Author

Admin - page 80

Admin has 1813 articles published.

VALË-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

VALË-Sueton Zhugri

 

I vogël kam patur frikë
që merimangat
do më hynin në veshë
e do të bënin fole.
I shihja shtëpitë tona të plakura
me mure të plasaritura
si të ngrëna qeni
dhe ngjitur pas tyre
shihja litarët që pillnin gojët e varura
Sot e kësaj dite i ndiej këmbët e
tyre që më bredhin kanaleve të trurit…

Ajo shtëpi ka vdekur tashmë,
gjaku i është derdhur jashtë
pikë pas pike
Dhe sa herë i afrohem
ndjej të njëjtën VALË
Si atëherë kur i afrohesha detit
dhe më bëhej se dëgjoja
zëra të poshtëruarish dhe të rrahurish.

Ligji është kryeneç e i pashkruar me:
“lumturia s’mund të zgjasë.”

Oh, përse gjithçka
është një shkumë përsëritëse,
me sipërfaqen e detit
që shkundet bregut
si çarçafët e bardhë
mbi një shtrat fëmijërie e dashurie…

22.5.2021

Elozh ëndrrave-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Elozh ëndrrave-Wislawa Szymborska

 

Në ëndërr
pikturoj si Vermeer-i.

Flas rrjedhshëm greqisht
dhe jo vetëm me të gjallët.

Ngas makinën,
e cila më bindet.

Kam talent,
shkruaj poezi të mëdha.

Dëgjoj zëra
jo më të këqinj se ata të shenjtorëve autoritarë.

Do habiteshit
nga virtuoziteti im në piano.

Fluturoj ashtu siç duhet,
domethënë; vetëm.

Teksa rrëzohem nga një çati,
di si të bie butësisht në barin e jeshiltë.

Nuk kam asnjë vështirësi
të marr frymë nën ujë.

Nuk ankohem:
arrita ta gjeja Atlantidën.

Jam e kënaqur që di gjithmonë të zgjohem
para se të vdes.

Sapo fillon një luftë
kthehem në anën time të preferuar.

Jam, por nuk e ndiej të nevojshme të jem
një bijë e shekullit.

Ca vite më parë
pashë dy diej.

Dhe pardje një pinguin
me qartësinë më të madhe.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Pse shkruaj?/Ballsor Hoxha

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Ballsor Hoxha.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Ballsor Hoxha

Hapja e lakut të magjepsjes.
Çfarë pyetjeje! Paralizuese. E pafundme, që të mundëson edhe përveshjen për një elaborim sa më të sofistikuar, por aq më keq!, të përpiqesh, ajme, të kumtosh atë që tërë jetën ke dashur ta rrëfesh. Pyetja më kujton një shaka: “Përderisa kishin ndërtuar kompjuterin më të avancuar në botë, kishin vënë njeriun përballë tij për ta testuar. Dhe ky, pa një pa dy, e pyet: ”Ç’ka ka, ç’ka s’ka?” Përnjëherë kompjuterit fillon t’i dalë tym, shkatërrohet, prishet nga pyetja!
Marquez-i në autobiografinë e tij:“Të jetosh për të treguar”, thotë: “Në fund të fundit, e tëra të sjell në atë që njeriu shkruan për t’u pëlqyer më shumë miqve të tij”. Një përgjigje sa e sinqertë po aq edhe e guximshme, e fundme.
Në anën tjetër, Orhan Pamuk-u, në librin e tij “Baullja e babait”, duke kujtuar baullen e stërmbushur të babait të tij me shkrimet, shkrimtarin e dështuar që ishte, flet se, ndër të tjera është përmbushje e dëshirës së babait (gjë paska e ngjashme edhe me jetën e John Updike-s dhe të nënës së tij).
Isha fëmijë, tetë vjeçar, besoni ose jo, kisha probleme, më mundonte shumë përpjekja, angazhimi dhe kotësia e misionit shqiptar përkundër mbretërimit (lexo: opresionit) serb, kudo e kahdo, dhe në çdo gjë. Mësuesja na kishte dhënë për detyrë të lexonim “Heroizmat e Fatbardh pikaloshit”. Dhe, përnjëherë, i magjepsur, isha gjendur i dyzuar me Fatbardh Pikaloshin, ndërsa e ndiqte “armata e dyshave”. Edhe unë isha mbushur përplot me dysha në shkollë. Edhe unë vuaja ankthe. Edhe unë isha pikëlluar dobësie “misionare” e “shqiptare”… lexoja libra komikë, “stripa”, siç i quanim në gjuhën serbe, dhe më pëlqenin; shikoja filma në serbisht që më pëlqenin, etj. dhe merrja dysha.
Por “armata e dyshave që ndiqnin Fatbardhin” ishte shqip. Ishte sinkroni jungian, përderisa e vuaja të njëjtin problem që më kishte kapluar, më kishte vërshuar, më kishte profetizuar në tregimin e “dyshave”. Isha unë. Ishte Fatbardh pikaloshi. Për një kohë nuk e ndaja veten nga Fatbaddhi, Fatbardhin nga unë. Përnjëherë kisha rënë në lakun, në gropën, në hapjen dhe në të çarën e urëzuar përmes ndarjes së përvojës. Më tutje, gjatë leximit, përnjëherë ishte zgjuar Fatbardh pikaloshi nga ëndrra. Përnjëherë isha zgjuar dhe unë nga ëndrra. Përnjëherë, në sinkron (jungian), isha unë ai, ishte ai unë.
“Ç’ka ke, Bali?” (Bali më thërrasin në familjen e prindërve.)
Nëna, në të njëjtën dhomë, duke më parë të harruar në “lektyrën”, duke u zier në vete, duke marrë e dhënë me librin, duke reaguar me duar e këmbë, ndërsa e lexoja “lektyrën”, më kishte pyetur.
Përnjëherë, prapë, ishte vazhdimisht kjo – përnjëherë – isha vetëdijësuar se kishte edhe të tjerë njerëz në dhomë.
“Fatbardh pikaloshin po e ndjekin një armatë e dyshave”, i isha përgjigjur. Pa asnjë kuptim dhe lidhje me atë që doja të komunikoja. Që të kishte logjikë.
Nëna kishte filluar të qeshej me të madhe (lexuese e pasionuar e romaneve të soc-realizmit). Prapë kjo – përnjëherë – prapë njëlloj, herë kthimi, herë rënie, në këtë hapje të rrëfimit, të të ndarit të përvojës. Më pas, në një frymë, si në ankth se do të zhbëhej magjepsja, ia kisha treguar tërë librin, të gjitha ngjarjet dhe të gjithë përjetimin tim. Sigurisht, ende, i dyzuar, në sinkron me Fatbardh Pikaloshin.
Në dy parafrazimet që kam zgjedhur për këtë përgjigje timen, atë të Pamuk-ut dhe Marquez-it, dominon ana egotike e vullnetit dhe e motivit për të shkruar. Jo si narcizëm, as si “will to power”, por si sinqeritet.
Por, përjetimi personal imi, ajo rënia në hapjen e magjepsjes, sinkronia, të qenit i mbuluar në fëmijërinë time nga profetizimi i Bedri Dedjes, gjë që e kam menduar dhe e mendoj, në jetën pas Fatbardh pikaloshit, është tërë ajo që më bën të shkruaj. Të hap, të magjeps, të krijoj atë urëzimin mes meje e tjetrit. Të arrij tjetrin. Të ndajmë së bashku. Të dëgjohemi!
Në këtë, dua të ngreh një problem tejet të rëndë, tragjik dhe të dhembshëm shqiptar. Mungesën e një regjistrimi, të një përvoje, një, qoftë, edhe vizioni të, le të themi, jetës në vitet 1600 të shqiptarëve. Jetës së zakonshme. Jetës së përditshme, gjallërimit dhe preokupimeve të – këtyre njerëzve – që ngjajnë si të huaj, të këputur, të ndarë prej nesh.
Dhe për ta ilustruar në tërësi, tërë përgjigjen time, dhe në këtë problemin e ngrehur, me shumë paskrupullsi ndoshta, po e bashkëngjis një poezi timen në këtë frymë.

Dëgjo, të bën-Ballsor Hoxha

 

1607, le të themi.
Paradite e butë tetori
Dhe pikat e shiut ngadalë
Pikë-pikë ngadalë,
Thellojnë, skulptojnë jashtësinë.
Brenda
Ngjyrat të gjitha janë një.
Zërat, aromat, lëvizjet dhe vizioni
Pluskojnë duke ndjekur tymin.
Dëgjohen një.
Dhe ai kapet për diçkaje,
Diçka që krijohet nga mungesa fizike,
Në mes fëmijëve që ndërtojnë diçka, luajnë,
Gruas që gravuron aromën e bukës,
Babait të përgjithmonshëm të mustaqeve, që bluan
Dhe nënës që thur faqen
Dhe motrave që endin jetën.
Diçka mungon fizikisht.
Dhe tymi, pavetëdije
Mbushur nga valëzimi i ngjyrave
Krijon një vesh
Prekë
2007 le të themi.
Butësi pasditeje tetori dhe shi, që
Durueshëm lan qytetin nga aroma e përgjakur e
eksplozivit.
Veshin rënë
Prapa lavatriçes që di të kalkulojë
Dhe kalkulimit që bën lavatriçen,
Cigaren në dorë në bide,
I huajtur në trupin e vet.
Dhe përnjëherë
Uji nga “ujësjellësi”.
Ndriçimi, lavatriçja duke punuar
Ngjyrat tanimë të kufizuara,
Gjërat,
(Çdo gjë kufizuar në veten e vet)
Nga shpejtësia që rritet vazhdimisht,
Derisa tymi përplaset për tavani.
Së bashku, thonë
Flasin,
Bëjnë dy.

Naim dhe Sami Frashëri për Faik Konicën

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Letër Murat Toptanit

Naim dhe Sami Frashëri  (Fragment)

Drita e syve tanë, Murat bej efendi!
Në letrën që i keni shkruar Mithat beut thoni se letrës sonë, që ju keni dërguar me anë të ambasadës, i jeni përgjigjur po nëpërmjet këtij kanali.

Siç kuptojmë nga letra e Mithatit; në letrën t’uaj, që ka rënë në dorë të Sulltanit, ju jeni përgjigjur në mënyrë negative. Mirëpo duhet të mendoni e ashtu pastaj të na përgjigjeni. S’duhet ta humbim rastin që kemi në dorë dhe s’duhet të mashtrohemi për punë që s’mund të bëhen.
Mbasi keni shkruar njëherë se, ndërsa ishit në Itali, punët i kishit në vijë dhe se mund të kryheshin shumë punë, kemi kuptuar më vonë se shqiptarët e atjeshëm s’punojnë për Shqipërinë, por për Italinë dhe se e keni prerë shpresën prej tyre.
Qëndrimi i Faikut është i dyshimtë. Ai është një erudit, por kundërshtar i rrugës sonë. Dihet se ai i shërben një qëllimi të dëmshëm, që synon shembjen e punëve të realizuara që prej njëzet e pesë vjetësh më parë. Shprehim çudinë e keqardhjen tonë që keni shkuar deri në Bruksel vetëm për t’u takuar me të dhe për të marrë vesh qëndrimin e qëllimet e tij. Kemi parë një letër të këtij zotërie, që ia ka shkruar ambasadorit otoman Bukresh, letër e cila nga ambasada i është dërguar Portës së Lartë e nga kjo Mabejenit (Zyra Sekrete e Pallatit). Nga Mebejeni letra na u tregua ne që të jepnim mendimin tonë për të. Faik beu, me këtë letër kërkonte nga qeveria që t’i jepej leje për ta futur lirisht në Turqi gazetën e tij dhe, kundrejt këtij nderi që do t’i bëhej, i premtonte qeverisë këto shërbime. 1. Të bëhej vegël e mjet që shqiptarët të dërgonin armët. 2. Të prishte alfabetin që është përhapur në Shqipëri. 3. Të orvatej që të mbylleshin shkollat e hapura në Shqipëri dhe që të mos hapen të tjera më vonë 4. Në qoftë se është dëshira e qeverisë që të shkruhet e të mësohet shqipja, të propagandohej përdorimi i gërmave turqisht për shqipen. E një varg tradhtish të tjera, që na kanë ngelur në hatër. Mbas nja dy javesh që pamë këtë letër, erdhi “Albania” që del në Bruksel, me një rrobë të ndryshme prej së parës dhe me një a dy faqe shkruar turqisht. Pra, kuptohet se qenkan marrë vesh në pazarllëk. U kuptua tashti shkaku e arsyeja pse Faiku nuk e pranon alfabetin tonë që zuri rrënjë e u përhap. Duhet të ruhemi fort e fort që të mos bëhemi vegël e intrigave të një njeriu tradhtar e dinak si Faiku dhe t’i ngulim thikën mu në zemër kombit. Ja, ky është identiteti i Faikut.

Dhe Meksi me shokë, që kanë ardhur nga Athina janë tradhtarë. Armiqtë e kombit tonë prej kohësh, përpiqeshin të na mbushnin mendjen e të na gënjenin se gjuha shqipe është një gjuhë e prishur e trashamane, nuk shkruhet e nuk mund të shkruhet, s’ka gramatikë, shkencat nuk mësohen me të, e të tjera. Por në fund e panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj. U hartua gramatika. U shtypën librat e shkencës. U përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja.
Thoshnin se shkrimet tona s’i pranon askush. Por pamë se myslimanë, kristianë, ortodoksë, të gjithë i pranuan. Shqipja filloi të shkruhet e të këndohet anekënd Shqipërisë. Shkrimet e saj u përhapën. U çelën shkolla. Armiqtë tanë kërkojnë ta pengojnë këtë lëvizje një orë e më parë, që ta shembin ndërtesën që u ngrit dhe t’i shkulin drurët që lëshuan rrënjë. Për t’ia arritur këtij qëllimi armiqtë tanë s’po lënë gur pa luajtur. Pra për të thënë se shqipja s’bën, nuk ua vë kush veshin. Duan të futin në radhët tona disa njerëz që, duke u shtirur si patriotë të zellshëm, do ta quajnë si detyrë të vetën për të thënë andej-këtej se këto germa s’vlejnë, se ato duhen prishur e ndërruar, kështu, po t’ia arrijnë një herë që ta prishin letërsinë tonë, tashmë të rrënjosur, ta shkulin pemën që ka lëshuar rrënjë thellë, pema që mendojnë të mbjellin ata zë apo nuk zë, e për më tepër e dinë fort mirë se shqiptarët duke e ndërruar dita-ditës alfabetin, do të mërziten në fund të fundit dhe do të shporren pa mundur ta zëvendësojnë këtë alfabet me një tjetër. Gjithë përpjekja e tyre këtu synon. Këtë qëllim ka dhe Faiku. Këtë qëllim ndjek dhe “Ylli i Shqipërisë” që del në Bukuresht. Shkurt, në këtë hulli po punojnë armiqtë tanë. Prandaj të hapim sytë e të mos na mashtrojnë fjalët e tyre. Sepse të gjithë veprojnë sipas instruksioneve të Athinës e vendeve të tjera. Biri ynë! Jeni edhe i ri e gënjeheni shpejt. A e mbani mend kur prej Brukselit na shkruanit se Roçildi do ta shpëtojë Shqipërinë? Më vonë nuk na shkruat më. E ç”mund të bënte Roçildi për Shqipërinë? Shumë shumë një lëmoshë 100-200 lirash e asgjë tjetër.

Evropa ka vendosur autonominë e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Madje i ka bërë një notë Portës së Lartë. Në mars do të kryhet kjo punë. S’duhet që tani t’i hedhim ujë të ftohtë gjellës së gatuar. T’i lëmë gjërat të përfundojnë. Sepse një lëvizje jona prish punë. Epiqendra e këtyre punëve sot është Stambolli. Jo Bukureshti, Brukseli ose ndonjë vend tjetër.

Bashkëlidhur ju dërgojmë letrën që kemi marrë nga Asija.

Përshëndetje e të fala të gjithëve!

Naim, Sami

8 Janar, 1899

Poezia e Szymborska-s në tavolinën time/DANA STEVENS

in Letërsi by

Edhe njohuritë e saj rreth përkohshmërisë së ekzistencës njerëzore, ndonjëherë mund të tingëllojnë pothuajse gazmore

     DANA STEVENS

  Përktheu: Arlinda Guma

Për më shumë se shtatë vjet, që kur e grisa atë nga një botim i dhjetorit të vitit 2004 të revistes “The New Yorker“, unë kam pasur të njëjtën poezi të Wislawa Szymborska-s ngjitur në tavolinën time.
Është kjo:

ABC

Unë tani nuk do të mundem kurrë ta zbuloj
Çfarë mendoi A. për mua.
Nëse B. arriti të më falte në fund.
Pse C. u shtir sikur gjithçka ishte në rregull.
Çfarë roli luajti D. në heshtjen e E.
Çfarë priste F., nëse kishte pritur ndonjë gjë.
Pse G. e harroi kur e dinte aq mirë.
Çfarë H. duhej të fshihte.
Çfarë I. donte të shtonte.
Nëse prania ime kishte kuptim
për J. dhe K. dhe pjesën tjetër të alfabetit.

Asnjëherë nuk lodhem nga thjeshtësia dhe kompleksiteti i njëkohshëm i kësaj poezie të vogël e të përsosur, nga mënyra sesi personifikimi i saj i gjallë i alfabetit, bashkëjeton me një meditim të mprehtë mbi historitë e pafundme e të pazgjidhura që përmban secila jetë e fundme njerëzore.
Ashtu si shumë nga poezitë e Szymborska-s (dhe nuk mund të pretendoj ta njoh mirë punën e saj; unë kam lexuar vetëm një antologji, “Pamje me një kokërr rëre”, përkthyer nga polonishtja nga Stanislaw Baranczak dhe Clare Cavanagh, si dhe poezi si kjo, që u publikua në revistën që lexova), “ABC” është një poezi çuditërisht e përshtatshme për t’u rilexuar me rastin e vdekjes së Szymborska-s, në shtëpinë e saj në Krakov, në moshën 88 vjeç.
Për çfarëdolloj gjëje tjetër për të cilën flasin poezitë e Szymborska-s (një skelet dinosauri, disa gjëra antike të para në një muze, një mace e paaftë të kuptojë pse pronari i saj është zhdukur), ato kanë të bëjnë pothuajse gjithmonë edhe me vdekjen, papërhershmërinë dhe kalimin e kohës. E megjithatë zëri i saj nuk mund të ishte më pak argëtues, melodramatik apo serioz me veten. Edhe njohuritë e saj rreth përkohshmërisë së ekzistencës njerëzore, ndonjëherë mund të tingëllojnë pothuajse gazmore. Në “Pafundin e argëtimit”, një poezi e shkruar nga këndvështrimi i perëndive që shikojnë me një dashuri zbavitëse në jetën njerëzore, ajo shkruan: “Vazhdoni, pra, edhe pse vetëm për një çast/aq sa i duhet një galaktike të vockël për të pulitur sytë! “
Puna e Szymborska-s është kthjelltësisht, shkëlqyeshëm argëtuese, me një sy të mprehtë për detajet e kësaj bote të jetës së përditshme; mbase kjo për shkak se ajo e ndjeu kalimin e kohës aq fort sa vuri re aq shumë dhe e regjistroi atë me aq saktësi dhe kënaqësi në dukje. Në poezinë “Panairi i Mrekullive” (gjithashtu titulli i një koleksioni të përkthyer nga Joanna Trzeciak) Szymborska shënon një listë të mrekullive të nënvlerësuara “të mullirit”: “një mrekulli minus cilindrin dhe pikat: /shpërhap pëllumbat e bardhë.” Poezia e saj ka të njëjtin kombinim paradoksal të mbingarkesës dhe thjeshtësisë.
Për herë të parë kam dëgjuar për Szymborska-n kur ajo fitoi çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1996 dhe e lexova vetëm me ndërprerje pas kësaj, megjithë vendin e nderit që zë poezia “ABC” në hapësirën time të punës (për një vlerësim më të plotë të punës së saj, unë do të rekomandoja përkujtimin e bukur të Adam Gopnik-ut në faqen e The New Yorker-it). Por një pasdite, verën e shkuar, u gjenda në seksionin e poezive të Librarisë Moe në Berkeley, papritmas e shpuar tej për tej nga zëri i saj unik poetik; çdo poezi që shfletova rastësisht, dukej më e fuqishme dhe e ndërtuar më me përpikmëri se e fundit. Falë shkrimit të shkëlqyer të Boston Globe-t, tani e di që Szymborska shkroi edhe një kolonë të famshme në një gazetë polake për dekada – titulli i saj karakteristikisht modest: “Lexim jo i domosdoshëm”, është edhe emri i një koleksioni të përkthyer të prozës së saj gazetareske, që mezi pres te lexoj.
Unë nuk mund të flas për J.-në apo K.-në apo për pjesën tjetër të alfabetit, por qëndrimi i shkurtër i Wislawa Szymborska-s në planet, patjetër që i tha diçka D.-së.

Marrë nga: The New Yorker

Përkthimi: © Arlinda Guma

Kukullat në pushim-Martin Camaj

in Letërsi/Tharm by

Kukullat në pushim-Martin Camaj

 

– Motiv për një pikturë naive –

Në visin në mjedis malit e qytetit
âshtë vetëm një teatër kukullash.
Gjatë ditëve të javës dalin heret
me tesha të lulme në ballkon
e rreziten në diell.

Mbasdite enden dora-dorë
kopshtijeve rreth pëllazit të vèt.
Me shputa kambësh gjigante e të lehta
si vesa
mbulojnë mbarë dhenë.

Po në muzg, kur shkelin ato kryevogla
nuk del mâ bár.

Martin Camaj i ende i pazbuluem-Hans-Joachim Lanksch/Fragment nga libri

in Letërsi by

Hans-Joachim Lanksch

Mâ shumë se ndamja prej vendlindjes atë e dëshpëronte fati i poezive të tij. Në periudhën e “kthesës” në Shqipëri ai tha: “Në Shqipëri kanë filluar të interesohen për poezitë e mia”. Ky interesim e gëzonte dhe e turbullonte. “Nuk e di nëse ishte mâ mirë kur poezitë e mia ishin të ndalueme. Tash të gjithë munden me i lexue ato. Dhe kanë me fillue me i interpretue”. Ai i urrente interpretimet e poezive të tij, sidomos ata që u veshnin atyne nuanca politike.

Në nji prej poezive të tij bâhet fjalë për një kukull me nji pê të kuq në qafë, tek nji monument herët në mëngjes. Nji interpretues shkruente: “Peri i kuq është komunizmi”. Martin Camaj u zemërue dhe tha, shkurt e prerë, siç e kishte zakon: “Peni i kuq âsht nji pê i kuq”.

Martin Camaj nuk ishte nji poet politik. Ai ka shkrue shumë pak poezi me tematikë politike. Në to ai nuk pozicionohet por merret me temën e dhunës. Ai ishte nji njeri fund e krye paqësor. Për vite me radhë ai vinte çdo javë tek unë-edhe kjo asht tipike për Martin Camajn: profesori dhe mësuesi shkon tek nxanënësi-dhe nuk ka pasur asnjiherë grindje! Camaj nuk i ka thurur lavde komunizmit si shumë të tjerë, dhe nuk ka shkrue poezina urrejtjeje ndaj komunizmit si shumë të tjerë.

Camaj nuk ka kenë nji poet kombtar, lirika e tij përfshin tema psikologjike dhe filozofike. Ai ban pjesë tek ato raste të jashtëzakonshne lirikësh shqiptarë, të cilët, si Lasgush Poradeci, nuk i thurin vargje tematikës kolektive kombtare, por trajtojnë tema individuale dhe universale e në të njëjtën kohë tue mbetë në mënyrë imanente e të pashembullt autorë shqiptarë.

Në mbyllje edhe diçka në lidhje me klishenë që e konsideron Camajn si nji tradicionalist të vjetruem dhe poet idilik atdhetar. Tue futë vargun e lirë, shkallën e naltë të abstraksionit dhe të simbolikës, Martin Camaj-bashkë me Zef Zorbën-ishte i pari poet modern në letërsinë shqiptare.

Tue u mbështetë mbi inventarin tradicional-mbi metrikën e kangëve popullore shqiptare dhe mbi koloritin e pejsazhit malor shqiptar- Camaj shkroi lirikë moderne. Në poezitë e tij nuk gjen vetëm koloritin e malit dhe të shkambit, por edhe një spektër të gjanë motivesh dhe temash, që nga kanuni e deri tek ambienti urban.

Natyra dhe pejsazhi në poezitë e Camajt, me disa përjashtime të pakta, janë kërcënuese. Vargjet e Fatis Arapit, i cili gjithashtu asht shkëputë prej vargut të rimuem, të ftojnë të shtriqesh në detin Jon të poezive të tij të bukura. Në pjesën dërrmuese të poezive të Camajt mbi natyrën nuk ka rehati. Apo do të kërkonit prehje nëpër Qafa malesh përreth/të mbylluna me dhambë uhqish/n’jerm?

Botuar nga Shtëpia Botuese “Albas”.

Nga lajmet e mbrëmjes-Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tharm by

Nga lajmet e mbrëmjes-Arlinda Guma

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“Izraeli sulmoi sërish Palestinën…”

Nënat palestineze, i shkëmbyen sot foshnjat e tyre,
me foshnjat e nënave të lagjeve të tjera… disa shënjestra më larg,
të mos shuhen të gjithë
nëse bombardohet shtëpia…

kush ka më shumë fëmijë,
i shpërndan në sa më shumë shtëpi…

Me ç’formulë e caktojnë nënat palestineze
cili nga bijtë do të rrijë e cili do të largohet?
Ç’mekanizëm punon në mendjet e tyre ato çaste,
që gjithë matematicienët e botës nuk do ta gjenin dot…
ndërsa shënjestra e armëve
nuk u largohet foshnjave prej tëmthave të butë…

Po nënat izraelite, ç’formulë propabiliteti zbatojnë?…
Para tyre, vetë Ajnashtajni do të ngrinte duart lart i dorëzuar…

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“E vërteta e divorcit të Bill Gates-it…”
“Katër ushtrime për të patur të pasme të hatashme…”

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“E drejta e popullit izraelit për t’u vetëmbrojtur…”
Dhe ja, flamurin e kombit tim e kanë rreshtuar sërish kah më të fortit…
sepse… peshqit duhet të migrojnë me delfinët për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…

Pas bombardimit,
një vogëlushe vrapon
duke qarë
e duke shtrënguar në kraharor një fletore vizatimi të shqyer…

Pas bombardimit,
“Benjamin Netanyahu falënderon aleatët…
“E drejta e kombit izraelit për t’u vetëmbrojtur…” (nga fletoret e vizatimit…)

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“E drejta e kombit izraelit për t’u vetëmbr…”
“Studiuesit ngrenë alarmin:
Po plaket popullsia e planetit…”

foshnjat refuzojnë të vijnë në jetë,
në një botë që ua bombardon fletoret e vizatimit…

19 Maj, 2021

______

Kushtuar nënave të vendeve në  luftë…

©Arlinda Guma

Botuar në revistën greke “Teflon”.

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Ora katër e mëngjesit-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Ora katër e mëngjesit-Wislawa Szymborska

 

Ora nga nata në ditë.
Ora e përpëlitjes nga njëri krah në tjetrin.
Ora e atyre që i kanë kaluar të tridhjetat.

Ora e caktuar për këngën e gjelave.
Ora kur toka na mohon.
Ora kur fryn erë prej yjeve të shuar.
Ora e kushedi-nëse-do të mbetet-diçka-nga-ne.

Ora e zbrazët.
E shurdhët, e kotë

Fundi i çdo ore tjetër.

Askush nuk ndihet mirë në orën katër të mëngjesit.
Nëse milingonat ndihen mirë në katër të mëngjesit,
– tri brohoritje për to. Dhe arrifshim
orën pesë,
po qe se do vazhdojmë të jetojmë.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Fragment nga libri “Ç’është kinemaja?”-Andre Bazin

in Kinema by

ONTOLOGJIA E IMAZHIT FOTOGRAFIK

       Andre Bazin

Psikoanaliza e arteve plastike mund ta konsideronte praktikën e balsamimit si një fakt themelues të ngjizjes së këtyre arteve. Në origjinën e pikturës dhe skulpturës do të gjente “kompleksin” e mumies. E drejtuar e tëra kundër vdekjes, feja egjiptiane e vinte mbijetesën nën varësinë e përjetësisë materiale të trupit. Kënaqte kësisoj një nevojë themelore të psikologjisë njerëzore: mbrojtjen prej kohës. Vdekja nuk është gjë tjetër veçse triumfi i kohës. Duke ia fiksuar artificialisht dukjet mishtore, e shkëpuste qenien prej lumit të kohësisë: ia ngjishte jetës. Bëhej e natyrshme t’i shpëtoje këto dukje qoftë dhe tek vetë i vdekuri, në mishin dhe eshtrat e tij. Statuja e parë egjiptiane ishte ajo e njeriut lëkurëregjur dhe ngurtësuar në karbonat natriumi. Por piramida dhe labirintet nuk ishin garanci e mjaftueshme kundër dhunimeve të mundshme të varrit; duhet të merreshin masa të tjera kundër rastësisë, të shumëfishoheshin mundësitë e ruajtjes. Ndaj dhe vendoseshin pranë sarkofagut, bashkë me miellin që do t’i shërbente si ushqim të vdekurit, statuja balte, lloj mumiesh zëvendësuese në rast se trupi shkatërrohej. Kështu zbulohet në vetë origjinat fetare të statujës funksioni i saj fillimor: ta shpëtosh qenien përmes dukjes. Dhe, pa dyshim, mund të merret si aspekt i të njëjtit projekt, sipas modalitetit të tij aktiv, ariu prej argjili i dendur me shigjeta në shpellën parahistorike, zëvendësues magjik i njësuar me bishën e gjallë që i jep mbarësi gjuetisë.
Është e qartë se evolucioni paralel i arteve dhe qytetërimit i çliroi artet plastike prej këtyre funksioneve magjikë (Luigji XIV nuk balsamoset: ai mjaftohet me portretin që i përgatit Lebrun). Por ky evolucion vetëm sublimon në dobi të një mendimi logjik nevojën e pashtershme për ta qëruar kohën. Nuk besohet më në identitetin ontologjik mes modelit dhe portretit, por pranohet që i dyti na ndih të kujtojmë të parin, pra ta shpëtojmë nga një vdekje e dytë shpirtërore. Fabrikimi i imazhit u çlirua edhe nga çdo utilitarizëm antropocentrik. Nuk bëhet më fjalë për mbijetesën e njeriut, por, më përgjithësisht, për krijimin e një universi ideal me imazh realiteti dhe i pajisur me një fat kohor autonom. “Ç’fodullëk është piktura” po nuk shquam nën admirimin tonë absurd nevojën tonë primitive për ta mposhtur kohën përmes jetëgjatësisë së formës! Nëse historia e arteve plastike nuk është vetëm ajo e estetikës së tyre, por së pari ajo e psikologjisë së tyre, atëherë ajo mbetet të jetë thjesht histori e ngjashmërisë, ose po të duam, ajo e realizmit.

Të vendosura në këtë perspektivë sociologjike, fotografia dhe kinemaja e shpjegojnë krejt natyrshëm krizën e madhe shpirtërore dhe teknike të pikturës moderne që zë fill në mesin e shekullit XIX. Është e vërtetë se piktura universale realizoi ekuilibra të larmishëm mes simbolizmit dhe realizmit të formave, por në shekullin e XV piktori perëndimor nisi t’i shmangej merakut të vetëm kryesor të realitetit shpirtëror të shprehur me mjete autonome me qëllim që të kombinonte shprehjen me imitimin pak a shumë të plotë të botës së jashtme. Pa dyshim, ngjarja vendimtare qe shpikja e sistemit të parë shkencor dhe, në njëfarë mënyre, tashmë mekanik: perspektiva (dhoma e errët e Da Vinçit parafiguronte atë të Niepces). I lejonte artistit të krijonte iluzionin e një hapësire me tri dimensione ku objektet mund të vendosen tamam si në perceptimin tonë direkt. Këtej e tutje piktura u shkapërda mes dy aspiratash: njëra mirfilli estetike – shprehje e realiteteve shpirtërorë ku modeli gjendet i transhenduar prej simbolizmit të formës –, tjetra që është vetëm dëshirë psikologjike për të zëvendësuar botën e jashtme me kopjen e saj. Kjo nevojë iluzioni, tek rritej me shpejtësi, përpiu pak nga pak artet plastike. Megjithatë, duke qenë se perspektiva zgjidhi vetëm problemin e formës dhe jo atë të lëvizjes, realizmit iu desh të përzgjatej natyrshëm me kërkimin e shprehjes dramatike brenda çastit, soj dimensioni i katërt, i aftë të sugjeronte jetë në palëvizshmërinë e torturuar të artit barok.
Sigurisht që artistët e mëdhenj e realizuan sintezën e këtyre dy prirjeve: i hierarkizuan ato duke dominuar realitetin dhe duke e përthithur në art. Por mbetemi në prani të dy fenomeneve thelbësisht të dallueshëm, të cilët një kritikë objektive di t’i ndajë për të kuptuar evolucionin pikturor. Nevoja e iluzionit nuk resht së punuari pikturën së brendshmi që prej shekullit XVI. Nevojë krejt mendore, në vetvete inestetike, që do t’ia gjenim zanafillën vetëm në mendësinë magjike, por që si nevojë efikase prodhon megjithatë një tërheqje që e çorganizon thellësisht ekuilibrin e arteve plastike.
Konflikti i realizmit në art procedon prej këtij keqkuptimi, prej konfuzionit mes estetikës dhe psikologjisë, mes realizmit të vërtetë, që është nevoja e shprehjes njëherësh konkrete dhe thelbësore e botës, dhe pseudorealizmit të trompe-l’oeil (ose të mashtrimit të shpirtit, trompe-l’esprit) që kënaqet me iluzionin e formave. Ja përse, për shembull, arti mesjetar nuk duket se e përvuan këtë konflikt: njëherësh dhunshëm realist dhe lartësisht shpirtëror, nuk e njeh atë dramë që zbuluan më pas mundësitë teknike. Perspektiva ishte mëkati zanafillor i pikturës perëndimore.

Niepce dhe iluministët qenë shëlbyesit. Duke përmbyllur barokun, fotografia çliroi artet plastike prej manisë së tyre për ngjashmëri. Sepse piktura përpiqej në fund të fundit më kot të na jepte iluzion, iluzion që i mjaftonte artit, ndërkohë që fotografia dhe kinemaja janë zbulimet që kënaqin përfundimisht dhe në vetë thelbin e tij maninë e realizmit. Sado i aftë të ishte piktori, vepra e tij mbetej gjithnjë hipotetike nga fakti i një subjektiviteti të pashmangshëm. Për shkak të pranisë së njeriut dyshimi binte mbi imazhin. Ndaj dhe fenomeni thelbësor, në kalimin nga piktura baroke te fotografia, nuk qëndron në përsosjen e thjeshtë materiale (fotografia do të mbetet për shumë kohë e ulët përpara pikturës për sa i përket imitimit të ngjyrave), po në një fakt psikologjik: ngopja e plotë e urisë sonë për iluzion falë riprodhimit mekanik prej të cilit përjashtohet njeriu. Zgjidhja nuk qëndronte tek rezultati, por tek origjina.
Për këtë arsye konflikti i stilit dhe ngjashmërisë është një fenomen relativisht modern, gjurmët e të cilit nuk i gjejmë aspak në shpikjen e pllakës së ndjeshme. Duket qartë se objektiviteti i habitshëm i Chardinit nuk i përket aspak fotografit. Vetëm në shekullin XIX fillon me të vërtetë kriza e realizmit, krizë që ka për mit sot Pikason dhe që do të rihedhë në diskutim njëherazi kushtet e ekzistencës formale të arteve plastike dhe themelet e tyre sociologjikë. I çliruar nga kompleksi i ngjashmërisë, piktori modern ia lë popullit ta njësojë këtej e tutje ngjashmërinë nga njëra anë me fotografinë dhe nga ana tjetër me atë pikturë që vazhdon të merret me ngjashmërinë.

Origjinaliteti i fotografisë në lidhje me pikturën qëndron pra në objektivitetin e saj thelbësor. Aq sa grupi i thjerrëzave që përbën syrin fotografik, zëvendësues i syrit njerëzor, merr emrin “objektiv”. Për herë të parë, mes objektit fillestar dhe përfytyrimit të tij, nuk vendoset asgjë tjetër veçse një tjetër objekt. Për herë të parë imazhi i botës së jashtme formohet automatikisht pa ndërhyrjen krijuese të njeriut, por prej një determinizmi të ashpër. Personaliteti i fotografit hyn në lojë vetëm për zgjedhjen, orientimin, pedagogjinë e fenomenit: sado i dukshëm në veprën përfundimtare, ai nuk figuron si personaliteti i piktorit në veprën e pikturës. Të gjithë artet themelohen prej pranisë së njeriut: vetëm te fotografia ne kënaqemi prej mungesës së tij. Kjo mungesë ndjehet prej nesh si një fenomen “natyror”, si lulja apo kristali i borës tek të cilët s’mund të ndash bukurinë prej origjinave vegjetale apo telurike.
Kjo ngjizje automatike e tronditi rrënjësisht psikologjinë e imazhit. Objektiviteti i fotografisë i autorizon një fuqi besueshmërie që i mungon çdo vepre pikturore. Cilatdo qofshin kundërshtitë e shpirtit tonë kritik, jemi të detyruar të besojmë ekzistencën e objektit të paraqitur, efektivisht të para-qitur, domethënë i bërë i pranishëm në kohë dhe hapësirë. Fotografia gëzon transfertën e realitetit nga gjëja te riprodhimi i saj. Vizatimi më besnik mund të na japë më tepër informacione mbi modelin, por nuk do të zotërojë kurrë, megjithë shpirtin tonë kritik, pushtetin irracional të fotografisë që fiton besimin tonë. Pra piktura mbetet kështu vetëm një teknikë inferiore e ngjashmërisë, një ersatz i procedurave të riprodhimit. Vetëm objektivi na jep për objektin një imazh të aftë të “çndrydhë” prej thellësisë së pavetëdijes sonë nevojën për ta zëvendësuar objektin me kalk më të mirë se përafrimi: vetë objektin, por ta çliruar prej kërkesave të kohës. Imazhi mund të jetë i paqartë, i shformuar, i çngjyrosur, pa vlerë dokumentare, por rrjedh sajë vetë ngjizjes së vet nga ontologjia e modelit; ai është modeli. Prej ku dhe joshja e fotografive të albumit. Hije gri ose sepie, fantomatike, pothuaj të palexueshme, nuk janë më portretet familjarë tradicionalë, të jetëve të ndalura në kohësitë e tyre, të çliruar prej fateve të tyre, jo falë prestigjit të artit, por prej virtytit të një mekanike gjakftohtë; sepse fotografia nuk krijon përjetësi si arti, ajo e balsamos kohën, ia heq kohën vetëm shprishjes së saj.

Nga kjo perspektivë kinemaja duket si përmbyllja në kohë e objektivitetit fotografik. Filmi nuk mjaftohet më të ruajë objektin e rrëmbyer prej çastit të tij, ashtu siç ruhet trupi në qelibar, i paprekur prej insekteve të një kohe të shkuar. Ai e çliron artin barok prej ngërçit muskulor. Për herë të parë imazhi i gjërave është dhe ai i kohërrjedhjes së gjërave, mumifikim i ndryshimit të tyre.
Kategoritë e ngjashmërisë që specifikojnë imazhin fotografik përcaktojnë gjithashtu dhe estetikën e tij në lidhje me pikturën. Virtualitetet estetikë të fotografisë qëndrojnë në zbulimin e realitetit. Shqimi në stofin e botës së jashtme, i reflektimit në trotuarin e lagur apo i gjestit të fëmijës, nuk vareshin nga unë; vetëm ftohtësia e objektivit, tek e zhvesh objektin nga zakonet dhe paragjykimet, nga gjithë lyra shpirtërore me të cilën pështillej perceptimi im, mund ta kthente objktin të virgjër në vëmendjen time, me këtë rast dhe në dashurinë time. Mbi fotografinë, imazh natyror i një bote që as nuk e dinim dhe as nuk mund ta shihnim, natyra më në fund bën më tepër se imitim arti: ajo imiton artistin.
Madje, mund ta tejkalojë në fuqi krijuese. Universi estetik i piktorit është i tjetër natyre nga ajo e universit që e rrethon. Kuadri mbërthen një mikrokozmos substancialisht dhe thelbësisht të dallueshëm. Përkundrazi, ekzistenca e objektit fotografik merr pjesë në ekzistencën e modelit si gjurmë gishtash. Kështu që ajo i shtohet realisht krijimit natyror në vend që ta zëvendësojë me një tjetër.
Surrealizmi e kishte ndjerë kur kishte nevojë për xhelatinën e pllakës së ndjeshme për të realizuar teratologjinë e tij plastike. Sepse për surrealizmin qëllimi estetik është i pandashëm prej ndikimit mekanik të imazhit mbi shpirtin tonë. Dallimi logjik midis imagjinares dhe reales priret për nga zhdukja. Çdo imazh duhet të ndjehet si objekt dhe çdo objekt duhet të ndihet si imazh. Fotografia përbënte pra një teknikë të privilegjuar të krijimit surrealist sepse realizonte një imazh që merrte pjesë në natyrë: një halucinacion të vërtetë. Përdorimi i trompe-l’oeil dhe saktësia e hollësishme e detajeve në pikturën surrealiste është dhe konfirmim i dytë.
Fotografia shfaqet pra si ngjarja më e rëndësishme e historisë së arteve plastike. Njëherazi çlirim dhe përmbushje, ajo i lejoi pikturës perëndimore të qetohet përfundimisht nga mania realiste dhe të rigjejë autonominë e vet estetike. “Realizmi” impresionist, me alibitë shkencore, shkon në të kundërt të trompe-l’oeil. Ngjyra nuk mund ta përpinte më formën, për sa që kjo e fundit nuk kishte më asnjë rëndësi për imitimin. Dhe kur te Cezanne forma do ta rizotërojë telajon, kjo gjë nuk do të ndodhë më sipas gjeometrisë iluzioniste të perspektivës. Duke iu kundërvënë pikturës me një forcë që kapte, përtej ngjashmërisë baroke, identitetin e modelit, imazhi mekanik e detyronte të kthehej në objekt.
Në fodullëk kthehet këtej e tutje dhe dënimi paskaljan, pasi fotografia na lejon të admirojmë origjinalin në riprodhimin e tij, gjë që sytë tanë s’do të kishin ditur ta dashuronin, dhe të admirojmë tek piktura një objekt të kulluar, të cilit i ka reshtur aftësia për të gjetur arsyen e vet te referenca e natyrës.

Nga ana tjetër kinemaja është gjuhë.

Përktheu: Elvis Hoxha

Zenit Editions

1 78 79 80 81 82 182
Go to Top