“I dashur armik!”-Dy fjalë për një film të përkorë dhe një autor po aq/Arlinda Guma

in Kinema by

Gjergj Xhuvani ishte Din Hyka i vërtetë, ai zbriti prej veprës së të atit në realitet dhe fati e formëzoi në një mënyrë gati surreale

    Arlinda Guma

Gjithmonë kam dashur të ulesha të shkruaja disa fjalë për filmin “I dashur armik”, por çdo herë që tentoja, druhesha se nuk do arrija kurrë ta përshkruaja siç duhej të gjithë magjinë që më ka përcjellë kur e kam parë për herë të parë. Dhe ja… U desh lajmi i hidhur për ikjen e parakohshme nga jeta të regjisorit të këtij filmi; Gjergj Xhuvanit, që unë më në fund të ulesha e të hidhja disa përshtypje.

Kur flitet për punët e Gjergj Xhuvanit, të shumtë janë ata që ndalen te filmi “Parrullat”, si një film që shenjoi kulmin e kinemasë shqiptare, me një pjesëmarrje dinjitoze në Festivalin e Kanës e çmime të rëndësishme, dhe të paktë janë ata që ndalen te filmi “I dashur armik”. Ky vjen gjithmonë i dyti në listim.

Fati i një filmi ndikohet jo rrallë edhe nga një mijë rrethana të tjera joartistike dhe zhvillimet gjeopolitike kanë luajtur rol të konsiderueshëm në gjithë këtë. Në kohën kur u realizua filmi “Parrullat” kishte ende mjaft interes nga vendet perëndimore për ish-vendet komuniste, e gjithë Lindja e dalë nga diktatura mbështillej me një aureolë ekzotike në përfytyrimin e Perëndimit, interes i cili kishte rënë ndjeshëm në kohën kur u realizua filmi tjetër i Xhuvanit: “I dashur armik”.

E megjithatë cilësia e një filmi nuk përcaktohet prej çmimeve.

E megjithatë më duhet të them se “I dashur armik”, në gjykimin tim, është filmi më i mirë i këtij regjisori.

Gjergj Xhuvani, përveçse një regjisor shumë i mirë, para së gjithash ishte një tregimtar par excellence!

Do të doja të ndalesha te fabula e këtij filmi. Ajo është letërsi e një niveli të lartë. E gjithë gjeopolitika e botës, mbledhur në një qilar; një partizan, një ballist, një hebre dhe një italian. Gjetje që do ta kishte zili çdo shkrimtar. Gjithë ato kundërshti, mbledhur së bashku, duke u fshehur nga një tjetër edhe më e madhe; ushtria gjermane.

E brenda një qilari, i gjithë nocioni “luftë” ndryshon kryekëput. E brenda një qilari, e gjithë ajo “luftë” ngjan vërtet e kotë…

Do të doja të ndalesha veçanërisht te figura e ballistit, luajtur me aq finesë prej Agim Qirjaqit. Mund të them se Xhuvani me këtë film arriti ta rehabilitojë bindshëm këtë figurë, e cila gjatë kohës së diktaturës ishte karikaturizuar pa kurrfarë sensi mase. Por si e rehabilitoi Xhuvani? Një regjisor tjetër, si për të larë hakun, ndoshta do t‘i kishte rënë shkurt dhe do ta kishte portretizuar në mënyrë krejt të kundërt nga sa e portretizoi diktatura, por jo një tregimtar, një rrëfyes si Xhuvani, i cili i përmbahet në çdo hap vërtetësisë. Më saktë dy rrëfyes, përderisa skenari mban në autorësi edhe emrin e të atit: Dhimiter Xhuvanit.

Është e vërtetë që ballistët bashkëpunuan me nazizmin, shpesh ata u bënë shkak  edhe që të digjeshin shtëpi e të pushkatoheshin njerëz që e ndihmonin Luftën Nacional-Çlirimtare, por është gjithashtu e vërtetë se brenda kësaj tipologjie ka patur edhe ballistë që kanë shpëtuar njerëz prej pushkatimit. Dhe kështu, brenda të gjitha këtyre kundërshtive, fokusi inteligjent dhe i ndershëm i regjisorit Xhuvani, ka ditur të realizojë me këtë personazh një figurë të besueshme, origjinale, shumë njerëzore, e cila na përcjell një mesazh të rëndësishem, se edhe brenda një kauze të diskutueshme, brenda kësaj ngushtësie, brenda kësaj vogëlsie, ka çaste kur njerëzit dinë të shfaqin madhështi befasuese. E tillë është sekuenca kur oficeri gjerman shkon të rregullojë orën te orëndreqësi hebre dhe ky i fundit i thotë i frikësuar ballistit: – Ç’ma solle zoti Et‘hem? Ti e di që këta na kërkojnë me qiri… Dhe përgjigjia e ballistit, interpretuar mjeshtërisht prej Agim Qirjaqit, i cili duket se ka qenë ekspert i roleve të madhështive të vogla, është: – Ballist jam, por nuk jam as spiun dhe as tradhëtar që t‘i them se kush je!

Krijimi i këtij roli është njëfarë shpagimi  dinjitoz i viteve të tëra diktature kur kjo figurë u tall, u përçmua dhe nuk u trajtua kurrë me rëndësinë e duhur.

Do të përmendja gjithashtu personazhin po aq të vërtetë, të paharrueshëm, te pangatërrueshëm, aq sanguin, të partizanit, luajtur aq bindshëm prej Helidin Finos, rolin aq unik të priftit, luajtur prej Niko Kanxherit, i cili ka shkëlqyer në të dy filmat e Xhuvanit apo personazhin e tregtarit të paskrupullt, luajtur me aq shumë ngjyrime nga Ndriçim Xhepa, i cili kërkon të përfitojë me çdo kusht prej rrëmujës së luftës, por që, edhe ai, brenda ngushtësisë së vizionit të tij për botën, di të shfaqë aty ku duhet një shpirt të madh, i cili personifikon shpirtin e popullit shqiptar.

Ky film i shkëlqyer të fut në atmosferë qysh me tingujt e parë të kolonës zanore. Dhe është aq harmonik. Gjithçka funksionon si duhet, deri edhe në detajet më të vogla.

Fabula e tij është letërsi e absurdit (në veçanti finalja e tij) dhe kolona zanore në njëfarë mënyre e paralajmëron këtë, qysh në tingujt e parë ne përgatitemi se do të kemi të bëjmë me një ngjyresë tragji-komike.

Në ndërtimin e karaktereve të Xhuvanit ka diçka tipike prej personazheve autor; ata asnjëherë nuk janë të mirë deri në fund dhe as të keqinj deri në fund. Një çast, kur shikuesit i ka humbur vigjilenca, ata bëjnë përnjëherë një rrotullim 180 gradë dhe na shpërfaqin një anë tjetër befasuese, por po aq të besueshme dhe të vërtetë, si pjesë të kompleksitetit të qenies njerëzore.

“I dashur armik”, ashtu si e gjithë kinemaja Xhuvani, është një film thellësisht europian, dhe shumë, por vërtet shumë modern në konceptim, edhe pse trajton një temë historike, të largët tashmë… Një fabul universale; të gjitha ideologjitë, mbledhur në një qilar, e përcjellë kjo disi shpërfillshëm, nëpërmjet batutave groteske, të zhdërvjellëta, të mprehta, të vrazhda, provokative, të qëruara (pa fjalë të tepërta), në dukje të thjeshta, por që bartin shumë filozofi po t’u rikthehesh me një shikim të dytë.

Nga dritarja e atij qilari, personazhet e këtij filmi panë më qartë se të gjithë kronikanët e botës mbledhur së bashku… Dhe ata vazhdojnë të shohin, përderisa ka ende luftëra të përgjakshme nëpër botë…

Nuk ka shumë recensa për këtë film, por ndoshta kjo vjen ngaqë shqiptarët nuk i kanë punët mirë me groteskun, nuk arrijnë ta dallojnë qartë dhe as ta vlerësojnë, sepse në të vërtetë, në realitetin e tyre të përditshëm ata vetë notojnë në një det të tërë grotesku e absurdi. Dhe e gjithë kjo situatë më kujton një rrëfenjë të David Foster Wallace: Dy peshq të rinj duke notuar, takojnë një peshk të vjetër, i cili i pyet: – Si ishte uji andej? Dhe peshqit e rinj shohin njëri-tjetrin të habitur e pyesin: – Çfarë dreqin është uji?

“I dashur armik” do të mbetet në historinë e kinemasë shqiptare si një film avantgard, plot nerv, që zhvillohet nëpërmjet përplasjeve të vazhdueshme të karaktereve, por që në fund, pas gjithë këtyre përplasejeve, ata zbulojnë se kanë më shumë të përbashkëta se kundërshti… Ka me shumë predispozitë për dashuri se për urrejtje. Me shumë dëshirë për paqe se për luftë….

I shihja me vëmendje stacionet televizive ditën që u dha lajmi për ikjen e regjisorit. Në çdo stacion kishte ritransmetim të emisioneve politike, a thua se nuk na mjafojnë t’i ndjekim një herë, tani edhe duhet t’i rindjekim. Dhe vetëm diku, si njoftim, në ndonjë cep të parëndësishëm jepej lajmi për ikjen e tij. Në një cep të parëndësishëm, ashtu siç kultura është e parëndësishme në këtë vend. Gjithë ekranin e kishin zënë politikanët.

Por hipokrizia më e madhe ishte ngushëllimi i presidentit Ilir Meta nga rezidenca luksoze ku po kalon pushimet. Çfarë paradoksi! Politikanë që shesin mend duke pushuar e notuar në luks, përballë një artisti që nuk pushon kurrë, i cili deri në çastet e fundit të jetës punon me shpirt ndër dhëmbë për të mbaruar filmin e tij! Politikanë të paskrupullt që u blejnë apartamente luksoze edhe maceve që kanë në shtëpi, ndërsa artistët që i kanë zbardhur faqen këtij vendi nëpër botë, i lënë të ikin në mjerim. Këta politikanë të paskrupullt që e katandisin artistin deri në pikë të fundit të mbijetesës, që i hedhin lakun në fyt, që e kërcënojnë se po nuk u bë me ta do t‘i heqin bukën e gojës. Politikanë që nuk kanë asnjë të drejtë morale të jenë të pranishëm në ceremoniale varrimesh të këtij lloji, sepse ata vetë janë shkaku i vdekjes së figurës së artistit.

Historia e Gjergj Xhuvanit është e dhimbshme deri në kockë. I ndërgjegjshëm se nuk i kishte mbetur shumë kohë, ai punoi deri në ditët e fundit të jetës për të realizuar filmin e tij, dhe kjo më kujton një personazh të romanit “Përsëri në këmbë”, shkruar nga i ati i tij; Dhimiter Xhuvani. Gjergj Xhuvani ishte Din Hyka i vërtetë, ai zbriti prej veprës së të atit në realitet dhe fati e formëzoi në një mënyrë gati surreale. (Qëllon ndonjëherë që realiteti të jetë shumë më tronditës se edhe fiction-i më i arrirë.)

Mund të jesh një ekonomist i mirë apo një teknicien i mirë, edhe pa e dashur shumë punën që bën, por kurrsesi nuk mund të bësh art të mirë po nuk e deshe shumë atë që bën. Dhe dashuria e Xhuvanit për profesionin e tij duket se ka qenë e jashtëzakonshme.

Le të shërbejë shembulli i Xhuvanit për të gjithë ata të rinj të pamotivuar, që synojnë famën e shdritshme, pa dhënë dashuri në profesionin e tyre. Le të shërbejë shembulli i Xhuvanit, i një tregimtari midis të tjerash,  për t‘u dhënë mesazh të fortë të gjithë atyre që duan të bëjnë filma të mirë, por që nuk lexojnë kurrë një libër. Rruga për të bërë një film të mirë autor kalon gjithmonë nga letërsia…

Çdokujt që dëgjoi se si Xhuvani u ngrit mbi sëmundjen dhe punoi deri në orët e fundit të jetës, i vjen ndër mendje vetiu një pyetje:- Po unë çfarë kam bërë me jetën time? Po unë që i kam të dyja këmbët?

Me mënyrën si iku nga kjo botë, Gjergj Xhuvani nuk u dha vetëm një leksion profesional të gjithë të rinjve që synojnë rrugë të lehta për të mbërritur te suksesi, por ai u dha atyre edhe një leksion të madh jetësor.

Desha të shkruaja dy fjalë për filmin e tij cilësor sot, sepse mendoj se një njeri që largohet nga jeta në këtë mënyrë do të ishte më i lumtur nëse do të shkruhej për veprat e tij dhe jo për të si person (“sa gota rrekëllyen së bashku”, “si nuk bëra një foto me të”, shkrime të rëndomta mejhanesh lexova diku-aty nëpër portale…)

Njerëzit që ikin shpejt nga kjo botë se ç‘kanë një ngut të përhershëm. Kanë gjithmonë një shqetësim të pandërgjegjshëm se nuk do t‘u dalë koha për të bërë të gjitha ato që kanë ndër mend të bëjnë. Prandaj vrapojnë… Disa projekte i realizojnë e të tjera mbesin pezull nëpër galaksi, deri kur të kalojnë dekada dhe të mbërrije sërish një zëdhënes i të ikurit, një Xhuvan i ri, i mishëruar, për t’i vazhduar ato projekte aty ku ai i nderpreu.

Sigurisht që në ceremonialin e varrimit të tij do të jenë të pranishëm shumë politikanë, për të marrë pak nga lavdia e të ndjerit, por ata nuk do t’ia arrijnë kurrë të marrin dashurinë e pastër që populli i jep pa kursim dhe me vullnetin e tij të lirë artistit. Atë “dashuri”që këta politikanë të paskrupullt dinë ta marrin vetëm me dhunë, kërcënime dhe represion…

@Arlinda Guma

Arlinda Guma është autore e dy romaneve:”Bulevardi i Yjeve”-2014 dhe “Terma humanitarë si fjala bombardim”-2016, autore e faqes defekt-teknik.com, si dhe autore e disa kolonave në shtypin e shkruar të Tiranës.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top