BILL MURRAY: “UNË NUK JAM NGA ATA ÇUNAT”

in Kinema by

Zoti Murray, ju nuk keni agjent apo menazher dhe njerëzit thonë se nuk keni as celular. Çfarë duhet të bëjë një regjisor, që ka në mendje një rol të përsosur për ju, për t’ju përfshirë në një projekt?

BILL MURRAY: Në të vërtetë çelësi do të ishte të kishte një skenar të mirë. Nuk është dhe aq e vështirë. Të paturit e një skenari të mirë, kjo është ajo gjëja që të përfshin. Njerëzit thonë se nuk mund të më gjejnë. Hëm, nëse ti arrin të shkruash një skenar të mirë, kjo është shumë më e vështirë sesa të gjesh dikë. Është shumë më e vështirë të shkruash një skenar të mirë sesa të gjesh dikë, kështu që atë njeriun mund ta gjesh. Unë nuk shqetësohem për këtë; ky nuk është problemi im. Problemi im është të kem pak paqe dhe qetësi. Si rrjedhojë, janë ata që duhet të më gjejnë, me të vërtetë që kjo është çështja e tyre. Unë nuk fshihem në ndonjë në cep që ata të mos të më gjejnë.

A kishte ndonjë pikë në karrierën tuaj, ku e kuptuat se tashmë ju mund të luanit “të vështirin”?

BILL MURRAY: Nuk mendoj se ka ndryshuar shumë. Është thjesht diçka e akumuluar që ndodh aty ku ti merr gjithnjë e më shumë vëmendje dhe në një pjesë të madhe është e këndshme, por nuk të shërben në të vërtetë ose më saktë; nuk të ndihmon të përfundosh diçka, thjesht harxhon shumë kohë. Pra, është mjaft e këndshme, por edhe do të thotë që nuk po bëj asgjë tjetër.

Mund të më jepni një shembull?

BILL MURRAY: Është sikur të merresha me biznesin e postës së fansave – nuk i përgjigjem postës së fansave. Nuk kam kohë për këtë. Duket sikur ka qindra mijëra njerëz që mendojnë se do të bëhen milionerë duke marrë autografë nga aktorët e filmit. Nuk kam kohë për ata idiotë. Kam gjëra për të bërë. Të shkruaj emrin tim? E kam bërë këtë shumë kohë më parë. Kur has dikë në rrugë, në rregull, e bëj, por t’i përgjigjjesh postës për të siguruar jetesën? Aja-aj-ja… Më pëlqen një punë ku të duhet të flesh vonë, ku bëhesh pak si i çmendur dhe argëtohesh.

A ndjeni ndonjëherë ndonjë presion për t’i bërë gjërat argëtuese në xhirime?

BILL MURRAY: E ndiej atë presion në jetë. Në fakt, nuk e ndiej si presion, është një lloj detyrimi – jo të argëtohesh dhe të jesh qesharak, por të kesh një lehtësi të caktuar. Nuk e kam fjalën për sa i përket të qenit vetëm gazmor, dua të them se duhet të ketë një shkujdesje në rrugën tënde. Duhet të ketë një lehtësi; duhet të jesh sa më i lehtë dhe të mos rëndohesh e të ngecesh në emocione, të mos ngecesh në trup, të mos ngecesh në kokë. Thjesht dëshiron që gjithmonë të përpiqesh të ngrihesh disi.

Çfarë ju pëlqen kur jeni në xhirime?

BILL MURRAY: Që përmblidhesh, që bashkohesh me të tjerët. Është një përpjekje në grup dhe je shumë intensiv dhe intim. Duhet të përqendrohesh plotësisht dhe ta hedhêsh të gjithë energjinë në nivelin më të lartë të aftësisë tënde për të punuar me atë detyrë. Zgjat pak dhe më pas ndahesh e mund të mos shihesh më kurrë me ata njerëz. Por është një përkushtim i plotë dhe më pas, thjesht bën “puf”! Dhe zhduket. Është një shaka e përhershme e tipit: “Shihemi në setin tjetër”, shaka sepse kurrë nuk sheh më askënd.

Së fundmi jeni shfaqur në shumë filma të pavarur. A është më tërheqëse kjo në ditët e sotme?

BILL MURRAY: Më pëlqejnë filmat e pavarur, por është kënaqësi të bësh edhe filma në studio. Të duhet t’i bësh të dyja. Ti nuk dëshiron të jesh: “Oh, ai është nga ata tipat e filmave të pavarur.” Duket sikur ti i qep vetë veshjet apo ndonjë gjë tjetër nga këto. Thjesht nuk tingëllon ashtu siç duhet. Por financimi, mënyra sesi shkon financimi i filmave të pavarur është e shkëlqyer, sepse paratë i merr nga ai tipi që në fakt është duke bërë shpërndarjen, në Francë, për shembull. Ti i thua: “A dëshiron një pjesë të këtij filmi?” Dhe ai duhet ta shesë këtë film për të nxjerrë paratë e tij, për të marrë paratë e tij. Ky është truri i kësaj gjëje. Ky është gjenialiteti i kësaj mënyre financimi. Kështu funksionon dhe ti thua: “Po pse nuk po e bëjnë të gjithë këtë?” Ndërkohë që ke ende marketingun e filmit dhe filmi vendas amerikan është një pjesë e madhe e tij. Por financimi mund të bëhet kështu dhe është mirë, është një lloj argëtimi.

Duket se keni patur eksperienca të mira me bashkëproducentët e huaj.

BILL MURRAY: Ne kemi patur tipa të çmendur në filmat tanë dhe kemi patur një grup interesant producentësh. Kishim ata djemtë polakë që erdhën: “Djemtë polakë po vijnë”. Çfarë është kjo? Vijnë djemtë polakë dhe janë si djem polakë të lumtur e më pas vijnë djemtë gjermanë. Një nga ata djemtë polakë më thotë (flet me theks polak): “Hej kur të dalë filmi, do të vish në Poloni?” “Po, do të vij”. Ne shkuam në Poloni për festivalin e filmit atje dhe ishte një bum total! Ishte shumë më mirë se Kana.

Pse?

BILL MURRAY: Thjesht ishte më këndshëm, ishte më i lezetshmi festival, sepse atje ishin vetëm artistët e vërtetë. Të gjithë ishin vetë kineastë, ishin ata djemtë. Ishte shumë bukur.

A përgatiteni më për rolet tuaja?

BILL MURRAY: Unë nuk jam  dhe aq i organizuar. Nuk jam nga ata çunat. Domethënë, e lexon, e shikon dhe ia nis: E kam brenda vetes, mund ta bëj. Unë nuk e marr domosdoshmërisht të gjithën cerebralisht. Ka njerëz që punojnë me ty në çdo nivel dhe në një film ku punon me njerëz që, në mënyrë ideale, i shërbejnë të gjithë të njëjtit qëllim, kjo është çfarë që më ndihmon të futem brenda rolit.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top