Author

Admin - page 38

Admin has 1825 articles published.

Eichmann – Hannah Arendt në Jeruzalem: Ç’është banaliteti i së keqes (djallit)?/Meli Ajazi

in Esé/Filozofi by

Meli Ajazi

Filmi “Hannah Arendt’)” (2012), rrëfen karrierën e sa,j të rrezikuar nga seria e artikujve të saj rreth gjyqit të Adolf Eichmann-it, publikuar në The New Yorker, në vitin 1961 dhe më pas të botuar në librin me titull Eichmann-i në Jeruzalem: Një Raport mbi banalitetin e së keqes. Adolf Eichmann-i dhe banaliteti i një psikopati.

Adolf Eichmann (1906-1962) nënkolonel në regjimin nazist dhe një prej figurave kryesore të Holokaustit, me iniciativë dhe entuziazëm, organizoi deportimet masive të hebrenjve, fillimisht nëpër geto dhe në kampet e shfarosjes në të gjithë Evropën e pushtuar nga nazistët. Pasi Gjermania e humbi luftën, ai u arratis në Argjentinë. Vite më vonë u kap nga Mossad-i dhe u ekstradua në Izrael, ku u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. U shpall fajtor nga gjyqi dhe u ekzekutua me varje.

Mënyra me të cilën Arendt-i e përshkruan natyrën e së keqes (djallit) që karakterizoi gjenocidin më të keq në historinë njerëzore, Holokaustin, shkaktoi polemika shumë të mëdha në botë. Nga njëra anë, këto i dhanë Arendt popullaritet dhe famën ndërkombëtare, po nga ana tjetër, i kushtuan asaj humbjen e shumë prej miqve të saj më të ngushtë e më të vlefshëm dhe madje rrezikuan edhe reputacionin e saj në fushën akademike.

Shpjegimi i saj që përmblidhet me shprehjen “banaliteti i së keqes” parashtron idenë se veprat e këqija në shumicën e rasteve nuk kryhen nga monstra apo nga sadistë. Më së shumti ato kryhen nga njerëz me dukje fare të zakonshme, banale, si Adolf Eichmann-i, i cili vlerësoi interesin e ngushtë vetjak dhe bindjen ndaj autoritetit përkundrejt mirëqenies së të tjerëve.

Pra “banaliteti i së keqes” është tendenca humane “për t’iu bindur dhe për ta pranuar autoritetin pa e diskutuar, për t’u përkulur ndaj presionit të grupit (rrethit të shokëve dhe miqve ku bën pjesë), si dhe tendenca për të shfaqur harresë ndaj vuajtjeve dhe shkatërrimit të qenieve njerëzore nga qenie të tjera njerëzore.

Megjithëse koncepti “banaliteti i së keqes” duket mjaft i thjeshtë për t’u kuptuar edhe me intuitë, ai gjeneroi një debat të madh kryesisht për shkak se kritikët e interpretuan si shfajësim të Adolf Eichmann-it, madje edhe akuzues ndaj viktimave të Holokaustit, veçanërisht ndaj liderëve të Judaizmit, të cilët, të detyruar nga nazistët, organizuan popullin hebre në deportimet masive dhe eventualisht në shfarosje.

Mos vallë Arendt-i i vuri kriminelët dhe viktimat në të njëjtën barkë? Apo ndoshta më keq?

Në fakt termi “banaliteti i së keqes” i Arendt-it nënvizon 2 fenomene:

– I pari – Njerëzit, të cilëve natyrshëm u mungon ndjeshmëria dhe ndërgjegjia (si Eichmann-i), lulëzojnë në regjimet totalitare;

– I dyti – Edhe njerëzit që kanë një ndërgjegje e moral të lartë, në rrethana ekstreme, janë të aftë të kryejnë veprime të liga/këqija, të tilla si indiferenca dhe pandjeshmëria.

Çfarë i bashkon të gjitha llojet e të keqijave përgjatë historisë njerëzore në vende të ndryshme, grupime etnike e kombësie të ndryshme, shoqëri me ekonomi të ndryshme?

– Të gjitha këto kanë të përbashkët faktin që “qytetarët e ndershëm” kërkojnë gjithmonë në çdo rast një pikëpamje të qartë normaliteti dhe ideologjie, ku legjitimitohet shumica, si dhe ligjet natyrore të bëra nga njeriu, por mbi të gjitha, një ndjenjë morali dhe përgjegjesie për ta vërtetuar të keqen/djallin dhe për ta asgjësuar atë.

Për këtë qëllim, “njerëzit e mirë” krijojnë një bollëk të “moralit normativ” që u përshtatet nevojave egoiste të grupit të tyre.
Po nëse lidhja e tyre me moralin do të matet sipas Kantit me kriteret e “zbatueshmërisë universale”, ndërsa sipas Arendt-it me ekzistencën e një “bote të përbashkët,” – kjo do të jetë e dobët, për të mos thënë që nuk do të ekzistojë.

Ky rrjet i ngatërruar për riparimin e së keqes madhore me mënyrat e kanalizuara të bashkëpunimit të pamenduar të individit me të keqen sociale dhe kombëtare, rekrutohet për të normalizuar të keqen dhe për të krijuar një arenë normale të së keqes në jetën e individëve, grupeve dhe kombeve.

Arendt-i e merr shembullin e nazizmit si një pikënisje për të kuptuar thelbin e së keqes historike dhe moralit.

Asnjë e keqe ekstreme, as nazizmi, nuk buron nga një vakum apo nuk është krejtësisht e shkëputur nga mekanizmat funksionalë të kulturave dhe subkulturave të botës, edhe në qoftë se kjo përfaqëson një fenomen të paparë.

Në këtë kuptim, e keqja nuk është jashtë historisë apo njerëzimit.

Bashkëpunimi e individit me botën në të cilën ai u rrit dhe mënyra me të cilën kjo botë e formëson dhe e modelon atë me forcën e kushtëzimet e rrënjosura, derisa ai të bëhet mish i mishit të tij, është arena më e lashtë e luftës së moralit.

Asnjë person nuk është plotësisht i lirë nga të qenit i kushtëzuar nga ato që sheh, dëgjon, prek e nuhat, nga paragjykimet, nga konceptet universale të bukurisë dhe shëmtisë, nga klishetë apo normat shoqërore që u rrit, të tilla si privilegjet, përjashtimet dhe racizmi.

_______
Shënim: Përkufizimi i fjalës banal -> nga fërngjishtja – i rëndomtë, i përket një zotërie, i zakonshëm, i konsumuar, gjë apo njeri i/e zakonshëm që i mungon origjinaliteti për të qënë i dallueshëm apo i ndryshëm nga të tjerët; i mërzitshëm.

Sinonime: i rëndomtë, i zakonshëm, jo origjinal, i parëndësishëm, klishe, i shpëlarë, i thjeshtë, bajat, i lodhur, i vjetruar, pa fantazi, rutinë, jo interesant, i mefshtë, etj.

NJË TJETËR ZË-Yves Bonnefoy

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

NJË TJETËR ZË-Yves Bonnefoy

 

Duke tundur flokët a hirin e Feniksit,
Ç’nojmë rrekesh të bësh kur gjithçka ndalet,

Dhe kur mesnata e qenies ndriçon tryezat?

*

Ç’shenjë mban mbi buzët e tua të zeza,
Ç’fjalë të gjorë kur gjithçka hesht,

Urë zjarri e fundme kur vatra ngurron e mbyllet?

*

Do mund të rroj brenda teje, do shkul
Prej teje çdo dritë,

Çdo mishërim, çdo gumë, çdo ligj.

*

Dhe, në boshin ku unë të ngre, do çel
Rrugën e rrufesë,

Ose britmën më të madhe që tentoi ndonjëherë njeriu.


Përktheu: Alket Çani

A lindin të tillë shkrimtarët apo behen?-Jack Kerouac

in Letërsi by

Jack Kerouac

Shkrimtarët bëhen, sepse kushdo që nuk është analfabet mund të shkruajë. Por gjenitë e artit të shkrimit si Melville, Whitman-i apo Thoreau, kanë lindur të tillë. Le të shqyrtojmë fjalën “gjeni”.  Ajo nuk do të thotë çmenduri, ekscentrizëm apo talent i tepërm. Rrjedh nga fjala “gignere” (të lindë.) Dhe një gjeni është thjesht një person që i jep origjinë diçkaje që nuk dihej më parë. Askush përveç Melville-t nuk do të mund ta kishte shkruar “Moby Dick“-un. As Uitman-i apo Shakespeare.
Askush përveç Whitman-it nuk do të mund ta kishte konceptuar, krijuar dhe shkruar, veprën “Fijet e barit”. Whitman-i ka lindur për të shkruar një libër si “Fijet e barit” dhe Melville ka lindur për të shkruar një “Moby Dick”. “Nuk është ajo që ti bën” thanë Sy Oliver-i dhe James Young-u. “Është mënyra sesi ti e bën.”
Pesë mijë studentë të kursit të krijimit letrar, që studiojnë “leximin e duhur”, mund të futin duart në legjendën e Faustit, por vetëm njëri, Marlowe, lindi për ta bërë atë ashtu siç ai e bëri.
Më vjen gjithmonë për të qeshur kur dëgjoj djem të mençur të Broadway-it, të flasin për “talentin dhe gjeniun”. Edhe një virtuoz i përsosur, që mund të interpretojë Brahams-in në violinë, quhet “gjeni”, por gjeniu, forca e origjinës, në të vërtetë i përket Brahams-it; virtuozi i violinës është thjesht një përkthyes i talentuar – me fjalë të tjera, një “Talent”.
Apo, do të dëgjoni njerëzit të thonë se filani është një shkrimtar i madh për shkak të “talentit të tij të madh”. Nuk mund të ketë shkrimtar të madh pa gjenialitet origjinal. Artistët gjenialë si Jackson Pollock-u, kanë pikturuar gjëra që nuk janë parë kurrë më parë. Kushdo që e ka parë ngjyrën e tij të madhe, nuk ka të drejtë ta kritikojë “metodën e tij të çmendur” të spërkatjes, vërtitjes dhe shkundjes përreth.
Kini parasysh rastin e James Joyce-t. Njerëzit thanë se ai e humbi talentin në rrjedhën e stilit të ndërgjegjes, kur, në fakt, ai thjesht kishte lindur për ta krijuar atë. Si do të dëshironit ta kalonit pleqërinë tuaj, duke lexuar libra për jetën bashkëkohore të shkruar në stilin para-Joycean, të themi, Ruskin ose William Dean Howells apo në stilin Taine?
Disa gjeninj mbërrijnë me hapa të rëndë dhe marshojnë solemnisht përpara, ashtu si Dreiser-i. Megjithatë, askush nuk shkroi kurrë për atë Amerikën e tij ashtu si ai. Gjenitë mund të jenë drithërues, gjenitë mund të jenë të zymtë, por është ajo thellësi trishtuese e pashmangshme, që shkëlqen përmes tyre – origjinaliteti.
Joyce u fye gjatë gjithë jetës së tij, nga pothuajse e gjithë Irlanda dhe bota, sepse ishte një gjeni. Disa idiotë, Celtic Twilight, madje, pranuan se ai e kishte njëfarë talenti. Çfarë mund të thoshin tjetër, kur të gjithë do fillonin ta imitonin? Por pesë mijë shkrimtarë të trajnuar universitarë, mund të futnin duart te “Një dite qershori në Dublin” të vitit 1904 ose te “Një natë ëndrrash“, dhe të mos bënin dot kurrë atë që bëri Joyce me to: ai thjesht kishte lindur për ta bërë.
Nga ana tjetër, nëse pesë mijë “shkrimtarë të trajnuar” plus Joyce-n, të gjithë, do të futin duart në një artikulli të tipit “READER’S DIGEST” për “Udhëzimet e pushimeve” apo për “Këshillat e shtëpiakëve“, unë mendoj se Joyce edhe atëherëdo të dallohej për shkak të origjinalitetit të tij të lindur të njohurive gjuhësore.
Kini parasysh mirë atë që Sinclair Lewis-i i tha Thomas Wolfe-t: “Nëse Thomas Hardy-t do t’i ishte dhënë një kontratë për të shkruar rrëfenja për SATURDAY EVENING POST, a mendon se ai do të kishte shkruar si Zane Grey apo si Thomas Hardy? Mund t’ua them përgjigjen. Ai do të kishte shkruar si Thomas Hardy. Ai nuk mund të kishte shkruar si askush tjetër përveç Thomas Hardy-t. Ai do të kishte vazhduar të shkruante si Thomas Hardy. Pavarësisht nëse ai do të shkruante për SATURDAY EVENING POST apo për kapiten BILLY’S WHIZBANG.
Prandaj, kur shtrohet pyetja: “A bëhen apo lindin shkrimtarët?”, fillimisht duhet pyetur: “E keni fjalën për shkrimtarët me talent apo për shkrimtarët me origjinalitet? Sepse çdokush mund të shkruajë, por jo të gjithë krijojnë forma të reja shkrimi. Gertrude Stein-i krijoi një formë të re të shkruari dhe imituesit e saj janë thjesht talente. Hemingway, më vonë, krijoi edhe ai formën e tij.
Kriteri për të gjykuar talentin apo gjenialitetin është kalimtar, [shënim – shtuar presjen] kur flasim në mënyrë racionale në këtë botë grafikësh, por padyshim që ndihet ndjenja kur një shkrimtar gjeni mahnit me një forcë goditëse që nuk është parë më parë dhe megjithatë tepër të njohur.
E mora atë ndjesi nga Swan’s Way, si dhe nga Sons and Lovers. Nuk e marr nga Colette, por e marr nga Dickinson-i. E marr nga Celine, por nuk e marr nga Camus-i. E marr nga Hemingway, por jo nga Raymond Chandler-i, përveçse kur ai është mjaft serioz. E marr nga Balzac-u apo nga Cousin Bette, por jo nga Pierre Loti. Dhe kështu me radhë.
Gjëja kryesore për t’u mbajtur mend është se talenti imiton gjeniun, ngaqë nuk ka asgjë tjetër për të imituar. Meqenëse talenti nuk mund të lindë, ai duhet të imitojë apo të interpretojë. Poezia në faqen 22 të New York Times-it, me gjithë “krahët e saj të heshtur në një dru të errët dhe të rrallë” dhe drithma të tjera lapidare, nuk është veçse një imitim i dobët i poetëve të mëparshëm gjenialë si Yeats-i, Dickinson-i, Apollinaire, Donne, Suckling…
Gjeniu e lind. Talenti e shpërndan. Ajo që Rambrandt-i, Brandt-i apo Van Gogh-u panë natën, nuk mund të shihet më kurrë. Asnjë bretkocë nuk mund të kërcejë në një pellg si bretkosa Basho. Shkrimtarët e lindur të së ardhmes janë të mahnitur tashmë me atë që po shohin tani, atë që ne të gjithë do ta shohim në kohë për herë të parë dhe më pas do ta shohim të imituar shumë herë nga shkrimtarët e bërë.
Pra, në rastin e një shkrimtari të lindur, gjenialiteti përfshin formimin origjinal të një stili të ri. Megjithëse gjuha e Kyd-it është elizabetiane për atë kohë, gjuha e Shakespeare-t me të vërtetë që mund të quhet vetëm shekspiriane. Shpesh një krijues i formave të reja gjuhësore quhet “pretendues” nga talentet xhelozë. Por çështja nuk është te ajo që ai shkruan. Çështja është te mënyra sesi ai e shkruan atë.

Përktheu: Arlinda Guma

_____________

Shënim i përkthyeses: Jack Kerouac, ishte romancier dhe poet amerikan, i cili, së bashku me William S. Burroughs-in dhe Allen Ginsberg-un, ishte pionier i Beat Generation. (Bitnikët, siç njihen në shqip.)

Çka e shtyn njeriun t’ia presë veshët vetes?

in Pikturë by

Fragment nga një letër e Van Gogh-ut dërguar vëllait të tij Theo-s.

I dashur Theo

Takova Mauve-in sot dhe patëm një bisedë tepër të hidhur, që e bëri të qartë për mua se rrugët tona janë ndarë. Ai ka shkuar tashmë aq larg sa nuk mund të pendohet, e me siguri as që dëshiron të pendohet.

E ftova të vijë ndonjëherë në shtëpi te unë e të shohë punët e mia e të sqarohemi për gjithçka, por ai thjesht refuzoi: “Me siguri që nuk kam për të ardhur, s’kemi punë më bashkë”. Në fund tha “E ke karakterin të lig”. I ktheva shpinën atypëraty, ishim te dunat, dhe fillikat eca për në shtëpi.

Mauve e ka marrë për keq që unë i kam thënë “jam artist” gjë që s’kam ndërmend ta tërheq, meqë është e vetëkuptueshme se ajo fjalë nënkupton njeriun që gjithnjë është në kërkim të diçkaje pa e gjetur kurrë tërësisht. Pra është krejt e kundërta e mburrjes, e të thënit “Unë di gjithçka, apo unë e kam gjetur”. Sipas meje ajo fjalë do të thotë “Jam në kërkim, jam në gjueti, jam i përfshirë thellësisht”…

Por unë kam veshë, Theo – e nëse dikush më thotë “E ke karakterin të lig” çfarë pritet të bëj unë? U ktheva në anën tjetër dhe shkova fill vetëm në shtëpi, po me zemrën e rënduar sepse Mauve-i e ka menduar atë gjë qysh para se të ma thoshte. Nuk do t’i kërkoj shpjegime, e as nuk do t’i kërkoj të falur.

Nga një letër e Vincentit për të vëllanë, Theon, maj 1882.

Përktheu: Arbër Zaimi

Imtësina kryeqytetse-Rozafa Shpuza

in Letërsi/Tharm by

Imtësina kryeqytetse-Rozafa Shpuza

 

Nën kët shi t’pabojë
përplasja e derës së taksisë
t’kujton çekiçin e gjyqtarit
teksa cakton caqet e cikatuna t’lirisë.
Pusetat refuzojnë me kapërdi
henë e dhanë përdhuni,
kësisoj hapat përmbyten prej vorbulla inatesh
e kori i namëve stërpik vitrinat e dekorueme
me skonto dashnish fillikate.
Imtësina tmerrësisht vulgare
kurdisin zemrekun e sahatit
me akrepa që ngasin në kah antiorar.
Ekranet virtuale njesojnë ndjesitë
e asht krejt njajtë
si me thanë të kam dashtë para Covidit,
si deliret e nji kangetareje tallavash,
si rrëfimi i mëkatarit mbas rrjetës kafazlie,
si kanga e kukuvajkës ndër vorre,
si lehjet e qejve n’orgjitë bri Lanës…

Imtësina mirfilli tinzare
lagen nën kët shi t’pabojë
e askush nuk vëren se afishet shkyhen
e prore njiten rishtake
me të njajtat slogane
përpos letrës ngjitëse që ka tjetër bojë…

 

Foto: Rozafa.Shpuza

Gjashtë poezi nga Rabah Belamri

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Gjashtë poezi nga Rabah Belamri

 

1946-1995

ti troket në çdo derë
kërkon pragun e plagës
gjuha jote është një llambë
e tundur nga një kujtim ere gjembash
ndonjëherë
dora jote cek një sup
një hije që s’është jotja ecën
pranë teje

*

nuk ka derë të duhur
vetëm rastësi udhëtimi
dhe copa kujtese
vure në torbën e lëmoshave
ëndrrën tënde të mrekullisë
darkën e fundit të gjithë lavdive
ndiq rrugën tënde
nga një muzg në tjetrin
me dorën mbi dhembjen e syrit

*

mos këndo më nëna ime
lëre dhembjen të flerë
në djepin me dru dafine
agu është i bukur
mbi qepallat e bashkuara të foshnjës

*

dora e kohës shtyu dritaren
kantilena e udhëtimit largohet
qielli shket drejt heshtjes
s’t’i dëgjoj më rrahjet e zemrës

larg mbi tokë
ku bora bie bashkë me natën
një rrokje e zjarrit tënd s’pranon të vdesë

*

një lutje uji ngjitet me mbrëmjen
ai që mbart një flakë rreth qafës
kalon në rrugë

një hije përkulet në dritare
mbi dorën e zgjatur bie një pikë
e harruar nga një kujtesë shiu

*

një engjëll troket në xham
ka në kraharor
vrajën e njerëzve
më flet për rrugë e për etje
pastaj largohet pa pirë
unë e vë shtambën mbi prag të dritares
dhe i kthehem poemës

 

Përktheu: Alket Çani

Prezantimi i muzikës shqiptare jashtë vendit, një detyrë morale dhe jetësore/Florian Vlashi

in Muzikë by

Florian Vlashi

Në një intervistë të dhënë para disa vitesh në Revistën Muzikore “Mundoclasico” në Spanjë, i kam quajtur instrumentistët e sotëm “trubadurët modernë”. Ashtu si trubadurët që udhëtonin nëpër oborret mbretërore në shekullin XII-XIII për të prezantuar artin e tyre, si dhe të rejat e vendeve nga vinin, edhe instrumentistët sot kanë një lëvizje të jashtëzakonshme nëpër botë. Ndoshta “sindroma e trubadurëve” do vazhdojë të na ndjekë gjithmonë.

Para tri dekadave, kur fillova punë në Spanjë tek “Orquesta Sinfónica de Galicia”, u gjenda në mes 80 muzikantësh të ardhur nga mbi 27 vende të botës. Secili nga ata ishte një “pjesëz” e vendit të tij. Edhe kur krijova “Grupo Instrumental Siglo XX” me solistët e orkestrës, sugjerimet e kolegëve që vinin nga kultura të ndryshme ishin për mua një información i pasur. E kush më mirë se këta “trubadurë modernë” mund ta prezantonte muzikën e vendit nga vinin? Ndoshta, pa e kuptuar, ata përmbushnin një detyrë morale të pashkruar.
Si detyrë morale e kam parë edhe unë, bashkë me mjaft kolegë të mi, prezantimin e muzikës shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Që në koncertin tim të parë të turneut në Itali (Puglia, Maj, 1992) kisha në program veprën “Eklips” (1991) të Edmond Buharasë. Nga “Eklipsi” puliez e deri tek “Alla shqiptarçe” e Vasil Toles, të luajtur së fundi në Milano, janë 30 vite koncerte të mbushura me vepra nga Ibrahimi, Zaharian, Simaku, Peçi, Aliaj, R. Rudi, D. Rudi, Koçi, Çene, Dhomi, Tole, Ballata, Gjevelekaj, etj. GISXX (Grupo Instrumental Siglo XX) është pa hezitim grupi joshqiptar që ka në repertorin e tij më shumë vepra shqiptare. Kjo nevojë e paraqitjes së artit shqiptar në Spanjë më ka nxitur, jo vetëm të ftoj shumë instrumentistë nga vendi im që të luajmë bashkë, por edhe të realizoj ekspozita pikture e biseda për letërsinë. Po ashtu, edhe nga Konkursi për të rinjtë që organizoj prej 15 vitesh në Durrës, brenda Bienales: “Netët e Muzikës Klasike”, fituesit që ftoj në Spanjë për koncerte, ndër të tjera duhet të luajnë edhe vepra shqiptare. Kjo është një mënyre e mirë për të paraqitur një panoramë të Artit që bëhet në Shqipëri në të gjithë kompleksitetin e tij.

Foto nga koncerti në Real Academia de Bellas Artes, Madrid. Premiera botërore e Kuartetit për harqe të Feim Ibrahimit

Ndoshta nuk është mjaftueshëm. Mundet. Por është diçka. Dhe diçka është më shumë se asgjë. Kur kjo “diçka” bëhet pastaj nga shumë muzikantë, ajo kthehet në një jehonë të bukur të “simfonisë shqiptare”.
Kjo është detyra morale e secilit prej nesh, që i detyrohet aq shumë kulturës e shkollës së vendit ku u formuam. Kush nuk e ndien kështu do të mbetet një muzikant i cunguar.
Tani ka ardhur koha që e gjithë kjo punë të organizohet mirë për ta pasqyruar në formën më të përkryer muzikën shqiptare. Dhe kjo kërkon zgjidhjen e dy pikave me rëndësi:
A – përzgjedhja e veprave.
B – mbështetja e institucioneve shtetërore.
A. Përzgjedhja. Të luash vepra shqiptare është me rëndësi, por të prezantosh nivelin më të lartë të tyre është akoma më e rëndësishme. Kjo gjë bëhet me një përzgjedhje të kujdesshme nga profesionistët. Këtu mund të luajë një rol përcaktues “Academia Albanica”. Përzgjedhja mund të jetë një nga çmimet e konkursit që mund të organizohet me këtë rast. Në disa konkurse për kompozicion në Spanjë, ku unë kam marrë pjesë në juri, vepra fituese, veç pagesës, kishte dhe detyrimin të luhej nga grupe dhe orkestra të përcaktuara më parë.
B. Mbështetja e institucioneve shtetërore si Ministria e Kulturës është shumë e nevojshme. Kjo është detyra jetësore. Vetëm kështu mund të eliminohet varësia nga iniciativa private. Po marr një shembull: kur vendosa të luaja me “Grupo Instrumental Siglo XX” premierën botërore të Kuartetit për Harqe të Feim Ibrahimit në “Real Academia de Bellas Artes” në Madrid, (25 Prill, 2017) programuesit parimisht parapëlqenin më shumë një tjetër vepër spanjolle, sepse koncerti financohej nga Ministria e Kulturës së Spanjës. Më lanë të kuptoja se, nëse do të ishte koncerti i financuar nga institucionet shqiptare, mund të bënim një koncert të tërë me vepra shqiptare në Akademinë Mbretërore të Spanjës. Ngula këmbë se premiera botërore në zemër të Madridit e një figure të madhe shqiptare si ajo e Feimit do të ishte një ngjarje kulturore me rëndësi ndërmjet dy vendeve. Këtë gjë e përforcoi dhe bashkëpunimi me Ambasadën Shqiptare në Madrid dhe reagimi i jashtëzakonshëm i publikut.



Misioni i interpretëve

Ne interpretët, me prezantimin e veprave kombëtare në auditoret e huaja, kemi një mision të rëndësishëm, një mision të ngjashëm me atë të përkthyesit. Shenjtori i Përkthyesve, Shën Jeronimi i Stridonit nga Iliria, në shekullin e IV, përktheu Biblën në latinisht nga greqishtja dhe hebraishtja me porosi të papa Damaso-s I. U quajt Vulgata (për popullin) pra, për ata që nuk kishin mundësi të lexonin shkrimet e shenjta në gjuhën origjinale. Edhe vetë fjala “përkthim” në latinisht është traductĭo,- ōnis, (ta kalosh nga një vend në tjetrin).
Mos të shkojmë shumë larg, ne kemi rastin e Rilindasve tanë të ndritur. Libri i parë shqip “Çeta e Profetëve / Cuneus Prophetarum” i Pjetër Bogdanit u publikua në vitin 1685. Botimi ishte në dy gjuhë, në shqip/arbërisht dhe latinisht, krah për krah në dy kolona. (Ky fakt na kujton Gurin e Rosseta-s, dëshmia e parë e përkthimit e vitit 196 para Krishtit. Aty tekstet janë njëherësh në hieroglifet e lashta egjiptiane, në shkrimin demotik dhe në greqishten e lashtë. Një dokument me vlerë të rrallë për njerëzimin si dhe një dëshmi e hershme e nevojës jetësore të komunikimit të kulturave.)
Por shembulli më i shkëlqyer është ai nga një tjetër “Jeronim”: De Rada. Të gjitha poemat e tij, duke nisur me Milosaon, ai i botoi dygjuhëshe: teksti origjinal arbërisht në të majtë dhe përkthimi i tij në italisht djathtas. Kjo gjë i solli njohjen dhe vlerësimin e lartë të qarqeve letrare të Europes si dhe të figurave si Hugo, Lamartin, Mistral, etj. Vetëm kështu u përcoll natyrshëm mrekullia e artit të tij, e artit tonë.
A nuk është pra, kjo përcjellje, qëllimi për të cilin po flasim, “ta kalojmë nga një vend në tjetrin” artin muzikor shqiptar apo, siç i thonë gjermanët përkthimit, übersetzen, “ta kalojmë në bregun tjetër”? Ky është mësimi i Rilindasve tanë të ndritur, Amaneti i tyre. Kjo është pra detyra morale e “Cuneus Prophetarum” të instrumentisteve shqiptarë sot nëpër botë.

Spanjë, La Coruña, 25 Tetor, 2022.

P.S. ??? ??????ë ? ????? ?ë ?????ë? ? “???????? ????????” ???????? ?????????? ?ë ?????ë?, ?????????? ??? ???????? ? ????????? të ?????ë???ë.

Mendojmë se Big Brother-in e shpikëm në epokën e sotme moderne, por 2,400 vjet më parë, Platoni na tregoi sesi do të ishte jeta sikur të jesh i lidhur me zinxhirë në një shpellë dhe të jesh i detyruar të shikosh vetëm hijet që ndërrohen në mur/Meli Ajazi

in Filozofi by

Meli Ajazi

Ne mendojmë se Big Brother-in e shpikëm në epokën e sotme moderrne – 30 vjet më parë, po nuk është e vërtetë; rreth 2,400 vjet më parë, Platoni na tregoi se si do të ishte jeta sikur të jesh i lidhur me zinxhirë (metaforikisht i ulur sot në kolltuk) në një shpellë (shtëpi sot) dhe të jesh i detyruar të shikosh vetëm hijet që ndërrohen në mur (ekranet e TV).

Çfarë donte të thoshte ai me alegorinë e shpellës?

Në alegorinë e shpellës, Platoni bën dallimin mes njerëzve që njohuritë shqisore, ato empirike, i marrin për të vërtetën absolute dhe njerëzve që vërtet e njohin të vërtetën përtej asaj empirike.

Nëpërmjet parabolës ai argumenton se masa që është injorante/e paditur dhe kokëfortë, po edhe shumë armiqësore ndaj ndonjë tjetrit që nuk bën pjesë në rrethin/grupin e tyre dhe i thotë të kundërtën e asaj që ajo do të dëgjojë, është e paaftë për të bërë dallimin midis qeverisjes së mirë dhe asaj të keqe.

Ja si ndodh historia në Shpellën e Platonit:

 – Shpella
– Imagjinoni një shpellë, në të cilën ka 3 të burgosur. Të burgosurit janë të lidhur me zinxhirë nga krahët, këmbët dhe koka, kështu që ata nuk mund të shohin asgjë, përveç murit të shpellës përballë tyre.
– Këta të burgosur janë në shpellë që nga lindja dhe nuk kanë dalë kurrë jashtë saj, kështu që nuk njohin realitet tjetër.
– Pas të burgosurve gjendet një zjarr dhe mes tyre e zjarrit është një si urë apo vendkalim i ngritur .
– Njerëzit që gjenden jashtë shpellës ecin përgjatë këtij vendkalimi duke mbajtur gjëra të ndryshme në kokë apo shpatulla, si; kafshë, bimë, dru, gurë, etj, etj.

Hijet
– Imagjino sikur je një nga të burgosurit dhe nuk mund të shikosh asgjë mbrapa dhe anash pasi prangimi nuk ta lejon – pra, ajo që sheh është vetëm muri përballë.
– Kur njerëzit ecin përgjatë vendkalimit, ti mund të shohësh në mur hijet e tyre dhe të objekteve që ata mbajnë në kurriz.
– Nëse nuk do të keni parë kurrë objektet e vërteta, edhe ju do të besonit që hijet e objekteve janë ‘reale’.

Loja
– Platoni sugjeron që të burgosurit bëjnë një “lojë” – Fillojnë të marrin me mend se cila hije do të shfaqet në vijim.
– Nëse një nga të burgosurit e gjen me saktësi, të tjerët do ta lavdërojnë atë si më të zgjuarin duke e titulluar master (mjeshtër) të natyrës.

Arratisja
– Dikur, njëri prej të burgosurve çlirohet nga zinxhirët dhe ikën nga shpella.
– Ai tronditet nga bota që zbulon jashtë saj dhe nuk beson fillimisht se ajo që sheh s’mund të jetë reale.
– Po sa më shumë kohë kalon në ambjentin e tij të ri, aq më shumë kupton se pikëpamja e tij e mëparshme mbi realitetin ishte e gabuar.
– Fillon ta kuptojë botën e re dhe pasi merr vesh se Dielli është burimi i jetës, ndërmerr një udhëtim (intelektual) ku zbulon bukurinë dhe domethënien e jetës.
– Kupton se jeta e tij e mëparshme dhe loja e supozimeve që luanin në shpellë ishte e kotë dhe e padobishme.

Kthimi
– Ai kthehet në shpellë për t’i informuar të burgosurit e tjerë për zbulimet e tij.
– Po ata nuk i besojnë dhe e kërcënojnë se do ta vrasin nëse ai përpiqet t’i çlirojë ata.

Kuptimi i ‘Alegorisë së Shpellës’ së Platonit:

Shpella
Në teorinë e Platonit, shpella përfaqëson njerëzit që besojnë se njohuria vjen vetëm nga ajo që ne shohim dhe dëgjojmë në botë – dëshmi empirike.
Shpella tregon se besimtarët e dijes empirike kanë ngecur në ‘shpellën’ e keqkuptimit.

Hijet
Hijet përfaqësojnë perceptimet e atyre që besojnë se provat e marra nga shqisat sigurojnë njohuri.
Nëse besoni se vetëm ajo që shihni me sy e dëgjoni me veshë, duhet të merret si e vërtetë, atëherë jeni thjesht duke parë një hije të së vërtetës dhe, sipas Platonit ju jeni ‘pleb’ (një person ordiner i zakonshëm, me inteligjencë të ulët, zakonisht nga klasë e ulët)

Loja
Loja përfaqëson idenë sesi njerëzit besojnë që një individ është “master” kur ata kanë njohuri vetëm shqisore.
Platoni demonstron se ky ‘master’ nuk njeh ndonjë të vërtetë, dhe sugjeron se është qesharake të admirosh dikë si ky.

Arratisja
I burgosuri i arratisur përfaqëson filozofin, i cili i kërkon njohuritë jashtë shpellës dhe jashtë shqisave.
Dielli përfaqëson të vërtetën filozofike dhe dijen universale.
Udhëtimi përfaqëson një udhëtim filozofik ku filozofi gjen të vërtetën dhe mençurinë

Kthimi
Reagimi i të burgosurve të tjerë ndaj kthimit të të arratisurit përfaqëson frikën e njerëzve për të njohur të vërtetën dhe sidomos atë filozofike, si dhe mosbesimin e tyre tek filozofët.

Një pikturë madhështore e Munch-it, e fshehur nga nazistët në një hambar, do të shfaqet në ankandin e Sotheby’-t/Vivienne Chow

in Pikturë by

Piktura me përmasa të mëdha, e cila ka një histori të jashtëzakonshme, pritet të kushtojë 15 deri në 25 milionë dollarë.

Vivienne Chow

Një pikturë 13 foot e gjatë, e realizuar nga Edvard Munch-i, që i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore, do të dalë në ankand më 1 mars, në Sotheby, në shitjen e mbrëmjes së artit modern dhe bashkëkohor në Londër, me një vlerësim parashitjeje nga 12 milionë deri në 20 milionë £ ( 15 deri në 25 milionë dollarë). “Dance on the Beach” u fsheh në një hambar nga nazistët, së bashku me një version të “The Scream” dhe kanë kaluar 89 vjet që kur vepra u shfaq për herë të fundit në treg. Shitja e pikturës historike u bë e mundur falë një marrëveshjeje midis trashëgimtarëve të mikut të artistit: Thomas Olsen-it; biznesmen norvegjez anijesh, dhe trashëgimtarëve të Curt Glaser-it, historian arti, i cili ishte pronari i pikturës nga viti 1912 deri në vitin 1933. Kur iu desh të ikte nga nazistët, Glaser-i u detyrua ta shiste veprën, e cila u ble më pas nga Olsen-i në vitin 1934; që atëherë ajo ka qenë në koleksionin e familjes. Mësohet se të ardhurat nga shitja do të ndahen mes dy familjeve. Të dy; Glaser-i dhe Olsen-i kishin marrëdhënie personale me Munch-in në atë kohë, madje artisti pikturoi edhe gratë e tyre, Elsa Glaser-in dhe Henrietta Olsen-in.
Udhëtimi i pikturês “Dance on the Beach”  ndjek një trajektore të ngjashme me atë të “Summer Day” apo të “Embrace on the Beach” (The Linde Frieze), e cila gjithashtu ndryshoi pronar nga Glaser-i tek Olsen-i gjatë rrjedhës së historisë. Ajo u shit për më shumë se 22 milionë dollarë (përfshirë tarifat) në një shitje të Sotheby-t në vitin 2021. Aktualisht, rekordi i ankandit të Munch-it është 119.9 milionë dollarë, i cili u arrit në vitin 2012 në një ankand në New York për shitjen e “The Scream” nga viti 1895, financierit amerikan Leon Black. Ajo u shit nga Petter Olsen-i, djali i Thomas Olsen-it.

Skicë e Elsa dhe Curt Glaser-it nga Edvard Munch-i, vizatuar në vitin 1913.

Dance on the Beach” u porosit fillimisht në vitin 1906 nga Max Reinhardt-i, regjisor i njohur filmi dhe teatri, i cili thuhej se ishte shumë i ndikuar nga Munch-i; piktura u bë pjesë e asaj që tani njihet si “The Reinhardt Frieze“, në teatrin e regjisorit në Berlin. Ajo u përket një prej 12 kanavacave të vendosura në pjesën e sipërme të teatrit që synonte të ishte një instalacion përfshirës, i cili, sipas fjalëve të Munch-it, përbëhej nga “imazhe të psikikës moderne”.
Vepra që ofrohet në shitjen e Sotheby-t është e vetmja nga kjo seri e disponueshme në tregun e artit, ndërsa pjesa tjetër është e gjitha në koleksionet muzeale në Gjermani, me nëntë në Nationalgalerie në Berlin, një në Hamburger Kunsthalle dhe një në Muzeun Folkwang, Essen. Piktura përshkruan dy nga dashuritë e mëdha të mjeshtrit norvegjez, Tulla Larsen-in dhe Millie Thaulow-n në plan të parë.
Glaser-i, i cili dikur ishte drejtor i Bibliotekës Shtetërore të Artit të Berlinit dhe biografi i artistit, e fitoi veprën në vitin 1912 kur Teatri Reinhardt u rinovua. Historiani dhe kuratori i artit më pas u persekutua nga nazistët për shkak të prejardhjes së tij hebreje dhe u detyrua ta shiste veprën në vitin 1933 kur u largua nga Gjermania. Një ekspozitë e koleksionit të Glaser-it po mbahet aktualisht në Kunstmuseum Basel.
Disa muaj më vonë, piktura doli në treg në një ankand në Oslo në vitin 1934 dhe u ble nga Olsen-i, i cili kishte qenë fqinj i Munch-it. “Dance on the Beach” ishte shfaqur në sallën e klasit të parë të një prej lundrimeve të Olsen-it, midis Oslo-s dhe Newcastle-it në vitin 1939.
Olsen-i e hoqi atë kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë dhe i solli të gjitha pikturat e tij të Munch-it, përfshirë “Dance on the Beach” dhe “The Scream“, në një hambar në pyllin norvegjez. “Dance on the Beach” ka qenë në duart e familjes Olsen qysh atëherë.
“Kjo pikturë e jashtëzakonshme është bërë edhe më e veçantë për shkak të origjinës së saj të jashtëzakonshme, një histori që është zbuluar që atëherë kur u pikturua, 115 vjet më parë”, deklaroi Lucian Simmons, nënkryetar i Sotheby-t. “Ne jemi krenarë që po luajmë një rol në kapitullin e ardhshëm të pikturës.”

Përktheu: Arlinda Guma

1 36 37 38 39 40 183
Go to Top