Nga dita e një poeti/Sueton Zhugri

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

DITË POETI NË MËRGIM

  Sueton Zhugri

Pastajmë ( një jo-ekuacion).
Kjo është një ditë poeti në mërgim. Shumë mirë mund të jetë edhe një javë, një muaj, një gjendje kohore e paracaktuar. Zgjohem ose ndoshta edhe bie të fle. Pi një gllënkë nga filxhan i çajit dhe shoh përtej.
Mjafton një sy. Edhe një mendim i vetëm. Një shpirt i lashtë brenda një ëndrre. Arkëmortet kanë duar që të shtrëngojnë nga brenda. Çdo vështrim i tyre është një hi vullkanik i ftohur. Buzët e kufomës që prehen të kujtojnë detet që kurrë s’i ke parë, të bukur, të largët, të mbaruar… dhe ajo sikur të flet; (lind apo vdes poezia).
“Lamtumirë vetmi, lamtumirë nënë, lamtumirë pyll, lamtumirë mushkonja të ngopura me gjakun tim të ëmbël, lamtumirë Hënë paraplegjike… e verdha e vyshkur e syve të mi, lamtumirë!
Asnjë këmbanë nuk bie për mua mureve të gjashtëfishta. Ja ku jam me duar të çmbledhura. Dëgjoj vetëm një zë kukuvajke në epsh dhe ëmbëlsinë e shiut që lëpihet kalldrëmit të varrëzës. Këtejane kjo është arritja e vetme e thithkave mëngjesore, pëshpërima e mbetur e natës së shkuar. Tani do pushoj, tani dhe në përjetësinë e moteve, në barkun e uritur të krimbave të bukur pa sy. Në thellësitë e ndjenjave të tokës së zezë. E di, jeta tashmë bredh çiltërsisht gjetiu. Imja nuk është më vetmi, as edhe një gjendje e përkryer skamjeje dhe poshtërimi. Jam në një botë tashmë pa enigma, në tokë të askujt, kujtimtar i hijeve të asgjësë. Drita dhe hija atje njëjësohen, asgjësohen, në re të tymta deforme, tokë e jovdekjes dhe e jojetës. Përherë i ri, përherë i plakur, përherë fëmijë, përherë i palindur. Një jo-mirazh, i pakuptimtë, bosh. Jo, jo!
Kënga ime u këndua. Jam i lumtur me hisen time të papërkryer. Kam ruajtur brenda meje një dritare si një mendim blu mes reve. Ndodhet në lartësi në barkun e një korbi që gëlltiti mbetje të trupit tim. Një qenie që krakërrin, sytë rrathë të jeshiltë-argjendtë. Mbjell hapësirën tonë të përbashkët. Lumturia e erës e shtyn gjëkundi, i lehtë, tinzar i zi, në gjueti gllabëruese për horizonte e copëza shpresash të reja e të vdekura.
Ndoshta kanë mbetur njëzet pranvera ende për të jetuar. Etërit një nga një po mbyllin sytë. Imi iku, yti, po ashtu… mëmat vajtojnë si kukuvajka mbuluar me lule e varak. Edhe tridhjetë pranvera. Eh, sikur të rroja edhe tridhjetë pranvera. Një numër i sapombyllur në një grusht. Rriten fidanë të rinj dhe dhëmbët tanë kalben. Nuk kapemi më prej duarsh por prej sysh. Mos ma lësho vështrimin! Dua t’i ngjitem murit, është i mbuluar me gjemba qelqi. Gjaku rrjedh pa drejtim. E ka një emër udha e Tokës rreth Diellit. Askushja. Përsëritëse. Ngelëse. Orë muri në shtatë pa shtatë. Të gjithë të larë në të njëjtin det e sërish mbetur thatë. E megjithatë rrotullohet. Sa qesharake! A merret frymë nga hundët? Frymë merret me lëkurë. Qen i të njëjtës nate, duke gënjyer veten. Çdo të thotë të jesh i gjallë. Patetizëm i numërimit të pranverave. Është e lehtë pasi ke ikur, fle, si pas një sesioni seksi të ëmbël. Me të vetmen diferencë që më nuk zgjohesh. Përse mbarojnë pranverat? E para, e dyta, e dhjeta, e tetëdhjeta. Të kujtojnë apo jo, ku qëndron ndryshimi? Gjithçka është tjetërsuar, harruar, dyzuar, vëri emrin që do vetë. Shko dhe nxirr nga lavatriçe e yjeve, pluhurin andej, shpirtin këndej dhe mos i lër të fluturojnë mbi çerdhet e qyqeve. Do të më thuash që qyqet nuk ndërtojnë çerdhe…
Pikërisht!
Ti je një shpirt i lashtë brenda një ëndrre…
Amen, amen.
Poezia u shkrua me gjakun tim dhe tëndin LEXUES.

12.7.2022

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top