KTHIMI I NOSTALGJISË-Miltos Sahturis
Gruaja u zhvesh dhe u shtri
në krevat
një puthje vinte e ikte
në dysheme
një figurë e egër filloi të shfaqej
në tavan
një zog i varur në mur u mbyt
dhe u shua
një qiri i kthyer ra
përtokë
diku jashtë të shtëna u dëgjuan
dhe hapa të rëndë.
Një dorë shtyu dritaren
më pas hyri Hëna
përqafoi gruan dhe fjetën bashkë
Një zë dëgjohej gjithë natën:
Ditët kalojnë
dëbora mbetet.
Përktheu: Nilda Baxha
Miltos Sahturis (1919 – 2005), poet grek, athinas, një nga më të rëndësishmit e pasluftës. Është vlerësuar tri herë me çmimin shtetëror nga Akademia e Letërsisë dhe ka qenë kandidat për National Book Critics Circle Award for Poetry.