Mijëra projekte idealiste, edukuese, cilësore, mbeten në sirtar sepse nuk u përshtaten agjendave të temave të ngrohjes globale, homoseksualitetit, të drejtave të grave, etj.
Arlinda Guma
Një koment në facebook, në një status ku debatohej për propagandën në art, u bë shkak që unë të ulesha e të hidhja disa mendime për këtë temë.
Komenti ishte ky:
“U bë një premierë speciale e një filmi animacion, ku flitej për zgjedhjen e të qenit pjesë e LGBT-së, por për mua nuk ishte shumë i qartë mesazhi, sepse njeriu e interpreton si e kupton dhe e pyes producenten për kuriozitet, duke vlerësuar teknikën e filmit. Përgjigjia e saj më la “pa mendje”. Personazhi lë çdo stres të përditshëm dhe ikën e bëhet pjesë e LGBT-së. U zgjodh kjo temë sepse e kërkon tregu dhe se është në modë, kështu mund të marrim më kollaj pjesë në festivale… (kjo ishte fjalë për fjalë bseda me producenten.)” E.T. Kam vënë vetëm inicialet e komentueses, sepse nuk e di nëse ajo do të donte të dilte me emër e mbiemër në këtë shkrim.
Fjalët e cituara më lart, pra, të producentes së filmit, më skandalizuan. Jo se unë nuk e dija këtë, por të thëna kaq troç, në mënyrë kaq banale dhe mbi të gjitha, pa patur asnjë skrupull për cilësinë e artit që krijon, por vetëm me qëllimin e vetëm për të qenë pjesë e një festivali filmi, më tronditën. Më bënë t’i shtroja vetes një pyetje: – A është vërtet i lirë arti në kapitalizëm?
Për të realizuar një film, për të botuar një libër, për të organizuar një koncert simfonik, etj., duhen fonde. Asgjë nuk realizohet si duhet pa një financim të mirë. Dhe të gjithë ne që “prodhojmë” art këto kohë të çuditshme, jemi të vetëdijshëm se sa rëndësi ka tema e artit tënd në pranimin e një kërkese për financim. (Përdora termin e urryer “prodhoj”, jo “krijoj”, për të treguar dertin e madh që kam me kohërat konsumeriste.)
Po marr për shembull insitucionet e huaja këtu në Tiranë, që herë pas here financojnë vepra të caktuara. (Qëllon ndonjëherë që t’i kemi sytë nga ata ne që nuk i bëjmë fresk pushtetit…)
Të gjithë e dimë sesa e vështirë është për një artist të marrë një financim nga këto institucione nëse tema e artit që ai ka krijuar nuk përfshihet në agjendën e temave të cilave këto institucione u japin përparësi.
Gjithashtu, të gjithë e dimë sesa e lehtë është të marrësh financim prej këtyre institucioneve nëse në artin tënd ke një temë që i përket për shembul LGBT-së. Në këtë rast dyert të hapen tej për tej, bujaria është e madhe dhe nuk ka rëndësi cilësia e arti tënd. Ai mund të jetë shabllon, klishé, i shpëlarë, i vjedhur, i imituar keq, por të gjitha këto nuk kanë rëndësi; rëndësi ka vetëm përputhja me temën e agjendës. (Që të mos keqkuptohet ndonjë lexues, nuk kam asgjë kundër këtij komuniteti. Çfarë dua të trajtoj këtu është dëmi që agjenda të tilla i sjellin artit të vërtetë.)
Kështu, unë, si një autore e tre romaneve të botuar, e një libri të katërt të pabotuar dhe e një libri tjetër të cilin e kam ende në proces shkrimi; unë që nuk kam në fokusin e këtyre librave tema nga të agjendave të tilla, jam e përjashtuar nga çdo lloj financimi. Dhe çfarë duhet të bëj unë pas kësaj? Të shes një veshkë për të botuar librat e mi? Sepse, nëse unë do t’ia jepja të drejtën e botimit një botuesi shqiptar që do ta financonte, ai nuk do më bënte kontratë ligjore për atë që do më detyrohej (siç tentoi njëherë, pa rezultat, një botues “me emër”) dhe në rastin më të mirë, nëse ai do më bënte kontratë ligjore, unë do të merrja 10% të çmimit të kopertinës së librit. Pra, nëse do t’ia jepja një botuesi të drejtën e botimit të romanit tim të fundit “Bob Legjenda”, i cili kushton 900 lekë, unë do merrja 90 lekë për çdo libër të shitur. Katër vjet pune për 90 lekë! Kjo nëse botuesi do t’i raportonte shitjet, sepse ka edhe botues që ua fshehin shitjet autorëve. (Me këtë shpjegim, ti lexues mund ta kuptosh mjaft mirë deklaratën e ndonjë politikani të korruptuar, i cili e justifikon pasurinë edhe me gjasme të ardhurat nga librat.) Por nuk dua të ndalem te mënyra sesi botuesit shqiptarë i vjedhin hapur autorët. Kësaj here po kaloj më tej.
Çfarë duhet të bëjë artisti me gjithë këto pengesa? Të hajë veten me dhëmbë apo ta hedhë lapsin tej njëherë e mirë dhe të merret me diçka që “e kërkon tregu”, siç tha producentja në fjalë. Të rekrutohet pa dëshirë në këto tema standarde, sepse vetëm kështu mund të ecë në art? Dhe shumica e artistëve e bëjnë këtë gjë pa pikë skrupulli, e si rezultat kemi vepra tejet-tejet të dobëta, të sforcuara, të panatyrshme dhe, mbi të gjitha, të pandjera. Të tjerë që kanë integritet të fortë dhe që e duan vërtet artin e tyre, i bëjne rezistencë të gjithë kësaj. Por, rezultati? Projektet e tyre mbeten nëpër sirtare të pafinancuar. Janë jashtë agjendave!
Ka dhe një kategori tjetër artistësh, që këto institucione të huaja kanë mjaft për zemër t’i financojnë. Ata artistë që dalin ditë për ditë nëpër televizione, për të folur për tema që nuk ia kanë idenë, që nga gastriti i stomakut e deri te mbërritja në Hënë. Aq shpesh sa dalin nëpër televizione, nuk arrij të kuptoj kur punojnë dhe kur krijojnë… Të gatshëm për t’u shfaqur në çdo orë, ata arrijnë t’i marrin mjaft lehtë edhe fondet nga këto institucione. Madje kanë filluar të përfshihen edhe në shoqërinë civile dhe kjo jo se u qan dhe aq shpirti për gjendjen e tmerrshme të këtij vendi. Nga ana tjetër, nëpunësit shqiptarë të këtyre institucioneve të huaja (shpesh nëpunës mediokër) e kujtojnë status të lartë daljen në televizor të këtyre personazheve për të folur broçkulla, kështu ata ndikojnë tek eprorët e tyre që këta pseudoartistë t’i marrin fondet. Dhe këtu, përsëri të humburit janë ata artistë që refuzojnë të shfaqen nëpër televizione kur nuk kanë gjë për të thënë.
Në vitin 2020 shkrova një poezi me temë pandeminë, e shkrova sepse e ndjeva dhe jo për t’iu përshtatur ndonjë agjende. Por kjo përkoi me një rubrikë që një revistë amerikane kishte hapur ato kohë dhe revista më kërkoi që ta botonte poezinë. Natyrisht unë e dhashë lejen që të botohej, por, nëse unë do të shkruaja diçka tjetër, në të njëjtën lartësi dhe cilësi, por që nuk do t’i përkiste temës së agjendave të kësaj reviste, natyrisht që ajo nuk do më botohej.
E kështu, me gjithë këto përparësi, cilësia e artit është gjëja e fundit që ka rëndësi sot në botë. Sot një numër i madh artistësh shkruajnë, krijojnë, për tema që as nuk i ndiejnë, me qëllimin e vetëm për të marrë ndonjë fond. Një tufë e madhe mercenarësh pa pikë interesi dhe dashurie për atë që bëjnë.
Pra, me gjithë këto që rreshtova, a mund të themi se në kapitalizëm jemi vërtet të lirë për të bërë art? Druaj se jo. Mijëra projekte idealiste, edukuese, cilësore, mbeten në sirtar sepse nuk u përshtaten agjendave të temave të ngrohjes globale, homoseksualitetit, të drejtave të grave, etj. Të kuptohemi; të gjitha këto janë tema shumë fisnike, vetëm se arti nuk krijohet me agjendë. Kur shkruan një libër, kur kompozon një simfoni, ta dikton ajo gjëja që të vjen nga lart se kur dhe si do ta realizosh, jo agjenda e ndonjë institucioni.
Në diktaturë kishim censurën, ideologjinë, nuk kishte poetë në Shqipëri ato kohë që të mos i kishte kënduar fabrikës së plastmasit, ndërsa sot, në këtë rendin tjetër, ku çdo gjë diktohet nga paraja, artistët vetëcensurohen që të mos u dalin kundër agjendave të financuesve të tyre.
Më thoni tani; çfarë ndryshimi ka kjo kohë e sotme me propagandën e djeshme?
Ndokush që mund të jetë duke e lexuar këtë shkrim mund të thotë me të drejtë se në kapitalizëm nuk të dënojnë me vdekje nëse shkruan diçka “të papërshtatshme”. E vërtetë, nuk të dënojnë ty me vdekje, por dënojnë me vdekje veprën tënde. E dënojnë me heshtje të përjetshme.
Në këtë shkrim po flas për mënyrën sesi funksionon bota e artit sot në nivel global, por në Shqipëri është edhe më keq, sepse këtu shtohet edhe një mal tjetër me pengesa prej nëpunësve të paaftë apo prej atyre që të pengojnë thjesht për hobi.
Dhe në gjithë këtë baterdi pengesash; globale e lokale, artistit të vërtetë sot i duhet të ketë fuqi të mbinatyrshme për t’ia dalë mbanë. Dhe në gjithë këtë batërdi janë të shumtë ata që dorëzohen dhe, edhe më të shumtë ata që kompromentohen.
Rrallë haset ndonjë fondacion kulturor që kriter të parë për financim të ketë cilësinë artistike dhe jo tematikën. Pra, a nuk jetojmë edhe sot në njëfarë “diktature”, përderisa artistit i imponohet tema për të cilën duhet të krijojë?
Në vitet 90, pas rënies së diktaturës, artistët shqiptarë, në veçanti shkrimtarët, shpresuan me njëfarë naiviteti entuziast se më në fund erdhi liria, se ata mund të krijonin çfarë të donin dhe të kishin sukses nëpër botë. Por rezultoi se ishte më e ndërlikuar se kaq. Më e stërholluar se kaq. Ata nuk i kishin bërë mirë llogaritë me diktaturën e fshehur të kapitalizmit. Sot artisti ka vetëm iluzionin se është i lirë për të konkurruar me veprën e tij me të drejta të barabarta në një treg global (me “treg” nuk e kam fjalën për komercializmin), por ky është vetëm një iluzion, tjetërkush i lëviz fijet nga lart.
Përpara disa viteve kam lexuar një shkrim mjaft interesant të një studiuesi gjerman, nuk di sa është e vërtetë por ai shkruante se këngëtaret e Kosovës si Dua Lipa, etj., u promovuan në botë me qëllimin e vetëm që Kosova të afirmohej si shtet. Pra, në mënyrë që origjina e tyre të shërbente si mjet ndërgjegjësimi për njohjen e Kosovës. Nëse është e vërtetë, e gjithë kjo është mjaft pozitive për kombin tonë, por jo për kombësinë tonë artistike. Unë do të doja që këto vajza të njiheshin në botë sepse janë të talentuara (dhe në të vërtetë disa prej tyre janë) dhe jo sepse pas promovimit të tyre ka një prapavijë politike.
Një nga kushtet kryesore për të ngjizur një vepër të mirë është liria, dhe në një botë ideale, artistët do të duhej të liheshin të lirë t’i zgjidhnin vetë temat e veprave të tyre dhe jo të nguceshin prej kushtëzimeve të tjera. Një artist duhet të jetë i lirë ta trajtojë ose jo një temë të angazhuar dhe nëse zgjedh ta trajtojë, këtë duhet ta bëjë vetëm me dëshirën e tij të plotë dhe jo i detyruar se nuk ka rrugë tjetër.
Unë si autore kam trajtuar mjaft tema të angazhuara në letërsinë time, por këtë nuk e kam bërë sepse kështu e diktonte linja globale e diktatit të mendimit. Përkundrazi, në romanin “Terma humanitarë si fjala bombardim” unë i kam dalë ndesh kësaj linje. I kam trajtuar dhe do t’i trajtoj në të ardhmen temat e angazhuara, sepse artisti jeton në një shoqëri ndaj të cilës nuk mund të jetë indiferent, por me vullnetin tim të plotë dhe aspak e detyruar nga kushtëzimet e agjendave. Sepse, edhe sikur të doja ta bëja këtë të fundit, nuk do të mundja; pavetëdija ime letrare ka një ndërgjegje tejet të lartë dhe nuk varet nga logjika ime si qenie njerëzore.
Më ka bërë gjithmonë përshtypje poeti grek Janis Ricos, i cili edhe në poezitë e tij më politike është i gjithi art. Dhe kjo sepse ai e ka ndjerë dhe ka besuar vërtet në atë që ka shkruar. Sepse ka besuar njësoj; si në idealet, si në metaforat e tij.
Vinte pranvera
Atë helmetin e flakur dikush e përmblodhi
E mbushi me dhe. Mbolli lule
Një saksi… dhe lulet e saj të kuqe i bënë dritë mëhallës.
Atë topin e vjetër të braktisur të gjermanëve
E mbuluan barërat
E mori me vete pranvera, e bëri kalë
I hypën fëmijëria grykës së tij të ndryshkur
Duke e ngarë në mbrëmje manushaqe t’artë
Dhe nga këpuca e shpuar e çirakut të bakallit
S’kuptohet më nëse del gishti i tij i madh me thuan e lerosur
Apo një trëndafil…
S’kuptohet…
Në romanin “Brave New World” të shkrimtarit Aldous Huxley, personazhet pinin një lloj substance që quhej “soma” dhe ishin të lumtur brenda burgut të tyre. Sot kështu i shoh 90% të artistëve në botë. Dhe soma e tyre janë financimet me agjenda të përcaktuara…
Vetëm se ky nuk është art!
Vetëm se kjo nuk është liri!
5 Shtator, 2022
©Arlinda Guma
_______
Arlinda Guma është autore e tre romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, dhe “Bob Legjenda” – 2021. Ajo është krijuese e faqes defekt-teknik.com.
E dashur Arlinda,
Bashkohem plotesisht me shkrimin tend, sepse ndodhem ne te njejten situate sado qe asnje situate nuk mund te ngjaje plotesisht me nje tjeter. Te kuptoj dhe ndaj te njejtat shqetesime, te cilat mesa duket na ndajne nga shoqeria dhe na bashkojne mesveti, por ndoshta ky eshte cmimi qe duhet te paguajme per te merituar titullin “krijues”. Vete autori eshte i pafuqishem perballe krijimit te tij duke e kthyer ate ne nje ndjekes. Sot njerezit, te cilet kane “ne dore” fatet e krijuesve, jane ata qe bejne kompromis dhe ne kete menyre kompromentojne “boten e lire” te artit, ku secili nga ne kerkon te qendroje sadopak per te qetuar shpirtin e trazuar nga perditshmeria kaq stresuese. Shpresoj te vazhdosh sa me gjate ne kete rrugetim, me nje urim: u shtofshim sa me shume.
Andrea Tarka