dhe ishte e pamundur që t’i jepte romanit një fund të lumtur.

Tek romani “Bulevardi i Yjeve”, krahas ngjarjeve, ajo që të lë mbresë është saktësia e rrëfimit, përshkrimi i detajeve, në dukje të parëndësishme. Kisha vazhdimisht ndjesinë sikur të isha përpara një pasqyre, që reflekton me besnikëri vërtetësinë e imazheve. Një vërtetësi e padeformuar. Sikur të isha përpara një pasqyre të zhveshur nga paragjykimet.

Personazhi i Lorës, e cila i bashkohet grupit të të pestëve, ndihmon në plotësimin e këtij dimensioni njerëzor. Lora, aktorja që vizitonte spitalin psikiatrik, në mënyrë që të përgatiste rolin e saj, për dramën “Shpirti”, zbulon ngadalë perden e tragjedisë njerëzore, një tragjedie të harruar, të lënë pas dore, tragjedinë e këtyre njerëzve që janë të ngujuar në vuajtjen e tyre dhe që, askush nga ne nuk mund të dijë çfarë është me saktësi.

Më shumë se me fjalë, në këtë roman autorja Arlinda Guma rrëfen me zemër. Libri ka një strukturë në formë pjesëzash të shkurtra, qe plotësojnë mesazhet që përcillen natyrshëm; një ndërthurje historish njerëzore, ku dashuri të mëdha kanë mbetur në një kurth, në ingranazhin e fatit dhe mentalitetit të shoqërisë; dashuri të shtypura, që fermentohen brenda shpirtit dhe kthehen në një tjetër formë… të trishtë e të dhimbshme… deri edhe në një shqetësim nervor…

“Dhe kur beson se e shtrëngon lumturinë/ai e shkërmoq atë…” – me këto fjalë fillon romani “Bulevardi i Yjeve”.

Nëpërmjet përshkrimit autorja të bën pjesë të skenës. Ka kaq shumë fuqi stili i Arlinda Gumës, sa të duket sikur ajo të merr për dore dhe të fut në episod, si në një skenë filmi, në mënyrë që ti të ndihesh se je pjesë e atij fragmenti; ku Lejla dilte në ballkon dhe vërente që atje përballë dikush ishte duke e vështruar përmes errësirës. Shqetësimi i saj për t’u ikur këtyre emocioneve, vetëm për të kuptuar më pas se dashuria nuk mund të shmanget, ajo vjen e të mbërthen si virusi i gripit një mëngjes papritur, ndërkohë që ti kishe bërë plane të tjera për ditën.

Të gjitha këto i gjen në mënyrën se si e vështrojnë botën këto personazhe, në gjestet e tyre, në fjalët… Dhe historia vazhdon shtjellohet më tej, personazhet e ndërlikojnë qëndrimin e tyre, ndaj ngjarjes e vetë njëri-tjetrit. Ata sillen sipas dëshirës së tyre, si tek historia e Tolstoit. Metafora e “dorës me mjegull” në roman, të ngacmon imagjinatën. Përshkrimi i duarve me gishtërinjtë që klithin, edhe në dy pjesëza të tjera… “vajza me duar të buta”, përshkrimi i brengës së personazhit, vetëm nëpërmjet lëvizjeve të duarve, më kujtoi muralen e një kishe, pikturuar nga Leonardo da Vinçi, e cila titullohet “Darka e fundit”, ku Jezusi u thotë dishepujve se njëri prej tyre do ta tradhtojë pa kaluar mbrëmja dhe të gjithë dishepujt e pyesin një nga një: “Mos jam unë? “Mos jam unë, Zoti im?”. Një detaj i fuqishëm i pikturës janë pëllëmbët e duarve të Jezusit që shprehin trishtim (njëlloj si në atë pjesë të romanit)… ato bien ne sy sapo përballesh me pikturën…

Përfytyroj që gjatë procesit të krijimit, autorja t’u thotë personazheve: “Tani duhet të kryeni bukur mbylljen e kësaj historie… ” por në fakt “ata shkojnë drejt fatit te tyre” njëlloj si Ana Karenina drejt shinave, edhe nëse kjo do të thotë që t’i thyejnë zemrën autorit, apo edhe lexuesit.

Romani është i ngjeshur në metafora Frojdiane, një nga ato që më ka bërë tepër përshtypje është shqetësimi i Napolonit (pacientit të spitalit psikiatrik) për diejt. Ideja fikse e tij për t’i shqepur copat e bezes rrethore tek bërrylat e xhaketës, meqë ato i dukeshin si diej të rremë. Metafora e diejve të rreme… e një lumturie false, të bërë njësh me rrobat që ai vesh. Diçka që në pavetëdijen e tij e turbullon pambarimisht. Një kambanë alarmi që bie përgjatë rrëfimit, se në një shoqëri ku jeta e një njeriu normal është e vështirë dhe plot pengesa absurde, ku liria e tij personale mbahet peng përmes shumë formave, padrejtësish të stërholluara, e si mund të jetë e lehtë për atë kategori njerëzish? Për ata që jetojnë të mbyllur në një spital psikiatrik. Për ata që jetojnë një makth të përhershëm. Ashtu siç përjetojmë ne, makthe që zgjasin fare pak gjatë një gjumi të trazuar, ku truri dhe shpirti bie në pavetëdije dhe problemet tona dalin në sipërfaqe, ku imazhet ngatërrohen e përmbysin trurin… ndërkohë që tek këta njerëz, kjo është një e përditshme. Ёshtë e paimagjinueshme dhimbja dhe ajo që ata mund të përjetojnë.

Një tjetër këndvështrim interesant në roman, është pamundësia e personazheve për t’u vendosur në të njëjtën frekuencë shpirtërore, në një botë ku mungon harmonia. Dashuri të bukura që qëndrojnë fare pranë dhe e kanë të pamundur të finalizohen, sepse jetët e karaktereve janë si dy nota në tonalitete të ndryshme. Kanë kaq shumë barriera shpirtërore këto personazhe, që krijojnë një koracë ndaj dashurisë, në një kohë që, ndoshta dashuria është përgjigjia, ndoshta ajo është shërimi. “Ёshtë sikur të kaptosh diellin”- lexon diku në një dialog të romanit.

Një histori interesante në roman, është ajo e Lejlës me arkitektin. Një tjetër, po aq interesante, është edhe ajo e kronikanit rozë, me shkrimtaren, autoren e romanit “Kukulla”, mbi të cilin është ndërtuar drama, rolin kryesor të së cilës do ta luajë Lora, studentja e aktrimit. E para një histori pa shumë fjalë, thuajse e heshtur.

E dyta, ajo e kronikanit rozë dhe Siria Athanasit, e mbështetur tek fjala. A thua se dashuria është në një fjalë dhe ata duhet t’i flasin të gjitha që ta gjejnë? Në të vërtetë, duket se tek këto personazhe u dashuruan fjalët. Kjo më trishtoi. Fillova t’i kem shumë për zemër këto dy personazhe dhe e prisja me padurim afrimin e tyre… që në të vërtetë nuk ndodhi…

Në romanin “Bulevardi i Yjeve”, dashuria gjendet kudo, edhe në vendet më të pazakonta, edhe në një spital psikiatrik… Romanca e dy pacientëve të këtij spitali, Klarës dhe Maksit, është aq spontane dhe e natyrshme, por që finalizohet nga një fund brutal…

Studentja e aktrimit, Lora, e cila vizitonte spitalin, dhe Doktor Fritzi; një enigmë kozmike. Siria Athanas dhe gazetari konfuz, që ekzekutojnë ndjenjat e tyre, ndërsa muzgu përflaket përmbi det. Atmosfera Shekspiriane e vallëzimit të gruas, së cilës i mbetej melodia në grykë, e që kompozitori nuk mund t’ia rrëmbente… dhe shpirti që përpëlitej duke fluturuar fletë nga tavolina… duke rrëzuar karrige nëpër sallë… si të kërkonte edhe ai të ishte pjesë e këtij vallëzimi drite…

 

 

Mëhallat e botës-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mëhallat e botës-Janis Ricos

 

E vranë… e vranë…
Kish dhënë xhaketën për të kthyer,
Por s’ arriti ta veshë një të Dielë…

Ja ku po varet në derën e rrobaqepësit,
Siç varet tabela e kafenesë verore në vjeshtë,
Siç varet dielli i mbasdites në një pemë të zhveshur,

Asnjë s’do shkojë ta kërkojë më – varet atje në rrobaqepësinë e mëhallës së ngrysur,
Siç varet një flamur i heshtur tek e ardhmja.

E vranë…
S’arriti… nuk arritëm… të qanim ata që po iknin
Nuk arritëm të përshëndesnim ata që po vinin.
Hipnin e zbrisnin nga jeta në vdekje-
Nga vdekja në jetë…

 

Përktheu: Spiro Çomora 1961

Nuk është e rëndësishme të jesh pjesë e një shkolle sa më avangardë për të qenë shkrimtar më i mirë a më i keq, por të arrish të gjesh e ndërtosh vetveten si njeri dhe si shkrimtar/Bisedë me shkrimtarin Fatos Lubonja

in A(rt)ktivizëm/Biseda/Letërsi by

Bisedë me shkrimtarin Fatos Lubonja, mbi letërsinë, publicistikën dhe atmosferën politike e sociale ku ato mbrujten dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën.

Një prej të paktëve disidentë (të vërtetë) të diktaturës së djeshme, por unë do ta quaja një ndër të paktët disidentë edhe të sistemit të sotëm, përderisa asnjë pushtet nuk ka mundur t’ia blejë heshtjen këto kohë të brishta ku intelektualët shiten e blihen me një lehtësi të papërballueshme.

I pyetur për vendin që zënë tek ai letërsia dhe publicistika, Fatos Lubonja thotë midis të tjerash se:

“Një nga mësimet më të rëndësishme që kam nxjerrë nga jeta është ajo që duhet të luftojmë me sa mundemi që fëmijët tanë (në kuptim më të përgjithshëm se ai i fëmijëve biologjikë) të jetojnë në një vend ku të ndihen të lirë në mendime dhe në veprime, të mos poshtërohen nga të pushtetshmit e fortë e të dhunshëm, siç na ka ndodhur ne kur ishim të rinj, për shkak se prindërit tanë nuk bënë atë që duhej bërë.”

Dhe më tej ai shton:

“Të reagosh ndaj padrejtësive si gazetar do të thotë të jetosh si qytetar që ndjen përgjegjësi; t’i përshkruash ato si shkrimtar do të thotë t’i lësh të filtrohen në mendjen e shpirtin tënd dhe t’i përshkruash me qetësinë dhe kthjellësinë e Zotit.”

Ndërsa i pyetur mbi rritjen e së djathtës ekstreme në Europë, ai thekson:

Pas iluzionit se klasat nuk ekzistonin, pasi kishte vetëm individë që mund të ngjiteshin në shkallën sociale sipas aftësive, erdhi një pikë ku njerëzit filluan të shohin se të jetuarit si individë, pa komb e politika kombëtare, siç thonë të djathtët antiliberistë, apo pa politika sociale e shoqëri, siç thonë të majtët antiliberistë, favorizon vetëm një pakicë. Diçka duhet të ndryshojë për ta kthyer lavjerrësin për kah më shumë barazi në shpërndarje dhe më shumë sociabilitet.

   Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Në akt-ekspertizën ideoartistike që është shkruar për hetuesinë në lidhje me antiromanin tuaj – dorëshkrimin që u gjet kur u arrestuat – më ka bërë përshtypje një fjali: “I gjithë subjekti i këtyre shënimeve është pa fillim, pa kulm, pa zgjidhje, pa fund, një model i përsosur vepre dekadente.” E keni menduar ndonjëherë se po të kishim jetuar në një regjim normal, kjo fjali mund të kishte qenë vlerësimi më i lartë kritik i punës suaj letrare? Veprat e arrira zakonisht janë kështu, ato nuk kanë kurrë mesazhe të qarta dhe as përgjigje të drejtpërdrejta për pyetjet që shtrojnë.

Fatos Lubonja: Antiromanin “Pa titull” e konsideroj si një sprovë të moshës së rinisë; që sot e kam të vështirë ta quaj vepër të arrirë. Në atë libër të pambaruar bashkohet nevoja për të shprehur realitetin që njoha pas kontaktit me botën e vërtetë shqiptare, që për mua vjen në moshën 17 vjeçare, me nevojën për ta shprehur këtë (edhe si kundërvënë ndaj botës së rrejshme që na ofronte propaganda, edhe si kundërvënie ndaj soc-realizmit) nëpërmjet formash të letërsisë së avangardës; që tek ne nuk lejoheshin. Asokohe, pas Uliks-it të Joyce-it kisha lexuar disa libra të shkollës së ashtuquajtur të antiromanit apo “romanit të ri” si “Histoire” të Claude Simon dhe “Les fruit d’or” (Frutat e artë) të Nathalie Sarraut. Antiromanin e kam shkruar i ndikuar prej këtyre autorëve, me  faqe të tëra të shkruara sipas metodës së përroit psikik. Sigurisht mendoja se po bëja një kryevepër dhe kjo ishte një nga arsyet pse nuk e dogja kur jeta ime dhe e familjes u vu në rrezik pas shpalljes së tim eti “armik i popullit” në Pleniumin e IV. Sot e konsideroj një dokument mbi të cilin punoj herë pas here me idenë e një libri, ku me faqet e dokumentit autentik gërshetohen edhe dy file të tjera: rrëfime (dhe refleksione) nga këndvështrimi im i sotëm mbi ato që kam shkruar asokohe, si dhe komentet mbi shënimet që ka bërë eksperti i Mistrisë së Brendshme nëpër faqet e dorëshkrimit, që janë sintetizuar pastaj në ekspertizën e tij.

Sot, që përvoja më ka mësuar se nuk është e rëndësishme të jesh pjesë e një shkolle sa më avangardë për të qenë shkrimtar më i mirë a më i keq, por të arrish të gjesh e ndërtosh vetveten si njeri dhe si shkrimtar, them se sikur të arrija ta mbaroja këtë libër, që do ta titulloja “Antiromani”, do të dilte një vepër shumë  më “e arrirë” në përshkrimin e jetës së brezit tim në kapërcyell të viteve 60 -70-të, sesa antiromani “Pa titull” i shkruar në atë kohë.

Arlinda Guma: Më duhet t’ju kërkoj ndjesë që po e prek këtë temë, por, pasi lexova një shkrim tuajin në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, ku midis të tjerash ju nënvizonit me të drejtë se teatri nuk është pronë e aktorëve por e të gjithë qytetarëve, vërshuan gjithandej shkrime kundër jush; shkroi kundër jush një aktor i njohur, shkroi gjithashtu një prej “të angazhuarve” të gazetës “Mapo”, dhe gjëja më interesante ishte se autorët e këtyre shkrimeve  nuk merreshin fare me argumentet tuaja, por me ju dhe me gojëdhënën se kishit shitur babain në hetuesi. Ndërkohë që në median sociale një faqe e stafit të Rilindjes po i shpërndante këto shkrime; me një ngazëllim të papërmbajtshëm dhe me shumë gabime drejtshkrimore. (Kjo e fundit më kujtoi atë çastin kur Frederik Rreshpjes i lexuan akuzën dhe ai u përgjigj se nuk ishte dakord me të, sepse midis të tjerash ajo kishte edhe shumë gabime drejtshkrimore.) Por unë nuk dua t’ju pyes mbi atë se çfarë ka ndodhur në hetuesi, sepse një lexues inteligjent i nxjerr përfundimet vetë prej gjithë kësaj farse të organizuar keq (mund të përfytyrojë lehtë se si do të silleshin këta autorë nëse do të gjendeshin një ditë përpara torturave që provuat ju), por dua t’ju pyes në lidhje me mungesën e empatisë së shoqërisë shqiptare ndaj njerëzve që vuajtën në burgjet e diktaturës. Çfarë e sjell këtë mungesë ndjeshmërie? Çfarë mekanizmi i mbrapshtë ekziston brenda nesh? Nuk jemi dekomunistizuar sa duhet? Të qenit ateistë për një kohë të gjatë na ka çedukuar atë ndjenjën që zakonisht të edukon një besim fetar ndaj individit që gjendet në një situate të pafavorshme? Përse përherë jemi të prirur të linçojmë viktimën dhe asnjëherë dhunuesin?

 Fatos Lubonja: Kjo është një temë e gjatë që do të kërkonte libra të tërë. Me dekomunistizim si qytetar dhe shkrimtar kuptoj dy tre gjëra themelore. Së pari, kuptoj vendosjen e drejtësisë që nuk e mendoj si ndëshkim të xhelatëve me gjyqe, me burg apo lustracion, pasi, për shumë arsye që lidhen edhe me jetën e gjatë të regjimit, edhe me faktin se pushteti u trashëgua pak a shumë tek e njëjta elitë, kjo lloj drejtësie nuk ishte e mundur, por kuptoj vendosjen e drejtësisë së paku në kujtesën dhe gjykimin tonë kolektiv të gjërave që kanë ndodhur. Së dyti, kuptoj përpjekjen për ta kuptuar të keqen që na ndodhi. Këtë duhet ta bëjmë, thotë Teodorov (kur komenton thënien e Primo Levit se ajo që ndodhi me Holokaustin ndoshta nuk duhet kuptuar për sa kohë kuptimi nënkupton legjitimimin), “për t’u pajisur me mjetet për ta luftuar të keqen”. Dhe ky kuptim i së keqes nuk mund të arrihet në thellësinë e vet pa njohjen e përgjegjësive që kemi të gjithë për atë që na ka ndodhur të gjithëve. Kur them “të gjithë” kam parasysh Jaspersin kur flet për përgjegjësitë e gjermanëve për Luftën e Dytë dhe Holokaustin. Ai dallon katër lloj përgjegjësish. Së pari, përgjegjësinë ligjore, të atyre që kanë kryer krime, së dyti, përgjegjësinë politike, të atyre që kanë mbështetur atë regjim, së treti përgjegjësinë morale, të atyre që kanë zbatuar urdhra duke pretenduar se po zbatojnë ligjin, por jo moralin, së katërti përgjegjësinë metafizike – siç e quan ai, – ku përfshin edhe gjithë të tjerët që duhet të mendojnë se nuk kanë bërë aq sa duhet dhe sa do të duhej të bënin që të mos ndodhte ajo që ndodhi.  E pra, ne kemi bërë shumë pak për të vendosur drejtësinë në kujtesën tonë, sepse të kaluarën vazhdojmë ta instrumentalizojmë e manipulojmë për qëllime pushteti dhe aq më pak kemi bërë për të ndjerë katër përgjegjësitë për të cilat flet Jaspersi. Shqiptarët e dalë nga komunizmi u lëshuan të zhveshin veten nga çdo lloj përgjegjësie, duke ia hedhur atë vetëm të tjerëve, në rastin më të mirë “kohës” dhe të rrëmojnë në të kaluarën e tyre ndonjë fakt për ta fryrë e shtrembëruar që ta veshin, për ta paraqitur veten si kundërshtarë të paepur të atij regjimi sipas një kulture që, në shkrimet e mia mbi këtë temë e kam quajtur “të manipulim simulimit”. Është një kulturë që nuk e ndihmon njeriun të jetë i vërtetë, të bëhet vetja e tij, por e shtyn të manipulojë, gënjejë, të pozojë. Kështu, në vend se të kuptojmë sjelljen e njëri-tjetrit në ato kushte çnjerëzore për të mos lejuar që të përsëritet tek fëmijët tanë, ripërsërisim të njëjtat metoda sjelljeje, riprodhojmë të njëjtat situata dhe jetojmë përsëri një “gënjeshtër të madhe” siç e quante Solzhenicini ideologjinë që dominonte jetën e sjelljet e njerëzve në komunizëm.

Ju thoni a ka të bëjë edukimi ateist me këtë kulturë që manifestohet edhe në formën e mungesës së empatisë ndaj viktimave (sipas meje si ana tjetër e medaljes së simulimit të të fortit gjithmonë fitimtar)? Edhe kjo është një temë e gjatë që meriton libra. Do të thosha se ka ndikuar, por të keqen e gjej në kohën përpara ateizmit ose më saktë në mënyrën se si u takuam ne me ateizmin. Tek ne edhe sot nuk ka një qëndrim kritik lidhur me thënien e Vaso Pashës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që Hoxha e mori “ad literam”, kur e zhduku krejtësisht fenë nga jeta e shqiptarëve. Pak është menduar se instalimi i fesë së re të nacionalizmit, që në kohën e Hoxhës u bë nacional-komunizëm, duke i bashkuar thënies nacionaliste edhe thënien marksiste “feja është opium për popullin”, ndodhi në një popull që ishte 90% analfabet dhe në një gjendje sociale tribale ku mbisundonte Kanuni me kultin e forcës, të nderit të fisit e të gjakmarrjes. Pra, ku kishte hyrë pak feja si mënyrë jetese, që e ndihmon njeriu të shohë thellë në shpirtin e tij dhe te të afërmit që ka pranë, të zhvillojë përvujtninë dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj tjetrit nëpërmjet respektimit të atyre që quhen dhjetë urdhëresat, apo të mësimit të Kuranit se kur shpëton një njeri ke shpëtuar gjithë njerëzimin. Sigurisht edhe zbritja e Zotit ndëshkues mbi tokë me fytyrën e diktatorit, ishte krejt e kundërt me Zotin që u bë njeri me fytyrën e Jezu Krishtit që i dëboi tregtarët nga tempulli dhe u mësoi njerëzve se zoti është dashuria, që ishte me më të dobëtit, që predikoi se duhet të duam edhe armikun tonë, se kur duam të qëllojmë mëkatarët duhet të mendojmë edhe për mëkatet tona.

Unë bëj pjesë ndër ata ateistë që besojnë se është njeriu që ka krijuar Zotin (jo Zoti njeriun) si shprehje e nevojës së tij për dashuri, për besim të njeriut tek njeriu, për t’i dhënë një kuptim jetës dhe vdekjes, por edhe si shprehje e përvojës së tij më të vyer në jetë të jetëve. Këtë Zot unë e gjej në shkrimet e shenjta, por e gjej edhe në veprat e shkrimtarëve, filozofëve, artistëve të mëdhenj, edhe ateistë. Gjykoj se komunikimi i shqiptarëve me këtë Zot ka qenë gjithherë i pakët dhe më duket se sot është edhe më i pakët.

Arlinda Guma: Së fundmi keni fituar një çmim në Itali me librin tuaj “Në vitin e shtatëmbëdhjetë”. Mendoni se koha që i kushtoni publicistikës i ka hyrë në hak asaj kohës tjetër ku mund të merreshit me letërsi? (Prej eksperiencës sime prej njeriu që shkruan kam kuptuar se ndjesinë që të jep të shkruarit e letërsisë nuk mund të ta japë dhe aq publicistika, them se letërsia vjen të shkruesi i saj si një akt purifikimi dhe përtëritjeje.) Cila është atmosfera në të cilën shkruani? Mund ta përshkruani? A duhet të ketë publicistika atmosferë përpara se të ngjizet, siç ndodh zakonisht me letërsinë?

Fatos Lubonja: Nga përvoja ime e jetës nuk mund ta konceptoj të shkruarit si diçka që mund ta ndaj nga emocionet, përjetimet e mësimet që më ka dhënë jeta në të shkuarën, si dhe ato që përjetoj sot. Kjo më ka çuar të shkruaj në dy binarë: të letërsisë dhe gazetarisë.

Një nga mësimet më të rëndësishme që kam nxjerrë nga jeta është ajo që duhet të luftojmë me sa mundemi që fëmijët tanë (në kuptim më të përgjithshëm se ai i fëmijëve biologjikë) të jetojnë në një vend ku të ndihen të lirë në mendime dhe në veprime, të mos poshtërohen nga të pushtetshmit e fortë e të dhunshëm, siç na ka ndodhur ne kur ishim të rinj, për shkak se prindërit tanë nuk bënë atë që duhej bërë. Kjo më ka çuar tek aktiviteti i intelektualit të angazhuar e gazetarit që kërkon ta ndryshojë përditë trajektoren që i jep përditë pushteti i së keqes botës ku jetojmë.

Kur bëj letërsi zhvendosem në një tjetër binar. Ndihem më i paqtë, më i kthjellët, edhe sepse nuk synoj të luftoj për të ndryshuar apo frenuar diçka (si psh., së fundmi, shkatërrimin e Teatrit Kombëtar),  por ta kuptoj dhe ta përshkruaj realitetin që jetojmë deri në angrrat më të thella. Kur kaloj në këtë gjendje, punën e gazetarit e përjetoj edhe si një mallkim, në kuptimin e atij mallkimit kinez:”Jetofsh në kohë interesante!”. Hannah Arendt e quan mallkim, sepse – thotë ajo – kohët interesante nuk të lënë të hysh në thellësitë e gjërave. Të njëjtën gjë e thotë Umberto Eco kur komenton një pasazh nga shkrimet e shenjta, ku flitet për një furtunë të tmerrshme në det, dhe ku më poshtë thuhet:”Por Zoti nuk ishte aty”. Sepse Zoti është në thellësinë e gjërave. Por kujdes, nuk mendoj kurrsesi se dikush që e quan veten shkrimtar duhet të arratiset në thellësinë e detit dhe të mos përjetojë furtunat që ndodhin në sipërfaqen e tij. Në thellësi mund të zhytesh vetëm duke u nisur nga sipërfaqja.  Deti është një i tërë. Pa metaforë do të thosha se përvojat me të cilat përballemi në jetën e përditshme si qenie sociale, na shkaktojnë ndjenja të ndryshme, ku, në realitetin tonë (së paku tek unë) spikasin ato të padrejtësisë, të revoltimit ndaj dhunës, gënjeshtrës, mashtrimit nga ana e pushtetit. Të reagosh ndaj tyre si gazetar do të thotë të jetosh si qytetar që ndjen përgjegjësi; t’i përshkruash ato si shkrimtar do të thotë t’i lësh të filtrohen në mendjen dhe shpirtin tënd dhe t’i përshkruash me qetësinë dhe kthjellësinë e Zotit. Kjo është një tjetër gjë; nuk mund të them as më e mirë as më e keqe. Edhe lexuesi besoj se ka nevojë për të dyja: edhe për reagimin e menjëhershëm e të mprehtë të gazetarit, edhe për kuptimin më të thellë të realitetit që i jep shkrimtari. Personalisht i shoh si komplementare. Ajo që më mungon është koha dhe mundësitë financiare për t’i bërë të dyja sa më mirë.

Arlinda Guma: Lexoni letërsi të autorëve shqiptarë të pas 90-ës? Çfarë ju tërheq dhe çfarë ju nervozon te kjo letërsi?

Fatos Lubonja: Në vitet ’90, kur revista “Përpjekja” kishte një karakter më të përgjithshëm, ku përfshihej edhe seksioni i letërsisë, në prozë edhe poezi, kam lexuar më shumë. Sot lexoj më së shumti eseistikë dhe letërsi të huaj dhe pak autorë shqiptarë. Ajo që më tërheq më shumë tek autorët shqiptarë është kur gjej vërtetësinë dhe besueshmërinë e rrëfimit (“verisimilitude” i thonë në frëngjisht, çka në shqip nuk ia gjej dot). Kjo sepse për shkak të kulturës së manipulim simulimit e gjej ende pak në letërsinë shqipe. Ajo që më nervozon më shumë është arratisja në tematika ekzotike apo trajtime që orientohen për të tërhequr lexuesin perëndimor dhe jo për të komunikuar me lexuesin shqiptar.

Arlinda Guma: Më rrëfeni një rast kur keni qenë i ftuar në një debat televiziv dhe keni patur një dëshirë irracionale t’ia fusnit me shpullë drejtuesit të emisionit. Apo një rast kur keni dashur të iknit prej emisionit për shkak të moderimit medioker? (defekt-teknik.com mirëpret përgjigjet jokorrekte politikisht…)

Fatos Lubonja: Nuk mund të tregoj ndonjë rast të veçantë, ndoshta edhe sepse në emision hyj gjithnjë me disponimin për të qëndruar, jo për të ikur. Mund të flas për ndjenja mundimi që kam përjetuar kur kam parë moderatorin t’i drejtojë pyetjet, dhe në tërësi emisionin, jo në kërkim të së vërtetës, por për të të përdorur në shërbim të një pale. Në vend se të ngrihem jam përpjekur t’ia drejtoj me sa kam mundur timonin për nga kahu i së vërtetës, herë duke arritur diçka, herë duke dështuar, por gjithmonë duke e vuajtur këtë situatë tjetërsuese.

Arlinda Guma: Si e shihni modelin e suksesit të rinisë shqiptare, e cila e gjen atë më së shumti te aderimi në një forcë politike? A është më pak idealiste rinia shqiptare se rinia e vendeve të tjera europiane? (Duket se në Shqipërinë e pas 90-ës termi “idealist” është keqpërdorur disi. Të jesh idealist në një Shqipëri të tillë është njëlloj sikur të jesh i sëmurë me kolerë.)

Fatos Lubonja: Kur mendoj për të rinjtë frenohem t’i akuzoj, sepse gjykoj se tek e fundit ata janë produkt i ne më të rriturve. Jemi ne që duhet të ndihemi përgjegjës nëse ata janë më pak idealistë se rinia në vendet evropiane. Sot dëgjoj shumë të rritur që ankohen se të rinjtë po sillen më keq se sa ç’jemi sjellë ne, se janë më injorantë, më të pasinqertë, më të babëzitur për lekun, më të gatshëm për ta shitur veten, me mungesë të ndjenjave të tilla si solidariteti, sakrifica, aftësia për t’u bërë bashkë në mbrojtje idealesh. Gjykoj se ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse ripërsërisin një  model që vjen e bëhet gjithnjë e më surrogat. Por shkaku jemi ne, që, sipas këtij modelit që e kemi trashëguar dhe zhvilluar, u themi “bëj siç bëjnë”, u mësojmë se si t’i përshtaten këtij realiteti (ose t’i largohen atij duke shkuar jashtë shtetit), dhe jo që të luftojnë për ta ndryshuar atë.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për rritjen e së djathtës ekstreme në Europë dhe politikat e saj populiste? Përse e majta duket se po humbet terren gjithnjë e më shumë?

 Fatos Lubonja: Së fundi, pas zgjedhjeve në Itali, kam bërë një shkrim mbi këtë temë. Duke përmbledhur disa ide të hedhura aty, them se ky fenomen pasqyron krizën e sistemit kapitalist të pas Luftës së Ftohtë, që mund të përkufizohet si kombinim i neoliberizmit me globalizimin. Ky kombinim solli triumfin e individit që sheh vetëm interesin e tij në një botë të hapur, që vë lirinë personale përpara çdo projekti komunitar, që i nënshtrohet vetëm ligjeve dhe vlerave të tregut. Ky triumf që pa dyshim ka sjellë edhe gjëra pozitive në aspektin e lirisë, ka degraduar megjithatë në një rendje të shfrenuar pas pasurimit me pasoja; varfërimin e shumicës dhe pasurimin e një pakice. Politikanët janë kthyer nga shërbëtorë të publikes, në menaxherë të interesave ekonomike të kësaj pakice, ndërkohë që shumica ndihet gjithnjë e më e pasigurt dhe kërkon ndryshim. Rikthimi i partive që sot i quajmë të djathta ekstreme, me programe që mund t’i quash të së “djathtave sociale”, të cilat e vënë theksin tek mbrojtja e vlerave të komunitetit (kombëtar, lokal apo fetar) bazohet tek nevoja bazike e njeriut për sigurinë që i jep përkatësia në një komunitet, por edhe qenia pjesë e një projekti të përbashkët që i jep kuptim jetës përtej pasurimit individual. Duke kërkuar sukses sa më të shpejtë, partitë e së djathtës ekstreme kanë bërë kryefjalë mbrojtjen e këtyre komuniteteve nga emigrantët – sipas meje – duke lënë mënjanë shkakun e vërtetë që i ka bërë njerëzit të humbasin sigurinë dhe ndjenjat e solidaritetit, e duke ushqyer ndjenja të papranueshme si ksenofobia e racizmi.

E këtu vijmë tek e majta. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, të majtat që përfaqësonin interesat e shtresave të brishta u detyruan të hiqnin dorë nga socializmi dhe t’i nënshtroheshin formulës së famshme të Thatcherit: “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”. Programi kryesor i tyre u zhvendos, nga lufta për rishpërndarje më të drejtë në emër të barazisë ekonomike, në luftën për barazitë gjinore, racore,  të drejtat e minoriteteve, të homoseksualëve, etj. Të gjitha këto janë pozitive, por, ndërkaq pabarazia ekonomike u rrit. Pas iluzionit se klasat nuk ekzistonin, pasi kishte vetëm individë që mund të ngjiteshin në shkallën sociale sipas aftësive, erdhi një pikë ku njerëzit filluan të shohin se të jetuarit si individë, pa komb e politika kombëtare, siç thonë të djathtët antiliberistë, apo pa politika sociale e shoqëri, siç thonë të majtët antiliberistë, favorizon vetëm një pakicë. Diçka duhet të ndryshojë për ta kthyer lavjerrësin për kah më shumë barazi në shpërndarje dhe më shumë sociabilitet. Lëvizje të tilla si “Jemi 99” (%) në SHBA apo “Indignados” në Spanjë, “Syriza” në Greqi apo edhe “Cinque Stelle”, janë shprehje të rilindjes së një të majte tjetër në përgjigje të kësaj nevoje. Gjykoj se e djathta ekstreme i është përgjigjur më me efikasitet përsa i përket suksesit elektoral kësaj nevoje, sepse e ka një terren të përgatitur konservator, kurse e majta që ka pësuar një disfatë të thellë me socializmin real e ka më të vështirë.

Arlinda Guma: Dhe vijmë sërish te letërsia: A keni në proces botimi ndonjë vepër të re? Apo thjesht në proces shkrimi…

Fatos Lubonja: Janë disa libra për të cilët po punoj paralelisht, me shpresën që të gjej kohën t’i mbaroj.

Arlinda Guma: Mund të më jepni një detaj piktoresk të Tiranës, i cili ju është i dashur?

Fatos Lubonja: Shtëpitë e vjetra të atyre që dikur i quanim “mëhalla” nga të cilat ishim, me dyert e tyre origjinale, që ruajnë ende gozhdët e kovaçit me të cilat janë mbërthyer dërrasat, me oborret me pemë dhe lule që duken pas mureve që i rrethojnë, të cilëve vende-vende u ka rënë suvaja dhe u ka dalë qerpiçi, por që i hijeshojnë bimët kacavjerrëse që lulëzojnë mbi to. Për mua këto shtëpi, fatkeqësisht sot gjysëm të rrënuara e me puse të thara, që i gjen ende në copëza mëhallash të masakruara, janë  dyfish të bukura e piktoreske, njëherë sepse janë të tilla për çdo njeri me shije që i sheh për herë të parë, por edhe sepse më kujtojnë oborrin e shtëpisë ku kam lindur dhe jam rritur, me portokallet, mandarinat, fiqtë, kumbullat, nespullat, dardhat, trëndafilat, zambakët e lulet e ndryshme, por edhe me fluturat, xixëllonjat, grenxat, bletët që ndalonin mbi to e që sot mungojnë krejtësisht nga qyteti i përçudnuar nga  injorantët, që kanë derdhur mbi këtë bukuri dhe diversitet, shëmtinë shkretuese të betonit.

____

Shënim: Shkrimet e defekt-teknik.com nuk janë për gazetaret  pa ide të Gazetës “Mapo”. Edhe pse përpiqemi ta mirëkuptojmë me sa mundimkoeficientin e tyre të ulët të inteligjencës, si dhe koeficientin e tyre të lartë të mediokritetit, u bëjmë me dije t’i mbajnë duart larg kësaj faqeje!

 

 

1 177 178 179 180 181 191
Go to Top