Njeriu që kujdeset kopshtin e famshëm të Monet-së/Casey Lesser

in Pikturë by

Casey Lesser

Çdo vit, nga fundi i marsit deri në fillim të nëntorit, më shumë se 500,000 njerëz udhëtojnë për në Giverny, Francë, për të vizituar një vend që e kanë parë kryesisht në piktura. Ata mbërrijnë për të parë një shtëpi ferme rozë, simpatike, me grila jeshile smeraldi, e vendosur mes shtretërish të shkëlqyer lulesh, që mbushen me tulipanë, livando ose luledielli, në varësi të stinës. Ata ndjekin shenjat drejt një tuneli dhe drejtohen në një oaz me shelgje që lotojnë dhe me kërcej bambuje, ku mund të ecin përgjatë një pellgu të mbushur me zambakë uji, përpara se të kalojnë një urë këmbësore të njohur japoneze të veshur me wisteria.


Më shumë se thjesht frymëzim idilik dhe studio e hapur pas disa prej pikturave më të famshme në botë, kopshti i Claude Monet-së në Giverny është kuptuar prej kohësh si një vepër totale arti e mëvetshne. (Në vitin 1907, Marsel Proust-i shkroi në një esé se Giverny ishte një “transpozim arti”.)
Sot, shtëpia dhe kopshti i mjeshtrit impresionist—ku ai jetoi dhe punoi pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të jetës së tij—janë një vend pelegrinazhi jo vetëm për artdashësit, por edhe për adhuruesit e botanikës, për turistët dhe për të varurit nga lakmia. Kohët e fundit, më 10 korrik, Jean-Yves Le Drian, Ministri francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, njoftoi se vendi do të ishte kandidat për një përcaktim të sitit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Kjo arritje i detyrohet jo pak Gilbert Vahé-së, kryekopshtari të Giverny-t. Në një pasdite të freskët korriku, e takova Vahé-në në kopshtin e Monet-së. I dobët dhe me syze, ai ka një kapele të thjeshtë kashte, këmishë polo dhe këpucë lëkure. Thonjtë e tij, të mbështjellë me dhé, janë të vetmet të dhëna që japin ekspertizën e tij—ndonëse pak pasi jemi prezantuar, ndërsa kalojmë pranë një morie vizitorësh për të arritur në një vend relativisht të qetë për të biseduar, ai fillon të shohë me sy kritik disa lule irisi aty pranë


Vahé-ja ka punuar në kopshte për rreth 35 vjet, nga viti 1977 deri në 2011 – kohë pas së cilës doli në pension përkohësisht – dhe që nga 1 Janari 2017 kur ai rifilloi pozicionin e tij si kryekopshtar pas largimit të anglezit James Priest, i cili shërbeu në këtë rol për gjashtë vitet e fundit. Vahé-ja jeton në vendin fqinj, ku ruan kopshtin e tij – që është një pamje më vete, shpesh duke i ndalur turistët në rrugën e tyre për në shtëpinë e Monet-së.
Ndërsa ecim nëpër Clos Normand—kopshti kryesor pranë shtëpisë së dikurshme të Monet-së që zë gati një hektar tokë— vendosemi në një vend të vogël me guralecë, të veshur me tre stola të lakuar, të cilët janë projektuar nga Monet-ja.
Posti i Vahé-së në Giverny filloi me restaurimin e kopshteut në vitin 1977. Ndërsa Michel Monet, djali i artistit, ia kishte lënë pronën Académie des Beaux-Arts të Parisit pas vdekjes së tij në vitin 1966, me synimin që ajo të bëhej muze, ajo mbeti e paprekur për një dekadë.
Një nismë për ta ringjallur kopshtin u materializua përfundimisht falë filantropistit dhe kuratorit francez Gérald Van der Kemp, i cili njihet gjithashtu për kryesimin e restaurimit të Pallatit të Versajës dhe që do të bëhej drejtori dhe kuratori i parë në Giverny. Në vitin 1970, ai krijoi Fondacionin e Versajës në New York, i cili u mbështet nga klientët amerikanë dhe gjithashtu do të financonte Giverny-n. Por vetëm pas një takimi të mbarë me Vahé-në, kopshtet filluan të merrnin formë.
Vahé-ja lindi rreth 30 kilometra larg Giverny-t, në një qytet në juglindje të Parisit dhe ndoqi një karrierë në hortikulturë në Ecole Nationale Supérieure d’Horticulture në Versajë, me synimin për t’u bërë specialist orkidesh. Ai përfundimisht do të krijonte biznesin e tij të peizazhit në vend të kësaj dhe pikërisht pasi mbylli atë sipërmarrje – kur u lodh duke u marrë me financat dhe klientët – u njoh me Van der Kemp-in.


Drejtuesi i shkollës në Versajë i lidhi të dy burrat, duke e ditur se Vahé-ja kishte nevojë për punë dhe Van der Kemp-i po kërkonte një kopshtar të aftë.
Vahé-ja beson se puna ishte fati i tij, duke pranuar se ai kurrë (“Jamais!”) nuk e imagjinonte të kishte një punë të tillë kur zgjodhi fushën e tij të studimit.
Ai kujton se në atë kohë, në vitin 1976, kopshti i Monet-së ishte kryesisht i panjohur në Francë, me përjashtim të qarqeve intelektuale; madje edhe në qytetin më të afërt të Vernon-it, vetëm gjashtë kilometra larg, dyqanxhinjtë nuk ishin në dijeni se artisti i famshëm kishte jetuar atje. (Sot, vizitorët mbërrijnë me turma në stacionin hekurudhor të Vernon-it, përpara se të nisen për në Giverny.) Taksiistët në New York, thotë me shaka ai, kishin më shumë gjasa të dinin për restaurimin e Van der Kemp-it.
Procesi i rivitalizimit të kopshtit ishte i ngadaltë, zgjati katër vite të gjatë. Vahé-ja punoi së bashku me një ekip kopshtarësh të tjerë, duke përfshirë një që kishte punuar së bashku me vetë Monet,-në, ndërsa Van der Kemp-i kreu kërkime që do të ndihmonin për të përcaktuar se çfarë duhej të mbillej dhe ku. Asnjë nga bimët nga koha e Monet-së nuk kishte mbijetuar dhe toka ishte e tejmbushur me bar dhe me barëra të këqija.
Ata morën shënime nga letrat e artistit, rrëfimet gojore nga të afërmit, fotografiitë dhe sigurisht pikturat, për të rikrijuar kopshtin legjendar që Monet-ja kishte sjellë në jetë.
Megjithëse Van der Kemp-i ndahej nga artisti nga disa breza, Vahé-ja vëren se ai ishte i përshtatshëm për ta udhëhequr restaurimin. Van der Kemp-i ishte vetë piktor dhe kopshtar, dhe ai kishte lidhje të mira, si dhe lëvizte në qarqet në Paris që nuk ishin aq larg nga ato me të cilat Monet-ja ishte angazhuar dekada më parë.
Monet-ja e kishte blerë shtëpinë në fermë dhe tokën e saj në vitin 1883, pasi e hasi gjatë një shëtitjeje, dhe më vonë i shkëmbeu përgjithmonë rrugët e Parisit me kodrat e Normandisë. Pasi e përshtati shtëpinë sipas nevojave të tij – duke i lyer muret e saj në nuancat blu dhe të verdhë, duke ngritur një studio dhe duke e përshtatur me koleksionin e tij të printimeve japoneze – ai iu drejtua kopshtit.
Ai pastroi tokën nga pemët, e punoi dhe angazhoi kopshtarë ekspertë për ta ndihmuar që të përfitonte sa më shumë nga peizazhi i Normandisë, ndërsa prezantoi bimë nga Japonia e largët. Fillimisht ai adoptoi shijet franceze të kopshtarisë së kohës së tij, megjithëse duke u mbështetur nga instinktet e tij artistike, ai përfundimisht do të zhvillonte një stil të tijin, duke hartuar me kujdes një lara-lara gjeometrike të shtretërve të luleve, duke instaluar harqe që do të mbështilleshin me florë dhe me momente inxhinierike të dritës dhe ngjyrës që do të ndizeshin kudo.
Vahé-ja vëren se, kur bëhej fjalë për kopshtet, Monet-ja drejtohej nga dëshira dhe instinkti. Ai kishte vendosur një herë në çastin që donte krizantema dhe i shkroi një letër mikut dhe shokut të tij piktor Gustave Caillebotte-t për të zbuluar se ku mund t’i merrte ato.


Monet-ja krenohej me kopshtin, duke e pranuar atë si krijim të tijin, por edhe si studion e tij në ajër të hapur, atje ku mbolli veten për orë të tëra duke pikturuar, nëse e lejonte moti. Në oazin japonez, të cilin ai e zhvilloi më vonë, ai instaloi një studio të madhe.
Megjithëse koha që Monet-ja kaloi në Giverny shpesh lidhet me veprat më të errëta të artistit dhe me periudhat e trazirave personale, veçanërisht gjatë Luftës së Parë Botërore, kopshti thuhet se i ka dhënë artistit një ndjenjë gëzimi, si dhe motivimin për të krijuar vepra që më vonë do të vlerësoheshin se e shtynë pikturën perëndimore drejt abstraksionit.
Dhe Vahé-ja punon pa u lodhur për të realizuar për vizitorët në Giverny vizionin e kopshteve që ata presin nga ato piktura – oazi i gjallë e me lule ose shenjtërorja e qetë e zambakëve të ujit me të cilën ata ranë në dashuri në një muze, përmes një libri historie arti ose nga ndonjë poster.
Ai punon me një ekip prej 10 kopshtarësh me kohë të plotë, si dhe me vullnetarë, nga hortikulturistët e botës deri tek nxënësit adoleshentë franceze. Ndërsa kopshtarët zakonisht punojnë nga ora 7 e mëngjesit deri në mesditë dhe nga ora 1:30 deri në 4:30 pasdite, me një drekë të gjatë në mes, Vahé-ja vëren se ditët e tij shpesh fillojnë para asaj kohe dhe zgjatin deri në orën 20:00. Asnjë ditë nuk është tipike; orët e tij mund të mbushen me ujitje të bimëve, me porositje farash ose llamba për stinët e ardhshme në zyrën e tij përgjatë rrugës (farat janë kryesisht me burim nga Japonia dhe SHBA-ja), duke vizituar ndonjë furnizues në Vernon, duke u përpjekur për ta mbjellë prodhimin në serra ose duke udhëzuar ekipet filmike nëpër kopshte.
Bimët që shohim sot nuk janë pikërisht ato që Monet-ja pikturoi një shekull më parë dhe nuk janë vendosur të gjitha aty ku ishin kur jetonte artisti, por Vahé-ja beson se nuk është kjo ajo që është e rëndësishme. Përkundrazi, ai punon për të ruajtur estetikën origjinale – një profil të caktuar ngjyrash dhe drite – që korrespondon me vizionin e Monet-së.
Në qendër të kësaj qasjeje është vendosja e luleve me ngjyrë të çelur – të bardha dhe të verdha – në çdo zonë me hije; si dhe vendosja e ngjyrave të errëta në pranëvënie me ngjyrat më të zbehta. Është gjithashtu thelbësore të krijohet një dendësi vegjetacioni përgjatë shtegut qendror të kopshtit dhe të zhvillohen çaste ku shikuesi është i zhytur plotësisht te bimët, në mënyrë që qielli mezi të duket.
Megjithatë, në disa raste, besnikëria ndaj kopshtit origjinal të Monet-së ruhet saktësisht, si në shtretërit e barbarozave gjigante të kuqe, pikërisht përballë shtëpisë. Ata shtretër, të cilët janë qendrorë për trafikun e këmbësorëve, duhet të shkulen dhe të mbushen me dhé të ri çdo 10 deri në 15 vjet. Bimët e tjera, sidoqoftë, si një lloj anemone japoneze që Monet-ja e ruante, ata kanë zbuluar se nuk mund t’i kultivojnë sot.
Vahé-ja thekson se njeriu nuk mund ta kontrollojë natyrën, por duhet të përshtatet me të. “La nature n’est pas rigide”, (Natyra nuk është e ngurtë”), thotë ai. Pavarësisht kësaj, është e qartë se Vahé-ja dhe ekipi i tij kanë një rrugë me natyrën. Skanoni terrenet dhe do të vini re sesi bimët kanë lartësinë e duhur dhe me ngjyra jashtëzakonisht të pasura, e megjithatë ato ruajnë një estetikë që nuk është aspak e krasitur apo e zbukuruar si kopshtet që do të gjenit në Versajë. Në vend të kësaj, ato ndihdn të bollshme dhe relativisht të egra. Vëzhgimi i evolucionit të bimëve ka qenë gjithmonë në qendër të dashurisë së Vahé-së për punën e tij. Ai synonte të mësonte të pikturonte gjatë pensionit të tij gjashtëvjeçar (i frymëzuar në mënyrë të pashmangshme nga koha e kaluar duke punuar nën hijen e Monet-së), por sa herë që gjente një mësues ose një klasë, i shfaqeshin rrethana që ia prishnin mësimet. Kohët e fundit, kur filloi të pikturonte në një shkollë në Vernon, drejtori i Fondacionit Monet e telefonoi, duke i kërkuar që të kthehej në postin e tij si kryekopshtar. Nuk e humbi postin në Giverny, thotë ai, sepse gjatë gjithë kohës po kujdesej për kopshtin e tij, shumë larg.
Nëse Vahé-ja do të ishte milioner, thotë ai, do t’i shpenzonte paratë e tij për kopshte dhe do të bënte të njëjtën gjë që bën tani. Kur i them se besoj se puna e tij është thelbësore për të ruajtur trashëgiminë e Monet-së, ai pranon, megjithëse shpejt shton se është një akuzë që ai tani e ndan me ekipin e tij. Kur ekipi ka moral të lartë, shton ai, mund ta shihni në kopsht, ju mund të ndjeni shpirtin e tyre pozitiv.
A do të jetë gati ekipi i tij kur Vahé-ja të tërhiqet përfundimisht dhe të kalojë stafetën? “J’espere” (“Shpresoj që po”), thotë ai duke qeshur.
Tani për tani, ai nuk tregon shenja ngadalësimi. Koha e tij e preferuar e ditës në kopsht është menjëherë pas lindjes së diellit, kur është ag. Rrezja e parë që del është blu dhe zgjat vetëm pesë minuta, thotë ai, pastaj bëhet rozë, e kuqe dhe e verdhë. Gjatë atyre orëve të para ngrihej efhe Monet-ja dhe fillonte të pikturonte.
Ai vëren se në ditët e para, gjatë restaurimit, ai preferonte vjeshtën në kopshte, por tani zbulon se është pranvera ajo që i pëlqen më shumë. Pse ka ndryshuar preferenca e tij? Ai është thjesht një qenie njerëzore, thotë ai, dhe njeriu gjithmonë dëshiron atë që nuk e ka. Kur je i ri dëshiron të jesh i vjetër, shton ai, dhe kur je i vjetër, dëshiron të jesh i ri.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top