Marshi i Oqeanit-Yannis Ritsos
Kopshtin e kishim buzë detit
nëpër dritare rrëshqiste Dielli
dhe nëna ulur
në stolin e ulët
qëndiste fushat e pranverës
me pragjet e hapura të shtëpive të bardha
me ëndrrat e lejlekëve në çatinë me kashtë
shkruar në të kaltrën e tejdukshme.
Ti nuk kishe ardhur ende.
Shikoja perëndimin dhe të pashë
një shkëlqim rozë në flokë.
Mamaja më mbante duart.
Por unë
pas shpatullave të saj të buta
pas flokëve të saj të venitur
shtresuar me një aromë durimi dhe mirësie
shikoja i vrenjtur detin.
Po më thërriste një pulëbardhë
në thellësi të mbrëmjes
atje në kthesën blu të maleve.
Nënë, kush i bie ziles blu të horizontit?
Dëgjuam këngën e detit
dhe nuk mundëm të flemë më.
Nënë
mos ma mbaj dorën.
Dëgjo këngën tonë nënë
këngën e udhëtimit të ri.
Ti që qan vdekjen
nuk na njeh.
Deti nuk qan.
Këndon.
Ti e dije që do të largoheshim, nënë
dhe kripose darkën tonë me lot
e përkulur dhe e trishtuar nën yje…
Nënë, nënë
që të mohuam
urtësinë e butë të lotëve
ku është dora jote e shumëvuajtur
me shprehjen e kujdesit?
Ku është dora jote
të dëgjojmë agimin dhe detin
të ngrohim vetminë?
Nënë
qielli u shemb
nga lotët e të pafajshmëve…
Nëse është vala më e ngrohtë se dashuria
dhe anija më e ngrohtë se porti
ti e di
teksa ikja këndon në flokët e tu…
Le të ikin të gjithë.
Le të ikë gjithçka.
Unë do të qëndroj sërish
përballë qiellit të gjerë
përballë detit të madh
pa hidhërim e ankim,
të këndoj
Nuk ka kufij bota, nënë…
_______
“Marshi i Oqeanit” (1940), (fragment).
Përktheu: Shpendi Shakaj
Piktura: “Nëna” – Ivan-Valentyn Zadorozhny Ukrainë).
Me Enida Sheshi Haxhin për poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos
Defekt-teknik i kërkoi Enida Sheshi Haxhit të përzgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të