Këmba ime e kushtueshme-Heinrich Böll

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tharm by

Heinrich Böll

Më në fund ata po me jepnin një shans. Më dërguan një letër ku më shkruanin të shkoja në Departament dhe shkova. Ata të Departamemtit u treguan shumë të sjellshëm me mua. Nxorën skedarin tim dhe bënë “Hëm”. Edhe unë bëra “Hëm”.
– Cila këmbë? – pyeti nëpunësi.
– E djathta.
– E gjithë këmba?
– E gjithë këmba.
– Hëm, – vazhdoi të bënte ai. Vijoi të shkartiste dokumente të ndryshme.
Më lejuan të ulesha.
Më në fund burri e gjeti atë që dukej se ishte letra e duhur. Ai tha: – Them se kam diçka për ju. Shumë të mirë madje. Është një punë që mund ta bëni ulur. Lustrues këpucësh në një vend të rehatshëm publik në Sheshin e Republikës. Si mendoni?
– Unë nuk mund të lustroj këpucë, kjo është e para gjë që njerëzit vërejnë tek unë, paaftësia ime për të lustruar këpucë.
– Mund të mësoni, – tha ai. – Njeriu mund të mësojë gjithçka. Nëse jeni gjerman, të tëra i bëni. Mund të filloni një kurs falas nëse doni.
– Hëm, – u ngrita.
– E doni punën?
– Jo, – thashë unë. – Nuk e dua. Dua një pension më të lartë.
– Ju nuk qenkeni në vete, – m’u përgjigj ai, me toni të zbutur dhe disi me humor.
– Unë jam në vete, askush nuk mund të ma kthejë këmbën, mua as nuk më lejohet më të shes, që tani po ma bëjnë të vështirë këtë gjë.
Burri u mbështet i gjithi mbrapa në karrige dhe mori frymë thellë.
– I dashur djalosh, – tha ai, duke filluar me leksionet, – ajo dreq këmbe është e kushtueshme, shoh që qenkeni 29 vjeç, zemra juaj është e shëndoshë, në fakt, me përjashtim të këmbës, ju jeni si kokrra e mollës. Ju do t’i arrini të shtatëdhjetat. Kuptojeni për veten tuaj; 70 marka në muaj, 12 herë në vit; dyzetë e një herë dymbëdhjetë herë shtatëdhjetë. Kuptojeni për veten tuaj, pa llogaritur interesat, dhe mos kujtoni se këmba juaj qenka kaq e veçantë. E për më tepër, ju nuk jeni i vetmi që do ta kapni moshën e pleqërisë. Dhe pastaj ju do kërkoni pension më të lartë. Më vjen keq por ju nuk qenkeni në vete.
– Unë mendoj, zotëri, – thashë, edhe unë duke u mbështetur i tëri në karrige dhe duke marrë frymë thellë, – unë mendoj se ju e nënvlerësoni ca si shumë këmbën time. Këmba ime është edhe më e kushtueshme, ajo, sigurisht që është një këmbë e kushtueshme. Po kështu, ndodh që edhe koka ime të jetë po aq e shëndoshë sa zemra. Më lejoni t’jua shpjegoj.
– Jam vërtet shumë i zënë.
– Do t’jua shpjegoj, – thashë unë, – dhe ju do kuptoni se këmba ime ka shpëtuar një numër të madh jetësh njerëzore, të cilat po tërheqin mirë e bukur pensione të majme.
– Ja çfarë ndodhi: Unë isha shtrirë, i vetëm, diku atje lart në front. Detyra ime ishte të dalloja armiqtë kur të vinin, në mënyrë që të tjerët të kishin kohë që të tërhiqeshin. Ushtria në pjesën e pasme po mblidhte sendet dhe ndërkohë ata nuk donin të iknin aq shpejt, por as ta bënin dhe aq të gjatë. Në fillim ishim dy vetë, por ata e vranë njërin, kështu që ai tani nuk do t’ju kushtojë juve asnjë cent. Është e vërtetë që ai ishte i martuar, por gruaja e tij ka shëndet të mirë dhe është e aftë të punojë, nuk ju duhet të shqetësoheni për të. Ai ishte një pazar i vërtetë për ju… Ishte në ushtri vetëm prej një muaji, gjithë çfarë ju kushtoi ishte një kartolinë dhe disa racione të pakta buke. Ai ishte një ushtar i mirë për ju, të paktën ai e la veten të vritej. Por më tej, ja ku isha unë; i vetëm, i ngrirë nga frika dhe bënte ftohtë, dhe, edhe unë doja të tërhiqesha, në të vërtetë, sapo po bëhesha gati të tërhiqesha kur…
– Jam vërtet shumë i zënë, – tha burri, duke filluar të kërkonte një laps.
– Jo, dëgjoni, – thashë unë, – kjo është ajo pjesa ku historia bëhet interesante. Pikërisht atëherë kur unë do tërhiqesha ndodhi kjo puna e këmbës dhe, për shkak se unë duhej që sidoqoftë të vazhdoja të qëndroja, mendova se mund ta përcillja fjalën më tej dhe ata të gjithë ikën, njëri pas tjetrit, sipas rendit zbritës në grada; në fillim iku stafi i divizionit, pastaj regjimenti, pastaj batalioni dhe kështu vazhdoi; njëri pas tjetrit. Pjesa më idiote ishte, ju e shihni, ata seç kishin një nxitim të atillë, saqë harruan të më merrnin edhe mua me vete! Ishte vërtet diçka e idiote për ta përshkruar me fjalë, sepse po të mos ta kisha humbur këmbën unë, ata të gjithë do ishin vrarë; gjenerali, koloneli, majori, e kështu do vazhdonte edhe me të tjerët dhe ju nuk do të detyroheshit të paguanit pensione për ta. Tani, a e kuptoni se sa kushton këmba ime për ju? Gjenerali është 53 vjeç, koloneli 48 vjeç dhe majori 50; të gjithë shëndoshë e mirë, si kokët ashtu dhe krahët e tyre dhe me jetën ushtarake që kanë bërë, ata do të mbërrijnë tek të 80-at, si Hindenburg-u. Kuptojeni për veten tuaj; njëqind e gjashtëdhjetë herë dymbëdhjetë herë tridhjetë, le ta quajmë mesatarisht 30, apo jo? Këmba ime bëhet një dreq këmbe e kushtueshme, një nga këmbët më të kushtueshme që mund të mendoj, a arrini ta kuptoni tani se çfarë dua të them?
– Ju vërtet duhet të keni dalë mendsh, – tha burri.
– Jo, – u përgjigja unë, – nuk kam dalë mendsh. Fatkeqësisht zemra ime është po aq e shëndoshë sa koka dhe është mëkat që nuk u vrava edhe unë disa minuta përpara se të më ndodhte kjo puna e këmbës. Do kishim kursyer mjaft pará.
– A e doni këtë punë? – pyeti burri.
– Jo, – u përgjigja unë dhe u largova.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top