Në këtë shumësi kombesh me dhëmbët jashtë, atdheu im është totalisht i brishtë/Bisedë me shkrimtarin dhe aktorin Shpëtim Selmani

in A(rt)ktivizëm/Biseda/Letërsi by

Shpëtim Selmani është ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe në Kosovë e Shqipëri. Ai ka studiuar për aktrim dhe ka luajtur role në filma e pjesë teatrale me tema të angazhuara.
Revista defekt-teknik i drejtoi disa pyetje dhe përgjigjet që ai dha qenë mjaft të sinqerta.

Ai thotë midis të tjerash se para letërsisë është si lakër e hapur. Ndërsa pyetjes se ku shkruan, ai iu përgjigj duke cituar një autor ballkanas, tronditës:

Brkovic thotë se poetit në Ballkan nuk i duhet dhomë pune, ngase mund të çmendet, mund të ngjitet pas karriges, mund të pushojë së shkruari apo të tradhtojë atdheun. Në Ballkan veç poeti i therur është poet.

    Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Në shkrimet tuaja ka një lloj keqardhjeje, një lloj pafuqie të shprehur përmes një ironie indirekte, në lidhje me atdheun. Ju e përmendni atë edhe atëherë kur ai nuk është temë qendrore e shkrimit. Është e pavetëdijshme kjo apo është e mirëmenduar? Duket sikur ju grindeni vazhdimisht me atdheun dhe me dashurinë tuaj për të.

Shpëtim Selmani: Ne jemi pjesë e një atdheu të vogël. Çdo atdhe i vogël ka komplekse. Ai është i rrezikuar, i humbur dhe fatkeq në vorbullën e madhe të interesave që burojnë nga kombet e mëdha. Bota në thelb qeveriset nën diktatin e dhunës psikike, frikës dhe terrorit. E atdheu i vogël është në mëshirën e fatit. Dhe në këtë shumësi kombesh me dhëmbët jashtë, atdheu im është totalisht i brishtë, i cili, vite e vite pas lufte, ende vuan. Unë e dashuroj për kujtimet që kam në të, për çastet e mira në të dhe në të njëjtën kohë grindem me diçka që më është falur, jo me atdheun, por me nje autoritet që përcakton atë që do te jetë jona, atë që është esenciale, atë që na jepet brutalisht, në mënyrë që ta duam. Përndryshe nuk do të doja të ekzistonte nje koncept i tillë. Më e mira do të ishte ta kishim vetëm një flamur, siç thotë Benedetti, një flamur të vetëm, atë të tonin. Por kjo tashmë është qesharake. Elitizmi ekonomik dhe ai politik është dominues dhe barbar. Kudo në botë.

Arlinda Guma: Si lind tek ju një poezi, një tregim apo një roman? E bluani për një kohë të gjatë në mendje apo uleni dhe e shkruani në çast sapo ju ngacmon?

Shpëtim Selmani: Kurrë nuk e kam e detyruar veten të shkruaj. Unë jam lakër e hapur para letërsisë. Natyrisht procesi i të shkruarit me kohën ndryshon dhe shfaqet në forma të ndryshme. Në këtë periudhë jam duke e bluar çdo gjë. Imazhe që më rrinë në kokë për ditë të tëra, pa u konkretizuar, deri sa t’u vijë dita.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për personazhin grua në letërsinë shqipe apo edhe në atë botërore? Mos është ndërtuar ky personazh si një lloj garniture, si personazh klishe, i cili i indukton pavetëdijshëm lexuesit që ta trajtojë kështu, kaq pa rëndësi edhe në realitet, apo ajo ka patur të gjithë vendin që i takon?

Shpëtim Selmani: Gruaja për mua është figura qendrore e githë letërsisë botërore. Përmes saj unë arrij të shpjegoj të gjitha pikëpamjet e mia filozofike, politike apo sociale apo edhe më shumë se kaq; të njoh vetën e të metat. Unë jam rritur në mes grave më të bukura në botë dhe e konsideroj veten me fat dhe jam ende gjallë, gjithnjë falë tyre. Nuk do të doja të merrja guximin dhe të gjykoja për vendin e saj në letërsi. Letërsia është një hapësirë e gjerë ku ka shumë gabime dhe shume huqe e budallenj. Natyrisht, para së gjithash duhet të gjykohen autorët dhe jo personazhet. Çfarëdo qofshin ata.

Arlinda Guma: Cili është mendimi juaj për artin e angazhuar? Në çdo shkrim tuajin unë shoh qëndrime të angazhuara aty-këtu. Shumë shkrimtarë këtu në Shqipëri i qëndrojnë larg artit të angazhuar për të mos humbur lexuesit që mendojnë ndryshe. Po ju, a keni patur ndonjëherë kosto për mendimet dhe idetë tuaja, që mua më duket se ju dalin pavetëdijshëm nëpër rreshta. Nga se duhet të ketë kujdes një shkrimtar që bën letërsi të angazhuar?

Shpëtim Selmani: Shumë vite më parë, kur unë isha i ri dhe kisha publikuar një libër me vjersha nën mbikqyrjen e Ali Podrimjes, i cili e kishte sakatuar atë libër ambicioz timin, nisa të lexoja shkrimtarët e Beat Generation, përkthyer nga Fadil Bajraj. Mbaj mend që zbulova një dritë të re dhe takova një frymë, zbulova çfarë më nevojitej. Ballafaqimi me diçka që ishte përtej kopallave letrare, me personazhet bajate që kishin në duar dhe drejtonin fatet tona të mjera që na takonin në realitet. Pastaj isha i impresionuar edhe nga infrarealistët që e gjuanin Pazin me letra poemash të shtrydhura nga forca e duarve të tyre të arta. Letërsia sot duhet të jetë angazhim. Kundër shtypjes së pushteteve të ndryshme që kanë çdo gjë dhe që përdhosin çdo gjë. Shkrimtari duhet të ketë kujdes vetëm nga vetja e tij, të mos bjerë pre e asgjëje që e deformon, që e bën të shitur dhe të rrejshëm, e madje qesharak. Nga kjo gjë mundohem të mbrohem tërë kohën.

Arlinda Guma: Ju keni fituar çmimin europian të letërsisë. Më vjen mirë për këtë sepse letërsia juaj është interesante. Por ndryshe ndodh në Shqipëri, mënyra sesi ndahen çmimet këtu ështe tejet groteske. Kosova duket përpara në lidhje me këtë. Apo, mos ndoshta edhe atje nuk ndodh përherë kështu?

Shpëtim Selmani: Faleminderit! Të thuash është interesante është barrë e madhe. Fjala “interesante” nuk është e përkufizuar krejtësisht. Prandaj, si e tillë, jo deri në fund e kuptueshme. (Arlinda Guma: Këtu në Tiranë, fjalën “interesante” e përdorim kur bëhet fjalë për diçka të re; një send apo këndvështrim. Me “interesante” doja të thosha se letërsia juaj duket sikur e merr lexuesin për dore nëpër ca shtigje të reja.) Shpëtim Selmani: Libri fitues në EUPL, ishte futur në rrethin e ngushtë tek çmimi Kadare. Aplikova ngase kisha nevojë për lekë. Ishte hera e parë që aplikova diku. Natyrisht nuk fitova. Pastaj një juri tjetër që kishte hulumtuar Letërsinë në Kosovë, e futi në rrethin e ngushtë dhe më pas e shpalli fitues, gjë për të cilën jam falëndërues ngase për mua ishte një nxitje, që duket se e kisha pasur të nevojshme. Çdo çmim në esencë është grotesk. Nuk ka asgjë më të poshtër sesa të konkurrosh. Por pas çdo gjëje të poshtër qëndrojnë ca norma, pas të cilave, fatkeqësisht ndonjëherë priremi. Për shkaqe të ndryshme. Gjithnjë. Kush do të na mbrojë nga shkaqet?

Arlinda Guma: Ju keni luajtur role të ndryshme në teater dhe në filma. Madje jeni nderuar edhe me çmim. Cili nga këta profesione (nëse mund t’i quajmë kështu) merr më shumë përparësi brenda jush? Shkrimtari apo aktori?

Shpëtim Selmani: Kam nisur të shkruaj shumë herët. Ndonjëherë më vjen turp sepse është tepër klishe kur e thua. Por kështu ka qenë. Tani, në këtë moshë, kur lexoj poezinë e Faruk Sehic-it, që titullohet “Vdekje Poetëve”, më vjen të ulëras nga turpi dhe mjaftohem me shpjegimin dogmatik, ne vuajmë nga pamundësia për të ikur nga bukuria e llomotitjeve dhe nga paaftësia për t’i pranuar realitetet ashtu siç janë. Ndërkohë kam mbaruar për aktrim. Unë merrem me të dyja. Varësisht nga rrethanat, përparësitë ndryshojnë.

Arlinda Guma: Në Kosovë ka mjaft dramaturgë të mirë, që nuk prekin thjesht tema lokale, por trajtojnë edhe tema mbi gjepolitikën globale. (Ndërkohë që në Shqipëri u shemb dhe Teatri Kombëtar.) Si i fitoni rolet për të luajtur në to? Disa nga pjesët ku ju keni luajtur janë mjaft provokative… A ka ndikuar letërsia juaj në përzgjedhjen?

Shpëtim Selmani: Ka vite që luaj në shfaqjet e Multimedias në Prishtinë, por edhe në shfaqje të ndryshme kudo në vend. Dhe kam një bashkëpunim të ngushtë me dramaturgun Jeton Neziraj, i cili merret me tema tejet sensitive, duke ngjallur provokime, veçanarisht në rajon. Natyrisht, ka vite që luaj në teatër, pranoj ftesa nga regjisorë të ndryshëm, por rrallë marr pjesë në audicione. Këtë vit do të vihet në skenë edhe një tekst që e kam shkruar para ca vitesh.

Arlinda Guma: Çfarë është për ju lumturia? Sa dhe si ndikon ajo, apo mungesa e saj, në procesin tuaj të të shkruarit? A mund ta ndryshojë botën një njeri i lumtur? Po një shkrimtar i lumtur çfarë mund t’i japë botës? Ose, çfarë mund të mos i japë…

Shpëtim Selmani: Për mua lumturia është një gjendje e pahetueshme. Sot më mjafton të qesh me shpirt për diçka dhe kjo për mua është lumturi. Një njeri i lumtur në këtë epokë kaq dehumanizuese është budalla. Një shkrimtar i lumtur, në këtë epokë kaq të trishtueshme e të pasigurt, është një disfatë e madhe. Ai nuk mund t’i japë botës asgjë. Le ta ruajë lumturinë e vet si një trofe të marrëzisë së tij.

Arlinda Guma: Cilët janë ata shkrimtarë, apo personazhe të rëndësishëm historikë, që nëse do t’i kishit përballë do t’u bënit disa pyetje. Cilat do të ishin ato pyetje?

Shpëtim Selmani: Do të doja ta takoja Roberto Bolanon dhe të merrja bekimin e tij, të konvertohesha në infrarealist. Si dhe ta pyesja për Lizën apo për ndjenjën e të qenit gjarpër në Polin Verior.

Arlinda Guma: Çfarë ju nervozon dhe çfarë ju pëlqen në Kosovë dhe në Shqipëri?

Shpëtim Selmani: Më nervozon trafiku. Kur njerëzit nuk vijnë në kohë. Kur shesin mend. Kur luajnë autoritetet. Në Shqipëri më shqetëson agresiviteti njerëzor dhe elitat e ndyra politike. Kamarierët në jug gjatë pushimeve verore, kur ma ngulin në çmime. Në Shqipëri më pëlqen shalqiri dhe pjepri. Shëtitjet në breg të detit gjatë kohës sa perëndon dielli. Në Prishtinë, më pëlqen kur lexoj në mëngjes dy orë të mira dhe pi një espresso apo kur pi raki gjatë gjithë ditës dhe kur takoj miqtë e mi.

Arlinda Guma: A keni ndonjë vend tuajin në qytetin ku banoni, ku uleni dhe shkruani?

Shpëtim Selmani: Jo, kurrë nuk kam pasur. Zakonisht kur kam pasur mundësi të mira për të shkruar, në tavolinat e punës e kam ndjerë veten keq dhe kurrë nuk ia kam dalë. Brkovic thotë se poetit në Ballkan nuk i duhet dhomë pune, ngase mund të çmendet, mund të ngjitet pas karriges, mund të pushojë së shkruari apo të tradhtojë atdheun. Në Ballkan veç poeti i therur është poet. Çfarë dreqin mund të të them pas kësaj?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top