Author

Admin - page 23

Admin has 1825 articles published.

GJYSMËN E NJË BUKE, DHE NJË LIBËR/Fjalim i poetit Federico Garcia Lorca në përurimin e biblotekës së fshatit të tij të lindjes

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

Federico Garcia Lorca

Në fjalimin e mbajtur nga Federico García Lorca në përurimin e bibliotekës së fshatit të tij të lindjes, Fuente Vaqueros (provincë e Granadës), në shtator 1931, poeti andaluzian thekson përparësinë e kulturës dhe domosdoshmërinë e përhapjes së saj përmes leximit, kudo dhe nga të gjithë. Si një kujtesë e të vërtetave elementare, një nxitje për të lexuar vazhdimisht, ky fjalim i mbajtur në një rrethanë të caktuar, përsërit një të vërtetë, e thënë prej tij disa vite më parë, se njeriun mund ta vrasësh, por shpirtin e tij nuk e vret dot.

Bashkëfshatarë dhe miq të dashur,
Fillimisht, më duhet t’ju them se unë më shumë lexoj sesa flas. Nuk flas shumë, sepse më ndodh si Galdosit dhe gjithë poetëve dhe shkrimtarëve në përgjithësi: që jemi mësuar t’i themi gjërat shpejt dhe saktë, mirëpo në artin e gojëtarisë idetë shkrihen në një melodi e këndshme, kurse fjalët e tjera i merr era.
Fjalimet e mia të lexuara siç janë, gjë që kërkon shumë më tepër punë sesa të folurit, mbeten të shkruara në letër dhe kanë më shumë forcë, pasi mund të shërbejnë për edukimin e atyre që nuk më kuptojnë aq mirë apo që nuk janë këtu të pranishëm.
Ndaj këtij fshati të bukur, ku jam lindur dhe ku kalova fëmijërinë time të lumtur, e ndiej për detyrë mirënjohjen për nderin që më bëri, ndoshta të pamerituar, kur i vuri emrin tim rrugës së vjetër të Kishës. Dua ta dini se ju jam mirënjohës nga thellësia e zemrës sime dhe se kur shkoj në Madrid apo gjetkë, për punë gazetareie apo tjetër, kur më pyesin se ku jam lindur, unë u them që vij nga Fuente Vaqueros, në mënyrë që lavdia apo fama, që më është dhënë, të lidhet me këtë fshat kaq të bukur, kaq modern, kaq të vlerësuar dhe kaq liberal, siç është Fuente.
Dijeni, pra, se unë e lavdëroj menjëherë, si poet dhe si një nga bijtë e tij, sepse në të gjithë luginën e Granadës – dhe këtë nuk e them nga pasioni – nuk ka fshat më të bukur, më të pasur apo që të prek më shumë shpirtin se fshati ynë, la Fuente. Unë nuk dua të fyej asnjë nga fshatrat e bukur të Granadës, por kam sy për të parë dhe inteligjencë të mjaftueshme për të lavdëruar fshatin tim të lindjes.
Ai është ndërtuar mbi ujë. Nga të gjitha anët gurgullojnë kanalet vaditëse dhe rriten plepa të gjatë, ku, në stinën e verës era përhap melodinë e saj të ëmbël. Në zemër të tij ka një shatërvan, nga i cili buron vazhdimisht ujë, ndërsa nga çatitë e shtëpive duken malet me refleks të kaltër, të largët, të veçuar, sikur nuk kanë dashur që shkëmbinjtë e tyre të zbrisnin deri këtu, në tokën e butë dhe pjellore ku lulëzojnë të gjitha llojet e frutave.
Banorët e tij dallohen nga ata të fshatrave fqinjë nga karakteri. Një djalë nga Fuente njihet mes mijërash. Ai është fisnik, i afrueshëm, me kapelen hedhur prapa, i shkathët në elegancën dhe në bisedën e tij. Por ai është edhe i pari, që mes një grupi të huajsh, pranon një ide moderne apo i bashkohet një kauze të drejtë.
Edhe një vajzë nga Fuente do ta njihni mes mijërash, nga sensi i humorit, gjallëria, dëshira për elegancë dhe guximi për të përballuar çdo pengesë. Kjo, pasi banorët e këtij fshati janë të mbrujtur me ndjenja të lindura artistike, kanë në shpirt gëzimin dhe i japin kuptim jetës.
E kam vënë re shumë herë, me të hyrë në këtë fshat, që njeriut i kumbon një si jehonë, i buron së brendshmi një fërgëllimë, që do të thotë dëshirë për miqësi dhe mirëkuptim njerëzor. Kam udhëtuar nëpër qindra fshatra të vegjël si ky dhe kam vërejtur një melankoli që nuk lind vetëm nga varfëria, por edhe nga dëshpërimi dhe padituria. Fshatrat që jetojnë vetëm të mbërthyer pas tokës, rrojnë vetëm me ndjenjën e tmerrshme të vdekjes, dhe ditët e tyre nuk rrezatojnë as gëzim dhe as paqe shoqërore.
Në këtë pikë fshati Fuente ka dalë fitimtar. Këtu ka etje për gëzim, domethënë për përparim, për jetë. Si rrjedhim, këtu ka zjarr artistik, dashuri për të bukurën dhe kulturën.
Kam parë burra në vende të tjera që kur kthehen nga puna në shtëpi të rraskapitur nga lodhja, ulen në heshtje si statuja, duke pritur që dita t’i zerë vendin tjetrës, pa dëshirën më të vogël për dije. Burra skllevër të vdekjes, ngaqë nuk arrijnë të shikojnë dritën dhe bukurinë e shpirtit njerëzor. Për ta nuk ka asgjë tjetër në botë përveç jetës dhe vdekjes, dhe si ata ka miliona që flasin, jetojnë, shohin, hanë, por janë të vdekur. Këta janë bërë gur, më të ftohtë se të vdekurit që flenë nën tokë, sepse u ka vdekur shpirti. Shpirti i tyre u është bërë si mulli që s’bluan më, u ka vdekur sepse i mungon dashuria, embrioni i ideve, besimit, dëshirës për çlirim, pa të cilat njeriu nuk mund të quhet i tillë. Ky është një nga programet, të dashur miq, që më shqetëson më shumë tani për tani.
Kur dikush shkon në teatër, në koncert apo në ndonjë festë, nëse i pëlqen, patjetër mendon për njerëzit e tij të dashur, që nuk janë aty. “Sa do ta kishte pëlqyer ime motër, sa mirë sikur të kishte qenë edhe im atë”, mendon ai dhe e shijon spektaklin i pushtuar nga melankolia. Kështu ndihem edhe unë, jo për njerëzit e familjes sime, sepse kjo do të më bënte shpirtvogël, por për të gjithë ata që, o nga pamundësia o nga fati i keq, e gjejnë veten të përjashtuar nga ndjenja e lartë e bukurisë, e cila është jetë dhe mirësi, qetësi dhe pasion.
Kjo është arsyeja përse unë nuk zotëroj kurrë një libër, pasi ua jap të tjerëve– dhe unë blej shumë libra–, prandaj jam i nderuar dhe i lumtur të përuroj këtë bibliotekë fshati, padyshim të parën në të gjithë krahinën e Granadës.
Njeriu nuk jeton vetëm me bukë. Po të isha në rrugë, i varfër dhe i uritur, nuk do të lypja një bukë: do të kërkoja gjysmën e një buke dhe një libër. Unë jam, padyshim, kundër atyre që flasin vetëm për kërkesa ekonomike, pa përmendur asnjëherë kërkesat kulturore, për të cilat njerëzit bërtasin më fort. Sigurisht, do të ishte mirë që njerëzit të mos vuanin urie, por duhet që ata të bëhen edhe të ditur. Të gëzojnë frytet e mendimit njerëzor, sepse e kundërta do t’i kthente në makineri të thjeshta në shërbim të shtetit, në skllevër të një organizimi të tmerrshëm shoqëror.
Ndiej më shumë keqardhje për një njeri që dëshiron dije por nuk ka mundësi, sesa për një njeri të uritur. Një njeri i pangrënë mund ta shuajë lehtësisht urinë me një copë bukë ose me një frut, kurse njeriu që ka etje për dije, por nuk ka mundësi, vuan një agoni të tmerrshme pasi i duhen libra, shumë libra. Po ku janë librat?
Libër, Libra! Fjalë magjike, që do të thotë “dashuri”, të cilën njerëzit duhet ta kërkojnë ashtu siç kërkojnë bukë ose siç shpresojnë shiun për mbjelljet e tyre. Kur shkrimtari i shquar rus Fjodor Dostojevski, shumë më tepër baba i Revolucionit Rus se Lenini, i burgosur në Siberi, i izoluar nga bota, i mbyllur mes katër mureve dhe i rrethuar nga fusha të shkreta me dëborë kërkoi ndihmë në letrat e tij drejtuar familjes së tij të largët, ai shkroi vetëm këto fjalë: “Më dërgoni libra, libra, shumë libra, që të mos vdes shpirtërisht! “. Edhe pse mërdhinte, ai nuk kërkonte zjarr, edhe pse kishte etje të tmerrshme, nuk kërkonte ujë, por kërkonte libra, që do të thotë horizonte, shkallë për t’u ngjitur në lartësitë e mendjes dhe të zemrës. Në të vërtetë, agonia fizike, biologjike, natyrore e një trupi, për shkak të urisë, etjes ose të ftohtit zgjat vetëm një çast të shkurtër, ndërsa agonia e një shpirti të pakënaqur zgjat sa vetë jeta.
I madhi Menendez Pidal, një nga njerëzit e mençur dhe të veçantë në Evropë, e ka thënë tashmë: kryefjala e Republikës duhet të jetë “Kultura. » Sepse vetëm nëpërmjet saj mund të zgjidhen problemet të cilat i ndesh sot populli, i pasur për nga besimi, por i varfër për nga drita e dituria.
Mos harroni se drita dhe dituria është pikënisja e gjithçkaje. Ato veprojnë mbi disa individë që më pas i përhapin në popull, dhe se popujt jetojnë e përparojnë falë ideve që u lindin disa mendjeve të përparuara, të mbrujtura me një dashuri të epërme ndaj njëri-tjetrit.
Për të gjitha këto, ju nuk mund ta përfytyroni dot se çfarë gëzimi më jep përurimi i bibliotekës publike Fuente Vaqueros! Një bibliotekë është një koleksion librash të përzgjedhur dhe të mbledhur, është zëri që buçet kundër paditurisë, drita përballë errësirës.
Askush nuk e kupton kur mban një libër në duar sa përpjekje, vuajtje, net pa gjumë dhe gjak ka kushtuar ai. Libri është padyshim vepra madhore e njerëzimit. Ndodh shpesh që një popull të rrijë i fjetur si uji i pellgut në një ditë kur s’fryn erë. Bretkosat flenë dhe zogjtë rrinë të palëvizshëm në degët e pemëve përreth. Pa provoni të hidhni një gur në pellg. Do të shihni një shpërthim rrathësh koncentrikë, valëzime që zgjerohen duke u çikur me njëra-tjetrën dhe duke u përplasur në anët e pellgut. Do të shihni fërgëllimën e ujit, bretkosat që notojnë sa andej-këtej, anët e trazuara, madje edhe zogjtë e përgjumur, degëve me hije, që papritmas fluturojnë tufa-tufa në qiellin e kaltër. Shpesh, një popull fle si uji i pellgut në një ditë kur s’fryn erë dhe vetëm një libër ose disa libra mund ta shkundin, t’i trazojnë shpirtin dhe t’i tregojnë horizonte të reja të tejkalimit të vetvetes dhe harmonisë.
Sa e sa përpjekje janë dashur për të prodhuar një libër! Dhe çfarë ndikimi të pamasë kanë ushtruar dhe do të ushtrojnë librat në botë! Volteri i mençur e ka thënë tashmë: e gjithë bota e qytetëruar udhëhiqet përmes librave, Biblës, Kuranit, veprave të Konfucit dhe Zaratrustit. Edhe shpirti dhe trupi, shëndeti, liria dhe pasuria u nënshtrohen dhe varen prej këtyre veprave të mëdha. Ndërsa unë dua të shtoj edhe këtë: gjithçka vjen nga librat. Revolucioni Francez erdhi nga Enciklopedia dhe librat e Rusoit, dhe të gjitha lëvizjet aktuale socialiste dhe komuniste e kanë pikënisjen nga një një libër i madh, Kapitali i Karl Marksit.
Por çfarë drame dhe lufte duhet të ketë duruar njeriu deri sa ia doli të bënte libra për t’i përhapur! Njerëzit e parë bënë libra prej guri, ata gdhendën shenjat e feve të tyre në faqet e maleve. Duke mos patur asnjë mjet tjetër, ata gdhendën në shkëmb aspiratat e tyre, të etur për pavdekësi, për mbijetesë, çka e dallon njeriun nga kafsha. Pastaj ata përdorën metalin. Aaroni, një prift i hebrenjve, vëllai i Moisiut, mbante në gjoks një pllakë ari plot me mbishkrime, ndërsa veprat e Hesiodit, poetit grek që besonte se kishte parë nëntë muzat duke kërcyer në majën e Helikonit, ishin gdhendur në pllaka plumbi. Më vonë, Kaldentët dhe Asirianët arritën të shkruanin kodet dhe analet e historisë së tyre në tulla, me anë të një fëndyelli, para se ato të thaheshin. Kështu, ata kishin biblioteka të mëdha në pllaka balte, sepse ata ishin tashmë popuj të përparuar dhe astronomë të jashtëzakonshëm, të parët që ndërtuan kulla të larta dhe iu përkushtuan studimit të kubesë qiellore.
Egjiptianët, përveçse shkruanin në dyert e tempujve të tyre madhështorë, shkruanin në fletë bimore të quajtura papirusë, të cilat i formësuan në rrotulla. Këtu shfaqet vetë libri. Meqenëse Egjipti e ndaloi eksportin e këtij materiali bimor, banorët e Pergamonit, të cilët dëshironin gjithashtu të kishin libra dhe bibliotekë, përdorën lëkurët e thara të kafshëve; kështu lindi pergamena, që në një kohë të shkurtër zëvendësoi papirusin për t’u bërë materiali i vetëm për libra, deri në zbulimin e letrës.
Këto ua tregova shkurt për t’ju thënë se nuk duhet të harrojmë që nga njëri fakt në tjetrin, mund të kenë kaluar disa shekuj; por njeriu lufton gjithmonë me thonjtë, sytë, gjakun e tij, që të ngulitë në përjetësi, të shpërndajë dhe të shprehë mendimin dhe bukurinë.
Kur Egjipti arriti në pikën që të mos shiste më papirusë, sepse i duhej apo sepse nuk donte, kush qe ai që në Pergamon kalonnte net e vite të tëra duke u munduar derisa i erdhi ideja të shkruante mbi lëkurën e tharë të një kafshe? Cili qe ai apo ata që mes dhimbjesh kërkuan materialin ku të gdhendnin mendimet e të urtëve dhe poetëve të mëdhenj? Ata nuk qenë as një dhe as njëqind. Qe mbarë Njerëzimi që i shtyu në mënyrë të mistershme atje.
Pra, sapo u miratua pergamena, u ndërtua biblioteka e madhe e Pergamit, një qendër e vërtetë drite në kulturën klasike. Dhe u shkruan kodet e mëdha. Diodori i Siçilisë thotë se për librat e mëdhenj të shenjtë të Persianëve në pergamenë janë dashur jo më pak se një mijë e dyqind lëkurë kau.
E gjithë Roma shkroi në pergamenë. Të gjitha veprat e poetëve të mëdhenj latinë, modele të përjetshme të thellësisë, përsosmërisë dhe bukurisë, u shkruan në pergamenë. Pikërisht, në pergamenë lindi lirizmi i vrullshëm i Virgjilit dhe në këtë lëkurë të verdhë, ndriçon drita e fortë e prozës së shkëlqyer të spanjollit Seneka.
Por le t’i kthehemi letrës. Letra është e njohur në Kinë që nga kohërat e lashta. Bëhej nga orizi. Përhapja e letrës shënon një etapë të rëndësishme në historinë botërore. Ne e dimë datën e saktë kur letra kineze hyri në Perëndim për të mirën e qytetërimit: kjo ditë e lavdishme ishte 7 korriku i vitit 751 pas Krishtit. Historianët arabë dhe kinezë bien dakord për këtë. Rezulton se arabët, duke u përballur me kinezët në Kore, arritën të kalojnë kufijtë e Perandorisë Qiellore dhe të zënë shumë robër. Disa prej tyre punonin si prodhues letre dhe ua dhanë sekretin arabëve. Ata u dërguan në Samarkand, ku vazhduan punën e tyre nën sundimin e Sulltan Harun er-Rashid, personazhi i jashtëzakonshëm i Njëmijë e një netëve.
Letra u prodhua fillimisht nga pambuku, por meqenëse kishte mungesë të këtij materiali, arabët mësuan ta prodhonin atë me garzë dhe kështu kontribuan në shfaqjen e letrës moderne. Por librat shkruheshin ende me dorë nga shkrues, njerëz të qetë, të cilët kopjonin faqe të tëra me shumë mjeshtëri dhe durim, dhe të paktë ishin ata që i zotëronin librat.
Nëse koleksionet e rrotullave të papirusit ose pergamenës u përkisnin tempujve dhe arkivave mbretërore, dorëshkrimet në letër tashmë po përhapeshin gjerësisht, megjithëse gjithmonë midis elitave të privilegjuara. Shumë libra u prodhuan në këtë mënyrë, pa lënë pas dore pergamenën, mbi të cilën artistët pikturuan miniatura të mrekullueshme me ngjyra të ndezura, me një bukuri dhe mjeshtëri të tillë sa që, në ditët e sotme, shumë nga këta libra ruhen në biblioteka të mëdha si xhevahirë të vërtetë, madje më të çmuar se ari apo se gurët e tjerë të çmuar. Emocione të fuqishme më pushtuan teksa mbaja në duar disa nga këta libra.
Disa kode arabe nga biblioteka e Eskurialit dhe libri i mrekullueshëm Historia natyrore e Albertit të Madh, një kodik i shekullit të 13-të i ruajtur në Universitetin e Granadës, të cilin e shfletova për orë teë tëra pa e hequr dot vështrimin nga ato piktura kafshësh, të pikturuara me penelë më të imët se ajri, ku ngjyrat blu, rozë, jeshile dhe të verdha kombinohen në sfondin e pllakave të arta. Por njeriu nuk u mjaftua me kaq. Njerëzimi në mënyrë misterioze i shtyu disa prej nesh të çanin drurin e trashë të paditurisë me sëpatat e tyre të dritës. Libri, që duhej të ishte për të gjithë, mbeti artikull luksi. Nëpër male dhe lugina, në qytete dhe në brigjet e lumenjve, miliona njerëz vdiqën pa e ditur se çfarë ishte një letër. Kultura e madhe e Antikitetit po fundosej në harresë dhe besëtytnitë më të shëmtuara po shtrembëronin ndërgjegjet popullore.
Thuhet se dëshira e flaktë për dije hap edhe dyert më të rënda, dhe kjo është e vërtetë. Dëshira i shtyu disa njerëz të ndiqnin studimet, përpiqeshin, dhe kështu u shfaq në shekullin e 15-të, në Majn të Gjermanisë, shtypshkronja e parë në botë. Shumë njerëz debatojnë për meritën e kësaj shpikjeje, por Gutenbergu ishte ai që e realizoi atë. Ishte e tij ideja e derdhjes së shkronjave në plumb dhe e shtypjes së tyre në letër, gjë që bëri të mundur riprodhimin e çdo libri. Sa e thjeshtë! Por edhe sa e vështirë! Kanë kaluar shekuj e megjithatë kjo ide nuk kishte lindur në mendjen e njeriut. Të gjithë çelësat e sekreteve janë në duart tona, ato na rrethojnë në çdo kohë, por megjithatë, çfarë vështirësish të mëdha kemi për të hapur dyert e vogla pas të cilave ato rrinë fshehur!
Te natyra do të zbulohej kura e sa e sa sëmundjeve të pashërueshme, por cili është kombinimi i duhur dhe i saktë përmes të cilit do të ndodhte mrekullia? Nuk ka pasur shpesh ngjarje më të rëndësishme në historinë e botës se shpikja e shtypshkronjës. Me rëndësi më të madhe se dy ngjarjet e tjera të mëdha të asaj kohe: shpikja e barutit dhe zbulimi i Amerikës. Në të vërtetë, megjithëse baruti solli fundin e feudalizmit, ngritjen e ushtrive të mëdha dhe formimin e kombeve të forta, të ndara më parë nga fisnikëria, dhe megjithëse lindja e Amerikës solli zhvendosjen e një Historie të ringjallur dhe duke i dhënë fund një sekreti gjeografik shekullor, shtypshkrimi bëri një revolucion aq të fuqishëm në mendjen dhe në shpirtin e njeriut, sa shoqërisë do t’i tronditeshin themelet. E megjithatë, sa e heshtur dhe sa e ndrojtur ka lindur ajo! Ndërsa baruti shpërtheu trëndafilat e tij të zjarrtë në fushat e betejës dhe Atlantiku mbushej me anije me vela të fryra nga era, që shkonin e e vinin ngarkuar me ar dhe mallra të çmuara, ai rrinte në heshtje, në qytetin e Shën -Avertin, ku Kristof Planteni ngriti shtypshkronjën dhe librarinë më të rëndësishme në botë, dhe prodhoi atje – më në fund! – librat e parë me çmim të lirë.
Më pas, librat e vjetër, nga të cilët mbetën vetëm një grusht kopjesh, u vërshuan në dyert e shtypshkronjave dhe të shtëpive të njerëzve të mençur, duke bërtitur për t’u botuar, përkthyer dhe shpërndarë në mbarë botën. Ky është çasti madhështor i botës. Rilindja. Agimi i lavdishëm i kulturave moderne në të cilat jetojmë.
Shumë shekuj përpara kësaj që sapo tregova, pas rënies së Perandorisë Romake, pushtimeve barbare dhe triumfit të krishterimit, libri kishte përjetuar kohën, epokën më të tmerrshme të rrezikut. Bibliotekat u plaçkitën dhe librat u shpërndanë. E gjithë shkenca filozofike dhe poezia e të lashtëve ishin në prag të zhdukjes. Poemat homerike, veprat e Platonit, gjithë mendimi grek, drita e Evropës, poezia latine, ligji romak, gjithçka, absolutisht gjithçka. Falë kujdesit të murgjve, filli nuk u prish. Manastiret e lashtë shpëtuan njerëzimin. E gjithë kultura dhe dija u strehuan në manastiret, ku njerëz të mençur dhe të thjeshtë, të lirë nga fanatizmi– që është shumë më moderne – ruanin dhe studionin veprat e mëdha thelbësore për njeriun.
Ndërsa e bënin këtë, ata studionin gjuhët e lashta për t’i kuptuar ato, dhe kështu një filozof pagan si Aristoteli arriti të ndikojë në mënyrë vendimtare në filozofinë katolike. Në Mesjetë, murgjit e malit Athos mblodhën dhe ruajtën një numër të pafund veprash dhe pikërisht atyre u detyrohemi njohuritë tona për veprat më të bukura të njerëzimit të lashtë.
Ajri i pastër i Rilindjes italiane fillon të përhapet dhe bibliotekat mbinë kudo. Pastaj u zbuluan statujat e perëndive të lashta, u restauruan tempujt e mrekullueshëm prej mermeri, akademi si ajo që Cosimo dë Medici themeloi në Firence për të studiuar veprat e filozofit Platon, hapën dyert e tyre dhe më në fund Papa i madh Nikolla V dërgon emisarë në katër anët e botës në mënyrë që ata të blinin libra dhe t’i shpërblejnë përkthyesit e tyre.
Botuesi Kristof Planten ishte ai që hodhi hapin vendimtar. Pikërisht nga ajo shtëpi e vogël, me oborrin e saj të vogël me mure të mbuluara me dredhka dhe dritaret me xham, buroi drita e destinuar për të gjithë, në formën e librit. Prej aty u krye një ofensivë e gjerë kundër paditurisë, e cila duhet të vazhdohet sot me forcë, sepse padituria është ende e tmerrshme, dhe ne e dimë se aty ku mbretëron padituria, ngatërrohet lehtësisht e mira me të keqen, e verteta me gënjeshtrën.
Natyrisht, të fuqishmit, që zotëronin dorëshkrime dhe libra në pergamenë, talleshin me librin prej letre si diçka të përbuzur dhe me shije të keqe, pasi ishte i arritshëm nga të gjithë. Librat e tyre ishin zbukuruar shumë me ndriçime të praruara, ndërsa ato të të tjerëve ishin thjesht letra të thjeshta të mbuluara me shkronja. Por nga mesi i shekullit të 15-të dhe falë piktorëve të mrekullueshëm flamandë, vëllezërve Van Ejk, të cilët ishin edhe të parët që pikturuan me vaj, u shfaqën gravurat dhe librat u mbushën me riprodhime, të cilat ndihmuan pafundësisht lëvizjen. Në shekullin e 16-të, gjeniu Albert Durer e përsosi atë dhe librat tashmë mund të riprodhonin piktura, peizazhe, njerëz. Gravura vazhdoi të përsosej gjatë gjithë shekullit të 17-të, duke arritur mrekullitë e vërteta të ilustrimeve në shekullin e 18-të dhe kulmin e bukurisë së librit prej letre.
Shekulli i 18-të arriti majat për sa i përket librave të bukur. U bottuan vepra plot me gravura, me aq kujdes dhe dashuri, saqë edhe sot, ne të shekullit të 20-të, me gjithë përparimin e madh, nuk kemi mundur t’i botojmë.
Libri pushoi së qeni një objekt kulturor i rezervuar për një pakicë dhe u bë një faktor i fuqishëm shoqëror. Efektet nuk vonuan të ndiheshin. Pavarësisht persekutimeve dhe megjithëse, shpesh, pre e turrës së druve, ia behu Revolucioni Francez, vepra e parë sociale e librit.
Në të vërtetë, persekutimet janë të pafuqishme përballë librit. As armët, as paratë, as flakët nuk mund ta shuajnë librin, sepse edhe nëse zhduk një vepër, nuk mund të presësh kokat e panumërta që kanë mësuar diçka prej tij; qofshin këto të pakëta në numër, ju nuk e dini se ku janë.
Librat janë persekutuar nga shtetet dhe nga fetë, por kjo nuk do të thotë asgjë në krahasim me dashurinë që njerëzimi ka për librat. Sepse kur një princ fanatik oriental dogji bibliotekën e Aleksandrisë, Aleksandrit të Maqedonisë i bënë një sënduk të zbukuruar me gurë të çmuar për të ruajtur Iliadën e Homerit. Ndërsa arabët e Kordobës bënë mrekullinë, Mirabin në xhaminë e tyre, për të lënë aty Kuranin që i përkiste kalifit Omar dhe, sidoqofteë, bibliotekat vërshuan në tërë botën, që tani ne i shohim edhe në rrugë dhe në parqet e qyteteve. Çdo ditë, shtëpitë botuese përpiqen të ulin çmimet e tyre dhe sot librin shkon tek të gjithë, nëprmjet librit të madh, të përditshëm, që është shtypi, këtij libri të hapur në dy ose tre fletë që na vjen i mbushur me një aromë kureshtjeje dhe boje të njomë, këtij veshi që dëgjon lajmet e të gjitha kombeve me paanshmëri të plotë. Këto mijëra gazeta janë rrahjet e vërteta të zemrës unanime të botës.
Për herë të parë në historinë e tij të shkurtër, ky fshat ka tashmë një bibliotekë. E rëndësishme është që u vendos guri e parë, sepse pastaj unë do të ndihmoj bashkë me të gjithë ju për ta ndërtuar. Ky është një fakt i rëndësishëm, që më gëzon dhe jam i nderuar që zëri im flet këtu për përurimin, sepse familja ime ka bashkëpunuar jashtëzakonisht shumë me kulturën tuaj. Nëna ime, siç e dini të gjithë, u ka dhënë mësim shumë banorëve të këtij fshati, meqë ajo erdhi këtu si mësuese, dhe mua më kujtohet, kur isha fëmijë, kur e dëgjoja të lexonte me zë të larë për t’u dëgjuar nga shumë njerëz.
Gjyshërit e mi i kanë shërbyer këtij fshati me gjithë shpirt dhe shumë nga meloditë dhe këngët që këndohen janë krijuar nga ndonjë poet i vjetër në familjen time. Për këtë arsye sot ndihem shumë i kënaqur dhe u drejtohem atyre që kanë njëfarë pasurie të kontribuojnë në këtë kauzë, të japin para për të blerë libra, sepse është detyrim dhe detyrë. Ndërsa ju, që nuk i keni këto mundësi, u kërkoj të vini të lexoni, të kultivoni inteligjencën tuaj, sepse është e vetmja rrugë për çlirimin tuaj ekonomik dhe social. Është thelbësore që biblioteka të ushqehet me libra të rinj dhe me lexues të rinj, dhe që mësuesit të përpiqen të mos i mësojnë fëmijët të lexojnë mekanikisht, siç ndodh ende shumë shpesh, por t’u rrënjosin kuptimin e leximit, domethënë, sa vlen një pikë dhe një presje në zhvillimin dhe formën e një ideje të shkruar.
Libra! Sa më shumë libra! Librat duhet të vijnë deri në bibliotekën e vogël të Fuentes. I kam shkruar shtëpisë botuese të Rezidencës Studentore të Madridit, ku kam studiuar për shumë vite, dhe Ulises Editions, për të parë nëse mund të dërgojnë këtu koleksionet e tyre të plota, dhe sigurisht që do të dërgoj librat e shkruara prej meje dhe librat e miqve të mi.
Libra të të gjitha tendencave dhe ideve. Si vepra hyjnore, të ndriçuara nga mistikë dhe shenjtorë, ashtu edhe vepra të zjarrta të revolucionarëve dhe njerëzve të veprimit shpirtëror. Le të përballet Zhan de la Krua, kulmi i poezisë spanjolle, me veprat e Tolstoit. Qyteti i Zotit i Shën Agustinit le ta shikojë drejt e në sy Zarathustrën e Niçes apo Kapitalin e Marksit. Sepse, të dashur miq, të gjitha këto vepra kanë të përbashkët dashurinë për Njerëzimin dhe lartësimin e shpirtit, dhe tek e fundit, të gjitha shkrihen dhe bashkohen në një ideal suprem.
Lexues! Sa më shumë lexues! E di që jo të gjithë kanë të njëjtën zgjuarsi, ashtu siç jo të gjithë kanë të njëjtën fytyrë; se ka zgjuarsi të madhe dhe zgjuarsi të atrofizuar, ashtu siç ka fytyra të shëmtuara dhe të bukura, por secili do të marrë nga libri atë që mundet, që do të jetë gjithmonë fitimprurëse për të, dhe për disa patjetër jetëshpëtuese. Kjo bibliotekë duhet t’i shërbejë një qëllimi shoqëror, sepse nëse kujdesemi për të, nëse shtojmë numrin e lexuesve dhe nëse gradualisht e pasurojmë me vepra të reja, pas pak vitesh do të shohim në fshat, padyshim, një nivel më të lartë kulturor. Dhe nëse brezi juaj që më dëgjon sot, për shkak të mungesës së përgatitjes, nuk arrin të nxjerrë nga librat gjithçka që këta mbartin, atëherë fëmijët tuaj do ta bëjnë këtë.
Ju të gjithë duhet ta dini se ne nuk punojmë për veten tonë, por për ata që vijnë pas dhe se ky është kuptimi moral i të gjitha revolucioneve, dhe në fund të fundit kuptimi i vërtetë i jetës. Baballarët luftojnë për fëmijët dhe nipërit e mbesat, sepse egoizmi do të thotë shterpësi. Në një kohë kur njerëzimi priret drejt zhdukjes së klasave shoqërore, siç ato u krijuan, duhet të tregojë një frymë sakrifice dhe vetëmohimi në të gjitha fushat, për të zhvilluar kulturën, si të vetmen rrugë shpëtimi të popujve.
Jam i sigurt se Fuente Vaqueros, i cili ka qenë gjithmonë një fshat me një imagjinatë krijuese dhe me një shpirt të pastër e të gëzuar, si uji i kroit të tij, do të përfitojë shumë nga kjo bibliotekë dhe se kjo do të përdoret për atë që të gjithë e konceptojnë për dëshirat dhe gëzimet e reja të dijes. Jua shpjegova përpjekjet e njerëzimit për krijimin e librave që mund të lexohen nga të gjithë. Le të shërbejë ky mësim i vogël dhe modest për t’ju bërë t’i doni librat dhe të kërkoni miqësinë e tyre. Ndonëse njerëzit vdesin, librat janë më të gjallë çdo ditë, ndonëse pemët thahen, librat janë gjithmonë të gjelbër, sepse në çdo çast ne i hapim për të marrë prej tyre përgjigje apo për të na dhënë një këshillë.
Dhe dijeni, sigurisht, se përparimet shoqërore dhe revolucionet bëhen me libra dhe se njerëzit që i drejtojnë shpesh vdesin, si Lenini i madh, se kanë studiuar shumë, kanë dashur me forcë të drejojnë me zgjuarsi. Se as armët dhe as gjaku nuk vlejnë nëse idetë nuk janë të orientuara dhe të menduara mirë. Pra, njerëzit duhet të lexojnë në mënyrë që të mësojnë jo vetëm kuptimin e vërtetë të lirisë, por edhe kuptimin e vërtetë të veprimit të ndërsjellë dhe të jetës.
Ju faleminderit të gjithëve. Faleminderit fshatit, faleminderit në veçanti seksionit socialist që ka pasur gjithmonë respekt për mua, dhe faleminderit kryetarit tuaj, Don Rafael Sánchez Roldán, një njeri i mirë, i veçantë dhe besnik i punës, i cili ka ditur të përvetësojë me përpjekjet e tij vetëdijen e qartë të kohës së tij dhe falë të cilit kjo bibliotekë publike është tashmë një realitet.
Ju përshëndes të gjitheve. Përshëndes të gjallët dhe të vdekurit, sepse një vend përbëhet nga të gjallët dhe të vdekurit. Të gjallëve t’u urojmë lumturi dhe të vdekurit t’i kujtojmë me përzemërsi, sepse përfaqësojnë traditën e fshatit dhe sepse jemi të gjithë këtu falë tyre.
I shërbeftë kjo bibliotekë paqes, kureshtjes së mendjes dhe gëzimit në këtë fshat të bukur, vendlindja ime, dhe mos harroni këtë proverb të mrekullueshëm të shkruar nga një kritik francez i shekullit të 19-të: “më thuaj çfarë lexon, të të tregoj se cili je”.
Këto kisha për t’ju thënë.

Përktheu nga frengjishtja: Adriana Koxha

Foto : Statuja e  Federico García Lorca-s në sheshin Sainte-Anne, Madrid.

https://legrandcontinent.eu/fr/2019/01/05/la-moitie-dun-pain-et-un-livre/

DËSHTIM-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DËSHTIM-Janis Ricos

Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.
Shpërdorime, krime, luftë. Ç’të lexosh?
Bie nata e ndryshkur. Drita të verdha.
Dhe ata që dikur kishin besuar te përjetësia u plakën.
Nga dhoma ngjitur vjen tymi i blozës. Kërmijtë
i ngjiten murit. Buburrecat vërtiten
në kutitë katrore prej hekuri të biskotave.
Dëgjohet zëzëllima e zbrazëtisë. Dhe një dorë e madhe, e paformë
i zë gojën e trishtë dhe fisnike Atij
që bëri çmos të thoshte fjalën lule.

Përktheu: Alket Çani

Një orë- Erich Fried

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një orë- Erich Fried

M’u desh një orë
për të korrigjuar
një poezi që kisha shkruar.

Një orë
Që do të thotë: Gjatë kësaj kohe
1400 vocërrakë vdiqën nga uria
sepse çdo 2½ e sekondës
një fëmijë ndër pesë vdes nga uria
në botën tonë.

Gjithashtu për një orë
vazhdoi gara e armatimeve
dhe 62 milionë e tetëqind mijë dollarë
u shpenzuan në këtë një orë
për mbrojtjen e pushteteve të ndryshme
prej njeri-tjetrit
për shpenzimet ushtarake të botës
që deri tani arrijnë në
550 miliardë dollarë në vit.
Edhe vendi ynë
kontribuon për mitet e tij.

Lind pyetja
nëse ka ende kuptim
të shkruash poezi
kështu siç po shkojnë punët.
Ndoshta është e vërtetë
që disa poezi bëjnë fjalë
për shpenzimet ushtarake dhe luftën
dhe për fëmijët e uritur.
Por të tjerat bëjnë fjalë për
dashurinë dhe plakjen
dhe për livadhet dhe pemët dhe malet
si dhe për poezitë dhe pikturat.

Po të mos ishte edhe
për të gjitha këto gjëra të tjera
atëherë me të vërtetë që askuj nuk do t’i bëhej më vonë
për fëmijët apo për paqen.

Përktheu: Arlinda Guma

Duke lexuar letrën e Albert Ajnshtajnit për Zotin/Louis Menand

in Esé/Filozofi by

Ajnshtajni kishte atë çfarë mund të quhet një teologji e qiellit të natës, një ndjesi e mahnitjes prej universit, që edhe ateistët dhe materialistët e ndiejnë kur shohin Rrugën e Qumështit.

 

   Louis Menand


E ashtuquajtura letra për Zotin e Albert Ajnshtajnit doli në dritë për herë të parë në vitin 2008, atëherë kur vlera e saj arriti deri në katërqind e katër mijë dollarë gjatë një shitjeje në një shtëpi britanke ankandesh. Letra u bë lajm kur pronari apo pronarët e saj e nxorrën sërish në ankand, këtë herë te Christie’s në New York, dhe dikush pagoi 2.9 milionë dollarë për të, një shpërblim mjaft i mirë investimi dhe me sa duket një rekord në tregun e letrave të Ajnshtajnit. Më e shitura ishte një kopje e një letre drejtuar Franklin Roosevelt-it në vitin 1939, ku e paralajmëronte se Gjermania mund të zhvillonte një bombë bërthamore. Ajo u shit te Christie’s për 2.1 milionë dollarë, në vitin 2002. Dhe nëse ju keni ndonjë letër tjetër të Ajnshtajnit, kjo mund të jetë një kohë e mirë për ta nxjerrë në ankand.
Megjithëse mban nënshkrimin e tij, në të vërtetë nuk ishte Ajnshtajni ai që e shkroi letrën për bombën. Ajo u shkrua nga fizikanti Leo Szilard, bazuar në një letër që Ajnshtajni i kishte diktuar. Por, nëse çmimi i ankandit është fare relativ ndaj rëndësisë historike, ajo letër duhet të jetë shumë më e vlefshme se letra për Zotin.
Megjithatë, letra për Zotin u tregtua me zgjuarsi. “Letra, jo vetëm që përmban fjalët e një gjeniu të madh, i cili ndoshta po e ndiente fundin që po i afrohej shpejt,” tha Christie’s në faqen e saj të internetit, “Ajo trajton çështjet filozofike dhe fetare me të cilat njerëzimi ka luftuar qysh në zanafillën kohërave: A ka Zot? A kam unë vullnet të lirë?”
Konferenca për shtyp e quajti atë “një nga deklaratat përfundimtare në debatin Feja kundër Shkencës”. Interesi gazetaresk u nxit nga pyetja nëse letra mund të kundërshtojë komentet e tjera që Ajnshtajni ka bërë për Zotin. E gjithë kjo bëri që letra të tingëllonte shumë më e thellë sesa është. Ajnshtajni vërtet kishte pikëpamje për Zotin, por ai ishte fizikant, jo një filozof moral dhe, së bashku me një tendencë për të thënë shprehje gnomike – “Zoti nuk luan zare me universin” është shprehja e tij më e njohur mbi këtë temë – ai duket se ka patur një besim standard për një shkencëtar të brezit të tij. Ai e konsideronte fenë e organizuar si një bestytni, por ai besonte se, me anë të kërkimit shkencor, një person mund të fitonte një pasqyrë racionaliteti të mprehtë të strukturës së botës, dhe ai e quajti këtë përvojë “fe kozmike”. Ishte një zgjedhje mashtruese e fjalëve. “Feja kozmike” nuk ka të bëjë fare me moralin, as me vullnetin e lirë, as me mëkatin dhe shëlbimin. Ajo është thjesht një njohje e mënyrës sesi janë gjërat në fund të fundit, gjë të cilën Ajnshtajni e nënkuptonte si “Zot”. Arsyeja pse Zoti nuk luan me zare në universin e Ajnshtajnit është se ligjet fizike janë të pashmangshme. Dhe pikërisht duke kuptuar se ato janë të paepura, ne përjetojmë këtë ndjesi fetare. Nuk ka entitete të mbinatyrshme për Ajnshtajnin dhe nuk ka asnjë shkak të pashkak. Misteri i vetëm është pse ka diçka kur nuk mund të ketë asgjë.
Në letrën për Zotin, tema nuk është feja kozmike e shkencëtarit. Është feja e organizuar e besimtarit, një temë krejtësisht tjetër.
Ajnshtajni ia shkroi letrën; në vitin 1954, një shkrimtari gjerman emigrant, të quajtur Eric Gutkind, librin e të cilit “Zgjidhni jetën: Thirrja biblike për revoltë” e kishte lexuar me nxitjen e një mikut të tyre të përbashkët dhe që nuk i kishte pëlqyer aq shumë, aq sa u ndje i detyruar ta ndante. mendimin e tij për të me autorin. Një vit më vonë, Ajnshtajni vdiq. Gutkind-i vdiq në vitin 1965; Ishin trashëgimtarët e tij ata që e nxorën letrën në ankand, në vitin 2008.
Letra drejtuar Gutkind-it është dukshëm e shkurtër për metafizikën. Ajo në thelb është një ankesë për judaizmin tradicional. Ajnshtajni thotë se është i lumtur që është hebre, porse nuk sheh asgjë të veçantë në të qenit hebre. Fjala Zot, thotë ai, nuk është “asgjë më shumë se shprehje dhe produkt i dobësisë njerëzore” dhe Bibla hebraike është një koleksion “legjendash të nderuara, por gjithsesi krejtësisht primitive”.
Në disa raportime lajmesh, Ajnshtajni citohet t’i ketë quajtur historitë biblike “megjithatë mjaft fëminore”, por kjo nuk është ajo që thuhet në letrën e tij. Kjo frazë u fut nga një përkthyes me sa duket në kohën e ankandit të parë. Ajnshtajni as nuk e quan judaizmin “mishërimi i bestytnive më fëminore”, gjithashtu një gabim përkthimi. Fjala që ai përdor është “primitive” – ​​domethënë “primitive”, që do të thotë para-shkencore.
Ai thotë se, përpara se njerëzit të zhvillonin shkencën, ata duhej të jepnin llogari për universin në njëfarë mënyre, kështu që shpikën histori të mbinatyrshme. (E tillë është natyra e epokës sonë super-shkencore, megjithatë, nëse kryeni një kërkim për “Zotin fëminor të Ajnshtajnit”, do të duhet të prisni mijëra sulme. Ajnshtajni do të shoqërohet përjetësisht me një karakterizim që ai nuk e bëri kurrë.)
Ajnshtajni kishte atë që mund të quhet teologji e qiellit të natës, një ndjesi mahnitjeje prej universit, që edhe ateistët dhe materialistët e ndiejnë kur shohin Rrugën e Qumështit. A është kjo tepër e mrekullueshme që mendjet njerëzore ta njohin?
Një shkencëtar i një brezi para Ajnshtajnit, William James, mendoi se ndoshta ne nuk mundemi – ndoshta truri ynë është shumë i vogël. Mund të ketë vërtet diçka të ngjashme me Zotin atje; thjesht ne nuk mund ta perceptojmë me radarin që kemi. Në metaforën e bukur të James-it, “Ne mund të jemi në univers ashtu siç janë qentë dhe macet në bibliotekat tona, duke parë librat dhe duke dëgjuar biseda, por duke mos e kuptuar domethënien e gjithë kësaj”.
Gjëja më e mirë në letrën e Ajnshtajnit drejtuar Gutkind-it nuk është hedhja poshtë e teologjisë tradicionale. Është paragrafi mbyllës, ku Ajnshtajni i lë mënjanë të gjitha këto. “Tani që i kam shprehur plotësisht hapur dallimet tona në bindjet intelektuale,” shkruan ai, “është ende e qartë për mua se ne jemi shumë afër njëri-tjetrit në gjërat thelbësore, domethënë në vlerësimet tona për sjelljen njerëzore”. Ai mendon se nëse ai dhe Gutkind-i do të takoheshin dhe të flisnin për “gjëra konkrete”, ata do të shkonin mirë. Ai thotë se nuk ka rëndësi se cilat janë angazhimet tona fetare apo filozofike. E vetmja gjë që ka rëndësi është mënyra sesi ne e trajtojmë njëri-tjetrin. Nuk mendoj se duhej një gjeni për ta kuptuar këtë, por është diçka e mirë që ai e tha.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The New Yorker

I lidhur prej egos-DH Lawrence

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

I lidhur prej egos-DH Lawrence

Nëse një bimë lidhet me vazon
njeriu lidhet me egon
i mbyllur në vetëdijen e tij të kufizuar mendore.

Kështu ai nuk mund të ndiejë,
ose të dashurojë, të gëzohet apo edhe të hidhërohet më,
ai është i lidhur me egon,
i lidhur me vazon
në vazon e mendjemadhësisë së tij,
dhe ai vetëm sa mund të vdesë ngadalë.

Në të kundërt, nëse ai është një bimë e fortë.
Atëherë ai mund ta krisë vazon,
guaskën e egos së tij,
dhe të fitojë sërish rrënjët e tij në tokë,
në tokën e gjallë.

Përktheu: Arlinda Guma

OMBRELLA E RRUGËS PICCADILLY-Jaroslav Seifert

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

OMBRELLA E RRUGËS PICCADILLY-Jaroslav Seifert

Nëse të ka ardhur në majë të hundës me dashurinë,
provo të biesh prapë në dashuri
me, le të themi, Mbretëreshën e Anglisë.
Pse jo!
Fytyra e saj është në çdo pullë postare
të mbretërisë së vjetër.
Por nëse do t’i kërkosh
një takim në Hyde Park
mund të vësh bast
se do presësh më kot.

Nëse ke pak arsye
do thuash urtësisht me vete:
Sigurisht, e di,
që sot bie shi në Hyde Park.

Kur u kthye nga Anglia
im bir më bleu në rrugën Piccadilly
një ombrellë elegante.
Sa herë që është e nevojshme
kam mbi krye
një qiell të vockël krejt për vete
që, sigurisht, është krejt i zi,
por në telat e tendosur
mund të qarkullojë edhe Mëshira e Zotit
edhe elektriciteti.

Nganjëherë e hap ombrellën edhe kur s’bie shi,
si një strehë
mbi Sonetet e Shekspirit
që i mbaj në xhep.

Por ka çaste kur më tremb
buqeta e ndriçuar e qiellit.
Epërsia e bukurisë së tij
na kanos me pafundësinë
që i ngjan aq shumë
gjumit të vdekjes.
Na kanos me zbrazëtinë dhe ngricën
e mijëra yjeve
që natën na mashtrojnë
me lojën e tyre të dritave.

Ai që kanë quajtur Venus
është nga gjërat më të lemerishme.
Shkëmbinjtë atje vlojnë
dhe si valë vigane
ngrihen malet
e shinon squfur i përvëluar.

Ne pyesim gjithmonë ku ndodhet ferri.
Është pikërisht atje!

Po ç’mund të bëjë një ombrellë e brishtë
kundër krejt Universit?

Zaten, as nuk e mbaj fare.
I kam duart shumë të zëna
kur më duhet të eci,
i lidhur pas tokës
si një flutur nate
që gjatë ditës fle
mbi lëvoren e ashpër të një peme.

Gjithë jetën e kam kërkuar Parajsën
që dikur ishte këtu,
por gjurmët e saj i kam gjetur
vetëm në buzët e gruas
dhe në kurbat e lëkurës së saj
të njomësht nga dashuria.

Gjithë jetën dëshirova lirinë.
Më në fund zbulova portën
që të shpie tek ajo.
Është vdekja!

Tashmë që jam plakur
më shfaqet ndonjëherë mes qerpikëve
një fytyrë e ëmbël gruaje
që ma trazon gjakun me buzëqeshje.

I ndrojtur kthej kryet
dhe kujtohem për Mbretëreshën e Anglisë,
që fytyrën e ka në çdo pullë postare
të mbretërisë së vjetër.
Zoti e ruajt Mbretëreshën!

Por, sigurisht, e di shumë mirë,
që sot bie shi në Hyde Park.

Përktheu: Alket Çani

Harta-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Harta-Wislawa Szymborska

E sheshtë si tavolina
ajo është vendosur mbi të.
Asgjë nuk lëviz poshtë saj
dhe nuk kërkon rrugëdalje.
Mbi të — fryma ime njerëzore
nuk fërgëllon ajër
dhe e lë sipërfaqen e saj të gjithën të patrazuar.

Fushat e saj, luginat, janë gjithmonë të gjelbra,
kreshtat, malet janë të verdhë dhe kafe, ndërsa detet, oqeanet, mbesin në një blu miqësore pranë brigjeve të copëtuara.

Gjithçka këtu është e vogël, e afërt, e arritshme.
Unë mund t’i shtyp vullkanet me majën e gishtit,
t’i godas polet pa vënë dorashka të trasha, Mundem me një shikim të vetëm
të përfshij çdo shkretëtirë
bashkë me lumin që shtrihet pranë tyre.

Disa pemë përaqiten si pyje të lashtë,
ti nuk mund ta humbësh rrugën midis tyre.

Në lindje dhe në perëndim,
mbi dhe nën ekuator –
një heshtje varri,
dhe në çdo pikë të zezë
njerëzit vazhdojnë të jetojnë.
Varret masive dhe rrënojat e vrullshme
janë jashtë tablosë.
Kufijtë e kombeve mezi duken
sikur të luhateshin – sikur të jenë apo të mos jenë.

Më pëlqejnë hartat, sepse ato gënjejnë. Sepse ato nuk i japin akses të vërtetës vicioze.
Sepse me guxim, sepse me dashamirësi
ato shpërhapin përpara meje një botë
jo të kësaj bote.

Përktheu: Arlinda Guma

IDEOGRAMA KINEZE-Ezra Pound

in Uncategorized by

Ezra Pound

Nga libri “ABC of Reading”. Parathënie për esenë “The Chinese Written Character as a Medium for Poetry” nga Prof. Ernest Fenollosa, e botuar postume nga Ezra Pound.)

Eseja e Fenollosa-s ishte ndoshta tepër e përparuar në kohë për t’u kuptuar lehtësisht. Ai nuk pretendonte që metoda e vet të ishte me të vërtetë një metodë. Ai përpiqej të shpjegonte ideografinë kineze si një mjet transmisioni dhe regjistrimi të mendimit. Mbërriti deri në rrënjë të çështjes, në rrënjë të ndryshimit midis asaj çka është e vlefshme në mendimin kinez dhe asaj çka nuk është e vlefshme apo asaj çka është e gabuar në një pjesë të madhe të mendimit europian dhe gjuhës europiane.

Përmbledhja më e thjeshtë që mund të bëj lidhur me këtë, është si vijon:

Në Europë, nëse i kërkon dikujt të përkufizojë diçka, përkufizimi i tij u largohet gjithmonë gjërave të thjeshta që ai i njeh shumë mirë, zhytet pastaj në një zonë të panjohur, një zonë abstraksioni që largohet gjithnjë e më shumë.

Kështu, nëse e pyet se ç’është e kuqja, ai të përgjigjet se është një “ngjyrë”.

Nëse e pyet se ç’është një ngjyrë, ai të përgjigjet se është një dridhje, ose një përthyerje drite, ose një përndarje e spektrit.

Dhe nëse e pyet se ç’është dridhja, ai të përgjigjet se është një lloj energjie, ose diçka e këtillë, gjersa të mbërrish te një modalitet i të qenit ose të mos qenit. Sidoqoftë, ti humbet fillin, ose është ai që humbet fillin.

Në Mesjetë, kur nuk kishte shkencë materiale, ashtu siç e kuptojmë ne tani, kur dituria njerëzore nuk mund të prodhonte automobilë, apo elektricitet për të përcjellë gjuhën përmes ajrit, etj., shkurt, kur studimi i terminologjisë nënkuptonte ca më tepër se kërkimi i gjilpërës në kashtë, i kushtohej një kujdes i madh terminologjisë. Dhe, përgjithësisht, saktësia në përdorimin e termave abstraktë duhet të ketë qenë (ka gjasë të ketë qenë) më e madhe.

Dua të them se një teolog mesjetar bënte shumë kujdes të mos e përkufizonte një qen në terma që do përdoreshin edhe për përkufizimin e një dhëmbi qeni apo për lëkurën e qenit, apo për llapashitjen e qenit kur pi ujë; gjithë mësuesit tuaj do t’ju thonë se shkenca bëri një hap të madh përpara ditën kur Bacon-i sugjeroi vëzhgimin e drejtpërdrejtë të fenomeneve dhe ditën kur Galileu dhe të tjerë reshtën së diskutuari së tepërmi për gjërat dhe zunë vërtet t’i vështrojnë ato e të shpikin mjete (si teleskopi) për t’i parë më mirë.

Pinjolli më i dobishëm i anëtarëve të gjallë të familjes Huxley ka theksuar faktin se teleskopi nuk ishte vetëm një zbulim, por një arritje teknike absolute.

Në të kundërt të metodës së abstraksionit, apo të përkufizimit të gjërave në terma gjithnjë e më të përgjithshëm, Fenollosa theksoi metodën shkencore, “që është metoda e poezisë”, si metodë e veçuar qartazi nga ajo e “diskursit filozofik”. Është mënyra e zgjedhur nga kinezët në ideografinë e tyre, ose shkrimin pikturor të përmbledhur.

Që të kthehemi tani në zanafillë të historisë, ju sigurisht e dini se ka një gjuhë të folur e një gjuhë të shkruar, dhe se ka dy lloj gjuhe të shkruar, njëra e bazuar te tingulli dhe tjetra te pamja.

Një kafshe s’mund t’i flisni ndryshe përveçse me disa zhurma e disa gjeste të thjeshta. Në parashtresën që Levi-Bruhl u bën gjuhëve primitive të Afrikës, përmend gjuhë të tilla që kufizohen ende te mimika dhe gjesti.

Egjiptianët përdornin vizatime për të përfaqësuar tingujt, por kinezët ende përdorin vizatime të përmbledhura SI vizatime, domethënë se ideograma kineze nuk përpiqet të jetë vizatimi i një tingulli, as një shenjë e shkruar që të kujton një tingull, por është vizatimi i një gjëje; i një gjëje në një pozicion apo marrëdhënie të caktuar, apo i një kombinimi gjërash. Ajo nënkupton sendin, ose aksionin, ose situatën, ose një cilësi që lidhet me ato gjëra që paraqet.

Gaudier Brzeska, që kishte zakonin të vështronte formën reale të gjërave, ishte i aftë të lexonte një numër të caktuar të shkronjave kineze, pa e studiuar kurrë gjuhën kineze. Ai thoshte: “Sigurisht, duket qartë që ky është një kalë”, (ose një pupël, ose gjithfarë gjëje tjetër).

Në tabela që paraqesin shkronjat primitive kineze në një kolonë dhe shenjat e sotme konvencionale në tjetrën, gjithkush mund të shohë se si ideograma që tregon njeriun apo pemën apo lindjen e diellit është përpunuar, apo “është thjeshtuar duke u nisur nga”, apo është reduktuar te thelbi i vizatimeve të para të njeriut, të pemës, apo të lindjes së diellit.

Kështu:

人 njeri
太 pemë
阳 diell
東 diell i kapur mes degëve të një peme, si në lindjen e tij. Çka shenjon Orientin.

Po kur kinezi donte të vizatonte diçka më të ndërlikuar, ose një ide të përgjithshme, në ç’mënyrë e bënte?

Ta zëmë se do të përkufizojë të kuqen. Si mund ta bëjë këtë me një vizatim që nuk është bojatisur me të kuqe?

Ai bashkon (ose, më mirë, paraardhësi i tij ka bashkuar) vizatimet e përmbledhura të:

TRËNDAFILIT QERSHISË

NDRYSHKUT FLAMINGOS

Kjo është njëlloj siç bën biologu (por në një mënyrë shumë më të ndërlikuar) kur bashkon disa qindra apo disa mijëra diseksione për të veçuar vetëm atë që është i domosdoshëm për parashtresën e tij të përgjithshme. Diçka që i përshtatet rastit, që zbatohet në të gjitha rastet.

“Fjala” ose ideograma kineze për të kuqen është e bazuar mbi diçka që gjithkush E NJEH.

(Nëse ideograma do qe zhvilluar në Angli, shkrimtarët me siguri do kishin zëvendësuar flamingon tejet ekzotike me një gushëkuq.)

Fenollosa shpjegonte se si dhe përse një gjuhë e shkruar në këtë mënyrë s’ka rrugë tjetër veçse TË MBETET POETIKE; thjesht, ajo nuk mund të mos jetë dhe as të mos mbetet poetike në po atë mënyrë që një faqe me shkronja angleze ka fort të ngjarë të mos mbetet poetike.

Ai vdiq përpara se të botonte dhe shpallte një “metodë”.

Kjo është, megjithatë, e VETMJA METODË e studimit të poezisë, letërsisë, apo pikturës. Kjo është, në fakt, mënyra me të cilën elita e publikut STUDION pikturën. Nëse doni ta njihni sa më mirë pikturën, shkoni në Galerinë Kombëtare, apo në Sallonin Carré, apo në Brera, apo në Prado, dhe SHIKONI pikturat.

Për një njeri që lexon një libër arti, ka – lavdi Zotit! – 1000 njerëz që shkojnë të SHOHIN tablotë.

Përktheu: Alket Çani

KAQ SHUMË GJËRA-Guy Goffette

in Letërsi/Tharm by

KAQ SHUMË GJËRA-Guy Goffette

(18 prill 1947 – 28 mars 2024)

Gjithë dimrit ke lënë mes barit e baltës
të vuajë të bukurën çadër të kuqe
dhe t’i ndryshken telat, ke lënë murrlanin
të rrahë shtëpinë e zogjve

pa i liruar dhëmbët, ke lënë shkretë
ngastrat me trëndafila dhe mollën
që e bën tokën të rrumbullt. Nga skamja
a nga shkujdesja ke lënë

kaq shumë gjëra të vdesin rreth teje
saqë për të çlodhur sytë të ka mbetur
vetëm një rrymë ajri në shtëpinë tënde
– dhe habitesh akoma, habitesh

që ftohma të mbërthen mu në zemër të verës.

Përktheu: Alket Çani

“Gratë flasin”/Meli Ajazi

in Letërsi by

Meli Ajazi

“Women Talking”- “Gratë flasin”, është romani i shkrimtares kanadeze Miriam Toews, i adoptuar në filmin me të njëjtin titull në vitin 2022.

Toews e përshkruan romanin e saj si “një përgjigje të imagjinuar ndaj ngjarjeve reale”,, përdhunimeve që ndodhën në koloninë Manitoba, komunitete Mennonite (komunitet gjermanësh emigrantë të cilët akoma kanë stilin e jetës së shek 16-17) , të vendosura në zonat e largëta dhe të izoluara të Bolivisë.

Përgjatë viteve 2005 – 2009, mbi 100 gra dhe vajza të kolonisë, kur zgjoheshin nga gjumi në mëngjes, zbulonin se ishin përdhunuar në gjumë. Këto sulme të natës u mohuan dhe u hodhën poshtë nga burrat e vjetër të kolonive, duke u justifikuar me punët e djallit. Po njëra nga gratë vendosi ta zbulonte këtë mister. Ajo e detyroi veten të qëndronte zgjuar natë pas nate, dhe më në fund, një natë arriti të kapte një adoleshent, i cili me një dorë po hapte dritaren e dhomës së saj, ndërsa në tjetrën kishte një enë me spray belladonna (anestezik). Gruaja dhe vajza e saj e madhe, u përleshën me djaloshin, e mposhtën, e shtrinë në tokë dhe e lidhën me litar. Djali tregoi edhe të tjerët dhe kështu komuniteti zbuloi se një grup burrash, 8 anëtarë të kolonisë, pasi spërkatnin me anestezi kafshësh shtëpitë e viktimave gra, duke i bërë ato të pandjenjeshme, sikur të ishin nën narkozë, i përdhunonin. Kuptohet që gratë dhe vajzat mbeteshin shtatëzënë, sëmureshin nga sëmundje veneriane dhe kishin trauma fizike.

Në vitin 2011, këta 8 burra u dënuan nga një gjykatë boliviane, me burgim të gjatë.

Romani i Toews-it përqendrohet në mbledhjet sekrete të 8 grave menonite, të cilat, në emër të grave të tjera të kolonisë, duhet të vendosin sesi të reagojnë ndaj këtyre ngjarjeve traumatike.
Ato kanë vetëm 48 orë, para se të kthehen burrat e kolonisë, të cilët janë larguar për të paguar garancinë për përdhunuesit në polici ….

Pjesë nga romani.

“… Salome vazhdon të bërtasë, se ajo do të shkatërrojë çdo gjallesë që do t’i bëjë keq fëmijës së saj, se do ta shqyejë gjymtyrë pas gjymtyre, se do t’ia përdhosë trupin dhe do ta varrosë të gjallë. Do ta sfidojë Zotin që ta lërë të vdekur në vend nëse ajo ka mëkatuar duke mbrojtur fëmijën e saj prej dreqit. Për më shumë, prej asgjesimit të dreqit nuk do dëmtohen të tjerë. Ajo do gënjejë, do persekutojë, do vrasë, do kërcejë mbi varre dhe do të digjet përgjithmonë në ferr, përpara se të lejojë një burrë tjetër që të kënaqë dëshirat e tij të perverse me trupin e fëmijës së saj 3-vjeçar.

– Jo – thotë butësisht Agata, pa kërcime, pa përdhosje….

Salomeja i anashkalon fare të gjitha pyetjet.
– ‘Po të qëndroj do të bëhem vrasëse,- i thotë ajo nënës së saj.
E kuptoj se çfarë do të thotë, nëse ajo vazhdon qëndron në koloni dhe është këtu kur burrat e kapur, nëse ata lirohen me kusht, kthehen në shtëpi nga qyteti.

– Çfarë ka më keq se kaq?’ Marika pyet Agatën. Agata pohon me kokë. Vazhdon të tundë kokën, shtrëngon buzët, hap e mbyll sytë dhe tund kokën, me pëllëmbët e vendosura me kurriz mbi tavolinë dhe gishtat drejt vertikalisht, drejt trarëve të hambarit, drejt Zotit, drejt kuptimit. Gratë e tjera nuk flasin. E pazakontë.

Unë e kam parë “Krijimin e Adamit”, të Mikelanxhelos në një libër me piktura të famshme të lëna në Co-op nga një turist zviceran. Babai im e kaloi fshehurazi librin dorë më dorë nëpër koloni, po Plaku Peter e zbuloi librin dhe e dogji. Thashethemet thonë se e grisi çdo faqe dhe i hodhi në zjarr një nga një, për të pasur mundësi t’u hedhte nga një sy të gjitha pikturave. Një njeri i zënë e me qëllime më të qarta do ta kishte hedhur menjëherë në zjarr.
Gratë ende heshtin frikshëm.

E përmenda librin e pikturave të famshme vetëm për shkak të gishtave të Agata-s që i drejtohen Zotit. Nënjë farë mënyre më kujtoi “Krijimin e Adamit”, po edhe për shkak se ishte mendimi im i parë. Ashtu i heshtur në plevicë edhe unë dua të dukem punëtor, e puna ime këtu është të shkruaj, të mbaj poçesverbalin e mbledhjes, dhe kjo është diçka për t’u shkruar.

Gratë heshtin duke menduar për atë që është e duhur, e drejtë, e kënaqshme, e pastër, etj, etj. Ose ndoshta për gjëra të tjera. Nuk e di se çfarë po mendojnë, ndoshta për zjarrvënie.

Duke menduar për “Krijimin e Adamit”, më kujtohet edhe një tjetër fakt për gishtat e njeriut.

Gishtat e njeriut mund të ndiejnë objekte të vogla deri në 13 nanometra, që do të thotë se nëse gishti juaj do të ishte sa madhësia e tokës, mund të ndjeni ndryshimin mes një hambari dhe një kali. Dua ta kujtoj t’ia përmend këtë Onës.

Dua të përmend “Krijimin e Evës” të Mikelanxhelos, paneli i pestë i veprës së Kapelës Sistine, e cila nuk është aq e njohur apo popullore sa piktura “Krijimi i Adamit”.

Tek “Krijimi e Evës”, Adami është i shtrirë, në gjumë, mbështetur në një trung, kurse Eva qëndron e zhveshur duke iu lutur Zotit për diçka. Për ç’farë? Në këtë pikturë Zoti, nuk është mbi re, dhe as duke zgjatur rastësisht gishtin e tij, po ka zbritur në tokë. Këtë herë Zoti duket i gjallë po i ashpër. Të ketë ardhur në Tokë vetë për t’i folur Evës, apo ka ardhur se ajo e ka kërkuar? Pse vallë i ka lënë retë dhe kerubinët? Në pikturë ajo po i lutet Zotit, po i përgjërohet, ndoshta duke arsyetuar sikur ajo e kishte në fuqinë e tij e të rivendoste krishterimin në madhështinë e tij origjinale. Duket sikur ajo po punon pas shpinës së Adamit, i cili po fle, si për të na treguar se ajo e di që ai nuk e miraton atë që ajo dëshiron. Po çfarë nuk aprovon ai? Takimin e saj privatisht me Zotin? Apo çfarë ajo do ti thotë?”…

Piktura “Krijimi i Evës” – nga Mikelanxhelo

1 21 22 23 24 25 183
Go to Top