Kur isha i çmendur isha më i guximshëm/Adri Kalaja

in Esé/Letërsi by

Adri Kalaja

Më kujto sa herë të rruash këmbët.
Girl interrupted”

Myslimanëve u pëlqen seksualiteti anal dhe janë të prirur drejt fitimit të parasë.
“Ra ky mort e u pamë”

Isha katër vjeç kur pashë për herë të parë penisin e babait
Vendi i babait”

Jam fëmijë. Është hera e parë që shoh një etyd dhe dua të di se çfarë është. Sapo jam kthyer nga panairi i librit. Përballë atij hotelit me kangjella kam parë një figurë të ndritur të akademisë shqiptare. Jo Dhori Kulen. Lëre se çfarë them. Dhori Kule nuk del pa “badigardë”. Etydi ishte zhvilluar në pllakat e korridorit të shkollës. Afër atyre vazove të stërmëdha dhe të dhuruara nga fondacionet e huaja. Etydi ka të bëjë me drogën. Tmerrin që u shkakton ajo familjeve.
Nuk e di pse m’u kujtua ky fragment, kur para dy viteve, në librarinë e qytetit, në librarinë e qytetit që është ngjitur asaj françeskane por që nuk është ajo françeskane, gjeta një përkthim të vjetër të Pirandelos. I vitit 1999. Kopertina letër MAT. Shtëpia botuese “Elite”. Gjithashtu dhe librari. Seria e botimeve: autorë të mëdhenj. Përkthyesi me emër: Zija Vukaj.

Titulli: Marta Ajala.
Nëntitulli: Një grua që e ndien veten të braktisur nga shoqëria në të cilën jeton.

Do të doja ta kisha njohur më herët Martën dhe të shkruaja për të, siç po bëj tani. Çfarë më pengoi? Nuk di të them. Ndoshta një paragjykim i vjetër i autorëve italianë të hershëm. Megjithëse Pirandelon e ndeshim dhe të botuar te “Çabej”. Përmbledhje me tregime, nëse e mbaj mend saktë. Shkoi vonë tani, sikur u njohëm ca si shumë, përtoj të ngrihem nga karrigia dhe të marr librin të konfirmoj dyshimet e mia.
Më mirë po vazhdoj me ty e dashur Marta.
Pikësëpari nuk më pëlqen sepse e ke kopertinën në ngjyrë të vjelle. Kjo nuk do të thotë aspak se jam lexues me paragjykime. Pikësëdyti nuk më pëlqen sepse je format libri i vogël, nga ata libra që përqesh Dritëroi te shoku Zylo. Nuk e di nëse kjo përqeshje është edhe te ripunimi i tekstit. Aty ku shtohen faqet për udhëtimin e Zylos në Afrikë dhe aty ku Demka fillon të kuptojë se grave të shkrimtarëve u pëlqekan bizhuteritë e grave të ambasadorëve të huaj.
Hap një artikull kritik fantazëm për shokun Zylo dhe në fakt më vjen në mend Hyloi i Bazinit.
Botimi i Martës është realizuar me mbështetjen e plotë apo të pjesshme (kjo u takon historianëve) të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. “Si dhe të Ministrisë së Jashtme Italiane”. Kaq thotë letra dhe sytë e mi kaq marrin vesh.

Çmimi: Lekë pesë mijë.

E dashur Marta, pse je kaq e lirë? Flet fëmija brenda meje që e do Martën me sesbën por akoma nuk ka gjetur një punë që t’i mundësojë të blejë ç’ti dojë zemra, por njëkohësisht do që gjërat që ka të mos t’i kenë të tjerët.
Flet studenti që ka dëgjuar për një Marta tjetër, edhe më të famshme se kjo. Profesore filozofie. Andej matanë oqeanit. Në fakt kjo Marta tjetër ka ca ide interesante, të cilat nuk do t’i shtjellojmë këtu për hir të ligjeve të copyright-it. Kujt i kujtohet ai filmi “Të shoh në sy” .
Pas Martës nuk mund të shohësh më njerëz në sy?
No eye contact during a devil’s threeway.
Një grua që e ndien veten të braktisur nga shoqëria në të cilën jeton.
Mendoj se më mirë do të qe sikur ta deklaronin “të nëpërkëmbur”. Ashtu siç Van Gogh-u “u vetëvra”. Asgjë të re nuk kam thënë deri më tani.
Në të njëjtën kohë vetëm ISBN-në e librit nuk kam deklaruar.
Ndjesë, i dashur lexues, por sa kam marrë vesh për Realin e Madridit që ka humbur ndeshjen e radhës. Qafëtrashi banakier, si te novela e Kamysë, ka punuar për këtë ditë dhe të sheh në sy.
Ngjarjet zhvillohen në Siçili dhe Rok Pentagora e ndan gruan sepse e kap duke lexuar një letër dashurie. Kaq duhet të dimë që të na vijë keq për Martën.
Si quhet copa e mishit rreth vaginës? Grua⁶.
Në fakt Marta është një shembull. Mendoj që nuk duhet të na vijë keq për të sepse proza e Pirandelos është në tentim e sipër të një satire therëse. Por ashtu siç Don Kishoti i Mançës apo Kurani nuk na bëjnë më për të qeshur, edhe Pirandeloja sikur ka skaduar. Ndoshta është edhe faji i përkthimit. Nuk di italisht dhe në të njëjtën kohë nuk di nëse është fat ta shijosh Pirandelon në italisht. Ka autorë, thotë Umberto Eko, të cilët edhe të lexuar në gjuhën e tyre origjinale, nuk mund të kuptohen mirë. Pirandeloja nuk është nga këta. Është shumë i lehtë dhe kjo të krijon një ndjenjë respekti. Në fund të fundit, për një lexues që nuk është kritik letrar dhe që “nuk i rri amël gegnishtja” do të qe shumë më mirë të shkruante për një autor të tillë, dhe jo, le të themi, për një Dante apo një Edon Qesari.⁷
Le të vazhdojmë.
Ti kthehemi Martës.
Libri hapet me një inversion. “Fytyra e tij e ngrënë mole ngjante mu si maskë nën të bardhën rozë të lëkurës së rruar prej derri që i rëndonte mbi zverk.⁸” Shpesh dhe asnjëherë në përkthim nuk humbet cilësia teatrale e groteskut. Kjo nuk ka të bëjë aspak me çështjen e teatrit kombëtar. Përkundrazi. Është tipike për autorët dhe përkthyesit e dobët të flasin për maska. Jam shumë i zhgënjyer nga bota dhe do të doja që operacionet plastike të ishin shpikur më herët.
Po jo zemër, shumica e operacioneve plastike në hundë janë etike sepse është normale të duash të korrigjosh natyrën për ata që kanë ndenjur me vite me gisht në hundë, citohet të ketë thënë një Martë e ditëve tona.
Pjesa e Dytë. Marta fiton zemra.
Njeri jo më pak i veçantë ishte Madden: profesor dhe ai por privat, i gjuhëve të huaja. Jepte me çmim të lirë mësime anglishteje, gjermanishteje, frëngjishteje, duke marrë nëpërkëmbë italishten¹⁰.”
Me thënë të drejtën kjo pjesë më duket me humor. Nuk e di, si mendon ti Zija?
Ngjarjet rrjedhin natyrshëm më pas, ka dyluftime, kriza identiteti, përplasje ndjenjash, psikologjizma të ulëta por që mjaftojnë për të kundërvënë djemtë kundër nënës dhe për të testuar besnikërinë e babait përballë mundësisë së lirisë. Një kriticien i mirë do thoshte se është novelë ekzistencialiste. Nuk e di, si mendon ti Zija?
E drejtë është që një vajzë të njollosë emrin e babait! Që dëbohet si një e përdalë nga i shoqi, që vjen pastaj e ja mëson zanatin motrës së vogël¹¹”.
Kjo nuk më duket shumë qasje e ndershme ndaj feminizmit. Në fund të fundit të gjithë e dimë se skizofrenia është e përhapur vetëm ndër burra. Nuk e di, si mendon ti Zija?
Kështu pra, asnjë gruaje të ndershme, në të fshehtat e ndërgjegjes së saj nuk do t’i qe dukur se kryente mëkat në atë çast turbullimi apo kënaqësie, nëse përkëdhelte me mend atë dëshirë të shkaktuar duke imagjinuar në një vegim fluturak, një jetë tjetër, një dashuri tjetër¹²…”
Tre pika. Reticencë.
Jam sërish shtatëmbëdhjetë vjeç dhe shoqes së bankës biondi i klasës sapo i ka futur një zhapik në pantollona. Ajo qëllimisht nuk ka veshur streçe atë ditë. Shoqes së saj të ngushtë i vjen era e gojës. Askush nuk merr vesh asgjë. Është një klasë me shkencëtarë. Vetëm nëndrejtori bën sikur çdo gjë është normale. Në fund të fundit, për romanet e mëdhenj nuk ka nevojë për shumë skena erotike. Ata që nuk e kanë kuptuar akoma Don Zhuanin nuk besoj se kanë nevojë t’i kërkojnë ndjesë Zotit pse dikush tjetër ka rënë në mëkat.
E gati sa nuk qante nga meraku që nuk po e shihte, që s’po e shihte të motrën siç kishte dashur ta shihte, kokulur, të pikëlluar, të mposhtur në hidhërimin e saj dhe të pangushëllueshme, si në ditët e para pas kthimit në shtëpi.¹³”
Kurrë nuk i kam kuptuar “fraternizimet” mes grave. Mendoj që po të isha fashist i mirë do të thosha që gratë duhet të rrisin individualitetin e tyre, gjithmonë duke punuar për të mirën kolektive. Pra, të sakrifikohet privatësia në emër të bashkëpunimit e marrëzira të tjera si këto.
E secili nga këta të xhindosur, nën ngarkesën e stërmadhe, i pllakosur nga çmenduria për të vuajtur sa më shumë që të mundte nga dashuria për Shenjtorët, e tërhiqte mbi vete vigun, kështu që forcat përjashtonin njëra-tjetrën dhe Shenjtorët shkonin si të dehur mes turmës që shtynte duke ulëritur egërsisht¹⁴.”
Mendoj që këtu për herë të parë Pirandeloja bëhet realist. Realizmi është term i rrezikshëm. Sidomos për ata që janë fashistë të mirë dhe të bindur. Ndoshta nuk ka kuptim të flasësh për fashizëm atëherë kur në fund të fundit holokausti ka mbaruar dhe të vdekurit e krahut gjerman të Luftës së Dytë Botërore nuk lejoheshin të varroseshin me shumë familjarë prej frikës së grumbullimeve. Për krahasim, lustrimi i veshëve nga këngët e hoxhallarëve sot bëhet në mënyrë shumë më diskrete, dhe grumbullimet janë pothuajse automatike. Le t’i kthehemi Martës. T’i lëmë të çmendurit.
Ai nuk shikonte në këtë vendim të Martës varfërinë, urgjencën për t’u kujdesur për nevojat jetike të familjes, për të cilat ai vetë, fshehurazi kishte dashur të kujdesej. Shikonte vetëm vullnetin e guximshëm përbuzës të saj për të ngritur krye kundër gjithë fshatit, gati duke thënë: “Më mjafton vetja dhe njerëzit e mi, s’e çaj kokën për dënimin tuaj¹⁶”.
Ky qëndrim i Martës prej gruaje burrneshë na kujton shumë nga gratë shqiptare. Sakrifikimin e tyre për tokën dhe shtëpinë. Murosjen gjakftohtë që iu bë Rozafës. Fatkeqësinë që Rozafa nuk e njohu kurrë Rimbaudin.
Jo, jo! – nisi prapë Ana. – Mos fol kështu… Është i dashuruar, besomë mua… Por ka atë qen çifut babai, kupton? E sa të jetë ai… po deshi ndërkaq Marta t’i shkruajë një pësullë¹⁷…
Pa koment.
Ishin shumë. Gjithë fshati ishte për padrejtësinë, për dënimin. Dhe ishte fshehur i shoqi, njeriu që s’kishte kërkuar kurrë gjë. Që kurrë nuk i qe përkuluar askujt. Çfarë ishte ajo? Një grua e varfër ishte, e shastisur nga fatkeqësia¹⁸.
Këtu, përgjatë zhvillimit të historisë kemi të bëjmë me atë që në historiografi do të quhej shfaqja e gjermanit të mirë. Pra dikush që nuk ka cilësi të padobishme apo të këqija. Dikush që vazhdon të jetë ëndrra e çdo vjehrre dhe i kunguar pa pikën e dyshimit. Dikush që do t’ia rekomandonit shoqes 10/10. Nuk ka rëndësi në mund të jetë studiues apo aktivist politik. Gjermanin e mirë kemi mësuar ta përçmojmë të gjithë thotë H.Arendt kur na mëson të tejkalojmë dhunën. Po po. Dhuna edhe mund të tejkalohet. Nuk mundet thjesht të denoncohet. Ajo i vinte atij brirët¹⁹, për të cituar një Pessoa. Sentimentalizmi është superstrukturë e brutalitetit, për të cituar një Kundera.
Edhe ti o Marta?
Edhe ti? Nuk e di, si mendon ti Zija?
Dhe kur ulej, zinte sa më pak vend që të ishte e mundur (Më fal! Më fal!); duke folur me zërin që i dridhej, nuk kundërshtonte kurrë njeri dhe ishte si i sikletosur gjithnjë nga edukata e tij e tepruar. Do të kishte dashur të rëndonte mbi të tjerët më pak se një fije kashte. E ndërkaq zemrën… Ah, ajo Marta: a thua s’vinte re asgjë²⁰?
Sigurisht që gratë dhe vashat kuptojnë më shumë sa do të duhej. Sa do duhej të kuptonin gratë dhe vashat nuk e ka në dorë kisha katolike. Zhanë D’Arka kuptoi më shumë sesa duhej.
E padjallëzuar për të qënë e mbrojtur nga një tundim, në papërvojën e saj; megjithë provën e besnikërisë: si shpërblim, njolla e turpit; si shpërblim, dënimi i vjetër i të atit! E të gjitha pasojat e tij, të ngarkuara pastaj si faje asaj: kriza, rrënimi, mjerimi, e ardhmja e këputur e së motrës; e pastaj poshtërimi akoma, fyerja publike e një turme të tërë pa mëshirë ndaj një gruaje të vetme, të sëmurë, të veshur në të zeza.²¹
Ngjyra e zezë përdoret në raste morti, por jo për të likujduar libidon e përkthyesve.
Mendoj gjithashtu që “qenia” nuk shkruhet me “ë”.
Nuk arrinte të kuptonte fatkeqësinë që shpirti do t’i formohej, o me dyshime, o me etjen për të ditur; varfëria ishte për të një e keqe e durueshme dhe e ndreqshme; dy fatkeqësi të vërteta kishte jeta, për ata mbi të cilët natyra ushtron padrejtësinë mizore: shëmtia dhe pleqëria, subjekte përçmimi e shpotie të bukurisë e rinisë²².
Më vijnë ndërmend ato artistet e reja kontemporane. Groupie të shpëlara. Shërbëtore të dikujt. Dhimbja e tyre më ther zemrën. Zëre se jam unë.
Letra e Gregor Alvinjanit ishte si çdo shfaqje e ndjenjave të tij, pjesërisht e sinqertë. Vërtet në Romë e kishte ndier atë që në letër e quante “zëri i sinqertë i natyrës tonë…” Puna e tepërt pa lëvizur, aktiviteti mendor i pareshtur, ngulmimi i zgjatur, i pandërprerë kur ishte i shtrënguar jo vetëm për të përballuar atë jetë zotërinjsh që ishte mësuar të çonte, por edhe për të ushqyer, përligjur e imponuar ambicien e tij të prirur për pushtet politik²³.
Shumë njerëz të tillë kam hasur në jetë. Politikanë pa plan. Sharlatanë siç do t’i quante Umberto Eko. Por kjo nuk është e thënë. Mund t’i quante dhe dikush tjetër. Tregojnë legjendat e tryezës së rrumbullakët, që me nisjen e zhdukjes së kalorësve, ata që filluan të binin njëri pas tjetrit, synimi ishte krahu i djathtë i mbretit, magjistari Merlin. Merlinin pra, Morgana, shtrigë e vjetër e me eksperiencë në këto lloj punësh, vendos ta joshë, vesh një pazh të ri aq bukur sa e transformon pothuajse në vajzë. Merlini bie menjëherë në dashuri, me djalin apo vajzën, nuk mund ta themi. Kyçet në një burg që e kishte ideuar vetë, burgun e mendjes së vet. Arturi mbret nuk mund ta shihte më në sy pas atij turpi. Një hermafrodit? Vërtet Merlin?
Në fakt këtu na tregohet sa socialistë janë si natyrë anglezët. E vetmja mënyrë që burrat në Greqi të vishnin rroba grash ishte kur vajtonin në funerale ose kur hipnin në skenën e teatrit. Pse? Sepse “gruaja duhet me ndejt në shpi²⁴”. Ja pra, që edhe populli i Bajronit ka limitetet e veta.
Ishte i sigurtë për suksesin që nuk i kishte munguar kurrë dhe e joshte mjaft mendimi që Marta do ta shihte përsëri aty, në mes të duartrokitjeve të një auditori të panumërt²⁵.
Nuk e di, si mendon ti Zija?
Ai kishte arritur t’i drejtohej me “ti”, si në letrën e fundit që ia kishte zbuluar i shoqi; dhe ajo ia kishte pritur pothuajse pa vënë re²⁶.
Nuk e di, si mendon ti Zija?
Sa e sa mendime e shtien këtë helm. Po si është e mundur të mos mendosh për kushtet e mia? Ti je i lirë, unë jo! Liria e shpirtrave, për të cilën flet ti, katandiset në një torturë për trupin e lidhur me zinxhirë²⁷…”
Nuk e di, si mendon ti Zija? T’ia japim lirinë Martës?
Çfarë kujton se është kjo ndërgjegjia? Janë njerëzit tek unë, e dashur! Ajo më përsërit atë çfarë thonë të tjerët. Mirë pra, dëgjo: me ndershmërinë më të madhe, ndërgjegjia ime më lejon të të dua²⁸.
E di personazh që nuk ta mbaj mend emrin, thotë Marta. Të gjithë kanë nevojë që t’i dojë dikush por Marta është sadiste. Ose të paktën ka dëgjuar për sadizmin. Marta është një ikonë e feminizmit modern, sadoqë Pirandelo mundohet t’ia ulë vlerat.
E dashura ime? Jo shpirt! Ah, sikur, të shihja te ti, në sytë e tu, pak dashuri! Do të shkoja te burri yt; do ti thosha: “Ti e ke përzënë pa faj, e ke poshtëruar pa arsye, e ke shkatërruar, sepse unë e dua? E tani që ajo më do, do ta duash përsëri? E pra, jo²⁹!
Ekzistojnë ca njerëz në botë të cilët kanë lindur për të veshur geta. Ashtu si disa që quhen preç grash, shtiren sikur janë në kontakt me anën e tyre më femërore. Borgesi i quan të përçmueshëm këta, le të themi metroseksualë. Haki Stërmilli me siguri ka qenë mik me Pirandelon por edhe sikur të mos ketë qenë, t’ia vësh emrin çunit “Tragjedi” është pak e tepërt, nuk e di, si mendon ti Zija?
Marta bëhet doktoreshë.
Por pak nga sytë e të sëmurë për vdekje u gjallëruan një çikë, sikur nga thellësia e vdekjes, një mbeturinë jete të kthehej e të pluskonte në sipërfaqe. Hapi përgjysmë dhe i lëvizi buzët³¹.
Këtu përkthyes  Zijaja është bërë snyde. Vëzhgimi psikologjik ndryshon nga situacionizmi. Qesarit ç’i takon Qesarit.
A ka të tjerë si ne? Pastaj ora ndalet, toka s’rrotullohet. Hana plasaritet, nuk fryn më as erë.”
Ka more Zija, si nuk ka? Në kohën tonë edhe ne bënim dashuri, si nuk bënim?
A mund të mos bënim?

_____
Shënim: Luigi Pirandelo nuk e njeh Inva Mulën, Inva Mula ndoshta e njeh Luigi Pirandelon.
Zijaja dhe Qesari nuk njohin as njërin dhe as tjetrën.

Shkodër, 2023

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top