Author

Admin - page 18

Admin has 1825 articles published.

Ëndërr kartoni në çift a tek -Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Ëndërr kartoni në çift a tek -Sueton Zhugri


Im gjysh me shaka thoshte: “I dinim ëndrrat prej letre dhe ja që qenkan prej kartoni.”
Dhe botët u ndanë përgjysmë
si materie që i afrohet vrimës së zezë
gravitacionale.

Rrotullimet tona prej hiçi e gjithçkaje
me plagët tona njerëzore të përkohëshme
kullojnë
lëng yjesh nga më të rëndomtit,
si gishtërinjtë e karrocierit që shet petka të përdorura që ngatërrohen padashur
ndër flokët e parukës së atij kapadaiut me makinë Tesla…

Kur shkojmë, shkojmë të gjithë lakuriq
si në një sauna finlandeze duke goditur
njëri-tjetrin me degë gjineshtre
e saora
gushkuqët i mbushin
me glasa gëzimi mermerët
e porsalarë me lot të varrezave.

Mbi qiell retë duket
kanë hedhur një jorgan të bardhë pambuku,
bletët sipër kokës sime të shurdhojnë
kur bëjnë dashuri
dhe atje tejmbushur është deti
me alga dhe kripë.

Eh, tetë miliardë njerëz frymojnë anembanë
e nëna ime nga Tirana e asfaltuar
ankohet,
se po vdes nga vetmia…

10.9.2024

Poezi nga Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Shpëtim Selmani

unë vij nga burgu i fluturave
prangat e mia janë nga pendët e palloit indian
më vjen turp të jem i pasur
u takoj krojeve të malit
dua të më duan të gjithë budallenjtë e botës
kurora ime është nga gjethet e vyshkura të rrushit
jam kundër legjendave dhe miteve
në grusht mbaj zemrën e së ardhmes me
frikë dhe dyshim,
nëse i dëboj djajtë nga vetja
kam frikë se edhe engjëjt do tia mbathin.

I dashur lexues-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

I dashur lexues-Billy Collins

Baudelaire të konsideron vëlla,
dhe Fielding-u të drejtohet pas çdo paragrafi
sikur të dojë të sigurohet se ti nuk e ke mbyllur librin,
e tani po të thërras sërish unë;
fantazma e vëmendshme, figura e errët e heshtur që rri në portën e këtyre fjalëve.

Pope të mirëpret në shkëlqimin e studimit të tij,
ai ul poshtë një libër prej lëkure të Ovid-it për të ta treguar.
Tennyson-i heq shulin e portës së një kopshti gjithë hendekë,
dhe me Yeats-in ti mbështetesh pas një trungu dardhe të thyer,
dita mbulohet prej reve që varen poshtë.

Por tani ti je këtu me mua,
i qetë në sheshin e hapur të kësaj faqeje,
nuk ka asnjë dhomë apo kopsht të zbukuruar që të na rrethojë,
nuk ka asnjë Zeitgeist që marshon në sfond, asnjë kod i rëndë që të na hidhet përsipër si mantel.

Në vend të kësaj, takimi ynë është kaq i shkurtër dhe i rastësishëm,
i pavënë re nga syri monokël i Historisë,
ti mund të jesh burri për të cilin unë mbajta derën hapur
këtë mëngjes në bankë apo në postë
ose ai që më mbështiolli peshkun.
Ti mund të jesh dikush që kaloi në rrugë
apo fytyra pas timonit të një makine që po afrohet.

Drita e diellit shkëlqen xhamin tënd të përparmë,
dhe kur unë shikoj në pasqyrën e vogël,
të shoh duke u zvogëluar – ty, jehonën time, binjakun tim –
dhe zhdukesh rreth një kthese në këtë rrip rruge
ku ne nuk mund të mos udhëtojmë së bashku.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Monotonia e lumturisë-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Monotonia e lumturisë-Sueton Zhugri

Jam në park sot e dashur,
marr frymë thellë
ndërkohë që ti po dremit në shtëpi.
Era luan me gjethet në majat e plepave
dhe ti po sheh një ëndërr me luanë.
Dielli zbret horizontit
si një pikë limoni e ndezur
fytit të uritur të melankolisë…

Eh, burri është i destinuar
t’i lutet qiellit
për të pakuptimshmen e bukurisë

Brengagaz, dyshimshumë
e qeshura ime
si prej vaji dhe mjalti
i ngjitet mbrëmjes
e jam njëherësh vërtet i lumtur
dhe kaq i trishtuar…

Është si të të shushuritnin abazhuret e komove
të dhomës tënde ku luaneshat po pushojnë
pasi kanë shqyer një zebër bardhë e zi

Dhe nga dritarja e dhomës
yjet e tua përqeshin dertet e mia
si të ishin kometa
me përdredhje pendësh
ekzistenciale

Këmbanat duhet të jenë të metalta
në një botë të ajërt për të të zgjuar,
por ti prehesh në një strofkë
me egërsinë e boshësisë

Ulur në park sot e dashur,
ndihem i lumtur
e njëkohësisht
tejet i trishtuar…

27.08.2024

Glyukha yona kokal nuku ka (“Gjuha jonë kocka nuk ka”), një poezi shkruar nga Peter Constantine në gjuhën arvanitase dhe e lexuar nga vetë ai për Maratonën e Videopoemave të Pen International kushtuar gjuhëve indigjene dhe minoritare

in Gjuhësi/Letërsi by

Glyukha yona kokal nuku ka (“Gjuha jonë kocka nuk ka”) është një poezi e shkruar nga përkthyesi dhe botuesi anglez Peter Constantine në gjuhën arvanitase.
Kjo poezi është lexuar nga vetë ai për Maratonën e Videopoemave të Pen International  kushtuar gjuhëve indigjene dhe minoritare.
Peter Constantine jeton në Amerikë, ai është britanik por është rritur nga një njerk arvanitas. Ai ka një ndjeshmëri të lartë për gjuhën arvanitase, të cilën e ka shprehur në shumë shkrime, ndonjë prej tyre i botuar edhe në revistën defekt-teknik. E quan gjuha jonë. Është kaq prekës titulli i kësaj poezie, ashtu siç është prekëse çdo fjalë e saj, që shpreh një trishtim të thellë për zhdukjen e kësaj gjuhe, e cila është quajtur “gjuha e zogjve” ngaqë është tejet melodioze për veshin e të huajve dhe që vetë vendasit arvanitë e quajnë “gjuha e perëndive”.
Peter Constantine është një zë i vetëm në arenën ndërkombëtare, por çfarë po bën ai, alarmi që ai ngre vazhdimisht për zhdukjen e gjuhës arvanitase është ajo që duhej të kishte bërë me kohë shteti letargjik shqiptar dhe ambasada jonë në Greqi, që nuk e ngrenë kurrë zërin për çështje të tilla.
Kjo poezi është një përgjigje e mirë edhe për gjithë shqiptarët-antishqiptarë, një numër i konsiderueshëm i tyre çuditërisht është strehuar edhe në Akademinë e Shkencave dhe që andej e zhvillojnë lirisht dhe sistematikisht veprimtarinë e tyre antishqiptare, të cilët së fundmi kanë dalë me teorinë se arvanitasja nuk ka lidhje me gjuhën shqipe.
Por si ka mundësi që ne kuptojmë çdo fjalë të kësaj poezie? Madje edhe theksi është shumë i njohur për dikë që është rritur me dialektin tosk. Apo fjalë si “shkëmbënj”, “bënet”, “nakatosur”, etj. Po ku i dihet, sipas teorisë së tyre ndoshta edhe ne që e kuptojmë mund të mos jemi shqiptarë!
Arvanitasja, gjuha jonë e vjetër shqipe, në një botë ideale do të duhej studiuar në shkolla e analizuar vazhdimisht. Ajo nuk duhet lënë të vdesë. Vëreni sesi përmendet termi “arbërisht” në këtë poezi. Autori i referohet arvanitases si gjuhë e folur “arbërisht”, ashtu siç i referohen të gjithë arvanitët.
Kush është rritur me toskërishten do ta ketë më të lehtë për ta kuptuar, ndërsa për ata që kanë ndonjë vështirësi të vogël, poezia shoqërohet me titra në gjuhën angleze. 

Peter Constantine është fitues i Pen/book of the month Club Translation Prize, National Translation Award, Koret Jewish Book Award, National Jewish Book Award, Hellenic Association of Translators of Literature Prize, Helen and Kurt Wolff Translation’s Prize, Ellen Maria Gorrissen Berlin Prize. (Lista e vlerësimeve dhe e arritjeve të tij është e gjatë.) Njohës i një numri të madh gjuhësh, midis tyre edhe gjuha shqipe. Përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm botërorë si Dostoevsky, Thomas Mann, Chekhov, përkthyes dhe i disa autorëve shqiptarë, siç është Ismail Kadare, Bashkim Shehu, etj.

Poezinë e gjeni këtu:

(Video e realizuar nga Jazra Khaleed)

 

SHI NATE NË CHICAGO, I BUKUR, I DHEMBSHUR… Visar Zhiti

in Letërsi/Tharm by

SHI NATE NË CHICAGO,
I BUKUR, I DHEMBSHUR… Visar Zhiti

Shi nate në Chicago,
i bukur, i dhembshur,
rrugëve bie dhe brenda nesh,
kaq shumë vezullues sikur thërrmohen yje
ëndrrave në Qiell.

Ti e solle këtë shi
të bukur, të dhembshur
për një lindje të re dite
si të gjitha mëngjeset e 30 gushtit
që vijnë bashkë me ty.

Dhe çdo gjë e ardhur nga lartësitë
qiellore
e shenjtë është, o bir! Po këtë qytet

kush e solli te ne,
erërat dhe dallgët e tua? Kujt i the
të na thërriste?

Një pikë loti këtu
bëhet ky liqen, ti e di, më i madhi
në botë, –
vetëm një pikë loti kështu…
dhe jo vetëm liqen…

Brinjët e mia bëhen brigje.

Ky shi i natës në Chicago bashkon
kujtesën
me përjetësinë,
që s’duket si horizontet, si çdo fund,
që e shohin të tjerët.

Po ta ndezim nga një cigare si dikur,
nga paketa e qiellit
dhe tre qirinj ndizen vetvetiu tani
në të gjitha kishat si në shpirt.


Chicago, 30 Gusht, 2024

Planeti me Katër Hëna-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Planeti me Katër Hëna-Billy Collins

 E kam zili planetin me katër hëna.
– Shënimet e Robert Frostit-it.

Ndoshta atij i ndërmendej kënga:
“Çfarë arrin të bëjë pakëz dritë-hëne”
dhe bëhej kurioz
se çfarë do t’arrinte të bënte një lumë i madh dritë-hëne.

Por a nuk do të ishte kjo diçka tepër e mirë?
Dhe çfarë ndodhte nëse ti nuk arrije t’i dalloje
e ato rrinin gjithmonë së bashku
si katërnjake të zbehta duke hyrë në dhomën e ndenjes.

Po, do të kishte dritë të mjaftueshme
për të lexuar një libër apo për të shkruar një letër në mesnatë,
dhe nëse do të kishe pirë mjaftueshëm tekila
ti do të arrije të shihje tetë prej tyre duke u endur të shndritshme atje lart.

Por, pa mendoni për dy të dashuruarit në breg të detit,
krahu i tij hedhur rreth shpatullës së saj të zbuluar,
të emocionuar sesa pranë ndiheshin atë natë
ndërsa ai vështronte njërën hënë dhe ajo një tjetër.

Përktheu: Arlinda Guma

Shënim i përkthyeses: Planeti me katër hëna është Jupiteri 

Me Enida Sheshi Haxhin për poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos

in Letërsi by

Defekt-teknik i kërkoi Enida Sheshi Haxhit të përzgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të do të ndërtohej një analizë në formën e një bisede. Ajo zgjodhi poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos, përkthyer nga Alket Çani. Poezinë mund ta dëgjoni këtu të lexuar nga Suela Bako:

 

    Enida Sheshi Haxhi

Arlinda Guma: Pse zgjodhët Janis Ricos-in dhe pse pikërisht këtë poezi?

Enida Sheshi Haxhi: I lexoj shpesh materialet që botohen ne revisten tuaj, poezitë që zgjidhni dhe përktheni. Pastaj pashë këtë poezi dhe u ndala, sepse më dha ndjesinë e plotësisë, atë përjetim të cilin me sa duket kisha nevojë ta ndieja në atë çast të kohës. Poezinë ”Statujat dhe ne” e kisha lexuar edhe më herët, por kjo s’ka rëndësi sepse sa herë që rilexoj një poezi më ngjan se po e lexoj për herë të parë. Kam lexuar shumë poezi të Ricos-it, të sjella në shqip, prej Romeo Çollakut dhe herë pas here edhe prej jush në revistën ”Defekt- Teknik”. Poezia eksploron një temë që më nxit të reflekoj mbi natyrën e qenies dhe mbi tensionin ndërmjet asaj që është përtej nesh dhe realitetit të brendshëm që na përvijon çdo ditë.

Arlinda Guma: Është e pamundur të përfytyrosh një poezi të Ricos-it pa praninë e statujave. A do të kishte kaq shumë statuja në poezinë e Ricos-it sikur ai të lindte në një vend tjetër dhe jo në Greqi?

Enida Sheshi Haxhi: Janis Ricos, si një poet grek, është padyshim i formësuar nga kultura e tij, e cila është e mbushur me një trashëgimi të pasur të artit klasik dhe mitologjisë. Greqia është e njohur për statujat e saj antike, që përfaqësojnë hyjni, heronj dhe figura mitologjike, dhe që për mijëra vite kanë qenë një simbol i përjetësisë, idealit estetik dhe reflektimit mbi ekzistencën. Këto elemente janë një pjesë e pashmangshme e peizazhit kulturor dhe fizik të Greqisë, dhe është e natyrshme që ato të ndikojnë në imazhet dhe temat e poezisë së tij.
E megjithatë, statujat në poezinë e tij reflektojnë më shumë se kaq, ato janë simbole të përjetësisë, të heshtjes, të frikës, të mungesës së lirisë, indiferencës apo dhe të një lloj qetësie të përjetshme, që mund të ishin zëvendësuar nga simbole të tjera në një kontekst kulturor tjetër.
Megjithatë, esenca e mendimit të tij — reflektimi mbi shpirtin njerëzor dhe ekzistencën njerëzore — do të mbetej e pandryshuar. Uni poetik do të gjente një rrugë për të dalë në dritë, pavarësisht nga peizazhi kulturor.

Arlinda Guma: Fëmijë, na ka bërë të gjithëve përshtypje vështrimi i statujave. Sikur shohin me ngulm në një pikë diçka të jashtëzakonshme, diçka që ne në botën reale nuk arrijmë ta shohim.

Enida Sheshi Haxhi: Kur kam parë për herë të parë një statujë (bustin e një rilindasi në një prej rrugëve të Korçës) ndjeva një përzierje të çuditshme kurioziteti dhe frike. Ajo nuk lëvizte, e megjithatë prania e saj ishte e fuqishme, ndieja sikur më hetonte. Kur sytë e mi u ndeshën me të sajat, i fsheha menjëherë nga frika se mos ajo po e zbulonte frikën time.
Por brenda çdo frike të madhe qëndron fillimi i një kurioziteti edhe më të madh. Ky kuriozitet është forca që i shtyn fëmijët të eksplorojnë Fëmijët nuk e përjetojnë kurrë mërzinë, sepse i qasen botës me një qëndrim kureshtar, duan të hetojnë, të zbulojnë pse-në e gjërave, mekanizmat sekretë që i gjallërojnë.
Kur rritemi, dalëngadalë fillojme ta humbasim shpirtin kureshtar dhe prandaj pushtohemi nga apatia apo plogështia. Në fakt habia nuk buron vetëm nga gjërat e reja apo të pazakonta, por nga mënyra sesi zgjedhim ta shohim botën. Kur ndalemi dhe i japim vetes kohë për të parë thellë, për të pyetur, dhe për të reflektuar, kuptojmë se brenda çdo përvoje, sado e zakonshme të duket, fshihet një univers i tërë që pret të zbulohet. Në fund, është pikërisht ky kapacitet për t’u habitur që na shpëton nga monotonia dhe na rikthen ndjenjën e freskët për jetën edhe në mes të konsumizmit.

Arlinda Guma: Duket sikur poeti xhelozon për faktin se statujat nuk mund të ndiejnë si njerëzit… Duket sikur ai vetë është i lodhur prej këtij procesi të dhimbshëm…

Enida Sheshi Haxhi: Ajo statujë nuk kërkonte asgjë prej tij, prej botës, nuk gjykonte, thjesht ishte aty, në mënyrën e saj të qëndrueshme dhe të pakushtëzuar.
Në këte kuptim është e pamundur të mos ndjesh një lloj pranimi të heshtur – që pavarësisht gjithçkaje që ndryshon, ka gjëra që mbeten, që qëndrojnë, dhe në atë qëndrueshmëri, gjen një lloj ngushëllimi.

Arlinda Guma: Kjo marrëdhënie midis njerëzve dhe statujave sa vjen e bëhet një proces edhe më i largët, i parrokshëm, i pakuptueshëm. Edhe pse ajo vazhdon të ekzistojë, në realitete paralele ndoshta, të cilat ne nuk arrijmë t’i deshifrojmë…

Enida Sheshi Haxhi: Gjithmonë do ndihemi të pakuptuar në botë. Shpesh, edhe mua njerëzit më ngjajnë me statujat: të ftohtë, indiferentë, pa empati.
Nga ana tjetër, ndividit i kërkohet të përshtatet me standarde dhe pritshmëri të caktuara. Njëjtë sikur të jesh para një aparati fotografik ku të kërkohet të marrësh një pozë të caktuar pa të lënë të thuash të vërtetën tënde. Por unë mendoj se janë vetë njerzit që pranojnë të heqin dorë prej individualitetit, duke dëshiruar më shumë sigurinë që ofron konformizmi.
Konformisti “ndjek” për të mos e vrarë mendjen, ai e shmang peshën e mendimit, kurse për individin, mendimi është akti më i lartë i lirisë.

Arlinda Guma: Kam parë gjithmonë një lloj ngjashmërie te poezia e Rreshpjes. Edhe në poezinë e tij prania e statujave është ngado.

Enida Sheshi Haxhi: Kjo pyetje është vazhdim i pyetjes së mëparshme: ”a do ta përdorte Ricos-i kaq shumë simbolin e statujave nëse nuk do jetonte në Greqi?”
Rreshpja e ka përdorur gjithandej këtë simbol në poezinë e tij edhe pse ka jetuar në nje mjedis të ndryshëm kulturor nga ai i Greqisë. Të dy janë poetë që kane vuajtur pasojat e regjimeve diktatoriale.Të dy kanë shkruar nga brenda qelisë së burgut.
Ky simbol te Rreshpja përkon me ndjenjën e braktisjes, e të mbeturit vetëm në botë, e të qenit i pranishëm dhe i munguar njëkohësisht. Në kontekstin e poezisë së tij, statujat nuk janë thjesht objekte të ngrira, por portrete të shpirtit njerëzor që përpiqet të gjejë kuptim në një botë që mbetet e paqartë dhe e largët. I largët gjendet edhe shpirti i tij i madh, nëmos i pakuptuar, në shoqërinë ku jetoi. Ai frymonte mes statujave që ecnin, që kurrë nuk i treguan dhembshuri, mirëkuptim.

Arlinda Guma: Madje të dy poetët kanë patur një pasion të veçantë për pikturën. Kjo ndihet në krijimtarinë e tyre. Ata vizatojnë skena të gjalla të cilat i nguliten fort lexuesit.

Enida Sheshi Haxhi: Kjo është aftësia e shkrimtarit të talentuar: mundësia për të pikturuar të padukshmen – të ndjeshmen dhe të thellën, që ndodhet në thellësinë e shpirtit njerëzor. Poezia është një pasqyrë e shpirtit, e cila, përmes fjalëve, pikturon emocionet dhe ndjenjat më të thella që nuk mund të kapen ndryshe. Në çdo vepër artistike ka një shpirt që flet përmes ngjyrave dhe formave. Artisti është ai që kap esencën e shpirtit njerëzor dhe e sjell atë në dritë përmes veprës së tij, duke krijuar një portret që flet për ndjenjat dhe përvojat më të thella, të cilat i ndjen dhe i shikon çdo njeri i zakonshëm, por artisti ka dhuntinë e soditjes. Arshi Pipa te “Domethënia e artit” shprehet kështu: “Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Soditja është perceptim i ç’interesuar. Nga qëndrimi soditës lind Arti.”

Arlinda Guma: Ricos-i ishte i majtë. Por ndryshe nga shumë poezi të poetëve të tjerë bashkëkohës të tij të cilët përfshinë ideologjinë në artin e tyre, në poezitë e tij, edhe në ato më ideologjiket, ka art. Dhe them se kjo e hedh poshtë teorinë se ideologjia e vret artin, siç ndodhi në vendin tonë me poetët e realizmit socialist. Ndoshta e vret vetëm në rastin kur poeti është i patalentuar?… Si e mendoni ju këtë?

Enida Sheshi Haxhi: Më ka ndodhur të kem lexuar letërsi të mirë; edhe nga ajo që është shkruar brenda regjimeve diktatoriale edhe jashtë saj. Kemi shkrimtarë si Solzhenitsyn-i, Pasternak-u, e plot të tjerë që kanë shkruar nën regjime totalitare vepra monumentale duke qenë edhe denoncues të regjimit. Shkrimtari Mo Yan në Kinë nuk i është kundërvënë sistemit por ka prodhuar letërsi të mirë dhe është vlerësuar me çmimin Nobel. Disa vepra të autorëve të tjerë – lënda e parë e të cilëve është marrë në vendin ku kanë jetuar – shpesh i kam parë si arratisje të qëllimshme nga shkakësia, mjaft e kuptueshme në vende ku të gjithë janë çmendur nga frika. Dua të them se përvojat e shkrimtarëve të mëdhenj janë nga më të ndryshmet.
Ne nuk mund ta mohojmë se nën regjime janë shkruar vepra me vlerë por nuk mund të themi që ideologjia nuk e vret letërsinë, artin në përgjithësi, sepse një art ideologjik është jashtë të vërtetave njerëzore.
Një shkrimtar apo artist, vepra e gjithë e të cilit i shërben një ideologjie nuk është më një shkrimtar, një artist, por një propagandues. Mirëpo plot shkrimtarë të tjerë ia dolën dhe e ruajtën integritetin artistik duke transmetuar të vërtetat njerëzore, pavarësisht kufizimeve ideologjike.

Arlinda Guma: Mendoj se Ballkani ka një poezi tronditëse. Disi të shpërfillur prej botës anglishtfolëse.

Enida Sheshi Haxhi: Ndaj të njëjtin mendim. Ndoshta ato që pengojnë janë barrierat gjuhësore. Poezia në Ballkan është shkruar në gjuhë të vogla.
Ndoshta janë edhe kufizimet e medias dhe të publikimit. Botuesit dhe mediat ndërkombëtare shpesh përqendrohen në literatura dhe autorë që janë më të njohur në tregun global, të cilët vijnë nga kultura të mëdha: anglosaksone, frankofone, etj.
Nga ana tjetër në kushtet e teknologjisë së sotme të informacionit, preferencat e lexuesve dhe të kritikëve mund të ndjekin trendet e momentit, dhe kështu poezia nga rajone më pak të njohura mund të mos arrijë të marrë vëmendjen që meriton.
Por përtej këtyre, kam mendimin se letërsia ballkanike shpesh është e ngarkuar me referenca kulturore dhe politike specifike që mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga lexuesit që nuk janë të njohur me kontekstin historik dhe kulturor të rajonit.
Kjo bën që poezia e Ballkanit ndonjëherë të përballet me sfidën për t’u vlerësuar jashtë kontekstit të saj të veçantë, dhe ndonjëherë përballet me stereotipe e ide të thjeshtuara për rajonin.

Arlinda Guma: Poezia që analizuam ka një qasje të thellë filozofike por, midis një qasjeje filozofike në art dhe një analize akademike të një filozofi të mirëfilltë, ju cilën do të zgjidhnit? (Kam thënë diku se vetë letërsia është një lloj filozofie, më e këndshme dhe më e metabolizueshme se vëllime të tëra studimesh filozofike.)

Enida Sheshi Haxhi: Një vepre artistike i ngrihen vlerat letrare kur ka mendim të thellë filozofik. Të menduarit filozofik mund të shërbejë edhe si një mekanizëm për të zbërthyer enigmën e artit. Çdo lloj arti por dhe letërsia në veçanti do një parapërgatitje që ta përthithësh si duhet, edhe duke qenë lexues i thjeshtë.
Por nëse letërsia prodhon filozofi, nga ana tjetër filozofia nuk prodhon art në mënyrë direkte. Ajo ofron frymëzim dhe kuadër teorik që i ndihmon artistët të zhvillojnë dhe të thellojnë krijimtarinë e tyre, por artin e krijon dhe e shpreh vetë arti.
Letërsia dhe arti janë përtej çdo lloj filozofie, ideologjie. Letërsia eksploron njeriun, si jetë, si shpirt, kurse filozofia si subjekt, si kategori.
Nëse filozofia eshte eksploruese konceptesh përmes arsyetimit, arti nga ana tjetër, është mjeti me të cilin këto koncepte bëhen të dukshme përmes perceptimit, ndjeshmërisë.
Prej artit, letërsisë, shprehjes artistike lindin koncepte dhe ide të reja, që zgjerojnë edhe kufijtë e mendimit filozofik.

Arlinda Guma: Ju falënderoj që u bëtë pjesë e kësaj rubrike!

Enida Sheshi Haxhi: Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të folur për letërsinë në një kohë kur shumë e shpërfillin.

Pyetje mbi engjëjt-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pyetje mbi engjëjt-Billy Collins

Nga të gjitha pyetjet që ju mund të doni të bëni mbi engjëjt,
e vetmja që e dëgjoni përherë është
se sa prej tyre mund të vallëzojnë mbi kokën e një gjilpëre.

Asnjë kureshti për mënyrën sesi e kalojnë ata kohën e përjetshme
përveç rrotullimit të Fronit duke kënduar psalmet në latinisht
ose duke i dorëzuar një kore buke një vetmitari në tokë
apo duke udhëhequr një djalë dhe një vajzë nëpër një urë druri të kalbur.

A fluturojnë ata përmes trupit të Zotit dhe a dalin duke kënduar?
A përkunden si fëmijët nga menteshat e botës shpirtërore, duke i thënë emrat e tyre parsh dhe mbrapsht?
A ulen ata të vetëm në kopshte të vogla duke ndryshuar ngjyrat?

Po për zakonet e tyre të gjumit, për pëlhurën e rrobave të tyre,
për dietën e tyre prej drite hyjnore të pafiltruar?
Çfarë ndodh brenda kokave të tyre të ndritshme?
A ka ndonjë mur përmes të cilit këto prani të gjata mund të shohin ferrin?

Nëse një engjëll do të binte nga një re,
a do të linte ai një vrimë në një lumë
dhe vrima do të lundronte pafundësisht
mbushur me shkronjat e heshtura të çdo fjale engjëllore?

Nëse një engjëll do të dërgonte postën,
a do të mbërrinte ai me një ngut verbues krahësh
apo thjesht do të merrte pamjen e postierit të rregullt
dhe do të fërshëllente rruginave duke lexuar kartolinat?

Jo, teologët mesjetarë kontrollojnë oborrin. Pyetja e vetme që ju dëgjoni pëherë është pista e vogël e vallëzimit mbi kokën e një gjilpëre
ku kurorëzat e dritës janë të destinuara të takohen dhe të lëvizin në mënyrë të padukshme.

E krijuar për të na bërë të mendojmë në miliona, në miliarda,
të na mbarojnë numrat dhe të shembemi në pafundësi,
por ndoshta përgjigjjia është thjesht një:
një engjëll femër që kërcen e vetme me këmbët me çorape,
një kombinim i vogël xhazi që vepron në sfond.

Ajo lëkundet si një degë nëpër erë,
me sytë e saj të bukur të mbyllur
dhe basisti i gjatë e i hollë përkulet të shohë orën
sepse ajo ka qenë duke kërcyer gjatë gjithë kohës
dhe tani ka shkuar shumë vonë, madje edhe për muzikantët.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Arti dhe tensioni i krijimit – një reflektim mbi këndvështrimin e Albert Kamysë/Enida Sheshi Haxhi

in Esé/Filozofi by

Ndoshta madhështia e artit qëndron në tensionin e përhershëm midis bukurisë dhe dhimbjes, midis dashurisë së njerëzve dhe çmendurisë së krijimit, midis vetmisë së padurueshme dhe turmës rraskapitëse, midis refuzimit dhe pranimit… Në kreshtën ku artisti i madh ecën përpara, çdo hap. është një aventurë, është një rrezik ekstrem. Megjithatë, pikërisht në këtë rrezik dhe vetëm aty, qëndron liria e artit.

Albert Kamy

   Enida Sheshi Haxhi

Arti ka qenë gjithmonë një fushë betejë mes dritës dhe errësirës, një fushë në të cilën artisti detyrohet të ecë mbi kreshtën e një shpate të mprehtë. Ky tension, ky kontrast i thellë midis bukurisë dhe dhimbjes, midis vetmisë dhe shoqërisë, midis krijimit dhe çmendurisë, është pikërisht ajo që bën artin të jetë i madh, dhe që e shtyn artistin në kërkim të një lirie të përhershme e të paarritshme.

Madhështia e artit qëndron në faktin se ai nuk është asnjëherë një qetësi apo një siguri; përkundrazi, ai është një tension i përhershëm që e detyron artistin të kërkojë një ekuilibër të pamundur midis këtyre forcave kontradiktore. Për Albert Kamynë, si për shumë të tjerë, ky tension është një reflektim i natyrës ekzistenciale të jetës. Arti është një pasqyrë e vuajtjeve dhe e gëzimeve të njerëzimit, një udhëtim në kërkim të kuptimit në një botë që shpesh duket absurde.

Në këtë udhëtim, artisti përballet me dy lloje të vetmisë: vetminë e thellë të krijimit dhe vetminë e të qenit i pakuptuar nga të tjerët. Kjo vetmi është një barrë e rëndë për t’u mbajtur, por në të njëjtën kohë është ajo që e shtyn artistin të krijojë. Vetëm duke u përballur me këtë vetmi dhe duke e pranuar atë, artisti mund të arrijë lirinë e vërtetë artistike. Në një botë ku gjithçka duket të jetë kundër tij, artisti duhet të gjejë forca për të vazhduar përpara, për të kërkuar një të vërtetë që është vetëm e tij.

Por ky kërkim i së vërtetës nuk është pa rrezik. Çdo hap që artisti hedh është një aventurë, një rrezik ekstrem që mund ta çojë atë në një thellësi të re të kuptimit ose në një humnerë të errët të dëshpërimit. Por pikërisht në këtë rrezik, në këtë betejë me të panjohurën, qëndron liria e artit. Pa këtë rrezik, pa këtë tension të përhershëm, arti nuk do të ishte asgjë më shumë se një dekor i bukur pa ndonjë kuptim të vërtetë.

Liria e artit nuk është një liri nga vuajtja apo nga dhimbja, por një liri përmes tyre. Për Kamynë kjo liri është një formë e revoltës kundër absurditetit të jetës, një mënyrë për të gjetur kuptimin në një botë që shpesh duket të mos ketë asnjë. Dhe kështu, artisti ecën përpara, i shtyrë nga një dëshirë e brendshme për të krijuar, për të gjetur bukurinë në mes të kaosit dhe për ta ndarë këtë bukuri me të tjerët.

Në fund, ndoshta kjo është madhështia e vërtetë e artit: aftësia për të kapur tensionin e përhershëm midis dy ekstremeve, për të gjetur bukurinë në mes të dhimbjes dhe për të krijuar kuptim në një botë që shpesh duket e pakuptimtë. Ky është arti i vërtetë, dhe kjo është liria që ai na ofron – një liri që vjen jo nga shmangia e rrezikut, por nga përballja me të, nga ecja në kreshtën e asaj shpate të mprehtë që ndan bukurinë nga dhimbja, jetën nga vdekja, dhe kuptimin nga absurditeti.

1 16 17 18 19 20 183
Go to Top