Author

Admin - page 164

Admin has 1812 articles published.

Copëz-ZAN PERRION

in Letërsi/Tharm by

ZAN PERRION

“Të gjithë burrave u tërheq vëmendjen një femër e zjarrtë që hyn në një sallë. Por, kur në sallë hyn një femër e bukur, u tërheq vëmendjen të gjitha grave (dhe pak burrave). Gratë, në mënyrë të fshehtë, admirojnë femrat e bukura. Nuk ka admirues më të mëdhenj se gratë ndaj femrave të bukura. Gratë vishen, zbukurohen apo përdorin rroba të shtrenjta, vetëm për gratë e tjera… dhe rrallë herë për burrat. Burrat nuk kanë fare interes për dizenjon e këpucëve, për veshjen apo çantën e grave. As që i vënë re. Mjafton që ajo të vezullojë. Fustani dhe këpucët ndërrohen.
Femrat e zjarrta janë të kapshme, ndërsa të bukurat shumë rrallë. Pse ndodh kështu? Sepse femrat e zjarrta kuptohen lehtë prej burrave; janë si një entitet i njohur. Burrat dinë ç’të bëjnë me to, ose më saktë, çfarë do t’u pëlqente të bënin me to. Femrat e zjarrta kanë një anë ballore dhe një anë të pasme. Tek ato nuk ka kurrfarë misteri. Ndërsa gratë e bukura janë komplekse, të thella, kanë një hir plot ngjyra, që i turbullojnë shumicën e burrave dhe, për pasojë, ata nuk dinë ç’të bëjnë me ato. Kësisoj, gratë e bukura janë ëmbëlsisht të largëta apo të pakapshme.

Përktheu: Bajram Karabolli

Testament-Arjola Zadrima

in Letërsi/Tharm by

Testament-Arjola Zadrima

Ti vetëm lexo atë që s’them.

 Kur t’i kem dhanë za,

damarët jane ça

e ka rrjedh mungesa jote.

 Nuk i kam dy jetë

ku mundet me hy krejt dielli i ksaj bote.

Nëpër plasaritjet e kohës

 rrezatojnë veç dromca dashnie t’përjetshme!

Shkeputur nga vellimi me poezi: “Carpe Diem”, 2018

Vdekja do të vijë dhe sytë e tu do të ketë-Cesare Pavese

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Vdekja do të vijë dhe sytë e tu do të ketë-Cesare Pavese

Vdekja do të vijë dhe sytë e tu do të ketë –

kjo vdekje që na shoqëron

nga agsholi gjer në muzg, e pagjumë,

e shurdhët, si një brengë e vjetër

a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu

do jenë fjalë të zbrazëta,

një piskamë memece, një heshtje varri.

Kështu i sheh me zbardhjen e ditës

kur, e vetme, qëndron

përpara pasqyrës. O shpresë e shtrenjtë,

atë ditë do ta mësojmë dhe ne

se je ti jeta, se je ti hiçi.

 

Vdekja i ka një palë sy për këdo.

Vdekja do të vijë dhe sytë e tu do të ketë.

Do të jetë si një skapullim prej vesit,

si të kundrosh në pasqyrë

fanitjen e një fytyre meiti,

si të dëgjosh buzë të kyçura.

Në shembëtirë do të rrëshqasim të pagjuhë.

Përktheu: Redi Sheqeri

 

Kur heroi vdes…“nga gripi”/Ervin Nezha

in Letërsi by

Ervin Nezha

Një vështrim i shpejtë mbi romanin “Etër e bij” të Ivan Turgenievit.

Letërsia Ruse e shekullit të 19-të dhe e fillimshekullit të 20-të, përveç veprave, autorëve e rrymave politiko-filozofike, solli edhe një galeri të jashtëzakonshme personazhesh.

Përmes kontradiktave të mëdha u sollën në letërsi thellësi të panjohura deri atëherë të shpirtit të njeriut, si dhe tablo të mjerimit dhe degjenerimit shoqëror, dyjëzimit të shpirtit, anët e sëmura patologjike, të cilat qenë një zë i fuqishëm i denoncimit të realitetit. Kuptohet, kjo erdhi në një periudhë kur shoqëria tradicionale ruse qe në një moment delikat, pra kur ajo po shkonte nga nje shoqëri feudale në një rend të ri shoqëror modernist.

Gjerësia e problematikave psikologjike dhe morale ndërtoi karaktere të jashtëzakonshëm, të tilla si Raskolnikovi, Ivan Karamazovi i Dostojevskit, Pjer Bezuhovi, Ana Karenina të Tolstoit apo Çicikovi dhe Akakieviçi të Gogolit, e shumë e shumë të tjerë. Mirëpo njëri nga ato personazhe që me plot gojën mund të quhet si i nje lloji tjeter, padyshim mbetet Eugen Bazarovi i Turgenievit. Personazhi i Bazarovit, por edhe antagonizmi i thellë mes brezave, nuk përfaqësonte vetëm një fenomen të izoluar, por një krizë të thellë që përshkon gjithë Rusinë e shekullit  të XIX-të. Krizë e cila kërkonte të ngrinte rendin e ri mbi atë të vjetër, bijtë mbi etërit, nihilizmin mbi idealizmin.

Ky i ri rus,”nihilist”, prototipi i një përzierje të stisur ulitarizmi anglez, romantizmi gjerman dhe realizmi francez (nuk beson askund përveçse te shkenca) është realiteti, është personifikimi i një gjenerate të tërë të rinjsh rusë, që braktisën besimin për t’u shndërruar në qenie hiçgjë.

Veprimet e tij janë banale, ose e thënë ndryshe; banaliteti i veprimeve të tij bëhet ekspresiv. Ato kufizohen me veten, pasi kuptimi i veprimit gjendet tek vetë veprimi, për pasojë ai mbetet një kuptim i ngathët gati jonjerëzor (si te kafshët).

Këtë gjendje të personazhit të tij, Turgenievi e ndërton duke i falur këtij të fundit një përbuzje kronike ndaj bashkëkohësve të tij. Bazarovi e di se pa pranuar një krijues, ekzistenca e gjërave është e pashpjegueshme (absurde), mirëpo ai priret të pranojë të pashpjegueshmen (zhytet në botën e shkencës të gjejë përgjigje) dhe me këtë ai shpall ateizmin e tij. Ai kështu pranon botën e vetë, sepse ndër të tjera legjitimon faktin e përçmimit të tjetrit. Kjo ndodh sepse ata, edhe pse besojnë një krijues e bëjnë këtë në mënyrë të pandershme. Ata përfshihen nga inercia dhe mbështeten në funskionin aksidental që i kanë taksur vetes, a thua se janë sende! Në të vërtetë janë sende, sepse qeniet nisen nga funksionet për të përcaktuar kuptimet dhe jo anasjelltas. Në fakt, Bavarovi nuk qe një personazh i krijuar nga hiçi, shenja të krijimit të tij të pashmangshëm qenë personazhe të tillë si Onjegini i Pushkinit, Olenini i Tolstoit (novela “Kozakët”) apo Stavrogini i Dostojevskit, ku të rinjtë e demoralizuar nga jeta mondane, braktisin gjithçka në përpjekje për t’i shpëtuar nje realiteti demoralizues.

Bazarovi është shembulli tipik i heroit kundër turmës, është frymëzuesi i një epoke letrare që do dihaste në shek e XX-të dhe të bindur mund të themi se pa Bazarovin e Turgenievit nuk do të kishim Rokatenin e Sartrit apo Mersoin e Kamysë .

Vete Bazarovi është një “i huaj “, një “i përjashtuar ” dhe spostimi që i bën vetes nga shoqëria është mënyra e vetme me të cilën mund të funksionojë; gjithë bota e tij janë ato bretkosa me të cilat eksperimenton në përpjekje për të njohur jetën, apo kufoma e molepsur e muzhikut.

Turgenievi e di se një “hero” i tillë, që gjendet rëndom në Rusinë ndërmjet dy shekujve, nuk meriton një vdekje më të mirë. Ai duhet të vdesë në menyrën më banale të mundshme (i gërvishtur nga bisturia në njërin gisht), sepse i tillë është edhe gjithe karakteri i jetes që ai ndërton.

Pse refuzohet Trebeshina?-Behar Gjoka

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Behar Gjoka

Në mjediset letrare dhe joletrare, në mënyrë të veçantë të Shqipërisë, dje dhe sot, mjafton që të përmendësh emrin e Kasëm Trebeshinës, për t’u përballur rrufeshëm me reagime të skajshme, mohuese dhe denigruese. Megjithëse e shoqëruar me një drojë të habitshme, kur ia përmend emrin ndokush, e përgëzojnë për guximin e treguar. Sa ironike, që vetëm sa të përmendësh emrin e një shkrimtari, i cili ka shkruar në gjuhën shqipe, u dashka trimëri dhe kurajë! Më tepër se sa ironike, është qëndrim absurd ndaj letërsisë. Mbizotërues në të gjithë parametrat, në mjediset e dijes dhe të padijes, është refuzimi ndaj autorit dhe veprës letrare. Për shumë kohë, në librari të ndryshme, madje edhe tani, librat e Trebeshinës nuk pranohen, për më tepër, fshihen nën banak, si të ishin të ndaluara ose që bartin rrezik.

E nisa praninë e logjikës së refuzimit jo rastësisht nga libraria, që dëshmon neutralitetin, sepse librat e Trebeshinës, apo të çdo shkrimtari tjetër, kanë një vlerë monetare të shënuar mbi kopertinë dhe e sjellin aty, kryesisht për ta tregtuar. Fara e hidhur e mallkimit, refuzimi total ndaj veprës letrare të Trebeshinës, ka prekur fundin, aq sa refuzohet të tregtohet në librari. Refuzimi i tij, si autor dhe vepër, edhe në këtë 90- vjetor të lindjes së autorit, i cili më tepër i përkon legjendës, jo pa shqetësim konstatojmë se ka dy pamje: A – Refuzim total, aq sa të mos i përmendej dhe emri, si dhe heqja e së drejtës së botimit, burgosja dhe internimi, në vitet e diktaturës. Refuzimi shkatërrues i djeshëm çoi në situatën që shkrimtari dhe vepra letrare, me të tria gjinitë dhe kaq shumë lloje e nënlloje shkrimore, nuk u bë pjesë e klimës letrare të kohës shkrimore. Prej rrethanës së ndalimit të emrit dhe veprës letrare, duam apo nuk duam, është nga të paktit që përmbush kriteret e kundërshtarit të sistemit, prej nga buron edhe përmbushja e tiparit të shkrimtarit disident, gjë që në fakt, nuk është se ndikoi për të ndryshuar statusin e marrëdhënies së autorit, të veprës së gjerë letrare, me lexuesin dhe studimet letrare. Aq më tepër që vetë shkrimtari e braktisi edhe këtë atribut, pra të qenit nga të paktit, në mos të vetmit shkrimtar disident të letërsisë shqipe. B – Pranim formal dhe refuzim real në vitet e demokracisë. Pavarësisht botimit të një numri veprash, në prozë, poezi, dramatikë dhe eseistikë, përsëri vepra letrare e Trebeshinës ekziston në dy forma: – E botuar, pjesa më e madhe në Kosovë, disa tekste në Shqipëri, e ndonjë tekst edhe në Francë, Gjermani, Itali apo diku tjetër, që megjithatë, vetëm sa tenton të përfshijë një pjesë të krijimtarisë letrare të autorit, në të tria gjinitë letrare. – Në dorëshkrim vijon të mbetet sërish rreth 50 % e veprës letrare të shkrimtarit, që nuk është se i humbet vlera, por përsëri mungesa e komunikimit me lexuesin është një pengesë serioze, për autorin e sidomos për letërsinë shqipe. Pjesa e botuar, diku është lexuar dhe vlerësuar, më së shumti është anatemuar pa u lexuar, e përsëri edhe ajo është e paintegruar në panteonin e letrave shqipe.

Në mes çudive, që vërtet të lënë pa mend në kokë, është qëndrimi ndaj veprës dramatike të autorit, që tashmë ka kapërcyer numrin tetëdhjetë të teksteve të këtij lloji, ndaj së cilës teatri shqip, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, ka mbajtur qëndrim indiferent dhe refuzues. Dramatika e autorit, përveç librave në prozë dhe poezi, shënon një përmasë të pazakontë dhe rrok në spektrin e vetë tragjedinë dhe komedinë, dramën dhe teatrin absurd, duke pasuruar dhe formësuar kështu dramaturgjinë shqipe, gjithëkohore e sidomos atë të bashkëkohësisë. Refuzimi i Trebeshinës, si autor dhe vepër letrare, është i plotë dhe thelbësor në të dyja kohët, pavarësisht faktit se në këtë kohë, për disa tekste është bërë i mundur botimi i veprës letrare. Refuzimi, skajor dhe paradoksal, si jetëshkrim dhe krijim letrar, në mes të tjerash, ngjet për këto shkaqe: Së pari: Për shkaqe politike, pra mirëfilli jashtëletrare, prej sistemit monist të para viteve ’90, ndërsa pas viteve ’90, prej mendësisë përjashtuese, që mjerisht e bart në gjirin e vet demokracia allashqiptarçe. Së dyti: Për shkak të vijimit të leximit dhe analizës së krijimtarisë së Trebeshinës dhe të autorëve të tjerë, me anë të principeve biografike dhe antibiografike, të leximit historik dhe antihistorik të ndonjë teksti letrar. Së treti: Për shkaqe të mirëfillta letrare, të cilat megjithatë, kanë shpërfaqur dy pamje: – Skenën e letërsisë shqipe, ende vijon që ta sundojë hierarkia letrare e realizmit socialist, që ka në qendër Kadarenë, Qosen dhe Agollin, e cila nëpër këto vite i ka mbijetuar edhe sistemit demokratik. – Modeli letrar i Trebeshinës, për tekstet e botuara dhe të lexuara, në asnjë shenjë nuk ka lidhje me realizmin socialist. Trebeshina është pjesë unike e letërsisë bashkëkohore, së pari si lëvrues i surrealizmit, që estetikisht buron nga kundërshtia e realizmit socialist; së dyti, për vetë zgjerimin e shtratit ligjërimor të dramaturgjisë shqipe; së treti, si autori i tekstit Kënga Shqiptare, teksti përfaqësues i romanit epope në letrat shqip.

Reflekse migjeniane-Zija Vukaj

in Letërsi by

107 vjet më parë, më 13 tetor 1911, në Rrugicën e Fretënve, në Shkodër, lindi Migjeni

Zija Vukaj

Në traditën tonë është bërë rregull të mendojmë dhe të shkruajmë për vlerat dhe personalitetet vetëm në raste përvjetorësh. Kësisoj mendimet dhe shkrimet tona dalin të sforcuara, pllakateske, moralizuese, të lustruara me dashuri të çastit dhe me një lloj panegjerizmi të sheqerosur deri në kufijtë e neverisë. Madje, në rastin e një përvjetori apo të një përkujtimoreje gërmojmë për të gjetur detaje, imtësi dhe vogëlsi nga jeta e autorëve, duke i mbajtur këto të dhëna si xhevahire të çmuara, ndërkohë që në kontekstin e përgjithshëm të vlerave të veprave dhe të autorëve nuk kanë as edhe një peshë. Mendoj se kur flasim për Migjenin, nuk duhet të merremi më as me akronimin, as me markën e biçikletës si tij, as me gërmimin në fshatin e stërgjyshërve të tij dhe me gjëra të tjera që nuk kanë asnjëfarë vlere për argumentin që duam të trajtojmë. Duhet të kemi parasysh individin gjenial të botës sonë kulturore që tejkaloi epokat. Duhet të na burojnë së brendshmi ca pyetje, si përshembull: Kur do të ketë pasur kohë ky i ri të mendojë? Si projektohen copëzat e traktateve futuriste në veprën e tij? Si u njoh me rrymat më moderne të kohës? Si i doli koha të kulturohej aq shumë në mungesë të një shkollimi universitar? Ku ra në kontakt me Niçen, Shopenhauerin, Spenserin, Rembonë, Malarmenë, Verlenin etj? E ka njohur vërtet Majakovskin? Pse i ngjan së prapthi Aljoshës së “Vëllezërve Karamazov”? Cila ka qenë koha fzike e jetës së tij? Pse nuk na rezulton e zakonshme dinamika e ditëve të tij të kufizuara me dinamikën e ditëve të jetës sonë? etj., por së fundi, pse nuk ka asnjë ndjekës ky djalosh i ri gjenial në poezinë tonë?
Ai erdhi në letërsinë shqiptare në një kohë ku shoqëria dhe realiteti shqiptar ishte sëmurë kaq shumë, sa nuk kishte më nevojë për makijazhe, por për bisturinë e kirurgut. Dhe ky poet i vërtetë, që ngjan një luks i çuditshëm për botën tonë të atëhershme kulturore, madje edhe të sotme, ndau dy epokat: traditën e mbështetur në mitizimin, me modernen, që atij vetë i erdhi si revelatë hyjnore. Dhe këtu qëndron një pjesë e futurizmit të tij, në mos thelbi, që të kujton vargjet e Majakovskit, kur thoshte: “Poetë/ akoma nuk ju janë neveritur kaçubet e jargavanëve/ netët me hënë dhe skenat idilike”
Dhe kemi poetin e mjerimit, por edhe të rinisë. Poetin e dashurisë dhe të mbinjeriut. Mbi të gjitha, vështrimi i tij është kozmik. “Mbramë/qiella dhe yjt e vramë/ një ngjarje të trishtueshme panë…” Krimi që ndodh në tokë, pra, ka avokat dhe gjykatës vetëm qiellin. Dhimbjen e sheh kozmosi, por jo bashkëqytetarët. Dhe ja ç’balada ofron qyteti… Balada, legjenda, si ajo e misrit, apoteoza, ditirambe, bukuri që vret, sezone mizash e idhuj pa krena. Një realitet i mbushur me vrima interesante. Me sokratë të hibridizuar në derra. Dhe trumcaku bëhet melankolik, sepse ka lindur aty ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemëve brinat e një kafshe prehistorike. Vargu i tij është imazh. E ç’të jetë tjetër vargu poetik, në mos imazh? “Në çarçafë/ në fytyrë/ dhe në ndërgjegje danga. Ja imazhi që jepet nga fjala kyçe dangë. Oksimorat e tij blasfemuese janë të pashembullta në poetikën tonë dhe leksiku i tij poetik është i gjithi prozodi.Tamam si në poetikën e Rembosë, ku mjetet e gjuhës kanë një lloj pavarësie. Shpesh Migjeni është keqkuptuar për një soj heterodoksie jo vetëm në guximin e tij poetik, por edhe në formën që ka zgjedhur. Dhe kjo shpjegohet, jo vetëm me gjenialitetin dhe qartësinë e tij artistike, por edhe me të qenit një rini e përjetshme.
Më poshtë po jap përjetimet e mia për një nga prozat e tij. “Në sezonën e mizave”- një spleen migjenian
Çaste limontie, ku mendja dhe vullneti duken të topitura nën ngathtësinë dhe kotësinë e një jete të zbrazur dhe pa kuptim, të një kohe që është ndalur dhe nuk ka lëvizur qysh nga vitet e fëmijërisë, vihen në lëvizje nga fluturimi i një mize në dhomën e personazhit Hylli, tashmë i rritur e i shkolluar. Miza, kjo gjë e tepërt në planin hyjnuer, epifanizohet për të gërvishur në trurin e personazhit shtresën e harresës që ka krijuar distanca kohore me vitet e largëta të fëmijërisë dhe për të zbuluar mbresat që kanë fjetur aty. Dëshira për t’u kthyer mbrapsht në kohë, që pasqyrohet nga tundimi për të kapur mizën, si akti i rivendosjes së një lufte të ndërprerë prej kohësh, si dhe vetëdija e turpit për t’u sjellë si fëmijë, hapin siparin e sezonit të mizave në të tretën e fillores,kur mësuesi kishte shpallur zyrtarisht dhe moralisht para fëmijëve betejën ndaj mizave. “… kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mija miza që do të ishin pjellë nga ajo një, deri në verë. E kur një nga nxansit pyeti a duhet me mbytë mizën femën a mashkull, mësuesit nuk di si iu ngatrrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë, duhej mbytë.” Ky dialog grotesk, ku Migjeni nuk harron “të përkëdhelë” paksa me ironinë e tij edhe hutimin dhe mediokritetin e mësuesit, është i mjaftueshëm për të paralajmëruar situatën absurde të luftës me mullinjtë e erës, që vjen më pas, realizuar me një antifrazë elegante mbushur me terminologji lufte. “Asaj pranvere, mbas fjalëve të mësuesit, gërsitshin tryezat, muret, arkat , karrigat nga shuplakat e nxanësve, të cilët me shtytjen e mësuesit u kishin shpallë luftë mizave. Ne nesre në shkollë secili tregonte sa sa anmiq ka mbytë, në ç’mënyrë, me ç’armë.” E kështu, bie perdja e skenës së largët dhe autori na rikthen në të tashmen në dhomën e Hyllit, ku gjallojnë dy personazhe. Miza dhe Hylli, asnjëri më i rëndësishëm apo i parëndësishëm se tjetri. Kjo është e qartë edhe për Hyllin, sepse ai heq dorë nga “mendimi vëllavrasës”, por edhe skena e jetës së tij, që i ngjan një pellgu me ujë të ndenjur, do të varfërohej edhe më shumë, sepse do të humbiste protagonistin, që kthehet në objekt soditjeje, meditimi, kujtimesh, pikëpyetjesh, neverie e deri në filozofime nën frymën pesimiste të ndikimeve të Shopenhauerit: (…) “…një mizë- dallëndyshe, lajmëtare e verës, sepse ai e ka bjerrë lajmin e ardhjes së pranverës (punë andrrash).”… Por miza nuk mbeti në naltësinë e vet të zakonshme, por filloi të zbresë ngadalë ndër sferat ma t’ulëta të dhomës.” (…) “Prej kah ka ardhë kjo mizë?… Domethanë se miza qenka nga shtëpia e kojshijes së bukur. Filloi Hylli me simpati ta shikojë mizën.” (…) “Miza, plehi, kojshia e bukur në një mbasdreke pranverore tingëlluen në një rapsodi- në rapsodinë e jetës sonë qytetare në një mbasdreke maji… Miza si miza, përzihet në punët e hueja dhe don ta bajë të vetën. Po ku janë xhanëm kompetentët? Njerëzit që marrin rroga për miza, ku janë? Deputetët, çka bajnë?” (…) “Hylli u frigsue mos t’i mbytet në kafe… I shkoi një rrënqethme neverie nëpër gurmaz.”(…) “…gëzimi asht vetëm pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë.”
Duke përdorur mizën si simbol kotësie, ngjan sikur gjithë skica është një transmodelim i shprehjes idiomatike “me vra miza”, përmes ngjyresës së të cilës jepet zbraztësia e jetës së një brezi të tërë, që nuk ia gjen kuptimin ekzistencës së vet dhe jeta e njeriut në këtë formë është vetëm një sezon i pështirë, ku koha ka ngrirë në një boshllëk absurd, nga ku nuk shihet asnjë perspektivë. Ideja e brezit që po jeton “nën flamujt e melankolisë” jepet nga futja në fund të skicës e personazhit të dytë, kolegut universitar të Hyllit. Kjo zgjidhje kompozicionale përbën një veçori stilistike të Migjenit, sepse e kemi parë edhe tek “Ngjarje pa lëvizje”, “Husarët në Adriatik”, “Programi i një reviste” etj. Por këtu ata të dy i ngjajnë Vladimirit dhe Estragonit, të dramës së famshme të Beketit “Duke pritur Godonë “…Kur qe në derë të dhomës, ia beh dikur shok lufte me mizat e sot kolegu universitar.
-Çka po ban, Hyll? Po xen miza- a? (Që mund të përkthehet: Po vazhdon të jetosh kot- a?)
-Asgja… Veç po mendoj se sa kot po jetojmë,- u përgjigj Hylli si gjithmonë.”
Sepse kolegu universitar, më së shumti dhe në thelb është shok i tij në luftë me mizat. Ai vetëm sa pyet kot, por nuk befasohet. Pothuajse është i përgatitur ta gjejë Hyllin duke vrarë miza, sepse me siguri edhe ai nga një “luftë” e tillë po vjen. Nga një luftë me kotësinë dhe me mungesën e perspektivës, e humbur prej një brezi dhe një shoqërie të tërë dhe e shndërruar tashmë në një letargji kombëtare. Brenda dhe jashtë dhomës, i njëjti realitet ku nuk ndodh asgjë dhe përmasat e individit njerëzor janë bërë sa të mizës. Ku janë “t’birt e shekullit të ri” me hovin e tyre të ngritur peshë? Cilat janë lufëtrat e reja ku ata do të ndeshen? Kush flijohet këtu, përpos vullnetit të pritshëm niçean për ngallënjimin e një shekulli të ri, që tashmë paraqitet i asgjësuar? Ngjan sikur edhe optimizmi i poetit ka marrë fund përballë këtij realiteti absurd, ku hiqet dorë edhe nga vrasja e një mize, sepse ajo përbën tashmë një “vëllavrasje”, aty ku melankolia ka ngritur flamujt e fitores. Por ne e dimë natyrën misionare të Migjenit dhe burimet alternative thuajse opozicionale të formimit të tij filozofik- nga optimizmi shpërthyes i frymëzuar nga trajtat e mbinjeriut të Niçes, deri tek pesimizmi i pashërueshëm hipokondrik i Shopenhauerit. Dhe autori i përdor në misionin e tij poetik dhe intelektual të dyja këto burime alternative, jo për të pasqyruar gjendje personale, por për të trokitur në shpirtin e shqiptarëve, për t’i shkundur ndërgjegjet e brezit të vet, i kushtëzuar nga njohjet e realitetit dhe dinamikat e jetës. Ky lloj spleen-i bëhet një alarm dhe për ta kuptuar e përjetuar si të tillë duhet dhënë në ato përmasa alarmuese që e gjejmë edhe tek poezia “Nën flamujt e melankolisë”. Ndërkohë që Migjeni shkëlqen në prozat e tij poetike, në këtë poezi kemi të kundërtën, poezinë prozaike: pa muzikalitet, pa kadencë poetike, me një ritëm mjeran, që është pasqyrë e ritmit të një jete që të lemeris me inercinë dhe prozaizmin e vet. Një pellg ekzistencial, mbi cipën e sipërfaqes së të cilit nuk ka asnjë dallgëzim sado të vogël:
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
… dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Edhe nëse përpjekjet “për të qitë në dritë një xhind” (hija tashmë e zbehtë e mbinjeriut) apo ëndrrat për të dalë nga qerthulli nuk janë shuar, ato tashmë janë të vyshkura, të keqorientuara dhe gati qesharake.
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Në të dyja rastet, si te proza, ku i jepet kuptim fluturimit të mizës, sepse ajo është alegoria e lëvizjeve dhe e përpjekjeve të njeriut të kohës drejt ndryshimit dhe për të lexuar realitetin nuk ke nevojë të dalësh nga hapësira e dhomës, ashtu edhe te poezia prozaike, aty ku spleen-i ka fituar betejën dhe ka ngritur flamujt, autori na ka dhënë tablonë e një gjendjeje tragjikomike, të padurueshme, mbytëse dhe absurde, të padenjë për individin. Një gjendje larg çdo ideali njerëzor. Një dramë kolektive në Waste Land-in shqiptar. Kush pritet të vijë? Çfarë presim të na sjellë? Deri kur duhet të presim që të shkundemi nga letargjia dhe përpjekjet tona të mos prodhojnë gjëra qesharake? Këto nuk janë pyetje që autori i bën direkt, por nuk ka lexues, tek i cili të mos provokohet mendimi për të projektuar përgjigjet e tyre.

Te varri i lirisë-Fatos Arapi

in Letërsi/Tharm by

Ajo që më bën përshtypje në jetëshkrimin e poetit Fatos Arapi, është fakti që ai nuk ka marrë asnjë çmim zyrtar nga Republika e Shqipërisë. E nëse kjo mungesë vinte për shkak të biografisë së tij, askush nuk pengonte askënd që ta vinte në vend këtë padrejtësi pas rënies së diktaturës. Por shteti ynë as atëherë nuk e bëri këtë. Siç duket dikush ka qenë mjaft i interesuar ta mbajë përherë të spastruar majën e Olimpit.

Ju ftoj të lexoni këtë poezi të tij. Kur e kam lexuar për herë të parë, pa emrin e autorit poshtë, kam  menduar se do të ishte shkruar prej një poeti të pas 90-ës, dhe u surprizova mjaft (dhe bukur) kur mësova se ishte e Fatos Arapit, lindur në vitin “e largët” 1929.

Një poezi tronditëse, aspak skematike dhe në kuptimin e plotë të fjalës MODERNE.

Ja që viti i lindjes nuk ka asnjë lidhje me lirinë e brendshme të individit (në këtë rast; poetit).

Këto ditë mediat sociale po gëlojnë me poezitë e tij, dhe me cilësime si; “Më i madhi”, “Më i miri,” “Më shkëlqyeri” (shqiptarët i pëlqejnë shumë cilësimet përjashtuese), por unë do t’iu thosha këtyre njerëzve: – Kujtohuni për shkrimtarët e poetët sa janë gjallë, duajini dhe kujdesuni për ta, sepse pas vdekjes i gjithë ky lum dashurie atyre nuk u hyn në punë!…

Arlinda Guma

Te varri i lirisë-Fatos Arapi

Fryn erë me shi, motra ime
U shuan qirinjtë e varreve pranë
Erë me shi
Qiririn tënd të ndezur
Mbroj me grushtet e mia
Takohemi vetëm në këtë ditë
U bëmë lot qiriri motra ime
Dridhemi si kjo flakëz e drojtur
Ti më flet: aty poshtë ka njerëz
Është një plak këtu pranë
Kërkon thikën të qërojë mollën
E do, nuk e gjen, ky poet, miku im
Ka lënë gjurmën e vargut pa shkruar
“Një kafe pa ty në Tiranë”
I ka humbur unaza një nuseje
E kërkon me frikë nusëria
Errësirë aty poshtë
Terri njeh vetëm gjuhën e dritës
Me qiririn tënd ndër duar
Kaloj varr më varr dhe ndez
Qirinjtë e shuar 
Pak dritë prej shpirtit
Një fëmijë aty pranë
Kërkon lodrën që i ka humbur
Motra ime

 

Martesë me një komunist (fragment)-Philip Roth

in Letërsi/Tharm by

Philip Roth

Gjatë pesë, gjashtë viteve të Revolucionit Rus, revolucionarët bërtisnin: “dashuri e lirë”, “dashuria do të jetë e lirë”. Por, sapo morën fuqinë, ata s’e lejuan atë. Sepse, çfarë ishte dashuria e lirë? Kaos. Dhe ata s’donin kaos. Nuk ishte ky qëllimi për çka e bënë revolucionin të lavdishëm. Ata donin, nëse ishte e mundur, diçka të disiplinuar me maturi. Të organizuar, të përmbajtur, të trumbetuar shkencërisht. Dashuria e lirë e turbullonte organizimin, makinën e tyre sociale, politike e kulturore. Edhe arti e letërsia po ashtu e turbullonin organizimin, jo ngaqë ajo shprehet  pro ose kundër, me zhurmë apo me delikatesë. Natyra e brendshme e të veçantës është të jetë e veçantë. Ndërsa natyra e brendshme e veçantisë është të rrënojë pajtueshmërinë. Përgjithësimi i vuajtjes; ja çfarë është komunizmi. Dallimi i vuajtjes; ja çfarë është letërsia. Në këtë polarizim i ka rrënjët antagonizmi. Ta mbash në jetë të veçantën, në një botë të thjeshtësuar,  të përgjithësuar, – ja ku fillon lufta. Nuk duhet të shkruash për të ligjëruar komunizmin. E as për të ligjëruar kapitalizmin. Duhet të jesh jashtë të dyve. Të jesh shkrimtar, s‘duhet të jesh përkrahës i njërit, ashtu sikurse as i tjetrit. Po, i vëren ndryshimet dhe natyrisht kupton që kjo plehrë është pak më e mirë se ajo tjetra. Apo ajo plehrë është pak më e mirë se kjo. Ndoshta shumë më e mirë. Por vëren plehrën. S’je nëpunës qeverie, as luftarak apo besimtar, por je dikush që ke marrëdhënie krejtësisht tjetër me botën e me atë që ndodh në botë. Luftaraku paraqet një premtim, një besim të madh që do ta ndryshojë botën, ndërsa artisti paraqet një vepër që s’ka vend në këtë botë. Është e pavlerë. Artisti, shkrimtari serioz, paraqet në botë diçka që s’ishte aty, madje as në krye. Kur Zoti bëri gjithë ato mrekulli në shtatë ditë; zogjtë, lumenjtë, qeniet njerëzore, ai s’pati as dhjetë minuta për letërsinë. “Dhe pastaj le të jetë letërsia. Disa do ta pëlqejnë, disa do të mundohen prej saj, të tjerë do të duan ta bëjnë atë.” Jo, jo. Ai s’e tha këtë. Nëse do të kishit pyetur Zotin: “Atëherë do të ketë hidraulikë?” “Po, do të ketë. Sepse ata do të kenë shtëpi e do t’u duhen hidraulikët.” “Do të ketë mjekë?” Po, sepse ata do të sëmuren e do të kenë nevojë për mjekë. T’u japin tableta.” “Po letërsi? Letërsi?” “Për çfarë po flisni?” Për çfarë duhet ajo?” “Ku ta vëmë?” Ju lutem, unë po krijoj universin e jo universitetin. Jo letërsinë.”

Deti më i bukur- Nazim Hikmet

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Deti më i bukur- Nazim Hikmet

Deti më i bukur:

s’është lundruar ende.

Fëmija më i bukur:

nuk është rritur ende.

Ditët tona më të bukura:

s’i kemi parë ende.

Dhe fjalët më të bukura që dua të të them:

nuk t’i kam thënë ende.

Përktheu: Redi Sheqeri

 

 

Sidoqoftë-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Sidoqoftë-Frederik Rreshpja

Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar,
Sidoqoftë njerëzit do të shpikin disi një mëngjes,
Ashtu siç kanë sbpikur detet, yjet, shiun,
Dhe shumë gjëra që nuk ekzistojnë…

Nata është hija jote,
Që ti nuk arrite dot ta mbledhësh ende,

Sidoqoftë unë mund të shkruaj lirika moderne,
Por tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë,
Si përshembull lumturia,
Apo fëmijë të bukur, shira lulesh e gjëra të tilla,
Për të cilat Zanafilla fajëson perëndinë.

1 162 163 164 165 166 182
Go to Top