Muri i Madh dhe librat/Jorge Luis Borges

in Letërsi by

Jorge Luis Borges

Lexova, këto ditë, se njeriu që në kufijtë e Kinës urdhëroi ndërtimin e një muri pothuajse të pambarimtë ishte i njëjti perandor, Shi Hoang Ti, që urdhëroi të digjeshin gjithë librat që ekzistonin përpara tij. Për faktin që këto dy operacione të mëdha – pesë deri gjashtëqind lega prej guri ngritur kundër barbarëve dhe anulimi i rreptë i historisë, d.m.th. i së shkuarës – i detyrohen të njëjtit person, që ato qenë në njëfarë mënyre atributet e tij, provoja njëherazi, në mënyrë të pashpjegueshme, kënaqësi dhe shqetësim. Kërkimi i arsyeve të këtij emocioni është pikërisht objekti i këtij shënimi.
Nga ana historike, nuk ka asnjë mister në këto dy masa të ndërmarra. Bashkëkohës i luftrave të Hanibalit, Shi Hoang Ti, mbret i Çinit, i përfshiu nën pushtetin e vet Gjashtë Mbretëritë dhe e zhduku sistemin feudal; ai ndërtoi murin e madh, sepse muret ishin mbrojtje; dogji librat, sepse kundërshtarët u referoheshin për të lëvduar perandorët e mëparshëm. Të djegësh libra dhe të ndërtosh fortesa është detyra e përbashkët e princave; nuk pati asgjë të veçantë te Shi Hoang Tija përveç shkallës mbi të cilën veproi. Këtë të lënë të kuptosh disa specialistë të Kinës, por e ndiej se faktet që tregova janë diçka më shumë se teprimi, qoftë hiperbolik, i masave të rëndomta. Të rrethosh një pemishte apo një kopsht është diçka e zakontë, por të rrethosh një perandori, nuk është aspak e tillë. Nuk është e zakontë as të pretendosh se më tradicionalja e të gjitha racave hiqka dorë nga kujtesa e së shkuarës së saj, qoftë kjo mitike apo e njëmendtë. Kinezët kishin tre mijë vjet kronologji (që përmbanin Perandorin e Verdhë, Çuang Cenë, Konfucin, Lao Cenë), kur Shi Hoang Ti urdhëroi që historia të niste me të.
Shi Hoang Ti e kish syrgjynosur të ëmën si një grua të shthurur; në këtë drejtësinë e tij të rreptë, fanatikët nuk panë gjë tjetër veçse një sakrilegj; Shi Hoang Ti deshi ndoshta t’i shuante nga faqja e dheut librat kanunorë sepse ata e akuzonin; Shi Hoang Ti deshi ndoshta ta zhdukte krejt të shkuarën për të zhdukur një kujtim të vetëm: poshtërsinë e nënës së tij (s’bëri ndryshe as ai mbreti, në Judé, që vrau gjithë foshnjat për të vrarë një foshnjë të vetme). Ky hamendësim meriton vëmendje, por nuk na thotë asgjë për murin, faqen e dytë të mitit. Shi Hoang Ti, simbas historianëve, ndaloi të përmendej vdekja; ai kërkoi eliksirin e pavdekësisë dhe u mbyll në një pallat figurativ, të përbërë nga aq dhoma sa ka viti ditë: këto fakte sugjerojnë se muri në hapësirë dhe zjarri në kohë qenë pengesa magjike të destinuara për të ndalur vdekjen. Të gjitha gjërat duan të këmbëngulin në qenien e tyre, ka shkruar Baruch Spinoza; ndoshta perandori dhe magët e tij besuan se pavdekësia është qenësore për njeriun dhe se prishja nuk mund të hyjë brenda një bote të mbyllur. Ndoshta perandori deshi të rikrijonte fillimin e kohës dhe i vuri vetes emrin Hoang Ti, për të qenë në njëfarë mënyre Hoang Ti, perandori legjendar që shpiku shkrimin dhe busullën. Ishte ky, simbas Librit të Riteve, që u kish vënë gjërave emrin e tyre të vërtetë; po njëlloj, Shi Hoang Ti u mburr, në përshkrimet që ekzistojnë ende, se të gjitha gjërat, nën perandorinë e tij, kishin emrin që u takonte. Ai ëndërroi të themelonte një dinasti të pavdekshme; urdhëroi që trashëgimtarët e tij të quheshin Perandori i Dytë, Perandori i Tretë, Perandori i Katërt, e kështu deri në pafundësi… Fola për një synim magjik; por mund të mendojmë gjithashtu se ndërtimi i murit të madh dhe djegia e librave nuk ishin veprime të njëkohshme. Do kishim kështu (duke ndjekur radhën që do zgjidhnim vetë) imazhin e një mbreti që e filloi duke shkatërruar, pastaj mblodhi mendjen dhe vendosi të ruajë, apo imazhin e një mbreti të zhgënjyer që shkatërroi atë çka më parë e kishte mbrojtur. Të dyja hamendësimet janë dramatike, por me ç’di unë ato nuk kanë bazë historike. Herbert Allen Giles rrëfen se ata që fshehnin libra damkoseshin me hekur të skuqur dhe dënoheshin të ndërtonin, deri sa të vdisnin, murin e stërmadh. Një fakt i tillë favorizon apo lejon një tjetër interpretim. Ndoshta muri ishte një metaforë; ndoshta Shi Hoang Ti dënoi ata që adhuronin të shkuarën me një vepër po aq të madhe sa e shkuara, po aq të mundimshme dhe po aq të kotë. Ndoshta muri i madh ishte një sfidë, ndoshta Shi Hoang Ti mendoi: “Njerëzit e duan të shkuarën dhe kundër kësaj dashurie nuk mund të bëj asgjë, as unë, as xhelatët e mi, por një ditë do vijë dikush që mendon si unë dhe ky njeri do ta rrënojë murin tim të madh, siç rrënova unë librat, dhe do ta shuajë kujtesën time, dhe do jetë hija e pasqyra ime dhe këtë s’ka për ta ditur.” Shi Hoang Ti, ndoshta, e rrethoi perandorinë me një mur të madh sepse e dinte që ajo ishte e vdekshme dhe i dogji librat me mendimin se ishin libra të shenjtë, domethënë libra që të mësojnë atë që të mëson mbarë gjithësia apo vetëdija e çdo njeriu. Zjarri ndaj bibliotekave dhe ndërtimi i murit të madh ndoshta janë veprime, secili prej të cilëve, fshehtësisht, shfuqizon vetveten.
Muri i fortë e i patundur që në këtë çast dhe në të gjitha çastet lëshon mbi tokat, që s’kam për t’i parë, sistemin e tij të hijeve është hija e Çezarit i cili urdhëroi që një komb i denjë mes të gjithëve të digjte të shkuarën e vet: ka gjasa që ideja na prek nëpërmjet vetvetes, pavarësisht hamendësimeve që lindin prej saj. (Cilësia e saj mund të qëndrojë në kundërshtinë midis ndërtimit dhe shkatërrimit, mbi një shkallë lëvizëse të pamatë.) Duke përgjithësuar një rast të tillë, do mund të nxirrnim përfundimin se të gjitha format i kanë cilësitë e tyre në vetvete dhe jo në një “përmbajtje hamendësore”. Ky përfundim do përputhej me tezën e Benedetto Croce-s; ndërkaq Pater-i, në 1877-n, pohoi se gjithë artet synojnë muzikën, që s’është tjetër veçse formë. Muzika, gjendjet e lumturisë, mitologjia, fytyrat e munduara nga koha, disa muzgje e disa vise duan të na thonë diçka, apo na e kanë thënë dhe ne s’duhet ta kishim lënë të humbte, ose po bëhen gati ta thonë; ky zbulim i afërt, që nuk ndodh, është ndoshta fakti estetik.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top