Nëse lind në Kosovë ndihesh gjithmonë paksa buburrec/Andrea Tarabbia

in Esé/Letërsi by

Balada” e një artisti të zotë që buzëqesh në shkretinë e një vendi të ndarë mes shqiptarëve dhe serbëve

Andrea Tarabbia

Kosovar, i lindur më 1986, prozator, poet, aktor teatri, Shpëtim Selmani arrin më në fund në Itali me botim të Crocetti-t me këtë Baladë të Buburrecit, që nuk është libri i tij i parë (me një tjetër, Libërthi i Dashurisë, e ka fituar më herët çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi), por që është, ose më duket mua, një kungim i shkëlqyeshëm për të hyrë në imagjinatën e këtij autori të ngritur dhe ironik dhe për t’i hedhur një sy njërës prej letërsive ballkanike më interesante, por më pak të hartëzuara nga bota jonë botuese.
Kjo Baladë e merr hua titullin nga një këngë, nga atmosfera e viteve ’90 dhe nga tonet e dëshpëruara të një grupi kosovar rock-u, Lindja, të cilin Selmani e falënderon në shënimin final «për shpirtin e vërtetë të rezistencës që e shpreh përmes rock and roll-it» dhe vetë fakti se një shënim te falënderimi e çon lexuesin online ta kërkojë një këngë, ta gjejë tekstin për të bërë një përkthim automatik dhe për të pasur kështu një ide për atë për çka flet, është tregues i faktit se libri që sapo e ka lexuar është diçka e çmueshme, që të merr me vete, që hap horizonte të reja.

Balada e Buburrecit është një objekt letrar i çuditshëm, fragmentar, shkruar në një stil parataktik, saqë përkthyesja Fatjona Lamçe arrin ta riprodhojë duke e dhënë edhe në italisht atë ndjenjë ngeje, lehtësie, që është referenca stilistike fundamentale e Selmanit: autori në të vërtetë përdor një gjuhë nganjherë pop, «të shpejtë» dhe çapkëne, për të folur për gjëra shumë serioze, si masakra e Srebrenicës dhe marrëdhëniet e komplikuara mes kosovarëve e serbëve, për dëshirën për të qenë evropianë dhe të ndierit të përjashtuar, apo për kujtimin e poshtërimeve të pësuara gjatë luftës; në të njëjtën kohë fut në tekst kapituj shpesh fare të shkurtër (le të shihet i parafundit, «Dylan»), që janë njëfarë pauze në narracion dhe një moment reflektimi pseudo-diaristik në dukje të shkoqura nga pjesa tjetër, por që në të vërtetë kontribuojnë ta bëjnë tekstin të pasur, shumëfaqësh dhe vështirë të katalogizueshëm.
Çka është në të vërtetë Balada e buburrecit? Është roman i shkruar si të ishte ditar: është një un rrëfyes që nuk ka emër, të cilin pra lexuesi mund ta lidhë me autorin, me të cilin nga ana tjetër i bashkëndan datën e lindjes dhe prejardhjen, ka një gjendje familjare (gruan dhe të birin e vogël), profesionin e shkrimtarit, udhëtimet, mirënjohjet jashtë dhe në vend për punën letrare e kështu me radhë. Por narratori i kësaj Balade nuk është Selmani: është dikush, fëmijëria e të cilit, si edhe ajo e autorit, është rrafshuar përtokë nga lufta dhe që e ndien që nga rreshti i parë se roli i tij në botë, si artist kosovar, është ai i rrëfimit, çka do të thotë të jesh i lindur dhe të jetosh në periferinë e perandorisë, me bombat mbi kokë, në një vend që ka pasur pa dashjen e tij një rol qendror në historinë më të re, por që mbetet margjinal në perceptimin e pjesës tjetër të botës. Ja, kjo gjendje, që lehtësisht mund të çojë në dëshpërim, apo të ndihesh buburrec, në fakt e bën Selmanin, pardon, narratorin, ta shkruajë një libër që, ironikisht, që nga rreshti i parë përkufizohet si i vogël: «Kam hequr dorë nga ideja që të shkruaj një libër të madh».
E ndarë në tri pjesë, Postlove, Whitman dhe Karadzic apo letër Radmillës, kjo Baladë ndjek jetën e narratorit gjatë viteve pandemike, e rrëfen në të tashmen si, tamam, në ditar dhe e ndan në tri zona të mëdha: jeta familjare dhe atësia (që pasqyrohet në humbjen e babait të vet), jeta publike, e kuptuar si një portret i vendit dhe asaj sesi ajo që ka ndodhur në vitet ’90 ende ndihet në çdo gjest dhe në çdo mendim të përditshëm të atij që ka mbijetuar, në fund jeta e shkrimtarit, me një rezidencë në liqenin e Gjenevës, në Lavigny, dhe reflektimet, dështimet dhe perspektivat e reja që dalin nga aty. E tëra e shkoqitur nga kapituj të shkurtër dhe përfaqësues, titujt e të cilëve janë në vete manifest letrar: Këtë s’e ka bërë as Hemingway, Tom Waits, Anne Sexton dhe poezia e saj, nga e cila duhet të turpërohemi, Pushiki e kështu me radhë. E pasur me plot citime, Balada është vepra e hidhët e atij që di të qeshë, a të paktën të buzëqeshë, brenda shkretisë, i vetëdijshëm se «në Ballkan vetëm poeti i bërë copa është poet i vërtetë». Qendra e tij nevralgjike është Kosova, të qenit shqiptar brenda një toke të sfilitur, të cilën narratori do të donte të dinte ta këndone si Bolagno – po çështja është pikërisht kjo, se Ballkani nuk mund të këndohet si Meksika, apo pampa, Ballkani është tokë e copëtuar, e ndarë, që kalbet brenda dallimeve dhe dyshimeve reciproke dhe që, pra, nuk mund të jepet veçse me anë të fragmenteve, frazave që ngashërejnë dhe një dëshpërimi që, megjithatë, historia na ka mësuar ta përmbajmë.

Marrë nga shtojca letrare e të përditshmes La stampa, 27 Maj, 2023

Përktheu: Arben Idrizi

Botuar në Gazeta Ekspres

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top