Po ndërtojmë mure për të mbrojtur privilegjet tona, por nuk mund të mbyllim sytë para vuajtjeve të të tjerëve/Bisedë me shkrimtarin danez Niels Hav

in A(rt)ktivizëm/Biseda by

Kjo bisedë me poetin dhe prozatorin danez Niels Hav u zhvillua në gjuhën angleze dhe më tej u përkthye në shqip.
Niels Hav është një autor mjaft i njohur në Danimarkë. Ai është përkthyer në shumë gjuhë të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe. (Vëllimi “Shpirti vallëzon në djep”, OMSCA, 2016.)
Ai dallohet për trajtimin e temave të angazhuara në poezitë e tij dhe për ndjeshmërinë e lartë ndaj zhvillimeve politiko-sociale në shoqërinë e sotme globale.
Disa prej poezive të tij janë publikuar edhe këtu në revistën defekt-teknik dhe kanë marrë vëmendje dhe dashamirësi të madhe prej lexuesit.

Ai thotë se është një krijesë e ngecur në kurthin e alfabetit dhe se nuk e përfytyron dot të ketë një pasion tjetër në vend të letërsisë.

Ndërsa i pyetur se sa ndikon lumturia në procesin e tij krijues, ai thotë midis të tjerash:

Lumturia nuk gjendet në receta. Jeta është një katrahurë e pamëshirshme e të gjithë llojeve të emocioneve. Disa vitamina të rëndësishme gjenden vetëm tek dashuria.

     Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Në një prej poezive tuaja, ju shkruani se “poezia ështe politike, por ajo e urren politikën”. Por, përfytyroni një planet (planetin tonë), ku ku ka kujdes social maksimal për të varfrit, për emigrantët, për kafshët, për mjedisin; një planet ku nuk zhvillohet asnjë luftë; një planet ku të vetmit “influencer” (influencues) janë dijetarët, filozofët e mëdhenj, shkrimtarët, shkencëtarët, njerëzit e urtë, etj. Dhe në gjithë këtë atmosferë ideale, ku çdo gjë shkon ashtu siç duhet; a do të vazhdonit të ishit poet? Nëse po, ç’lloj poezish do të shkruanit?

Niels Hav: Ju falënderoj, kjo është pyetja (hyrja) me e pamëshirshme që më është bërë ndonjëherë. Për çfarë do të duhej të shkruanim në Utopi? A do të ishte i mundur arti në Parajsë? Ndoshta në atë situatë – do të ngrinim kokën dhe do të shihnim në universin e pafundmë. Ne jetojmë në një planet të vogël, dielli, yjet, galaktikat janë spërka shkume në kozmos. Ne jetojmë si milingonat në Hënë.
Më shumë se katërqind vjet më parë, Xhordano Bruno u dogj i gjallë sepse këmbëngulte që kozmosi ynë është i pafundmë dhe se ai nuk ka qendër. Truri ynë është kaq i vogël, ne nuk kuptojmë dhe aq shumë. Në Utopi, ndoshta ne do ta linim imagjinatën të eksploronte universin dhe të shkruanim poezi për kozmosin. Ne jemi të rrethuar nga një teknologji e hapësirës tejet e zhvilluar, me satelitë e anije kozmike, dhe e gjithë kjo na e josh imagjinatën dhe bën thirrje për një art të ri. Universi përbëhet nga 100 bilionë galaktika, jemi të vetëm këtu apo çfarë?

dav

Arlinda Guma: Në vitin 1939, një shkrimtar tha i dëshpëruar se po të kishte qenë vërtet shkrimtar, ai do ta kishte ndalur luftën. A keni patur ndonjëherë një ndjesi se të shkruarit është diçka e padobishme? Dua të them; a keni ndjerë ndonjëherë njëfarë pafuqie apo dobësie për mënyrën sesi gjërat po shkojnë në shoqërinë e sotme? (Siç edhe shkrimtari Kurt Vonnegut thotë: – Kështu e ka jeta!) Si e luftoni këtë ndjesi?

Niels Hav: Të shkruarit është i padobishëm në peshoren normale, ai nuk mund ta ndalojë luftën. Them se të gjithë artistët dhe shkrimtarët e njohin këtë ndjesi. Vetmia dhe pafuqia janë gjendja që e kemi të përbashkët me të gjithë njerëzit. Pikërisht kjo është arsyeja e ekzistencës së letërsisë. Poezia është një bisedë intime me lexuesin individual për misteret më të thella të jetës. Në çaste vetmie, aksidentesh, kur dhimbja na rëndon, apo kur lumturia bëhet dërrmuese, pikërisht në ato çaste, poezia është aty, me ca fjalë të thjeshta e të çmuara. Le të kujtojmë mjeshtrin klasik kinez Li Bai (701–762), i cili thotë në një fragment:

Poezitë e përsosura janë të vetmet ndërtesa / që do të qëndrojnë gjithmonë në këmbë.”

Arlinda Guma: Ju e keni quajtur poezinë “një sëmundje e tmerrshme.” (Unë si romanciere e kam quajtur letërsinë “një sëmundje e pakurueshme. Një sëmundje e pakurueshme që kuron …”) Po të mos ishit poet, çfarë do të kishte qenë ajo sëmundja tjetër “e tmerrshme”?

Niels Hav: Ju keni absolutisht të drejtë, kjo sëmundje e pakurueshme apo e tmerrshme, është një tjetër fjalë për pasionin. Filozofi ynë danez Søren Kierkegaard thotë se në thelbin e njeriut është pasioni. Mizat dhe elefantët thjesht jetojnë, për ne kjo nuk është e mjaftueshme, ne duam të ekzistojmë me të vërtetë, ne kemi nevojë për pasionin. Ai mund të gjendet tek romanet, poemat apo simfonitë. Ai mund të gjendet gjithashtu tek bujqësia apo peshkimi.
Poema të cilës i referohet pyetja juaj ka disa elememente humori, humori është i nevojshëm kur kemi të bëjmë me artin. Të tjerët kryejnë gjëra më të dobishme dhe fokusohen në punët e përditshme, ndërsa ne meditojmë për misteret e ekzistencës. Nevojitet pakëz auto-ironi. Parë nga jashtë, ne jemi si ca budallenj konfuzë, kemi nevojë për kënaqësinë e të tjerëve.
Sa për mua, nuk arrij të përfytyroj dot ndonjë pasion tjetër. Bujqësinë, peshkimin, fluturimin… ndjesë, jam një krijesë e gjorë e ngecur në kurthin e alfabetit.

Arlinda Guma: Si do ta përkufizonit një poezi që përmban mendim cilësor, por jo emocion? Dhe e kundërta?

Niels Hav: Ndoshta emocioni në një poezi është pjesë e melodisë. Gruaja ime është pianiste dhe ne jetojmë me të madhërishmen muzikën klasike. Poezia dhe muzika burojnë nga i njëjti burim, të dyja duan ta vitalizojnë trupin njerëzor dhe të shprehin shpirtin dhe emocionet tona më të thella. Poezia pa muzikën është asgjë, edhe muzika pa poezinë është asgjë. E njëjta gjë ndodh me mendimin dhe emocionin. Të gjithë e dimë këtë dhe mund të notojmë lehtësisht në banalitet duke folur për këtë çështje.

Arlinda Guma: Dihet që jo gjithmonë arti i angazhuar mund të jetë edhe cilësor… A përpiqeni të jeni vigjilent në lidhje me këtë? (Apo gjithçka është instiktive…)

Niels Hav: Po, e njëjta gjë ndodh me poezinë për ekologjinë dhe me letërsinë për ndryshimet klimaterike. Katastrofa klimaterike është e rëndësishme, por vetë tema nuk e kualifikon një poezi. Ekziston gjithmonë rreziku që tema, në atë lloj letërsie politike, të bëhet më e rëndêsishme se cilësia artistike. Zakonisht unë e mbaj larg poezisë sime agjitacionin, por së fundmi kam shkruar poezinë me titull: “A NDODHI NGAQË DIKUSH REFUZOI? si një apel ndaj politikanëve dhe ndaj çdokujt të përfshirë në çështjen e refugjatëve. Ne kemi krizë refugjatësh në Europë dhe gjetkë në botë, ka më shumë refugjatë se kurrë ndonjëherë. Ne po ndërtojmë mure për të mbrojtur privilegjet tona, por nuk mund të mbyllim sytë para vuajtjeve të të tjerëve. Ajo që theksoj në këtë poezi është se mosbindja civile është e dëshirueshme dhe e nevojshme në disa situata.

Arlinda Guma: Çfarë është lumturia për ju? Sa ndikon ajo (apo mungesa e saj) në procesin tuaj të të shkruarit? A mund ta ndryshojë botën një njeri i lumtur? (Apo të paktën, të luftojë për ta ndryshuar…)

Niels Hav: Libri im i ri, i sapobotuar nga Anvil Press në Vancouver, titullohet: “ÇASTE LUMTURIE”. Fjala “çaste” është e rëndësishme këtu; lumturia nuk gjendet ne receta, është thjesht e parecetë. Unë nuk jam ekspert. Jeta është një katrahurë e pamëshirshme e të gjithë llojeve te emocioneve. Disa vitamina të rëndësishme gjenden vetëm tek dashuria. Lumturia është një përgjërim i thellë në të gjitha zemrat dhe nëse bota do të duhej të shpëtohej, ndoshta ky përgjërim duhet të jetë busulla jonë. Ndajmë një ëndërr, ndajmë një përgjërim; kjo është e mahnitshme.

Arlinda Guma: Cili është mendimi juaj në lidhje me Lëvizjen Cancel Culture? Nëse do të ishim tepër drastikë me këtë çështje, çfarë pasurie kulturore do të trashëgohej në botë për brezat e ardhshëm?

Niel Hav: Të gjitha marrëdhëniet njerëzore kanë lidhje me pushtetin. Me çfarëdo lloj gjëje tjetër që ata kanë të bëjnë, pushteti është pjesë e marrëdhënies. Është e pamundur të shmanget. Lëvizja Cancel Culture mund të jetë një proces i nevojshëm në njëfarë konteksti, çdo gjë në botë është duke lëvizur me një shpejtësi të madhe. Kodet kulturore ndryshojnë. Njerëz e rajone, të varfra dhe të heshtura, ngrenë zërin, ka të bëjë me debatet për politikën e identitetit. Këto janë rishikime të drejta dhe kjo trazirë është e rëndësishme.
Por mua nuk më pëlqen ideja që një person apo ide mund të “anulohet” apo të bllokohet kulturalisht. Kjo më kujton impulsin e dashit të kurbanit siç e përshkruan René Girard.
Konfliktet dhe rivaliteti burojnë nga dëshira jonë imituese që na kërkon të fajësojmë dikë ose diçka, në mënyrë që të bashkohemi. Na duhet ta kontrollojmë këtë impuls, respekti për pikëpamjet e kundërta është një gur themeli i qytetërimit. Le të qëndrojmë njerëz.

Përktheu nga anglishtja: Arlinda Guma

Dy poezi të poetit dhe më poshtë një biografi e shkurtër e tij:

Epigram  

Ju mund të shpenzoni tërë jetën  
në kërkim të një fjale  
pa e gjetur asnjëherë  
atë.  

Tamam si ai peshku fatkeq  
i paketuar në letër gazete hungareze.  
Për dikë ai është i vdekur,  
për dikë tjetër ai thjesht nuk kupton  
hungarisht!  

Anestezistët diskutojnë për astronomi

Anestezistët diskutojnë për astronomi

duke u ngritur në ashensor

ndërsa pacientët mbërrijnë me taksi

të shoqëruar ose jo nga familja.

Universi

përbëhet nga 100 milionë galaktika.

Nëse një e milionta e atyre planeteve

janë qytetërime të ndjeshme,

ne nuk jemi vetëm.

Jashtë: shi i ftohtë,

dhjetor.

Një i sëmurë

i ulur në sallonin e pritjes

mes revistave të zhubrosura,

në jetën e tij të rrënuar,

ka vetëm një lutje.

© Niels Hav – Përkthyer nga: Kujtim Morina

______

Niels Hav është një poet dhe prozator i tregimeve të shkurtra në profesion të lirë që jeton në Kopenhagen, i mbështetur nga Këshilli Danez i Arteve (Danish Arts Council). Ai ka botuar në vendin e tij shtatë libra me poezi dhe tre të tjerë me tregime të shkurtra. Poezitë dhe proza e tij janë përkthyer në shumë gjuhë si: Anglisht, Hollandisht, Arabisht, Turqisht, Spanjisht, Serbisht, Maqedonisht dhe në gjuhën Kineze. Libri me poezi të zgjedhura i tij, “Ne jemi këtu” (We are here), është pritur shumë mirë dhe Hav është cilësuar si një prej poetëve më të talentuar të Danimarkës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top