Author

Admin - page 171

Admin has 1812 articles published.

Për mua liri është kur mbyllem brenda katër mureve, e robni është prej momentit të daljes jashtë katër mureve/Egzon Krasniqi  

in Feminizëm by

Egzon Krasniqi

 

 

Kushtuar vajzave dhe grave të dhunuara…

Unë punoj shankiste në një barkafe, e cila ndodhet mes lagjes sime, në fund të rrugës së ngushtë me kalldrëm. Një rrugë e dekoruar me lule “thashetheme”, ku e gjithë lagjia si punë parësore ka hallet e brengat e të tjerëve, thënë më saktë; gëzohet me fatkeqësitë e të tjereve.

Zakonisht nga lokali për në shtëpi kthehem në orën tetë të mbrëmjes, atëherë kur të tjerët darkojnë në ballkonet e ngushta, dhe në vend të kafshatës së bukës, shpesh gratë marrin ndonjë shuplakë gojës nga burrat kur e shfrenojnë gjuhën.

– Ja, kjo kurva e kafeve! S’gjeti punë tjetër veç të punojë kafeve! Po mirë e gjeti veten meqë mjeku i ka thënë se është sterile! Do jetë mirë aty, do e bëjë me kë të dojë e do jetë pa barrë. Mjerë lagjia që e ka!

Të dielën e kam pushim. Atë ditë mbyllem brenda katër mureve, duke analizuar se ç’pranga të forta m’kanë vnu. Shpirti më është enjtur nga bllokimi i prangave që kurrë s‘u larguan. Për mua liri është kur mbyllem brenda katër mureve, që dukshëm dobësojnë dritën, e robni është prej momentit të daljes jashtë katër mureve.

Nji natë kur kthehem nga puna, burri nuk më priti si përherë, shikimi tij ishte i brishtë e fjalë prej goje s’i doli.

Pas ngrënies së darkës, e lodhur si përherë, u shtriva n’shtratin tim, ku s’e bëra as edhe një nate me burrin.

Atë natë burri m‘u afru, më përqafoi. Filloi të më puthte dhe i tëri ishte lakuriq. Trupi filloj të më dridhej, e tëra po kërceja përpjetë dhe s’e kuptoja ç’po ndodhte.

– Të lutem mos e bëj!

-Hëë ç’ndodhi?!

-Më fal, e kuptoj se ke nevojë ta bësh, por të lutem mos e bëj. Të lutem!

– S’kam nevojë ta bëj, por kam nevojë të ec lirshëm n’lagje.

– Ne duhet të kemi një fëmijë, duhet t’ua mbyllem gojët maskarenjeve të lagjes.

– Do e bëjme, por të lutem më jep kohë!

-A nuk mjaftuan dhjetë vite, a ende s’ke filluar të më ndiesh?

– Të dua, të dua më shumë se veten, por të lutem mos më detyro!

– Mirë s’do të të detyroj, por të lutem harroje atë që të bëri të vuash e më dashuro mua, kështu si të dua unë ty!

– Falemnderit që më kupton!

– Falemnderit ty që jeton me mua.

Shume net të tilla i kaluam për dhjetë vite, por kjo nuk ndodhi natën tjetër, kur ai erdhi tepër i mllefosur në shtëpi, më kapi për krahu, më shtriu në shtrat dhe e bëri atë që ai deshi. E bëri në mënyrën më të gabuar, diçka që e priti me vite. Pasi ai u largua, unë mbeta e shtrirë në shtrat, lotët më kthyen në kohën më të zymtë të jetës sime, më kthyen përpara njëzet vitesh.

Nuk di ç’është jeta, më mallkuan njerëzit apo më mallkoi vetë Zoti, nuk di, por Zoti nuk mallkon njerëz. Ai begaton e mbron, fal e mëshiron. Po për mua ku mbeti mëshira? Ku është mëshira e Tij? Zot, më fal që jeta ime është n’drejtim të kundërt me jetët e të tjerëve! Më fal që unë e zgjodha. Tani burri që qëndruam pranë njëri-tjetrit, është njeriu që hyn në grupin që mallkoj çdo sekondë. Ai më ktheu njëzet vite pas. Atëherë kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeçare, atëherë kur u trajtova më egër se kafshët, atëherë kur askush s’e qante hallin e tjetrit, atëherë kur secili mbronte familjen e tij.

Por mua nuk më mbrojti askush. Unë duhej të mbroja nënën që me të madhe qante, kërkonte djalin e saj t’vetëm, i cili i ishte bashkuar karvanit që vraponte për liri, së bashku me babain. Një çast ajo lëshoi një fjalë “biri im, ushtari im, ti do jesh hero, s’ka rëndësi në kthehesh i gjallë apo i vdekur!” Fjalët e saj i dëgjuan ata të mallkuarit, shkijet e t’bijave shkina. E morën nënën, me thikë dore i hapën gjoksin, ia shkulën zemrën e ma hodhën në prehër. Pastaj m’u afruan tre prej tyre, më morën me dhunë, s’kisha forcë të rezistoja, më zhveshën në prani të popullit e me ç’virgjëruan. Ata ma vodhën virgjërinë, por jo nderin. Më vodhën lirinë e më dhuruan terrin.

Mjerisht sot, njëzet vite më vonë, burri im, që me vite qëndruam bashkë, më bëri të përjetoj të njëjtën gjë. Nuk mundi t’iu rezistojë thashethemeve t’hallkut.

 

 

30 vjet amnezi në 100 vjet vetmi/Aldo Mustafa

in Në kohërat e kolerës by

Aldo Mustafa

Ndodhi të mërkurën e përhimtë, ditë kur Eduard Tristianit të Dytë iu desh të bënte kinse se ishte pjesë e turmës dhe gjurulldisë, teksa shihte se si busti i bronztë i të atit, Eduard Tristianit, po shembej atë fund dimri të ashpër.

Kishin kaluar gjashtë vjet me fantazmën e tij që i avitej dhomës, duke profetizuar fatin e tij dhe djemve të tjerë nën zë. Por Eduard Tristianit të Dytë njëzeteshtatë vjeçar, aq i bënte. Ai nuk ia vinte veshin një fantazme, e cila, edhe pse e vdekur, dukej se vitet pas vdekjes po ia kthenin kohën pas duke e rinuar. Nuk e kishte menduar se një i vdekur mund të rinohej. Deri në atë çast nuk kishte pandehur se ato profeci, që fantazma i thoshte ulur nën karrigen përballë shtratit të tij, mund të bëheshin të verteta.

Eduard Tristiani ishte ndër njerëzit e parë udhëheqës, të cilët hodhën themelet për të krijuar Amnezian. Amnezia kishte tashmë tetëdhjetë vjet e themeluar dhe ishte shpallur e pavarur, por ajo ende nuk njihej mirë, dhe vetë identiteti i saj ishte një pikëpyetje e madhe a ekzistonte apo jo. Banorët e saj çdo ditë e më shumë deri atë të mërkurë, vuanin nga ethet e pagjumësisë. Këto ethe, jo vetëm që u shkaktonin pagjumësi, por bënin që ata të fillonin pak nga pak të harronin çdo gjë, madje edhe emrat e tyre, deri në pikën ku arritën të ktheheshin në qënie primitive, duke shkatërruar çfarë u dilte përpara.

Eduard Tristianin e Dytë, nuk e kishin kapluar ende mirë ethet e pagjumësisë, ai ende njihte familjarët, vëllain e tij Jezebel Tristianin, i cili ishte bashkuar me banorët e tjere vetëshkatërrues të Amnezias për të rrëzuar edhe bustin e Eduard Tristianit. Kjo pasi Jezebel Tristiani, asnjëherë nuk kishte qenë i preferuari i të atit, nuk ishte veçse një lopçar, i cili u detyrua të largohej nga familja për shkak të mendimeve të tij të ndryshme. Tanimë ai mundej të shpërthente mllefin e mbledhur mbi atë bust, si shenjë rrëzimi ndaj themeluesit të madh dhe asaj ç’ka ai krijoi në Amnezia ato tetëdhjetë vjet, duke marrë kështu pushtetin në dorë dhe duke udhëhequr Amnezian.

Idetë e tij futuriste dhe rënia brenda pak kohësh nga Amnezia, do të sillnin kaos dhe do të bëheshin shkak që një anije që nuk ishte parë kurrë më parë, të magjepste banorët dhe t’i tërhiqte si sirenat drejt detrave. Anija u mbush me Amnezianë të moshave të ndryshme. Ata, të dëshpëruar për të parë mrekullinë e saj, kërcyen mbi të dhe e tejmbushën siç sulën milingonat e dheut mbi ushqimin e dimrit, duke turbulluar pamjen e ushqimit dhe duke mos e dalluar llojin i tij. Por ky do të ishte i llojit më të dëmshëm. Sa më shumë i largoheshin bregut, po aq zhdukeshin ethet e pagjumësisë te lundruesit, por ata mbeteshin sërish Amnezianë.

Paskëtaj, gjithçka për Tristianët mori tjetër rrjedhë, teksa Jezebel Tristiani i mësoi Eduard Tristianit të Dytë marifetin sesi të rriste disa bimë magjike, për të cilat thuhej madje se nëse i digjte mund të ktheheshin në sende dhe kafshë të ndryshme. Ai e kultivoi bimën në zona të ndryshme të Amnezias dhe ku asnjë banor nuk e dallonte kur kalonte. Ajo ishte magjike, zhdukej prej syve të tyre.

Ky do të ishte vetëm një fillim i vogël pas rënis së Jezebelit dhe pasi ai vetë i qe bashkuar Revolucionit të së Mërkurës së Përhimtë pak vite më parë.

Tristianët kishin pësuar një humbje të konsiderueshmë të pasurive, kështu u duhej ta ringrinin atë që kishte humbur dhe në krye të gjashtë viteve, Jezebeli e rigjeti veten sërish duke udhëhequr  Amnezian.

Nga malet e Amnezias, menjëherë pas rënis së parë të Jezebelit, pat ardhur si nga hiçi Eduard Jezebel Rishi, vëllai i humbur i familjes së Tristianëve. Në fakt asnjë prej familjarëve nuk ishte në dijeni të një pasardhësi tjetër të Eduard Tristianit, por fytyra e tij pasqyronte më së miri po të njëjtën çmenduri të të atit, lakminë për pushtet dhe pasuri, kështu atyre nuk iu desh shumë ta vërtetonin, por e pranuan si vëllain e tyre dhe e lanë të udhëheqë në “prapavijë”,  pa dalë mirë në skenë si anëtar i familjes. Gjatë kësaj kohë, ai do t’i bashkohej kultivimit të bimës magjike duke e shtuar këtë bimë në zona të tjera të Amnezias, por makutëria e tij do bënte që një pjesë të kësaj bime ta fshihte në lugina të tjera duke mos ua treguar dy vëllezërve të tjerë, por duke vazhduar dhe duke marrë pjesë nga e tyrja. Kësaj bime do t’ia shihnin magjinë e vërtetë kur do të niste të dallohej dhe kërkohej nga Amnezianët për të shëruar ethet e pagjumësisë. Shuma të tëra parash do të vinin prej kësaj bime, por tashmë ata nuk po arrinin ta ndalnin. Babëzia për pará u shtohej gjithnjë e më shumë, kështu u lindi ideja që në mes të Amnezias të digjnin disa prej bimëve magjike, duke krijuar atë çka më pas do të quhej nga të gjithë si piramida e Sudes. Por nuk zgjati kur piramida e Sudes u doli duarsh Tristianëve dhe banorët e tërbuar të Amnezias i detyruan të sprapseshin nga udhëheqja e vendit. Ata dogjën piramidën dhe hiri i saj mbuloi Amnezian për njëqind e tetëdhjetë ditë, duke nxirë gjithçka.

Ato do të ishin ditët më të zymta për Amnezian dhe banorët, shumë prej të cilëve vdisnin në vend të asfiksuar nga ndonjë shtëllungë e papritur hiri që u hynte prej dritareve. Ky rrebesh hiri ndali njëqind e tetëdhjetë ditë më pas, kur Jezebel Tristiani u detyrua të merrte frenat në dorë, duke hequr të vëllain Eduard Jezebel Rishin nga udhëheqja në “prapavijë” dhe duke vendosur të hapë portat e Amnezias. Duke u dhënë banorëve të saj lirinë dhe të drejtën për t’u larguar prej saj.

Shumë anije të tjera do të mbusheshin me Amnezianët e panumërt, duke e përgjysmuar popullatën e Amnezias.

Mes atyre pak Amnezianëve të mbetur, do të lindtë një pinjoll i familjes së Tristianëve, kur Eduard Jezebel Rishi u martua me motrën e Eduard Tristianit të Dytë dhe Jezebel Tristianit. Frika se nga kjo martesë mund të lindte një fëmijë me probleme ishte e madhe, si nga e reja po ashtu edhe nga dy vëllezërit e tjerë, duke qenë se njëhere, një kushërirës së tyre të largët iu desh të martohej më kushëririn e parë dhe fëmija lindi pa krahë. Por në këtë rast fati do t’i trokiste në derë. Nuk pati asnjë mallkim, fëmija erdhi në jetë po atë vit me problemin e vetëm se kishte një gisht të vogël në fundshpinë, që më pas u konstatua të ishte një bisht derrkuci. Shumë mjekë u përpoqën t’ia hiqnin, por më kot, ishte e pamundur. Fëmija gëzonte shëndet të plotë dhe kishte oreksin e shtatë burrave. Që javën e parë i dolën dhëmbët dhe mundte të bluante edhe mishin e gjallë. Derrkuci i vogël u pagëzua me emrin Jezebel Rish Tristiani dhe në krye të vitit hodhi shtatin e tre burrave, qafa i qe dhjamosur nga ushqimi që nuk bluante dhe kështu me atë ritëm rritjeje i kërkoi xhaxhait të tij t’i japë të drejtën të udhëhiqte Amnezian. Për këtë të fundit ishte e vështirë të linte një vend të tërë të udhëhiqej nga një pinjoll, i vogël në mend dhe i madh në trup, siç e quante ai, por në përpjekje e sipër, iu desh të bënte atë çfarë nipi i tij i kërkoi, pasi një ditë iu tremb kërcënimit të tij se nëse nuk ndodhte kështu, atëherë ai do ta kullufiste xhaxhanë e tij.

Ndërkohë nga ana tjetër, familja e Tristianëve ishte shtuar dhe me dy fëmijë të Eduard Tristianit të Dytë.

Kështu tetëmbëdhjetë muaj më vonë ai mori vesh se do të bëhej babai i dy djemve. Ndryshe nga fëmija i Eduard Jezebel Rishit, djemtë e tij erdhën në jetë pasi “furra mitër” i poqi mirë për tetëmbëdhjetë muaj, dhe kur dolën, tashmë ata mund të flisnin dhe të jepnin mendimet e tyre në familje për problemet e Amnezias. Tek ata nuk u pa bisht derrkuci, duke qenë se Lolita, e ëma e tyre nuk kishte lidhje gjaku me familjen Tristian.

Fëmijëve u dallohej vetëm nishani në ballë, një njollë e vogël e zezë, e cila në fillim u ngatërrua me ndonjë mpiksje gjaku të mundshme nga shtatzania e gjatë, por që nuk qe aspak e tillë.

Djemtë u pagëzuan me emrin Eduard Lolita dhe Tristian Lolita. (U vunë edhe emrin e së ëmës në mënyrë që të mos ngatërroheshin me anëtarë të tjerë të familjes.)

Ndërkohë që fëmijët rriteshin, hera-herës në dhomat e tyre i vizitonte gjyshi Eduard Tristiani, i cili kishte arritur një mesomoshë, por sa vinte e rinohej. Kështu ai i ushqeu me përrallat për një Amnezia të bukur, ngaqë në kohën e tij u ngritën shumë monumente kulturore dhe një teatër madhështor, ku njerëz të ndryshëm vinin të maskuar në skenë, nën petkun e roleve të tyre.

Do të ishte pikërisht ky teatër, të cilin kur të rritej, Eduard Lolita, bashkë me të atin, do të vendosnin ta shkatërronin si godinë, me idealin se po rilindnin një Amnezia më të mire, e cila tashmë ishte shkatërruar nga lufta që xhaxhai i tyre Eduard Jezebel Rishi bëri për tetë vjet.

Shumë syresh i dolën kundra kësaj pune asokohe, por qe e kotë të ndryshonin vendimin e Tristianëve, ata po sillnin një Erë të Re që do të mbahej mend gjatë, ndoshta edhe për shkak të shiut që tashmë kishte katër vjet, dhjetë muaj, e shtatë ditë, që nuk pushonte dhe me sa dukej nuk do të pushonte edhe për tre vitet në vijim.

Pas kësaj teatri u shkatërrua për t’u ndërtuar një i ri. Ndërkohë vëllai tjetër, Tristian Lolita, do të gjendte rëndom disa qypa, poçe të vjetra me florinj në oborr dhe do të vendoste që t’i mbulonte, por Amnezianët e kuptuan se ç’qe duke bërë dhe u tërbuan; ato pasuri mund të bëheshin dhe të tyret duke qenë se nuk kishin zot, mund të fitonin të gjithë, por e vetmja gjë që Tristian Lolita u linte atyre  të fitonin ishte tregtia e bimës magjike, e cila tashmë nuk bënte më përshtypje në masë dhe mund të gjendej lehtësisht, mjaftonte ta kërkoje dhe çdo shitës ambulant i Amnezias mund të ta siguronte nga fara deri tek vaji i saj.

Ndryshe nga vëllai i tij, Eduard Lolita tashmë kishte marrë një pjesë të pushtetit nga i ati dhe teksa ecte nëpër Amnezia me oficerët e tij, merrte përpara çdo shitës ambulant dhe kriminel që tregtonte ç’të mundte. Tashmë ishte kthyer në simbolin e drejtësisë në Amnezia, banorët e adhuronin dhe i falnin nderime me dhurata nga më të ndryshmet, madje një herë i dhuruan aq shumë vezë pulash të rritura mbi pemë, të cilat thithnin vetëm ajër të pastër, saqë ai nisi të lyhej me to për t’u dukur më i pashëm. Ndokush i dhuronte oficerëve të tij ndonjë shurup magjik domatesh, ata i pranonin dhuratat me aq dëshirë, pasi shurupi nëse hidhej mbi lëkurë kishte po ashtu veti magjike dhe të rinonte.

Të panumërta ishin dhuratat e tilla, prandaj edhe Tristianët vazhdonin të udhëhiqnin Amnezian çdo ditë e më mirë.

Një mëngjes të zymtë në Amnezia, banorët u ngritën të lebetitur për shkak të tërmetit, tronditjen e të cilit fillimisht e kujtuan si shembjen e teatrit. Në të vërtetë Amnezia po lëkundej nga themelet dhe nuk ndalej. Nuk u desh shumë derisa banorët t’i riktheheshin shtretërve të tyre. Dukej sikur po rikuperonin ethet e pagjumësisë, secili shihte punën e tij. Tek- tuk ndonjë shtëpi ishte shkatërruar nga lëkundjet dhe ndonjë banor edhe mund të ishte lënduar, por jeta vazhdonte me të njëjtin ritëm.

Eduard Jezebel Rishi ishte bërë sërish baba gjatë kohës që udhëhiqte Amnezian. Djali u quajt Eduard Rishi dhe u rrit nga gjyshe Meri, e cila mendoi të rriste një njeri, i cili do të udhëhiqte më së miri Amnezian.

Por ishte e kotë, Eduard Rishit nuk i jepej edhe aq. Njëherë kur pat vendosur të mbantë një seminar kishte djegur gjethen e një bime magjike me shpresen se ajo do bënte mrekullira dhe do ta bënte të nxirrte fjalë të mençura, por i doli huq, pasi mu në mes të seminarit, teksa ishte duke mbajtur fjalimin e tij frymëzues, atij i iku zëri dhe nuk iu rikthye deri ne seminarin e ardhshëm. Për ato nëntëdhjetë ditë të pazëshme ai u mbyll në çadrën e turpit, të cilën e krijoi vetë në zemër të Amnezias si shenjë qëndrese, por dhe me ndjenjën e turpit, që pretendenti për të udhëhequr Amnezian kishte ndaj banorëve.

Ndërkohë që Edurad Rish ishte i vetizoluar, Tristian Lolita në anën tjetër pat nisur biznesin më fitimprurës në historinë e Amnezias, atë të krijimit të skulpturave prej balte, të cilat më pas i zëvendësoi me një material më të qëndrushëm dhe të pashkatërrueshëm. Këto statuja ai vendosi t’ua dhuronte banorëve për t’u kompesuar pasuritë që ai nuk ndante me ta. Këto vepra i rezistuan kohës dhe shumë brezave që erdhën më pas. Bima magjike luante pjesën e saj në përbërjen e këtyre statujave, pasi ajo mund t’i ndërtonte këto statuja brenda natës edhe pa ndihmën e Tristian Lolitës.

Një ditë të bukur në Amnezia ia behu një karvan vizitorësh, ai solli me vete sende të papara nga vendasit, një ndër këto ishte dhe “rrjeta” pas të cilës shumë banorë u magjepsën, me të mund të dilje për peshkim dhe të kapje një numër të madh peshqish pa u lodhur shumë, peshq të mëdhenj e të vegjël. Dhe kështu ua shitën vendasve, por do të ishte e kotë, siç nuk pritej prej tyre, rrjeta mund të kapte tek-tuk ndonjë algë të padobishme dhe ndonjë peshk të vogël pasi të mëdhenjtë as që i zinte, kështu banorët i përzunë këta të fundit të zhgënjyer për humbjen e parave, dhe u detyruan t’i përdornin rrjetat për ndonjë veshje apo tendë. Dikush madje i përdori për të nderur rrobat.

Jezebel Tristiani qe zhdukur prej kohësh, menjëherë pas të korrave të fundit të bimës magjike, pat marrë pjesën e tij dhe u largua duke lënë Eduard Tristianin e Dytë dhe Eduard Jezebel Rishin të grindeshin se cili do të merrte më shumë dhe cili më pak. Mes tyre u krijua një armiqësi e tillë sa një ditë u mendua se në Amnezia rinisi lufta. Banorët kishin marrë armët dhe ishin ndarë në dy klane ku secili ruante bimët magjike që i quante të vetat. E pas shumë orësh lufte mes bandave, u arrit të rrëzohej “Republika e bimës magjike”. Kështu Eduard Tristiani i Dytë mbeti i vetëm; ai dhe djemtë e tij në udhëheqjen e Amnezias.

Të nesërmen pas rënies së Republikës së Bimës Magjike, vendi iu rikthye jetës normale. Bima magjike qe zhdukur njëherë e përgjithmonë, lufta kishte pushuar dhe ethet e pagjumësisë me sa dukej do të fillonin përsëri. Do të ishte pikërisht mëngjesin e së hënës kur Eduard Tristianit të Dytë kujtesa do fillonte t’i bënte lojëra të çuditshme, tashmë ai nuk po njihte më Amnezian, banorët e saj ishin të huaj për të.

Ato ethe kapluan dhe djemtë e tij, madje kishte arritur që t’u shiste disa të huajve, gjysmën e burimeve të ujërave të Amnezias, duke mos e njohur dhe duke menduar se po shiste diçka e cila nuk i takonte atij apo të tjerëve.

Ndërkohë Meri Tristiani, në kolltukun e saj, qëndronte si fantazma e një të vdekuri, por me mendjen top; këlyshët e familjes Tristiani ishin të gjithë pjellat e saj dhe të Eduard Tristianit, vëllait të saj, i cili i qëndronte përballë me një buzëqeshje vesh më vesh, teksa dëgjonte nga jashtë dritares thirrje nga Amnezianë që po veniteshin ndër kujtime dhe thoshin nëpër dhëmbë “Çohu Eduard”, por Eduard Tristiani, tashmë, më i ri se kurrë, kishte ardhur të këndonte për Merin e tij, fatin e Amnezias, një vendi ku banorët harruan kush ishin dhe u shuajtën si në tym, pa identitet dhe të shkatërruar nga rëniet, por më shumë nga ngritjet që pretendonin të fshinin atë që kishte ndodhur.

16 Korrik 2018

Të Drejtët-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Të Drejtët-Jorge Luis Borges

 

Një njeri që punon kopshtin e tij, siç donte Voltaire.
Ai që është mirënjohës që në tokë ka muzikë.
Ai qe zbulon me kënaqësi një etimologji.
Dy punonjës në një kafene në Jug që luajnë shah në heshtje.
Qeramisti që mendon gjatë një ngjyrë dhe një formë.
Tipografi që ndërton bukur këtë faqe, që ndoshta nuk e kënaq.
Një grua dhe një burrë që lexojnë tercetet e fundit të një kënge.
Ai që përkëdhel një kafshë që fle.
Ai që justifikon apo do të justifikojë një të keqe që i kanë bërë.
Ai që është mirënjohës që në tokë ka një Stevenson.
Ai që parapëlqen që të tjerët të kenë të drejtë.
Këta njerëz, që askush s´i njeh, po shpëtojnë boten.

 

Përktheu: Florian Vlashi

Foto nga “Spitali i Kukullave”, Napoli. Spitali që shëron kujtimet…

Disa hapa të thjeshtë për një harakiri të suksesshëm/Arlinda Guma

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

Nga dita e “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”

   Arlinda Guma

Sa herë të ka ndodhur në këtë vend ta kesh me dy mendje atë dëshirën e papërmbajtshme për… t’i rënë murit me kokë?…

Ja ku u erdhi fundi lëkundjeve të tua! Sapo të lexosh këtë manual, ti do të ndihesh më i vendosur se kurrë për ta realizuar me sukses misionin në fjalë.

Më ndiq me vëmendje dhe mos u huto rrugës;

Hapi i parë – Ke një takim? Të rëndësishëm pune?… Vendin e takimit ta kanë lënë në kafe? (E ku tjetër? Po të ta linin në zyrë, kjo po që do ishte diçka e çuditshme, e errët madje) E ti, ashtu i përgjegjshëm siç je, mendon se duhet të shkosh pesëmbëdhjetë minuta përpara? Sa për të qenë korrekt? Dhe për dreq, paraqitesh njëzet minuta përpara? Ndërsa kullot sytë nëpër tavolinat plot shtëllunga tymi? Ndërsa kamarieri të vjen për herë të dytë, të të marrë porosinë… e dytë? Dhe personi me të cilin ke lënë takim nuk duket?…

Asgjë për t’u alarmuar!

Mos e humb toruan!

Duhet ta dish se në një takim pune në Shqipëri (qoftë ky edhe i lënë në kafe) epërsia i takon gjithmonë atij që vjen me vonesë.

Por mos u qurravit! Mblidh forcat se… vërtet kanë kaluar njezet minuta, por këto nuk janë asgjë krahasuar me ato njezet të tjerat që duhet të presesh të kalojnë, “derisa”… “në mënyrë që”… “dhe ja”…. Hallelujah! Më në fund, ja ku po vjen ai; i shumëprituri, dora vetë, ai pra; personi me të cilin ti ke lënë takim.

Ai hedh hapat përtuar drejt tavolinës ku je ulur ti, të jep dorën, ndërsa telefonin nuk e heq nga veshi duke vazhduar t’i japë disa udhëzime të prera personit me të cilin është duke folur, gjithmonë me pamjen e njeriut super të zënë me njëmijë angari, të cilit i është shtuar; si e njëmijë e një-të, edhe takimi me ty mor i shkretë! Me ty, që për ta respektuar, njëzet minuta përpara e ke bërë edhe telefonin shurdh-memec.

Më në fund ai e heq telefonin nga veshi, këmben disa formula formale mirësjelljeje me ty, ndërkohë që ti fillon t’i flasësh për projektin, ndërkohë që ai s’e ka mendjen fare se diçka lexon në celular, ndërkohë që vjen kamarieri dhe ai porosit nëpër dhëmbë, ndërkohë që as kamarieri s’e ka mendjen fare për shkak se aty kalon njëra me thonj dhe qerpikë fallco (- por ama veshët i ka te saj! – arrin në këtë përfundim kamarieri, i cili më në fund përqëndrohet dhe i lutet tjetrit ta përsërisë porosinë) dhe ai; njeriu i rëndësishëm e përsërit porosinë me ton të nervozuar pa i hequr sytë nga ekrani i celularit.

Ti tenton sërish të rinisësh atje ku i ke ndërprerë shpjegimet mbi idetë e projektit, por jo, s’është e thënë, atij i bie sërish celulari.

Ti vë re se ai ka një kontraktim të ekzaltuar sa herë që i bie celulari (kontraktim të cilin ti s’e ke hasur qysh në kohërat kur shqipëtarët blenë për herë të parë nga një celular në madhësinë e tullës) si dhe një nevojë urgjente t’u tregojë të gjithë njerëzve që janë ulur atje rrotull, që ai është nga ata njerëz që japin urdhra.

E kështu, ai mbaron bisedën telefonike, e ti, për herë të tretë ritenton ta vazhdosh atje ku e ke lënë rrëfimin tënd, por tashmë s’kupton më asgjë se ku e ke lënë, pasi një person i afrohet papritur tavolinës. “Njeriu që jep urdhra” çohet e takon, dhe bën me të një bisedë të gjatë,  po aq të gjatë… (ndërkohë që telefoni vazhdon t’i bjerë vazhdimisht), sa ty të mjafton si kohë të programosh me detaje se si t’ia marrësh, t’ia hedhësh përtokë e t’i biesh me varé.

Më në fund ″njeriu që jep urdhra” ndahet me të panjohurin, ulet në karrige, pastaj çohet me vrik, pastaj gati sa s’të jep dhe ty urdhër që t’ia dërgosh me e-mail idetë mbi projektin, të cilat ke tentuar t’ia rishpalosësh për herë të katërt… Këtu imagjinata jote pëson një kthesë të frikshme, se në vend të celularit, seç ke një dëshirë të papërmbajtshme t’i biesh atij me varé!

Në ikje e sipër, ai ka paguar me nervozizëm kamarierin, duke i lënë në dorë një bakshish arrogant (gjysma e së keqes që s’të lë bakshish edhe ty), dhe ti nuk ke më asnjë lëkundje apo dyshim se, më në fund, duhet ta kryesh atë harakirin dhe të mbledhësh mendjen.

Hapi i dytë – Ndërpret atë programin me varé, ndërpret planet për harakirin, dhe vendos t’i japësh një shans të dytë. Ulesh përpara kompjuterit dhe vendos t’ia dërgosh vazhdimin e projektit tënd me e-mail, ashtu siç gati sa s’të ka urdhëruar… I dërgon një e-mail të qartë, shkruar pastër, pa gabime drejtshkrimore dhe i shpjegon me hollësi vazhdimin. Në fund kërkon edhe ndjesë për bezdinë që i ke shkaktuar, duke e pritur një orë përpara në bar, që telefonin tënd e ke bërë handikapat që të mos bëjë as gëk as mëk gjatë gjithë të ashtuquajturës bisedë që s’munde ta mbaroje për shkak të impenjimeve të tij të shumta, krejtësisht të jusitifikueshme, prej një njeriu super të zënë me sukses.

Këtu aparati i matjes së frustrimit tënd çmendet fare, madje është ai që planifikon të bëjë harakiri tani… apo të të bjerë ty me varé….

Hapi i tretë – Pauza e refleksionit! Heshtje totale. Ti fillon ta justifikosh me vete se mbase njeriu prej të cilit ti pret një përgjigje për projektin është tëpër i zënë, kështu që nuk është ndonjë gjë e madhe (vazhdon justifikimet ti) se prite edhe nja dy ditë të tjera duke kontrolluar vazhdimisht e-mail-in, i cili duket sikur të nxjerr gjuhën përmes spam-ëve. Duhet patjetër pak heshtje, pak suspense për t’i dhënë rëndësi vetes apo çështjes në fjalë. E kanë përdorur të gjithë regjisorët, që nga ata të telenovalave meksikane deri te Spilbergu, e pse dreqin të mos e përdorin njerëzit super të zënë me sukses?

Por menjëherë pasi të mbarohen të gjitha këto justifikime të mundshme, vendos t’i shkruash dhe t’i thuash se je duke pritur përgjigjen.

Asnjë përgjigje! Vazhdon pauza e refleksionit!

Hapi i katërt – Ndërpret pauzën e refleksionit, përplas dosjen, usb-në, me të gjitha planet e projektet e tua, fik kompjuterin, i cili të përqesh edhe njëherë ndërsa bën shut down, pështyn një çamçakëz, mbytesh me një cigare, hap televizorin. Këtu do të budallepsesh totalisht! Seç ke dëshirë ta dënosh veten me një telenovelë meksikane apo akoma më keq; me një turke. Dhe ndërsa kalon me të shpejtë stacionet për të gjetur telenovelën më të keqe, në mënyrë që ajo të torturojë mirë iluzionet e tua artistike, papritur gishtat të largohen nga telekomanda. Të duket sikur të bëjnë sytë, ngaqë pak më parë ia ke drejtuar në mënyrë pyetëse qiellit dhe diellit të forte, por jo, nuk të bëjnë sytë aspak, në një emision, në të cilin të gjithë të ftuarit kanë hedhur këmbën përmbi këmbë në të njëjtin pozicion siamez, të zë syri atë; dora vetë; njeriun e zënë me sukses. E dëgjon të flasë dhe shtangesh; ai po flet me aq entuziazëm për projektin tënd! Ai është duke e sqaruar atë me detaje (duket se i ka mësuar përmendësh të gjitha shpjegimet që i ke dhënë ti)… dhe ty të kap ngazëllimi se, më në fund, projekti yt qenka pranuar, dhe ti s’ditke gjë, dhe ty s’të kanë lajmëruar, ndoshta prej impenjimeve të shumta, kush e di… Kur të kap një ngazëllim i tillë, gjithçka që stonon përreth është e justifikueshme dhe lehtësisht jashtë vigjilencës.

Prezantuesja e pyet papritur:

– Po si ju erdhi kjo ide kaq origjinale?

Ai heq këmbën nga mbi-këmba, rrotullon stilolapasin skenografik ndër duar, pastaj bën sikur bën një shënim në bllokun po aq skenografik, të bardhë krejt, dhe thotë si i zënë ngushtë ngaqë duhet ta lërë modestinë mënjanë, “se ideja”… “se ideja”… “se ideja” ka qenë e tij!…

Kupton mor i gjorë?

E tij!

Prezantuesja e përgëzon dhe duket tejet e intigruar nga shpjegimet e parreshtuara të tij, ndërsa tani është televizori ai të cilit ti do t’i biesh me varé.

Tani merri ato dosjet, usb-në, shpjegimet, dhe ditë-netët që ke punuar fort për këtë projekt dhe bëhu gati të varësh veten te llamba (me litar ose me kollare më mirë, se mbase të ngrenë dhe ndonjë këngë), duke u kujdesur më parë të mos lësh gazin ndezur, rubinetin hapur, dhe kur t’i lësh në rregull të gjitha këto, të hipësh në karrige dhe…

Kështu korri i këmbëve përmbi këmbë, që nga ekrani i cili tani të duket sikur të hakërrehet përpara fytyrës: – Në litar! Në litar!, do të bëjë një emision të ardhshëm ku do të diskutojë me bllok në dorë dhe stilolaps që nuk shkruan, se sa skenografik ishte  pozicioni i rrëzimit tend!…

Botuar në Gazetën Mapo, Mars 2014

Nga vëllimi poetik “Mëhallat e botës”/Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mëhallat e botës-Janis Ricos

 

Vinte pranvera
Atë helmetin e flakur dikush e përmblodhi
E mbushi me dhe. Mbolli lule
Një saksi… dhe lulet e saj të kuqe i bënë dritë mëhallës.
Atë topin e vjetër të braktisur të gjermanëve
E mbuluan barërat
E mori me vete pranvera, e bëri kalë
I hypën fëmijëria grykës së tij të ndryshkur
Duke e ngarë në mbrëmje manushaqe t’artë
Dhe nga këpuca e shpuar e çirakut të bakallit
S’kuptohet më nëse del gishti i tij i madh me thuan e lerosur
Apo një trëndafil…
S’kuptohet…

 

Përktheu: Spiro Çomora, Viti 1961

Shënime mbi vëllimin poetik “Përshëndetje ma’ nga Bolzano” – (Ciao mamma, un saluto da Bolzano) të Gentiana Mingës/Noela Yzeiri

in Letërsi by

Kudo që të shkojë, nënën e mban me vete. Ajo është gjithmonë duke menduar për ty, edhe kur jeton  përtej detit, edhe kur prehet në qetësinë e varrit.

     Noela Yzeiri

Gentiana Minga ka zbrazur shpirtin në librin me poezi  “Ciao Mamma, un saluto da Bolzano”-(Përshëndetje ma’ nga Bolzano), botim i shtëpisë botuese italiane “Terra d’ulivi”.

Poezia e saj ka një forcë komunikuese të jashtëzakonshme. Modernist dhe i çlirët, vargu ka braktisur çdo skemë. Duke qenë  fare i natyrshëm  dhe  gjithnjë në mardhënie interesante me kohën, mbruhet duke ndjekur një ritëm  të brendshëm  në kërkim të hollësive, shijes së dhimbjes.

Lirika e Gentiana Mingës nuk rron dot pa vizatuar kujtimet, muzën e saj ripërtëritëse, ato që sendërtojnë fytyrën e së shkuarës, duke u ndalur në perspektivën e së tashmës. Ёshtë një qëndrim angazhues ky i Mingës tek e tashmja, angazhim ky që e do botën të drejtë, njeriun që të dijë të bashkëjetojë me njeriun, duke mos e parë nga lart, është një poezi që thyen barrierat e ndasisë, pikërisht sot që “altruizmi nuk është më në modë.”

Kudo që të shkojë, nënën e mban me vete. Ajo është gjithmonë duke menduar për ty, edhe kur jeton  përtej detit, edhe kur prehet në qetësinë e varrit. Poezia e Gentianës fillon dhe mbaron me këtë lidhje të përjetshme, si një ngashërim i ëmbël  që i dorëzohet mallit. Te kjo mungesë lind vargu i  autores, që mban në krahë kujtime plot ngjyra, rituale të përditshme njerëzish, që kanë lënë gjurmë në jetën dhe formimin e saj.

Poezia e saj është identitare, dhe një ndjesi e tillë i kalon kufijtë e përjetimit. Rrënjët e saj shqiptare janë të forta, janë pikërisht ato që ndërtojnë nga fillimi gjithë imazhin e kësaj poezie, e cila ka shumë të dhëna nga pikëpamja sociale dhe humane.

Poezia  këtu është si një anije ëndrrash të trazuara, që u nisën nga brigjet e Durrësit dhe po aty kthehen për të gjetur vetveten. Gjuha e saj është e freskët, delikatesa e fjalës qëndron si pulbardhë përmbi breg; Në agim peshkatarët hedhin rrjetat… Duket se Durrësi dhe Bari që janë kaq afër  flasin të njëjtën gjuhë. Poezia  të lë aromën e Adriatikut, një “retrogusto” majhoshe, por e ëmbël!

Loti i njëzet viteve emigrim mbetet i patharë, por vizioni i saj nuk është peng i kësaj reminishence;  autorja është një poete kozmopolite që di të rrijë në botë. Poezia e saj i përket hapësirës europiane dhe përfaqëson një vizion humanist të të parit të tjetrit, emigrantit, punëtorit, dhe mbi të gjitha fëmijës që mbetet i vetëm në botë. Vargu  e tejkalon dramën personale duke personalizuar dhe ndjerë deri në indet më të imta tragjedinë e njeriut, luftës, mungesës në Europë, e parë gjithmonë nga njerëzit në anën tjetër, si Kepi i Shpresës së Mirë.

Si ajo që duke shëtitur gjatë bregut në Gazë befas

u ul  përtokë me duart mbi kokë duke parë të atin.

Trupin me rërë mbi tokën e Beit Lahija, me një vrimë në gjoks.

Sërish gjak.

Do  ketë parë  yllin, yllin e zbehtë e draprin e hënës.

 

Por poezia e Mingës di të transformohet edhe në një grua :

Unë jam një shpirt i bekuar kur vë re

në pranverë mimozën

mbushur me të verdhë e me të kaltër

mbi  jeshilen e gjetheve,

e ndjej zërin e të gjitha nënave.

Pastaj më vjen një fije loti

e do të doja të t’i thosha të gjitha,

po kam frikë së është tepër,

të të flas për mimozën, për mizën,

për lulen që nuk di ta ujis sa duhet, e kam frikë se po më vdes.

Të të tregoj se si ja prek me buzë

petalet e gjata e të përshpirtshme, t‘i flas për ty

kur kthehesh nga puna

e më përshëndet:

Erdha zemër, në shtëpi jam!

Gjuha e imazhit të poezisë së Mingës është e brishtë, duket sikur sikur fjala ndalet tek e përditshmja, por ndërkohe koha e shpirtit ecën me një tjetër ritëm dhe flet për dhimbjen e njeriut.

Gentiana Minga është një poete që e sheh poezinë, jo thjesht si vendin e prehjes së artit të saj, por edhe si një angazhim qytetar, si një forme reflektimi për njeriun dhe se si ai mund të jetë më i mirë për tjetrin.

____

Gentiana Minga, shkrimtare, gazetare shqiptare.

Lindur më 12 prill 1971, në qytetin e Durrësit (Shqipëri).                                                                                                      

Botimet në  Shqipëri:

Autopsia e shkatërrimit”, tregime, Shtëpia Botuese  “Europa”, Tiranë, 1993),

“Zonja e Shkodrës”, poezi, Botimet “Florimont”, Tiranë,

I përqafuar nga drita”, perkthim nga italishtja  Betty J. Eady (edicioni Medaur, Tiranë, 2003.

Botime në Itali:

“Po të isha Narin” dhe “Deri në ditën e mbërritjes”, poezi, antologjia “Sotto cielo di Lampedusa”; Botimet Rayela, Itali, 

“Nëna e Zeqos në majë të thanës”, tregim, antologjia “Prato Cita Aperta”, Shtëpia  botuese “Marco del Bucchia”, 2016,

“Muovimenti – segnali da un mondo viadante” – Antologjia e/dhe mbi emigracionin, Botues “Terre d’Ulivi”,

“Ciao mamma, un saluto da Bolzano”, antologjia poetike, botues “Terra d’Ulivi”, 2017,

“Donne combative e solitarie” – reportazh – antologjia “Gratë e Shqipërisë – midis emigrimit, traditës dhe modernitetit”, botim “Com Nuovi Tempi”, Itali

Bashkëpunon në Shqipëri me: Revistën Poeteka e në Itali me  El – Ghibli, Salto Bolzano, La macchina sognante.

 

Thnegla-Arbër Zaimi

in Letërsi/Tharm by

Thnegla-Arbër Zaimi

 

si mund të jetë vallë?

ndoshta ende duke lundruar e duke iu lumturuar

vetmisë që s’duhet t’ia kishe parë në sy?

 

lundrimet janë të bukura, e ti do të doje

të ishe duke lundruar

pikërisht në këto çaste të përbaltura

të një dimri të shtërzyer dëborash

në fakt ti nuk lundron, ti i lë të lira të lundrojnë

anijet e tua. po çfarë do të thotë kot më fakt?

ajo është e sigurt që ti po fsheh diçka në xhep

e përpiqet të kërkojë sërish, ndoshta do ta gjejë diçka

tjetër kësaj radhe…

e ti natyrisht që fsheh gjëra në xhepa, po kurrë s’do ta lejosh

të kërkojë aty, të paktën jo pa të prekur. sepse kot

do të thotë shumë.

e prapë ankohet, kinse vetëm ajo ka nevojë për ty

e prapë është kaq e dashur kur kapet në befasi

kaq naivisht

buzëqeshje

si ndihesh, më mirë a më keq pasi shkruan atë

që ajo dëshiron të lexojë?

ajo s’ka nevojë për gjë, në fakt veç ti ke nevojë për dikë

që të jetë e madhe sa ty, e qielli tepër i vogël të rrijë para saj

ndërkohë ndodhin lapsuse në sfond

por…

do të ndiheshe më mirë po të veproje sipër saj

në vend që të shkruaje e të shkruaje për të.

(a s’ishe ti vallë intelektuali distant zoti z.?)

pse je kaq i ngrohtë ndaj saj, ose të paktën pse mendon kështu ajo?

po ti kurrë nuk e supozon vetveten. agjent i së vërtetës.

e kjo do të thotë pasion.

pra edhe përjetimet e saj të dyta ti, njësoj si të parat

ia shpjegon teorikisht. një teori pasioni që asaj i duket iracionale…

ndërkohë që i kërkon të vijë

e ajo përpiqet të të japë një përgjigje të frikshme

ndërkohë që hedh hipotezën që mund të të telefonojë qoftë

dhe vetëm për të të dëgjuar zërin

për të buzëqeshur, e për të mbyllur sërish telefonin

e ty të vjen për të qeshur, sigurisht.

 

pastaj ajo tërhiqet në korrigjim, po të mos ishe në qytetin me korba

po të ishe në një tjetër dimension përmasor

ndoshta ajo do të të shkruante

gjëra me më shumë kuptim, që ta shplajnë konfuzionin

e që ti ta kuptosh se ku dyndet gjaku

ku dyndet?

a vjen a’s vjen ajo?

 

 

 

NGA LAJMET- Shkruan haiku, e rrahin/Arb Elo

in Kronikë nga Dogville/Letërsi by

Më vonë, kur kam lexuar dhe parë fotot e Frida Kalos dhe Diego Riverës, më ka goditur ngjashmëria, ndonëse ata merreshin me pikturë e ne me krime…

                                                       NGA LAJMET

            Arb Elo

Fryn tollumbacet – në koma!

31 Dhjetor, 2015, 17:06

Në rrethinat e Tiranës, në Kombinat më saktësisht, festimet e Vitit të Ri kanë marrë një nuancë tragjike.
Artemisa Kokomani, 27 vjeç, mbesa e gazetarit të njohur të News 24, ka rënë në koma, ndërsa po frynte tollumbace, me të cilat synonte të dekoronte banesën e prindërve, ku do të festonin së bashku Vitin e Ri.

Me sa duket, tollumbacet kanë patur membranë të trashë e qenë të destinuara për t’u mbushur me helium, ndërsa Kokomani ka tentuar t’i fryjë ato me forcën e mushkërive, gjë e cila ka çuar në kolapsin e këtyre të fundit. Ndihma e shpejtë, paçka se është dhënë menjëherë, nuk ka mundur të parandalojë rënien e saj në koma.

Sidoqoftë, mjekët janë optimistë e pohojnë se Artemisa ka shumë të shanse ta marrë veten brenda disa javësh. Këtë ia uron edhe redaksia jonë, shoqëruar me urimin edhe më të gjerë për lexuesit tanë: Gëzuar Vitin e Ri 2015! Qoftë ky viti i sukseseve dhe mbarësive personale!

Rroftë jeta!

Del per gjah – e përdhunojnë!

30 Dhjetor, 2015, 12:04

Horror në komunën e Divjakës.
Iljaz G. ka tentuar të vrasë me paramendim rojen e rezervatit të njohur Çelo M., të vëllanë e tij Zeqir M., si edhe të birin minoren të këtij të fundit me inicialet L.M., por nuk ia dalë, pas ndërhyrjes së forcave të rendit në moment deçiziv.
I pyetur në hetuesi për motivet e tij, Iljaz G. ka pohuar se është nisur për të gjuajtur pa leje në rezervatin e Divjakës dhe ka vrarë atje një derr të egër. Ndërsa po kthehej, ai është kapur në flagrancë nga të lartpërmendurit, është lidhur pas një pishe, e më pas edhe dhunuar prej tyre, mes të tjerash edhe seksualisht.
Poqën derrin dhe e hëngrën duke e shoqëruar me raki, ndërsa mua më kishin lidhur me litarë e më tallnin – rrëfeu Iljaz G. për prokurorinë. Pastaj më morën dhe nderin.
Të pandehurit kanë dëshmuar se e kanë zënë Iljaz G., ndërsa kryente aktin e paligjshëm të gjuetisë pa leje dhe janë sjellë konform ligjit me të.
Hetimet vazhdojnë në disa pista.
I mbetet mjekësisë ligjore të hedhë dritë mbi pretendimet e të dyja palëve.
Iljaz G. mbahet në paraburgim, ndërsa farefisnorët M. ndodhen në gjendje arresti të lirë.

Fuck Xhung!

31 Dhjetor, 2015, 17:06

Ca tinguj pianoje, Shuman, Shopen, pikë-pikë-pikë, mu si shiu i kohës që merr të mirë e të ligj e zhbën gjithçka. Foto fëmijësh, në sfond libra; dy duar fisnike, të rreshkura e të paqme, nxjerrin nga rafti një libër me kapak lëkure me ngjyra të errëta e ca të kuqe.  Një fotografi e vjetër bardhezi: një çift romantik, ai i mbushur edhe i lartë; ajo, delikate dhe e brishtë. Menjëherë të ndërmendet “Për kë bien kambanat”, e zemra zbutet nga çiltërsia e fisme e kësaj dashurie në kohëra luftërash, e të vjen keq që nuk ke qenë edhe vetë aty; të luftoje me kulturë perëndimore për shporrjen e fashizmit nga këto vise të lashta me vajza e djem si zogj.

Xhungla – Si erdhi njohja, si ndodhi kjo dashuri në kohë lufte?

Xhungli – (pak a shumë) – Sapo ishte themeluar grupimi ynë artistik “Të kuqtë“ dhe kështu u njohëm. Unë isha një pianiste e re, e brishtë, e hajthme, e nuk flisja shumë, parapëlqeja romantikët, në dallim nga D., e cila ish ku e ku më e hedhur, me ekspresioniste. Ai ishte i hijshëm, – më vonë, kur kam lexuar dhe parë fotot e Frida Kalos dhe Diego Riverës, më ka goditur ngjashmëria, ndonëse ata merreshin me pikturë e ne me krime. Por fillimisht as nuk më shkonte mendja; thjesht mendova dhe më erdhi shumë mirë që paskëshim një udhëheqës kaq të kulturuar e të pjekur. Ndërsa Q. ishte më i hapur, hidhte e priste, ishte më gazmor; fundja ishte i ri akoma, ishte gjimnazist. E., nga ana tjetër, e mbante humorin, porse ngjante më i përqendruar, më i rrahur me jetën. Kur u hodha në ilegalitet, më mori me një biçikletë; hip më tha, anash, mua më vinte turp; hip tha se po erret e nis ndalim-qarkullimi. E kisha vendosur me veten time që nuk do të angazhohesha me një dashuri e, aq më shumë të martohesha gjatë luftës. Po mirë, tha ai.

Foto bardh e zi nëpër të. Ajo, e veshur me të errëta, me syze, e ëmbël, e hajthme, dhe ai, i qeshur, por edhe serioz njëkohësisht; i thellë, i vetëdijshëm për misionin që i ka ngarkuar jeta për t’u ardhur në ndihmë të mjerëve e për të vrarë ata që e kanë njohur.

Xhungli – Ndenjëm atë natë te Syrja Selfo, natyrisht në dhoma të ndryshme. Syrjanë e vrau Koçi Xoxe, ndërsa Koçin e vrau pastaj pushteti popullor; nuk ishte i kulturuar, teneqexhi. U përvesha me gjunjët përdhe të laj dërrasat me furçë, a thua sikur ta parandjeja gjakun që do të derdhej më vonë, si të Syrjasë, ashtu edhe të Koçit.

Xhungla – Sa libra kishte E. Xhungu dhe në çfarë gjuhësh lexonit?

E kështu një orë të tërë; romantikë krimi, po hë mo se të shkuara e të harruara, se telespektatori, se gazetaria.

 Fuck Xhung!

Shkruan haiku – e rrahin!

26 Dhjetor, 2016, 13:34

Brigada e femrave xhihadiste al-Khansa ka rrahur në provincën Raqqi një të ri sirian, të cilit i pëlqente të shkruante e të deklamonte haiku, me akuzën se nëse vargjet i përmban Kurani, nuk kanë pse të shkruhen, e nëse nuk i përmban, janë sidoqoftë të tepërta, pasi në librin e shenjtë gjendet gjithçka. Të rejat xhihadiste i përmbahen kështu rigozorisht një shpalljeje të vezirit të shekullit të tetë, Khalil al Qoumrani, që dogji asokohe të gjitha tekstet jokuranore.

Ato e kanë torturuar të riun me një pajisje për kapjen e arinjve.
Xhihadistet e reja janë akuzuar se në një rast tjetër kanë dhunuar një femër me ferexhe të tejdukshme plastike.
“Do të ndëshkojmë këdo që nuk i bindet rregullave islamike”, ka deklaruar më herët Selma Buhari, njëra prej xhihadisteve të reja më aktive.

Macja e shtëpisë mbyt një leopard

01 Janar, 2016, 21:47

Pas një rasti në Kosovë, ku një qen shtëpiak mbyti një ujk mëse të egër, ja ku vjen edhe një tjetër i freskët nga Afrika Qëndrore.
Ngricat e forta të këtyre ditëve kanë bërë që një leopard të afrohet pranë zonave të banuara në një fshat pranë qytetit të Kinshazës.

Por macja e familjes N’dour e ka mbytur leopardin e lodhur nga uria, siç tregojnë fotot e shpërndara masivisht në rrjetet sociale.
Në Afrikën Qëndrore mishi i leopardit çmohet si delikatesë, sidomos bishti, ndaj dhe banorët e shtëpisë ia kanë hequr maces nga kthetrat dhe kanë bërë selfies me kërmën, të cilën pastaj e kanë gatuar.

Fotot e tryezës festive, të hedhura edhe ato në rrjetet sociale, janë komentuar rëndë nga online-sat perëndimorë, ndërkohë që banorët e zonës dhe komunitetet aziatike kanë treguar admirim për fatin e familjes N’dour dhe kanë postuar receta të ndryshme.

 I pirë dhe i vdekur?!

26 Tetor, 2016, 18:05

Skuadra e autopsisë u thirr në vendin e ngjarjes, pasi Xhemal Kopliku u diagnostikua si i vdekur pa shpresë. Siç njoftojnë organet policore të zonës së Lumbardhës në njoftimin për shtyp, i ndjeri kish festuar me raki dhe meze me dy-tre shokë xhenazenë e tij pa e ditur; ajo që miqtë nuk patën marrë parasysh nuk kishte qenë vetëm përqindja e lartë e rakisë (së maresë, siç do të zbulonte më vonë ekipi i lartpërmendur), porse edhe fakti që Kastriot Çaçka, një i njohur i mikut të Xhemal Koplikut, që kishte qëlluar rastësisht në ftesën që ky i fundit i pat bërë mikut Përparim Zyka, në kodrat e Liqenit Artificial, në tavolinën e improvizuar të dominosë. Për fatin e tij të keq Kopliku pat ftuar edhe Çaçkën në kësoll, meqë ishte ndodhur aty.

Rakia e maresë nuk ishte në të vërtetë e tillë: pas një telefonate të atypëratyshme që Çaçka kishte kryer me nipin e tij të sapokthyer nga emigrimi i gjatë në Siçili, – inicialet e tij nuk mund të jepen këtu për arsye hetimore – , ky paskësh patur në fuoristradën e tij dy shishe të ngjashme me përmbajtje po ashtu të ngjashme në dukje, por që nuk qenë ashtu, siç do të rezultonte edhe nga autopsia e Koplikut.

Nga intervista e shkurtër që mundëm t’i shkëputim kreut të skuadrës autopsike, pasi ai gjendej ende në punë e sipër, do të mund të thuhej, ndonëse shqyrtimi i çështjes vazhdon, se Kopliku dyshohet të ketë dhënë shpirt për motive të ulëta cinike: nipi i Çaçkës, me sa dihet deri më tani, ndonëse ai ngul këmbë me të madhe në pafajësinë e tij, ka patur në planifikim e sipër asgjësimin fizik të ungjit të tij Kastriot, por kjo pistë nuk është vërtetuar ende në formë fundore, ndonëse të dhënat flasin për një ndërlikim të Kastriot Çaçkës në aferën korruptive të dhënies së një tenderi për Gadishullin e Karaburunit. Porse nipi ngul këmbë se dy shishet pa etiketë i ka blerë për arsye nostalgjike, pasi i është thënë nga shitësi se bëhej fjalë për konjak të bardhë të përftuar nga druri i panjës.

E vërtetuar deri më tani është vetëm vdekja përfundimtare e Xhemal Koplikut; pasi pritën tri ditë se mos i dilte pija, të afërmit vendosën më në fund ta varrosin, pasi t’i ish bërë autopsia e të ishte vërtetuar edhe shkencërisht që ishte vërtet ashtu. Po, ashtu qe: ai kish vdekur vërtet. Ngushëllime të afërmve u uron redaksia e Çaçkës. Ua shpërblefshim në raste të tilla e të rroni e të na kujtoni. Hetimet vazhdojnë.

*Lajmet u përzgjodhën, u filtruan dhe korrigjuan nga ana gramatikale dhe drejtshkrimore, nga gazeta “MaSa”, “Dekada”, “Subjekti”, “Muaji”, “Viti”, “Panodrama”, “Vizioni”, “Gazeta 69” dhe e përjavshmja “Zekthi”.

 

 

1 169 170 171 172 173 182
Go to Top