Adam Michnik, Gandi i Polonisë! – Portret nga Czeslaw Milosz  

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës by

Czeslaw Milosz (1911-2004), Nobel 1980

Më lejoni të filloj duke cituar Mahatma Gandin: “Nëse një qeveri bën një padrejtësi të madhe, pala tjetër duhet ta ndërpresë bashkëpunimim pjesërisht ose plotësisht, aq sa nevojitet për të larguar sunduesin nga e keqja. Në secilin rast, siç e përfytyroj unë ka një element vuajtjeje si mendore edhe fizike. Pa një vuajtje të tillë është e pamundur të fitosh lirinë.”

Sot, afër fundit të shekullit që ka qenë dëshmitar i ngadhënjimit të veprimit të Gandit në vendin e tij, është e ligjshme të pyesësh nëse këto fjalë të profetit të jodhunës nuk janë pak tepër idealiste. Shpesh dëgjojmë argumentin e meqë Perandoria Britanike e respektoi ligjin, rezistenca pasive pati shans për sukses, ndërsa shteti modern policor dhe totalitar nuk njeh asnjë kufi në ushtrimin e pushtetit. Përballë një shtetit të tillë a është mos-ushtrimi i dhunës, një filozofi, dhe taktikë e mundshme e individit? E vërteta është që edhe vetë Gandi i pranoi vështirësitë e kësaj lëvizjeje. Ai tha se “mosushtrimi i dhunës kërkon mospasje frikë dhe guxim të shkallës më të lartë. Unë i pranoj me dhimbje këto dobësi.” Dhe megjithatë Gandi nuk pati si kundërshtar një shtet që dërgon tanket kundër sindikatave të punëtorëve.

Prirja jonë kryesore për ta vendosur të mundshmen në të kaluarën na bën shpesh të mos i kushtojmë rëndësi veprimeve të bashkëkohësve tanë që nuk pranojnë gjendjen e menduar të ngurtë të gjërave dhe arrijnë të bëjnë atë që në pamje të parë ishte dukur e pamundur ose e pagjasë për të ndodhur. Dhe nëse ka një njeri sot që përfaqëson filozofinë e mosushtrimit të dhunës, atij duhet t’i njihet kjo meritë dhe duhet të nderohet. Mund të përmendja emrin e Les Valesës së Solidarnos-it. Këtë herë, megjithatë, dua të përqendrohem tek një njeri që mbron në shkrimet e tij ndryshimin shoqëror pa përdorur dhunën, dhe duke e bërë këtë krijon bazat e teorisë së që udhëheq veprimin e tij shoqëror. Kam në mendje Adam Michnik-un lindur në 1946 në Varshavë. Meqë kishte  vendosur të behej intelektual, megjithëse një lloj tjetër intelektuali, ai studioi histori në universitet dhe në të njëjtën kohë u angazhua me veprimtari opozitare. Nga viti 1965 e më pas u arrestua disa herë. I përjashtuar nga universiteti, pasi u dënua me tre vjet burg në vitin 1968,  punoi si punëtor fabrike ndërsa studionte për histori.  Nisi të përkufizojë fushën e tij të veprimit: 1) ta shohë realitetin qartësisht, t’u bëjë thirrje intelektualëve që ta mposhtin frikën dhe të mos e tjetërsojnë të vërtetën. 2) Të ripërkufizonte marrëdhëniet mes intelektualëve dhe dy forcave kryesore të afta për ta ndryshuar Poloninë, punëtorëve dhe kishës.

Në vitin 1977 Michnik dërgoi në Francë në mënyrë klandestine librin “Kisha, e majta, dialog,” libër në të cilin ai flet për marrëdhëniet e deriatëheshme armiqësore mes kishës dhe intelektualëve. Dialagu që Michnk kërkonte ishte bashkimi i këtyre dy forcave për ta shndërruar shoqërinë me mjete jo të dhunshme. Pas protestave spontane në Random në 1976, të shypura mizorisht nga policia, Michnin u bë një nga themeluesit e Komitetit për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR), e cila synonte të vinte në zbatim synimin e tij, një aleancë mes intelektualëve, punëtorëve dhe kishës mbështetur në parimet e ligjshmërisë dhe mos-ushtrimit të dhunës.

Ai vetë demonstroi besnikërinë ndaj parimeve që besonte gjatë një proteste masive afër Varshavës, kur një turmë rrethoi një stacion policie. Michnik ndërhyri për të mbrojtur policët e rrezikuar dhe për të qetësuar turmën. I internuar me mijëra të tjerë pas shpalljes së ligjit të luftës në 3 Dhjetor, 1981, Michnik kaloi gati tre vjet në burg. Kur i propozuan që ta nxirrnin nga burgu nëse largohej nga Polonia, ai nuk pranoi. Me një vetëdisiplinë të jashtëzakonshme arriti të shkruante dy libra në qeli. Në këto libra ai shfaqet si një kritik letrar i nivelit të epërm dhe si historian që ka një stil shumë më të gjallë se studiuesit e universiteteve… Nëse hamendësimi lejohet, Michnik është një nga ata që i bëjnë nder dekadave të fundit të shekullit të njëzetë, edhe pse një film për jetën e tij nuk do të xhirohet shpejt.

____

Czeslaw Milosz, parathënia e librit të Adam Michnik “Letra nga burgu” dhe ese të tjera”, botuar në SHBA në 1985. (1911-2004) Lindi më 1911 në  Lituani. Studimet e larta i përfundoi Universitetin e Wilno-s, atëherë pjesë e Polonisë. Bashkë-themelues i grupit letrar “Zagary”, në vitet 1930 botoi dy vëllime me poezi. Pjesë e shërbimit diplomatik të Polonisë Popullore që nga viti 1945, i prishi marrëdhëniet me qeverinë më 1951 dhe u vendos në Francë ku shkroi disa libra në prozë. Në 1960, i ftuar nga Universiteti i Kalifornisë, u zhvendos në Berkeley ku nga viti 1961 ishte profesor i gjuhëve dhe letërsisë sllave. Fitues i shumë çmimeve letrare, në vitin 1980 iu  dha  çmimi Nobel për letërsinë.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top