Kur heroi vdes…“nga gripi”/Ervin Nezha

in Letërsi by

Ervin Nezha

Një vështrim i shpejtë mbi romanin “Etër e bij” të Ivan Turgenievit.

Letërsia Ruse e shekullit të 19-të dhe e fillimshekullit të 20-të, përveç veprave, autorëve e rrymave politiko-filozofike, solli edhe një galeri të jashtëzakonshme personazhesh.

Përmes kontradiktave të mëdha u sollën në letërsi thellësi të panjohura deri atëherë të shpirtit të njeriut, si dhe tablo të mjerimit dhe degjenerimit shoqëror, dyjëzimit të shpirtit, anët e sëmura patologjike, të cilat qenë një zë i fuqishëm i denoncimit të realitetit. Kuptohet, kjo erdhi në një periudhë kur shoqëria tradicionale ruse qe në një moment delikat, pra kur ajo po shkonte nga nje shoqëri feudale në një rend të ri shoqëror modernist.

Gjerësia e problematikave psikologjike dhe morale ndërtoi karaktere të jashtëzakonshëm, të tilla si Raskolnikovi, Ivan Karamazovi i Dostojevskit, Pjer Bezuhovi, Ana Karenina të Tolstoit apo Çicikovi dhe Akakieviçi të Gogolit, e shumë e shumë të tjerë. Mirëpo njëri nga ato personazhe që me plot gojën mund të quhet si i nje lloji tjeter, padyshim mbetet Eugen Bazarovi i Turgenievit. Personazhi i Bazarovit, por edhe antagonizmi i thellë mes brezave, nuk përfaqësonte vetëm një fenomen të izoluar, por një krizë të thellë që përshkon gjithë Rusinë e shekullit  të XIX-të. Krizë e cila kërkonte të ngrinte rendin e ri mbi atë të vjetër, bijtë mbi etërit, nihilizmin mbi idealizmin.

Ky i ri rus,”nihilist”, prototipi i një përzierje të stisur ulitarizmi anglez, romantizmi gjerman dhe realizmi francez (nuk beson askund përveçse te shkenca) është realiteti, është personifikimi i një gjenerate të tërë të rinjsh rusë, që braktisën besimin për t’u shndërruar në qenie hiçgjë.

Veprimet e tij janë banale, ose e thënë ndryshe; banaliteti i veprimeve të tij bëhet ekspresiv. Ato kufizohen me veten, pasi kuptimi i veprimit gjendet tek vetë veprimi, për pasojë ai mbetet një kuptim i ngathët gati jonjerëzor (si te kafshët).

Këtë gjendje të personazhit të tij, Turgenievi e ndërton duke i falur këtij të fundit një përbuzje kronike ndaj bashkëkohësve të tij. Bazarovi e di se pa pranuar një krijues, ekzistenca e gjërave është e pashpjegueshme (absurde), mirëpo ai priret të pranojë të pashpjegueshmen (zhytet në botën e shkencës të gjejë përgjigje) dhe me këtë ai shpall ateizmin e tij. Ai kështu pranon botën e vetë, sepse ndër të tjera legjitimon faktin e përçmimit të tjetrit. Kjo ndodh sepse ata, edhe pse besojnë një krijues e bëjnë këtë në mënyrë të pandershme. Ata përfshihen nga inercia dhe mbështeten në funskionin aksidental që i kanë taksur vetes, a thua se janë sende! Në të vërtetë janë sende, sepse qeniet nisen nga funksionet për të përcaktuar kuptimet dhe jo anasjelltas. Në fakt, Bavarovi nuk qe një personazh i krijuar nga hiçi, shenja të krijimit të tij të pashmangshëm qenë personazhe të tillë si Onjegini i Pushkinit, Olenini i Tolstoit (novela “Kozakët”) apo Stavrogini i Dostojevskit, ku të rinjtë e demoralizuar nga jeta mondane, braktisin gjithçka në përpjekje për t’i shpëtuar nje realiteti demoralizues.

Bazarovi është shembulli tipik i heroit kundër turmës, është frymëzuesi i një epoke letrare që do dihaste në shek e XX-të dhe të bindur mund të themi se pa Bazarovin e Turgenievit nuk do të kishim Rokatenin e Sartrit apo Mersoin e Kamysë .

Vete Bazarovi është një “i huaj “, një “i përjashtuar ” dhe spostimi që i bën vetes nga shoqëria është mënyra e vetme me të cilën mund të funksionojë; gjithë bota e tij janë ato bretkosa me të cilat eksperimenton në përpjekje për të njohur jetën, apo kufoma e molepsur e muzhikut.

Turgenievi e di se një “hero” i tillë, që gjendet rëndom në Rusinë ndërmjet dy shekujve, nuk meriton një vdekje më të mirë. Ai duhet të vdesë në menyrën më banale të mundshme (i gërvishtur nga bisturia në njërin gisht), sepse i tillë është edhe gjithe karakteri i jetes që ai ndërton.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top