Author

Admin - page 99

Admin has 1899 articles published.

Prelud-Nizar Kabbani

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Prelud-Nizar Kabbani

 

Për një grua që s’ka të ngjashme
e pagëzuara «qyteti i trishtimit tim»
për atë që udhëton në ujin e syve të mi
si anije
dhe kur shkruaj
depërton midis meje dhe zërit tim:
të dhuroj vdekjen time si poemë
Si beson se këndoj për ty ?

 

Përktheu: Ledia Kushova

Grua, dija e Zotit tim-Nizar Kabbani

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Grua, dija e Zotit tim-Nizar Kabbani

 

Në sytë e tu dhembshuria humb si rrudhat e ujit
humb koha, hapësira, fushat, shtëpitë, detet, anijet.
Fytyra ime bie si një vazo
e mbaj fytyrën time të thyer midis duarve
dhe ëndërroj të blihet prej një gruaje
por kush shet vazo të vjetra më thotë :
Gratë nuk blejnë fytyra të trishtuara.

 

Përktheu: Ledia Kushova

LULE DIMRI-Sueton Zhugri

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

LULE DIMRI-Sueton Zhugri

 

Dashuria është kaq e rrallë

S’bëj dot fëmijë

As buzëqeshje s’pjell dot me pahir

Dashuria

Është kaq e rrallë

E fundme

Si kovë e zbrazur që bie

Në fund të një pusi të zi

Me ujë të kulluar.

Është kaq e rrallë dashuria

Ajo e fundit

E një kohe të fundme

Që s’pjell dot
as dhe…

Një vyshkje

Të përjetshme

Me ujë përkohësie.

 

6.1.2019

NËSE DONI TË BËHENI DEPUTET-ROBERTO ARLT

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

ROBERTO ARLT

Argjentinë, 1900 – 1942

Në qoftë se doni të bëheni deputet, mos përrallisni për shtimin e prodhimit të panxharit të sheqerit, të karburanteve, të grurit; mos flisni për tatimin mbi të ardhurat; mos u betoni për besnikëri ndaj Kushtetutës dhe Atdheut, mos dërdëllisni për mbrojtjen e interesave të punëtorëve, të nëpunësve, të fëmijëve. Jo. Nëse ju doni të bëheni deputet, duhet të mbani këtë fjalim:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vras veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.

Buenos Aires, 1936.

Përktheu: Bajram Karabolli

Njeriu me dritare në krah-Petraq Risto

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Njeriu me dritare në krah-Petraq Risto

 

Në vend të çantës në krah kam një dritare: po shkoj t’i gjej një mur…
Dritarja e hapur di të flasë: Vjetërohet shikimi apo lodhet drita?
Pse rrinë bashkë jasemini me një nusepashkë?
Kur fryjnë erërat, zgjohen shpirtrat?
Pa mure janë dritaret në Parajsë?…
A mund t’i përgjigjem një dritareje pa thyer qelqin e fjalës?
Po sikur fjalët t’i marrë era?…
Ngaqë nuk flas, kthehem në mur.

…Tashmë më mungon dera…

“Bob Legjenda”-Një roman i ri nga Arlinda Guma

in Letërsi by

Një pasthënie e shkurtër nga autorja

 

Arlinda Guma

“Bobi është një shkrimtar i ri, i cili ka frikë të përballet me sentimentet. Dhe të gjithë diellin që ka brenda vetes, ia rrezaton botës si një fëmijë i prapë, që me copëza pasqyrash në duar, verbon kalimtarët nëpër rrugica.

Ai urren romanet rozë dhe druhet se mos shkruan edhe me jetën e tij një të tillë. Dhe kjo i sjell një seri keqkuptimesh me vajzat.

Shqetësimet e tij intelektuale, si të tilla, janë tejet të stërholluara, por gjuha me të cilën ai ia përcjell lexuesit, është e thjeshtë, e gjallë, gazmore, origjinale, e drejtpërdrejtë, autoironike.

Bobi sapo ka dalë nga një marrëdhënie dashurie traumatike, dhe siç rrëfen me vetëshpoti, ngjan me një aeroport të sertë, të bombarduar, që nuk lejon të kalojnë metale që tringëllijnë. Por ndërsa ai kujdeset që të mos lërë të kalojnë “xhinglat metalike”, një vajzë që ngjan sikur është arratisur nga Fronti i Rezistencës, mu nën hundën e tij, është duke i kaluar tanket…

Zakonisht kur shkrimtari fillon të mbrujtë një personazh, ai do ta marrë atë për dore dhe do t’i mësojë të ecë. Me Bobin nuk ndodhi kështu; ai e fitoi herët pavarësinë ndaj meje: qysh sa lindi u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte vetë.

Ai nuk është pjesë e mjedisit të korruptuar letrar, ku kridhen pa ndonjë skrupull kolegët e tij shkrimtarë, kështu që, i huaj për atë ambient, Bobi gjen strehë te përjetësia, me të cilën ka një raport plot ilaritet… Përjetësia do t’i japë më në fund, atë që nuk do t’i hyjë më në punë për asgjë…

Duket sikur mendimet e tij të drejpërdrejta do t’i bënin “grupet e interesit” të dilnin vazhdimisht në protesta, por ky është edhe impulsi që ruan gjallërinë e rrëfimit (në vetën e parë) të këtij personazhi, i cili ndonjëherë mund të të nervozojë dhe ndonjëherë tjetër mund të të bëjë ta duash shumë.

Teksa e mbrujtja, shihja sesi tiparet e mprehta të personalitetit të tij rebeloheshin ndaj formave dhe latimeve që provoja t’u jepja. Dhe ndërsa romani zhvillohej, e përfytyroja sikur të ishte ngjitur në një skenë teatri, në një monolog gjithë nerv, duke rrëfyer veten dhe duke verbuar me copëza pasqyrash, si një fëmijë i prapë, edhe spektatorët në sallë…”

_______

Romanin e gjeni në Libraritë: “Adrion”, “Albania”, “Dita”, “Shtëpia e Librit”, “Tiranabook” pranë Sheshit “Wilson”, “Art’s” pranë Stacionit të Trenit, në Librari “Dyrrahu”, Durrës, në Librari “Dukagjini”, Kosovë dhe në Librari “Riletra”, Kosovë.

Botuar nga Shtëpia e Librit

Kopertina realizuar nga Vlash Papa

__________

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj. 
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Rruga-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Rruga-Edvin Thomollari

 

Që të bëhesh trim
duhet ta bësh ketë rrugë natën…
Një shkop, një gur, një zemër,
një rrugë sa një gjysmëqiell…
dy konizma ku mund të bësh kryqin tri herë.
Hajmalitë nuk lejohen,
vetëm një shkop, një gur, një zemër…
Trinia e shenjtë dhe kujtimet e njerëzve të gjallë,
Pali, që nuk e hoqi kapelen me yll kur i thanë “nicht partisan”.
Shën Pali, që nuk hoqi dorë nga ungjilli,
ylli dhe ungjilli, tani janë në gur.
Një shkop, një gur, një zemër, një yll dhe një ungjill…
Hajmalitë nuk lejohen,
lejohet vetëm të ëndërrosh se po afrohen dritat e qytetit…
Një shkop, një gur, një zemer, një yll, një ungjill dhe dritat e qytetit…
Por, duhet ta bësh këtë rrugë natën…

DIMËR

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DIMËR

 

Në kopsht
një shekull
gjethesh të rëna

Basho

~

Në dhomë
shkela krehërin e së ndjerës grua –
ç’thëllim

Buson

~

Pak njerëz –
një gjethe bie këtu
një tjetër atje

Issa

~

Dielli shndrit
mbi gurët
e shkorretit të tharë

Buson

~

Bishti i kalit
ngeci te ferrat
e shkorretit të tharë

Buson

~

Shkulësi i rrepave
tregon udhën
me një rrepë

Issa

~

Gjethet bien
mbi gjethe –
shiu mbi shi

Gyodai

~

Fryn shtrëngata –
fytyra e lagur
​e dikujt

Basho

~

Një sandale kashte
në fund të pellgut të vjetër –
bie breshër

Buson

~

Bredh fillikate
mbi shkorret
hëna e dimrit

Roseki

~

Kaloj i vetëm
nën dritën e ftohtë të hënës
urën që dridhet

Taigi

~

Në britmën e fazanit të argjendtë
që s’e zë gjumi
ngrin hëna

Kikaku

~

Më e ftohtë se dëbora
hëna e dimrit
mbi flokët e thinjur

Joso

~

Asnjë gur
për të gjuajtur qenin –
hënë dimërore

Taigi

~

Buda i shkorretit –
në majë të hundës
i varet një krongjill

Issa

~

Mbi kalë unë –
nën kalë hija ime
që zharget e ngrirë

Basho

~

Të njëjtat male
pa edhe im atë
në shkretinë e dimrit

Issa

~

Vetmi dimërore –
kisha një pyetje
për Budën

Shiki

~

Natë dimri –
pa ndonjë shkak
dëgjoj fqinjin

Kikaku

~

Në tasin tim prej hekuri
në vend të një dyshke,
breshri

Santoka

~

Ç’mrekulli
të pshurrësh më këmbë
nën një stuhi breshri

Issa

~

Maçoku endacak
pëgër
në kopshtin e bardhë

Shiki

~

Dimër i shkretuar –
një baldosë
e varur nën pullaz

Soseki

~

Ikën
pa çati as varr
pulëbardha e dimrit

Shuson

~

Mesnatë me brymë –
për të fjetur i mora hua mëngën
dordolecit

Basho

~

Ngre kokën
dhe shoh formën time të zgjatur –
ftohmë e hidhur

Raizan

~

Zhurmë miu
që skërmit një pjatë –
sa ftohtë!

Buson

~

Edhe korbi
duket i bukur
këtë mëngjes dëbore

Basho

~

Përmes dëborës
dritat e shtëpive
që ma mbyllën portën në fytyrë

Buson

~

Kjo vrimë e përkryer
që bëj duke pshurrur
në borën para portës

Issa

~

Dhe tani
le të sodisim dëborën
gjersa të na këputë lodhja

Basho

~

Viti po ikën –
ia fsheha tim ati
flokët e thinjur

Etsujin

~

Zgjodhi e përktheu: Alket Çani

Flet Faik Konica-Fan Noli

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Fan Noli

Në një silan të Vienës, duke pirë nga një kupë të tretë “Gumbold Skirchnor”, po bisedonim me Faik Konicën mbi Partinë Politike të Inglisë, në prill të motit 1915.
Nga Inglia ishim hedhur në Shqipëri, kur servitori na solli kupën e katërt dhe atëherë unë e pyeta Faikun, a duhet të kopjojmë në Shqipëri sistemin e qeverimit me anë të dy Partive, një konservatore dhe tjetra liberale, të cilat hipin në fuqi njëra pas tjetrës sipas votës së popullit.
“Jo”, – tha Faiku, – s’është punë që bëhet. S’mund të kemi një Parti Konservatore në Shqipëri, se konservator do me thënë ay që konservon një trashëgimi të vyer politike. Për shembull: inglizi është konservator se dëshiron të konservojë Perandorinë Inglize, pasurinë inglize dhe institutet inglize që krijuan këtë perandori. Po ne shqiptarët ç’kemi trashëguar dhe ç’të konservojmë? Feudalizmin e Bejlerëve, Patriakalizmin e Malësorëve apo Banditizmin e Fshatarëve?
Këtu erdhi servitori dhe solli kupën e pestë, Faiku e zbrazi dhe vazhdoi:
“Nga ana tjetër s’mund të kemi as parti liberale, se liberalizmi ingliz i bëri reformat me ngadalë, e zë lepurin me araba, me urt’ e butë e plot tigani dhe gjerësa t’i bëjmë ne reformat si inglizët na piu morri, na hëngri greku e serbi dhe italiani.
Servitori, i cili na përgjonte na solli menjëherë kupën e gjashtë:
“Jo or jo, – konkludoi Faiku, – nuk duhet të kemi as Parti Konservatore, as Liberale pas mënyrës inglize, se as njëra as tjetra nuk na hyjnë në punë në Shqipëri. Neve nuk na duhen dy partira, por vetëm një, njëzë dhe njëçikë Parti revolucionare. Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëxuar dhe rindërtuar nga themelet”.
Kur ua tregoj miqëve këtë bashkëfjalim, të gjithë më shikojnë me dyshim, duke kujtuar se tallem me ta, se të gjithë e dinë Faikun si konservator edhe pak a shumë si reaksionar. Por kjo nuk është e vërtetë. Faiku në djalëri kishte kaluar nëpër të gjitha ideologjitë reaksionare dhe jo përcipë a shkel e shko, por kishte hyrë thellë dhe e kishte studiuar me zjarr e pasion Karl Marksin, e dinte në majë të gishtërinjve dhe gjithnjë fliste për të me respekt si për ndonjë dhaskal të vjetër të djalërisë, nga i cili kishte mësuar dhe gjëra mohuese, nuk i besonte që të gjitha. Jo, Faiku nuk ka qenë kurrë konservator a reaksionar. Po ta kruanje pak, menjëherë çfaqej revolucionari i vjetër.

1945

Pa titull-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Pa titull-Sueton Zhugri

***

Është kafka eshtra që ndodhet më pranë qiellit
Dhe fijet e flokëve kur si flatra zgjaten më lart se krahët
Nga aty vijnë urdhëra në blu
apostrofet e pambaruara të ekzistencës
kur gishtërinjtë e rrezeve nga kozmosi
ngjeshin lëkurët
me fotone yjësish të vdekura

…. e duart tona zbaviten kur njohin sende
dhe fytyrat e dashuruara
me çiltërsinë e një fëmije
ledhatohen
e ndjenjat përçojnë kaltërsive
të bardhën e reve dhe të eshtrave.

1 97 98 99 100 101 190
Go to Top