ÇFARË MË THA ENGJËLLI-AMADO NERVO

in Uncategorized by

AMADO NERVO

Meksikë, 1870 – 1919

– Shiko, – më tha Engjëlli kur qemë ngjitur në shkëmbin e thepisur prej nga zotërohej peizazhi i mrekullueshëm. – E shikon atë det aq të qetë, pa një tallaz, pa një dallgë, që qëndiset ëmbëlsisht nga vezullimi i hënës? Është Oqeani Paqësor i vërtetë, është oqeani i qetësisë së brendshme, i asaj qetësie të brendshme, të cilën ke kohë që më kot e kërkon në tokë, i asaj mirësie aq të pavlerësuar që hyjnori Galileo për çdo çast i dhuronte tek Ungjilli: “Merreni paqen time”; “Paqja qoftë me ju”; “Ju jap paqen time”; “Po ju lë paqen time”…
I shikon ato si lundra, aq të mjegullta që duken sikur janë bërë prej iluzioni? A vë re tek ato qeniet e qeta që rrëshqasin fluturimthi mbi sipërfaqen pa fund, falë velave të vogla të bardha që ngjajnë si pulëbardha dhe që i shtyn aq pandjeshëm një frymë misterioze? Ata pra, janë shpirtra, janë shpirtrat e kësaj bote që prehen në paqe.
Nën dritën e hënës, të kësaj hëne të zjarrtë, do të shikosh fytyrat që frymëzojnë, në to ka një shprehje misterioze lumturie.
– Shiko sa hijshëm rrëshqasin ato lundra të vogla, të papesha, mbi shtresën e mëndafshtë të atij oqeani! Ç’prehje e ëmbël dhe e pa ëndërruar kurrë buron prej tyre!…
– O Zot, si t’ia bëj që të kem një nga ato barka ëndrrash, që të rrëshqas me të mbi detin e qetë dhe të jem në paqe?! Dua të prehem në paqe, o Engjëll rojtar fisnik!
– Dëgjo mirë: ato lundra janë aq të brishta sa mbajnë vetëm shpirtra të zhveshur nga çdo pasion… Lum ai shpirt që guxon të hipë në to me sa më pak dëshirë, me sa më pak lakmi, me sa më pak synim për kënaqësi! Barka, aty për aty, do të fundoset në thellësi të oqeanit dhe shpirti do të zhytet në vorbullat e tmerrshme që do ta gjerbin si ventuza të përbindshme, po prej të cilave, shumë lehtë, do të arrijë të shpëtojë.
Poshtë ëmbëlsisë së atij deti, regëtimat e buta të të cilit mezi ndihen, si frymëmarrja e një nuseje që po fle, është gjeratorja e madhe (Malstrøm) e dëshirave të kurrënginjura, e këndelljeve të stuhishme që asnjëherë nuk kënaqen, e gjakimeve të turbullta që na kafshojnë shpirtin…
Por ai që hipën në atë lundër nuk merr me vete asnjë pasion, lakmitë e tij janë shuar, ai është “si lotusi që riprodhohet në ujë, por kurora e tij nuk e prek ujin…”. Prandaj nuk ka fare frikë se fundoset në ujë. Mund të flejë ëmbëlsisht nga luhatjet e lehta të lundrës; mund të ëndërrojë, mund të këndojë. Shpirti i tij është një ritëm më shumë në ritmin e ëndshëm të oqeanit. Për të ekziston vetëm e mira. Universi është si një prehër i madh, puhia e pandjeshme si një lirë e madhe, qielli, si një kopsht gjigant i yjëzuar. Uni i tij është si një zambak i butë, i ngopur me parfum qiellor. Ndriçimi dhe rrezja e hënës i thonë “vëlla”. Misteri e thërret “bir”. Nata i thotë “i zgjedhur”… Oh, sa i pasur është ai që nuk ka asgjë! Oh, sa gjëra shikon ai që di t’i mbyllë sytë!»
– Do të lundrosh? – më pyeti Engjëlli. – Ja ku është lundra që, e puthur nga hëna, duket sikur është prej sedefi. Është për ty. E kam bërë vetëm për ty… Do të hipësh në të?
– Oh, e dashur! Për të lundruar nëpër atë Oqean hyjnor paqeje duhet të të lija ty; të të lija ty, zemra ime, në breg! – prandaj, duke lëvizur kokën gjithë trishtim, iu përgjigja Engjëllit:
– Jo, nuk mundem, vërtet, nuk mundem.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Uncategorized

Françeska-Ezra Pound

Françeska-Ezra Pound   Ti erdhe prej natës ku ishe kredhurDhe në duar
Go to Top