A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?/Ajkuna Dakli

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Një përgjigje erdhi nga Ajkuna Dakli.

Ajkuna Dakli

Këndo o Muzë mninë e Akil Pelidit” .. kështu nisin këngët e Iliadës, kryeveprës së mitologjisë greke, që përcolli për shekuj me radhë bashkë me historinë e luftës së Trojës dhe historinë e njerëzimit, dhe hodhi themelet e letërsisë duke mos e humbur kurrë magjinë e saj ndër shekuj.
Në kohën kur njerëzimi ua blatonte perëndive fatkeqësitë dhe mrekullitë,  Muzat ishin hyjnitë e frymëzimit, që trupëzonin besimin se arti i të rrëfyerit është dhunti dhe si i tillë është jashtë vullnetit të të vdekshmëve të zakonshëm.
Por edhe sot, pas shekujsh, kur Muzat kanë zbritur tashmë nga Olimpi, të shkruarit mbetet një impuls që vjen së brendshmi, një dëshirë ose nevojë ku e ka zanafillën çdo krijim letrar.
“Nuk ka agoni më të madhe sesa të mbartësh me vete një histori të parrëfyer”, thotë Maya Angelou.
Askush nuk mund të shkruajë letërsi nëse nuk e ka këtë shkëndijë brenda vetes. Kjo dëshirë a nevojë, mbetet e lidhur me skutat e fshehta të shpirtit, një lloj magjie që është në thelb po aq hyjnore sa në kohën e grekëve të lashtë dhe, si e tillë, nuk mund të mësohet.
Nga impulsi i parë, rrugëtimi i një libri është i gjatë dhe i vështirë, një sfidë me veten dhe më pas me lexuesin, një akt që kërkon kurajë dhe besim te vetja dhe trajektorja e kësaj rruge nuk mund të futet në korniza dhe të përshkruhet me hapa.
Por nëse të shkruarit nuk mund të mësohet, pse duhen kurset letrare?
Që nga mitologjia greke, shumë nga perlat e letërsisë botërore, përfshirë këtu edhe përallat dhe legjendat e folklorit, janë përcjellë në shekuj pa u shkruar gjëkundi, por megjithatë duke i qëndruar  kohës, sepse rrëfimi e ka jetën të mbrujtur në forcën e në bukurinë e fjalës dhe të mendimit që përcjell.
Legjendat, përrallat, këngët e folklorit dhe më pas librat, sjellin me vete botën e tyre, që me kohë e zgjerojnë botën e shkrimtarit, lëmojnë e përsosin kurbat e mendimit të tij, konceptet etike e morale dhe idenë për të bukurën. Nëse të shkruarit është një lundrim, një vepër letrare e shkruar mirë është për një shkrimtar një dritë fari që i tregon drejtimin nga ndodhet bregu.
“Nuk ka rregulla sesi të shkruash. Ndonjëherë vjen lehtë dhe në mënyrë të përsosur, ndonjëherë është si të shposh në një gurore dhe më pas ta hedhësh në erë ” .
Kjo thënie e Hemingway-t e përshkruan rrëfimin si një art figurativ. Një shkrimtar e gdhend fjalën për të shfaqur në fund para lexuesve idetë e tij nëpërmjet ngjarjeve e personazheve që ka në mendje. Fjala e gdhendur do jetojë gjatë ose do kthehet shumë shpejt në pluhur.
Të shkruarit shpesh është një kalvar, dhe motivet për të qëndruar në këmbë shkrimtari duhet t’i gjejë  brenda vetes. Po kur ai njihet me veprën e të tjerëve para tij, të atyre që e kanë nisur këtë kalvar me të njëjtat dëshira e shpresa, me degëzimet e shtigjet e rrugëve, me kurbat e fjalëve dhe të mendimit  të tyre, mund të gjejë te historia e tyre fitoret ose dështimet, një dritëz që t’ia ndriçojë më shumë  rrugën e gjatë në të cilën është nisur. 

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top