ÇËSHTJE VOKACIONI-Arb Elo

in Kronikë nga Dogville/Letërsi by

Arb Elo

1.

Ndërsa në politikën shqiptare protagonistët hanë ngjala me njëri-tjetrin privatisht dhe shahen publikisht në medie; në kulturë, me sa (më) duket, ky fenomen pasqyrohet së prapthi: narcisët këtu lëvdojnë njëri-tjetrin në medie dhe shahen tavolinave të kafeneve dhe restoranteve ose, edhe më mirë akoma: “shajnë” ndokënd që nuk ndan sillën e përditshme me ta e që nuk gjendet atypari, por ka shumë të ngjarë të bëjë të njëjtën gjë ndonjë kafene më tutje.

Fundja, edhe kjo që po shkruaj unë tani pikërisht tani diç’ e ngjashme është: edhe unë po u turrem kotsëkoti ca mullinjve me erë gjëkund në Tiranë, që as nuk më hyjnë në punë e as në xhep. Kjo fjala e fundit, fjala “xhep” është me shumë rëndësi në kryengulthin që përshkrova, pasi ndërsa në politikë mund t’i mbushësh këta, xhepat pra, në kulturë as që bëhet fjalë për diçka të tillë: kjo nuk ka para.

Në politikë pra pëlqehen privatisht e shahen publikisht, në kulturë ndodh e kundërta.

Ndaj edhe kundërtia mes tyre.

Nga ana tjetër, për të mos u hyrë fort në hak punëtorëve të kulturës, ndonjë thashethem do të bëhet në kafene e të flasësh, bie fjala, për cilësinë letrare të aksh autori, te cilin mbase edhe e njohim personalisht, nuk ka asgjë të keqe, madje është fort e këshillueshme, krahasuar kjo me tjerrjet politiko-mafioze po aty, të cilat janë si ato kafet me bisht: s’është çudi që të gjesh belanë prej tyre a të ta gjejë shpejt ndonjë silenciator tëmthin.

Për të bërë një parantezë të qesëndisë për thashethemet letrare, aq pak sa marr vesh nga ata pak miq virtualë dhe nga shtypi në ngujimin tim mërgimtar: tani kam fiks 36 miq në Facebook. Më të shumtët janë veç familjarë, ndaj përgojimi pa ia përmendur emrin ndokujt – që ndoshta mund të projektojë lexuesi në shtjellimin tim – nuk është me patjetër as faj e as i qortueshëm: është thjesht muhabet i padëmshëm tryezash.

E shënoj këtë pasi pikërisht kjo nuk është e vetëkuptueshme në tavolinat kulturore që ceka. Di shumë kolegë – ca vetë, ca me të dëgjuar e ca me të lexuar – që harrojnë se në këtë mes, në mesin letrar pra, nuk ka asgjë – të paktën që prej një çerekshekulli e gjasat janë që kjo të vijojë – nuk ka pra asgjë për të fituar. Mbase ndonjë fond ministrie, ndoshta ndonjë bursë a ndonjë çmim a rrugë jashtë, por as këto nuk janë më së shumti arsyeja pse këta merren me cilësinë letrare të sivëllezërve. Arsyeja është më së shumti në thelb luksoze dhe sqimatare: bëhet fjalë në shkruan a jo mirë ndokush, në ky a ai libër ia vlen e me radhë.

S’ka asgjë të keqe kjo pra, nëse… do t’i lexonin kolegët. Natyrisht që askush nuk ka pse të niset e të lexojë posaçërisht autorë shqiptarë; nuk ka asnjë arsye për këtë, siç nuk ka dhe ndonjë arsye të posaçme për të lexuar belletristikë e jo libra të profesionit, bie fjala. Nuk është edhe problemi se po ngrihen e po kritikojnë libra që nuk i kanë lexuar, madje këtu nuk ka asnjë problem. Thashë: një muhabet do bëhet tavolinave, qoftë ky edhe absurd e pa lidhje.

Problemi, në pastë ndonjë të tillë – porse nuk ka – është vetëm se më së pari “këta” po bëjnë “një vrimë në ujë”. Krahasuar me këtë tipin që bën vrima në ujë, Narcisin që sodit veten në pellg ku ma gjen.

Ç’kuptim ka të ulesh e të shkruash sot në shqip?

E mu këtu ndahen këndvështrimet, pasi kjo çështja e kuptimit ka të bëjë drejtpërdrejt me rolin që i ka mveshur vetes secili prej nesh në këtë botë. Shumë e marrin të vetëkuptueshme atë flijimin absurd të shkrimtarit për të ndriçuar të tjerët, ide kjo me siguri që i ka burimet në krishtërim, në marrjen e mëkateve përsipër e të vënit e një llambe gjëkundi, “që të shohim pakëz dritë…”. Gjendet edhe te Pushkini, edhe te Lasgushi kjo qasje (me figurën e nositit) e shumë e shumë autorë të tjerë shqiptarë që u pëlqen ta krahasojnë veten me profetin, sidomos në poezi, sidomos te romantikët.

Shënova:… i ka burimet në krishtërim – e m’u kujtua menjëherë Prometeu pastaj. Shumë pra nga ne identifikohen me të e duan t’u sjellin zjarr njerëzve. Pavarësisht se nuk ka asgjë të qortueshme të kesh zgjedhur për hero tëndin dikë që përfundoi aq keq, dyshimi në këtë sipërmarrje është që kjo është gjithashtu absurde. Me Prometej janë të mbushur tash cit raftet, dru kemi me bollëk e zjarrin e kemi marrë vesh qysh atëbotë se si ndizet.

Vërtet nuk e di se cilat qenkëshin arsyet pse shkruajnë sivëllezërit e mi në shqip, por mund të shkoqisja të miat më parë se të merresha me të tyret. Për mua këto motive janë të një natyre goxha pragmatike: ose do të dal të pi një kafe, ose do të shoh futboll, o do të shkruaj. Shpesh vendos për këtë të fundit dhe pasi ke hedhur ca rreshta është mëse e natyrshme të shohësh edhe t’i publikosh ata gjëkundi. Ndërsa pjesa e tjetër e ajsbergut, shtatë të tetat e tij në ujë – kaq gjë e kam mësuar këto kohë e me moshë – nuk varen pastaj nga unë dhe, siç thashë, në këtë mes nuk ka asgjë për të fituar. Kur shkruan shqip.

Në gjuhë të tjera, sidomos në ato të mëdhatë, është tjetër gjë; në to mund të kish njeriu pse të shkruante, pasi në to ka vërtet diçka për të fituar.

Ndërsa për pushtetin shpirtëror te lexuesi, në të lexojnë e të duan, për këtë është e kotë të vramendesh e kjo nuk arrihet as me kritika të mira, as me studime që i bëhen veprës tënde: kjo është çështje dashurie e ndaj e mjegullt e misterioze. Që nuk shkoqitet dot tavolinave e as nuk i jepet dot drejtim.

Por siç thashë, ndonjë muhabet do e bëjmë, siç ky që kam nisur shpresoj të jetë.

2.

Një shkruesi nuk i lejohet të shkruajë për një tjetër – këtij parimi i jam përpjekur t’i përmbahem sa herë tundohem të fjalëzoj mbresat e mia për simotra e sivëllezër që shkruajnë edhe ato/a, sidomos publikisht. Porse edhe në jetë: ato/ata që më njohin e dinë se normalisht ruhem të shprehem për kolegë, pos për t’i lëvduar këta – varësisht e në përpjestim kjo edhe me bashkëbiseduesin, pasi me disa lëshohemi ca më shumë e me të tjerë ca më pak – mëse e natyrshme pra kjo derimë këtu e asgjë për t’u shënuar posaçërisht.

Shënova se 36 miq kam në Facebook e një mendje më thotë të krasis nja 7 a 8 prej tyre, jo se më kanë bërë gjë, – as se po më bezdisin, as se nuk i dua e as se i dua, – por për të sajuar një si tavolinë me maksimumi 3-4 vetë, ku të mund të shprehem fare lirisht, pasi edhe vetë kam dëshirë e neps për të sharë edhe unë ndonjëherë me kuç e me maç, për t’iu gërmushur ndokujt, kot mbase e pa arsye, për të përgojuar edhe unë ndonjë që s’e meriton e qeni qepën të hajë pastaj, për të bërë “sherr” pra e për t’u rrahur, për të ndier atë shijen e athët të rrezikut e të gjakut buzës së fryrë, kur të godet mu aty ndonjë “i fortë” siç dhe ti do të jesh e mbase edhe di të jesh, për të rënë në burg, se burgu për burrat është e me radhë.

Herën e fundit e të vetme që përmenda një emër të përvetshëm, ndonëse jam aq kalorës sa t’ia tregoj më së pari këtë të përmendurit vetë e pastaj ta publikoj përmendjen time në një rreth të mbyllur me 51 persona, porse jo aq të mbyllur sa ç’duhej, parë që të nesërmen, më thanë, ish hapur fjala në Tiranë se po kërkoja “çmim” – kështu e kish interpretuar o ky i lartpërmenduri, o ndonjë nga këto laraskat që ta lexojnë shkrimin mes dy përzierjeve të gjellës, me njërën foshnjën në krahë e motakun tjetër që klith këmbëve të tryezës, me televizorin ndezur te Top-i e mbase edhe ndonjë mace aty vërdallë, e i gëzohen sherrit të mundshëm që premton kjo “përplasje”, që vetëm e tillë s’ish… “Po çfarë “qmimi” po më thua, – iu ktheva një informanteje vullnetare thashethemesh, – unë vetëm dy libra kam botuar e të fundit 6 vjet më parë; si mund unë të nisem e të kërkoj të më japin “qmim”?”

Kështu ndodhi pra që tani numri i miqve në Facebook shkoi 36. Qysh atëherë nuk kam shkruar më për tema të tilla, por tani ja që më ha hunda dhe pse jo njëherë, i them vetes, dua edhe unë të bëhem harbut nganjëherë, i vrazhdë e me radhë. Jo, do të më thonin ato vajzat që u fshinë: ti rri aty pa u ndier e shkruaj vargje.

E pikërisht kjo mënyrë të përftuari më pat nervozuar asokohe e më nervozon edhe tani që hedh këto radhë e që nuk ka të bëjë me cic-micet më sipër e aq më pak me çmime, vlerësime e trapllëqe kësisoj, por me mënyrën se si e shohin çështjen e vokacionit këta njerëz.

“Këta” kanë paturpësinë të mrekullohen nga mjerimi më i skajshëm i tjetrit, të cilin e marrin për vuajtje krijuese; me një fjalë: “këta” mendojnë se për të shkruar aq mirë sa Dostojevski, apo At Zef Pllumi, bie fjala, duhet të kesh rënë në burg apo të të kenë lidhur sytë para togës së pushkatimit; madje edhe më keq se kaq: këta e kujtojnë burgun, mundimin, mjerimin tonë, si parakusht për artin që në mos i bie ta shkruajnë vetë, ta “shijojnë” e kjo na qenkësh edhe qëllimi i gjallimit tonë në këtë botë, që këta të shkruajnë “ese” se sa bukur na qenkëshin pushkatuar ata djem të shkretë, se sa heroike paskësh qenë kjo e me radhë.

Për ta ilustruar – por edhe për të ndryshuar tonin e hidhur e rrjedhën e këtij shkrimi – po marr një shembull që ma pat treguar një mik, i burgosur edhe ky në diktaturë, e që i kish ndodhur këtij vetë, në kah të kundërt sidoqoftë e ku ish ndier keq.

3.

Miku im, pasi kish bërë një mal me burg në diktaturë më në fund ia sjell jeta disi më mbarë e punon ca kohë për një gazetë a revistë të huaj, diçka e tillë, dhe i nisur nga dëshira e mirë dhe e sinqertë për të denoncuar plagë si të vetat, të pambyllura akoma edhe pas rënies së diktaturës, niset e shkon me një si ekip gazetarësh në çmendinën ende aty, me sa duket, të Elbasanit për “të intervistuar” ndonjë pacient, duke pritur mbase që këta ta vinin vetë gishtin në plagën që i binte të ishin vetë.

Çka i kish mbetur në mendje e që ende e bënte të skuqej, siç më rrëfeu e i ndodhi edhe kur ma tregoi mua këtë, ishte vetëm një fjali që i kish thënë njëri nga të ndryrët aty, një djalë i ri aty, siç kish qenë dhe ai vetë kur kishte rënë në burg, në Spaç a në Burrel a Qaf’bar.

Pasi ky i kish bërë ato pyetjet e zakonshme gazetareske, që nuk m’i renditi, por që mund t’i përfytyroja edhe vetë, me: a jeni i kënaqur me kushtet, si ju trajtojnë këtu, etj., etj., ky djali vetëm e kish parë pjerrtas, pa inat e pa asnjë emocion, tha miku im, e i kishte thënë veç: “Po tallesh?!…” … dhe kishte shtuar pastaj, tregonte miku im: “…por qenke burrë i mirë.”

Ajo që më vrau më shumë, vijoi miku, ishte pikërisht kjo:”… por qenke burrë i mirë.” Pasi nuk e tha as me ironi, as me nënkuptim të fshehtë, as me empati: e tha thjesht fare, me thjeshtësinë me të cilën kafshohet buka.

4.

Edhe unë, kur pohoj se disa njerëz që ndërmenda më sipër e që do të përmend më poshtë, kur shënoj pra se janë njerëz të mirë, këtë e mendoj vërtet ashtu, e mendoj këtë thjesht e drejt, pa asnjë nuancë, më së pari pa nuancën e gjykimit në cilësimin “të mirë”, me sigurinë e indiferencën e kujt e di që kjo, e mira e tyre është punë më së pari e atyre vetë dhe e Perëndisë, në kjo qenkësh. Ndërsa unë për vete mendoj – porse kjo nuk luan asnjë rol, kjo nuk më hyn më së pari mua vetë në sy – mendoj vërtet se këta njerëz janë të mirë.

Distancat mes njerëzve sot janë shkurtuar virtualisht shumë, por edhe përzgjatur, nga ana tjetër, sa nga mërgimi, sa nga degëzimet e pafundme që mundëson po ky virtualitet që ofrohet e na afron. Mund të krahasohej kjo fare mirë me një labirint global ku jemi ndryrë ca nga halli e ca vullnetarisht, me pikëtakime të përbashkëta e korridore personale të pafundme, ku endemi më së shumti të vetmuar kohën tjetër.
Kështu ndodh që të hasesh këtyre anëve përditë me njerëz të largët e të afërt njëkohësisht, që i mëshojnë ca asaj që na largon, që na tëhuajëzon, e të tjerë asaj që do i binte të na përbashkonte.

Por cila qenkësh kjo e fundit, përpos faktit që po shkruhemi e po lexohemi në shqip, po të lemë mënjanë për një çast faktin banal se ndoshta vijmë nga i njëjti qytet dhe faktin edhe më banal se hymni ynë përmban rreshtin: rreth flamurit të përbashkuar?

Se në të qenit bashkëkombas gjen arsye sa të duash si për t’u dashur, ashtu edhe për t’u urryer, për t’u plasur brenda e pushkatuar; si për të pirë gjak me ndonjë vëllam të panjohur vetëm e vetëm se ky është shqiptar, por edhe për të ikur prej ca të tjerëve nga sytë këmbët, siç nahive tona ka ndodhur e ndodh akoma , dëshmi e së cilës jemi ne të parët, lexuesit e këtyre rreshtave dhe shkruesi i tyre.

5.

U nis e shkroi njëherë një nga këta njerëzit e mirë një ese për që ne patëm ikur të parët atëbotë, ne dykorriksat e ambasadave e mirë bëri që e bëri, por më mirë mos ta kishte bërë.

Dhe nuk është problemi se kishte dalë në përfundimin mbase historik (nuk e vë dorën zjarr që nuk paskësh qenë ashtu e nuk më intereson fort), kish dalë në përfundimin se atë demonstratën e heshtur që i kish paraprirë hyrjes në ambasada e paskësh kurdisur sigurimi. Çfarë s’bën vaki, mbase paskësh qenë edhe ashtu, nuk është kjo që më nguc ta përmend këtu.

Ajo që më nguc e më bën të shënoj pa asnjë nënkuptim a ironi a konotacion, – mu si ai i çmenduri në Elbasan që përmenda më lart: “Po tallesh?!… por qenke burrë i mirë…” – është vokacioni i këtyre sprovave.

Këta njerëz të mirë harrojnë më së pari se vërtet Niçeja shkruan diku se gjërat më të mira shkruhen me gjak dhe mbase ashtu qenkësh, ndonëse vetë nuk parapëlqej të lexoj plagë të hapura, – por meqë e paskësh thënë Niçeja këtë e ky vërtet ishte një si ky djali i Elbasanit, po e lë ashtu siç është, ashtu siç lihen nganjëherë qelitë për muze, megjithë datat e të ngujuarve aty, të shkruara edhe këto me gjak. Pasi ky njeri i mirë më shtjelloi gjithashtu se pikënisja e tij estetike për të tilla ese qenkësh Borhesi, të cilin po e marr gjithashtu të dhënë e nuk po e kontestoj, nisur se edhe ky ka diku një të ngujuar që bën veten tatuazh. Në e lemë tigrin këtu mënjanë që është fundja e njëjta gjë – dhe shkruajmë “gjak” këtu, e bënte veten tatuazh me gjakun e tij, edhe këtë pandehmë a aksiomë unë nuk kam pse e kontestoj.

Sepse është gjaku “i vet”.

Tjetër gjë, por tjetër fare, është të duash të shkruash me gjak, jo me tëndin, por me atë të tjerëve. Ma do mendja se edhe ky njeri i mirë do të ish i pari që do të skuqej kur ta lexonte këtë që sapo shkrova, sepse ai vetë i pari nuk do e kish llogaritur kurrë që “të tallej?!”, me gjakun e ndokujt, por ja që kështu i bie me rregullin e tre policëve, marrë parasysh që gjak u derdh vërtet atë ditë: një tetëmbëdhjetëvjeçar hëngri një plumb qorr te hekurat e ambasadave, për të mos përmendur shumë pjesëmarrës në atë demonstratën e heshtur që u rrahën nga policia atë natë, e cila i bie ta kishte organizuar këtë, demonstratën e heshtur pra, sipas këtij njeriu të mirë. Dhe vërtet, kur shkruaj “i mirë”, e mendoj vërtet këtë, që ky përpiqet e është vërtet “i mirë”, pa asnjë nuancë ironie a patetizmi a emocionaliteti.

Ndonëse, fundja, aq më bën në qenkësh a nuk qenkësh i tillë, për arsyen e thjeshtë se as nuk kam tagrin e as ambicien për të bërë gjykatësin e të tjerëve dhe për tilla çështje ka ose edhe nuk ka Perëndi, por edhe kjo nuk më intereson.

Thashë, ajo që më intereson në këto radhë, ajo që më nervozon, është vokacioni si i tillë. Po pse ore, të vjen t’u thuash këtyre njerëzve, të mirë a jo, me jetët tona e mjerimin tonë e me rininë tonë e me vdekjet tona; me gjakun tonë e gjetët të shkruanit ese-të tuaja? Po pse nuk i shkruani ndonjëherë me tuajin, pse gjithnjë me atë të tjerëve?

Uroj më së paku t’ju hyjë në punë ky për t’u skuqur nganjëherë, se edhe këtë po e bëni gjithnjë e më rrallë, e kjo nuk bëhet dot me gjakun e tjetërkujt.

6.

Mund ta ngjyesh pendën në gjak, por mund ta ngjyesh atë edhe në mjerim. E menjëherë të ndërmendet Migjeni. Ndërsa ky shkroi për mjerimin e të tjerëve e mbase me gjakun e vet, sivëllezërit e tij që po rendis më poshtë i sillnin të tëra bojërat me vete.

Mes nesh që shkarravitim vargje përmendet shpesh emri i Rreshpjes e, sa herë që pyetem për të, se si më duket ky si poet e ç’mendim kam për poezinë e tij, më kaplon një çast heshtjeje, pasi nuk më vjen të them: “e bukur” dhe jo se kjo nuk qenkësh e tillë, e bukur pra, apo se nuk më pëlqen; jo, aspak.

E njëjta gjë më ndodh me vargjet e Ilir Belliut dhe të Jamarbër Markos, siç më ndodh edhe me letërsinë e Dostojevskit që përmenda në krye, siç më ndodh me atë që quhet “letërsia e burgjeve”; më ndodh me Celan-in kjo, me Solzhenjicinin e me Dhjatën e Re, me ditarin e Ana Frankut; lista do të ishte e gjatë këtu.

Pasi cilësimi “i/e bukur” do të ishte i pavend, në mos cinik. Mbase fjala: “e dhimbsur”, me konotacionin e dhembshurisë, të empatisë që përmban vetiu mjerimi, vuajtja, endja rrugëve të Tiranës e të Shkodrës për vite të tëra, mbase të fjeturit përjashta e me radhë: vetëm “të bukura” që nuk mund të jenë; po ashtu edhe letërsia që buron prej tyre.

Nuk mund të ketë bukuri në Aushvic, në Spaç e në gulag. Nuk mund të gjendet estetikë në kërpudhën e një bombe atomike, sado madhështore e marramendëse të jetë ajo.

Edhe në pastë bukuri në to – dhe ka – ajo është bukuri që vret e kur lexoj emrat e lartpërmendur unë ndiej gjithnjë atë “vrarjen”, atë lëndimin që pat ndier miku im në Elbasan; mua më vjen turp e mbase edhe skuqem, ndonëse nuk do të dija se si mund t’u kisha ndihur këtyre të mjerëve, parë që nuk i kam njohur e tani s’janë më.

Por mund t’u kishim ndihur “ne” është ndjesia që më bën të skuqem së brendshmi, pa çka se shumësi kështu do të ishte i pavend e në këtë rast, përjashtimisht e së prapthi, të vjen mirë e keq njëkohësisht që je shqiptar, porse edhe njeri, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale.

7.

Tjetër gjë është të lexosh një libër për burgun e tjetër gjë është të gjendesh vetë në burg. Tjetër gjë është arti e tjetër, por fare tjetër gjë, është jeta, ndonëse i pari ushqehet me esencën a pleshtat e kësaj, mu si ato zogjtë e vegjël që qërojnë elefantët nga parazitët, nga kjo e dyta, bashkëjeton në simbiozë me të.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e këtej, tek ne është bërë thuajse e pamundur të ndahet njëri nga tjetra. Në rastin e Rreshpjes së lartpërmendur, bie fjala, lexuesi nuk e merr vesh se ku mbaron vuajtja ekzistenciale e autorit e ku nis vuajtja krijuese artistike e këtij; e njëjta gjë mund të thuhej edhe për Zef Pëllumbin, Jamarbër Markon, Bashkim Shehun, Fatos Lubonjën, Visar Zhitin, etj., e thuajse për tërë atë që njihet si “letërsia e burgjeve”, mbase edhe për “letërsinë e sirtarëve”; në një një kuptim më të gjerë mund të thuhej kjo edhe për Camajn e heshtjen munguese të Lasgushit.

Ndonëse dikush mund të ketë iluzionin e çlirimit prej diktaturës e të mendojë se qysh prej ’90-ës e këtej gjithkush është “i lirë” të shkruajë e të shprehë ç’të dojë, edhe pas rënies së tiranisë, arti shqiptar, për këdo që mëton ta marrë seriozisht këtë, më së pari është vuajtje ekzistenciale e jo medoemos artistike, me një fjalë: në të merr koka erë e mëton të bësh art në Shqipëri a në shqip, duhet të llogaritësh më së pari që pasojat e kësaj kokëkrisjeje do i paguash vetë më së pari në jetë, jo medoemos me burg si derimë atëherë, porse me mënjanim, me izolim prej bashkëkohësisë, me mungesë të ardhurash e me vështirësi ekonomike, ku më e hidhura nga këto simptoma mbetet sidoqoftë efekti i asaj që quhet “të bësh një vrimë në ujë”, pasi sado i lartë a i mirë të qenkësh arti që krijon një shqiptar në ditët e sodit, ky nuk ngjan t’i interesojë më kujt, t’i interesojë vërtet shikuesit, dëgjuesit a lexuesit.

Nga njëra anë ka një inflacion të prodhimit artistik, me vlera a pa vlera qoftë ky, ndërsa, nga ana tjetër, mungesë të theksuar interesi prej konsumentëve, që kanë sidoqoftë me bollëk se ç’të shohin, ç’të dëgjojnë e ç’të lexojnë, efekt ky i drejtpërdrejt i globalizmit dhe mundësive mediatike të papërfytyrueshme deri një çerek shekulli më parë.

Këtë kontekst absurd, me të cilin është i detyruar të përballet edhe arti mbarëbotëror, arti shqiptar e vuan dyfish, sa nga sfera e kufizuar vetiu nga gjuha e nga tregu i vogël, sa nga shkatërrimi i infrastukturës së trashëguar e nga mungesa e një të reje të konsoliduar, infrastrukturë që vendet më të zhvilluara e kanë dhe vijojnë t’ua përshtatin dilemave të përzgjedhjes dhe komercializmit.

Ndaj edhe te ne dilemat e kurdokohshme e aq luksoze që përmbajnë pyetjet elitare “Pse shkruajmë?” e “Për kë shkruajmë?”, çështjet e vokacionit pra, nuk janë asfare të natyrës filozofike apo artistike, por të natyrës jetësore, parë që njeriu i artit tek ne në hierarkinë shoqërore ka zbritur në rangun e palakmueshëm të një Don Kishoti, që vuan në lëkurë të tij zgjedhjet që ka bërë, në rangun e fantastit pra, në mos të një të çmenduri që i duhet të përballet vetë më së pari me retorikën e përgjigjes së munguar të pyetjes: “Po tallesh?!”

 

Tags:

1 Comment

  1. Shkrimin e gjej jo “te bukur”, por te vertete (sipas se vertetes sime -te pakten) dhe prekes.
    Pershtypje me ben adresimi maskilist ndaj femres: “laraska” “midis dy perzierjeve te gjelles” (a dicka e tille pasi s’e kopjoja dot) e aq me teper ne rolin e saj si nene (me femije rrotull). Gjithashtu informatorja vullnetare prape femer (pavaresisht se ne kete rast mund te jete vertet).
    Sido qe dihet se ka shume vajza dhe gra (mes tyre dhe shume poete) siperfaqesore e vanitoze, me mire ato prej tyre qe lexojne, e aq me teper poezi, sesa ato qe vrasin kohen me kafe, cigare e biseda koti.
    Apo se burrat qe s’hapin nje liber apo denden me pije.
    E sa per informante thashethemexhie njoh disa meshkuj (se burra…) zyrash, qe do t’ua kalonin shume grave se bashku, per shpifje, tashetheme e intriga.
    Gjithe te mirat

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kronikë nga Dogville

Go to Top