Shoqërisë së spektaklit, me neveri…./Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Kinema by

Kështu, sipas kësaj logjike, tashmë ka mbetur vetëm që shkrimtari, piktori, kompozitori apo regjisori, të heqë pantallonat në shesh si Pisanello-ja; të plasë mu aty një skandal të madh, sepse vetëm kështu mund të flitet diku edhe për artin e tij.

     Arlinda Guma

Ka një personazh në një film të Woody Allen-it, të titulluar: “Romës me dashuri”, ai është Leopoldo Pisanello. Një roman i zakonshëm, i mërzitshëm, i cili një ditë gjendet nën vëmendjen e kamerave pa e ditur se ç’ka bërë që ta meritojë të gjithë atë vëmendje. Pisanello-n e ftojnë nëpër emisione të ndryshme, i bëjnë nga ato pyetjet e kota që bëhen zakonisht në të tilla mjedise, si për shembull: “Çfarë hëngre sot?”, dhe përgjigjeve të tij të rëndomta drejtuesit e tyre u kushtojnë një vëmendje aq të madhe, a thua se flitet për zgjidhjen e konfliktit Palestinë-Izrael. Pisanello-n e ftojnë edhe nëpër ngjarje mondane dhe kur gruas së tij, aksidentalisht i griset çorapja, kjo merret si tendencë mode dhe më vonë të gjitha gratë e Romës dalin me çorape të grisura. Por fama e Pisanello-s së gjorë, ashtu si ajo e të gjithë atyre që janë bërë të famshëm kot së koti, mbaron shpejt. Si rrjedhojë, ai pëson një depresion të fortë; del në rrugë dhe kur sheh sesi askush nuk e pyet më çfarë hëngre e çfarë pive, fillon të bërtasë me të madhe e t’i tregojë vetë të gjitha. Madje arrin deri aty sa kërkon të heqë edhe pantallonat, vetëm e vetëm që kalimtarët t’i kushtojnë pak vëmendje. Por kalimtarët janë indiferentë, ata i rrëshkasin personazhit përbri, të zhytur në mendimet e tyre.
Gjenialiteti i Woody Allen-it! Një fshikull e pamëshirshme ndaj shoqërisë së spektaklit dhe në këtë rast, ndaj shoqërisë italiane të spektaklit, aty ku edhe është mishëruar me të gjithë forcën ky banalitet i stërmadh. Një trajtesë të shkëlqyer kësaj teme ky regjisor i ka bërë edhe tek filmi “Celebrity“. Dhe duket se kjo është një temë e ndjeshme për të. Ndoshta kjo shpjegon edhe faktin që, natën kur Woody Allen-i do të nderohej me Çmimin Oscar, ai nuk u paraqit fare ta merrte çmimin, por shkoi në një bar të thjeshtë me muzikë jazz dhe luajti në saksofon.
Është e paevitueshme që, kur një individ i zakonshëm bëhet i famshëm nga asgjëja, shëndeti i tij mendor të pësojë një tronditje të madhe. Një ditë, ky individ, pa pritur e pakujtuar kap majën, por ai nuk e di se pastaj e pret një rropullimë e frikshme. Ai përpiqet të kapet me thonj që të mos bjerë poshtë, që të vazhdojë të qëndroje atje lart, në majën “e ëmbël” të suksesit; është ngjitur atje nga kotësia dhe po me kotësi kërkon të mbahet. Dhe kur rrëzohet, ndodh një masakër e vërtetë… depresionuese… Dhe kjo më ndërmend një tregim të shkëlqyer të shkrimtarit gjerman, Hienrich Böll, të titulluar “Dekorimet e Krishtlindjeve”. Personazhi i tregimit bie në depresion të thellë ditën kur do të hiqen dekorimet e Krishtlindjeve, kështu që familjes i duhet që të mos t’i heqë ato gjatë gjithë vitit. Si rrjedhojë krijohet një atmosferë surreale ku përditë familja improvizon një festë të gënjeshtërt Krishtlindjesh në mënyrë që personazhi të ndihet mirë.
Është ai shkëlqimi i rremë, aq i domosdoshëm për banalitetin e shoqërisë së spektaklit! Këtë banalitet të tmerrshëm, të cilit regjisori Woody Allen nuk i ndahet pa e trajtuar në shumicën e filmave të tij, e gjejmë edhe në Shqipëri, të transferuar dhe të kopjuar në mënyrën më të keqe të mundshme prej emisioneve të Mediasetit italian. Vërtet është kaq e nevojshme që ta kopjojmë të gjithë këtë shëmti?
Pothuajse çdo ditë të javës në televizionet shqiptare ka emisione politike. Politikanë që shfaqen në skype me imazhe biblotekash të pasura në sfond, që janë në kontradiktë të madhe me fjalorin e tyre të varfër; i cili, e shumta gjithë-gjithë përbëhet prej 50 fjalësh. Bibloteka të pasura sa për dekor, me libra dukshëm të pashfletuar. Analistë fodullë që i ndërpresin fjalën dhe që e poshtërojnë vazhdimisht njëri-tjetrin… Në këtë mënyrë në publik krijohet një vakum i madh, të cilin e mbushin telenovelat e tmerrshme, emisione të tmerrshëm si: “Përputhen”,”Love Story apo “Big Brother“, për të cilin deklamohet se ka shikueshmëri shumë të madhe, pikërisht për shkak të këtij boshllëku që ka krijuar përmbytja nga emisionet politike. Këto emisione banale, të kopjuara nga emisione të tipit “Uomini e donne“, “Grande Fratello”, etj, të cilët kanë rezultuar mjaft të dëmshëm në shtetin italian, por jo më pak edhe në vendin tonë. Po ndalem një çast tek emisioni origjinal “Uomoni e Donne”, një emision ku gratë dhe burrat kërkojnë dashurinë e jetës. Për hir të së vërtetës, tek-tuk, atje edhe mund të shquash gra që investohen shpirtërisht dhe sinqerisht në një njohje, por më vjen keq ta them që nga ana tjetër nuk shoh asnjë burrë që ta bëjë këtë, shumica e proragonistëve janë maskilistë dhe kalojnë sa tek njëra sa tek tjetra marrëdhënie me një lehtësi të frikshme. Pastaj të dyja palët, si burrat ashtu edhe gratë, pushtohen nga ai krimbi i tmershëm i famës dhe dashuria kalon në plan të dytë apo nuk e shohim më fare në asnjë plan, dhe kështu ata fillojnë të grinden për followers-a, për mesazhe e komente të rëndomta në Instagram dhe gjithçka bëhet kaq, po vërtet kaq banale… Tekefundit, dashuria është tejet fluturake dhe e brishtë për të qëndruar në mjedise të tilla të ndotura, ajo kërkon përtej territore më të pastra…
Dhe pastaj i gjithë ky banalitet transferohet në Shqipëri, a thua se nuk na mjafton banaliteti ynë!
Por cili është roli i një televizioni kombëtar? Cilat janë përgjegjësitë e tij? Sepse edhe pse është një ndërmarrje private, ai duhet të ketë dhe të mbajë disa përgjegjësi për ndikimin që ka tek shikuesi.
Sot në Shqipëri, një televizioni nuk i intereson nëse unë shkruaj një roman, nëse një kompozitor kompozon një simfoni, nëse një piktor bën një pikturë apo nëse një regjisor realizon një film. Këto ngjarje janë zhdukur krejt nga e përditshmja e të ashtuquajturve “televizione kombëtare”, sepse, sipas drejtuesve të tyre nuk kanë shikueshmëri, nuk përkthehen në pará. Kështu, sipas kësaj logjike, tashmë ka mbetur vetëm që shkrimtari, piktori, kompozitori apo regjisori, të heqë pantallonat në shesh si Pisanello-ja, të plasë mu aty një skandal të madh, sepse vetëm kështu mund të flitet diku edhe për artin e tij.
Por ky që përshkrova më lart nuk mundet dhe nuk duhet të jetë kurrsesi roli i një televizioni kombëtar. Në të vërtetë, ky që përshkrova më lart është roli i një televizioni shkombëtar. Sepse vetëm një televizion shkombëtar sillet në mënyrë kaq barbare me kulturën e vendit të tij.
Si rrjedhojë, a duhet të vazhdojnë të quhen kombëtarë këta televizione?
Pse ata e përjashtojnë kaq shumë elementin edukues?
Çfarë pa publiku këto kohë “në shtëpinë më të ndjekur në Shqipëri”? (Së fundmi nuk besoj se ka frazë më bajate se kjo, apo se fjala “prime”…) Publiku pa një djalë të ri, i cili kishte lënë jashtë një dashuri që ende nuk kishte mbaruar plotësisht, të cilën “produksioni” (edhe kjo një fjalë bajate) një natë ia solli përballë, për të rritur shikueshmërinë e vet, jo se i bëhej vonë për dashurinë e dy të rinjve. Pastaj, më vonë, po ky produksion u përpoq ta shtynte këtë djalë, me një këmbëngulje të madhe, në krahët e një vajzë tjetër. Qëllimi? I njëjtë! Rritja e shikueshmërisë. Dhe kur ky djalë iu dorëzua kokë e këmbë këtij skenari, po ky produksion, i cili kur pa reagimin negativ të publikut shqiptar që nuk e ka humbur tërësisht ndjenjën e së drejtës, pra, po ky produksion filloi t’i bënte një gjyq publik live djalit në fjalë. A thua se nuk ia përgatiti vetë të gjithë skenarin! Në të vërtetë atë gjyq ky televizion duhej t’ia bënte vetes. Publiku u bë dëshmitar sesi u shkatërrua live jeta e vajzës që priste jashtë; prej kolegëve të saj të paskrupullt dhe prej portaleve që s’pushojnë së përmenduri emrin e saj për ca klikime. Dhe kjo kapërceu çdo limit njerëzor. Publiku pa sesi një televizion luajti me jetët e atyre njerëzve, sesi një televizion (i ashtuquajtur kombëtar) mund të të përdorë dhe pastaj të të flakë tej si leckë.
Një pyetje që do të duhej t’u bëhej pronarëve të televizioneve shqiptarë: Është vërtet kjo bota që doni t’u lini fëmijëve tuaj?
Një botë si ajo që ia shkatërroi jetën live prezantueses në fjalë; punonjëse po në atë televizion?
Një botë ku njeriu shet dashurinë dhe veten për pak famë?
Vërtet mendoni se kjo shëmti që ju po ndërtoni dita-ditës, nuk do t’ju kthehet juve dhe fëmijëve tuaj si bumerang?
Druaj se për të gjithë këtë kasaphanë një ditë do të ketë një shpagim.
Përpara disa viteve kam parë një dokumentar kushtuar skulptorit të ndjerë Arben Bajo. Në një ekspozitë të tij, midis shumë skulpturave, një vizitor i huaj pa një skulpturë që artisti ia kishte kushtuar gjyshes së tij. Vizitorit i pëlqeu shumë dhe kërkoi ta blente skulpturën. Përgjigja e skulptorit ishte e prerë: – Jo gjyshen! Gjyshen jo! Nuk e shes gjyshen!
Dhe vizitori i huaj ia ktheu: – Në këtë botë, mor djalë, shitet edhe mamaja…
Më kanë mbetur në mendje ato fjalë dhe dashuria e atij artisti të mirë për veprën e vet; dashuri e cila nuk mund të matet me asnjë vlerë materiale…
Sot skulptori Arben Bajo nuk është më.
Si një artist që nuk shitej, për të nuk u gjend një charter që të kurohej në ndonjë shtet tjetër, siç u gjend për shumë politikanë.
Si një artist që nuk shitej, skulpturat e tij nuk i shohim në asnjë shesh publik.
Nëse në media apo televizione, do të promovohej ky model njeriu dhe artisti, nesër fëmijëve tuaj do t’u linit një botë më të mirë…

________

Arlinda Guma është autore e tre romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, dhe “Bob Legjenda” – 2021. Ajo është krijuese e faqes defekt-teknik.com.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top