Niko Kazanxaqi
“Ajo që ka rëndësi, biri im, nuk është t’i vish vërdallë botës, por të vish rreth e rrotull qendrës së botës.”
– Përse udhëton, – më pyeti një plak me shami të bardhë në kokë.
– Të shoh botën.
– Por atë mund shikosh dhe në vendin tënd.
– Por dua të shoh gjithë botën…
Atëherë plaku filloi të më flasë me një ironi dashamirëse.
– Përse gjithë botën? Qendra e vendit ku u linde dhe u rrite nuk të mjafton? Bëj xhiron e atdheut tënd dhe kjo është njësoj sikur t’i vish vërdallë botës. Më fal, por do të të tregoj një histori të motshme.
– Nëna e Botës kishte dy djem, – zotin e Mençurisë dhe zotin e Luftës. Të dy dëshironin që ajo t’i mbante në gjunjët e saj. Dhe si plakë që ishte, u thotë: – Nuk mund t’ju mbaj të dyve. Shkoni e bëni një xhiro vërdallë botës dhe ai që do të kthehet i pari do ulet në gjunjët e mi.
Zoti i Luftës i hipi kalit të zi dhe u bë erë. Zoti i Mençurisë, i ulur përballë nënës së tij, dëgjoi vëllain të ikte me shpejtësi dhe i egërsuar dhe bëri tre xhiro rreth nënës së tij. Më pas u ul në gjunjët e saj.
Pas ca kohësh zoti i Luftës u kthye sërish i rraskapitur, e gjeti vëllain të ulur në gjunjët e nënës dhe i inatosur i thotë: – ”Përse e mban aty? Ai nuk u largua prej këtej!”
Dhe nëna iu përgjigj: – Ajo që ka rëndësi, biri im, nuk është të bësh xhiron e botës, por të bësh xhiron e Qendrës së Botës.
Shkëputur nga “Kopshti Shkëmbor”
Përktheu: Nilda Baxha