“Lista e Schindlerit” dhe njeriu që e frymëzoi

in Kinema by

28 vjet më parë, në mars të vitit 1994, filmi i regjisorit Stiven Spielberg: ”Lista e Schindlerit”, fitoi 7 çmime Oscar. Ky film është konsideruar si një nga performancat më të rëndësishme në historinë e të gjithë filmave kushtuar Holokaustit, sepse frymëzoi të gjithë të mbijetuarit të rrëfejnë torturat e tyre dhe bëri gjithë botën të dëgjojë.

“Një vajzë e vogël me pallto të kuqe që ecën përmes ushtarëve, pa e ndaluar askush. Hyn në një shtëpi, ngjit shkallët dhe fshihet nën një krevat. Fati i saj është i paditur deri sa Oskar Schindler ndjek transportimin e viktimave të kampit dhe në njërën prej karrocave me kufoma, shikon një pallto të kuqe dhe flokët e saj të verdhë.”

Kjo është njëra nga skenat më të fuqishme në historinë e kinematografisë amerikane në ’93. Thuhet se pas realizimit të kësaj skene, regjisori u mbyll në dhomën e tij dhe qante si fëmijë. ”Lista e Schidlerit”, më regji të regjisorit Stiven Spielberg dhe me skenar të Stiven Zaillian-it, bazuar në librin e romancierit australian Thomas Keneallz, flet për një pronar fabrike që shpëtoi më tepër se një mijë emigrantë hebrenj, kryesisht nga Polonia, duke i marrë në punë në fabrikat e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në rolet kryesore protagonistë janë Liam Neelson si Schidleri, Ben Kingslez, si llogaritari hebre, etj.

Ky film ndjek historinë e vërtetë të çekut partner me nazistët, Oskar Schindler, i cili arriti të shpëtonte 1200 qytetarë hebrenj, duke dhënë rryshfete dhe duke ”blerë” tek autoritetet gjermane punëtorë për fabrikat e tij.

Mund të thuhet se viktimat e Holokaustit ishin protagonistët e vërtetë. Për të mbijetuarën më të re në moshë: Rena Finder, nuk ishte 31 dhjetori i vitit 1942 dita kur mund të festohej ardhja e Vitit të Ri, ishte vetëm fillimi i tmerrit të jetës së 13 vjeçares, kur babai i saj u akuzua si anëtar i rezistencës dhe u arrestua. Nuk u panë më. ”Isha shumë e vogël dhe u duk sikur u bëra armikja e shtetit nga njëra ditë në tjetrën”- tha Finder në një telefonatë për TIME nga shtëpia e saj në Framigham të Masahusetisit.

Deri në ditën kur ”Lista e Schindlerit” doli në kinema, paraqitja e historisë së vërtetë ishte shpesh herë jo e saktë. Hookausti ishte pasqyruar më tepër nëpër dokumantarë, veçanërisht në Evropë.

”Lista e Schindlerit” është një film i profilit të lartë, prodhim i njërës prej studiove më të mëdha, drejtuar me mjeshtëri nga njëri prej regjisorëve më të suksesshëm të kohës sonë. Një film i tillë është një ngjarje e pazëvendësueshme… Një film i suksesshëm do të thotë që ka një shans të jetë aty për të na mësuar diçka. Asnjë regjisor dhe producent tjetër nuk e ka mundësinë dhe fuqinë të japë kurajë atëherë kur ekziston rreziku i temës që paraqet. Në rastin konkret ajo është mjaft e tmerrshme.

Mund të thuhet se filmi nuk u pëlqye menjëherë prej kritikëve të kinemasë. E përditshmja Izraelite Gaueta Haatetz e quajti: ”Parku i Holokaustit të Spielbergut”, ndërkohë që gazeta gjermane Die Welt e përshkroi si ”fantazitë e një djaloshi nga Kalifornia, që nuk e kishte treguar asnjëherë interesimin e tij për çështjet e Holokaustit dhe të hebrenjve”. Të tjerë thanë se Spielbergu e mori përsipër këtë film vetëm e vetëm se besonte se do të fitonte ndonjë çmim Oscar. Me të vërtetë filmi fitoi çmimin e madh për regjinë më të mirë dhe njëkohësisht u vlerësua si filmi më i mirë i vitit 1994. Vetë regjisori, i pyetur për eksperiencën e tij, u shpreh se ”të mbijetuarit po plaken” dhe kjo u bë shtysë për të krijuar një film me temën e Holokaustit. Kjo ishte arsyeja që Spielbergu krijoi më 1994 fondacionin USC Shoah Foundation, The Institute for Visual Histore and Education. ”Ende njohuritë e kësaj pjese të historisë janë të pakta, pasi nuk bëjmë një film, por po krijojmë një dokument” – deklaronte Spielbergu.

Deri në vitin 1990 ishte me të vërtetë e vështirë të gjendej një manual për Holokaustin, thotë David Crowe. Në të njëjtin vit me filmin u hap në SHBA Muzeu i Kujtesës së Holokaustit dhe pas kësaj pati një shpërthim interesimi për fakte dhe ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore. Ky fenomen u zgjerua edhe tek personat realë që kishin vuajtur në kampet e përqëndrimit. Vetë Finder tha se qarkullimi i filmit e bëri të ndalonte së qeni e vetmja e mbijetuar, e gatshme të flasë për eksperiencën e saj. Pas daljes së filmit, shumë njerëz donin të mësonin më tepër për historinë. Dukej sikur ra muri i heshtjes” – përfundon ajo.

28 vjet më vonë filmi konsiderohet si shfaqja më reale e kohëve tona për sa i përket mënyrës barbare të nazistëve, mënyrës së jetesës së njerëzve gjatë luftës edhe pse shpesh herë janë përdorur fantazi, p.sh., personi që i dha idenë e shpëtimit të emigrantëve polakë hebrenj ishte ish-pronari i fabrikës, i quajtur Abraham Bankier, që në film nuk përmendet.

Pas hyrjes së nazistëve në Poloni, në vjeshtën e vitit 1939, iu morën pasuritë shumë qytetarëve dhe ata u detyruan prej esesëve të punonin si krah pune nëpër fabrika, njëra prej të cilave ishte ajo e Schindlerit në Krakovia. Shumë burra gjermanë shkonin në luftë, kështu që punëtorë – skllevër hebrenj përdoreshin për t’u shfrytëzuar. Vetë Schindleri nuk ishte altruist, ai bënte një jetë të pasur, megjithatë, për të fituar i duhej ta vazhdonte më tej punën në fabrikat e tij. Bankieri i shiti atij idenë e punëtorëve hebrenj, të cilët ishin më të lirë se qytetarët polakë që nuk ishin hebrenj. Kështu që kjo ide iu duk Schindlerit fantastike për fitim. Gjithsesi, cilësia e jetës së këtyre punëtorëve u rrit dukshëm, ashtu sikurse fitimet e pronarit. Ushqimi ishte më cilësor, burrat dhe gratë nuk u ndanë, esesët nuk u lejuan të hynin në kampin ku jetonin punëtorët apo në fabrikë.

Finder-i e mban mend mirë që pronari i tyre kujdesej mirë për ta. Buzëqeshte dhe na pyeste si ishim, na fërkonte kokën. Mbaj mend që isha e ftohur dhe qëndrova në klinikë për tri ditë. Nëse do të isha sëmurur në Plaszow do të më kishin vrarë menjëherë. Nëse qëndronte në klinikë, për më tepër se një ditë, i sëmuri vritej, por jo në fabrikën e Oskar Schindlerit.

Në vitin 1944, kur përparonte ushtria e kuqe e Bashkimit Sovjetik, pronarët e fabrikave po ndërtonin armatime për ushtrinë gjermane dhe i shpërngulën fabrikat e tyre drejt perëndimit. Schindleri i transportoi nga Krakovia në Brunnlity, në Çekinë e sotme. Atëherë u krijua lista e famshme, për të shpëtuar më tepër qytetarë hebrenj, që ata të punonin për t’u shpëtuar. Ato kohë Schindleri ishte në burg, pasi ishte akuzuar për dhënie ryshfeti një ushtaraku gjerman. Në të vërtetë, ishte më tepër se një listë me emra. Goldberg – njëri prej hebrenjve – robë në kampin Plaszow, kishte vendosur në këto dy lista 300 emra grash dhe 700 emra burrash, të destinuar për t’u bërë punëtorë – skllevër. Mendohet se Goldberg-u i zgjodhi këta persona mes të shumtëve në kampin e përqëndrimit, sipas njohjeve të tij personale, si dhe miq të miqve.

Përpara se këta ”hebrenj të Schindlerit” të shkonin në Brunnlitz, duhej të inspektoheshin. Burrat u çuan në kampin Gross – Rosen dhe gratë në Aushvic. Burrat e kaluan më shpejt kontrollin, ndërsa disa gra u zhdukën në proces e sipër. Ky është një çasr ku e vërteta dhe filmi patën disa ndryshime. Schindleri dërgoi një sekretare për të gjetur pjesën tjetër, në vend që të shkonte vetë, por e vërteta e kësaj përvoje ishte aq e tmerrshme saqë asnjë film nuk do të mund ta pasqyrojë me saktësi.

Kur mbërritëm në Aoushvic, kishim shumë etje. Përpiqeshim të kapnim ndonjë flok bore. Por nuk binte borë. Ishin shkëndija hiri. Pastaj na thanë të zhvisheshim për kontroll. Mbaj mend, që pasi na rruajtën kokën, na futën në dhoma të errëta ku na hidhnin ujë të ftohtë. Ishim krejt të zhveshura dhe mbaj mend që kërkoja nënën time, të cilën nuk mund ta dalloja. Mendova, tani nuk do të vuajmë më, sepse jemi pothuajse të vdekura. Ajo m’u përgjigj: – Nuk jemi të vdekura, jemi gjallë, – kujton Finder.

Brunnlinz-i  ishte në funksion që nga tetori i vitit 1944 deri në kapitullimin e gjermanëve, më maj të vitit 1945. Schindleri arriti të shpëtonte 1098 persona me hapjen e kësaj fabrike.

Me të ardhurat që mblodhi gjatë luftës, Schindleri fitoi 18 konteinerë me mallra të ndryshme, si këpucë, lëkurë, lesh, etj., të gjitha ua dha punëtorëve të tij. ”Këto janë fitimet tuaja, – i tha Finder-it. Por pas luftës bankat ndryshuan… njerëzit që dikur ishin punëtorë hebrenj e ndihmuan nëpërmjet një sërë veprimesh të tyre. Schindleri vdes në vitin 1974, në Frankfurt, në moshën 66 vjeçare, por ai ende nuk është i njohur. Të gjithë e konsideruan si të Dërguarin i Zotit për ndihmën që u dha…

Përgatiti: Nilda Baxha

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top