30 vjet amnezi në 100 vjet vetmi/Aldo Mustafa

in Në kohërat e kolerës by

Aldo Mustafa

Ndodhi të mërkurën e përhimtë, ditë kur Eduard Tristianit të Dytë iu desh të bënte kinse se ishte pjesë e turmës dhe gjurulldisë, teksa shihte se si busti i bronztë i të atit, Eduard Tristianit, po shembej atë fund dimri të ashpër.

Kishin kaluar gjashtë vjet me fantazmën e tij që i avitej dhomës, duke profetizuar fatin e tij dhe djemve të tjerë nën zë. Por Eduard Tristianit të Dytë njëzeteshtatë vjeçar, aq i bënte. Ai nuk ia vinte veshin një fantazme, e cila, edhe pse e vdekur, dukej se vitet pas vdekjes po ia kthenin kohën pas duke e rinuar. Nuk e kishte menduar se një i vdekur mund të rinohej. Deri në atë çast nuk kishte pandehur se ato profeci, që fantazma i thoshte ulur nën karrigen përballë shtratit të tij, mund të bëheshin të verteta.

Eduard Tristiani ishte ndër njerëzit e parë udhëheqës, të cilët hodhën themelet për të krijuar Amnezian. Amnezia kishte tashmë tetëdhjetë vjet e themeluar dhe ishte shpallur e pavarur, por ajo ende nuk njihej mirë, dhe vetë identiteti i saj ishte një pikëpyetje e madhe a ekzistonte apo jo. Banorët e saj çdo ditë e më shumë deri atë të mërkurë, vuanin nga ethet e pagjumësisë. Këto ethe, jo vetëm që u shkaktonin pagjumësi, por bënin që ata të fillonin pak nga pak të harronin çdo gjë, madje edhe emrat e tyre, deri në pikën ku arritën të ktheheshin në qënie primitive, duke shkatërruar çfarë u dilte përpara.

Eduard Tristianin e Dytë, nuk e kishin kapluar ende mirë ethet e pagjumësisë, ai ende njihte familjarët, vëllain e tij Jezebel Tristianin, i cili ishte bashkuar me banorët e tjere vetëshkatërrues të Amnezias për të rrëzuar edhe bustin e Eduard Tristianit. Kjo pasi Jezebel Tristiani, asnjëherë nuk kishte qenë i preferuari i të atit, nuk ishte veçse një lopçar, i cili u detyrua të largohej nga familja për shkak të mendimeve të tij të ndryshme. Tanimë ai mundej të shpërthente mllefin e mbledhur mbi atë bust, si shenjë rrëzimi ndaj themeluesit të madh dhe asaj ç’ka ai krijoi në Amnezia ato tetëdhjetë vjet, duke marrë kështu pushtetin në dorë dhe duke udhëhequr Amnezian.

Idetë e tij futuriste dhe rënia brenda pak kohësh nga Amnezia, do të sillnin kaos dhe do të bëheshin shkak që një anije që nuk ishte parë kurrë më parë, të magjepste banorët dhe t’i tërhiqte si sirenat drejt detrave. Anija u mbush me Amnezianë të moshave të ndryshme. Ata, të dëshpëruar për të parë mrekullinë e saj, kërcyen mbi të dhe e tejmbushën siç sulën milingonat e dheut mbi ushqimin e dimrit, duke turbulluar pamjen e ushqimit dhe duke mos e dalluar llojin i tij. Por ky do të ishte i llojit më të dëmshëm. Sa më shumë i largoheshin bregut, po aq zhdukeshin ethet e pagjumësisë te lundruesit, por ata mbeteshin sërish Amnezianë.

Paskëtaj, gjithçka për Tristianët mori tjetër rrjedhë, teksa Jezebel Tristiani i mësoi Eduard Tristianit të Dytë marifetin sesi të rriste disa bimë magjike, për të cilat thuhej madje se nëse i digjte mund të ktheheshin në sende dhe kafshë të ndryshme. Ai e kultivoi bimën në zona të ndryshme të Amnezias dhe ku asnjë banor nuk e dallonte kur kalonte. Ajo ishte magjike, zhdukej prej syve të tyre.

Ky do të ishte vetëm një fillim i vogël pas rënis së Jezebelit dhe pasi ai vetë i qe bashkuar Revolucionit të së Mërkurës së Përhimtë pak vite më parë.

Tristianët kishin pësuar një humbje të konsiderueshmë të pasurive, kështu u duhej ta ringrinin atë që kishte humbur dhe në krye të gjashtë viteve, Jezebeli e rigjeti veten sërish duke udhëhequr  Amnezian.

Nga malet e Amnezias, menjëherë pas rënis së parë të Jezebelit, pat ardhur si nga hiçi Eduard Jezebel Rishi, vëllai i humbur i familjes së Tristianëve. Në fakt asnjë prej familjarëve nuk ishte në dijeni të një pasardhësi tjetër të Eduard Tristianit, por fytyra e tij pasqyronte më së miri po të njëjtën çmenduri të të atit, lakminë për pushtet dhe pasuri, kështu atyre nuk iu desh shumë ta vërtetonin, por e pranuan si vëllain e tyre dhe e lanë të udhëheqë në “prapavijë”,  pa dalë mirë në skenë si anëtar i familjes. Gjatë kësaj kohë, ai do t’i bashkohej kultivimit të bimës magjike duke e shtuar këtë bimë në zona të tjera të Amnezias, por makutëria e tij do bënte që një pjesë të kësaj bime ta fshihte në lugina të tjera duke mos ua treguar dy vëllezërve të tjerë, por duke vazhduar dhe duke marrë pjesë nga e tyrja. Kësaj bime do t’ia shihnin magjinë e vërtetë kur do të niste të dallohej dhe kërkohej nga Amnezianët për të shëruar ethet e pagjumësisë. Shuma të tëra parash do të vinin prej kësaj bime, por tashmë ata nuk po arrinin ta ndalnin. Babëzia për pará u shtohej gjithnjë e më shumë, kështu u lindi ideja që në mes të Amnezias të digjnin disa prej bimëve magjike, duke krijuar atë çka më pas do të quhej nga të gjithë si piramida e Sudes. Por nuk zgjati kur piramida e Sudes u doli duarsh Tristianëve dhe banorët e tërbuar të Amnezias i detyruan të sprapseshin nga udhëheqja e vendit. Ata dogjën piramidën dhe hiri i saj mbuloi Amnezian për njëqind e tetëdhjetë ditë, duke nxirë gjithçka.

Ato do të ishin ditët më të zymta për Amnezian dhe banorët, shumë prej të cilëve vdisnin në vend të asfiksuar nga ndonjë shtëllungë e papritur hiri që u hynte prej dritareve. Ky rrebesh hiri ndali njëqind e tetëdhjetë ditë më pas, kur Jezebel Tristiani u detyrua të merrte frenat në dorë, duke hequr të vëllain Eduard Jezebel Rishin nga udhëheqja në “prapavijë” dhe duke vendosur të hapë portat e Amnezias. Duke u dhënë banorëve të saj lirinë dhe të drejtën për t’u larguar prej saj.

Shumë anije të tjera do të mbusheshin me Amnezianët e panumërt, duke e përgjysmuar popullatën e Amnezias.

Mes atyre pak Amnezianëve të mbetur, do të lindtë një pinjoll i familjes së Tristianëve, kur Eduard Jezebel Rishi u martua me motrën e Eduard Tristianit të Dytë dhe Jezebel Tristianit. Frika se nga kjo martesë mund të lindte një fëmijë me probleme ishte e madhe, si nga e reja po ashtu edhe nga dy vëllezërit e tjerë, duke qenë se njëhere, një kushërirës së tyre të largët iu desh të martohej më kushëririn e parë dhe fëmija lindi pa krahë. Por në këtë rast fati do t’i trokiste në derë. Nuk pati asnjë mallkim, fëmija erdhi në jetë po atë vit me problemin e vetëm se kishte një gisht të vogël në fundshpinë, që më pas u konstatua të ishte një bisht derrkuci. Shumë mjekë u përpoqën t’ia hiqnin, por më kot, ishte e pamundur. Fëmija gëzonte shëndet të plotë dhe kishte oreksin e shtatë burrave. Që javën e parë i dolën dhëmbët dhe mundte të bluante edhe mishin e gjallë. Derrkuci i vogël u pagëzua me emrin Jezebel Rish Tristiani dhe në krye të vitit hodhi shtatin e tre burrave, qafa i qe dhjamosur nga ushqimi që nuk bluante dhe kështu me atë ritëm rritjeje i kërkoi xhaxhait të tij t’i japë të drejtën të udhëhiqte Amnezian. Për këtë të fundit ishte e vështirë të linte një vend të tërë të udhëhiqej nga një pinjoll, i vogël në mend dhe i madh në trup, siç e quante ai, por në përpjekje e sipër, iu desh të bënte atë çfarë nipi i tij i kërkoi, pasi një ditë iu tremb kërcënimit të tij se nëse nuk ndodhte kështu, atëherë ai do ta kullufiste xhaxhanë e tij.

Ndërkohë nga ana tjetër, familja e Tristianëve ishte shtuar dhe me dy fëmijë të Eduard Tristianit të Dytë.

Kështu tetëmbëdhjetë muaj më vonë ai mori vesh se do të bëhej babai i dy djemve. Ndryshe nga fëmija i Eduard Jezebel Rishit, djemtë e tij erdhën në jetë pasi “furra mitër” i poqi mirë për tetëmbëdhjetë muaj, dhe kur dolën, tashmë ata mund të flisnin dhe të jepnin mendimet e tyre në familje për problemet e Amnezias. Tek ata nuk u pa bisht derrkuci, duke qenë se Lolita, e ëma e tyre nuk kishte lidhje gjaku me familjen Tristian.

Fëmijëve u dallohej vetëm nishani në ballë, një njollë e vogël e zezë, e cila në fillim u ngatërrua me ndonjë mpiksje gjaku të mundshme nga shtatzania e gjatë, por që nuk qe aspak e tillë.

Djemtë u pagëzuan me emrin Eduard Lolita dhe Tristian Lolita. (U vunë edhe emrin e së ëmës në mënyrë që të mos ngatërroheshin me anëtarë të tjerë të familjes.)

Ndërkohë që fëmijët rriteshin, hera-herës në dhomat e tyre i vizitonte gjyshi Eduard Tristiani, i cili kishte arritur një mesomoshë, por sa vinte e rinohej. Kështu ai i ushqeu me përrallat për një Amnezia të bukur, ngaqë në kohën e tij u ngritën shumë monumente kulturore dhe një teatër madhështor, ku njerëz të ndryshëm vinin të maskuar në skenë, nën petkun e roleve të tyre.

Do të ishte pikërisht ky teatër, të cilin kur të rritej, Eduard Lolita, bashkë me të atin, do të vendosnin ta shkatërronin si godinë, me idealin se po rilindnin një Amnezia më të mire, e cila tashmë ishte shkatërruar nga lufta që xhaxhai i tyre Eduard Jezebel Rishi bëri për tetë vjet.

Shumë syresh i dolën kundra kësaj pune asokohe, por qe e kotë të ndryshonin vendimin e Tristianëve, ata po sillnin një Erë të Re që do të mbahej mend gjatë, ndoshta edhe për shkak të shiut që tashmë kishte katër vjet, dhjetë muaj, e shtatë ditë, që nuk pushonte dhe me sa dukej nuk do të pushonte edhe për tre vitet në vijim.

Pas kësaj teatri u shkatërrua për t’u ndërtuar një i ri. Ndërkohë vëllai tjetër, Tristian Lolita, do të gjendte rëndom disa qypa, poçe të vjetra me florinj në oborr dhe do të vendoste që t’i mbulonte, por Amnezianët e kuptuan se ç’qe duke bërë dhe u tërbuan; ato pasuri mund të bëheshin dhe të tyret duke qenë se nuk kishin zot, mund të fitonin të gjithë, por e vetmja gjë që Tristian Lolita u linte atyre  të fitonin ishte tregtia e bimës magjike, e cila tashmë nuk bënte më përshtypje në masë dhe mund të gjendej lehtësisht, mjaftonte ta kërkoje dhe çdo shitës ambulant i Amnezias mund të ta siguronte nga fara deri tek vaji i saj.

Ndryshe nga vëllai i tij, Eduard Lolita tashmë kishte marrë një pjesë të pushtetit nga i ati dhe teksa ecte nëpër Amnezia me oficerët e tij, merrte përpara çdo shitës ambulant dhe kriminel që tregtonte ç’të mundte. Tashmë ishte kthyer në simbolin e drejtësisë në Amnezia, banorët e adhuronin dhe i falnin nderime me dhurata nga më të ndryshmet, madje një herë i dhuruan aq shumë vezë pulash të rritura mbi pemë, të cilat thithnin vetëm ajër të pastër, saqë ai nisi të lyhej me to për t’u dukur më i pashëm. Ndokush i dhuronte oficerëve të tij ndonjë shurup magjik domatesh, ata i pranonin dhuratat me aq dëshirë, pasi shurupi nëse hidhej mbi lëkurë kishte po ashtu veti magjike dhe të rinonte.

Të panumërta ishin dhuratat e tilla, prandaj edhe Tristianët vazhdonin të udhëhiqnin Amnezian çdo ditë e më mirë.

Një mëngjes të zymtë në Amnezia, banorët u ngritën të lebetitur për shkak të tërmetit, tronditjen e të cilit fillimisht e kujtuan si shembjen e teatrit. Në të vërtetë Amnezia po lëkundej nga themelet dhe nuk ndalej. Nuk u desh shumë derisa banorët t’i riktheheshin shtretërve të tyre. Dukej sikur po rikuperonin ethet e pagjumësisë, secili shihte punën e tij. Tek- tuk ndonjë shtëpi ishte shkatërruar nga lëkundjet dhe ndonjë banor edhe mund të ishte lënduar, por jeta vazhdonte me të njëjtin ritëm.

Eduard Jezebel Rishi ishte bërë sërish baba gjatë kohës që udhëhiqte Amnezian. Djali u quajt Eduard Rishi dhe u rrit nga gjyshe Meri, e cila mendoi të rriste një njeri, i cili do të udhëhiqte më së miri Amnezian.

Por ishte e kotë, Eduard Rishit nuk i jepej edhe aq. Njëherë kur pat vendosur të mbantë një seminar kishte djegur gjethen e një bime magjike me shpresen se ajo do bënte mrekullira dhe do ta bënte të nxirrte fjalë të mençura, por i doli huq, pasi mu në mes të seminarit, teksa ishte duke mbajtur fjalimin e tij frymëzues, atij i iku zëri dhe nuk iu rikthye deri ne seminarin e ardhshëm. Për ato nëntëdhjetë ditë të pazëshme ai u mbyll në çadrën e turpit, të cilën e krijoi vetë në zemër të Amnezias si shenjë qëndrese, por dhe me ndjenjën e turpit, që pretendenti për të udhëhequr Amnezian kishte ndaj banorëve.

Ndërkohë që Edurad Rish ishte i vetizoluar, Tristian Lolita në anën tjetër pat nisur biznesin më fitimprurës në historinë e Amnezias, atë të krijimit të skulpturave prej balte, të cilat më pas i zëvendësoi me një material më të qëndrushëm dhe të pashkatërrueshëm. Këto statuja ai vendosi t’ua dhuronte banorëve për t’u kompesuar pasuritë që ai nuk ndante me ta. Këto vepra i rezistuan kohës dhe shumë brezave që erdhën më pas. Bima magjike luante pjesën e saj në përbërjen e këtyre statujave, pasi ajo mund t’i ndërtonte këto statuja brenda natës edhe pa ndihmën e Tristian Lolitës.

Një ditë të bukur në Amnezia ia behu një karvan vizitorësh, ai solli me vete sende të papara nga vendasit, një ndër këto ishte dhe “rrjeta” pas të cilës shumë banorë u magjepsën, me të mund të dilje për peshkim dhe të kapje një numër të madh peshqish pa u lodhur shumë, peshq të mëdhenj e të vegjël. Dhe kështu ua shitën vendasve, por do të ishte e kotë, siç nuk pritej prej tyre, rrjeta mund të kapte tek-tuk ndonjë algë të padobishme dhe ndonjë peshk të vogël pasi të mëdhenjtë as që i zinte, kështu banorët i përzunë këta të fundit të zhgënjyer për humbjen e parave, dhe u detyruan t’i përdornin rrjetat për ndonjë veshje apo tendë. Dikush madje i përdori për të nderur rrobat.

Jezebel Tristiani qe zhdukur prej kohësh, menjëherë pas të korrave të fundit të bimës magjike, pat marrë pjesën e tij dhe u largua duke lënë Eduard Tristianin e Dytë dhe Eduard Jezebel Rishin të grindeshin se cili do të merrte më shumë dhe cili më pak. Mes tyre u krijua një armiqësi e tillë sa një ditë u mendua se në Amnezia rinisi lufta. Banorët kishin marrë armët dhe ishin ndarë në dy klane ku secili ruante bimët magjike që i quante të vetat. E pas shumë orësh lufte mes bandave, u arrit të rrëzohej “Republika e bimës magjike”. Kështu Eduard Tristiani i Dytë mbeti i vetëm; ai dhe djemtë e tij në udhëheqjen e Amnezias.

Të nesërmen pas rënies së Republikës së Bimës Magjike, vendi iu rikthye jetës normale. Bima magjike qe zhdukur njëherë e përgjithmonë, lufta kishte pushuar dhe ethet e pagjumësisë me sa dukej do të fillonin përsëri. Do të ishte pikërisht mëngjesin e së hënës kur Eduard Tristianit të Dytë kujtesa do fillonte t’i bënte lojëra të çuditshme, tashmë ai nuk po njihte më Amnezian, banorët e saj ishin të huaj për të.

Ato ethe kapluan dhe djemtë e tij, madje kishte arritur që t’u shiste disa të huajve, gjysmën e burimeve të ujërave të Amnezias, duke mos e njohur dhe duke menduar se po shiste diçka e cila nuk i takonte atij apo të tjerëve.

Ndërkohë Meri Tristiani, në kolltukun e saj, qëndronte si fantazma e një të vdekuri, por me mendjen top; këlyshët e familjes Tristiani ishin të gjithë pjellat e saj dhe të Eduard Tristianit, vëllait të saj, i cili i qëndronte përballë me një buzëqeshje vesh më vesh, teksa dëgjonte nga jashtë dritares thirrje nga Amnezianë që po veniteshin ndër kujtime dhe thoshin nëpër dhëmbë “Çohu Eduard”, por Eduard Tristiani, tashmë, më i ri se kurrë, kishte ardhur të këndonte për Merin e tij, fatin e Amnezias, një vendi ku banorët harruan kush ishin dhe u shuajtën si në tym, pa identitet dhe të shkatërruar nga rëniet, por më shumë nga ngritjet që pretendonin të fshinin atë që kishte ndodhur.

16 Korrik 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.