GEORGE WASHINGTON-I I KOSOVËS-JETON NEZIRAJ

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Teatër/Tharm by

GEORGE WASHINGTON-I I KOSOVËS-JETON NEZIRAJ

 

Kosova ka marrë ndihma,
më shumë se cilido shtet tjetër në zhvillim,
përfshirë edhe rreth 1 milion kondomë cilësorë,
të prodhuar me djersë e lot në Kinë.

Nëse e krahasojmë me Afganistanin,
Kosova i bie që ka marrë 25 herë më shumë pará,
90 % e të cilave janë kthyer mbrapsht,
andej nga kanë ardhur dhe atje ku përkasin,
si kompensim për ekspertët ndërkombëtarë me syze,
që mund e djersë kanë derdhur në Kosovën e shkretuar,
përfshirë edhe atë ekspertin e ndershëm hollandez,
që mbas lufte mbante punëtori me fëmijë,
dhe u tregonte si përdoret brusha për të larë dhëmbët.

E prapë, ju do të pyesni,
ku dreqin shkuan krejt ato ndihma, krejt ato pará?
Ku mbeti ai 10%, që prapëseprapë është shumë,
për një vend kaq të vogël?
0.00001% e tyre kanë shkuar për të realizuar këtë shfaqje,
që ju po shihni sonte.
Po ne themi se ia vlente, apo jo?

Kosova është nikoqire e misionit më të madh që BE ka dërguar ndonjëherë,
quhet EULEX.
EU, posupozojmë që rri për Evropën,
LEX, mund të supozojmë që lidhet me emrin e qenit Lexi,
nga filmi “Sex and the city”,
ose diçka e ngjashme.

Dashuri me shikim të tretë,
ose marrëdhënie incesti – kështu e kanë quajtur lidhjen,
mes ndërkombëtarëve dhe elitave të korruptuara kosovare.
Përafërsisht 1/3 e shtetit jeton në varfëri,
me më pak se 1.20 euro në ditë.

Kosova ka më shumë pompa benzine për meter katror në botë,
pompa benzine dhe pishina për larje.
Po, njerëz, kjo s’është ndonjë metaforë, është realitet.
Në pishinat e reja, të gjithë janë të mirëseardhur,
përpos romëve dhe të tjerëve si ata.

Megjithatë, t’jemi realistë,
Kosova është histori suksesi!
Si rrallëkund në botë,
internacionalizmi liberal ka triumfuar!
Flamuri i Ban Ki Moon-it valon me krenari, fitimtar!

Rreth njëqind mijë kosovarë kanë kërkuar azil ekonomik në shtetet e BE-së,
nga tetori 2014 deri në mars 2015,
mes azil kërkuesve ka qenë edhe një macë me sytë larmë.

Papunësia shkon deri në 40%, pak më keq se në Palestinë,
Të papunët, me raki të shtëpisë, mbysin mërzinë.

Task forca speciale për hetime krimesh janë themeluar,
Task forca speciale për mbrojtje të minoriteteve,
Task forca speciale për trashëgimi kulturore,
Task forca speciale për të mbrojtur Task Forcën Speciale.

Nëse ndonjëherë ju pyesin,
“Cila është arritja më e madhe e Kosovës?”
Mos u mendoni gjatë, përgjigjuni:
“Kosova ka George Uashingtonin e saj,
dhuratë me dashuri nga populli amerikan!
Si kompensim, një kompani mike amerikane
Po shtron me asfalt cilësor rrugët e Kosovës.”

“Lufta është një mjet serioz për të arritur një rezultat përfundimtar serioz”, siç ka thënë Klausewitzi.

_______
Kjo pjesë është shkëputur nga teksti postdramatik “Ndërkombëtarët”, i Jeton Nezirajt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top