Marcel Ophuls, djali i regjisorit të madh Max Ophuls, e ripërcaktoi në mënyrë kinematografike Holokaustin përmes procesit pastrues të zbulimit të madh. Ai shkaktoi tronditje për sa i përket pushtimit të dhimbshëm nazist të Francës, duke ekspozuar bashkëpunimin e vendasve me pushtuesit dhe duke i kthyer ata në xhelatë dhe tradhtarë.
Një komb i fshehtë informatorësh.
Në ditët e errëta kur Franca ishte nën pushtimin gjerman, popullsia bënte rezistencën e saj heroike. Në të njëjtën kohë, shumica e klasës sunduese bashkëpunoi me gjermanët për të shtypur çdo element hebre në vend dhe qytetarët francezë i mbijetuan pushtimit duke dorëzuar bashkatdhetarët e tyre.
“The Sorrow and the Pity”, një nga dokumentarët që tronditi historinë e kinemasë. Ophuls-i shfrytëzon intervistat me oficerë gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, me bashkëpunëtorë francezë nazistë nën qeverinë e Vichy-t në Francë dhe me anëtarë të rezistencës në Clermont-Ferrand, duke theksuar natyrën e thyeshme njerëzore dhe motivet që çuan në një bashkëpunim të urryer. Antisemitizmi, anglofobia, terrori i marshimit bolshevik, i pushtimit sovjetik dhe dëshira e pangopur për pushtet, shpalosen në një dokumentar magjepsës 4.5 orësh. Ndoshta 4.5 orët më të shpejta në historinë e kinemasë.
Mos kërko nga njerëzit që ata të bëhen heronj.
Në vitin 1967, producentët e televizionit ORTF, Andre Harris dhe Alain de Sedouy prezantuan një formë të re dokumentari duke përdorur materiale arkivore dhe intervista bashkëkohore. Bashkëpunimi i tyre i parë me Ophuls-in ishte në “Munich or Peace in Our Time” (1967), për ngjarjet që çuan në Luftën e Dytë Botërore, por pas trazirave të majit të vitit 1968 në Francë, idetë e ardhshme të propozuara në rrjetin televiziv nga grupi tre anëtarësh, u konsideruan tepër të guximshme dhe të majta, duke rezultuar në shkarkimin e tyre. Më pas ata iu drejtuan producentëve televizivë në Gjermaninë Perëndimore dhe Zvicër dhe pas tetë muajsh xhirime dhe 60 orësh me intervista, “The Sorrow and the Pity” ishte gati, por televizioni francez refuzoi ta transmetonte.
Kryevepra e Marcel Ophuls-it mbeti e ndaluar derisa u publikua për herë të parë në vitin 1971 në një sallë pariziene dhe bëri bujë. Nuk duhet të përbëjë befasi që Ophuls-i nuk mundte të merrte fonde franceze për filmin, i cili u shfaq në publik në televizionin francez vetëm në vitin 1981 pas një ndalimi prej vitesh. “Shumë njerëz në Francë ende besojnë se filmi përcjell një mesazh për mënyrëm sesi është sjellë vendi gjatë pushtimit. “Kjo është pompoze dhe idioteske,” tha Ophuls-i. “Si mund të bëja një deklaratë të tillë për një vend që u mund dhe banorët e tij duhej të jetonin në ato kushte për katër vite… ” Në kohë krizash të mëdha, marrim vendime për jetë a vdekje. Nuk mund t’u kërkosh njerëzve të bëhen heronj. Nuk duhet ta presësh as nga vetja jote dhe as nga të tjerët.”
Filmi që Franca nuk donte ta shihnim.
Megjithëse ngurrimi francez për ta shfaqur filmin është në përputhje me refuzimin për të pranuar faktet e historisë, fajtorja kryesore për vendimin ishte Simone Weil, Ministrja e Shëndetësisë e qeverisë së Giscard d’Estaing-ut, presidente e Parlamentit Europian dhe ish e burgosur e shpëtuar nga kampi i përqendrimit Aushvic-Birkenau, me arsyetimin se filmi paraqet një pamje shumë të njëanshme. Pse qeveria franceze ishte aq e shqetësuar për shfaqjen publike të mizorive gjermane? Vendi ngurronte të zgjohej nga amnezia kolektive e së shkuarës së tij të afërt, pesë viteve të qeverisë së Vichy-t. Pranimi publik përmbyste mitologjinë e një vendi që e konsideronte kombin identik me rezistencën. Më në fund u deshën 12 vite që filmi të shfaqej në një rrjet televiziv shtetëror. Kur u transmetua, dokumentari i diskutueshëm bëri që shumë francezë të pyesin veten “pse kaq shumë shqetësim”. Vitet kishin kaluar dhe historia ishte zbehur.
Gjermano-hebreu Marcel Ophuls u arratis në Francë në vitet 1930 me familjen e tij dhe u shpërngul në Amerikë në vitin 1941. Për të,”The Sorrow and the Pity” ishte një përvojë thellësisht personale, që përzien antropologjinë, historinë, sociologjinë dhe psikologjinë për të ndërtuar të vërtetën dhe gjykimin përfundimtar ua lë shikuesve. Aristokratët, fshatarët, shitësit dhe politikanët e Clermont-Ferrand-it përbënë majanë informatore të brumosjes së urryer. Në këtë proces, filmi shkatërron mitin e një rezistence të bashkuar franceze.
Filmi është i ndarë në dy pjesë: “Shembja” dhe “Përzgjedhja“. Ophuls-i tregon me gojëtari karakteristike se Franca nuk kishte burimet ushtarake dhe emocionale për të luftuar nazistët. Antikomunistë, të shënjuar shpirtërisht nga një luftë e fundit botërore ose indiferentë; Ophuls-i bën një përshkrim të hollësishëm të një pjese të njerëzve që bashkëpunuan dhe nxitën deportimin e hebrenjve të mitur në kampet e përqendrimit.
Përktheu: Shpendi Shakaj