Pse shkruaj/Petraq Risto

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

I pari që u përgjigj ishte poeti Petraq Risto.

Përgjigjia e tij vijon si më poshtë…

Shkruaj, sepse… Petraq Risto

Shkruaj, sepse është një proces tepër i thjeshtë: rendis fjalët nga e majta e zemrës, në të djathtën e dorës me të cilën shkruaj.
Shkruaj, sepse që i vogël shihja ëndrra të shumta dhe, përgjithësisht, të gjitha ëndrrat, të frikshme apo të gëzuara, i zgjidhja shumë shpejt: bashkoja gishtin e madh (të okay-it) me gishtin tregues (apo akuzues), i shtrëngoja fort dhe, në çast, zgjidhja gjithçka: vrapoja ose fluturoja dhe shpëtoja nga zjarri, nga mbytja, nga kafshimi i egërsirave… Në mëngjes mollëzat e të dy gishtërinjve ishin tepër të skuqura: harta memece të një beteje të fituar… Dhe, kur fillova të shkruaja, kuptova pse pena mbahej mes gishtit të madh (të okay-t) dhe atij tregues (apo akuzues) dhe pse njollëzat e bojës, krijuar në fletore nga mollëzat, do të ishin firma ime e parë (si e gjysh stërgjyshërve), por edhe pikat kryesore (fingerprints) nga do të niste përgjimi im.
Shkruaj, sepse që i vogël, vargjet që i krijoja me zë ballë pasqyrës, nuk i mbaja mend të gjitha, ndaj më duhej patjetër t’i hidhja në letër.
Shkruaj, sepse që i vogël shkrova një varg në lis dhe lisi ëndërroi të kthehej në letër.
Shkruaj, sepse që fëmijë kopjoja në një fletore vargje edhe nga Shekspiri, edhe nga Shakespeare (!!)…
Shkruaj, sepse çdo mbrëmje, në adoleshencë, dilja përballë detit dhe DETI – magjistari im – kthehej në rrotaprint gjigand e më sillte para këmbëve fashikujt e dallgëve: librat e mi të parë.
Shkruaj, sepse dashuritë platonike e kuptonin ku fshihesha dhe vite më vonë përpiqeshin ta gjenin veten mes shkronjave, duke ngatërruar imazhet e njëra-tjetrës.
Shkruaj, sepse procesi i të shkruarit është vetëvrasja më e pabububujshme dhe, njëkohësisht, më fisnikja.
Shkruaj, sepse njerëzimi di të lexojë.
Shkruaj, sepse zbulova që, në shqip, shpesh fjalët kanë kuptim të shumëfishtë si Arsyeja (ar+sy+eja), Mëndafsh (mënd+afsh), Parajsa (para-j-sa?!), Apokalypsi (apo-ka-lypsi); se shprehja kristiane Aleluja afron shumë me Hallelulja dhe se këto bashkësi të reja fjalësh për mua do të ktheheshin edhe në tituj librash.
Shkruaj, sepse është i vetmi profesion që të bën dhe mbret, dhe bandit, dhe vrasës, dhe hetues i vrasësit, dhe dashnor të marrë, dhe femër, dhe magjistar, dhe lundërtar, dhe hero, dhe tradhëtar, dhe varrmihës pa varr.
Shkruaj, sepse shkrimi të bën të kuptosh sa e vështirë është të jetosh në dy sisteme, kur nuk e di se ku fillon njeri dhe ku mbaron tjetri dhe pse njerëzimi i shpiku sistemet në një kohë me luftërat.
Shkruaj, sepse arti i të shkruarit të mëson të qash pa lot dhe lotët t’i kthesh në shkronja.
Shkruaj, sepse arti i të shkruarit nuk të pyet nëse ke prerje akademike; nuk do t’ia dijë nëse juritë e çmimeve letrare hiqen sikur ti nuk ekziston; nëse ziliqarët përpiqen të të mundin me armë jashtëletrare; nëse mediokrit të këshillojnë se si të afrohesh në fermën e tyre dhe shumë “nëse” të tjera…
Shkruaj, sepse arti i të shkruarit është mënyra më e mirë si të zbrazësh xhepat në një pijetore të famshme dhe të ndiesh galopin e fjalëve në labirintet e trurit dhe magjinë e rendjes nëpër labirinte.
Shkruaj, sepse shkrimi është mjeti më argëtues i torturës.
Shkruaj, sepse gjatë shkrimit kuptoj pse hierarkia letrare ka spaleta akulli dhe sy bufi; pse mjeshtrat paraardhës “janë dhunues” ndaj pasardhësve të tyre dhe pse kjo i nxit pasardhësit të jenë “atvrasësit”, deri në kohën kur vetë ata kthehen në mjeshtra, rezistues ndaj pasardhësve të rinj.
Shkruaj, sepse ende kam iluzionin se bota do të ndryshojë, edhe nëpërmjet letërsisë.
Shkruaj, sepse vazhdoj të besoj në talentin tim dhe te Universi i vogël që po krijoj, i cili tashmë i ka banorët e tij.
Shkruaj, sepse jam nga nxënësit më të zellshëm në Shkollën e Lirisë, ku ende te “Porta lulëzon jargavani” dhe ku vazhdon të japë leksione demokracie WALT WHITMAN-i.
Shkruaj, sepse po shkruaj trilogjinë AMERIKA NËN LËKURË.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top