NËSE NJË YLL-Sueton Zhugri
Nëse një yll u dogj ne nuk e pamë.
Asgjë nuk humbëm.
Një jetë si një ethe, e thënë si urdhër.
Frenim i panevojshëm,
kur drenusha i derdh trutë mbi
teneqen e makinës.
Ajo turravrap lindur prej pylli
nuk i kuptoi sinjalet njerëzore.
Jo më shumë se një flutur e shkelur.
Policia e mbaroi me një plumb në tëmth.
Njerëzia si jehonë formoi rrathë dëshmitarësh.
Nëse një galaksi humbi, ne nuk e ndjemë.
Ne jemi fare pak për të prekur të pamundurën.
Edhe një gisht i pafajshëm fëmije
gozhduar
në qiell
mbulon një pafundësi…
Unë i shtrëngoj fort dorën.
Vajza ime është kometa e shpirtit tim
Ajo fluturon me farën time hedhur në erë…
Nëse një ëndërr digjet, lindin mijëra.
Mjafton të besosh.
Se ne jemi ndërgjegja kozmike.
11.8.2022
Foto: Phil Penman