Egzon Krasniqi
Kushtuar vajzave dhe grave të dhunuara…
Unë punoj shankiste në një barkafe, e cila ndodhet mes lagjes sime, në fund të rrugës së ngushtë me kalldrëm. Një rrugë e dekoruar me lule “thashetheme”, ku e gjithë lagjia si punë parësore ka hallet e brengat e të tjerëve, thënë më saktë; gëzohet me fatkeqësitë e të tjereve.
Zakonisht nga lokali për në shtëpi kthehem në orën tetë të mbrëmjes, atëherë kur të tjerët darkojnë në ballkonet e ngushta, dhe në vend të kafshatës së bukës, shpesh gratë marrin ndonjë shuplakë gojës nga burrat kur e shfrenojnë gjuhën.
– Ja, kjo kurva e kafeve! S’gjeti punë tjetër veç të punojë kafeve! Po mirë e gjeti veten meqë mjeku i ka thënë se është sterile! Do jetë mirë aty, do e bëjë me kë të dojë e do jetë pa barrë. Mjerë lagjia që e ka!
Të dielën e kam pushim. Atë ditë mbyllem brenda katër mureve, duke analizuar se ç’pranga të forta m’kanë vnu. Shpirti më është enjtur nga bllokimi i prangave që kurrë s‘u larguan. Për mua liri është kur mbyllem brenda katër mureve, që dukshëm dobësojnë dritën, e robni është prej momentit të daljes jashtë katër mureve.
Nji natë kur kthehem nga puna, burri nuk më priti si përherë, shikimi tij ishte i brishtë e fjalë prej goje s’i doli.
Pas ngrënies së darkës, e lodhur si përherë, u shtriva n’shtratin tim, ku s’e bëra as edhe një nate me burrin.
Atë natë burri m‘u afru, më përqafoi. Filloi të më puthte dhe i tëri ishte lakuriq. Trupi filloj të më dridhej, e tëra po kërceja përpjetë dhe s’e kuptoja ç’po ndodhte.
– Të lutem mos e bëj!
-Hëë ç’ndodhi?!
-Më fal, e kuptoj se ke nevojë ta bësh, por të lutem mos e bëj. Të lutem!
– S’kam nevojë ta bëj, por kam nevojë të ec lirshëm n’lagje.
– Ne duhet të kemi një fëmijë, duhet t’ua mbyllem gojët maskarenjeve të lagjes.
– Do e bëjme, por të lutem më jep kohë!
-A nuk mjaftuan dhjetë vite, a ende s’ke filluar të më ndiesh?
– Të dua, të dua më shumë se veten, por të lutem mos më detyro!
– Mirë s’do të të detyroj, por të lutem harroje atë që të bëri të vuash e më dashuro mua, kështu si të dua unë ty!
– Falemnderit që më kupton!
– Falemnderit ty që jeton me mua.
Shume net të tilla i kaluam për dhjetë vite, por kjo nuk ndodhi natën tjetër, kur ai erdhi tepër i mllefosur në shtëpi, më kapi për krahu, më shtriu në shtrat dhe e bëri atë që ai deshi. E bëri në mënyrën më të gabuar, diçka që e priti me vite. Pasi ai u largua, unë mbeta e shtrirë në shtrat, lotët më kthyen në kohën më të zymtë të jetës sime, më kthyen përpara njëzet vitesh.
Nuk di ç’është jeta, më mallkuan njerëzit apo më mallkoi vetë Zoti, nuk di, por Zoti nuk mallkon njerëz. Ai begaton e mbron, fal e mëshiron. Po për mua ku mbeti mëshira? Ku është mëshira e Tij? Zot, më fal që jeta ime është n’drejtim të kundërt me jetët e të tjerëve! Më fal që unë e zgjodha. Tani burri që qëndruam pranë njëri-tjetrit, është njeriu që hyn në grupin që mallkoj çdo sekondë. Ai më ktheu njëzet vite pas. Atëherë kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeçare, atëherë kur u trajtova më egër se kafshët, atëherë kur askush s’e qante hallin e tjetrit, atëherë kur secili mbronte familjen e tij.
Por mua nuk më mbrojti askush. Unë duhej të mbroja nënën që me të madhe qante, kërkonte djalin e saj t’vetëm, i cili i ishte bashkuar karvanit që vraponte për liri, së bashku me babain. Një çast ajo lëshoi një fjalë “biri im, ushtari im, ti do jesh hero, s’ka rëndësi në kthehesh i gjallë apo i vdekur!” Fjalët e saj i dëgjuan ata të mallkuarit, shkijet e t’bijave shkina. E morën nënën, me thikë dore i hapën gjoksin, ia shkulën zemrën e ma hodhën në prehër. Pastaj m’u afruan tre prej tyre, më morën me dhunë, s’kisha forcë të rezistoja, më zhveshën në prani të popullit e me ç’virgjëruan. Ata ma vodhën virgjërinë, por jo nderin. Më vodhën lirinë e më dhuruan terrin.
Mjerisht sot, njëzet vite më vonë, burri im, që me vite qëndruam bashkë, më bëri të përjetoj të njëjtën gjë. Nuk mundi t’iu rezistojë thashethemeve t’hallkut.